ATV

Blog

  • Qindra të vdekur nga vërshimet në Afganistan

    Qindra të vdekur nga vërshimet në Afganistan

    Qindra njerëz kanë vdekur dhe një numër i madh i tyre janë lënduar si pasojë e vërshimeve të shkaktuara nga reshjet sezonale, tha një zyrtar taliban të shtunën, pa dhënë shifrat të sakta.

    Pjesa veriore e vendit pësoi përmbytjet më të mëdha. Provinca Baghlan ishte më e goditura të premten, me zyrtarët që raportuan fillimisht se së paku 50 njerëz humbën jetën dhe se shumë prona u shkatërruan në qarqe të shumta.

    Në provincën e afërt, Takhar, mediat shtetërore raportuan se të paktën 20 njerëz u mbytën si pasojë e vërshimeve.

    Zabihullah Mujahid, zëdhënësi i qeverisë talibane, shkroi në rrjetin social X të shtunën se “qindra njerëz vdiqën nga këto vërshime katastrofike, dersia një numër i madh njerëzish kanë pësuar lëndime”.

    Mujahid nënvizoi se provincat Badakhshan, Baghlan, Ghor dhe Herat, kanë pësuar më së rëndi nga vërshimet.

    Ai shtoi se “shkatërrimi i madh” ka rezultuar në “humbje të jashtëzakonshme financiare”.

    Sipas tij, Qeveria ka urdhëruar grumbullimin e të gjitha resurseve për shpëtimin e njerëzve, transportimin e të lënduarve dhe nxjerrjen e trupave të viktimave.

    Më herët, zyrtarët kishin thënë se në prill, para vërshimeve të së premtes, së paku 70 njerëz kishin vdekur nga reshjet e mëdha të shiut dhe përmbytjet në vend.

    Rreth 2.000 shtëpi, tre xhami, dhe katër shkolla u dëmtuan, gjithashtu./REL/

  • Haziri flet për ftesën e Kurtit për opozitën: Kjo Qeveri nuk e fton në takim për asgjë opozitën

    Haziri flet për ftesën e Kurtit për opozitën: Kjo Qeveri nuk e fton në takim për asgjë opozitën

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka ftuar në një darkë punë liderët e tri partive parlamentare opozitare (LDK, PDK dhe AAK) për të diskutuar rreth përmbushjes së agjendës legjislative për sezonin pranveror.

    Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka folur rreth kësaj ftese.

    Haziri ka thënë se nuk është në dijeni nëse LDK do të merr pjesë ose jo, dhe se për të Kurti asnjëherë nuk e ka ftuar opozitën për një çështje të tillë.

    ‘’Nuk kam njohuri. Nuk është në metodën e tij, asnjëherë nuk ka ftuar në takim për asnjë çështje, përjashtuar dy takime për formatin e dialogut’’ deklaron ai.

    Nënkryetari Haziri, shton se Qeveria nuk e fton për asgjë opozitën dhe se nuk është në dijeni nëse ka diçka tjetër ose jo, duke shtuar se edhe presidentja Vjosa Osmani ka bërë ftesa për raste të veçanta.

    ‘’Edhe presidentja po ashtu në raste të veçanta. Pra Qeveria dhe këta bartës nuk ftojnë opozitën për asgjë, nuk e di a ka diçka tillë apo jo. Tani për tani nuk mund të paragjykoj për temat që do të diskutohen’’ thotë Haziri.

    Në letrën të cilën Kurti i’a ka dërguar kreut të LDK-së të premten (10 maj), Lumir Abdixhiku, bëhet e ditur se takimi është paraparë të mbahet të hënën më 13 maj në orën 18:30 në një nga hotelet e kryeqytetit.

    Hera e fundit kur Kurti kishte ftuar në takim opozitën ishte në nëntor të vitit 2022, ku ishte thirrur për të diskutuar rreth situatës në Veri të Kosovës.

  • Holanda përjashtohet nga finalja e Eurovisionit

    Holanda përjashtohet nga finalja e Eurovisionit

    Artisti holandez Joost Klein është përjashtuar nga finalja e Eurovisionit të këtij viti që mbahet sot [e shtunë].

    Klein pati një incident në prapaskenë pas performancës në gjysmëfinale të enjten. Një anëtare e grupit të produksionit pretendoi se këngëtari holandez tentoi ta frikësonte. Policia suedeze më pas nisi hetimet.

    Në një deklaratë, organizatorët e Eurovisionit thanë se “nuk do të ishte e përshtatshme që Kleini të vazhdonte në garë” derisa të zhvillohet procesi ligjor.

    “Klein ka thyer rregullat e garës”, thuhet tutje në reagimin e Eurovisionit.

    Klein kishte qenë ndër favoritët për të fituar garën e këngës me “Europapa”.

