ATV

Blog

  • Thanë se “nuk ishte lojtar për Dinamon”, por Hoxha vendosi kampionatin kroat

    Thanë se “nuk ishte lojtar për Dinamon”, por Hoxha vendosi kampionatin kroat

    “Thanë se nuk ishte lojtar për Dinamon, e pikërisht ai është njeriu që vendosi kampionatin”. Ky është titulli i shkrimit të gazetës së madhe kroate, Sportske Novosti, që i kushtohet sulmuesit të krahut, Arbër Hoxha.

    Ai vendosi derbin mes Rijekës dhe Dinamo Zagrebit. Hyri në lojë në minutën e 87-të dhe në minutën e 89-të shënoi gol të bukur për fitoren 2:1. Tri xhiro para fundit, Dinamo i ka katër pikë më shumë se Rijeka dhe thuajse ka siguruar titullin e ri. Dinamo gjatë gjithë kampionatit ishte prapa Rijekës e Hajdukut. Por në momentin e duhur doli në vendin e parë dhe me fitoren në derbin e së dielës thuajse i dha fund çështjes së kampionit.

    Hoxha në janar iu bashkua Dinamos nga Slaven Belupo. Për shkak të një ndryshimi në sistemin e lojës së Dinamos, ai kishte pak hapësirë në javët e fundit. Gjithsej në kampionatin kroat i ka luajtur 14 ndeshje, ndërsa goli i së dielës ishte i pari. Por ishte me shumë, shumë vlerë.

    “Jakiroviq në lojë e futi Arbër Hoxhën, djaloshin që mbeti në plan të dytë, për të cilin disa vetëm filluan të flasin që nuk është lojtar për Dinamon. Dhe pikërisht ai me golin e tij, të dytin prej se erdhi në shtëpinë e kaltër, vendosi pikën në këtë kampionat. Çfarë rrëfimi i veçantë, çfarë çmendurie futbolli”, ka shkruar “Sportske Novosti”.

    Festa ishte e madhe e lojtarëve dhe tifozëve të Dinamos pas fitores në Rijekë. Skuadra dominante e futbollit kroat po e fiton titullin edhe në një edicion shumë të vështirë.

    Edhe sajti më i njohur kroat “index.hr” ka shkruar se goli i Hoxhës mund të jetë vendimtar në garën për titull të kampionit.

    “Pikërisht goli i Hoxhës mund të jetë ai që do të vendosë kampionin. Reprezentuesi i Shqipërisë, që hyri dy minuta më parë, iku në krahun e majtë, u shmang nga mbrojtësi dhe me gjuajtje të saktë dërgoi topin në këndin e pambuluar të portës për festën e madhe të Dinamos”, shkruan “index.hr”.

    Sajti tjetër “germanijak.hr” ka shkruar se me golin e shënuar, Hoxha ka shpaguar transferimin e bërë nga Dinamo.

    “Tashmë e kishte vendin në rubrikën e ‘transferimeve të dështuara’ të Dinamos dhe më pas shkëlqeu në momentin vendimtar. Dhe Dinamos me shumë mundësi ia solli titullin e kampionit”, ka shkruar ky medium.

    Vetë Hoxha ka thënë se ka përjetuar momentin më të mirë në karrierë.

    “Jam krenar me golin dhe me fitoren e ekipit. Nuk ishim shumë të mirë në pjesën e parë. Goli i Rijekës na shokoi, por kemi shfaqur karakter dhe kemi fituar. Mendoj se ky është momenti më i mirë në karrierën time. Kam shënuar gol për tri pikë të vlefshme për titull të kampionit”, ka theksuar Hoxha.

    25-vjeçari në Kosovë ka luajtur për skuadra si Istogu, Prishtina, Hajvalia e Besa, para se të shpërthente te Ballkani. Në vitin 2021 iu bashkua Lokomotivës së Zagrebit e më pas Slaven Belupos. Tashmë është edhe reprezentues i Shqipërisë.

    Ndonëse periudha e përshtatjes te Dinamo po i zgjat më tepër se që pritej, me golin e së dielës Hoxha ka bërë tifozët e gjigantit kroat për vete.

  • Izraeli shënon Ditën e Përkujtimit të Holokaustit

    Izraeli shënon Ditën e Përkujtimit të Holokaustit

    Njerëzit qëndrojnë pa lëvizur gjatë një sirene dy minutëshe në kujtim të viktimave të Holokaustit, në Jerusalem, më 6 maj.

