ATV

Blog

  • Policia jep detaje pas tentim vrasjes në Podujevë

    Policia jep detaje pas tentim vrasjes në Podujevë

    Policia e Kosovës ka konfirmuar arrestimin e pesë personave për incidentin me armë zjarri dje në fshatin Lupç të Podujevës.

    Sipas policisë, tre nga ta ende janë në trajtim mjekësor dhe nën sigurimin e policisë.

    “Fsh.Lupç, Podujevë 01.05.2024-15:32. Janë arrestuar pesë të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që pas një mosmarrëveshje të mëhershme janë përplasur në mes veti, në rast është përdorur edhe armë zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore ku kanë gjetur dhe konfiskuar të kalibrit të vogël. Të dyshuarit janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK. Me urdhër të prokurorit, janë bastisur shtëpitë e personave të dyshuar, në njërën prej tyre janë gjetur dhe konfiskuar disa copë fishekë të llojeve të ndryshme, po ashtu janë konfiskuar edhe dy vetura. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit dërgohen në mbajtje, mirëpo tre prej tyre ende janë duke marr tretman mjekësor në QKUK dhe janë nën sigurim të policisë”, thuhet në raportin e policisë.

  • ​SHBA sanksionon 31 kompani me bazë në Kinë për shkak të Rusisë

    ​SHBA sanksionon 31 kompani me bazë në Kinë për shkak të Rusisë

    SHBA-ja ka sanksionuar 31 kompani kineze mes 200 objektivave të saj lidhur me luftën e Rusisë në Ukrainë.

    “SHBA sanksionoi 31 kompani me bazë në PRC për ofrimin e teknologjive kritike për Rusinë për bazën e saj industriale të mbrojtjes,” tha Nicholas Burns, kryediplomati i Uashingtonit në Pekin, duke iu referuar Kinës me emrin e saj zyrtar.

    “Ne thamë se do të vepronim nëse Kina nuk i ndalonte këto shitje,” tha ai në X.

    Nisja e sanksioneve vjen disa ditë pasi Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken gjatë një udhëtimi në Pekin paralajmëroi se Uashingtoni mund të vendosë sanksione ndaj subjekteve kineze për mbështetjen e tyre ndaj industrisë ruse të mbrojtjes. Departamenti i Shtetit tha të mërkurën se po caktonte disa entitete kineze “përgjegjëse për zhvillimin dhe furnizimin e hapësirës ajrore, prodhimit dhe pajisjeve teknologjike me përdorim të dyfishtë për subjektet me bazë në Rusi”.

    “Në mënyrë të veçantë, këto emërtime synojnë prodhuesit dhe eksportuesit e artikujve kritikë për bazën e mbrojtjes-industriale të Rusisë, disa prej të cilëve kanë dërguar mallra në entitete të përcaktuara nga SHBA-ja në Rusi,” thuhet në një deklaratë. (AA)

  • ​Kurti: Kosova ka përmbushur kërkesat e BE-së, masat duhet të largohen

    ​Kurti: Kosova ka përmbushur kërkesat e BE-së, masat duhet të largohen

    Kryeministri Albin Kurti deklaroi se masat e BE-së ndaj Kosovës bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim. Sipas tij, Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat e Bashkimit Evropian, teksa shtoi se masat duhet të largohen.

    Kështu u shpreh shefi i ekzekutivit në mbledhjen e Këshillit Ministrave për Integrim Evropian ku u theksuan reformat kyçe të programit kombëtar për integrim evropian.

    Kryeministri Albin Kurti deklaroi se pas një dekade stagnimi, zgjerimi i BE-së është kthyer në agjendë.

    “Anëtarësimi në BE duhet të jetë i bazuar në meritokraci. Ne jemi të gatshëm t’i përgjigjemi mijëra pyetjeve nga Komisioni Evropian. Anëtarësimi në BE është zgjedhje strategjike. Mobilizimi për të kapur hapin, ka bërë qe shumë reforma të përmbyllim. Nga 1 janari qytetarët tanë po lëvizin lirshëm në zonën shengen. Kemi zbatuar dyfishin e reformave të planifikuara”, deklaroi Kurti.

