ATV

Blog

  • 25 vjet nga rënia heroike e Ilaz Kodrës

    25 vjet nga rënia heroike e Ilaz Kodrës

    Sot bëhen 25 vjet nga rënia heroike e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodra, i cili ka qenë pjesë e celulave të para të UÇK-së dhe pjesëmarrës i të gjitha luftërave në Drenicë dhe rrethinë.

    Ilaz Ismajl Kodra u lind më 3 maj 1966 në lagjen Kodra të Prekazit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa tetëvjeçaren dhe shkollën e mesme, Gjimnazin, i ka kryer në Skenderaj. Pas kryerjes së shkollës së mesme, regjistrohet në Shkollën e Lartë Komerciale në Pejë. Shërbimin e detyrueshëm ushtarak e ka kryer në Slloveni.

    Ndikimi atdhetar, që kishte ushtruar te rinia përparimtare dhe revolucionare e Prekazit e më gjerë, akti heroik dhe qëndresa e Tahir dhe Nebih Mehës, më 13 maj të vitit 1981, kundër policisë jugosllave, i kishte dhënë impulse idesë së vazhdimit pa kthim të rezistencës së armatosur kundër pushtuesit.

    Edhe Ilazi, ashtu si më parë Adem dhe Hamëz Jashari kishin mendime identike lidhur me nevojën e fillimit të luftës së armatosur, në kohën kur po shihej mirëfilli se Jugosllavia do të shpërbëhej dhe kur tashmë kishte filluar shkatërrimi i saj me ndarjen e Sllovenisë dhe me fillimin e luftës në Kroaci e më vonë edhe në Bosnje e Hercegovinë.

    Ilaz Kodra mbante kontakte ilegaliteti me komandantin Adem Jashari dhe me pjesëtarët e bërthamës së parë çlirimtare të Drenicës. Ata, në vitin 1991 kishin kaluar kufirin edhe ishin futur ilegalisht në Shqipëri, me qëllim për t’u stërvitur dhe për t’ u armatosur.

    Në periudhën para fillimit të luftës së hapur kundër forcave pushtuese serbe, Ilaz Kodra mori pjesë aktive në forcimin e njësiteve luftarake të UÇK-së, në mobilizimin e vullnetarëve. Po ashtu, ai mori pjesë edhe betejën e njohur të Rezallës së Re, betejë kjo që u zhvillua më 26 nëntor të vitit 1997.

    Pas betejës së Adem Jashari dhe të Jasharëve të tjerë në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, bashkëluftëtarët e komandantit vazhdojnë veprimet luftarake duke e zgjeruar UÇK-në po thuajse në çdo fshat të kësaj ane.

    Ilaz Kodra, Fehmi Lladrovci, Abedin Rexha e të tjerë ishin kthyer në Drenicë së bashku me familjet e tyre. Po ashtu, frontet e luftës ishin zgjeruar edhe në Dukagjin, Anadrin, Neredime, në Shalë e në Llap.

    Ilaz Kodra ishte pjesëtar i kreut të luftës në Drenicë. Së bashku me Sami Lushtakun, Hashim Thaçin, Sylejman Selimin, Mujë Krasniqin, Rexhep Selimin, Nuredin Lushtakun, Fehmi Lladrovcin, Xhevë Krasniqin-Lladrovci, Abedin Rexhën, Musë Jasharin, Sahit Jasharin, Shaban Shalën, Fadil Kodrën, Zenun Kodrën, Ilaz Dërgutin, Asllan Fazliun, Besim Malën, Sabit Llardovcin e shumë të tjerë, komandant Ilaz Kodra ka marrë pjesë si në organizimin dhe strukturimin e luftës çlirimtare, ashtu edhe në zhvillimin e saj në terren, në malet e Qyqavicës dhe gjithandej në Drenicën Qendrore.

    Pas rënies së Fehmi Lladrovcit dhe Xheva Krasniqit-Lladrovci më 22 shtator 1998, Ilaz Kodra u caktua komandant i kësaj brigade, e cila mori emrin e komandantit të saj të parë, Fehmi Lladrovci.

