ATV

Blog

  • IPK-ja po e heton çështjen e gradimit për rreshter në polici

    IPK-ja po e heton çështjen e gradimit për rreshter në polici

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Çështjen e gradimit të gjeneratës së 54-të të policisë, tashmë e ka marrë përsipër Inspektorati Policor i Kosovës.

    Pas shumë ankesave është themeluar një ekip hetues që do të merret me rastin.

    Këto deklarime kyreshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor i bëri teksa po raportonte në Komisionin për Siguri.

    Pyetjet që iu bënë atij ishin goxha të ngjashme me ato që ia bënë drejtorit të përgjithshëm të policisë, të premten e kaluar, veçanërisht rreth ndryshimeve në njësinë e hetimeve.

    Deklarimi i Hodajt, në lidhje me largimin e hetuesit, Shemsi Haziri, nxiti debat mes anëtarëve të komisionit.

    Gjatë raportimit të tij, Hodaj mes tjerash rreshtoi edhe, siç tha ai, të arriturat e IPK-së.

    Pjesë e inspektimit ishin edhe disa stacione policore në disa komuna, në të cilat kishte mungesa në pajisje, si ato teknologjike e deri tek ato personale të çdo polici.

  • Minatorët e Stan Tërgut në grevë, i kërkojnë pagat e prillit

    Minatorët e Stan Tërgut në grevë, i kërkojnë pagat e prillit

    Përgatiti: Armand Hoti

    Nëntoka e Stan Tërgut, qe e heshtur të hënën. Minatorët e ndërrimit të parë të minierës së “Trepçës”, refuzuan t’i përvishen punës.

    Ata hynë në grevë, meqë ende nuk i kanë marrë pagat e muajit prill.

    Nga sindikata e minatorëve të “Trepçës” thonë se menaxhmenti prishi përsëri marrëveshjen e nëntorit, e cila ndali grevën dhjetëditore të punëtorëve të minierës.

    “Arsyeja kryesore e futjes në këtë grevë ose protestë, është që nuk janë realizuar pagat. Ka qenë afati kohor dhe sipas një marrëveshje dhe sipas marrëveshjes së arritur me menaxhmentin dhe me bordin dhe me një pjesë të deputetëve, ka qenë afati kohor që nga data 5 deri më datën 10 të kryhen këto obligime”, tha kryetari i sindikatës së minatorëve të “Trepçës”, Ibrahim Jonuzi.

    Kryesindikalisti Ibrahim Jonuzi nuk tregoi sa do të zgjasë greva.

    Megjithatë, ai thotë se drejtori i minierës, Shyqyri Sadiku, iu kumtoi minatorëve se nëse i kthehen punës, pagat do të ekzekutohen të premten.

    “Datë se kur do i marrim pagat, nuk ka diçka konkrete, përveç se drejtori i minierës se nëse shkojnë në punë, këta do i marrin pagat në ditën e premte. Mirëpo, minatorët nuk kanë pranuar të hyjnë në vendin e punës, pa marrë sqarime konkrete nga kryeshefi ekzekutiv”, tha Jonuzi.

    Kështu i tha edhe kryeshefi i “Trepçës”, Bashkim Kurti, ATV-së, përmes telefonit.

    Eksperti i ekonomisë, Zekirija Shabani, ia lë fajin menaxhmentit dhe qeverisë për çalimin financiar të gjigantit të dikurshëm metalurgjik.

    “Ish-gjiganti metalurgjik tash nuk është në gjendje me operu normalisht, pak për shkak të menaxhmenteve ndër vite për ta zhvilluar si ndërmarrje dhe më shumë për shkak të mungesës së interesit të Qeverisë për të investuar dhe gjeneruar të hyra tamam për ta përpunuar xehen dhe koncentratin si duhet “Trepça” është në këtë gjendje që sot nuk ka mundësi t’i paguajë as punëtorët e vet”, tha Shabani.

    Për t’i siguruar pagat e rreth 1200 punëtorëve sa ndërmarrja numëron në total, shpesh është dashur intervenimi i qeverisë, përmes subvencionimit.

    Ndërkaq, njësia kryesore e “Trepçës”, në muajin mars nuk e prodhoi asnjë gram koncentrat të plumbit dhe zinkut, në mungesë të reagencave e dinamitit.