    Izraeli shënon të hënën Ditën e Përkujtimit të Holokaustit, një memorial kombëtar për 6 milionë hebrenjtë e vrarë nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

    Në të gjithë vendin, njerëzit dhe bizneset u ndalën për tingëllimin vjetor të një sirene dy minutëshe për të përkujtuar të vrarët, raporton CNN.

    Në Jerusalem, kryeministri, Benjamin Netanyahu mori pjesë në ceremoninë kryesore të vendosjes së kurorave në memorialin e Holokaustit Yad Vashem.

    Kjo ditë përkujtohet edhe nga hebrenjtë në mbarë botën.

  • Napoli dëshiron Lukakun, por transferimi i tij varet nga Osimhen

    Napoli dëshiron Lukakun, por transferimi i tij varet nga Osimhen

    E ardhmja e Romelu Lukakut është ende e pasigurt.

    Sulmuesi i Chelsea-t është në huazim te Roma, e cila sipas raportimeve të mediave italiane nuk ka gjasa ta blejë atë.

    Megjithatë e ardhmja e tij mund të jetë në Itali, por te Napoli.

    Lukaku është një objektiv i Giovanni Manna, drejtori i ardhshëm sportiv i Napolit.

    Transferimi i tij te Napoli mund të lehtësohej nëse do të përfshihej në negociatat që Chelsea të afrojë Osimhen, duke qenë se blutë janë shumë të interesuar për nigerianin.

  • Gjyqtari në rastin e krerëve të UÇK-së: Deri më tash kanë dëshmuar mbi 100 persona, duhet gjykim i drejtë dhe i shpejtë

    Gjyqtari në rastin e krerëve të UÇK-së: Deri më tash kanë dëshmuar mbi 100 persona, duhet gjykim i drejtë dhe i shpejtë

    Kryetari i trupit gjykues në Hagë në rastin e krerëve të UÇK-së, Charles Smith, ka mbajtur një fjalim të shkurtër para nisjes së seancës së sotme.

    Ai ka bërë të ditur se deri më tash, në të gjitha formatet kanë dhënë dëshminë e tyre mbi 100 dëshmitarë. 60 prej të cilëve kanë qenë LIVE në gjykatore, kurse të tjerët me shkrim, apo me deklarata të tjera për dëshmitarët e vdekur ose që janë të sëmurë.

    “Kemi pasur 60 dëshmitarë deri më tani, kemi pranuar 13 dëshmitarë sipas rregullit të caktuar, dhe deklaratat e 33 dëshmitarëve kemi pranuar që kanë vdekur ose nuk janë të disponueshëm për arsye të ndryshëm. Numri i dëshmitarëve të Prokurorisë ka qenë 105 përfshirë këto që sapo citova, trupi gjykues ka pasur 427 parashtrime për të cilat është dashur të marrin vendim, kërkesa nga palët ose vendim, dhe janë marrë 367 vendime nga trupi gjykues. Kjo është punë e përbashkët që vjen në bazë të punës në sallën e gjyqit. Punë e jashtëzakonshme”, tha kryegjyqtari Smith, raporton Nacionale.

    Gjyqtari i rastit ka bërë të ditur se brenda këtij muaji, Prokuroria e Specializuar duhet ta ofrojë një numër më të redaktuar të dëshmitarëve. Në fillim, kishte pasur 320 dëshmitarë.

    “Prokuroria ka thënë në fillim se do të kishte 320 dëshmitarë, e ka reduktuar numrin dhe brenda këtij muaji do të na jap një përditësim dhe shpresoj ta kenë reduktuar edhe më tutje. Dëshmitarët do të vinë në formate të ndryshme, herë me shkrim herë live”, tha gjyqtari.

    Gjyqtari Smith ka deklaruar se është me interes të madh që përveç që gjykimi të jetë i drejtë, ai të jetë edhe i shpejtë.

    “Para 2 javësh filluam vitin e dytë të dëshmive, në mes të dhjetorit filluam diskutimet për këtë çështje gjyqësore. Në vijim të kësaj u mbajt edhe seanca e parë për ecurinë e çështjes gjyqësore, dhe objektivi ishte të zhvillohet sa më shpejt ky gjykim. Kërkuam ndihmën e të gjithëve të realizojmë këtë objektiv. Kemi kërkuar parashtrime, kemi përshtatur procedura. Me qëllim që ky gjykim të mos jetë vetëm i drejt por efikas dhe i shpejt”, tha Smith, raporton Nacionale.