    Rrezja e veprimit luftarak e Brigadës 114, “Fehmi Lladrovci” e Zonës Operative të Drenicës shtrihej në një pjesë të Qyqavicës, prej Kronit të Mbretit, në Vasilevë në Drenas, Verboc Shtuticë, Baks, Qirez, Morinë, Dashevc, Prekaz, Polac, Prelloc, Skenderaj e deri në Tërnac.

    Në prill të vitit 1999, forcat okupatore serbe të goditura ashpër nga aeroplanët e NATO-s mllefin dhe zemërimin po e derdhnin kundër popullatës civile duke pushkatuar e masakruar kudo ku ata bënin përpjekje të mbijetonin, në kushte dhe rrethana të një rrethimi të hekurt.

    Me të marrë lajmin se forcat serbe po bënin përpjekje të mësynin popullatën civile në fshatin Verboc e Shtuticë, Ilaz Kodra niset për t i shkuar në ndihmë popullatës.

    Herët në mëngjes fillon sulmi i forcave armike, të cilat kishin rrethuar vendi në formë patkoi. Ilaz Kodra ka luftuar fyt për fyt kundër forcave serbe. Ai ra në altarin e lirisë më 30 prill 1999, në fshatin Shtuticë”.

    Në vitin 2012 është zbuluar busti i heroit dhe është inauguruar kulla-muze e tij.

  • Hamasi po përgatit një përgjigje pas ofertës për armëpushim në Gazë

    Hamasi po përgatit një përgjigje pas ofertës për armëpushim në Gazë

    Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, po shqyrton ofertën e Izraelit për një armëpushim 40-ditor në luftën në Rripin e Gazës.

    Duke u kthyer në Katar pas bisedimeve të fundit në Kajro, delegacioni i Hamasit tha se do të “diskutonte idetë dhe një propozim”.

    “Ne duam të përgjigjemi sa më shpejt të jetë e mundur”, tha një burim i Hamasit për AFP-në, në kushte anonimiteti.

    Burime egjiptiane i thanë Al-Qahera News, një faqe e lidhur me shërbimet e inteligjencës egjiptiane, se delegacioni i Hamasit do të “kthehej me një përgjigje me shkrim”.

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i përshkroi kushtet e armëpushimit si “jashtëzakonisht bujare”, ndërsa Shtëpia e Bardhë u kërkoi kolegëve ndërmjetësues – Egjiptit dhe Katarit – të rrisin presionin ndaj Hamasit për të pranuar përpjekjen e fundit për t’i dhënë fund luftës gati 7-mujore.

    Presidenti amerikan, Joe Biden u bëri thirrje udhëheqësve egjiptianë dhe të Katarit “të bëjnë çdo përpjekje për të siguruar lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi”, duke e quajtur atë “pengesën e vetme” për sigurimin e ndihmës për civilët në Rripin e rrethuar të Gazës.

    Për muaj të tërë, Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara janë përpjekur të sigurojnë një marrëveshje të re.

    Gjatë një armëpushimi një-javor në nëntor, 80 pengje izraelite u shkëmbyen për 240 palestinezë të mbajtur në burgjet izraelite.

    Bombardimet izraelite kanë shkatërruar Gazën e kontrolluar nga Hamasi, duke rrafshuar pjesën më të madhe të territorit dhe duke e çuar popullin e saj në prag të urisë.

    Në qytetin jugor të Rafahut, palestinezët dëshpërohen nga lufta teksa kërkojnë viktimat e sulmit të fundit.

    “Civilët që nuk kanë lidhje me Hamasin apo ndonjë grup tjetër u goditën nga një raketë, u copëtuan”, tha Um Louay Masri, në një ndërtesë të shkatërruar ku fëmijët po nxirreshin nga nën rrënoja.

    Izraeli është zotuar të nisë një sulm ndaj batalioneve të Hamasit në Rafah, ku shumica e 2.4 milionë banorëve të Gazës kanë kërkuar strehim.

    Por Ministri i Jashtëm, Israel Katz gjatë fundjavës tha se qeveria mund ta “pezullojë” atë operacion nëse arrihet një armëpushim.

