ATV

Blog

  • ​Shqetësuese, rritet numri i femrave dhe fëmijëve që abuzojnë me drogë

    ​Shqetësuese, rritet numri i femrave dhe fëmijëve që abuzojnë me drogë

    Numri i përdoruesve të drogës në Kosovë është rritur në tremujorin e vitit 2024, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Shqetësuese është edhe ngritja e numrit të femrave dhe të miturve të moshës 10-11 vjeçar që konsumojnë substanca narkotike.

    Nga statistikat e Klinikës Psikiatrike në QKUK, vitet e kaluara, ka dominuar mosha 14-18 vjeç në përdorimin e drogave, dhe tani ka raste të 10-11 vjetarëve. Kurse, droga e njohur si kokaina është në rritje dhe në përdorim nga gjinia femërore.

    Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë në QKUK, Faton Kutllovci, duke pranuar se po dominon gjinia femërore në përdorim të drogës, për KosovaPress, ka thënë se në repartin e sëmundjeve të varësisë janë vetëm nëntë shtretër, ndërsa gjatë këtyre tre muajve kanë qenë 35 pacientë.

    “Në repart kemi nëntë shtretër të cilët janë në shërbim të personave që kërkojnë këto shërbime në klinikën tonë, dhe,,, në tre mujorin e parë diku rreth 35 persona kanë kërkuar ndihmë… Në çoftë se përpara kemi konstatuar që diku mosha kur fillohet me abuzimin me këto substanca ka qenë 14-15 vjeçar, tani është edhe shumë e ulët, kemi pasur raste 10-11 vjeçar…Mund të konstatojë se nga informatat që ne i kemi se shënon rritje numri i femrave që abuzojnë me substanca psikopative e posaçërisht me kokainë dhe është një dukuri që duhet hulumtuar”, ka thënë Kutllovci.

    Se përdorimi i kokainës është në rritje te femrat, e thotë edhe drejtori i Qendrës Specialistike-Psikiatrike “ Labyrinth”, Safet Blakaj.

    Blakaj nëpërmjet telefonit ka treguar se në tërë Kosovën, numri i përdoruesve të drogës është rreth 40 mijë persona, ndërsa në qendrën e tyre mbi 2840 persona.

    “Në databazën tonë janë mbi rreth 2840 persona deri në ditën e sodit…Në të gjithë Kosovën një numër i përafërt është diku rreth 40 mijë persona. Në këtë numër hynë edhe ata persona që përdorin marihuana. Ndërsa si përdorues problematik,,, janë diku 10 mijë persona…Përdorimi i marihuanës dhe posaçërisht i kokainës është në rritje te gratë”, ka treguar Blakaj.

    Ndërsa, neuropsikiatri Sami Rexhepi ka theksuar se marihuana, po e zgjon një kod gjenetik që është i fjetur dhe po manifestohet edhe çrregullimi psikotik.

    “Më e keqja është fakti se shumë mosha të reja kanë filluar me e përdorë, diku 11-12 vjeçar… marihuana po e zgjon edhe një kod gjenetik që ndoshta është i fjetur dhe po manifestohet edhe çrregullimi psikotik, dhe kur të vjen deri te çrregullimi psikotik, atëherë nuk ka më kthim mbrapa, aty vetëm çka mundet pak me u funksionalizuar, por kurrë nuk mundet me u shëruar plotësisht… Përdorimi i drogave apo hyrja në varshmëri prej tyre nuk është një portë të cilën e hap dhe hynë, por thjesht rrëshqet aty dhe e kupton shumë më vonë se ke krijuar një varshmëri prej drogave”, ka treguar ai.

    Sipas Policisë së Kosovës gjatë periudhës janar-mars të këtij viti janë arrestuar për substanca narkotike 159 persona, prej tyre 10 të mitur nga mosha 14-18 vjeç. Ndërsa gjatë vitit 2023 janë arrestuar 859 persona, ku prej tyre 74 kanë qenë të mitur.

