ATV

Blog

  • Vetitë shëruese të boronicave

    Vetitë shëruese të boronicave

    Boronicat janë të ëmbla, ushqyese dhe shumë të shëndetshme. Këto fruta kaq të vogla i bëjnë kaq mirë trupit dhe mendjes sonë.

    Antioksidantët që gjenden te boronicat janë aq të forta sa janë të afta për të neutralizuar radikalet e lira që lidhen me zhvillimin e disa sëmundjeve kardiovaskulare apo tumorale.

    Pa yndyra dhe me vetëm 84 kalori për një kupë, boronicat janë të pasura me fibra që të mbajnë të ngopur për një kohë të gjatë.

    Këto janë 10 vlerat më të mira të boronicave:

    Kanë pak kalori, por shumë vlera ushqyese

    Boronica është një frut i vogël me ngjyrë blu të purpurt. Boronica janë të vogla, rreth 5-16 milimetra në diametër, dhe një kurorë të vogël në majë. Ato janë ndër manaferrat më vlerat më të mëdha ushqyese. Një kupë (148 gramë) boronica përmban; Fibër 4 gramë, 24% të nevojave ditore për Vitaminë C, 36% të nevojave për Vitaminë K, 25% të nevojave ditore për manganez. Ato kanë 85% ujë në përbërje.

    Antioksidantë të fortë

    Ato kanë kapacitetin më të lartë antioksidant ndër të gjitha frutat dhe perimet që konsumojmë zakonisht. Flavonoidët e gjendur tek boronicat janë përbërësi më i mirë antioksdant, shkruan EO. Është vërtetuar se këta përbërës rrisin nivelin antioksidues brenda trupit.

    Ulin dëmtimin e ADN-së, duke ndihmuar në mbrojtjen kundër plakjes dhe ndaj tumoreve

    Dëmtimi i ADN-së është pjesë e jetës së përditshme. Thuhet se kjo ndodh dhjetëra mijëra herë në ditë, në çdo qelizë të trupit. Dëmtimi i ADN-së është pjesë e arsyes që ne plakemi dhe ky dëmtim luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e sëmundjeve tumorale. Për shkak se boronicat kanë sasi të mëdha antioksidantësh, ato ndihmojnë të neutralizohen disa nga radikalet e lira që shkaktojnë dëmtimin e ADN-së tonë. Në një studim që zgjati 4 javë, 168 pjesëmarrës pinë 1 litër përzierje të boronicës me lëng molle, çdo ditë. Në fund të studimit, dëmtimi oksidativ i ADN-së, për shkak të radikaleve të lira, u reduktua me 20%.

    Mbrojnë kolesterolin në gjak

    Dëmtimi oksidativ nuk ndodh vetëm në qelizat tona dhe në ADN. Ky dëmtim është gjithashtu problematik kur lipoproteina (kolesteroli “i keq”) oksidohet. Në fakt, oksidimi i kolesterolit të keq ndikon shumë në zhvillimin e sëmundjeve të zemrës. 50 gramë boronica në ditë shërbyen për të ulur oksidimin e kolesterolit me 27% në disa pjesëmarrës të shëndoshë, pas një periudhe prej tetë javësh.

    Ulin tensionin e gjakut

    Në një studim, individë me rrezik të lartë për sëmundje të zemrës vërejtën një ulje 4-6% të presionit të gjakut (tensionit të lartë), pas konsumimit të 50 gramë boronica në ditë, për tetë javë.

    Ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve të zemrës

    Është e rëndësishme të kuptohet se kur flasim për ulje të rrezikut përmes konsumit të boronicave, flasim për faktorët e rrezikut, jo për sëmundjet aktuale. Në një studim të vitit 2013, 93,600 infermierë konsumuan shumë antocinisis (antioksidantë kryesorë që gjenden te boronica) duke ulur me 32% rrezikun për atak të zemrës.
    Ndihmojnë në funksionimin e trurit dhe në përmirësimin e kujtesës
    Antioksidantët përbërës të boronicave duket se kanë ndikime pozitive në funksionimin e trurit duke vonuar edhe rënien e funksioneve të tij të lidhura me moshën. Një studim që zgjati gjashtë vjet, ku morën pjesë 16,010 të moshuar vërtetoi se boronicat dhe luleshtrydhet vonuan plakjen me deri 2.5 vjet.

