ATV

Blog

  • Kiara dhe Luizi bëhen prindër për herë të parë

    Kiara dhe Luizi bëhen prindër për herë të parë

    Kiara Tito dhe Luiz Ejlli janë bërë prindër për herë të parë.

    Këtë e kanë bërë të ditur vet ata përmes një postimi në Instagram.

    Kiara dhe Luizi kanë bërë të ditur se vajzën e kanë pagëzuar me emrin Luna Marí.

  • Sharjet e nxitja e dhunës pritet t’u kushtojnë deputetëve deri në 344 euro

    Sharjet e nxitja e dhunës pritet t’u kushtojnë deputetëve deri në 344 euro

    344 euro pritet t’u kushtojnë deputetëve ofendimet, sharjet e nxitja e dhunës në seanca të Kuvendit. Kështu parasheh kodi i sjelljes i cili është diskutuar në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, raporton EO.

    Po ashtu parashihen masa sanksionuese si vërejtje me shkrim e nëse ka shkelje të rëndë të përsëritur shqiptohet vërejtja me shpallje publike në uebfaqen e Kuvendit dhe deklarim të shkeljes në seancën e ardhshme.

    Po ashtu mund të ketë suspendim deri në 3 seanca, varet nga niveli i shkeljes, suspendim nga pjesëmarrja në mbledhje të komisioneve dhe e fundit është sanksionimi deri 20 për qind të pagës bazë.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka propozuar që deputetëve me sjellje të këqija t’u hiqen tri paga.

    “Me nenin 26 paragrafi c, d mendoj që po dënohet GP, po dënohet qytetari por jo deputeti. Nuk po me duket e logjikshme të dënohet dikush tjetër për sjelljen e pandërgjegjshme të deputetit. Unë propozoj që ndëshkimi të mos jetë 20 për qind, por të jetë deri në 3 paga”, ka thënë ai.

    Deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, ka thënë se sanksionimi bëhet me qëllimin që të shihet edhe si presion.

    “Nuk është çështja vetëm e ndëshkimit të deputetit, por edhe entitetit politik të grupeve parlamentare, që i takon në kuptim të vështirësisë së vendimmarrjes sepse e implikon punën e tyre në komisione. Kjo shërben si presion”, ka thënë ai duke u dakorduar që të rritet në 20 për qind sanksionimi për deputetët.

    Ndërsa deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka thënë se duhet të ketë çështje që mund të zbatohen.

    “Unë kam dilemat e mija nëse dikush e dërgon në kushtetuese këtë. A është kushtetuese apo jo? Sepse mandati i deputetit është i lirë i përgjigjet vetëm qytetarit askujt tjetër. Ky kod etik nënkupton shumë në sjelljet morale të njerëzve, është bukur e ndjeshme”, ka thënë ai.

    Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se pas miratimit të rregullores së punës së Kuvendit, miratimi i kodit të sjelljes për deputetët e Republikës së Kosovës, pa dyshim është një akt i cili do të ndihmojë jo vetëm funksionimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës por sipas tij, do të krijojë obligime, sanksionime dhe do të themelojë një organ të ri i cili ka një rëndësi të jashtëzakonshme.

    “Ky takim i komisionit për Legjilacion ka një rëndësi të veçantë për shkak se është mbledhur që të miratojë një dokument respektivisht një kod të sjellve të deputetëve i cili nuk ka ekzistuar deri më tani, ashtu siç e tha kryetari Rrustemi. Pas miratimit të rregullores së punës së Kuvendit, miratimi i kodit të sjelljes për deputetët e Republikës së Kosovës pa dyshim është një akt i cili do të ndihmon jo vetëm funksionimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës mirëpo do të krijojë obligime, sanksionime dhe do themelojë një organ të ri i cili ka një rëndësi të jashtëzakonshëm. Kodi i sjelljes për deputetët e Republikës së Kosovës është i shkurtë por në esencë është një mjet pune, ku përcaktohen shumë saktësisht detyrimet, fushëveprimi qëllimi mirëpo edhe themelimi i një organi të ri. Kodi përcakton rregullat dhe standardet etike të deputetëve të Republikës së Kosovës. Ajo çka mund të them të gjitha dhe që e vlerësoj se parimet që i kemi ndërtu dhe në këtë kod janë parime që burojnë edhe nga institucionet më demokratike duke përfshi edhe Kongresin Amerikan që kemi qenë për vizitë”, ka thënë Tahiri.