  • Pasuria e sekuestruar e Radojiçiqit në dispozicion për shfrytëzim nga shteti

    Pasuria e sekuestruar e Radojiçiqit në dispozicion për shfrytëzim nga shteti

    Përgatiti: Nora Luta

    Pasuria e sekuestruar e të dyshuarit kryesor për rastin Banjska, Milan Radojicic, është vënë në dispozicion për shfrytëzim nga shteti.

    Departamenti Special i Gjykatës Themelore të Prishtinës dha pëlqimin për dhënien me qira të aseteve të sekuestruara, pas plotfuqishmërisë së urdhrit ndalues përfundimtar.

    Aty përfshihet vila te Ujmani në Zubin Potok, banesa “Penthouse” dhe restoranti “Grey” në Mitrovicë të Veriut, përfshirë edhe zyrën si aneks i këtij restoranti.

    Sipas KGJK-së, gjykata pas kërkesës së Agjencisë për Menaxhimin e pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar ka dhënë pëlqim që ato të shfrytëzohen në mënyrën më të mirë të mundshme.

    Ndërsa, urdhrat ndalues ia ka dërguar edhe Odës së Noterëve dhe Agjencisë Kadastrale, në mënyrë që të mos lejohet ndryshimi i pronësisë deri në përfundim të procesit gjyqësor.

    “Gjykata, pas plotfuqishmërisë së urdhrave ndalues, me të cilat janë ndaluar përfundimisht astet e lart-theksuara (vila, banesa dhe restoranti me aneksin e tij) me datë 25.03.2024, këto urdhra ia ka dërguar për ekzekutim Odës së Noterëve të Kosovës, Agjencisë Kadastrale të Kosovës dhe Agjencisë për Menaxhimin e Aseteve të Sekuestruara dhe Konfiskuara. Gjykata me datë 26.04.2024, sipas kërkesës së Agjencisë për Menaxhimin e Aseteve të Sekuestruara dhe Konfiskuara, ka dhënë pëlqimin e lëshimit me qira të këtyre aseteve, pasi që nga kjo agjenci si kompetente për administrimin e këtyre aseteve është vlerësuar se forma më e duhur për administrimin e këtyre aseteve është dhënia me qira e tyre”, thuhet në përgjigjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

    Në rastin e Banjskës, Gjykata ka bërë edhe konfiskim automatik.

    “Gjykata, në këtë rast ka bërë konfiskimin e përhershëm (automatik) dhe sekuestrimin e përkohshëm të aseteve sipas urdhrit ndalues përfundimtar deri në marrjen e vendimit final lidhur me këto asete. Gjykata konfiskim automatik ka bërë të armëve, municioneve (respektivisht armatimit) të përdorur e të kapur në vendin e ngjarjes, e po ashtu edhe të veturave të përdorura në këtë sulm të armatosur-terrorist, si mjete jashtë qarkullimit dhe qenësisht të rrezikshme për siguri”, thuhet më tej në përgjigjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

    E vila, për të cilën ministri Xhelal Sveçla pati thënë se do të mund të shfrytëzohet si stacion policor, vazhdon të sigurohet nga Policia.

    Nga Agjencia përmes një përgjigjeje me shkrim i kanë thënë televizionit se vlerësimi i aseteve është ende në fazën e vlerësimit dhe sekuestrimit, dhe se për këtë ende nuk ka ndonjë vendim për dhënie në shfrytëzim.

    Ndërkohë, Prokuroria Speciale është duke vazhduar hetimin lidhur me sulmin terrorist-paramilitar në Banjskë, ndërsa tre të arrestuarit janë në paraburgim.
    Vladimir Tolic, Dusan Maksimovic, Milan dhe Blagoje Spasojevic, siç kupton televizioni janë intervistuar nga Prokuroria Speciale në fund të muajit të kaluar, por kanë shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje.

    Përgjegjësinë për udhëheqjen dhe organizimin e sulmit më 24 Shtator, në të cilin mbeti i vrarë rreshteri i Policisë, heroi Afrim Bunjaku, disa ditë pas ngjarjes e mori atëkohë nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq.

  • Aliu takon udhëheqësin e Zyrës së ASK-së në Ferizaj dhe koordinatoren rajonale, fton qytetarët të kryejnë regjistrimin

    Aliu takon udhëheqësin e Zyrës së ASK-së në Ferizaj dhe koordinatoren rajonale, fton qytetarët të kryejnë regjistrimin

    Kryetari i komunës se Ferizajt, Agim Aliu ka takuar udhëheqësin e Zyrës së Agjencisë së Statistikave në Ferizaj, anëtarin e KKR-së, Bahri Sejdiu dhe koordinatoren rajonale Fitore Qorrolli Mejzinolli, të cilët tha se i ka përgëzuar për punën e deritashme.