    Duke folur në Riad gjatë vizitës së tij të shtatë në rajon që nga fillimi i luftës së Gazës, diplomati i lartë amerikan Blinken theksoi nevojën që Hamasi “të vendosë shpejt” për një armëpushim.

    Ai tha në një takim special të Forumit Ekonomik Botëror se “shpreson të marrë vendimin e duhur”, ndërsa ministri i Jashtëm egjiptian, Sameh Shoukry tha se “propozimi mori parasysh pikëpamjet e të dyja palëve”.

    “Ne shpresojmë kështu”, shtoi ai.

    Një burim i Hamasit i tha AFP-së se grupi ishte për një marrëveshje që “garanton një armëpushim të përhershëm, kthimin e lirë të të zhvendosurve, një marrëveshje të pranueshme për [shkëmbimin e të burgosurve dhe pengjeve] dhe fundin e rrethimit” në Gazë.

    Izraeli vlerëson se 129 pengje mbeten në Gazë, duke përfshirë 34 që besohet të jenë të vdekur.

    Sulmi i Hamasit rezultoi në vdekjen e rreth 1.170 njerëzve në Izrael, shumica prej tyre civilë.

    Ofensiva hakmarrëse e Izraelit vrau të paktën 34.488 njerëz në Gazë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e kontrolluar nga Hamasi. /REL

  • Moti sot me diell dhe vranësira

    Moti sot me diell dhe vranësira

    Moti sot parashihet të jetë me diell dhe vranësira, të cilat gjatë ditës pritet të shtohen, ku ka mundësi të sjellin ndonjë reshje të dobët shiu.

    Temperaturat do të pësojnë ulje të lehtë, me minimale që do të lëvizin prej 6 deri në 9°C, ndërsa ato maksimale prej 21 deri në 24°C.

    Era do fryjë kryesisht nga drejtimi i veiut me shpejtësi prej 10-38 km/h, njofton Meto Kosova.

  • Presidentja Osmani i falënderon deputetët evropianë për mbështetjen ndaj Kosovës

    Presidentja Osmani i falënderon deputetët evropianë për mbështetjen ndaj Kosovës

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, i ka falënderuar deputetët e Parlamentit Evropianë për mbështetjen ndaj Kosovës.

    Përmes një postimi në platformën “X”, Osmani ka thënë se Kosova ishte “e bekuar” që kishte miq, aleatë, avokatë të panumërt e eurodeputetë që na qëndruan pranë.

    “Ata pamëshirshëm mbështetën vendosmërinë tonë të qartë ndaj BE-së, përkrahën me këmbëngulje përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe ishin kampionë të vërtetë të popullit tonë”, ka shkruar Osmani.

    Ajo i ka falënderuar të gjithë eurodeputetët që ngritën zërin për popullin e Kosovës, duke shtuar se do të vazhdojnë të qëndrojnë në këtë rrugë siç është shprehur ajo “të papenguar”.

     

  • Sot përballja e parë e dy gjigantëve evropian, Bayern-Real Madrid

    Sot përballja e parë e dy gjigantëve evropian, Bayern-Real Madrid

    E vetmja mënyrë se si Bayerni mund të shmangë një sezon pa trofe që nga 2011/12 është të fitojë Ligën e Kampionëve dhe për ta bërë këtë ata duhet të kalojnë rivalët e vjetër Real Madridin.

    Pavarësisht dominimit të fundit të Bayernit në futbollin gjerman, ata kanë gjithmonë probleme në ballafaqimet kundër Madridit dhe nuk kanë fituar asnjë nga shtatë e fundit ndaj tyre, një ecuri që përfshin tri humbje radhazi në shtëpi pësuan të paktën dy herë. Në vend të kësaj, ata do të përpiqen të frymëzohen nga të qenit të pamposhtur në ndeshjet evropiane në shtëpi që nga humbja ndaj PSG-së në prill të vitit 2021 (12 fitore, 3 barazime).

