ATV

Blog

  • Pakti i ri i BE-së për emigracionin hyn në fuqi, rregulla më të ashpra në kufij

    Pakti i ri i BE-së për emigracionin hyn në fuqi, rregulla më të ashpra në kufij

    Pakti i BE-së për Eigracionin dhe Azilin hyri në fuqi të premten, pasi u miratua në maj 2024.

    Pakti rishikon kuadrin e bllokut për emigracionin dhe azilin formëson qasjen e tij të re ndaj emigracionit, sipas një deklarate nga Komisioni Evropian.

    “Për herë të parë, BE-ja ka një kuadër gjithëpërfshirës për emigracionin dhe azilin, me mbrojtje të fortë të kufijve të jashtëm, rregulla të drejta dhe të forta për azilin, si dhe një ekuilibër midis solidaritetit dhe përgjegjësisë”, thuhet në deklaratë.

    Që nga kjo e premte, shtetet anëtare do të jenë në gjendje t’i zbatojnë plotësisht rregullat në praktikë.

    Pakti, sipas deklaratës, synon të forcojë kufijtë e jashtëm përmes regjistrimit të detyrueshëm dhe kontrolleve të hollësishme të sigurisë për emigrantët e parregullt që kalojnë kufijtë e BE-së.

    Gjithashtu, synon të futë procedura të shpejta kufitare në zonat kufitare për njerëzit që konsiderohen të pamundur të kenë nevojë për mbrojtje, që konsiderohen rrezik sigurie ose që zbulohen se kanë mashtruar autoritetet, së bashku me kthime të shpejta pa autorizim për të hyrë në territorin e BE-së.

    Pakti prezanton afate më të shkurtra për procedurat e azilit, së bashku me rregulla më të rrepta për aplikimet abuzive dhe ato pasuese.

    Gjithashtu, vendos atë që deklarata e quajti një “ekuilibër i drejtë midis solidaritetit dhe përgjegjësisë, me një mekanizëm të përhershëm të detyrueshëm solidariteti dhe një mundësi që Shtetet Anëtare të kontribuojnë në solidaritet në një mënyrë fleksibile”.

    Ai tha se pakti gjithashtu forcon mbrojtjet për të mbrojtur të drejtat themelore, duke përfshirë monitorimin e pavarur gjatë shqyrtimit dhe procedurave të azilit kufitar.

    “Shtetet Anëtare do të vazhdojnë të përshtatin dhe përsosin procedurat e reja në muajt në vijim, me mbështetje të vazhdueshme nga Komisioni dhe Agjencitë e BE-së”, shtoi deklarata.

  • Ambasada italiane në Prishtinë: 27 vjet paqe dhe stabilitet në Kosovë nën KFOR-in

    Ambasada italiane në Prishtinë: 27 vjet paqe dhe stabilitet në Kosovë nën KFOR-in

    Dita e Çlirimit të Kosovës, e cila shënohet çdo 12 qershor dhe përkon me hyrjen e forcave të NATO-s në vend, është përkujtuar dhe uruar nga institucione dhe përfaqësi të ndryshme ndërkombëtare.

    Në këtë kuadër, Ambasada e Italisë në Prishtinë ka theksuar kontributin e vendit të saj në misionin paqeruajtës të KFOR-it, duke nënvizuar se kontingjenti italian mbetet më i madhi në kuadër të këtij misioni.

    Në një postim në rrjetet sociale, ambasada ka rikujtuar 12 qershorin 1999 si një datë historike që shënon 27 vjet paqe dhe përkushtim për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon.

    Italia vazhdon të jetë një nga vendet kyçe kontribuuese në kuadër të KFOR-it, misionit të udhëhequr nga NATO në Kosovë.

  • Piktura e Mark Rothkos shitet për 98.4 milionë dollarë, vendos rekord të ri në ankand

    Piktura e Mark Rothkos shitet për 98.4 milionë dollarë, vendos rekord të ri në ankand

    Një pikturë e artistit të njohur Mark Rothko ka vendosur rekord të ri në ankand, pasi u shit për 98.4 milionë dollarë në shtëpinë prestigjioze të ankandeve Christie’s në Nju Jork.

    Vepra “No. 15 (Two Greens and Red Stripe)”, e realizuar në vitin 1964, arriti çmimin prej 85 milionë dollarësh pa tarifat shtesë, ndërsa me komisionet përfundimtare shifra totale shkoi në 98.4 milionë dollarë, duke thyer rekordin e mëparshëm të artistit.

    Piktura, e cila kishte një vlerësim paraprak prej rreth 80 milionë dollarësh, ngjalli interes të madh mes koleksionistëve dhe u shit pas rreth një duzine ofertash nga blerës të ndryshëm.

    Vepra kishte qenë në pronësi të koleksionistes dhe filantropes së njohur Agnes Gund, ish-presidente e nderit e Museum of Modern Art. Ajo e kishte blerë pikturën drejtpërdrejt nga Rothko në vitin 1967, vetëm tre vjet para vdekjes së artistit në vitin 1970, dhe e kishte mbajtur për dekada në shtëpinë e saj.

    “No. 15 (Two Greens and Red Stripe)” është një abstraksion monumental mbi shtatë metra i lartë, i karakterizuar nga nuanca të thella jeshile dhe indigo, të ndërprera nga një vijë e kuqe-portokalli në pjesën e poshtme të kompozimit.

    Rekordi i mëparshëm i Rothkos ishte vendosur në vitin 2012, kur piktura Orange, Red, Yellow u shit për 86.9 milionë dollarë, po në Christie’s.

    Vetëm pak ditë më parë, një tjetër vepër e Rothkos, Browns and Blacks in Reds, u shit në Sotheby’s për 85.8 milionë dollarë, duke iu afruar rekordit të artistit.

    Shitja e fundit konfirmon edhe një herë statusin e Mark Rothkos si një prej emrave më të kërkuar dhe më të vlerësuar në tregun ndërkombëtar të artit.

  • Edi Rama ndan fotografi: Gëzuar 27 vjetorin, Ditën e Çlirimit

    Edi Rama ndan fotografi: Gëzuar 27 vjetorin, Ditën e Çlirimit

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka uruar Kosovën në 27 vjetorin e çlirimit.

    Sot kur në Kosovë shënohet “Dita e Çlirimit”, Edi Rama ka publikuar një numër të madh të forografive që shfaqin momente të ndjeshme nga kjo ditë, 27 vite më parë.

    Rama shkroi: Gëzuar 27 vjetorin – Ditën e Çlirimit

  • Përfundon numërimi në Ambasadën e Kosovës në Ankara, këto janë rezultatet

    Përfundon numërimi në Ambasadën e Kosovës në Ankara, këto janë rezultatet

    Komisioni Qendror Zgjedhor po vazhdon me publikimin e të dhënave në kuadër të mbledhjes së votave nëpër përfaqësi diplomatike.

    Sipas përditësimeve të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deri më tani janë numëruar 13 nga 47 vendvotime, që përbëjnë 27.66% të totalit të votave të hedhura në përfaqësitë diplomatike.

    Ndërsa në Ambasadën e Kosovës në Ankara tashmë ka përfunduar numërimi

    Kësisoj është bërë e ditur se tanimë ka përfunduar numërimi në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Ankara.

    Sipas rezultateve, Kosova Demokratik Turk ka siguruar 36 vota apo 72%. Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 22.00% apo 11 Vota, LDK-ja ka siguruar 4% apo 2 vota dhe IRDK ka siguruar 1 votë.

    LINK

  • Gjenerali i KFOR-it merr pjesë në aksionin për dhurimin e gjakut në Prishtinë

    Gjenerali i KFOR-it merr pjesë në aksionin për dhurimin e gjakut në Prishtinë

    Zëvendëskomandanti i misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), brigadieri gjeneral Federico Collina, ka marrë pjesë në një aksion për dhurim gjaku të mbajtur në Prishtinë me rastin e Ditës Botërore të Dhuruesve të Gjakut.

    Aktiviteti është organizuar nga Qendra e Kosovës për Transfuzion të Gjakut, me mbështetjen e Njësisë së Përbashkët Mjekësore të KFOR-it (JMED) dhe Ekipit të Ndërlidhjes dhe Monitorimit (LMT K8).

    Sipas KFOR-it, iniciativa të tilla janë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të misionit për bashkëpunim me institucionet lokale dhe për promovimin e shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve në Kosovë.

    Ky aktivitet u vlerësua si një shembull i bashkëpunimit ndërmjet KFOR-it dhe institucioneve shëndetësore në vend.

  • “Liria na Bashkon”, tre ansamble kombëtare shqiptare sonte në koncert festiv në Gjakovë

    “Liria na Bashkon”, tre ansamble kombëtare shqiptare sonte në koncert festiv në Gjakovë

    Me rastin e shënimit të Ditës së Çlirimit të Kosovës, sonte në Gjakovë do të mbahet koncerti festiv “Liria na Bashkon”, që sjell së bashku tre ansamble kombëtare shqiptare në një mbrëmje të veçantë artistike.

    Në skenën e Shtëpisë së Kulturës “Asim Vokshi”, duke filluar nga ora 19:00, do të performojnë Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” nga Kosova, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore nga Shqipëria dhe Ansambli Nacional i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare nga Maqedonia e Veriut.

    Koncerti organizohet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit dhe synon të sjellë para publikut një program të pasur me këngë, valle dhe interpretime që përfaqësojnë trashëgiminë kulturore shqiptare.

    Përmes këtij bashkëpunimi artistik ndërmjet tre ansambleve, publiku do të ketë mundësinë të shijojë vlera të veçanta të folklorit dhe traditës shqiptare, në një mbrëmje kushtuar lirisë, unitetit dhe identitetit kulturor.

    Organizatorët kanë ftuar qytetarët që të bëhen pjesë e këtij aktiviteti, i cili pritet të mbledhë artdashës nga Gjakova dhe qytete të tjera të Kosovës.

  • Dosja e prokurorisë ndaj 5 të akuzuarve që ngarkohen se vranë pesë civilë shqiptarë gjatë luftës

    Dosja e prokurorisë ndaj 5 të akuzuarve që ngarkohen se vranë pesë civilë shqiptarë gjatë luftës

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 1 qershor ka ngritur aktakuzë, me propozim për gjykim në mungesë, ndaj pesë personave të cilët akuzohen për Krime Lufte kundër Popullatës Civile. Aktakuza përshkruan vrasjen mizore të 5 personave civil—pjesëtarë të një familje.

    Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi” të akuzuar në këtë rast janë: Predrag Nikoliq, Zoran Deletoviq, Ivan Ivanov, Sinisa Milanoviq, dhe Jovica Deniq.

    Në aktakuzë thuhet se më datë 6 Maj 1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë, në cilësinë e policëve, të akuzuarit kanë kryer veprime të cilat janë të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës, kështu në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Krime Lufte kundër Popullatës Civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Jugosllavisë.

    Krimet e lartëpërmendura, aktakuza thotë se të akuzuarit i kanë kryer në cilësinë e personave zyrtar-policëve në Stacionin Policor në Fushë-Kosovë, përderisa ishin në orar të punës gjatë ndërrimit të natës.

    Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit, më datë 6 Maj 1999, përderisa ishin duke lëvizur me automjetin e punës në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë rreth orës 6 të mëngjesit, kishin parë viktimat F.B., M.B., L.B., M.B., dhe S.B., të gjithë civilë dhe anëtar të një familje, duke ecur në rrugë.

    Thuhet se Nikoliq i kishte thënë Deletoviqit që të ndal veturën me qëllim të legjitimimit të personave në fjalë, duke ia marrë dokumentet dhe duke i futur në veturën e policisë kinse do i dërgojnë në stacionin e trenit.

    Ata thuhet se kishin vazhduar rrugën në drejtim të Sllatinës, duke kaluar nëpër pikën e kontrollit të policisë dhe ushtrisë serbe por nuk ishin ndalur aty.

    Sipas aktakuzës, me të arritur në vendin e quajtur “Megja” të akuzuarit kishin ndalur automjetin, i kishin urdhëruar viktimat që të zbresin nga vetura dhe i akuzuari Deletoviq kishte kërkuar nga i akuzuari Ivanov pushkën automatike.

    Në të njëjtën kohë, i akuzuari Nikoliq thuhet se i kishte urdhëruar viktimat të shtrihen me fytyrë për toke dhe kishte filluar të gjuante në drejtim të tyre me pistoletë të tipit CZ99. Edhe Deletoviqi kishte shtënë me armën automatike Crvena Zastava.

    Të akuzuarit Milanoviq dhe Deniq gjatë gjithë kohës kishin qenë prezent në vendngjarje duke kontribuar dhe ndihmuar të akuzuarit tjerë për të kryer vrasjet, dhe më pas të gjithë të akuzuarit kishin hyrë në automjetin e tyre dhe kishin vazhduar rrugën në drejtim të Lipjanit.

    Aktakuza thotë se gjatë rrugës, Nikoliq i kishte dhënë Ivanovit dokumentet e viktimave me udhëzimin që ai t’i djeg ato. Pas kësaj ata ishin kthyer në stacionin policor në Fushë Kosovë.

