ATV

Blog

  • Osmani: Katari ka qenë një mbështetës i vazhdueshëm i Kosovës

    Osmani: Katari ka qenë një mbështetës i vazhdueshëm i Kosovës

    Presidentja Osmani priti në takim ministren për Zhvillim Social dhe Familje të Katarit, Maryam bint Ali bin Nasser Al-Misnad

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ministren për Zhvillim Social dhe Familje të Katarit, Maryam bint Ali bin Nasser Al-Misnad.

    “Katari ka qenë një mbështetës i vazhdueshëm i Kosovës, ndaj Presidentja Osmani e ka falënderuar ministren Al- Misnad, si dhe lidershipin e Katarit në krye me Emirin Tamim bin Hamad bin Khalifa Al Thani”, thuhet në njoftim.

    Më tej thuhet se presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vlerëson thellësisht mbështetjen e vazhdueshme të Katarit, veçanërisht në ndihmën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, por edhe për ofrimin e ndihmave humanitare gjatë dhe pas luftës.

    Më tej, Presidentja Osmani ka nënvizuar rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të raporteve me Katarin dhe në këtë kontekst ka përmendur fushën e mirëqenies sociale, mbështetjen për invalidët e luftës, sektorin e shëndetësisë, turizmin si dhe projekte të tjera investuese.

    “Në takim, ndër të tjera u diskutua edhe për zhvillimin dhe përmirësimin e shërbimeve mbështetëse të familjes, duke përfshirë programet e fokusuara në mirëqenien e fëmijëve dhe grave”, thuhet në njoftim.

    Të dy bashkëbisedueset shtruan nevojën për thellimin e bashkëpunimit dhe eksplorimit të nismave të përbashkëta nga të cilat do të përfitojnë të dy shtetet.

  • Arsyetimi i Apelit kur vendosi ta kthej Enver Sekiraqen në paraburgim

    Arsyetimi i Apelit kur vendosi ta kthej Enver Sekiraqen në paraburgim

    Fakti se Enver Sekiraqa kishte qenë në arrati pas ditës kritike kur ishte vrarë polici Triumf Riza dhe dënimi i shqiptuar nga shkalla e parë rrisin rrezikun që ai të ikte prape, ishin dy arsyet se pse Gjykata e Apelit më 15 maj 2024, kishte vendosur që Sekiraqes t’i caktoj masën e paraburgimit.

    Gjykata Themelore e Prishtinës, më 3 maj 2024 të akuzuarin Sekiraqa e kishte lënë të mbrohet në liri, ndonëse e kishte dënuar më 25 vjet burgim për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Por, pas vendimit të Apelit më 18 maj 2024 Enver Sekiraqa nuk është kthyer në paraburgim por ka arritur të arratiset. Policia të njëjtin nuk e kishte gjetur në shtëpi.

    Ankesën kundër vendimit të Themelores, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), e kishte arsyetuar duke thënë se gjykata e shkallës së parë pas shpalljes se të pandehur fajtor nuk ka marrë parasysh rrezikshmërinë e veprës penale, vendin ku është kryer, mënyrën e kryerjes, pasojat e shkaktuara me humbjen e një personi zyrtar,

    “Meqenëse gjykata ka shpallur fajtor të pandehurin për veprën penale duke shqiptuar dënim me burgim me kohëzgjatje prej 25 viteve, sipas prokurorisë është dashur që të caktohet masa e paraburgimit deri aktgjykimi të marrë formën e prerë”, citohet të këtë thënë në ankesë prokuroria.

    Përgjigje në ankesë kishte parashtruar avokati Besnik Berisha, duke kërkuar që të hidhet poshtë ankesa si e palejuar.

    Në gjetjet e Apelit thuhej se shkalla e parë nuk ka dhënë arsye mjaftueshme peshën e mos vazhdimit të masës së arrestit shtëpiak dhe ka nuk ka vepruar drejtë kur të pandehurit i është caktuar mbrojta në liri.

    “Kolegji ka parasysh se në rrethanat e këtij rasti që rrjedhe se vepra penale është e rëndë dhe se dënimi i shqiptuar nga gjykata e shkallës se parë është i lartë këto dy rrethana e ngritin lartë rrezikun e arratisjes se të pandehurit po që se i njëjti lihet për tu mbrojtur në liri”, thuhej në arsyetim.

    Tutje, Apeli kishte vlerësuar se rreziku evidentohet edhe nga shkresat e lëndës ku pas ngjarjes ditën kritike i pandehuri kishte qëndruar në arrati për një kohë të gjatë dhe duke pas parasysh dënimin ai mund të arratiset serish.

