ATV

Blog

  • Moti për sot

    Moti për sot

    Për të shtunën parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira.

    Sipas Meteo Kosova, era do fryjë nga drejtimi i verilindjes me shpejtësi prej 13-38 km/h.

    Temperaturat do të shënojnë ngritje, me minimale që do të lëvizin prej 6 deri në 9°C, ndërsa ato maksimale prej 19 deri në 22°C.

  • Disa arsye pse mpihen duart – Kur duhet të shqetësoheni?

    Disa arsye pse mpihen duart – Kur duhet të shqetësoheni?

    Duart përmbajnë disa nga nervat më të ndjeshëm në trupin tuaj.

    Sikur edhe njëri nga këto nerva ose një pjesë e tyre është e ndrydhur ose disi e dëmtuar, fillojnë problemet.

    Truri juaj nuk mund të marrë të gjitha informacionet ndjesore që duart tuaja po e dërgojnë.

    Rezultati është mpirja. Studimet thonë se një nga shkaqet më të zakonshme të mpirjes së dorës është sindroma e tunelit të kyçit të dorës.

    Nervi i mesëm, që shkon poshtë parakrahut deri në pëllëmbën tuaj, qëllon të ndrydhet.

    Kjo gjendje është mjaft e zakonshme për njerëzit që shpenzojnë shumë kohë duke punuar në kompjuter ose edhe në telefonat celularë.

    Së bashku me mpirjen, simptomat e tunelit të kyçit të dorës përfshijnë një ndjesi që një ose më shumë gishtërinj – fryhen dhe japin pickime.

    Çfarë tjetër mund të jetë shkak për mpirjen e duarve tuaja?

    Çrregullime të tiroides

    Edhe një çrregullim i tiroideve mund të çojë në mpirjen e dorës. Një gjendër tiroide nën-aktive ose hipotirodizmi mund të rezultojë në dëmtimin e nervave që transportojnë informacion midis trurit, palcës kurrizore dhe gjymtyrëve.

    Teprimet me alkoolin

    Pirja e rëndë afatgjatë mund të çojë në neuropati alkoolike ose dëme nervore.

    Afërsisht gjysma e të gjithë përdoruesve të alkoolit të rëndë zhvillojnë një formë të kësaj gjendje, thonë studimet.

    Shenjat përfshijnë mpirje në krahë ose këmbë, ndjesi të çuditshme dhe pickime në gjymtyrët tuaja, dhe dobësi të muskujve.

    Kistet dhjamore

    Këto janë grumbullime dhjamore jo-kancerogjene që mund të formohen kudo në trupin tuaj, por kanë tendencë të shfaqen edhe rreth kyçeve tuaja.

    Sipas studimeve mjekësore, kistet dhjamore janë shumë të zakonshme. Dhe nëse formohet në dore, mpirja është një simptomë e zakonshme. Këto kiste nganjëherë zhduken vetë.

    Skleroza e shumëfishtë

    Skleroza e shumëfishtë është një sëmundje në të cilën sistemi imunitar sulmon një substancë yndyrore që mbron fibrat nervore të trurit dhe palcës kurrizore. Kjo mund të rezultojë në mpirjen e dorës.

    Ndërkohë që sëmundja mund të godasë në çdo moshë, ka më shumë gjasa të shfaqet gjatë moshave 20 dhe 30 vjeçare.

    Femrat kanë dy herë më shumë të ngjarë se meshkujt të vuajnë nga skleroza e shumëfishtë.

    Goditja në tru

    Mpirja e duarve ose ndjesia e shpimeve mund të jetë një shenjë se jeni duke marrë një goditje në tru. Rreth 10% e të gjitha viktimave të goditjes janë më të rinj se 45 vjeç.

    Edhe duke qenë të aftë dhe fizikisht aktivë, nuk do të thotë që nuk jeni në rrezik.

    Diabeti

    Deri tani ju ndoshta e dini se urinimi i shpeshtë, etja e tepruar dhe nivelet e larta të sheqerit në gjak janë të gjitha shenjat e paradiabetit.