    Në fotografinë e publikuar, Aliu ka shkruar se fton qytetarët ti përgjigjen pozitivisht regjistruesve.

    “Procesi i Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave është tashmë në 4 ditëshin e fundit, andaj me qëllim të falënderimit 🙏🏻për punën e jashtëzakonshme që është bërë, mirëprita këtë mëngjes, udhëheqësin e Zyrës së Agjencisë së Statistikave në Ferizaj, anëtarin e KKR-së, z. Bahri Sejdiu dhe koordinatoren rajonale znj. Fitore Qorrolli Mejzinolli, të cilët i përgëzova që bashkë me Komisionin Komunal, po bëjnë punë të jashtëzakonshme për këtë proces me rëndësi shtetërore e shoqërore.
    Bashkëqytetarë që ende nuk jeni regjistruar, ju lutem t’i përgjigjeni pozitivisht regjistruesit/es në ekonominë tuaj familjare.
    Planifiko të ardhmen, REGJISTROHU!”.

  • Funksionalizohet Zyra për Rikthimin e Aseteve, në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit

    Funksionalizohet Zyra për Rikthimin e Aseteve, në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit

    Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit Besim Kelmendi mori pjesë në takimin e thirrur nga Udhëheqësi i Zyrës për Rikthim të Aseteve, Bahri Hyseni, me përfaqësuesit e institucioneve ligjzbatuese, konkretisht nga Policia e Kosovës, Njësiti për Inteligjencë Financiare, Agjencia për Menaxhimin e Aseteve të Konfiskuara dhe të Sekuestruara, Administrata Tatimore e Kosovës dhe Dogana e Kosovës.

    Gjatë këtij takimi u bë funksionalizimi i Zyrës për Rikthimin e Aseteve, e cila është themeluar në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe ofron ndihmë dhe këshilla në gjurmimin e pasurisë, bashkëpunimin me institucione financiare, kontabilitet forenzikë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar për arritjen e synimeve të prokurorëve të rastit për kthimin e pasurisë së fituar përmes veprës penale.

    Me këtë rast Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, përshëndeti funksionalizimin e kësaj Zyreje, duke falënderuar përfaqësuesit e Institutit të Bazelit për Qeverisje dhe UNDP-së për mbështetjen dhe ndihmën e dhënë në forma të ndryshme për themelimin e Zyrës së Rikthimit të Aseteve dhe shprehu gatishmërinë e tij për bashkëpunim me të gjitha institucionet tjera ligj-zbatuese me qëllim të funksionimit sa më të mirë të kësaj Zyreje.

    Poashtu në këtë takim prokurori nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, njëkohësit Udhëheqës i Zyrës për Rikthim të Aseteve, Bahri Hyseni, i njoftoi përfaqësuesit e institucioneve ligjzbatuese me rolin dhe me kompetencat e kësaj Zyreje, ndërkaq zyrtarët e deleguar prezantuan ekspertizën e tyre të deri tanishme.

    Temë e diskutimeve të përbashkëta gjatë këtij takimi ishte edhe plani për procedurat standarde të veprimit, hapat e ardhshëm të Zyrës, si dhe planifikimi i aktiviteteve në terren.

    Në këtë takim morën pjesë edhe përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, të Ambasadës Britanike në Prishtinë, të Zyrës së UNDP-së në Kosovë dhe Zyrës së BE-së në Kosovë.

  • KQZ: Mijëra të rinj anembanë Kosovës pjesë e fushatës informuese “Zëri yt, vota jote!”

    KQZ: Mijëra të rinj anembanë Kosovës pjesë e fushatës informuese “Zëri yt, vota jote!”

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar fushatën për edukimin dhe informimin e votuesve të rinj për procesin zgjedhor në vend.

    Me anë të këtij projekti, i cili do të përfundojë më 31 maj 2024, të rinjtë do të informohen për të drejtën е tyre për të votuar, procesin zgjedhor, sistemin dhe procedurat zgjedhore, si dhe për ndikimin që mund të ketë vota е tyre në përcaktimin e përzgjedhjes së përfaqësuesve të tyre.

    Po ashtu, të rinjtë do të informohen për caktimin e qendrës së tyre të votimit dhe për mundësinë e ndërrimit të saj në çdo kohë.