    “Europapa” i kushtohet babait të Kleinit të cilën e humbi kur ishte 12-vjeçar. Tani 26-vjeç, këngëtari i kishte premtuar babait se një ditë do të arrinte në skenën e Eurovizionit.

    Me largimin e Holandës, në finale do të garojnë 25 këngë.

  • Vizita e O’Brien në Mal të Zi, ku janë të ftuar edhe Kurti e Vuçiqi: DASh-i del me njoftim

    Vizita e O’Brien në Mal të Zi, ku janë të ftuar edhe Kurti e Vuçiqi: DASh-i del me njoftim

    Ndihmës Sekretari amerikan në Byronë për Çështje të Evropës dhe Euroazinë, James O’Brien pritet që javën tjetër të udhëtojë për në Mal të Zi.

    Siç është konfirmuar nga Departamenti i Shtetit, ai pritet të marrë pjesë në Samitin e Udhëheqësve Rajonal, që do të mbahet në Kotor.

    “Angazhimet e tij në samit do të fokusohen në integrimin ekonomik rajonal dhe mundësinë e rritjes të ofruar nga Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor të BE-së, si dhe do të përforcojnë mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE. Ndihmës Sekretari O’Brien do të takohet gjithashtu me zyrtarë të lartë të qeverisë malazeze për të diskutuar bashkëpunimin tonë dypalësh në mbështetje të integrimit të plotë euroatlantik të Malit të Zi”, thuhet tutje në komunikatë.

    Ndryshe, siç u raportua të premten në mediat vendore, të ftuar janë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

    Të pranishëm, pritet të jetë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, Komisioni evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varheley si dhe Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.

    Veç Kurtit, pjesëmarrës nga Kosova do të jenë edhe zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi si dhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.

  • Osmani takon Kongresmenin republikan Keith Self: Një zë i fuqishëm i mbrojtjes së aleancës mes Kosovës e ShBA-ve

    Osmani takon Kongresmenin republikan Keith Self: Një zë i fuqishëm i mbrojtjes së aleancës mes Kosovës e ShBA-ve

    Presidentja Vjosa Osmani është takuar me Kongresmenin republikan Keith Self, gjatë vizitës që po zhvillon në Teksas.

    Osmani ka thënë se Self është një zë i fuqishëm i mbrojtjes së aleancës mes Kosovës e SHBA-ve, si dhe mbështetës i vazhdueshëm i komunitetit shqiptaro-amerikan.

    “Gjatë vizitës në Teksas, pata kënaqësinë ta takoj edhe Kongresmenin republikan Keith Self, një zë i fuqishëm i mbrojtjes së aleancës mes Kosovës e SHBA-ve, si dhe mbështetës i vazhdueshëm i komunitetit shqiptaro-amerikan. 🇽🇰🇺🇸”, ka shkruar Osmani.

  • Dyshimet për shkelje, IPK-ja thotë se do ta hetojë dhe inspektojë konkursin e gradimit për rreshter në Polici

    Dyshimet për shkelje, IPK-ja thotë se do ta hetojë dhe inspektojë konkursin e gradimit për rreshter në Polici

    Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se do të hetojë dhe inspektojë konkursin e graditimit për rreshter në Policinë e Kosovës, pas dyshimeve për shkelje të ndryshme në këtë proces.

    Testi me shkrim për këtë konkurs është mbajtur më 4 maj.

    “Hetuesit e IPK-së fillimisht kanë analizuar dhe verifikuar informacionet fillestare për parregullsi në proces. Gjithashtu Kryeshefi i IPK-së Kushtrim Hodaj ka marrë vendim për krijimin e një ekipe të përbashkët inspektuese-hetuese për të hetuar dhe inspektuar tërë procesin e gradimit nga momenti i shpalljes deri në fazën aktuale”, thuhet në njoftim.

    IPK-ja thotë se varësisht nga të gjeturat do të ndërmerr veprimet e nevojshme bazuar në kompetencat dhe autorizimet ligjore.

  • Drejtoi veturën nën ndikim të alkoolit, gjobitet 29-vjeçari në Ferizaj

    Drejtoi veturën nën ndikim të alkoolit, gjobitet 29-vjeçari në Ferizaj

    Policia e stacionit në Ferizaj me datën 10.05.2024 rreth orës 04:15 në rrugën “Reçaku ” në Ferizaj ka ndaluar shoferin A.A (M/K) i moshës 29 vjeçar, i cili ka drejtuar veturën nën ndikim të alkoolit, ku rezultoi 0.85 promila dhe nën masën mbrojtëse, ku me ligjin e ri parashihet gjobë, vazhdim i masës mbrojtëse, pikë negative dhe konfiskim i automjetit.