    Është miratuar Shqyrtimi i Draft-Kodit të sjelljes së deputetëve të Republikës së Kosovës.

  • ​Antony paguan fotograf personal për “poza të mira” gjatë ndeshjeve

    ​Antony paguan fotograf personal për “poza të mira” gjatë ndeshjeve

    Futbollisti i Manchester United Antony thuhet se ka punësuar një fotograf personal gjatë gjithë sezonit për ta kapur atë në “aksion” gjatë ndeshjeve. Sulmuesi brazilian bëri bujë jo vetëm për paraqitjen e tij në fushë, por edhe për festën e tij unike gjatë ndeshjes së fundit të Premier Ligës kundër Burnley-t.

    Pasi shënoi për herë të fundit në Premier Ligë në prill të vitit 2023 kundër Nottingham Forest, Antony siguroi që festimi i tij, pas golit të tij të parë të sezonit 2023-24, të kapej në mënyrën më të mirë të mundshme teksa u drejtua drejt kamerës dhe turmës së ekstazuar në “Old Trafford”, ndërsa simbolikisht fuste topin nën fanellën e tij.

    Sipas “The Sun”, Antony ishte përgatitur për këtë moment për pothuajse të gjithë sezonin së bashku me fotografin që nga ndeshja e parë në shtëpi në Premier Ligë për këtë sezon, përcjellë KoosvaPress.

    Sulmuesi 24-vjeçar më vonë zbuloi se festa i ishte kushtuar djalit të tij, i cili është një adhurues i personazhit Sonic, ndërsa futja e topit nën fanellën e tij ishte një nderim për të dashurën e tij shtatzënë.

    Antony ka pasur një sezon katastrofik deri më tani me vetëm tre gola në 36 ndeshje në të gjitha garat. Dy golat e tij të tjerë erdhën në FA Cup këtë sezon kundër Neëport dhe Liverpoolit.

  • Osmani: Mbi 200 milionë euro nga MCC-ja do ta transformojë sektorin e energjisë

    Osmani: Mbi 200 milionë euro nga MCC-ja do ta transformojë sektorin e energjisë

    Presidentja Osmani priti në takim Cameron Alford, zëvendëspresident në Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC): Investimi më i madh në fushën e energjisë, Programi Kompakt është dëshmi e fuqisë së partneritetit Kosovë-SHBA

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në prag të fillimit zyrtar të Programit Kompakt, ka pritur sot në takim z. Cameron Alford, zëvendëspresident në Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

    Sipas një komunikate të Presidencës, në takim u diskutua për fillimin zyrtar të Programit Kompakt, me ç’rast, Presidentja Osmani theksoi se granti prej mbi 200 milionë euro nga MCC-ja do ta transformojë thellësisht sektorin tonë të energjisë. Tutje, Presidentja Osmani tha se ky program do të japë kontribut strategjik në përmirësimin e infrastrukturës energjetike, fuqizimin e sektorit privat, si dhe do t’i nxisë mundësitë ekonomike për qytetarët e Kosovës.

    Në këtë frymë, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen e vazhdueshme të MCC-së, ndërsa theksoi se Programi Kompakt është investimi më i madh në fushën e energjisë dhe shërben si dëshmi e fuqisë së partneritetit Kosovë-SHBA.

    Presidentja, po ashtu, theksoi se ky program do ta garantojë një të ardhme energjetike ku gratë do të kenë rol kyç dhe do të jenë kontribuuese aktive në adresimin e sfidave të së ardhmes në fushën e energjisë.

  • Rafuna dhe Shahini: Deklaratat për luftë, i frikësojnë investitorët

    Rafuna dhe Shahini: Deklaratat për luftë, i frikësojnë investitorët

    Deklaratat e vazhdueshme të liderëve politikë për rrezik për luftë në Kosovë, po i frikësojnë investitorët e huaj për investime në Kosovë. Kështu thonë për Radio Kosovën përfaqësues të bizneseve dhe njohës të ekonomisë.

    Deklarimet e fundit të zyrtarëve shtetërorë të Kosovës, ku theksojnë se në Kosovë mund të ketë luftë, janë një frikësim për investitorët e huaj dhe të gjithë ata që duan të zhvillojnë bizneset e tyre në Kosovën.

