ATV

Blog

  • Kanadaja përballet me Bosnjën-SHBA-ja sfidon Paraguain në ditën e dytë të Botërorit 2026

    Kanadaja përballet me Bosnjën-SHBA-ja sfidon Paraguain në ditën e dytë të Botërorit 2026

    Kupa e Botës 2026 vazhdon me emocione të reja, teksa të premten, më 12 qershor, zhvillohen dy përballje interesante në kuadër të fazës së grupeve. Kombëtaret pjesëmarrëse do të synojnë ta nisin aventurën e tyre me rezultat pozitiv, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt fazës së eliminimit direkt.

    Në Grupin B, kombëtarja e Kanadasë do të përballet me Bosnjë e Hercegovinën në një duel që pritet të jetë mjaft i luftuar. Kanadezët, të mbështetur nga tifozët vendas dhe me një brez lojtarësh cilësorë, synojnë të konfirmojnë rritjen e tyre të vazhdueshme në futbollin ndërkombëtar. Nga ana tjetër, boshnjakët do të kërkojnë të shfrytëzojnë përvojën dhe organizimin në lojë për të marrë një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë të turneut.

    Ndërkohë, në Grupin D, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të matin forcat me Paraguain. Amerikanët hyjnë në këtë sfidë me ambicie të mëdha, duke synuar të përfitojnë nga faktori fushë dhe të nisin garën me tri pikë. Megjithatë, Paraguai njihet si një kundërshtar i vështirë, me disiplinë taktike dhe eksperiencë në garat e mëdha ndërkombëtare.

    Të dyja ndeshjet pritet të kenë rëndësi të madhe për ecurinë e grupeve përkatëse, pasi një fitore në start mund t’u japë skuadrave avantazh të rëndësishëm në garën për kualifikim në raundin tjetër.

    Me interesimin e madh të tifozëve nga e gjithë bota dhe atmosferën e veçantë që sjell Botërori, dita e dytë e turneut premton spektakël, rivalitet dhe emocione të forta në rrugën drejt trofeut më prestigjioz të futbollit botëror.

  • Bayerni i vendos “çmim të pamundur” Olises, refuzon interesimin e Real Madridit

    Bayerni i vendos “çmim të pamundur” Olises, refuzon interesimin e Real Madridit

    Bayern Munich nuk ka ndërmend të ndahet me yllin e krahut, Michael Olise, pavarësisht interesimit të madh nga Real Madrid.

    Sipas raportimeve të fundit, klubi madrilen ishte i gatshëm të ofronte deri në 150 milionë euro për 24-vjeçarin, i cili ka spikatur me paraqitjet e tij gjatë sezonit të fundit.

    Megjithatë, drejtuesit e klubit bavarez kanë qenë të prerë në qëndrimin e tyre. Sipas gazetës L’Équipe, një zyrtar i Bayernit ka deklaruar se Olise nuk do të largohet as për 200 milionë euro.

    “Olise është i paçmuar. Edhe për 500 milionë euro, ai nuk do të largohet”, citohet të ketë thënë një tjetër anëtar i bordit drejtues të kampionëve gjermanë.

    Përveç Real Madridit, interes për francezin kanë shfaqur edhe Manchester City dhe Paris Saint-Germain. Megjithatë, një rikthim te Manchester City, ku Olise ka kaluar një periudhë në akademinë e klubit gjatë sezonit 2016/17, nuk duket se është në planet e lojtarit.

    Nga ana tjetër, Paris Saint-Germain raportohet se nuk është i gatshëm të investojë shuma kaq të mëdha për transferimin e futbollistit francez.

    Me këto deklarata, Bayerni ka bërë të qartë se e konsideron Olisen një nga shtyllat kryesore të projektit të tij dhe nuk është i gatshëm të negociojë largimin e tij në këtë fazë.

  • Hong Myung-bo përgëzon Korenë e Jugut pas përmbysjes ndaj Çekisë

    Hong Myung-bo përgëzon Korenë e Jugut pas përmbysjes ndaj Çekisë

    Përzgjedhësi i Koresë së Jugut, Hong Myung-bo, ka lavdëruar lojtarët e tij për paraqitjen dhe karakterin e treguar në fitoren 2-1 ndaj Çekisë në ndeshjen e parë të Grupit A në Kupën e Botës 2026.