    Ndaj shoferit policia i ka shqiptuar një gjobë kundërvajtëse prej pesëqind (500) euro, pesë (5) pikë negative, vazhdim i masës mbrojtëse edhe për gjashtë (6) muaj, si dhe i është konfiskuar përkohësisht automjeti.

    Me këtë rast policia rajonale e Ferizajt, apelon tek shoferët e automjeteve që të respektojnë ligjin e komunikacionit rrugor dhe mos të drejtojnë automjetet nën ndikimin e alkoolit.

  • ShBA-ja me paketë të re të ndihmës ushtarake prej 400 milionë dollarësh për Ukrainën

    ShBA-ja me paketë të re të ndihmës ushtarake prej 400 milionë dollarësh për Ukrainën

    Shtetet e Bashkuara janë duke e përgatitur një paketë të re ndihmë ushtarake, në vlerë 400 milionë dollarë, për Ukrainën, e cila ka hasur në vështirësi për t’i zmbrapsur trupat ruse në rajonin verilindor, Harkiv.

    Kjo paketë përfshin artileri, raketahedhës NASAM dhe municione për të, municione antitanke, autoblinda dhe armë të vogla të cilat mund vihen në përdorim menjëherë në fushëbetejë.

    Njoftimi i SHBA-së vjen vetëm një ditë pasi forcat ruse e nisën një ofensivë tokësore të premten në afërsi të qytetit të dytë më të madh të Ukrainës, Harkiv, në verilindje të vendit.

    Forcat ruse shënuan përparim të vogël në Harkiv dhe e hapën një front të ri në një luftë që për kohë të gjatë është zhvilluar në lindje dhe në jug.

    SHBA-ja i ka dhënë Ukrainës ndihmë ushtarake në vlerë rreth 50 miliardë dollarë, prej se Rusia e nisi pushtimin e saj në shkurt 2022.

    Të enjten, ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, tha se tre sisteme të tjera raketore të artilerisë me lëvizshmëri të lartë, HIMARS, do t’i dërgohen Ukrainës nga aleatët e saj perëndimorë.

    Paraprakisht, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se vendi i tij mund t’i ndalojë forcat ruse të përparojnë në lindje, nëse aleatët i rrisin furnizimet me armë.

    Të shtunën, Zelensky, tha se një “betejë e ashpër” po zhvillohej në Harkiv, nga ku u evakuuan qindra ukrainas.

    Rajoni i Harkivit ka qenë kryesisht nën kontrollin e Ukrainës prej shtatorit 2022.

    Por, muajve të fundit, Rusia ka intensifikuar sulmet me dronë dhe raketa në këtë rajon dhe kryeqytetin e tij, përderisa forcat ukrainase po përballen me mungesë të municioneve dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore./REL/

  • Hoti i reagon Kurtit pas ftesës ndaj opozitës: Bashke me deputetët e VV-së dhe GUXO-s e keni cenuar demokracinë parlamentare në Kosovë

    Hoti i reagon Kurtit pas ftesës ndaj opozitës: Bashke me deputetët e VV-së dhe GUXO-s e keni cenuar demokracinë parlamentare në Kosovë

    Ish-kryeministri Avdullah Hoti i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti pasi ky i fundit ka ftuar partitë opozitare për koordinim rreth agjendës së Kuvendit për sesionin pranveror. Hoti ka thënë se sjellja e Kurtit bashkë me deputetët e VV-së dhe GUXO-s ndaj institucionit të Kuvendit dhe ndaj opozitës e ka cenuar demokracinë parlamentare në Kosovës.

    Hoti tutje ka shkruar se nga monitorimi i Kuvendit që është bërë, gjetjet janë shqetësuese, përfshirë mungesën e transparencës në vendime dhe nxjerrje të ligjeve, vendimeve kundër kushtetuese, pamundësimi i kuorumit për komisione hetimore dhe mos përgjigje nga ana e Qeverisë në pyetjet e deputetëve.

    Reagimi i plotë:

    Kryeministri Kurti po kërkon koordinim me opozitën për agjendën e Kuvendit për sesionin pranveror, por sjellja e tij bashkë me grupin VV-Guxo ndaj institucionit të Kuvendit dhe opozitës gjatë këtij mandati e ka cenuar demokracinë parlamentare në Kosovë.

    Të gjeturat e IKD-së nga monitorimi i Kuvendit të Kosovës janë shqetësuese për rendin demokratik: mungesë transparence në vendime dhe nxjerrje të ligjeve, vendime kundërkushtetuese e kundërligjore, moszbatim i rregullores së punës, Kuvendit iu ka pamindësuar të kërkojë llogari nga Qeveria, mazhoranca ka pamundësuar kuorumin dhe i ka dështuat seancat dhe komisionet hetimore, Qeveria nuk është përgjigjur në pyetjet e deputetëve dhe nuk ka marrë pjesë në seanca të jashtëzakonshme, e shumë gjetje të tjera që paraqiten në vijim.

