ATV

Blog

  • Kërkesat e apelit për vrasjen e Marigona Osmanit, të parealizueshme

    Kërkesat e apelit për vrasjen e Marigona Osmanit, të parealizueshme

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Procesi i rigjykimit për vrasjen e Marigona Osmanit, më 16 maj pritet të fillojë me kërkesat e Gjykatës së Apelit, e cila e ktheu rastin në rigjykim.

    Dy kërkesa të cilat Apeli i kërkoi në këtë rishqyrtim ndaj dy të dënuarve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, janë dëshmitarë të rinj, por edhe ekspertë të mjekësisë ligjore, të cilët do të duhej vërtetuar nivelin e mizorisë së vrasjes së 18-vjeçares, siç është thënë.

    Kërkesat jo vetëm që po konsiderohen absurde por, avokati mbrojtës i familjes Osmani thotë se njëkohësisht janë vështirë të realizueshme.

    “Të çohesh të kërkosh ekspert të mjekësisë ligjore për ta konstatuar mizorinë e vdekjes po besoj që këso eksperti nuk ka pasur asnjëherë në Kosovë edhe është problem me u caktua një gjë e tillë”, tha Gazmend Rexhepi, avokat i familjes së Marigona Osmanit.

    Këto kërkesa të Apelit, siç thotë avokati, mund ta detyrojnë familjen që video-incizimet të cilat e dëshmojnë vrasjen të mos mbesin vetëm në sirtarët e Gjykatës.

    Marigona Osmani u vra në gusht të vitit 2021, në banesën në të cilën jetonte bashkë me Dardan Krivaqën.

    Pas gati 1 viti të gjykimit, Krivaqa u dënua me burgim të përjetshëm, ndërkaq miku i tij i akuzuar i dytë në këtë rast, Arbër Sjediu u dënua më 15 vjet burgim.

    Për shkak të disa vërejtjeve Gjykata e Apelit ktheu rastin në rigjykim.

  • Kolektivi për mendim dhe veprim feminist bëri thirrje edhe për barazi gjinore

    Kolektivi për mendim dhe veprim feminist bëri thirrje edhe për barazi gjinore

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Pankartat u bënë gati, e edhe protestuesit u mblodhën për të filluar marshin. Në ditën ndërkombëtare të punëtorëve, këta dhjetëra qytetarë thirrje bënë për paga më të larta e dinjitet.

    “Dita-ditës bëhemi më të vetëdijshëm për realitetin tonë të ri, varfërues e shfrytëzues. Jetesa jonë kushtëzohet me shitjen tonë në tregun ekonomik, treg i cili mbizotëron dhe shtrin pushtetin në secilën sferë të jetës. Gjithsesi, ky realitet kapitalist ka filluar të tregojë çarjet e veta”, tha Auron Doli, aktivist.

    Në këtë marsh thirrje u bë edhe për barazi gjinore.

    “Institucioni i policisë, i cili gjithmonë ka shërbyer për të shuar rezistencën ndaj rendit ekzistues, vazhdon traditën e vet edhe në gjendjen më alarmante të këtij bashkëdyzimi shtypës ekonomik dhe gjinor që ka pasur ndonjëherë Kosova. Çlirimi i grave nuk arrihet pa çlirimin e plotë nga kapitalizmi dhe patriarkati”, tha Doli.

    Marshi protestues i Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist përfundoi para zyrave të Inspektoratit të Punës.

    Ndërkaq, për Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve protestë u organizua edhe nga sindikatat e ndryshme të punëtorëve.

  • Kryetari i KRPP-së tash e gjashtë muaj pa mandat

    Kryetari i KRPP-së tash e gjashtë muaj pa mandat

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Qe shtatë muaj, kryetari i Komisionit Rregullativ i Prokurimit Publik, është pa mandat.

    Osman Vishajt, mandati 5-vjeçar i ka skaduar më 2 nëntor të vitit të kaluar, për çka e ka njoftuar edhe kryeministrin Albin Kurti e kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

    Ndonëse Ligji i Prokurimit Publik, parasheh që Qeveria duhet t’i propozojë një emër Kuvendit, ekzekutivi nuk ka treguar për emërimin e udhëheqësit të ri të KRPP-së.

    Meqë, kryetari aktual nuk ka të drejtë riemërimi, për shoqërinë civile fakti që Qeveria nuk ka vepruar deri tani është shqetësues.

    Ndërkaq, sipas Ferat Shalës, anëtar i Komisionit për Buxhet kjo situatë më së shumti i përshtatet Qeverisë.

    Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, është njëri prej tri organeve qendrore që funksionon në fushën e tenderimit.