    Përmbushja e këtyre objektivave do të arrihet përmes organizimit të ligjëratave, diskutimeve, simulimit të votimit, shpërndarjes së materialeve informuese/vetëdijesuese të cilat do të organizohen në shkolla të mesme dhe në sallat e asambleve komunale.

    Në fund të çdo ligjërate, do të bëhet simulimi i votimit me qëllim të informimit se si të plotësohet një fletëvotim në mënyrë që të jetë i vlefshëm.

  • Kryediplomati ukrainas takon Vuçiqin dhe Vuçeviqin në Beograd

    Kryediplomati ukrainas takon Vuçiqin dhe Vuçeviqin në Beograd

    Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq i ka thënë të hënën ministrit të Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba që Serbia është e përkushtuar për respektim të ligjit ndërkombëtar dhe integritetit territorial të secilit vend anëtar të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Ukrainën.

    Kuleba është duke e vizituar Beogradin bashkë me Olena Zelenskan, gruan e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

    Kjo është vizita e parë e një zyrtari të lartë ukrainas në Serbi, qysh prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

    Kuleba është takuar edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe është planifikuar një takim me kryetaren e Kuvendit serb, Ana Bërnabiq.

    Qeveria e Serbisë ka thënë se kryeministri Vuçeviq dhe ministri Kuleba kanë diskutuar për situatën aktuale në fushën e sigurisë dhe politikës në nivel global, si dhe për mundësinë e bashkëpunimit ekonomik në mes të të dyja vendeve.

    “Ne jemi të hapur ndaj të gjitha çështjeve”, ka thënë kryeministri Vuçeviq dhe e ka falënderuar Kuleban që e ka përmendur ndihmën humanitare që Serbia e ka ndarë për popullin ukrainas.

    Sipas Qeverisë serbe, Kuleba ka thënë se shkuarja e tij në Serbi përçon mesazh që ka hapësirë për t’i forcuar marrëdhëniet në mes të këtyre dy vendeve.

    “Serbia dhe Ukraina kanë shumë dallime, por edhe shumë të përbashkëta, dhe kjo është arsyeja se mund të ndërtojmë të ardhme të përbashkët në shumë fusha”, është cituar të ketë thënë Kuleba.

    Zelenska dhe Kuleba e kanë nisur vizitën në Serbi 10 ditë pas formimit të Qeverisë së re, pjesë e së cilës janë dy emra të afërt me Rusinë, për çka Beogradi është kritikuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

    I pari është Aleksandar Vullin, zëvendëskryeministri pro-rus dhe ish-shefi i shërbimit të inteligjencës.

    I dyti është Nenad Popoviq, ministër pa portofol, i cili ka lidhje politike dhe biznesore në Rusi.

    Të dy janë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara.

    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është takuar me liderin ukrainas, Volodymyr Zelenky tri herë prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, dhe hera e fundit ka qenë në shkurt, në Tiranë.

    Serbia e mbështet integritetin territorial të Ukrainës, që përfshin edhe Gadishullin e Krimesë, i cili është aneksuar nga Rusia më 2014.

    Megjithatë, ndonëse është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia nuk e ka harmonizuar politikën e jashtme me atë të Brukselit, dhe nuk u është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë.

    Prej vitit 2022, Serbia ka pranuar mijëra refugjatë ukrainas, ka dërguar ndihmë humanitare në Ukrainë dhe është zotuar se do ta ndihmojë Kievin për t’u rindërtuar.

  • ​Liderët bullgarë: Bullgaria nuk pranon deklarata dhe sjellje që bien ndesh me Traktatin e Miqësisë me Shkupin

    ​Liderët bullgarë: Bullgaria nuk pranon deklarata dhe sjellje që bien ndesh me Traktatin e Miqësisë me Shkupin

    Presidenti bllullgar Rumen Radev dhe kryeministri i përkohshëm Dimitar Glavçev deklaruan qëndrime të hënën në të cilat thanë se Bullgaria nuk pranon deklarata dhe sjellje që kundërshtojnë Traktatin e Miqësisë të vitit 2017, traktatet e tjera të nënshkruara nga Shkupi. Komentet e tyre erdhën pas ceremonisë së inaugurimit të Presidentes së sapozgjedhur të Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.