    Kanë efekt anti-diabetik

    Boronicat kanë shumë më pak sheqer krahasuar me frutat e tjera. Një kupë përmban vetëm 15 gramë sheqer natyral, aq sa një mollë e vogël apo një portokall.
    Përbërësit e boronicave ndihmojnë në luftën kundër infeksioneve urinare
    Boronicat përmbajnë substanca që mund të parandalojnë veshjen e mureve të fshikëzës nga baktere të ndryshme. Këto përbërës janë të dobishëm në parandalimin e infeksioneve të traktit urinar.

    Ndihmojnë në uljen e dëmtimit të muskujve pas stërvitjes

    Stërvitja e fortë për trupin mund të çojë në dhimbje të muskujve dhe lodhje. Kjo nxitet pjesërisht nga inflamacioni dhe stresi oksidativ në indet e muskujve. Është e qartë se boronicat janë tepër të shëndetshme. Konsumi i boronicave mund të zvogëlojë dëmin që ndodh në nivel molekular, duke minimizuar dhimbjet dhe reduktuar uljen në performancën e muskujve. Fakti që ato janë të shijshme, me ngjyrë të bukur dhe mund të shijohen si të freskëta edhe të ngrira, i bën ato edhe më të mira.

  • Rusia vazhdon sulmet në Harkiv

    Rusia vazhdon sulmet në Harkiv

    Katër persona janë plagosur në sulmet e reja ruse në qytetin e Harkivit në verilindje të Ukrainës, thanë zyrtarët ukrainas më 14 maj.

    Një burrë dhe tri gra u plagosën nga granatimet e forcave ruse në orët e para të së martës, tha Oleh Sinehubov, guvernator i rajonit të Harkivit, ku gjendet edhe qyteti me po të njëjtin emër.

    Sinhubov shkroi në Telegram se Rusia sulmoi qytetin e dytë më të madh të Ukrainës me bombat e reja UMPB D-30, që janë bomba me precizitet të lartë dhe veprojnë sikurse raketat lundruese.

    Përdorimi i këtyre lloj bombash nuk ka mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur, ndërkaq Moska ende nuk ka komentuar për këto pretendime të Ukrainës.

    Si Ukraina, ashtu edhe Rusia, thonë se nuk sulmojnë civilët në lutën që Moska nisi kundër Kievit në shkurt të vitit 2022.

    Lufta ka vrarë mijëra persona, ka detyruar miliona të tjerë të zhvendosen dhe i ka shndërruar qytetet ukrainase në gërmadha.

    Në ditët e fundit, Rusia po shtyn përpara një sulm tokësor të saj në rajonin e Harkivit, që gjendet pranë kufirit me Rusinë. Moska po sulmon zona të reja me grupe të vogla ushtarësh, duke zgjeruar frontin, kanë thënë zyrtarët ukrainas.

    Sulmet e reja ruse në Harkiv po ndodhin në ditën kur sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, po qëndron në Ukrainë në një vizitë të paparalajmëruar, gjatë së cilës do të takohet me krerët shtetërorë ukrainas.

    Qëllimi i vizitës, sipas zyrtarëve amerikanë, është që të riafirmohet mbështetja e Uashingtonit për Kievin, forcat e të cilit po përballen me pushtimin rus për më shumë se dy vjet./REL/

  • Presidentja Osmani merr pjesë në Samitin e Kopenhagës për Demokraci

    Presidentja Osmani merr pjesë në Samitin e Kopenhagës për Demokraci

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Mbretërinë e Danimarkës ku do të marrë pjesë në Samitin e Kopenhagës për Demokraci.

    Në Samit, Presidentja Osmani do të ketë fjalim kryesor dhe diskutim mbi përpjekjet e Kosovës për mbrojtjen dhe forcimin e demokracisë, si dhe për rëndësinë e integrimit të vendit tonë dhe të vendeve tjera aspiruese në institucionet euroatlantike në dritë të zhvillimeve gjeopolitike.

    Përgjatë vizitës në Mbretërinë e Danimarkës, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime me liderë shtetëror.

    Po ashtu, Presidentja Osmani do ta takojë edhe mërgatën shqiptare në këtë shtet.

  • Moti sot i vranët dhe me intervale me diell

    Moti sot i vranët dhe me intervale me diell

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell.

    Sipas këtij instituti, temperaturat maksimale të ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 15-18 gradë Celsius.

    “Moti vranët dhe me intervale me diell. Vranësirat gjatë ditës parashihen të sjellin reshje me shkarkime rrufesh.Në disa zona të izoluara për shkak të zhvillimeve të mëdha të vranësirave konvektive, ekziston rrezik për reshje të breshërit”.