    Por shumë njerëz që zhvillojnë diabet të tipit të plotë 2 nuk e kuptojnë atë. Dhe, nëse nuk trajtohet, mpirja e duarve mund të zhvillohet si pasojë e dëmtimit nervor të lidhur me diabetin, thonë studimet.

  • Ukraina thotë se zmbrapsi përpjekjen e Rusisë për përparim në Harkiv

    Ukraina thotë se zmbrapsi përpjekjen e Rusisë për përparim në Harkiv

    Trupat ruse kanë tentuar të hapin një front të ri duke thyer vijat ukrainase të frontit në rajonin e Harkivit, një veprim që Kievi tha se e ka zmbrapsur, pavarësisht se luftimet po vazhdojnë.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë një konference për media tha se sulmi rus mëngjesin e 10 majit dështoi që të zinte në befasi trupat ukrainase.

    “Ukraina i priti me trupa: brigada dhe artileri”, tha Zelenksy, duke paralajmëruar se Moska mund të dërgojë më shumë trupa për të mbështetur përpjekjet e saj për të bërë përparim.

    Sipas burimeve, Rusia po synon që të krijojë një “zonë neutrale” për të parandaluar forcat ukrainase që të granatojnë territorin rus.

    Rajoni verilindor ukrainas i Harkivit gjendet në kufi me Rusinë, dhe në periferi gjendet dhe kryeqyteti rajonal me po të njëjtin emër. Ky qytet ndodhet 25 kilometra nga vijat e frontit.

    Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës raportoi se trupat ruse kanë sulmuar për orë të tëra, pasi paraprakisht kishin kryer sulme me artileri.

    “Pasi ra terri, pushtuesit rusë intensifikuan presionin ndaj vijave tona të frontit. Rreth orës 05:00, armiku tentoi të thyente vijat tona të mbrojtjes”, tha Ministria.

    Njësitë e rezervistëve janë dislokuar për të forcuar vijat e mbrojtjes dhe forcat ukrainase po vazhdojnë t’i bëjnë ballë ofensivës së armikut, tha Ministria, duke shtuar se luftimet ende po vazhdojnë.

    Më herët, Oleh Synyehubov, guvernator i rajonit të Harkivit raportoi se qytet Vovçansk, që gjendet 70 kilometra në verilindje të Harkivit dhe vetëm 4 kilometra nga kufiri rus, ishte nën sulm nga granatimet ruse.

    Me një popullsi prej 1.4 milion banorësh – sipas të dhënave të popullsisë para se të niste lufta – Harkivi është qyteti i dytë më i madh i Ukrainës dhe një prej qyteteve në të rëndësishme ekonomike dhe industriale. Ai ishte ndër qytetet e para që u përball me sulmet ruse, pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

    Kundërofensiva e suksesshme ukrainase në shtatorin e vitit 2022 çoi në çlirimin e pothuajse të gjithë rajonit të Harkivit.

    Por, muajve të fundit, Rusia ka intensifikuar sulmet me dronë dhe raketa në këtë rajon dhe kryeqytetin e tij, përderisa forcat ukrainase po përballen me mungesë të municioneve dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore./REL/

  • Qytetari nga Ferizaj gjen para në rrugë dhe i dorëzon në polici

    Qytetari nga Ferizaj gjen para në rrugë dhe i dorëzon në polici

    Një qytetar nga Ferizaj ka dorëzuar në polici një shumë të hollash pasi i kishte gjetur në rrugë.

    Për këtë ka njoftuar Policia e Kosovës, e cila i ka bërë thirrje pronarit që të paraqitet për t’i marrë.

    “Me datën 08.05.2024 rreth orës 17:10 qytetari nga Ferizaj z. D.Sahiti , i moshës 32 vjeçar,  në rrugën ‘’Reçaku ‘’ afër një barnatore në Ferizaj ka gjetur një shumë të caktuar të parave dhe menjëherë ka njoftuar policinë dhe ato i ka dorëzuar në stacionin e policisë në Ferizaj. Lusim pronarin e vërtetë të parave të paraqitet në stacionin e policisë në Ferizaj dhe pas verifikimit t’i kthehen ato”, njoftoi Policia.