    Real Madridi ishte në gjendje të ulte në stol disa lojtarë kryesor për fitoren 1-0 të së premtes mbrëma ndaj Real Sociedadit, kështu që trajneri Carlo Ancelotti kthehet në një nga ish-klubet e tij me më pak shqetësime fizike dhe lëndime sesa rivali i tij Thomas Tuchel. Në një seri prej dhjetë ndeshjesh të pamposhtur në Champions pas fitores epike të penalltive ndaj Manchester Cityt në çerekfinale, Reali është tani favorit për ta fituar këtë kompeticion, përcjellë KosovaPress.

    Ndeshja zhvillohet në “Alianz Arena” me fillim nga ora 21:00 dhe këto janë formacionet e mundshme:

    Bayern: : Neuer-Kimmich, Kim, Dier, Davies — Goretzka, Pavlovic — Sane, Gnabry, Guerreiro — Kane.

    Real Madrid: Lunin – Vazquez, Tchouameni, Rudiger, Mendy — Valverde, Kroos, Camavinga — Bellingham — Rodrygo, Vinicius Jr.

  • E qëlloi me shtatë plumba ish-mikun e tij, sot shpallet verdikti për vëllain e reperit Buta

    E qëlloi me shtatë plumba ish-mikun e tij, sot shpallet verdikti për vëllain e reperit Buta

    Gjykata Themelore e Ferizajt do të shpallë sot aktgjykimin ndaj Qëndrim Januzit, vëllait të reperit Buta, i cili akuzohet për vrasjen e ish-mikut të tij Gazmend Hysenit në Ferizaj para dy vjetësh.

    Seanca gjyqësore ku do të shpallet aktgjykimi në këtë çështje penale, do të nisë në orën 10:00.

    “Ju njoftojmë se të marten më 30 prill 2024, duke filluar nga ora 10:00, vazhdon seanca gjyqësore me shpalljen e aktgjykimit në çështjen penale, kundër të pandehurit Q.J., i akuzuar për shkak të veprave penale vrasja e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.5 të KPRK-së, si dhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

    Seanca e shpalljes së aktgjykimit është e hapur për publikun.

  • Gërvalla në Bruksel, merr pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të BE-së, do flasë për procesin e anëtarësimit të Kosovës në KiE

    Gërvalla në Bruksel, merr pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të BE-së, do flasë për procesin e anëtarësimit të Kosovës në KiE

    Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla është duke marrë pjesë në takimin ministror të BE-së në Bruksel në në 20-vjetorin e zgjerimit, kur 10 shtete të reja anëtare iu bashkuan Bashkimit Evropian në vitin 2004.

    Sipas njoftimit, Gërvalla për të marrë pjesë në këtë përvjetor është ftuar nga Presidenca belge të Këshillit të BE-së, më saktësisht me ftesë të Ministres së Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane dhe Tregtisë së Jashtme, Hadja Lahbib.

    “Gjatë sesioneve do të diskutohet rreth sfidave, nevojave dhe praktikave më të mira dhe reformave të sundimit të ligjit në kuadër të procesit të zgjerimit të BE-së. Në këtë takim, i cili mbledh ministrat e shteteve anëtare të BE-së dhe atyre me perspektivë anëtarësimi, Republika e Kosovës do të paraqes të arriturat e saj në procesin e integrimit në BE, reformat e thella të ndërmarra në sundim të ligjit dhe fusha të tjera, të evokojë rreth proceseve nëpër të cilat po kalojmë dhe nevojën e ndërmarrjes së veprimeve për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftim.

    Ministrja Gërvalla do të realizojë edhe takime bilaterale me Ministra të Jashtëm dhe të Çështjeve të BE-së për të diskutuar rreth marrëdhënieve dypalëshe dhe proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, në veçanti rreth procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

  • Ministrja Haxhiu e ministrja Hajdari do të raportojnë në komisionet e Kuvendit

    Ministrja Haxhiu e ministrja Hajdari do të raportojnë në komisionet e Kuvendit

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, do të raportojnë në Komisionet përkatëse të Kuvendit të Kosovës.

    Ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, do të raportojë në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, lidhur me realizimin e projekteve të ministrisë për vitin 2023 dhe planet e ministrisë për vitin 2024.