    “Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 5-8 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 15-18 gradë Celsius, Do të fryjë erë nga drejtimi i veriperëndimit me shpejtësi 1-7m/s”, thuhet tutje në njoftimin e IHMK-së.

  • Krasniqi: Kosova është në agoni, nganjëherë preokupimet e qytetarëve nuk po janë preokupimet e Kurtit

    Krasniqi: Kosova është në agoni, nganjëherë preokupimet e qytetarëve nuk po janë preokupimet e Kurtit

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas takimit që pati me kryeministrin Albin Kurti, tha para gazetarëve se kanë folur për ekonominë e stagnuar, arsimin dhe temat të tjera, ku përfshihet edhe rrezikimi i Kosovës në KiE.

    “Konsideroj që është shumë e rëndësishme që t’ia shpreh qëndrimet e mija dhe PDK-së drejtpërdrejt dhe qartë. Është evidente që unë dhe Kurti mund të kemi lexime të ndryshme të situatës dhe besoj që ndonjëherë edhe preokupimet e qytetarëve nuk janë preokupimet e Kurtit”

    “Unë besoj se nga takimet që kemi në çdo cep të Kosovës, se ne nuk jemi në gjendje të mirë. Kosova është në agoni. Kemi një ekonomi të stagnuar, rritje të cmimeve me paga dhe pensione të vogla. Arsim të degraduar. Për më shumë një paralament jofunksional të cilin e dini nga java në javë, barten pikat pa pasur mundësi me i kalu”.

    “Tani kemi një situatë për sa i përket KiE. Nuk ka asnjë siguri që kjo do të ndodh, përkundarzi veçse do ketë dështim që secili prej nesh jemi munduar të ketë suksese. Ia shpreha Kurtit që konsideroj që duhet ta përshpejtojmë punën për t’i dhënë zgjidhje këtyre temave”, u përgjigj kreu i PDK-së, i pyetur nga gazetarët pse ai vendosi ta takojë Kurtin, ndryshe nga liderët e tjerë opozitarë.

  • Kurti kërkon ndihmën e opozitës për votimin e 13 marrëveshjeve ndërkombëtare, biseduan edhe për zgjedhjet

    Kurti kërkon ndihmën e opozitës për votimin e 13 marrëveshjeve ndërkombëtare, biseduan edhe për zgjedhjet

    Kryeministri Albin Kurti, pas darkës me Memli Krasniqin e PDK-së, ka kërkuar bashkëpunim nga partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare për të cilat nevojiten 2/3 e deputetëve.

    Ai tha se kjo është interes i Kosovës.

    “Sonte diskutuam çështje të aktualitetit politik, por me theks të veçantë të agjendës legjistative. Ne i kemi 13 marrëveshje ndërkombëtare të cilat janë në pritje për t’u votuar. Dihet që nuk mjafton shumica e thjeshtë, por nevojiten 2/3 e deputetëve. Gjithashtu e kemI edhe një marrëveshje kornizë ndërkombëtare ushtarake dhe i kemi pesë projektligje, në lexim të parë dhe të dytë për të cilën neve na nevojitet mbështetja e opozitës, apo me mirë të them bashkëpunimi me ta sepse konsiderojmë që është çështje e interesit të përgjithshëm”, tha Kurti.

    Por, Kurti ka shpalosur para gazetarëve se në darkën që ka zgjatur më shumë se dy orë kanë diskutuar dhe për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

    Kurti përsëriti se VV-ja është e gatshme të bisedohet se “në cilën stinë duhet të shkohet në zgjedhje”, por shtoi se për shpërndarjen e Kuvendit nevojiten 80 vota.

    “Që nga marsi i këtij viti nuk mund të themi që zgjedhjet janë çështje të viteve por të muajve…Jam i interesuar që të diskutojë se cilën stinë duhet të mbahet. Le ta bëjmë debatin ne kuadër të fushatës zgjedhore ndërkohë që jemi pajtuar se kur do të mbahen zgjedhjet. Duhet të diskutojmë me të gjitha subjektet politike dhe cila është data për të cilën do të pajtoheshim. Unë i kam ftuar që të gjitha partitë sonte e falënderoj udhëheqjen e PDK-së që i është përgjigjur pozitivisht. Për shpërndarjen e Kuvendit nevojiten 80 vota LVV-së nuk i ka por njëkohësisht që nuk do të preferoja shpërndarjen e kuvendit me 2 parti.. Është e rëndësishëm që të jemi sa më konsensus për datën dhe muajin e zgjedhjeve. Unë nuk mund ta përcaktoj datën e zgjedhjeve verë edhe po ta kisha mundësinë nuk do ishte në rregull që unë ta caktoj. Nuk shpërndahet kuvendi me shum8cë të thjeshtë nevojiten 80 deputetë ne nuk jemi opozita.. më lejoni që të shohim edhe pak diskutimin me dy partitë opozitare”, tha Kurti.