     

  • Serwer thotë se Escobari e Lajçaku dështuan në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi

    Serwer thotë se Escobari e Lajçaku dështuan në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi

    Njohësi i zhvillimeve në rajonin e Ballkanit, Daniel Serwer ka thënë se i dërguari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak kanë dështuar ta bëjnë normalizimin politik në mes të Kosovës dhe Serbisë.

    Në platformën “Peacefare”, profesori amerikan ka thënë se Escobari dhe Lajçaku filluan keq e përfunduan edhe më keq.

    “Escobar dhe Lajçak nisën keq dhe përfunduan më keq. Ata i premtuan Beogradit se do të kenë prioritet krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe brenda Kosovës. Ata përfunduan pa përparim të rëndësishëm në atë prioritet të gabuar”, ka deklaruar Serwer.

    Sipas Serwerit, normalizimi politik në mes të dy vendeve tani për tani është një urë shumë e largët.

    “Është e qartë se politika perëndimore ndaj Serbisë nuk po funksionon. Washingtoni dhe Brukseli nuk po bëjnë shumë më mirë me Kosovën. Kosova ka refuzuar të lëvizë drejt Asociacionit, megjithë “pasojat” e kushtueshme evropiane dhe qortimet e ashpra amerikane. Vetëm nëse Beogradi zbaton dispozitat e tjera të marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, Prishtina do të përgjigjet në natyrë. Vuçiq nuk është në gjendje ta bëjë këtë”, ka theksuar Serwer.

    Lajçaku pritet të vazhdojë si ambasador i Bashkimit Evropian në Zvicër, ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar Escobari për pak javë do të marrë detyrë të re.

  • Stërviten nënoficerët e këmbësorisë me taktika ushtarake e qitje, për ngritje të aftësive luftarake

    Stërviten nënoficerët e këmbësorisë me taktika ushtarake e qitje, për ngritje të aftësive luftarake

    Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, ka njoftuar se në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes ka përfunduar “kursi bazë për nënoficerë të këmbësorisë”.

    “Në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes u realizua “Kursi bazë për nënoficerë të Këmbësorisë”, thuhet në njoftim.

    Sipas njoftimit, pjesëtarët u stërvitën dhe testuan në taktika ushtarake, qitje, përgatitje fizike në terrene të hapura dhe terrene urbane me qëllim të ngritjes së aftësive luftarake për realizimin e operacioneve në nivel ekipi dhe skuadre.

  • Grenelli thotë se Specialja pamundësoi “marrëveshjen finale” Kosovë-Serbi

    Grenelli thotë se Specialja pamundësoi “marrëveshjen finale” Kosovë-Serbi

    Ish-emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka thënë se ish-kryeprokurori i Gjykatës Speciale në Hagë, Jack Smith, intervenoi në momentin kur Kosova dhe Serbia ishin në prag të arritjes së marrëveshjes finale.

    Grenell ka thënë se aktakuza ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi nga Dhomat e Specializuara u parapri nga negociatat për arritjen e “marrëveshjes finale që përfshinte edhe zhbërjen e Gjykatës Speciale”.

    “Një grup prokurorësh nuk mundën të gjenin prova kundër Thaçit dhe ish-prokurori tha se nuk kishte asgjë në të e mbylli dosjen dhe iku. Haga vazhdoi të shpenzonte dollarët amerikanë dhe Jack Smith shpenzoi vite duke hetuar krime lufte”, ka thënë Grenell për Smithin në një intervistë me Donald Trump Jr.

    Ai ka theksuar se aktakuza kundër Thaçit erdhi në qershor 2020, vetëm pas njoftimit se Thaçi e presidenti serb po shkonin në Shtëpinë e Bardhë.

    “Duhej ta negocionim dhe ta arrinim një marrëveshje historike mes të dyja palëve. I thash Departamentit të Drejtësisë se ata kishin rënë dakord ta zhbënin tribunalin në Hagë me marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë. I thash se ata u pajtuan ta mbyllnin gjykatën në Hagë që drejtohej nga Jack Smithi”, ka përsëritur Grenell.

    Më pas Grenelli ka treguar se nga Departamenti i ishte thënë se këtë duhet ta dinte edhe vetë prokurori special Smith.

    “Dy ditë më vonë dëgjova se Smith kishte thënë, ‘Nuk mund ta bëni’. Tri a katër javë më vonë, Jack Smith njoftoi për aktakuzën ndaj Thaçit. Para se të vinte në Shtëpinë e Bardhë, Thaçi u dërgua në Hagë dhe ende është në burg”, ka thënë Grenell.

    Jack Smith tani është rikthyer në SHBA për ta hetuar ish-presidentin amerikan, Donald Trump.

  • Krasniqi takon shefen e zyrës së KiE-së për Kosovë: I kemi plotësuar kushtet për anëtarësim

    Krasniqi takon shefen e zyrës së KiE-së për Kosovë: I kemi plotësuar kushtet për anëtarësim

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se aspiratat e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE) duhet të përballen me një përgjigje pozitive.

    Sipas tij raporti i juristëve eminent dhe raportet të tjera relevante dëshmojnë se Kosova i ka plotësuar gjitha kushtet dhe kriteret për anëtarësim formal.

    Këto komente ai i ka bërë në një postim në Facebook ku ka shkruar për takimin që ka zhvilluar me shefen e zyrës së Këshillit të Evropës për Kosovë, Mary Ann Hennessey.

    “Diskutuam për mundësitë e bashkëpunimit në mes të dy institucioneve, duke pas për qëllim mbështetjen e nivelit lokal dhe rritjen e demokracisë lokale, përfaqësimin dhe përfshirjen e shoqërisë civile si dhe qytetarëve në vendimmarrje si dhe përkrahjen e komunave për arritjen e 12 parimeve të përcaktuara nga Këshilli i Evropës për qeverisje të mirë”, ka shkruar Krasniqi.

    Kosova e ka kaluar me sukses votimet në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, e cila përbëhet nga deputetë të partive të ndryshme evropiane. Me shumicë të votave, deputetët e Asamblesë e kanë miratuar raportin e Dora Bakoyannisit, i cili rekomandon që Kosova të ftohet për t’u bërë anëtarja më e re e Këshillit të Evropës. Në raportin e Bakoyannisit vlerësohet arritje e madhe zbatimi i vendimit për pronat e Manastirit të Deçanit, ndërkaq themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kosovës i përshkruhet si një “angazhim pas anëtarësimit”.

    E në mes të majit pritet të mbahet mbledhja e Komitetit të Ministrave, si organ final që vendos për anëtarësime.

    Por, Kosova nuk përmendet në një agjendë të diskutimeve që e ka paralajmëruar Këshilli i Evropës.

    Këshilli ka publikuar të enjten një agjendë preliminare të takimit të Komitetit të ministrave, i cili pritet që të mbahet më 16-17 maj dhe në të cilin anëtarësimi i Kosovës nuk figuron në rend dite. Situata mund të ndërrojë derisa agjenda ta marrë formën përfundimtare, porse dërgimi i draftstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe për interpretim në Gjykatën Kushtetuese mbetet parakusht.

    Komiteti i Ministrave është i përbërë nga ministrat e jashtëm të qeverive të shteteve anëtare. Nga 46 shtetet që e përbëjnë Këshillin e Evropës, Kosovës për anëtarësimin do t’i duhet mbështetja prej dy të tretave të tyre.

    Kosova e pati dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj të vitit 2022.

    Demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligji janë tri vlerat kryesore mbi të cilat qëndron Këshilli i Evropës. Shpresat e Kosovës për pranim u patën shtuar pas përjashtimit të Rusisë nga kjo organizatë.

    Në kuadër të Këshillit vepron Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, së cilës mund t’i drejtohen qytetarët pasi t’i kenë shteruar mjetet juridike në nivel kombëtar.

  • Irani paralajmëron për mundësinë e nisjes së prodhimit të bombave bërthamore

    Irani paralajmëron për mundësinë e nisjes së prodhimit të bombave bërthamore

    Një zyrtar i lartë iranian paralajmëroi se Teherani mund të ndryshojë doktrinën e tij bërthamore dhe të nisë ndërtimin e bombave bërthamore, nëse kërcënohet ekzistenca e shtetit.

    Kamal Kharrazi, kreu i Këshillit Strategjik iranian për Marrëdhënie të Jashtme dhe këshilltar i lartë i liderit suprem, Ajatollah Ali Khamenei, tha në një intervistë për Al-Jazeera në gjuhën arabe se Irani “ka kapacitet për të prodhuar bomba”, edhe pse shteti nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për ndërtimin e bombave.

    “Dy vjet më parë në një intervistë për Al-Jazeera, unë njoftova se Irani ka kapacitet të prodhojë bombë bërthamore. Edhe sot kemi këtë kapacitet, por ne nuk kemi qëllim që të prodhojmë bombë bërthamore. Megjithatë, nëse kërcënohet ekzistenca e Iranit, ne do të ndryshojmë doktrinën tonë bërthamore”, tha ai.

    Deklaratat e Kharrazit u bën në kohën kur janë përshkallëzuar tensionet mes Iranit dhe Izraelit, përderisa komuniteti ndërkombëtar ka shprehur shqetësim lidhur me ambiciet bërthamore të Iranit. Republika Islamike vazhdimisht ka pretenduar se programi i saj bërthamor ka qëllime civile, pavarësisht se posedon aftësi teknike që ai të shndërrohet në program armësh.

    Marrëveshja bërthamore e vitit 2015 hoqi sanksionet e Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit, por më 2018 presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump, u largua nga marrëveshja dhe që atëherë Uashingtoni ka rivendosur sanksionet ndaj Iranit që kanë ngufatur ekonominë e Republikës Islamike.

    Përpjekjet për ringjalljen e marrëveshjes kanë dështuar dhe Teherani ka shkelur kushtet e marrëveshjes duke prodhuar uranium me nivel të lartë të pasurimit.

    Në mars, Bloomberg News citoi një zyrtar të lartë të Departamentit amerikan të Mbrojtjes i cili tha se Irani është më pak se 12 ditë larg që të posedojë materialet e nevojshme për prodhimin e një bombe bërthamore.

    Paralajmërimi për ndryshimin e doktrinës bërthamore pason incidentin e muajit të kaluar, kur Izraeli thuhet se shënjestroi një sistem radarësh në një bazë afër qytetit iranian, Isfahan.

    Sulmi pasoi incidentin e 13 prillit, kur Irani iu kundërpërgjigj një sulmi izraelit në Konsullatën në Damask, që mori jetën e shtatë zyrtarëve të lartë të Forcave Kuds të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit. Irani lëshoi qindra dronë, raketa balistike dhe raketa lundruese drejt Izraelit, edhe pse pothuajse të gjitha dështuan që të qëllonin caqe brenda Izraelit.

    Pasi Khameni lëshoi një fatva – vendim fetar – kundër armëve bërthamore më 2005, zyrtarët kanë insistuar se programi bërthamor i Teheranit në mënyrë rigoroze ishte për qëllime civile. Por, viteve të fundit retorika ka ndryshuar.

    Gjatë intervistës, Kharrazi po ashtu ka paralajmëruar kundër sulmeve ndaj ndërtesave bërthamore të Iranit.

    “Nëse ata duan të sulmojnë kapacitetet bërthamore të Iranit, kjo do të çonte në ndryshimin e doktrinës bërthamore të Iranit”, tha ai.

    Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Rafael Grossi, më herët gjatë këtij muaji paralajmëroi se Irani është vetëm disa javë larg posedimit të uraniumit të pasuruar, mjaftueshëm për të prodhuar bombë bërthamore. Ai kritikoi Teheranin për mosbashkëpunim të duhur me agjencinë dhe i kërkoi Teheranit të ndryshojë politikën bërthamore.

    Kharrazi po ashtu la të kuptohet se ka mundësi që Teherani të tërhiqet nga Traktati për Mospërhapje Bërthamore dhe potencialisht të lëvizë drejt zhvillimit të armëve bërthamore. Edhe në të kaluarën, Irani ka paralajmëruar se do të largohet nga ky traktat, nëse regjimi do të ndihej i kërcënuar./REL/

  • ​Bullgaria bëhet me stacionin e mbushjes së hidrogjenit

    ​Bullgaria bëhet me stacionin e mbushjes së hidrogjenit

    Stacioni i parë i mbushjes së hidrogjenit në Bullgari dhe rajon u zbulua në rrugën 11 Iskarsko Shose në Sofje të premten, njoftoi Akademia Bullgare e Shkencave (BAS) dhe Qendra e Kompetencës HITMOBIL – Teknologjitë dhe Sistemet për Gjenerimin, Ruajtjen dhe Konsumimin e Energjisë së Pastër me akademik Evgeni Budevski nga Instituti i Elektrokimisë dhe Sistemeve Energjetike (IEES) në BAS.

    Stacioni shënon fillimin e lëvizjes elektrike të hidrogjenit në Bullgari. Aquachim, Monbat dhe Delectra janë kontraktuesit kryesorë të projektit.

    Ai është prodhuar nga kompania austriake EDC-Anlagentechnik. Hidrogjeni prodhohet me elektrolizë, me një kapacitet ditor prej 8 kilogramësh në ditë. Hidrogjeni i prodhuar në vend futet direkt në stacionin e mbushjes së hidrogjenit, ku ngjeshët në presionin e nevojshëm për karburant. Stacioni ka dy priza për mbushje: 350 dhe 700 bar. Dy presionet standarde mbulojnë aftësitë e mbushjes së makinave, kamionëve të lehtë dhe kamionëve të rëndë, dhe përdorimi i rezervuarëve tampon me presion të lartë mundëson mbushjen brenda disa minutave. Për konsum më të madh, stacioni i mbushjes së hidrogjenit mund të përdorë hidrogjen nga grupet e cilindrave të prodhuar nga burime të tjera.

    Anijet me presion të lartë të stacionit mund të ruajnë deri në 70 kilogramë hidrogjen të kompresuar, i cili mund të sigurojë deri në 7000 kilometra rreze. Aftësia e hidrogjenit është rreth 40-50 kilogramë në ditë, e cila është e mjaftueshme për të furnizuar me karburant 10-15 makina ose dy autobusë në ditë.

    Projekti HITMOBIL zbatohet nën një grant nga Programi Operacional Shkencë dhe Edukim për Rritje të zgjuar, të bashkëfinancuar nga BE.

    Kryetari i Akademisë Bullgare të Shkencave Akad. Julian Revalski theksoi se Bullgaria mund të jetë një vend lider në teknologjitë më të larta inovative në botë.

    Eurodeputetja bullgare Cvetelina Penkova theksoi se hapja e stacionit të parë të hidrogjenit në Bullgari dhe rajon është një sukses i madh, sepse pesë vitet e fundit në Parlamentin Evropian një nga temat kryesore ka qenë pikërisht karburanti i së ardhmes – hidrogjeni.

    Zëvendësministri në detyrë i Inovacionit dhe Rritjes, Georgi Angelov sqaroi se ekziston një dokument strategjik për hidrogjenin – Strategjia e hidrogjenit, ku janë vendosur një sërë masash dhe hapash për zhvillimin e hidrogjenit në vitet e ardhshme. “Ne po ecim plotësisht në hap me botën. Në vendet e tjera, edhe pse më të zhvilluara ekonomikisht, ky është gjithashtu vetëm një fillim,” shtoi ai. /BTA