    Në terma më të thjeshtë, KRPP-ja kishte konstatuar se Ministria e Infrastrukturës kishte vendosur një kriter të kundërligjshëm në dosjen e tenderit për rrugën Prishtinë – Podujevë.

    Pikërisht për nënshkrimin e kontratave për këtë rrugë, Prokuroria Speciale e ka ftuar për intervistim zëvendësministrin Hysen Durmishi. KRPP-ja, gjithashtu, në prill të vitit të kaluar i kishte kërkuar kësaj ministrie të vendosë masa ndaj zyrtarit të prokurimit, Nexhat Krasniqi, i cili më pas u fut në listën e zezë të SHBA-së.

  • Kurti takon nënkryetaret e veriut, flasin për anëtarësimin eventual të Kosovës në KiE

    Kurti takon nënkryetaret e veriut, flasin për anëtarësimin eventual të Kosovës në KiE

    Përgatiti: Armand Hoti

    Tre nënkryetarët serbë të komunave veriore, do t’i gëzoheshin anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Nënkryetarët e Leposaviqit, Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit, ia thanë këtë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në takimin e mbajtur të mërkurën.

    “Të gjitha ato më thanë që e shohin anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës si një hap të rëndësishëm për fuqizimin e komunave të tyre. Dhe, më premtuan që kur do të takojnë përfaqësuesit diplomatikë të QUINT-in do t’ua shprehin këto kërkesa, gjithashtu”, tha Kurti.

    Kurti, të mërkurën, takoi edhe ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili, nga i cili mori zotimin për mbështetje nga Republika e Turqisë për votimin e ardhshëm në Komitetin e Ministrave, ku do të vendoset pro apo kundër anëtarësimit të Kosovës në KIE.

    Në mes të prillit, shumica e deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës mbështeti raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

    Sipas përpilueses së këtij raporti, deputetes greke, Dora Bakoyannis, Kosova është kandidati të cilit i është dashur të bëjë më së shumti punë që kandidatura t’i sillej për diskutim.

    “Asnjë kandidati nuk i është kërkuar të bëjë kaq shumë reforma para se të sillet për diskutim çështja e pranimit të tij në organizatë. Kjo me gjasë është arsyeja pse 83 për qind e Asamblesë votoi pro raportit”, tha Bakoyannis.

    Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës, në maj të vitit 2022.

    Ndërkaq, këtë muaj, do të mbahet mbledhja e komitetit të ministrave, me ç’rast Kosovës i duhen 2/3 e votave nga 46 vendet anëtare, për t’u pranuar si anëtare e plotë.

  • Për t’i “mbushur bateritë”, Kosovës i duhen kapacitete të reja prodhuese

    Për t’i “mbushur bateritë”, Kosovës i duhen kapacitete të reja prodhuese

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Pas nisjes zyrtare të programit Kompakt me Korporatën e Sfidave së Mijëvjeçarit – MCC, Kosova ka pesë vjet për të finalizuar projektin në vlerë 236 milionë dollarë, të fokusuar në ndërtimin e kapaciteteve për ruajtjen e energjisë elektrike.

    Me instalimin e baterive me kapacitet deri në 340 megavatë/orë, Qeveria synon të lehtësojë integrimin e burimeve të ripërtërishme në sistem.

    Statistikat e fillim-vitit tregojnë se vetëm rreth 10% të prodhimit të përgjithshëm, i përket asaj që cilësohet energji e pastër – nga dielli, era apo uji – derisa termocentralet me qymyr mbesin dominante.

    Në vlerësimin e njohësit Lulzim Syla, projekti i baterive është nga më të mirët në sektorin e energjisë pas luftës.

    Por, duke përmendur ankandin tashmë të mbyllur për parkun solar, atë me erë në proces, si dhe projekt-planet e KEK-ut dhe Termokosit, ai theksoi nevojën për shtim në kapaciteteve të reja prodhuese për t’ua rritur rëndësinë baterive.

    “Përveç kapaciteteve ekzistuese të termocentraleve dhe burimeve të ripërtërishme, për t’i dhënë një vlerë të shtuar këtij projekti të rëndësishëm, do të ishte shumë me rëndësi të ndiqet zbatimi i strategjisë së energjisë 2031, e që parasheh implementimin e 1500 megavatë të burimeve të ripërtërishme”, tha Syla.

    Pasi sqaroi koeficientin e prodhimit të burimeve të ripërtërishme, Syla tha se sfidë mbetet përcaktimi për të zgjedhur ndërmjet riparimit të termocentraleve, mbylljes së tyre apo ndërtimin e kapaciteteve të reja.