  • “Publikimi i raportimeve për dhunë, i rrezikshëm për viktimat”

    “Publikimi i raportimeve për dhunë, i rrezikshëm për viktimat”

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Pothuajse çdo ditë në adresë të policisë ka raportime për dhunë në familje.

    Por të shpeshta janë edhe rastet kur deklarata e viktimës del përtej stacionit policor, e bëhet publike për media.

    Për këtë është në dijeni edhe inspektorati policor, por sipas tij, këto raste janë zor të vërtetueshme.

    “Është tepër sfiduese, kemi disa raste që i kemi iniciuar dhe kemi zhvilluar hetime, është problematikë për me arritë me vërtetu, por gjithashtu është temë që nuk e kemi harru dhe jemi duke punuar që me marrë masa”, tha kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor, Kushtrim Hodaj.

    Kësisoj, vetëm një rast është evidentuar nga ana e inspektoratit si “zbulim i fshehtësisë zyrtare”, gjatë vitit të kaluar.

    Një gjë e tillë kritikohet edhe nga ana e juristëve meqë thonë se publikimi dëmton viktimën.

    “Konsideroj se është e dëmshme edhe për viktimën. Këto raste kur paraqiten në publik veçse po dënohet personi nga ndjekësit e lajmeve me komente të ndryshme”, tha Halit Shaljani, avokat.

    Nga Asociacioni i Gazetarëve thanë se kjo çështje asnjëherë nuk është diskutuar nga ana e anëtarëve të bordit, pasi, sipas tyre, për këto raste vendosin vetë mediat, në bazë të politikave të tyre.

    Rastet e zbulimit të identitetit dhe deklaratës së viktimës, thonë se ndikojnë negativisht në raportimet e rasteve në polici, nga frika se mund të zbulohen.

  • “Stilolaps e gërshërë”, tre nxënës rrihen brenda shkollës në Gjakovë

    “Stilolaps e gërshërë”, tre nxënës rrihen brenda shkollës në Gjakovë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Njollat e gjakut nga rrahja mes nxënësve në shkollën fillore “Selman Riza” në Gjakovë, kanë mbetur ende.

    Dy nxënës të moshës 14 vjeçare, gjatë përleshjes, përdorën stilolaps dhe gërshërë, duke i shkaktuar njëri-tjetrit lëndime trupore.

    Ata morën trajtim mjekësor në spitalin e Gjakovës.

    Ndaj dy nxënësve, nga drejtoria e shkollës thonë se do të ketë masa ndëshkimore.

    “Ne si shkollë, do të ndërmarrim masa konform ligjit, dhe do i shohim edhe faktet e tjera, i kemi edhe kamerat dhe e shohim gjendjen qysh është”, tha drejtori i shkollës, tha Gjokë Osmani.

    Derisa shkaqet që çuan deri në përleshjen mes nxënësve ende nuk dihen, Policia në Gjakovë njoftoi se rasti është duke vazhduar me procedurë të rregullt hetimore.

    “Rreth orës 10:00 është raportuar se tre fëmijë kanë pranuar trajtim mjekësor pasi ishin përfshirë në një përleshje fizike, në një shkollë në lagjen “Dardania” në Gjakovë. Policia i është përgjigjur rastit dhe është duke u vazhduar me procedurë të rregullt hetimore:, thuhet ë njoftimin e Policisë.

  • Banka postare “kalon në euro”, por vijojnë shitblerjet me dinarë

    Banka postare “kalon në euro”, por vijojnë shitblerjet me dinarë

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Euro dhe dinar – të dyja valutat pranohen për pagesa me para të gatshme në bizneset në Mitrovicë të Veriut, edhe pas përfundimit të periudhës kalimtare për zbatim të lehtësuar të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.

    Në Bankën Postare, statusi ligjor i së cilës në Kosovë mbetet i pazgjidhur dhe të cilën Serbia e bëri pjesë të dialogut në Bruksel, nuk folën për ATV-në.

    Megjithatë, gazetarë e aktivistë të shoqërisë civile thanë se nga mëngjesi i së hënës, kjo bankë po punon vetëm me euro.