    I fundit që ka folur për një gjë të tillë është zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili për mediumin ukrainas “European Pravda” ka thënë se mund të përsëritet një sulm i ngjashëm me atë në Banjskë.

    Duke folur për Radio Kosovën, kryetari i Aleancës Kosovare të bizneseve, Agim Shahini, tha se deklaratat e tilla vetëm sa e dëmtojnë zhvillimin ekonomik të Kosovës.

    “Të gjithë zyrtarët pothuajse pa përjashtime, janë duke përdorur një fjalim të vrazhdë, qoftë në mediume vendore apo ndërkombëtare që Kosova është e pasigurt. Pasiguria e Kosovës vjen nga liderët të cilët nuk krijojnë kushte të punës, nuk krijojnë kushte për investime dhe të gjitha këto për investitorët potencialë janë mesazhe pasigurie, jo-besueshmërie për Kosovën dhe tregun e saj”, tha Shahini.

    Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, duke folur për Radio Kosovën thotë se këto deklarata nuk sjellim investime në Kosovë.

    “Ne duhet të kemi shumë kujdes në deklarimet tona, sepse deklarimet për sulme nuk sjellin investime në Kosovë. Ne duhet ta përçojmë mesazhin që Kosova është një vend i sigurt, një vend i mirë i të bërit biznes, një vend i stabilitetit jo vetëm në Ballkan por edhe në Evropë”, tha Rafuna.

    Sipas statistikave zyrtare, shumë biznese të Kosovës kanë zhvendosur aktivitetin në shtetet fqinje si në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

  • Përbërja e re e Qeverisë serbe: Daçiq ministër i Brendshëm, Vulin zv/kryeministër

    Përbërja e re e Qeverisë serbe: Daçiq ministër i Brendshëm, Vulin zv/kryeministër

    Mandatari për formimin e Qeverisë së Serbisë, Millosh Vuçeviq, propozoi të hënën emrat e ministrave të rinj në kabinet.

    Siç paralajmëroi, Qeveria e tij do të përbëhet nga 25 ministri dhe pesë ministra pa portofol.

    Në pozitën e zëvendëskryeministrit do të rikthehet Aleksandar Vulin, ish-udhëheqës i shërbimit të inteligjencës, i cili është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nga korriku i vitit 2023 – mes tjerash për shkak të lidhjeve me Rusinë.

    Shefi aktual i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, do ta udhëheqë Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndërsa ministër i Mbrojtjes do të jetë Bratisllav Gashiq, deri më tash ministër i Policisë.

    Marko Gjuriq, ish-ambasador i Serbisë në SHBA dhe ish-drejtor i Zyrës për Kosovën në Serbi, do t’i bashkohet Qeverisë si ministër i Punëve të Jashtme.

    Një zyrtar tjetër nga “lista e zezë” e SHBA-së, për shkak të lidhjeve me Rusinë, Nenad Popoviq, do të jetë po ashtu pjesë e Qeverisë si ministër pa portofol. /REL

  • Ekonomia gjermane sheh tkurrjen vjetore të pestë radhazi

    Ekonomia gjermane sheh tkurrjen vjetore të pestë radhazi

    Ekonomia gjermane është tkurrur me 0.2% në tremujorin e parë të vitit 2024 në bazë vjetore, deklaroi të martën departamenti i statistikave të vendit Destatis. Që nga fillimi i vitit të kaluar, ekonomia gjermane është tkurrur çdo vit për pesë tremujorë radhazi.

    Vitin e kaluar, ekonomia gjermane u tkurr me 0.2% në tremujorin e parë, të dytë dhe të katërt, dhe 0.4% në tremujorin e tretë, në bazë vjetore. Në bazë tremujore, produkti i brendshëm bruto (PBB) i vendit u rrit lehtësisht me 0.2% në periudhën janar-mars.

    PBB-ja u tkurr me 0.5% në tremujorin e fundit të vitit 2023. Për shkak të dy rënieve të njëpasnjëshme të PBB-së, ekonomia gjermane kishte hyrë edhe në një recesion teknik vitin e kaluar./AA

  • Haradinaj bën homazhe pranë arkivolit të ish-deputetit Ali Lajçi

    Haradinaj bën homazhe pranë arkivolit të ish-deputetit Ali Lajçi

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj se bashku me deputetë të partisë kanë bërë homazhe pranë arkivolit të ish-deputetit Ali Lajçi, raporton EO.