    Koreano-jugorët mbetën në disavantazh në pjesën e dytë pas golit të Ladislav Krejçit, por arritën të rikthehen në lojë dhe të përmbysin rezultatin falë golave të Hwang In-beom dhe Oh Hyeon-gyu, duke siguruar tri pikë shumë të rëndësishme në Guadalajara.

    “Para ndeshjes u dhashë dy porosi: të mos dorëzohen deri në fund dhe të qëndrojnë të bashkuar. Si në fushë, ashtu edhe jashtë saj, duhet të veprojmë si një ekip i vetëm”, tha Hong pas ndeshjes.

    Fitorja erdhi pavarësisht se kapiteni Son Heung-min nuk pati paraqitjen e tij më të mirë. Sulmuesi humbi disa raste të mira në pjesën e parë dhe më pas u zëvendësua nga Oh Hyeon-gyu, i cili shënoi golin e fitores.

    Megjithatë, trajneri koreano-jugor e mbrojti kapitenin e skuadrës, duke vlerësuar angazhimin e tij.

    “Son është lojtari ynë më i mirë dhe një kapiten shembullor. Ne besojmë se ai dha gjithçka nga vetja në këtë ndeshje”, u shpreh Hong.

    Në përfundim, ai theksoi se skuadra duhet të përmirësojë shfrytëzimin e rasteve të krijuara, pavarësisht suksesit të rëndësishëm në ndeshjen hapëse të Botërorit.

  • Kylian Mbappé: Deschamps i përket Francës, jo një kombëtareje tjetër

    Kylian Mbappé: Deschamps i përket Francës, jo një kombëtareje tjetër

    Kapiteni i Francës, Kylian Mbappé, ka shprehur dëshirën që trajneri aktual i “Les Bleus”, Didier Deschamps, të mos marrë drejtimin e asnjë kombëtareje tjetër pas largimit nga stoli i Francës.

    Sulmuesi i Real Madrid theksoi se mënyra më e mirë për ta nderuar Deschampsin është fitimi i Kupës së Botës, duke i dhuruar një mbyllje të denjë aventurës së tij me përfaqësuesen franceze.

    “Forma më e mirë për ta nderuar është të fitojmë Botërorin, sepse ai dëshiron të fitojë. Ne do të bëjmë gjithçka që ai ta përjetojë Kupën e Botës në mënyrën më të mirë të mundshme, duke shpresuar që të jetë e fundit për të”, deklaroi Mbappé në një intervistë për M6.

    Megjithatë, 27-vjeçari nuk e fshehu dëshirën që Deschamps të mos vazhdojë karrierën në drejtimin e një kombëtareje tjetër.

    “E them këtë sepse shpresoj që ai të mos drejtojë ndonjë përfaqësuese tjetër. Kam dëgjuar zëra për Italinë dhe kombëtare të tjera, por kjo do të ishte e çuditshme”, u shpreh ai.

    Mbappé vlerësoi lart ndikimin e Deschamps te Franca, duke theksuar se puna dhe sukseset e tij kanë bërë që shumë federata ta admirojnë.

    “Ai do të thotë shumë për ne. Është normale që kombëtare të ndryshme ta dëshirojnë, duke parë gjithçka që ka arritur. Por italianët le të zgjedhin një trajner italian. Didier është francez dhe i përket Francës”, përfundoi sulmuesi francez.

  • Votat e diasporës: Kush po merr më shumë – ky është linku për rezultate

    Votat e diasporës: Kush po merr më shumë – ky është linku për rezultate

    Numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, përkatësisht në 30 përfaqësi diplomatike, që ka filluar dje pasdite është duke vazhduar.

    Deri më tani, bazuar në përditësimet e KQZ-së, janë numëruar 13 nga 47 vendvotimet.

    Pas përfundimit të numërimit të dhënat janë duke u transmetuar në këtë LINK të platformës së rezultateve.

    Në procesin e vlerësimit, gjatë ditës së dheshme janë përfshirë rreth 42 mijë, prej të cilave janë aprovuar 40,414, ndërkaq janë refuzuar 1,447.

    “Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 1,320 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ.” – njoftoi KQZ.