    Sipas aktakuzës dhe sipas parimit të zbatimit të ligjit më të favorshëm, në këtë rast zbatohet ligji i cili ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale. Andaj, prokuroria ka ngarkuar të akuzuarit me veprën penale Krime Lufte kundër Popullatës Civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Jugosllavisë.

    Ndërsa, kjo vepër vazhdon të jetë e ndëshkueshme sipas neneve 144-147 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Prokuroria, në aktakuzë, ka propozuar që gjykimi të mbahet në mungesë, duke shtuar se prokuroria ka bërë të gjitha përpjekjet për sigurimin e të pandehurve në procedurë dhe se të njëjtit nuk gjinden në territorin e Republikës së Kosovës.

  • Ousmane Dembele: Messi mbetet i pangopur dhe rrezik në Botërorin 2026

    Ousmane Dembele: Messi mbetet i pangopur dhe rrezik në Botërorin 2026

    Kapiteni i Francës, Kylian Mbappé, ka shprehur dëshirën që trajneri aktual i “Les Bleus”, Didier Deschamps, të mos marrë drejtimin e asnjë kombëtareje tjetër pas largimit nga stoli i Francës.

     

    Sulmuesi i Real Madrid theksoi se mënyra më e mirë për ta nderuar Deschampsin është fitimi i Kupës së Botës, duke i dhuruar një mbyllje të denjë aventurës së tij me përfaqësuesen franceze.

     

    “Forma më e mirë për ta nderuar është të fitojmë Botërorin, sepse ai dëshiron të fitojë. Ne do të bëjmë gjithçka që ai ta përjetojë Kupën e Botës në mënyrën më të mirë të mundshme, duke shpresuar që të jetë e fundit për të”, deklaroi Mbappé në një intervistë për M6.

     

    Megjithatë, 27-vjeçari nuk e fshehu dëshirën që Deschamps të mos vazhdojë karrierën në drejtimin e një kombëtareje tjetër.

     

    “E them këtë sepse shpresoj që ai të mos drejtojë ndonjë përfaqësuese tjetër. Kam dëgjuar zëra për Italinë dhe kombëtare të tjera, por kjo do të ishte e çuditshme”, u shpreh ai.

     

    Mbappé vlerësoi lart ndikimin e Deschamps te Franca, duke theksuar se puna dhe sukseset e tij kanë bërë që shumë federata ta admirojnë.

     

    “Ai do të thotë shumë për ne. Është normale që kombëtare të ndryshme ta dëshirojnë, duke parë gjithçka që ka arritur. Por italianët le të zgjedhin një trajner italian. Didier është francez dhe i përket Francës”, përfundoi sulmuesi francez.

  • Bernardo Silva pranë Real Madridit-Marrëveshja thuhet se është arritur

    Bernardo Silva pranë Real Madridit-Marrëveshja thuhet se është arritur

    Mesfushori portugez, Bernardo Silva, raportohet se është shumë pranë transferimit te Real Madrid, duke i dhënë fund aventurës së tij disa vjeçare me Manchester City.

    Sipas mediave italiane, futbollisti 31-vjeçar ka arritur një marrëveshje paraprake me klubin madrilen për një kontratë dyvjeçare, e cila përfshin edhe opsionin e zgjatjes për një sezon shtesë.

    Drejtuesit e Real Madridit besohet se e shohin Silvën si një përforcim të rëndësishëm për sezonin e ri, falë përvojës së tij të madhe në nivelin më të lartë të futbollit evropian. Portugezi vlerësohet veçanërisht për cilësitë teknike, inteligjencën në lojë dhe aftësinë për të luajtur në disa role të ndryshme, si në mesfushë ashtu edhe në repartin ofensiv.

    Nëse transferimi realizohet, Silva do t’i shtonte edhe më shumë cilësi dhe kreativitet skuadrës madrilene, e cila vazhdon të ndërtojë një ekip konkurrues për të gjitha trofetë.

    Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga Real Madridi apo nga vetë lojtari. Madje, raportime të mëparshme nga mediat spanjolle kishin sugjeruar se transferimi i Silvës nuk ishte ndër prioritetet kryesore të klubit, çka bën që lajmi të mbetet ende në kuadër të spekulimeve.

    Për mesfushorin portugez interesim kishte shfaqur edhe Barcelona, por sipas raportimeve të fundit, Real Madridi duket se ka lëvizur më shpejt për të siguruar shërbimet e njërit prej futbollistëve më të vlerësuar në futbollin evropian.