  • ​Zidane i thotë “Jo” Bayernit

    ​Zidane i thotë “Jo” Bayernit

    Ish-trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, ka përjashtuar mundësinë që të bëhet trajner i Bayern Munichut, duke thënë se gjatë ndeshjes së ardhshme të Ligës së Kampionëve mes dy skuadrave, ai do të bëjë tifo për “Los Blancos” .

    Zidane së fundmi mori pjesë në Çmimin e Madh të Miami të shtunën, ku ai ndoqi garën e sprintit në Autodromin Ndërkombëtar të Miamit. Piloti i Red Bull Max Verstappen siguroi pole position për garën kryesore të së dielës, duke tejkaluar Charles Leclerc dhe Sergio Perez. Pas garës, Zidane i dha një çmim pilotit holandez në podium.

    Gjatë ngjarjes, Zidane u pyet për mundësinë që të marrë drejtimin e gjigantit bavarez, për të cilën ai tha, “Jo, nuk do të ndodhë”, përcjellë KP.

    “Unë do ta shikoj ndeshjen, do të bëj tifo për Real Madridin dhe shpresoj se Real Madridi do të fitojë. Do të jetë një lojë e vështirë”, shtoi ai.

    Vlen të theksohet se Zidane, 51 vjeç, nuk ka drejtuar një ekip që nga largimi i tij nga Real Madrid në vitin 2021.

    Ai është përfolur se është në konsideratë për poste drejtuese në Bayern Munich dhe Manchester United, por ai ende nuk ka zhvilluar diskutime zyrtare me asnjërin klub.

    Nga ana tjetër, pas humbjes së Francës nga Argjentina në finalen e Botërorit 2022, u përfol se ai mund të merrte kombëtaren franceze.

    Megjithatë, ato spekulime përfunduan kur kontrata e Didier Deschamps u zgjat deri në qershor 2026.

    Nga sot, Bayern Munich është në kërkim të një trajneri të ri për të zëvendësuar Thomas Tuchel në fund të sezonit.

    Megjithatë, klubi është përballur me një sërë pengesash në kërkimin e tij për të gjetur kandidatin e duhur. Disa emra kryesorë, duke përfshirë Xabi Alonso, Julian Nagelsmann dhe Ralf Rangnick, kanë refuzuar mundësinë për të udhëhequr ekipin gjerman.

  • Premtohet hapësirë e re stërvitore për Donjeta Sadikun

    Premtohet hapësirë e re stërvitore për Donjeta Sadikun

    Për boksieren Donjeta Sadiku janë dhënë lajmë të mira nga ana e Ministrisë së Sportit sa i përket kushteve në të cilat ajo stërvitet. Për vite me radhë, Sadiku së bashku me trajneren e saj Marjola Sallauka punojnë në një sallë e cila nuk plotëson kushtet elementare për t’u stërvitur.

    Donjeta Sadiku tashmë ka fituar normën që të jetë pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike “Parisi 2024” dhe në mënyrë që të përgatitet sa më mirë për këto lojëra, zëvendësministrja e Ministrisë së Sportit, Daulina Osmani, ka thënë se shumë shpejtë do të do të krijohet një hapësirë e re për boksieren kosovare me kushte optimale që ajo të përgatitet në kushte më të mira dhe me pajisje të reja.

    “Për çështjen e Donjeta Sadikut jemi në koordinim dhe mobilizim të tërësishëm ndërmjet ministrisë, klubit të Donjetës por edhe Federatës së Boksit të Kosovës për t’u siguruar që në një afat rekord t’i krijohet një hapësire e re me kushte të reja, me pajisje të reja në të cilat ajo do t’i bëjë edhe përgatitjet finale para ‘Parisit 2024’, mirëpo jo vetëm por të vazhdojë të qëndrojë si hapësirë e klubit të saj, së bashku Donjeta me trajneren e saj, mirëpo edhe me pjesëtarë të tjerë të klubit dhe me sportistët tjerë të cilët potencialisht mund të jenë potencial për vitin 2028”, tha Osmani.

    Tutje Osmani shtoi se ka besim të plotë që Donjeta Sadiku do të marrë pjesë edhe në Lojërat Olimpike 20278 dhe se do të jetë kandidate për medalje edhe atje.