    Ish-veprimtari i çështjes kombëtare, Ali Lajçi ka vdekur ditën e hënë.

    Lajçi ishte i dënuar politik nga regjimi i Serbisë. Në vitin 1981 ai ka qenë organizator i demonstratave, arsye për të cilën është dënuar me 15 vite burg.

    Që nga viti 2001 deri në vitin 2007 ai ka qenë kryetar i Komunës së Pejës, ndërsa nga viti 2007 deri në vitin 2010 deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

  • Vushtrria dhe MMPHI-ja nënshkruajnë memorandum në vlerë prej 600 mijë euro

    Vushtrria dhe MMPHI-ja nënshkruajnë memorandum në vlerë prej 600 mijë euro

    Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi ka pritur në takim ministrin e Mjedisit, Planifikimit hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësministrin, Hysen Durmishi, raporton EO

    Të dy kanë nënshkruar memorandum bashkëfinancimi në vlerë prej 600,00.00euro.

    Projektet që do të realizohen nga kjo marrëveshje në bashkëfinancim nga Komuna e Vushtrrisë dhe MMPHI janë:

    Projekti i rrugës R220 nga Ura e Sitnicës deri tek Llamkos;

    Projekti i rehabilitimit të rrugëve në fshatrat Akrashticë-Balincë;

    Projekti i rehabilitimit të rrugës nga magjistralja N2 Dumnicë e Ulët-Dumnicë e Epërme;

    Projekti i rehabilitimit të rrugës “Dëshmorët e Kombit.

    Ministri Aliu deklaroi se marrëveshja e nënshkruar kap vlerën e 590 mijë euro për katër projekte duke u shprehur i lumtur nga mundësia e realizimit të këtyre projekteve.

    “Sapo patëm kënaqësinë që së bashku me kryetarin e Vushtrrisë të nënshkruajmë një marrëveshje bashkëpunimi për katër projekte në vlerë diku prej 590 mijë euro, është shumë kënaqësi që do të kemi mundësi ti zhvillojmë këto projekte po ashtu edhe projekte tjera që janë në realizim e sipër që po synojmë ti realizojmë në të ardhmen. Bashkëpunimin me komunën e Vushtrrisë e kemi jashtëzakonisht të mirë kështu që po uroj që këto punë të na ecin mbarë dhe të realizojmë përpos këtyre projekteve edhe projekte tjera që na presin”, ka thënë ministri Aliu.

    Aliu shtoi se përveq marrëveshjes së nënshkruar sot, bashkëpunimi me komunën e Vushtrrisë do vazhdojë tutje me projekte që ndërlidhin komunat përrreth.

    “Përpos bisedës që e patëm me kryetarin për këto projekte që i nënshkruam sot patëm diskutime tjera, pra kemi një projekt i cili ka qenë si ide nga kryetari i komunës së Vushtrrisë në vizitat e mëhershme që i kemi pas i cili po merr përkrahje nga komunat që i lidh disa komuna e që jemi në përmbyllje të marrëveshjeve mes komunave e i cili pastaj do të mund të merr mbështetje nga ana e ministrisë për realizimin e që është një ide jashtëzakonisht e mirë e që e falënderoj kryetarin e Vushtrrisë për këtë marrëveshje”, ka thënë Aliu.

  • Kurti me ministra bëjnë homazhe për ish-deputetin Ali Lajçi

    Kurti me ministra bëjnë homazhe për ish-deputetin Ali Lajçi

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me një pjesë të kabinetit qeveritar, kanë bërë homazhe pranë arkivolit të ish-deputetit Ali Lajçi, i cili vdiq të hënën, raporton Ekonomia Online.

    Kurti nënshkruaji edhe në librin e zisë.

    Më herët, homazhe kanë bërë edhe presidentja Vjosa Osmani e kryeparlamentari Glauk Konjufca.

    Ish-veprimtari i çështjes kombëtare, Ali Lajçi ka vdekur ditën e hënë.Lajçi ishte i dënuar politik nga regjimi i Serbisë.

    Në vitin 1981 ai ka qenë organizator i demonstratave, arsye për të cilën është dënuar me 15 vite burg.

    Që nga viti 2001 deri në vitin 2007 ai ka qenë kryetar i Komunës së Pejës, ndërsa nga viti 2007 deri në vitin 2010 deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.