    Kurti përsëriti se masat nga BE duhet të largohen.

    “Masat që janë në fuqi ndaj Kosovës bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në BE sidomos edhe në planin e rritjes dhe qëllimin e tij. Në anën tjetër po vazhdojmë me përpjekjet tona që të hapim më tepër mundësi në kuadër të dialogut të reformave të BE në këtë kontekst kemi përmbushur të gjitha kërkesat e BE për heqjen e masave kufizuese dhe këto masa duhet të largohen”, deklaroi ai.

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi theksoi se programi kombëtar i integrimeve evropiane është dokument strategjik.

    “Këto reforma ndihmojnë në nxitjen e zhvillimit ekonomik”, shtoi ai.

  • Kuvendi i Kosovës sot mban seancë në nderim të Ilaz Kodrës

    Kuvendi i Kosovës sot mban seancë në nderim të Ilaz Kodrës

    Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë një seancë solemne.

    Kjo seancë do t’i kushtohet komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Ilaz Kodra, dhe 315 dëshmorëve e martirëve, të rënë më 30 prill 1999 në Drenicë.

    Seanca pritet të nisë në ora 10:00.

  • Dy supersfidat e Ligës së Evropës

    Dy supersfidat e Ligës së Evropës

    Pas dy netëve spektakolare që dhuroi Liga e Kampionëve në futboll, sonte dy të tilla do t’i sjellë edhe kompetecioni i dytë evropian i klubeve, Liga e Evropës. Në gjysmëfinalet e kësaj gare do të ballafaqohen Roma me Bayer Leverkusenin dhe Marsej me Atalantën.

    Vëmendja kryesore pa dyshim se do të jetë në stadiumin “Olimpico” në Itali, aty ku Roma e Daniele Derossit në top formë do të ballafaqohet me Leverkusenin që tashmë është kampion i gjermanisë, ndërkohë që nuk di për humbje në këtë edicion, raporton KosovaPress.

    Po aq interesant do të jetë edhe ballafaqimi tjetër ndërmjet Marsejës dhe Atalantës, dy skuadra me futboll cilësor dhe që po synojnë të bëjnë befasi duke shkuar deri në fund të kësaj gare.

    Të dy ndeshjet zhvillohen me fillim nga ora 21:00.

  • Diell dhe shi, ky është moti për sot

    Diell dhe shi, ky është moti për sot

    Me kalimin e frontit të ftohtë mbi vend të enjten vranësirat mbeten më të shumta, ku priten edhe rrebeshe shiu dhe bubullima, që lokalisht edhe mund të jenë më intenzive.

    Më vonë pasdite dhe në mbrëmje reshjet pritet të pushojnë. Temperaturat minimale zbresin në 10C e 12C, e maksimalet pësojnë një rënie dhe shkojnë deri në 19C e 20C. Frynë erë jugperëndimore, e lehtë dhe mesatare 3-9m/s, njofton Prishtina Weather.

    Të premten dhe të shtunën me më shumë vranësira, priten edhe reshje më të shpeshta shiu. Temperaturat vazhdojnë me rënie deri në 16C e 14C maksimalet.

    Në vise më të larta malore rikthehen reshjet e borës. Nga dita e diel shfaqen kushte për intervale më të gjata me diell, por se mundësitë për ndonjë rrebesh të shkurtër shiu mbesin.

    Temperaturat në rritje, edhe deri në 23C ditën e hënë.

  • Osmani merr pjesë në Akademinë Përkujtimore në përvjetorin e Masakrës së Studimes

    Osmani merr pjesë në Akademinë Përkujtimore në përvjetorin e Masakrës së Studimes

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot në ora 12:00 merr pjesë në Akademinë Përkujtimore në përvjetorin e Masakrës së Studimes në Vushtrri.