    “Janë dy kategori e postave, Postanska Stedionica dhe Posta. Posta ka pranuar pagesat deri në 11, por pas disa telefonatave edhe ata e kanë ndërpre, që d.m.th. të dyja janë duke pranuar transfer vetëm në euro”, tha Branislav Krstic, gazetar.

    Edhe pse nuk ka konfirmim zyrtar, sipas aktivistit Dusan Radakovic, edhe përfituesit nga skemat sociale dhe pensionale të Serbisë, pagesat po i pranojnë në valutën zyrtare të Kosovës.

    “Deri tani askush nuk ka informacione zyrtare, vetëm se nga sot Posta ka nisur shpërndarjen të konvertuar në Euro, sepse Serbia bën pagesën në llogaritë bankare me dinarë, sepse janë procedura normale deri sot. Banka bën këmbimin sipas kursit të valutave, që aktualisht 1 euro është rreth 120 dinarë, dhe njerëzit që marrin ndihmë sociale ose pension i marrin ato në Euro. Maksimumi i lejuar i tërheqjes nga banka është 400 euro”, tha Radakovic.

    Krahas kritikave në mungesë informacionesh zyrtare nga institucionet e Kosovës, ai shpjegoi gjendjen në terren.

    “Në shitore shumica i kanë çmimet në Euro, dhe hap pas hapi, pasi që nuk kanë mjaftueshëm dinarë, njerëzit kanë filluar të funksionojnë më shumë me euro. Problemi është se askush nuk e di cili është ndëshkimi nëse e përdor dinarin”, tha Radakovic.

    Pasi tha se qytetarët në veri po vuajnë nga politika e Prishtinës dhe Beogradit, gazetari Krstic tha se para kalimit të plotë eventual në Euro, pret zgjatje të periudhës tranzitore deri në një marrëveshje në Bruksel.

    “Qytetarët janë duke pritur vendimet nga Beogradi. Pse nga Beogradi? Sepse nuk është pranueshme të shkohet në NLB ose Raiffeisen, të cilat janë të licencuara nga BQK-ja, shteti i Kosovës, dhe të cilat përdorin vetëm euro, nëse dikush nga Beogradi nuk ma paguan rrogën në atë bankë”, tha Krstic.

    Pa treguar shifra rreth llogarive bankare të reja, të hënën, Banka Qendrore njoftoi se gjatë periudhës kalimtare tremujore janë vendosur 38 bankomatë të rinj.

    Po ashtu, BQK-ja listoi tetë degë të institucioneve financiare të licencuara, katër prej tyre në veri të vendit – tri në Leposaviq dhe një në Zveçan.

    Megjithatë, nuk tregoi lidhur me veprimet që do të ndërmerren për shkeljen e rregullores.

  • Dragashi kërkon shtyrjen e afatit të regjistrimit të popullsisë

    Dragashi kërkon shtyrjen e afatit të regjistrimit të popullsisë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Dragashi është komuna e vetme deri tani, e cila pak ditë para përfundimit të regjistrimit të popullsisë, ka kërkuar zyrtarisht shtyrjen e këtij procesi edhe për një kohë.

    Agjencia e Statistikave pret kërkesa të ngjashme edhe nga komunat e tjera, por ushtruesi i Detyrës së Kryeshefit, Avni Kastrati, thotë se nuk ka arsye të qëndrueshme që procesi të mos mbyllet më 17 maj.

    “Dragashi ka thënë se ka sfidë me regjistrimin e komuniteteve, por nuk do të shtyhet pa ndonjë arsye specifike, që do të thotë jemi optimistë se procesi do të përfundojë me kohë…”, tha Kastrati.

    Sfidë në gjithë territorin, sipas Kastratit, ishte dorëheqja e anketuesve në fillim të procesit, për çka ASK-ja u detyrua t’i shfrytëzojë edhe regjistruesit rezervistë, që përbënin 22% të stafit.

    “E kanë parë gjatë punës që nuk është edhe e lehtë, disa janë tërheqë, por kemi pasë rezerva, i kemi shfrytëzuar që të gjithë…”, tha Kastrati.

    Deri të hënën, janë regjistruar mbi 1.4 milion banorë rezidentë në Kosovë.
    Ndërkaq, 400 mijë të tjerë janë regjistruar nga diaspora, në platformën online.

    Udhëheqësit e Agjencisë së Statistikave besojnë se të dhënat nga regjistrimi i popullsisë do të jenë më të sakta se ato të vitit 2011, për shkak të zhvillimit të teknologjisë.