    Edhe kur është hedhur gaz lotsjellës, Kuvendi ka funksionuar më mirë, ka qenë më transparent e më efikas dhe ka marrë vendime kushtetuese e ligjore.

    Ky degradim i punës së Kuvendit është cenim i demokracisë me pasoja të gjera për të gjithë aparatin shtetëror dhe shtyllat e pushtetit në Kosovës.

    Ja disa nga të gjeturat kryesore të raportit:

    1. Kuvendi me vendime në kundërshtim me Kushtetutën dhe të kundërligjshme.

    2. Viti 2023 nisi me tetë seanca plenare të papërfunduara nga viti 2022, me gjithsej 54 pika të rendit të ditës, dhe u përmbyll me 30 pika të papërfunduara që u bartën në 2024.

    3. Shumica parlamentare e keqpërdori mekanizmin e seancës së jashtëzakonshme për miratimin e pikave të rregullta të rendit të ditës.

    4. Kuvendi zhvilloi punime në tre raste pa e miratuar rendin e ditës.

    5. Shumica parlamentare pamundësoi kryerjen e mandatit të Komisionit Hetimor lidhur me furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore. Problemet që e përshkruan këtë komisionin ishin konstituimi i vonshëm i komisionit dhe mospjesëmarrja e vazhdueshme e anëtarëve të shumicës parlamentare.

    6. Deputetët ndërhynë në drejtësi duke bërë deklarata publike dhe duke sulmuar drejtues të organeve të drejtësisë.

    7. Kuvendi ka vazhduar të përballet me mungesë të thellë të transparencës duke vazhduar mospublikimin e materialeve nga seancat parlamentare. Kuvendi ka dështuar t’i publikojë materialet e komisioneve hetimore. Në faqen zyrtare nuk mund të gjendet asnjë procesverbal i mbledhjes publike i ndonjërit nga komisionet hetimore.

    8. Kuvendi ka dështuar të funksionalizojë votimin elektronik, duke pamundësuar përcjelljen e punës së deputetëve, si dhe nuk e publikon votimin e deputetëve me dorë menjëherë pas përfundimit të seancës plenare.

    9. Qeveria ka injoruar Kuvendin te pyetjet parlamentare, te komisionet hetimore dhe te debatet parlamentare për të dhënë përgjegjësi për punën e vet dhe për programin qeverisës.

    10. Lidhur me dialogun, Kryeministri nuk e ka mbajtur të informuar Kuvendin, siç kërkohet me rezoluta të Kuvendit. Kryeministri raportoi vetëm me kërkesë të grupeve parlamentare opozitare.

    11. Pati mungesë kronike të kuorumit që në shumicën e rasteve u shkaktua nga deputetët e shumicës parlamentare.

    12. Shumica parlamentare është treguar arrogante sa i përket bashkëpunimit me opozitën në miratimin e Ligjit për Ndarjet Buxhetore Vjetore për vitin 2024. Asnjë nga 54 amendamentet e propozuara në buxhetin vjetor të parashtruara nga deputetët e opozitës nuk janë votuar.

    13. Kuvendi ka shkelur standardet minimale të konsultimit publik për koeficientin e pagave duke e miratuar projektligjin me procedurë të përshpejtuar brenda një dite, që është në kundërshtim me Rregulloren ku parashihen dëgjimet publike legjislative.

    14. Kuvendi ka rritur përdorimin e miratimit të projektligjeve me shmangie nga afatet e rregullta.Kuvendi përdori procedurat e shmangies në 22 raste, pesë raste më shumë se sa në vitin 2022 dhe të gjitha propozimet erdhën nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.

    15. Në të vetmen interpelancë gjatë vitit 2023, kryeministri nuk qëndroi në sallë. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Brendshme nuk morën pjesë në seancën e jashtëzakonshme për të diskutuar mbi mbështetjen urgjente financiare për Policinë e Republikës së Kosovës.

  • Policia shqiptoi mbi dy mijë gjoba në trafik brenda 24 orëve

    Policia shqiptoi mbi dy mijë gjoba në trafik brenda 24 orëve

    Policia e Kosovës njofton se për 24 orë ka shqiptuar 2140 gjoba në trafik.

    Sipas policisë, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar disa aksidente në trafikun rrugor, ku 11 kanë qenë me lëndime, ndërsa 37 me dëme materiale.

    Policia njofton se janë arrestuar 18 persona, ndërkaq 11 të tjerë janë dërguar në mbajtje, kurse persona në vuajtje të dënimit janë dërguar 2.