    “Në orën 12:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani merr pjesë në Akademinë Përkujtimore në përvjetorin e Masakrës së Studimes.”

  • Sot në Kuvend diskutohet për gjetjet e raportit të DASh-it

    Sot në Kuvend diskutohet për gjetjet e raportit të DASh-it

    Kuvendi i Republikës së Kosovës, sot do të mbajë seancë plenare duke filluar nga ora 11:00.

    Siç u bë e ditur edhe ditë më parë, në rend dite janë shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, DASH, si dhe votimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare.

    Më 22 prill, DASH-i publikoi Raportin për Kosovën, ku mes tjerash, problemet me pavarësi të gjyqësorit dhe kufizimet në liri të mediave, ishin shqetësimet kryesore për Kosovën.

    Në raport është përmendur se më 2023 nuk është raportuar për ndonjë ndryshim të madh sa i përket situatës me të drejta të njeriut në Kosovë.

    Në raportet e kaluara është përmendur edhe korrupsioni qeveritar dhe kërcënimi për dhunë që shënjestron minoritete etnike dhe komunitetet e margjinalizuara.

    “Qeveria ka marrë hapa kredibilë por jokonsistentë për të identifikuar, hetuar, gjykuar dhe ndëshkuar zyrtarët që mund të kenë kryer abuzime me të drejtat e njeriut”, është thënë në raport.

    Opozita pati kërkuar që në seancën e Kuvendit të futej më herët në rend dite diskutimi në lidhje me raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

    Partia Demokratike propozoi këtë pasi tha se ky raport është shqetësues për Kosovën dhe duhej të trajtohej në seancë (të enjten e kaluar).

    Një kërkesë të tillë e patën edhe nga Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, por nga partia në pushtet kërkuan që një seancë e tillë të mbahet një ditë tjetër.

    Shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila pati propozoi që ky raport por edhe ai i Freedom House të diskutoheshin në një seancë të veçantë të Kuvendit.

    Kësisoj, ditë më vonë seanca u caktua për sor, 2 Maj.

  • Të gjithë në mbështetje të Edon Zhegrovës, ja si të votoni yllin dardan për të fituar çmimin ‘Lojtari i Vitit’ në Francë

    Të gjithë në mbështetje të Edon Zhegrovës, ja si të votoni yllin dardan për të fituar çmimin ‘Lojtari i Vitit’ në Francë

    Të gjithë në mbështetje të Edon Zhegrovës, ja si të votoni yllin e “Dardanë” për të fituar çmimin lojtari i vitit në Francë.

    Në elitën e futbollit francez, një emër është duke shkëlqyer në këtë sezon, e ai është Edon Zhegrova.

    Me paraqitjet e tij të shkëlqyer në fushë, lojtari nga Kosova po konkurron për titullin e ‘Lojtarit të Vitit’ në Francë, duke garuar drejtpërdrejt me yjet e njohura si: Mbappé, Dembele dhe Aubameyang, shkruan atvlive.tv.

    Zhegrova, i cili aktualisht luan për ekipin e famshëm francez Lille, ka treguar një formë të jashtëzakonshme në këtë sezon. Performancat e tij të mrekullueshme në fushë kanë bërë që shumë klube të mëdha botërore të shfaqin interesim për reprezentuesin e Kosovës.

    Për të votuar Zhegrovën klikoni në këtë LINK dhe pasi ta hapet e klikoni fotografinë ku shihet ylli ‘Dardan’.

    Kujtojmë që nëse Edon Zhegrova e fiton këtë çmim do të ishte çmimi më i rëndësishëm që e ka fituar një lojtar nga Kosova në Francë.