    “Siç e dimë, boksi ka një karrierë më afatgjate se sa disa sporte të tjera që janë më të limituara, andaj Donjetën e kemi pjesëmarrëse në vitin 2024, mirëpo mendojmë që Donjeta, e urojmë dhe shpresojmë që të jetë një ndër kandidatet kryesore për medalje, jo vetëm tani mirëpo edhe në vitin 2028 së bashku edhe me xhudistët tjerë”, theksoi ajo.

    Këtë premtim, Osmani e bëri pak ditë më parë me rastin e lansimit të programit “Super sportistët” i cili synon mbështetjen e 20 sportistëve më të mirë të përzgjedhur nga tetë sportë të ndryshme dhe ata do të mbështetjen me katër milionë euro.

  • “S’kemi nevojë për xhihad”, çka tha Trump për ndalimin e hyrjes të shtetasve nga disa vende myslimane

    “S’kemi nevojë për xhihad”, çka tha Trump për ndalimin e hyrjes të shtetasve nga disa vende myslimane

    Ish presidenti i SHBA-së, Donald Trump që po synon sërish këtë pozitë ka deklaruar se në rast se do të fitojë, do të rikthejë vendimin për t’u ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara shtetasve të disa vendeve me shumicë myslimane, që në ditën e parë që do të hyjnë në zyrë.

    Kur Trump garoi për president në 2016 ai u zotua të ndryshonte ligjin amerikan të emigracionit për të mos lejuar hyrjen në vend të terroristëve nga vendet islamike.

    “Do t’i mbajmë larg vendit tonë terroristët radikalë islamikë, 100 për qind. Nuk kemi zgjidhjet tjetër”, thoshte Trump në nëntor të vitit 2016.

    “Duhet të tregohemi të ashpër dhe të jemi të sigurt”, thoshte Trump në 25 qershor të vitit 2018.

    Në 2020, Joe Biden bëri fushatë kundër këtij vendimi të Trump. Ai e shfuqizoi vendimin pasi u bë President.

    Katër vjet më vonë, Trump u tha mbështetësve në Viskonsin këtë javë se ngjarjet që po ndodhin në Lindjen e Mesme e kanë bindur se ka ardhur koha për një vendim tjetër për ndalim udhëtimi.

    “Ne nuk kemi nevojë për xhihad në Shtetet e Bashkuara. Nuk kemi nevojë që qytetet tona të shndërrohen në vatra terrorizmi. Në ditën e parë të presidencës sime do të rikthej ndalimin e udhëtimit, duke pezulluar hyrjen e refugjatëve dhe mbajtur larg vendit tonë terrorristët, siç kam bërë më parë”.

  • Refuzoi të konsumonte drogë dhe të kryente marrëdhënie seksuale, një burrë e godet me thikë në kokë një burrë në Fushë-Kosovë

    Refuzoi të konsumonte drogë dhe të kryente marrëdhënie seksuale, një burrë e godet me thikë në kokë një burrë në Fushë-Kosovë

    Policia e Kosovës ka arrestuar një burrë për veprën “vrasje e rëndë në tentativë” në Fushë-Kosovës.

    Sipas raportit 24 orësh të PK-së, i dyshuari nën ndikim të narkotikëve e kishte joshur një burrë që të konsumojë substanca narkotike, por që ishte refuzuar, pas kësaj i dyshuari e kishte joshur që të kryejnë marrëdhënie seksual, por që ishte refuzuar përsëri.

    Si shkak i kësaj, i dyshuari e kishte goditur në kokë me një thikë të kuzhinës.

    I dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Raporti i plotë:

    VRASJE E RËNDË NË TENTATIVË

    Fushë Kosovë 05.05.2024-20:11. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti nën ndikim të substancave narkotike, fillimisht e kishte joshur viktimën mashkull kosovar, që të konsumoj substancë narkotike, e pasi viktima kishte refuzuar të konsumoj , i dyshuari e kishte joshur (cytur) që të kryejnë marrëdhënie seksuale kundër dëshirës së tij, dhe pasi edhe kësaj here viktima kishte refuzuar, i dyshuari me një thikë kuzhine, e kishte goditur viktimën në kokë , me ç’rast i shkakton lëndime trupore. Viktima është dërguar në QKUK për tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje.