    Presidenti Rumen Radev tha se Bullgaria nuk pranon deklarata dhe sjellje që bien ndesh me Traktatin e Miqësisë, Fqinjësisë dhe Bashkëpunimit të vitit 2017 dhe traktatet e tjera ndërkombëtare që ka nënshkruar Republika e Maqedonisë së Veriut. Qëndrimi i tij u bë i ditur nga sekretariati i shtypit i Presidentit.

    Bullgaria vazhdimisht dhe qartë e ka shprehur qëndrimin e saj se traktatet duhet të zbatohen, vuri në dukje presidenti Rumen Radev. Ai rikujtoi se Maqedonia e Veriut është shtet anëtar i NATO-s, gjë që ka detyrime dhe përgjegjësi përkatëse.

    “Jam i bindur se perspektiva evropiane e Republikës së Maqedonisë së Veriut varet nga zbatimi rigoroz i traktateve ndërkombëtare në të cilat është palë si dhe për kornizën negociuese, të miratuar nga Këshilli Evropian në korrik të vitit 2022″, tha presidenti. Sipas tij, korniza nuk do të rishikohet – një fakt të cilin ai ua ka treguar institucioneve përgjegjëse në Shkup.

    Glavçev lëshoi gjithashtu një deklaratë, të shpërndarë nga shërbimi për shtyp i qeverisë, në të cilën thuhet se Bullgaria nuk pranon deklarata dhe sjellje që bien ndesh me Traktatin e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të vitit 2017 dhe marrëveshjet në parim ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.

    “Bullgaria vazhdimisht dhe qartë e ka shprehur qëndrimin e saj se marrëveshjet duhet të zbatohen në mënyrë rigoroze. Kujtojmë se Republika e Maqedonisë së Veriut është shtet anëtar i NATO-s, që nënkupton detyrime dhe përgjegjësi përkatëse”, tha Glavçev.

    “Ne jemi të bindur se perspektiva evropiane e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të varet tërësisht nga zbatimi gjithëpërfshirës i marrëveshjeve të dakorduara nga të gjithë në korrik të vitit 2022”, thuhet më tej në deklaratë.

    Komisioni Shtetëror Zgjedhor i Maqedonisë së Veriut, pas një takimi më 11 maj, shpalli rezultatet përfundimtare zyrtare të zgjedhjeve të 8 majit për president dhe parlamentin e ri të vendit. Gordana Siljanovska-Davkova u zgjodh presidente e Republikës së Maqedonisë së Veriut me shumicën e votave të hedhura – 561.000 vota kundër 251.899 të kundërshtarit të saj Stevo Pendarovski. Ajo u betua para Parlamentit në Shkup. Gjatë ceremonisë, Siljanovska tha se ajo beton të “kryejë funksionet e presidentes së Maqedonisë me mirëbesim dhe përgjegjësi”. Në fushatën e saj elektorale, Siljanovska disa herë ka deklaruar se nuk do ta përdor emrin zyrtar të vendit të saj “Maqedonia e Veriut”, i cili është miratuar me Marrëveshjen e Prespës të vitit 2018 me Greqinë. /BTA/

  • ​Vritet një polic në Fier, shkak një sherr i çastit

    ​Vritet një polic në Fier, shkak një sherr i çastit

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e kësaj të hëne në fshatin Baltëz të Fierit, ku raportohet se, gjatë një konflikti të çastit, ka mbetur i vdekur një punonjës policie i repartit “Shqiponja”.

    Sipas policisë së Fierit, shtetasi A. M. ka vrarë me armë zjarri shtetasin N. C., punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier, jashtë shërbimi, por i veshur me uniformën e Policisë, pasi shkonte për të marrë shërbimin.

    Menjëherë në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë, Forca Kombëtare e Sigurisë, Reparti Special “RENEA”, të cilat kanë rrethuar zonën dhe vijojnë punën për kapjen e autorit.

    “Fier/Informacion paraprak: Rreth orës 13:15, në fshatin Baltëz, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, shtetasi A. M. ka vrarë me armë zjarri shtetasin N. C., punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier, jashtë shërbimi, por i veshur me uniformën e Policisë, pasi shkonte për të marrë shërbimin.

    Menjëherë në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë, Forca Kombëtare e Sigurisë, Reparti Special “RENEA”, të cilat kanë rrethuar zonën dhe vijojnë punën për kapjen e autorit.

    Grupi hetimor dhe drejtues të Departamentit të Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.”, thuhet në njoftimin e Policisë së Fierit, shkruan A2Cnn.