    Mbledhja e këtij komisioni fillon në orën 11:00.

    Kurse në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, do të ketë diskutim në Komision lidhur me çështjen e rritjes së numrit të prokurorëve që do të merren me krime të luftës dhe krime të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe për këtë të ftuar janë Albulena Haxhiu – Ministre e Drejtësisë dhe Ardian Hajdaraj, kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës.

    Mbledhja do të fillojë nga ora 13:00.

  • Sot në Kuvendin e Kosovës bëhen homazhe për ish-deputetin Ali Lajçi

    Sot në Kuvendin e Kosovës bëhen homazhe për ish-deputetin Ali Lajçi

    Sot në Kuvendin e Kosovës do të bëhen homazhe për ish-deputetin Ali Lajçi.

    Homazhet do të bëhen nga ora 10:00 deri në ora 12:00 në hollin e Kuvendit.

    Lajçi ka vdekur ditën e hënë.

    Lajçi ka përfunduar gjimnazin në Pejë dhe Fakultetin Filologjik në Prishtinë.

    Ai ishte ish i dënuar politik nga regjimi i Serbisë. Në vitin 1981 ai ka qenë organizator i demonstratave, arsye për të cilën është dënuar me 15 vite burg.

    Që nga viti 2001 deri në vitin 2007 ai ka qenë kryetar i Komunës së Pejës, ndërsa nga viti 2007 deri në vitin 2010 deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

    Ngushëllime për vdekjen e tij kanë shprehur udhëheqësit e vendit si dhe liderët politikë.

  • Disa arsye përse duhet të hani vezë më shpesh

    Disa arsye përse duhet të hani vezë më shpesh

    Veza është një nga ushqimet më të shëndetshme për njeriun që ka pësuar një rikthim triumfues, pas pretendimeve për rolin e saj negativ në shëndet.

    Vezët ofrojnë rreth 6 gramë proteinë të një cilësie të lartë. Sipas të dhënave kjo do të thotë se vezët ofrojnë të gjithë amino acidet që duhet të merrni nga ushqimet, madje po aq sa mishi.

    Proteina konsiderohet si një nga ushqyesit më përmbushës për shëndetin e njeriut. Gjysma e sasisë së proteinës gjendet tek e verdha e vezës.

    Vezët frenojnë urinë

    Një mëngjes i pasur me vezë e mban nën fre urinë për më gjatë në krahasim me ushqimet e tjera me bazë drithi. Disa studime thonë se njerëzit që hanë vezë në mëngjes ndihen më të ngopur dhe hanë më pak në drekë.

    Vezët mbrojnë shëndetin e syve

    Vezët janë të pasura me luteinë, një pigment që është kryesisht i përqendruar edhe tek retina e syrit. Luteina i mbron sytë nga dëmtime të ndryshme si pasojë e plakjes por edhe nga dëmet e dritës blu që emetohet nga celularët, tabletët dhe laptopët.

    Ky lloj ndriçimi besohet të jetë kontribuues në shfaqjen e kancerit, mbipeshës dhe sëmundjes së syve.

    Vezët nuk bllokojnë enët e gjakut

    Për vite me radhë, vezët kanë qenë në ‘bankën e të akuzuarve’ për ‘krime’ të paqëna ndaj shëndetit. Shakatë mënjanë, vezët besoheshin të rrisnin nivelin e kolesterolit dhe bashkë me të, rrezikun e sëmundjeve të zemrës. Tani, shkencëtarët besojnë se vezët nuk janë të rrezikshme për enët e gjakut dhe nuk i bllokojnë ato.

    Vezët për masën muskulore

    Njeriu nis të humbë masë muskulore që pas moshës 30 vjeçare. Masa muskulore nis të bjerë me 5 për qind për çdo dhjetë vjet. Humbja e saj e bën njeriun të ndihet i plogësht dhe rrit shanset e frakturave. Aktiviteti fizik, veçanërisht ai i fokusuar tek forca dhe qëndresa ju ndihmojnë të ruani masën muskulore. Vezët dhe proteina që ato ofrojnë ushqejnë muskujt pas stërvitjes dhe i mbrojnë ato.