  • Kurti: Zgjedhjet evropiane të 9 qershorit, janë vendimtare për të ardhmen e sigurinë

    Kurti: Zgjedhjet evropiane të 9 qershorit, janë vendimtare për të ardhmen e sigurinë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhjet evropiane të 9 qershorit, janë vendimtare për të ardhmen, sigurinë dhe prosperitetin në Evropë.

    Kryeministri Kurti, gjatë vizitës së tij në Berlin, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se ka qenë pjesë e konferencës së nivelit të lartë të Partisë së Socialistëve Evropianë dhe nga aty ka shprehur mbështetjen për kandidatët socialdemokratë Katarina Barley dhe Nicolas Schmit.

    Ai ka vlerësuar se “vota për ta, është e domosdoshme për mbrojtjen e vlerave e parimeve demokratike, të solidaritetit e të gjithëpërfshirjes, të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, të drejtësisë sociale e të pluralizmit politik”.

    “Vota për ta, është e domosdoshme për mbrojtjen e vlerave e parimeve demokratike, të solidaritetit e të gjithëpërfshirjes, të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, të drejtësisë sociale e të pluralizmit politik”, ka shkruar Kurti mes tjerash.

    Sipas tij, këto vlera janë të kërcënuara çdo ditë e më shumë nga rrymat e djathta radikale.

  • DASH njofton se Gabriel Escobar do të marrë një detyrë të re nga java e ardhshme

    DASH njofton se Gabriel Escobar do të marrë një detyrë të re nga java e ardhshme

    Departamenti Amerikan i Shtetit e ka konfirmuar se Zëvendësndihmësi i Sekretarit të Shtetit dhe emisari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili ka shërbyer si diplomat karriere në Shërbimin e Jashtëm për tri vite, pritet të marrë detyrën e tij të ardhshme në javët në vijim.

    Nga DASH kanë demantuar pretendimet e publikuara në një web-faqe duke i kualifikuar si të rreme, dhe kanë konfirmuar se Escobar nuk është shkarkuar nga pozita e tij, por se thjeshtë si të gjithë zyrtarët e karrierës që janë pjesë e Shërbimit të Jashtëm do të ndërrojë detyrën e tij me rotacion, çdo katër vjet, si një praktikë e rregullt

    “Pretendimet e bëra nga Vudi Xhymshiti janë vërtet të rreme. Zëvendës Ndihmës Sekretari Gabriel Escobar nuk është shkarkuar nga posti i tij. Të gjithë oficerët e Shërbimit të Jashtëm në karrierë i ndërrojnë detyrat me rotacion çdo një deri në katër vjet si një praktikë e rregullt. Si oficer karriere i Shërbimit të Jashtëm, Zëvendës Ndihmës Sekretari Escobar ka shërbyer në rolin e tij aktual për tre vjet dhe pritet të kalojë gjatë në detyrën e tij të ardhshme në javët e ardhshme. Deri në tranzicionin e tij të planifikuar, ai mbetet në rolin e tij si Zëvendës Ndihmës Sekretari dhe i Dërguari Special në zyrën e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike si dhe i Dërguari Special për Çështjet e Ballkanit Perëndimor.”

    Nga DASH kanë thënë po ashtu se pronari i web-faqes “Frontliner”, Vudi Xhemshiti “ ka bërë një sërë qëndrimesh online për Escobar që janë gjithashtu vërtet të rreme”.

    Tutje ky zëdhënës i DASH ka demantuar pretendimet e publikuara në web-faqen që menaxhohet nga Xhymshiti rreth gruas së Gabriel Escobar duke konfirmuar “se gruaja e Escobarit asnjëherë s’ka marrë fonde nga Ministria e Jashtme e Serbisë”.