  • Ish-krerët e UÇK’së ngushëllojnë familjen Jashari: Jeta dhe vepra e Sahit Jasharit do të mbeten përherë pjesë e historisë sonë kombëtare

    Ish-krerët e UÇK’së ngushëllojnë familjen Jashari: Jeta dhe vepra e Sahit Jasharit do të mbeten përherë pjesë e historisë sonë kombëtare

    Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqi, ka bërë me dije se ish-krerët e UÇK-së që gjenden në paraburgim në Hagë e kanë ngushëlluar Familjen Jasharai me rastin e vdekjes së ish-komandantit të UÇK-së, Sahit Jashari.

    Ai ka bërë me dije se sot në telefonatën e mëngjesit ata e kanw porositur qw tw ua përcjell familjes Jashari telegramin e ngushëllimit.

    Postimi i Altin Krasniqit:

    Sot, përmes telefonatës së mëngjesit, babai me shokët e tij, që gjenden padrejtësisht në Hagë, më porositën t’jua përcjell telegramin e ngushëllimit në vijim:

    Të nderuar familjarë të z. Sahit Jashari,

    Të nderuar bashkëkombës,

    Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të luftëtarit të lirisë dhe heroit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sahit Jashari.

    Jeta dhe vepra e tij do të mbeten përherë pjesë e historisë sonë kombëtare. Me guxim, përkushtim dhe sakrificë, ai i shërbeu atdheut në ditët më të vështira, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar për brezat që do të vijnë.

    Në këto çaste të rënda, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen Jashari, bashkëluftëtarët, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën dhe e vlerësuan.

    Qoftë i përjetshëm kujtimi për luftëtarin Sahit Jasharin dhe e paharruar vepra e tij në shërbim të lirisë dhe atdheut.

    Me respekt,

    Bashkëluftëtarët e z. Sahit Jashari

    Hagë, 12 qershor 2026

  • Hetimi për Zvërnecin, SPAK: Bllokohen 128 milionë euro transaksione për shitjen e tokës

    Hetimi për Zvërnecin, SPAK: Bllokohen 128 milionë euro transaksione për shitjen e tokës

    Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK ka vendosur sekuestro preventive mbi 128.3 milionë euro në kuadër të hetimeve për çështjen e Zvërnecit.

    Vendimi i datës 10 qershor lidhet me sekuestrimet e mbi 128 mln eurove në llogarine e noteres, Amela Mukaj që janë përdorur në 3 shitblerje tokash në Zvërnec.

    Sipas SPAK, paratë do të kalonin për kontrata me personat që kanë në pronësi tokat: Artur Shehaj, Ferdinand Sulaj dhe Burbuqe Sulaj. Vendimi është marrë në kuadër të hetimeve për çështjen e njohur si dosja e Zvërnecit.

    “Vendosjen e sekuestros preventive mbi pasuritë e luajtshme, shuma monetare në valutën euro të ndodhura në llogarinë bankare te noteres publike Amela Mukaj, person fizik, si më poshtë vijon:

    i) Shuma e parave 110.247.134 euro, sipas kontratës së shitjes me nr. 2062 rep., nr. 1166 kol., datë 24.04.2026 me palë Artur Shehu dhe “Albanian Land Development” sh.p.k., e ndodhur në llogarinë numër 435001036CLPRBFEURMJ të noteres AMELA MUKAJ PERSON FIZIK.

    ii) Shuma e parave 10.044.684 euro, sipas kontratës me nr. 2060 rep., nr. 1164 kol., datë 24.04.2026 me palë Ferdinand Sulaj dhe Burbuqe Sulaj dhe “Albania Land Development” sh.p.k., e ndodhur në llogarinë numër 435001036CLPRBFEURMJ të noteres AMELA MUKAJ PERSON FIZIK.

    iii) Shuma e parave 8.062.619 euro, sipas kontratës me nr. 2061 rep., nr. 1165 kol., datë 24.04.2026 me palë Ferdinand Sulaj dhe Burbuqe Sulaj dhe “Albania Land Development” sh.p.k., e ndodhur në llogarinë numër 435001036CLPRBFEURMJ të noteres AMELA MUKAJ PERSON FIZIK”, thuhet në vendim. /Euronews.al/

  • 27-vjetori i Çlirimit, Abdixhiku: Kosova i dha fund një regjimi shfarosës

    27-vjetori i Çlirimit, Abdixhiku: Kosova i dha fund një regjimi shfarosës

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka uruar qytetarët me rastin e 27-vjetorit të Ditës së Çlirimit të Kosovës.

    Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku tha se më 12 qershor të vitit 1999 mori fund njëherë e përgjithmonë vuajtja shekullore e shqiptarëve nën regjimin serb.

    “27 vjet më parë Kosova u çlirua përfundimisht nga okupimi dhe sundimi shfarosës serb. Pikërisht më 12 qershor të vitit 1999, do të merrte fund njëherë e përgjithmonë vuajtja shekullore shqiptare nga një regjim barbar serb që po vriste e po digjte në çdo cep të Kosovës.Rrezet e lirisë po pushtonin horizontin e zymtë të qiellit të Kosovës, ato po largonin retë e zeza të mortjes, të djegieve të shtëpive e vuajtjeve të popullit tonë. Këto rreze lirie erdhën si rezultat i një rezistence paqësore të pathyeshme të udhëhequr nga Presidenti Historik, Dr. Ibrahim Rugova, dhe më pas edhe të armatosur të popullit të Kosovës, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që rezultojë edhe me intervenimin ushtarak të NATO-s mbi caqet serbe”, ka shkruar ai.

    Abdixhiku theksoi se liria erdhi si rezultat i rezistencës paqësore të udhëhequr nga Ibrahim Rugova, luftës së Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe ndërhyrjes ushtarake të NATO.

    “Regjimi famëkeq serb kishte vrarë e masakruar mijëra cilvil të pambrojtur, kishe deportuar mbi një milion shqiptar nga shtëpitë e tyre, kishte djegur e shkatërruar gjithçka shqiptare. Këtij regjimi fashist do i vinte fundi pas 78 ditëve të bombardimeve të Aleancës së NATO-s. Në këtë përvjetor, të Ditës së Çlirimit nderojmë dhe kujtojmë sakrificën sublime të brezave të tërë që kontribuan në lirinë dhe pavarësinë e shtetit tonë. Përjetësisht mirënjohës dhe falenderuee për partnerët e miqtë ndërkombëtar SHBA-të, BE-në, NATO-n dhe të gjitha shtetet e tjera evropiane demokratike që mbështetën dhe ndihmuan në arritjen e lirisë sonë.Urime Dita e Çlirimit, Kosovë!”, shkroi Abdixhiku.

  • Haradinaj uron Ditën e Çlirimit: Fitorja e UÇK-së dhe hyrja e NATO-s, ngjarja më kulmore e historisë sonë

    Haradinaj uron Ditën e Çlirimit: Fitorja e UÇK-së dhe hyrja e NATO-s, ngjarja më kulmore e historisë sonë

    Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka uruar Ditën e Çlirimit të Kosovës përmes një postimi në Facebook.

    Haradinaj ka theksuar se 12 Qershori përbën një nga datat më të rëndësishme në historinë e vendit, duke e cilësuar fitoren e UÇK dhe hyrjen e forcave tokësore të NATO si ngjarjen më kulmore të historisë së re të Kosovës.

    “Kosovë, urime Dita e Çlirimit! Fitorja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe hyrja e forcave tokësore të NATO-s shënojnë ngjarjen më kulmore në historinë tonë të re. Sot, me nderim e përulje të përjetshme, kujtojmë trimat e UÇK-së nga të gjitha anët e Kosovës, sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve, dhe dhimbjen e familjeve tona që dhanë më të shtrenjtit për lirinë e vendit. Mirënjohje e thellë për aleatët tanë, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe për NATO-n, që qëndruan përkrah popullit të Kosovës në ditët më vendimtare të historisë sonë. Zoti e bekoftë Kosovën, mbarë kombin tonë dhe miqtë e saj!”, shkroi Haradinaj.

  • 27-vjetori i çlirimit të Kosovës, Haxhiu e Kurti nderojnë veprimtarin Adem Demaçi

    27-vjetori i çlirimit të Kosovës, Haxhiu e Kurti nderojnë veprimtarin Adem Demaçi

    Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti kanë bërë homazhe të varri i veprimtarit Adem Demaçi raporton Ekonomia Online.

    Homazhet janë bërë me rastin e 27-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

    Bashkë me ta ishin edhe disa ministra në detyrë të kabinetit qeveritar.

    Ndryshe, Haxhiu e Kurti më herët kanë bërë homazhe edhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, dhe tek varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova.