ATV

Blog

  • Qindra njerëz evakuohen nga rajoni i Kharkivit pas ofensivës ruse

    Qindra njerëz evakuohen nga rajoni i Kharkivit pas ofensivës ruse

    Qindra njerëz janë evakuuar nga zonat pranë kufirit rus në rajonin Kharkiv të Ukrainës, një ditë pasi Moska e nisi një ofensivë befasuese tokësore, njoftuan zyrtarët.

    Forcat ruse shënuan përparim të vogël në këtë rajon, gati dy vjet pasi ishin zmbrapsur.

    “Në përgjithësi, 1.775 njerëz janë evakuuar”, tha guvernatori rajonal i Kharkivit, Oleg Synegubov.

    Ai tha se Rusia i bombardoi mbi 30 vendbanime në 24 orët e fundit.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se një “betejë e ashpër” po zhvillohej në Kharkiv.

    “Ne duket t’i ndalim patjetër ofensivat ruse dhe Ukraina ta marrë iniciativën”, tha Zelensky të shtunën.

    Rajoni i Kharkivit ka qenë kryesisht nën kontrollin e Ukrainës prej shtatorit 2022.

    Rajoni verilindor ukrainas i Kharkivit gjendet në kufi me Rusinë, dhe në periferi gjendet dhe kryeqyteti rajonal me po të njëjtin emër. Ky qytet ndodhet 25 kilometra nga vijat e frontit.

    Me një popullsi prej 1.4 milion banorësh – sipas të dhënave të popullsisë para se të niste lufta – Kharkivi është qyteti i dytë më i madh i Ukrainës dhe një prej qyteteve në të rëndësishme ekonomike dhe industriale.

    Ai ishte ndër qytetet e para që u përball me sulmet ruse, pasi Moska e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

    Kundërofensiva e suksesshme ukrainase në shtatorin e vitit 2022 çoi në çlirimin e pothuajse të gjithë rajonit të Kharkivit.

    Por, muajve të fundit, Rusia ka intensifikuar sulmet me dronë dhe raketa në këtë rajon dhe kryeqytetin e tij, përderisa forcat ukrainase po përballen me mungesë të municioneve dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore./REL/

  • ​Taksitë ilegal, priten gjoba më të mëdha e konfiskim të automjeteve për kohë më të gjatë

    ​Taksitë ilegal, priten gjoba më të mëdha e konfiskim të automjeteve për kohë më të gjatë

    Inspektorati i Prishtinës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës në katër javët e fundit, kanë shqiptuar rreth 200 gjoba të taksitë ilegal. Ndërkaq, përgjatë katër muajve të fundit, kanë shqiptuar rreth 500 gjoba.

    Sa i përket shumës së gjobave të cilat variojnë nga 50 deri në 500 euro, drejtori i Inspektoratit të Prishtinës, Florian Dushi, shpreson që të ketë ndryshime në legjislacion dhe gjobat për këtë lloj veprimtarie ilegale të ashpërsohen akoma më shumë.

    Dushi për KosovaPress-in, ka thënë se gjobat janë shqiptuar ndaj taksive të rregullt por pa leje të punës, autobusë që shpeshherë nuk respektojnë orarin e tyre dhe hyn nëpër qendër të qytetit për të arritur në destinacionet e tyre më lehtë, kombi-busa dhe gjithçka që inspektorati konsideron se janë duke funksionuar pa lejen e organeve kompetente të kryeqytetit.

    “Këto katër javët e fundit janë mbi 200 gjoba të cilat janë shqiptuar për arsye të ndryshme, për taksi të rregullt por pa leje të punës, të cilëve u ka skaduar apo akoma nuk janë pajisur, por si kompani kanë licencë për të vepruar, kemi taksi ilegal që veprojnë gjithandej në kryeqytet edhe nga komunat e tjera përreth dhe të cilët me thënë të drejtë shkaktojnë mjaft probleme të mëdha në mbarëvajtjen e komunikacionit në kryeqytet, për autobusë të cilët shpeshherë nuk respektojnë orarin e tyre, por futen nëpër qendër të qytetit, për të arritur në destinacionet e tyre më lehtë, dhe për taksi të tjerë të cilët funksionojnë, kombi-busë”, ka thënë Dushi.

    Sipas tij, inflacioni ka përfshirë edhe këto gjoba, prandaj duket si të mos jenë të efektshme, për faktin se pavarësisht që inspektorati po shqipton gjoba, taxit ilegale, kombi-busët dhe autobusët po vazhdojnë veprimtarinë e tyre ilegale.

    “Inflacioni ka përfshirë edhe këto gjoba dhe prandaj po duken të mos jenë mjaftueshëm të efektshme për faktin se pavarësisht që ne po shqiptojmë gjoba, ata po vazhdojnë veprimtarinë e tyre. Në anën tjetër, gjobat e pamjaftueshme dhe kapacitetet e pamjaftueshme të inspektoratit për të qenë vazhdimisht në teren, po e mundësojnë që megjithatë ata gjejnë hapësirë të veprojnë dhe të ushtrojnë veprimtarinë e tyre ilegale”, është shprehur ai.

    Ai ka shtuar se është në fazën e diskutimeve edhe konfiskimi i mjeteve, çoftë autobus, vetura apo kombi-busë për një periudhë më të gjatë kohore, e cila do të ndikojë pozitivisht në vënien në rend të kësaj problematike.

    “Variojnë varësisht nga natyra e shkeljes, nga 50 deri në 500 euro, ka gjoba të cilat shqiptohen, konfiskohen targat për një periudhë të caktuar të shkurtët kohore. Megjithatë jemi duke shpresuar edhe në disa ndryshime të cilat janë duke ndodhur në legjislacionin në fuqi, ku parashihen që gjobat për këto lloj veprimtarie ilegale të ashpërsohen akoma më shumë..3:24 Parashihet madje edhe konfiskimi i mjeteve, çoftë autobusëve, veturave ose kombi-busëve për një periudhë më të gjatë kohore. Edhe ngritja e gjobave do të ndikojë pozitivisht në vënien në rend të kësaj problematike”, ka shtuar Dushi.

  • Rafuna: Inflacioni është në rënie, pritet stabilizim i çmimeve dhe i kamatave bankare

    Rafuna: Inflacioni është në rënie, pritet stabilizim i çmimeve dhe i kamatave bankare

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) Lulzim Rafuna, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se sipas parashikimeve të tyre inflacioni është në rënie si në vendet e Bashkimit Evropian (BE) edhe në Kosovë dhe se në muajt në vijim pritet që të ketë stabilizim të çmimeve të produkteve dhe ulje të normave të interesit të bankave.

    Ai ka thënë se në rritjen e çmimeve të produkteve ndikon edhe fakti që Kosova është e varur nga importi që bën nga shtetet e ndryshme.

    Rafuna ka thënë se qytetarët janë duke u përballur me çmimet e larta të produkteve bujqësore për faktin se në vendin tonë në këtë periudhë nuk kultivohen produktet këto produkte por që ato importohen nga venet e tjera.

    “E para sa i përket produkteve bujqësore është ndërrimi i sezones dhe ne importojmë në këtë kohë për arsye se ende nuk është periudha kur kultivohen produktet tona për atë arsye janë edhe më të shtrenjta. Ndërsa sa i përket inflacionit, inflacioni është në rënie, jo vetëm në Kosovë por është edhe në vendet e BE-së. Ne kemi thënë edhe në fillimi të vitit kur e kemi prezantuar raportin e OEK-ut por edhe parashikimet tona kemi paraparë që këtë vit do të ketë ulje të inflacionit por do të ketë edhe ulje të normave të interesit të bankave. Që është një lajm i mirë edhe për qytetarët po është një lajm i mirë edhe për bizneset. Kështu që me rënin e inflacionit ne besojmë shumë që do të shkojnë duke rënë edhe çmimet, për arsye se sipas dinamikes së sotme, sipas dinamikës së sotme, sipas indikacioneve që i kemi sot nuk pritet që do të ketë një rritje të inflacionit apo një rritje të çmimeve”, ka thënë ai.

    Ai ka thënë se me afrimin e muajve të verës çmimet do të shkojnë duke rënë.

    “Ne besojmë që edhe pritjet tona janë që me ofrimin e muajve të verës çmimet do të shkojnë duke rënë. Ne jemi duke importuar prej Turqisë edhe prej vendeve të tjera produktet bujqësore se nuk është koha tani që kultivohen në Kosovë. Me afrimin e muajve të tjerë do të fillojnë edhe produktet tjera tonat që dalin në treg do të fillojnë edhe çmimet të bien”, ka thënë ai.

    Kryetari i OEK-ut ka thënë se së pari pritet që të këtë stabilizim të çmimeve për shkak të rënies së inflacionit dhe rëni të çmimeve, por sipas tij, nëse çmimet nuk bien duhet të ndërhyjnë institucionet përgjegjës.

    “Së pari do të ketë stabilizim të çmimeve për shkak të rënies së inflacionit, sepse nuk ka logjikë inflacioni të bie e çmimet të rriten. Nuk ka arsye, nëse ndodh kjo me të vërtet na duhet me ndërhyrë inspektorati dhe organet kompetente për të parë. Mirëpo e them me përgjegjësi të plotë se anëtaret e OEK-ut janë shumë të kujdesshëm ndaj klientëve të tyre dhe as një here nuk ka ndodhur që ta mbingarkojnë konsumatorin me çmim i cili nuk është i arsyeshëm. Kështu që ne dihet edhe shumë here e kemi thënë që ne po jemi të varur prej importit, ende prodhimin nuk e kemi filluar që ta mbulojmë me import dhe kështu që sa më shumë që ka inflacion aq më shumë e importojmë ne inflacionin. Do të thotë ne jemi duke e importuar inflacionin për këtë arsye edhe çmime janë më të larta. Mirëpo me rënien e inflacionit, jo vetëm Kosovë por edhe në vende e BE-së duhet që edhe çmimet të bien dhe pritjet tona janë që kanë me rënë çmimet”, ka thënë ai.

  • Muja: Janë katër vende me rritje ekonomike pozitive, ndër to edhe Kosova

    Muja: Janë katër vende me rritje ekonomike pozitive, ndër to edhe Kosova

    Deputeti Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka mohuar akuzat e opozitës se në Kosovë nuk do të ketë rritje të lartë të zhvillimit ekonomik. Muja për Ekonomia Online thotë se rritja do të jetë 4 deri në 5 për qind.

    Për gjitha këto “suksese”, Muja ia faturon qeverisjes së Albin Kurtit, teksa Kosovën e radhit me Malin e Zi sa i përket rritjes ekonomike. Rritje ekonomike, Muja sheh edhe vitin e ardhshëm, madje me përqindje më të lartë.

    “Ekzistojnë disa vende, tri, katër vende që kanë rritje ekonomike pozitive dhe nga to është Kosova. Janë disa veprime kryesisht që i ka bërë qeveria që na ka ndihmu me pas rritje ekonomike se përndryshe edhe ne do të kishim rritje të vogël, siç ka edhe rajoni, përjashtim ish Mali i Zi dhe Kosova që kanë pas rritje solide ekonomike por sipas këtij raporti Kosova dhe Mali i Zi prin për nga rritja ekonomike bile edhe vitin e ardhshëm do të prin sepse ne kemi pas fatin që mërgata diaspora e Kosovës në kuadër të shërbimeve e ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për Kosovën dhe e dyta është fakti që për shkak të formalizimit të ekonomisë dhe veprimeve qeveritare edhe raporti i bankës botërore tregon që Kosova ka pas rritje të shpenzimeve qeveritare e cila ka ardh në sajë të mbledhjes së mirë të tatimeve sipas bankës botërore dhe ajo e MEF-it”, thotë Muja.

    Ndërsa, sa i përket raportit të Bankës Botërore, Muja thotë se është pozitiv për Kosovën, llogaritur faktin e periudhës së ndjeshme që ka pas Evropa, përfshirë krizën energjetike.

    “Kosova ka pas rritje ekonomike, ajo ka ardh për shkak të kërkesës që ka pas në BE dhe rritja ekonomike në vendet Eurostat ka qenë 3-4 për qind në Kosovë mund të ketë qenë 4 deri në 5 për qind, mirëpo tash llogarite Eurostatin ose Eurozonën mund të ketë rritje 1 për qind. Ndërkohë, Kosova ka rritje 4 për qind siç thotë raporti, mendoj që është pozitiv mendoj që është mirë, sepse ka pas një periudhë shumë të ndjeshme në Evropë pas shokut asimetrik që ka ardh për shkak të naftës, krizës energjetike, krizë pas krize po befasisht besoj se është një zhvillim pozitiv i Kosovës që ekonomia jonë i ka tejkalu me pak vështirësi por i ka tejkalu këto krizat e mëdha që është ballafaqu Kosova edhe unë besoj që qeveria e ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për këtë administrim, përndryshe do ishte vështirë”, thotë Muja.

  • “Ishim të gatshëm ta japim jetën për Kosovën”, Osmani përcjell mesazhin e ushtarëve amerikanë

    “Ishim të gatshëm ta japim jetën për Kosovën”, Osmani përcjell mesazhin e ushtarëve amerikanë

    Presidentja Vjosa Osmani ka vizituar ushtarët amerikanë të Gardës Kombëtare të Teksasit, të cilët kanë shërbyer në Kosovë, në kohën e sulmit në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit të kaluar.

    “Ne ishim të gatshëm ta japim jetën për ta mbrojtur Republikën e Kosovës”, ka thënë se ishte mesazhi që dëgjoi nga ta.

    Ajo ka thënë se Kosova është e bekuar që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    “Gra e burra nga ushtria amerikane për 25-vjet shërbyen me devotshmëri për lirinë dhe paqen, e edhe sot vazhdojnë të qëndrojnë bashkë me ne në mbrojtje të shtetit dhe kufijve tanë. Prandaj dje i vizitova për t’ju shprehur falënderime në emër të popullit të Kosovës. Kosova është e bekuar që e ka këtë mbështetje”, ka shkruar Osmani, derisa ka publikuar edhe fotografi me ta.

  • Arrestohet një burrë në Prishtinë pasi sulmoi fizikisht nënën e tij

    Arrestohet një burrë në Prishtinë pasi sulmoi fizikisht nënën e tij

    Policia e Kosovës ka arrestuar një burrë në Prishtinë, meqë i njëjti dyshohet se ka sulmuar fizikisht nënën e tij.

    Përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “Prishtinë 10.05.2024 – 06:20. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se e kishte sulmuar fizikisht nënën e tij, viktimën femër kosovare, e cila ka pësuar lëndime trupore. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Ahmeti: Sanksionet e BE-së dhe ShBA-së ndaj Kosovës duhet të jenë alarm për Qeverinë

    Ahmeti: Sanksionet e BE-së dhe ShBA-së ndaj Kosovës duhet të jenë alarm për Qeverinë

    Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, në një prononcim për Ekonomia Online, ka thënë se klasa politike e Kosovës, e ne veçanti qeveria e saj duhet të jenë në alarm nga vendosja e sanksioneve, tash e një vit ndaj Kosovës, nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtete e Bashkuara të Amerikës (ShBA).

    Ai ka thënë se nuk ndjehet mirë kur lexon në media ndërkombëtare për ndëshkimin që BE-ja dhe ShBA-ja i kanë bërë Kosovës, me këtë rast edhe ka bërë thirrje që qeveria të bashkëpunoj me aleatet e saj.

    Ai ka thënë se ShBA-ja se bashku me aleatët e saj në NATO ishin ata që e ndihmuan çlirimin e Kosovës nga Serbia.

    “Nuk ndjehem mirë kur shohë nëpër media ndërkombëtaret por edhe në mediat kombëtare, që Amerika ka vendosur sanksione ndaj Kosovës, se Evropa ka vendosur sanksione ndaj Kosovës. Unë mendoj që të gjithë klasën politike në Kosovë, në veçanti qeverinë e Kosovës duhet ta vënë në alarm sepse të gjithë këta aleat, ShBA me aletet e vetë në NATO ishin ata që na ndihmuan në çlirimin e Kosovës. Lirinë e paguam me gjake, por çlirimin e bëmë më aleatët. Kështu që këto lajme që unë i lexoj nuk janë të mira për Kosovën, nuk i bëjmë mirë shëndetit të Kosovës”, ka thënë ai.

    Ahmeti ka thënë se Kosova ka një proces tepër të rëndësishëm përpara  për anëtarësimin në BE, NATO e organizata të ndryshme, dhe sipas tij, për të pasur sukses në këtë rrugëtim Kosovës i duhen miqtë ndërkombëtar.

    “Kosova ka një proces përpara tepër të rëndësishëm që duhet ti përmbyll çështja që akoma janë të hapura. Duhet bërë demarkacioni me Serbinë, Kosova duhet të vazhdoj drejt anëtarësimit të vetë në institucione ndërkombëtare si në NATO, si në BE, si në OSBE e kështu me radhë, me dhjetëra e dhjetëra institucione ndërkombëtare. Kështu që për tu bërë ky proces i suksesshëm Kosovës i duhen miqtë, i duhet Washington, i duhet Brukseli, i duhet Berlini, i duhet Londra, Parisi, Vjena të gjithë i duhen për ta përmbyllur me sukses të gjithë procesin e shtetit të kompletuar”, ka thënë ai për EO.

  • Gjendet pa shenja jete një shtetase serbe në Ferizaj, policia nis hetimet

    Gjendet pa shenja jete një shtetase serbe në Ferizaj, policia nis hetimet

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një grua shtetase e Serbisë është gjetur pa shenja jete.

    Rasti ka ndodhur në Ferizaj, në mbrëmjen e së premtes.

    Siç njofton policia, me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion.

  • MAShTI publikon datat kur do të mbahet testi i arritshmërisë

    MAShTI publikon datat kur do të mbahet testi i arritshmërisë

    Ministria e Arsimit, Shkencës,Teknologjisë dhe Inovacinit ka marrë vendimin për datat kur do të mbahet testi i arritshmërisë në këtë vit.

    Testimi, sipas vendimit,  do të jetë i ndarë në dy faza, ku pjesa e parë përmban pyetjet nga lëndët shoqërore, ndërsa pjesa e dytë ka pyetje për lëndët shkencore.

    Më 26 qershor do të mbahet pjesa e parë e testimit e cila përmban njohuri nga gjuha amtare, gjuha angleze, historia dhe gjeografia.

    Ndërkaq, më 28 qeshor do të mbahet testimi i njohurive për lëndën e matematikës, informatikës, kimisë, fizikës dhe biologjisë.

    Kjo mënyrë e organizimit të testimit ishte praktikuar edhe vitin e kaluar, me ç ‘rast nxënësit u testuan në dy data të ndryshme për lëndë të ndryshme.

  • Sindikata e Policisë së Kosovës distancohet nga kryetari i suspenduar

    Sindikata e Policisë së Kosovës distancohet nga kryetari i suspenduar

    Me rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës është suspenduar kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës (SPK), Imer Zeqiri, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “fotografim dhe incizime të tjera të paautorizuara”, pasi dyshohet se pa autorizim ka incizuar bisedat e nënkryetarëve të sindikatës.

    Për suspendimin e tij reagoi edhe sindikata, ku në njoftim thuhet se Këshilli Drejtues i SPK-së kanë bërë të ditur se distancohen nga çdo veprim kundërligjor, të kujtdo qofshin.

    “Sot me datë 10.05.2024, Këshilli Drejtues i Sindikatës së Policisë se Kosovës me shqetësim ka ndjekur zhvillimet rreth përfshirjes se njërit nga anëtarët e Kryesisë Ekzekutive të SPK-së, respektivisht kryetarit te SPK-së në veprime të kundërligjshme, ku me rekomandim të IPK-së edhe është suspenduar kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës zt. Imer Zeqiri, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale Fotografim dhe incizime tjerat te paautorizuara nga neni 202 i KPRK-së.

    Këshilli Drejtues i SPK-së distancohet nga veprimet kundërligjore të kujtdo qofshin ato, duke premtuar angazhim të plotë dhe të vazhdueshëm në përmirësimin e kushteve te punës dhe ngritjen e mirëqenies se punonjësve të PK-së. Ditëve në vijim KD i SPK – së do të dalë me njoftim shtesë rreth zhvillimeve të fundit ne SPK”, thuhet në njoftim.