    Gjithashtu ky zëdhënës ka thënë se Gabriel Escobar s’ka asnjë lidhje familjare me “partnerin e supozuar të firmës ligjore nga Teksasi McGinis Lochridge LLP”.

    “Ne inkurajojmë gazetarët që të verifikojnë faktet përpara se të shpërndajnë thashetheme të pabaza dhe ofenduese”, ka thënë për Express zëdhënësi i DASH.

    “Në përgjithësi, ne e dimë se dezinformimi përbën një kërcënim të jashtëzakonshëm për shoqëritë demokratike. Ai helmon diskursin social, përkeqëson ndarjet dhe përfaqëson një kërcënim të sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët dhe partnerët tanë”.

    Në fund, raportohet se zëdhënsi i DASH-it ka thënë se SHBA-ja përkrah fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE si rrugë për të arritur paqe dhe një raport produktiv në mes të Kosovës dhe Serbisë.

    “Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm Dialogun e lehtësuar nga BE-ja si rrugë për të arritur një marrëdhënie paqësore dhe produktive ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ne jemi plotësisht të lidhur me partnerët tanë evropianë dhe do të vazhdojmë të luajmë një rol aktiv në mbështetje të Dialogut”.

  • Kandidatura për emisar e gatshme për në Bruksel, Pahor: Është koha që dialogu Kosovë-Serbi të ringjallet

    Kandidatura për emisar e gatshme për në Bruksel, Pahor: Është koha që dialogu Kosovë-Serbi të ringjallet

    Ish-kryeministri i Sllovenisë, Borut Pahor, mund të marrë pozitën e të dërguarit evropian për dialogun Kosovë-Serbi, për çfarë vetë ai ka shprehur interesim.

    Për këtë ai ka marrë edhe mbështetjen e vendit të tij, gjë të cilën ai është shprehur se e vlerëson shumë.

    “I jam mirënjohës të gjithëve për mbështetjen, madje edhe atyre që mund të mos jenë përgjigjur që do të kishin komente kritikuese. Kështu që kam ndjenjën se e gëzoj këtë mbështetje në Slloveni dhe kjo do të thotë shumë për mua”.

    Duke folur për radiotelevizionin slloven, Pahor, ka konfirmuar se kandidatura e tij do të dorëzohet në Bashkimin Evropian.

    “Po përgatitem me shumë kujdes dhe përgjegjësi, ndoshta këtë javë kandidatura ime do të udhëtojë nga zyra ime dhe Ministria e Punëve të Jashtme për në Bruksel, në të cilën do të shpjegoj arsyet pse ndihem i përshtatshëm për ta zgjidhur këtë çështje”, ka thënë Pahor, transmeton KlanKosova.tv.

    “E fundit, por jo më pak e rëndësishme, Sllovenia, ashtu si unë, më duket mua, ka statusin e një ndërmjetësi të ndershëm, përvojë të pasur në këtë rajon dhe, natyrisht, gjithashtu një sërë idesh se si të rifreskohet ose ringjallet ky dialog i ngecur. Në përgjithësi, situata e sigurisë dhe ajo politike në rajon janë shumë shqetësuese”.

    Për cilësimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se shteti slloven është i neveritshëm, Pahor ka thënë se me të tilla deklarime “po vjen koha që duhet mësuar”.

  • 25-vjetori i vrasjes së Agani, Osmani: Sjellja e autorëve të krimit para drejtësisë, përkushtim i yni i vazhdueshëm

    25-vjetori i vrasjes së Agani, Osmani: Sjellja e autorëve të krimit para drejtësisë, përkushtim i yni i vazhdueshëm

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar akademik, Fehmi Aganin në 25-vjetorin e vrasjes nnga forcat serbe, raporton Ekonomia Online.

    Osmani ka deklaruar se sjellja e autorëve të krimit para drejtësisë, është përkushtim i institucioneve ndërkaq thotë se kujtimi për akademik Aganin është i përhershëm.

    “Njëzet e pesë vjet më parë, Kosova humbi akademik Fehmi Aganin, mendjendriturin, vizionarin, filozofin dhe njeriun e devotshëm, i cili tërë jetën ia kushtoi lirisë dhe pavarësisë. Forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, më 6 maj 1999 vranë mizorisht akademik Aganin, dorën e djathtë të Presidentit historik, dr.Ibrahim Rugova. Ata nuk arritën ta vrasin idealin e tij jetësor, lirinë e popullit dhe pavarësinë e shtetit. Vizioni i përbashkuesit Agani do të na udhëheq përherë në rrugëtimin për forcimin e shtetit dhe synimin euroatlantik. Sjellja e autorëve të krimit para drejtësisë përkushtim i yni i vazhdueshëm, ndërkaq kujtimi për akademik Aganin është i përhershëm”, ka shkruar Osmani.

  • Zjarret e në fabrika, kërkohet themelimi i një fondi rezervë

    Zjarret e në fabrika, kërkohet themelimi i një fondi rezervë

    Dy zjarre të mëdha kohët e fundit kanë përfshirë dy fabrika në Kosovë. Si pasojë, shumë punëtorë kanë mbetur pa vende pune dhe janë shkaktuar miliona euro humbje. E, përfaqësues të bizneseve dhe ata nga sektori privat, e shohin të domosdoshëm themelimin e fondit rezervë nga Qeveria, për t`iu dalë në ndihmë bizneseve në raste të tilla.

    Kohët e fundit në Kosovë, janë djegur dy biznese duke lënë shumë punëtorë pa punë dhe të ardhura. Shakatarët për këto ngjarje ende mbeten enigmë, ngase nuk ka një raport final se nga çka janë shkaktuar.

    Në një intervistë për RTK-në, duke folur për zjarrin që ndodhi në fabrikën e plastikës në Drenas, drejtori Arian Shabani ka theksuar se mbi 100 punëtorë kanë mbetur pa punë, derisa dëmet llogariten mbi 10 milionë euro.

    “Është një dëm shumë i madh që na është bërë, dhe në veçanti edhe për punëtorët, sepse është e pamundur që të gjithë ata punëtorë, një numër i madh i tyre, t’i sistemojmë diku tjetër. E tërë fabrika është e djegur”, ka thënë Shabani.

    Një ngjarje e tillë, duke lënë shumë punëtorë pa punë, ka ndodhur edhe në Kërpimeh të Podujevës. Barrën e rëndë të djegies së fabrikës për kultivimin e mjedrave, e bartin edhe 170 punëtorë që kanë mbetur pa punë.

    Ndërkohë, kryetari i Sektorit Privat, Jusuf Azemi, duke folur për Radio Kosovën, shtron nevojën për themelimin e një fondi rezervë për mbështetjen e bizneseve që pësojnë nga këto situata.

    “Nëse vetëm në dy fabrika kemi humbje të vendeve të punës, kjo është një humbje që rrezikon ekzistencën e atyre punëtorëve. Edhe nga kjo qeveri kemi kërkuar themelimin e një fondi rezervë me një shumë simbolike, por nuk e kanë bërë. Duhet të intervenohet te këto biznese në mënyrë që të mos e humbin traditën e punës”, ka deklaruar Azemi.

    Edhe Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, e konsideron humbje të madhe për ekonominë e vendit djegien e bizneseve. Por, ai thotë se kompanitë biznesore duhet të jenë të siguruara në mënyrë që të kompensohet dëmi i tyre.

    “Secili afarist duhet të dijë që shumë kompani marrin përsipër sigurimin e dëmeve dhe kompanitë duhet të jenë të siguruara. Dhe, në rast të ndonjë aksidenti, bizneset marrin dëmshpërblim nga kompanitë”, ka thënë ndër të tjera Shahini.

    Sidoqoftë, lidhur me zjarret, atë në fabrikën për riciklimin e qeseve të plastikës në Parkun e Biznesit në Drenas, dhe në Podujevë, në raportet policore theksohet se përveç dëmeve materiale të konsiderueshme, nuk ka të lënduar, derisa kanë theksuar se rasti vazhdon të jetë në hetime.