    “Ka pasur shumë bashkëpunim nga të gjitha palët, dhe trupi gjykues e vlerëson këtë. Ne do të vijojmë të jemi sa më efikas dhe iu falënderoj për këtë kontribut deri më tani”, tha më tutje ai.

    Smith theksoi se mbi 100 dëshmitarë kanë dhënë dëshmitë e tyre në të gjitha format.

    “Ka ende shumë punë për të bërë, le të vazhdojmë të përpiqemi që gjykimi të jetë sa më i drejtë, sa më i shpejt dhe sa me efikas. Kam shpresë se do të jemi ende bashkëpunues, dhe të bëjmë punë më të mirë të gjithë ne bashkë. Sot duhet të themi që kemi pasur më shumë se 100 dëshmitarë për 1 vit, përfshirë këtu të gjitha formatet. Është çështje e ndërlikuar, avokatët, juristët, menaxhimi, përkthyesit, të gjithë kanë bërë punë të madhe”, theksoi në fund kryetari i trupit gjykues.

    Në fund të majit, Prokuroria e Hagës do të dorëzojë numrin e saktë të dëshmitarëve që synon t’i ftojë në sallë për të dëshmuar.

  • “Financial Times”: Rusia po përgatitet për sabotimin e Evropës

    “Financial Times”: Rusia po përgatitet për sabotimin e Evropës

    Lufta në Ukrainë ka arritur në ditën e 802-të. Sipas Financial Times, agjencitë evropiane të inteligjencës kanë paralajmëruar qeveritë e tyre se Rusia po përgatit “akte sabotimi në të gjithë kontinentin” pa u shqetësuar për viktima të mundshme civile.

    Për presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, “Putini nuk dëshiron paqe, ai është i çmendur dhe vendi i tij e dëshmon këtë çdo ditë”. Presidenti ukrainas u vendos në listën e të kërkuarve të Ministrisë së Brendshme të Moskës dhe kundër tij u hap një çështje penale. Akuzat kundër presidentit të Ukrainës nuk janë të specifikuara.

    Tashmë Rusia tashmë ka filluar të përgatisë në mënyrë më aktive bombardimet e fshehta, sulmet me zjarrvënie dhe dëmtimin e infrastrukturës në tokën evropiane, drejtpërdrejt dhe nëpërmjet përfaqësuesve, me pak shqetësim të dukshëm për shkaktimin e viktimave civile, besojnë zyrtarët e inteligjencës.

    Ndërsa agjentët e Kremlinit kanë një histori të gjatë të operacioneve të tilla dhe kanë nisur sulme sporadike në Evropë vitet e fundit, provat po shtohen për një përpjekje më agresive dhe të bashkërenduar, sipas vlerësimeve nga tre vende të ndryshme evropiane të ndara me Financial Times.

    Zyrtarët e inteligjencës po bëhen gjithnjë e më të zëshëm për kërcënimin në një përpjekje për të promovuar vigjilencën.

    “Ne vlerësojmë që rreziku i akteve të sabotimit të kontrolluara nga shteti të rritet ndjeshëm”, tha Thomas Haldenëang, kreu i inteligjencës së brendshme gjermane. Rusia tani duket e rehatshme për të kryer operacione në tokën evropiane “[me] një potencial të lartë dëmtimi”, tha ai në një konferencë të sigurisë muajin e kaluar të organizuar nga agjencia e tij, Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës.

    Haldenëang foli vetëm disa ditë pasi dy shtetas gjermano-rusë u arrestuan në Bayreuth, Bavari, për komplot të dyshuar për të sulmuar vendet ushtarake dhe logjistike në Gjermani në emër të Rusisë.

    Dy burra u akuzuan në Britani në fund të prillit se kishin ndezur një zjarr në një magazinë që përmbante dërgesa ndihme për Ukrainën. Prokurorët anglezë i akuzojnë ata se punojnë për qeverinë ruse.

    Në Suedi, shërbimet e sigurisë po hetojnë ndërkohë një sërë daljesh nga shinat e fundit të hekurudhave, për të cilat ata dyshojnë se mund të jenë akte sabotimi të mbështetur nga shteti.

    Rusia është përpjekur të shkatërrojë sistemet e sinjalizimit në hekurudhat çeke, tha ministri i transportit i vendit për FT muajin e kaluar.

    Në Estoni, një sulm ndaj makinës së ministrit të brendshëm në shkurt dhe atyre të gazetarëve u krye nga operativë të inteligjencës ruse, ka thënë Shërbimi i Sigurisë së Brendshme të vendit. Ministria e Mbrojtjes e Francës paralajmëroi gjithashtu këtë vit për sulme të mundshme sabotuese nga Rusia në objektet ushtarake.