    “Ndoshta prapë edhe pas implementimit të 1500 megavatëve, do të dominojë energjia elektrike që fitohet nga energjia termike përmes qymyrit në Kosovë. Por, mbetet që edhe nga ana e institucioneve qeveritare, në bashkëpunim me bizneset dhe shoqërinë civile, që të gjejmë një rrugëtim të saktë se cili do të jetë vizioni ynë për një energji të pastër, që edhe pas vitit 2030, 2035, 2040, ta shohim perspektivën e saktë se cili do të jetë mozaiku i përgjithshëm të energjisë”, tha Syla.

    Në muajin Mars, Qeveria themeloi Korporatën për Ruajtjen e Energjisë e cila do të ketë në pronësi dhe do të menaxhojë bateritë.

    Përveç sistemit të ruajtjes së energjisë, programi Kompakt parasheh investime në rritjen e resurseve njerëzore në këtë sektor, si dhe mbështetjen e bizneseve.

  • Punëtorët në Kosovë protestojnë për kushte më të mira pune

    Punëtorët në Kosovë protestojnë për kushte më të mira pune

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Kërkesat që i patën i përsëritën në këtë mënyrë mbi 1 orë.

    Qindra punonjës 1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, i gjeti para institucioneve të vendit duke kërkuar paga më të larta, kushte më të mira dhe dialog social.

    Në bazë të asaj çfarë kërkuan kryesindikalistët, koeficienti i bie të jetë mbi 140 euro.

    Përveç kësaj ata kërkuan që plotësimi i Ligjeve përkatëse të mos bëhet pa pajtimin e sindikatave, të funksionalizohet Këshilli Ekonomik Social e po ashtu të zbatohet Kontrata kolektive.

  • Kurti: Partneriteti në mes Qeverisë qendrore dhe lokale i bën komunitetet më të suksesshme

    Kurti: Partneriteti në mes Qeverisë qendrore dhe lokale i bën komunitetet më të suksesshme

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shpërndarë një video pas dorëzimit të 34 apartamenteve të reja në Suhadoll të Komunës së Graçanicës.

    “34 apartamente të reja për 83 banorë të rinj dhe mundësi të reja për familjet e tyre në Suhadoll të Komunës së Graçanicës”, njoftoi ai.

    Në Strategjinë për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre, të cilën qeveria e miratoi katër muaj më parë, kryeministri Kurti thotë se ishin zotuar për mbylljen e qendrave kolektive dhe zëvendësimin e tyre me hapësira të reja banimi sikurse këto që u përuruan dje.

    “Duke u ofruar kështu një jetesë më të mirë dhe vendbanim afatgjatë bashkëqytetarëve tanë nga radhët e komuniteteve joshumicë. Jemi krenar me kontributin tonë përmes Ministrisë për Komunitete dhe Kthim që ka siguruar bashkëfinancimin në këtë projekt, por edhe mirënjohës për partnerët tanë, pa të cilët nuk do të arrihej ajo që dje e festuam. Zyra e BE-së në Kosovë ka dhënë një kontribut të rëndësishëm financiar. Komuna e Graçanicës ka dhuruar tokën dhe ka ndihmuar në projektimin e hapësirave komunale dhe zonave rekreative. UNHCR-ja dhe partneri i tyre zbatues, Advancing Together, i kanë mbështetur të gjithë këto familje përmes vlerësimit dhe përzgjedhjes, dhe Këshilli Danez për Refugjatët e ka bashkërenduar procesin gjatë gjithë kohës”.

    “Ky lloj partneriteti – ndërmjet qeverisë qendrore, qeverisjes lokale, partnerëve ndërkombëtarë dhe shoqërisë civile – është ajo çfarë i bën komunitetet e suksesshme dhe të qëndrueshme”, shkroi Kurti në Facebook.

  • Janë bërë 333 ankesa në Inspektoratin e Punës për tre muaj

    Janë bërë 333 ankesa në Inspektoratin e Punës për tre muaj

    1 Maji – Dita Ndërkombëtare e Punës, punëtorët kosovarë i gjen me shkelje të të drejtave. Për kushte më të mira dhe ngritje të pagave, sot mbahet një protestë, nga ora 10.30, në Prishtinë. Kryesindikalisti i arsimit tha se kërkesa kryesore është ngritja e koeficientit të pagës për 30 për qind. Nga Inspektorati i Punës, ndërkaq, thonë se në tre mujorin e parë kanë pranuar dhe trajtuar mbi 300 ankesa.

    Mungesa e kontratave të punës, mosrespektimi i tyre dhe shkeljet e ndryshme të dispozitave të Ligjit të Punës, janë problemet kryesore me të cilat vazhdojnë të përballen punëtorë në Kosovë.

    Radio Kosova ka pyetur Inspektoratin e Punës në lidhje me numrin e ankesave dhe për shkeljet më të shpeshta që hasen në terren.