  • ​Ftesa e Kurtit ndaj opozitës vlerësohet e pasinqertë, diskutimi për zgjedhje i pashmangshëm

    ​Ftesa e Kurtit ndaj opozitës vlerësohet e pasinqertë, diskutimi për zgjedhje i pashmangshëm

    Ftesa e kryeministrit Albin Kurti për takim me partitë opozitare është e pasinqertë, thotë politologu, Fidan Ukaj. Sipas tij, LDK dhe AAK me të drejtë e kanë refuzuar ftesën, ndërkaq shton se në takimin e sotëm të Kurtit me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi krahas diskutimit për agjendën legjislative pashmangshëm do të flitet edhe për zgjedhjet e parakohshme.

    Ukaj, thotë për KosovaPress se kryeministri Kurti do të tentojë të gjejë konsensus për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe kodit civil në Kuvend.

    “Letra e kryeministrit Kurti në adresë të partive opozitare është e pasinqertë, sepse kërkesa ose tema që zotëri Kurti iu është drejtuar partive opozitare nuk është në domenin e kryeministrit, por është fushë e legjislativit që përfaqëson kryeparlamentari Konjufca. Mendoj se është më shumë një arsyetim i temave të tjera që do të diskutoheshin nëse eventualisht do të kishte një akordim që mund t’i jepnin partitë opozitare. Temë pashmangshëm do të ishte mundësia e gjetjes së votave nga partitë opozitare për kalimin e kodit civil, po ashtu edhe përkrahja për dërgimin e draftit për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Pashmangshëm që edhe tema e zgjedhjeve do të ishte temë e diskutimit”, thekson Ukaj.

    Siç thekson Ukaj, nuk është në domenin e kryeministrit Kurti që t’i ftoi partitë opozitare për takim që lidhen me agjendën legjislative, pasi e njëjta i takon kryeparlamentarit Glauk Konjufca, në nivel të shefave të grupeve parlamentare.

    “Mendoj se me të drejtë. Shumë profesionale ka qenë përgjigja e AAK-së, duke rikujtuar se grupin parlamentar të AAK-së e përfaqëson Besnik Tahiri dhe nëse ka të bëjë me legjislativin, atëherë ftesa duhet t’i drejtohet në adresë të grupit parlamentar dhe jo në adresë të kryetarit të partisë. Mendoj se ka qenë më shumë një ftesë që prapa saj fshihen tema të tjera dhe siç duket nuk ka hasur në mirëkuptimin e partive opozitare. Edhe PDK-ja që iu është përgjigjur pozitivisht takimit, megjithatë vjen me kërkesë për diskutim për procesin e ri zgjedhor”, thotë ai.

    Të nevojshme Ukaj e konsideron miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend. Mirëpo, sipas tij, kreu qeveritar dëshiron të marrë përkrahjen e partive opozitare në situatën kritike që gjendet Kosova, kur po i kërkohet të dërgojë draft-statutin e Asociacionit për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

    “Kalimi i marrëveshjeve ndërkombëtare janë miliona euro që presin për me i marrë dy të tretat e votave në Kuvend, mund të jetë njëra nga temat, por ne gjendemi në një fazë kritike të rrugës së Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës dhe po ashtu kemi kërkesën që me dërgua për interpretim draftin e Asociacionit. Kryeministri ka dal jashtë domenit të përgjegjësive të veta dhe mendoj se më shumë ka qenë një kamuflim ftesa drejt partive opozitare sesa një fushë që kryeministri e mbulon. Shumë më e sinqertë do të ishte që me potencua në ftesën që temë diskutimi do të jetë mundësia e kalimit të kodit civil dhe përkrahja për me dërgua draftin në kushtetuese dhe mundësia që Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, deklaron ai.

    Megjithatë, Ukaj vlerëson se për dakrodimin për zgjedhjet e parakohshme duhet pajtim nga të gjitha partitë parlamentare.

    “Diskutimet bëhen me të gjitha partitë politike dhe mbetet të shihet a do të pranoj kryeministri Kurti që vetëm me PDK-në, përveç diskutimit për pjesën legjislative të diskutohet edhe tema e zgjedhjeve. Mendoj se është shumë e sinqertë që të potencoheshin të gjitha temat dhe mendoj se edhe partitë opozitare do t’i përgjigjeshin pozitivisht”, përfundon Ukaj.

    Kurti sot do të takohet me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, për të diskutuar siç është thënë në ftesë për agjendën legjislative të Kuvendit, ndërkaq lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradianj e kanë refuzuar të njëjtin.