  • Dyshohet se nuk i ekzekutoi vendimet për burgim, Deli Halili e pranon fajësinë

    Dyshohet se nuk i ekzekutoi vendimet për burgim, Deli Halili e pranon fajësinë

    Përgatiti: Nora Luta

    I arrestuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në fund të janarit, bashkëpunëtori profesional në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Deli Halili, e ka pranuar fajësinë gjatë intervistimit në Prokurorinë Themelore të Prizrenit.

    Kësaj prokurorie, ku u transferua rasti dy javë pas arrestimit, mbrojtja e Halilit i ka propozuar negocim për pranim të fajësisë.

    Por Halili, dyshohet se nuk i ekzekutoi vendimet për burgim, në bashkëkryerje me referentin të po të njëjtës gjykatë, Ismajl Ismajli, dhe për këtë, sipas avokatit Berat Tmava, ende nuk është ndërmarrë ndonjë veprim.

    “Me datë 20.03.2024, i mbrojturi im ka dhënë deklaratën e tij dhe në tërësi e ka pranuar fajësinë për veprën penale që e ngarkon Prokuroria, ndërsa për sa i përket propozimit për negocim lidhur me pranimin e fajësisë, meqenëse, sipas prokurorisë, vepra penale dyshohet se është kryer në bashkëkryerje, Prokuroria nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim që të iniciojë këtë propozim”, tha Berat Tmava, avokat i Deli Halilit.
    Halili, bashkëpunëtor profesional, e Ismajli referent në Zyrën për ekzekutimin e sanksioneve penale në Gjykatën Themelore të Prishtinës, po hetohen rreth dyshimeve se në nëntë raste nuk i ekzekutuan vendimet për burgim.

    Hetimet dhe intervistimin e tyre e ka konfirmuar në një përgjigje me shkrim Prokuroria Themelore e Prizrenit, e cila ka kërkuar që t’u vazhdohet masa e paraburgimit.

    “Lidhur me rastin, Prokuroria Themelore në Prizren ju konfirmon se, ndaj të pandehurve D.H., dhe I.I., është iniciuar hetimi formal sipas Aktvendimit për fillimin e hetimeve. Ata janë dëgjuar nga Prokurori i shtetit në prezencën e mbrojtësve të tyre lidhur me dyshimin e arsyeshëm se në bashkëveprim, janë përfshirë në kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Të pandehurit në fjalë vazhdojnë të qëndrojnë nën masën e paraburgimit, sepse ende vazhdojnë të qëndrojnë shkaqet dhe arsyet ligjore të parapara me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale për të cilat edhe u është caktuar kjo masë”, tha Fitore Mehmeti nga Prokuroria Themelore e Prizrenit.

    Ndërkohë, kërkesa është aprovuar nga Gjykata e Prizrenit, e cila nën arsyetimin se nëse lihen në liri ndër të tjera do të mund të ndikonin në dëshmitarë, të cilëve dyshohen se u kanë kryer favore, ua vazhdoi masën edhe për një muaj.

    “Ekziston rreziku se mund të bashkërendojnë deklaratat e tyre, si dhe të fshehin, asgjësojnë apo ndryshojnë provat eventuale të rastit, andaj vazhdimi i paraburgimit është i arsyeshëm në këtë fazë. Sipas Gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat po dyshohen, i cili dyshim rrjedh nga provat materiale të siguruara deri në këtë fazë, siç janë deklaratat e të pandehurve, dosjet penale të të dënuarve, foto-dokumentacionet dhe shkresat e tjera të lëndëve”, tha Marcel Lekaj, udhëheqës i Zyrës për Informim .

    Vazhdimin e paraburgimit, përveç avokatit të Halilit, e ka kundërshtuar në Supreme, edhe ai i Ismajlit.

    Dy zyrtarët e Gjykatës së Prishtinës u arrestuan më 29 janar, nën dyshimet se në kuadër të punëve në zyrën për ekzekutimin e sanksioneve penale, mbajtën fshehtë, duke mos i ekzekutuar vendimet për burgim, të paktën në nëntë raste, me qëllim të përfitimit material.