    “Për periudhën janar-mars 2024 Inspektorati Qendror i Punës ka pranuar dhe trajtuar brenda afateve ligjore 333 ankesa. Shkeljet më të mëdha janë shkëputje e kontratës në mënyrë të njëanshme, mungesa e kontratës së punës, moskompensim i orëve të punës jashtë orarit”, ka thënë, në një përgjigje me shkrim, Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi.

    Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, në një prononcim për Radio Kovën thotë se këtë vit, 1 Maji po i gjen jo mirë punëtorët kosovarë.

    “Nuk kemi marrëveshje të përgjithshme kolektive, e cila i mbron të punësuari në Kosovë, nuk kemi Këshill Ekonomik Social funksional, ku bëhet dialogu social për të gjithë të punësuarit. Nuk kemi sigurim shëndetësor i cili është shumë i nevojshëm. Do të thotë 1 Maji, punëtorët i gjen në një gjendje jo të mirë”, tha Hykolli.

    BSPK nuk ka paraparë ndonjë aktivitet për të shënuar Ditën e Punës, por ata përkrahin protestën që sot do të organizohet nga SBASHK-u.

    Kryesinidikalisti i arsimit, Rrahman Jasharaj, teksa u ankua për mungesë të dialogut social me qeverinë, tregoi kërkesat kryesore.

    “Në protestë do të jetë edhe kërkesa për kushte më të mira të punës, ngase po sulmohemi vazhdimisht si mësues, ndonëse kushtet e punës në shkollat tona nuk janë të shekullit XXI. Kërkesë tjetër e sindikatave do të jetë që në mënyrë urgjente të lëvizë vlera e koeficientit për paga për së paku 30 për qind”, tha Jasharaj.

    1 Maji – Dita Ndërkombëtare e punës , shënohet që nga viti 1866 dhe lidhet ngushtë me protestat e përgjakshme të mijëra punëtorëve të fabrikave në Çikago, në Amerikë, të cilët kërkonin më shumë të drejta.

  • Baleti Kombëtar i Kosovës fiton çmimin e parë në Albanian Dance Competition

    Baleti Kombëtar i Kosovës fiton çmimin e parë në Albanian Dance Competition

    Shfaqja “Time”, produksion i Baletit Kombëtar të Kosovës, është shpërblyer me çmimin e parë të festivalit “Albanian Dance Competition, Creativity&Interpretation”, për koreografinë më të mirë, mbajtur në qytetin e Elbasanit.

    Përgëzime të shumta ka pranuar koreografi i shfaqjes Taulant Shehu dhe balerinët e BKK, të cilët kanë arritur të krijojnë një produkt të jashtëzakonshëm, të cilin pati mundësi ta shijoj mbrëmë edhe audienca e Elbasanit.

  • BE nis hetimin për dezinformim kundër gjigantit të mediave sociale Meta

    BE nis hetimin për dezinformim kundër gjigantit të mediave sociale Meta

    Komisioni Evropian ka hapur një hetim kundër Instagram dhe Facebook, të dyshuar për mospërmbushje të detyrimeve të tyre për të luftuar dezinformimin përpara zgjedhjeve evropiane në qershor. Komisioni ka frikë se dy mediat sociale mund të manipulojnë disi zgjedhjet duke ndikuar tek votuesit me opinione anti-ukrainase dhe pro-ruse.

    Komisioni ka nisur procedurat zyrtare për të vlerësuar nëse Meta, kompania mëmë e Facebook dhe Instagram, mund të ketë shkelur Aktin e Shërbimeve Dixhitale (DSA). Shkeljet e supozuara kanë të bëjnë me politikat dhe praktikat e Metës në lidhje me reklamat mashtruese dhe përmbajtjen politike në shërbimet e saj, fushatat e dezinformimit dhe sjelljet e koordinuara joautentike në BE.

    “Ne dyshojmë se moderimi i Meta-s është i pamjaftueshëm, se i mungon transparenca e reklamave dhe procedurat e moderimit të përmbajtjes. Kështu që sot kemi hapur procedimin ndaj Meta-s për të vlerësuar pajtueshmërinë e tyre me Ligjin e Shërbimeve Dixhitale”, tha në një deklaratë shefja dixhitale e BE-së Margrethe Vestager.

    Meta, e cila ka më shumë se 250 milionë përdorues aktivë mujorë në Bashkimin Evropian, mbrojti procesin e saj.

    “Ne kemi një proces të mirëpërcaktuar për identifikimin dhe zbutjen e rreziqeve në platformat tona. Ne mezi presim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë me Komisionin Evropian dhe t’i ofrojmë atyre detaje të mëtejshme të kësaj pune,” tha një zëdhënës.