    “Përfundimi i qartë është se ka pasur një rritje reale të aktivitetit rus,” tha Keir Giles, këshilltar i lartë në Chatham House, grupi i ekspertëve.

  • Shtrenjtohen çmimet e prodhimeve bujqësore

    Shtrenjtohen çmimet e prodhimeve bujqësore

    Rriten çmimet e të gjitha prodhimeve bujqësore.

    Në publikim e ASK-së i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë, në TM1 2024, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 2,8%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023.

    Indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 7,3%.

    Indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për 5,3%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023.

    “Prodhimet që krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale. Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë. Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë”, thuhet në raport.

  • Deputeti gjerman, Ganzke shpallet “Qytetar Nderi” i Shtimes

    Deputeti gjerman, Ganzke shpallet “Qytetar Nderi” i Shtimes

    Kuvendi Komunal i Shtimes ka mbajtur seancë solemne me rastin e dorëzimit të çmimit “Qytetar nderi”, për deputetin dhe njëkohësisht Shefin e Grupit Parlamentar të SPD-së në Kuvendin e Qarkut Unna, Hartmut Ganzke.

    Kuvendi Komunal i Shtimës ka mbajtur seancë solemne me rastin e dorëzimit të çmimit “Qytetar nderi”, për deputetin dhe njëkohësisht Shefin e Grupit Parlamentar të SPD-së në Kuvendin e Qarkut Unna, Hartmut Ganzke.

    Çmimi Ganzkes iu dorëzua nga kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu, i cili tha se ky titull, është më se i merituar për deputetin gjerman.

    Ndërkaq Ganzke, u shpreh falënderues për këtë titull, dhe u shpreh se është krenar që është “Qytetar Nderi” i Shtimes.

  • ​Dy rusë ndalohen në Jarinje

    ​Dy rusë ndalohen në Jarinje

    Dy persona me pasaporta ruse (një mashkull dhe një femër) të cilët nuk kishin viza të Republikës së Kosovës, janë hasur mbrëmë në dalje në SPK Jarinje.

    Sipas Policisë, pas verifikimit të personave, të njëjtit nuk kishin hyrje/dalje në Republikën e Kosovës.

    Ata i kanë thënë Policisë se kanë ardhur nga Nishi i Serbisë dhe kanë përfunduar në SPK Jarinje, derisa dyshohet se kanë ardhur rrugëve ilegale.

    Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit dërgohen në mbajtje.

  • ​Tentim vrasje në Leposaviq

    ​Tentim vrasje në Leposaviq

    Një person ka raportuar në Polici se deri sa ishte duke hyrë në një lokal në Leposaviq, kishte vërejtur afër tij një person të maskuar me një armë në dorë të cilën ia kishte drejtuar viktimës, por nuk kishte arritur të gjuante.

    Policia nuk ka dhënë më shumë detaje përveç se rasti ka ndodhur mbrëmë dhe njësit policore kanë dal në vendin e ngjarjes, ndërsa me vendim të prokurorit rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

  • ​Gërvalla në Varshavë merr pjesë në konferencën “Defence24 Days”

    ​Gërvalla në Varshavë merr pjesë në konferencën “Defence24 Days”

    Delegacioni i Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, në përbërje të të cilit është ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti dhe përfaqësues nga FSK-ja, po merr pjesë në konferencën dyditore “Defence 24 Days”, e cila i kushtohet çështjeve që lidhen me mbrojtjen dhe sigurinë, sfidat dhe situatën aktuale dhe të ardhshme gjeopolitike, parandalimin dhe mbrojtjen në epokën e luftës.

    Si një prej konferencave më të mëdha dhe më të rëndësishme të sigurisë në Evropë, “Defence24 Days” është një mundësi e mirë e diskutimit mes përfaqësueseve më të lartë shtetërorë, ekspertëve, civilëve dhe ushtarakëve, rreth sigurisë dhe mbrojtjes në Evropë.

    Sipas njoftimit të ministrisë, përmes diskutimeve në panele Republika e Kosovës do të paraqesë pikëpamjet, angazhimin dhe kontributin e saj në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor.

    Ministrja Gërvalla në kuadër të ketë gjatë kësaj konference takime me udhëheqës të lartë të Polonisë, të shteteve tjera pjesëmarrëse në konferencë, përfaqësues të institucioneve rajonale dhe globale, civile dhe ushtarake.