    Veç tjerash në vendim thuhej se gjykata ka pas parasysh që i pandehuri kishte respektuar masat paraprake dhe nuk ka pasur shkelje, por tani pas shpalljes se aktgjykimit mund të shfaqen pengesa.

    I akuzuari Enver Sekiraqa, më 3 maj 2024, për herë të tretë pas kthimit të rastit në rigjykim u dënua me 25 vite burgim për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza.

    Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

    Mirëpo, Gjykata e Apelit më 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

    Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe më 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.

    Gjykata e Apelit, më 24 tetor 2017, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

    Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.

    Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthejë në paraburgim Enver Sekiraqën dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.

    Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.

    Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur më 6 shtator 2017, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.

    E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat kishte thënë se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.

    Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.

    Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqës për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

    Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

    Incidenti në “Swiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

    Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim. /BetimipërDrejtësi

  • Fillon mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

    Fillon mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

    Ka filluar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, raporton EO.

    Në këtë mbledhje pritet të bëhet miratimi i procesverbalit të mbledhjes së mëparshme të kryesisë.

    Në rend dite ndër të tjera është edhe “Pika e papërfunduar nga Seanca e Jashtëzakonshme, e mbajtur më 28 mars 2024”, në të cilën pritet votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procedurat e prokurimeve të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, në ministri dhe në ndërmarrje publike qendrore.

    Në rend dite, gjithashtu, janë edhe pikat e papërfunduara nga Seanca e Jashtëzakonshme, e mbajtur më 16 maj 2024, propozimi i rendit të ditës për Seancën plenare të radhës, si dhe ajo e shqyrtimit të propozimeve dhe të kërkesave.

  • ​Osmani takon zëvendësndihmës sekretaren e Departamentit të Shtetit

    ​Osmani takon zëvendësndihmës sekretaren e Departamentit të Shtetit

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka pritur në takim zëvendësndihmës sekretaren e Departamentit të Shtetit nga byroja për Demokraci, të Drejta të Njeriut dhe Punë, Nicole Chulick. Mediat janë lejuar të marrin pamje vetëm në fillim të takimit, raporton KosovaPress.

    Në orën 14:30, Chulick do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti. /KP

  • Ndodh për herë të parë në Shqipëri, martohen dy gra në Tiranë

    Ndodh për herë të parë në Shqipëri, martohen dy gra në Tiranë

    Dje kanë lidhur martesën, për herë të parë, dy gra. Martesa e tyre është bërë në Bashkinë e Tiranës dhe lajmi është bërë publik në rrjetet sociale nga Aleanca LGBT.

    Ashtu siç shihet edhe në foto, ceremonia e martesës së dy grave është bërë në tarracën e Bashkisë së Tiranës nga një punonjëse e institucionit dhe është bekuar gjithashtu nga një prift.

    Në postimin në rrjetet sociale, aleanca LGBT shkruan se Eda dhe Alba kurorëzuan dashurinë e tyre 14-vjeçare dhe se janë prindër të dy fëmijëve.

    “Dje Eda dhe Alba kurorëzuan dashurinë e tyre 14- vjeçare nga e cila erdhën në jetë dy engjëj dhe sot bota vazhdon të rrotullohet. Asnjë skenar apokaliptik i predikuar nga inkuizitorët e moralit për të nxitur panik kolektiv për shpopullimin dhe shkatërrimin e botës nuk ndodhi.

  • Rrëzimi i helikopterit, presidenti iranian dhe personat në bord konfirmohen të vdekur

    Rrëzimi i helikopterit, presidenti iranian dhe personat në bord konfirmohen të vdekur

    Mëngjesin e sotëm po raportohet se është konfirmuar vdekja e presidentit të Iranit, Ebrahim Raisi dhe ministrit të Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian pas rrëzimit të helikopterit në provincën malore të Azerbajxhanit Lindor.

    Media shtetërore iraniane Press TV dhe agjencitë e lajmeve Tasnim dhe Mehr raportuan se të gjithë personat në bord kanë ndërruar jetë.

    Reuters raportoi gjithashtu vdekjen e presidentit, duke cituar një zyrtar të lartë.

    “Presidenti Raisi, ministri i jashtëm dhe të gjithë pasagjerët në helikopter u vranë në përplasje”, tha zyrtari për Reuters, duke kërkuar të mos përmendet emri për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.

  • Tifozat Kuq e Zi me një aksion para zyrave të FSHF-së, e gjuajnë me ngjyrë të kuqe

    Tifozat Kuq e Zi me një aksion para zyrave të FSHF-së, e gjuajnë me ngjyrë të kuqe

    Grupi i tifozëve të kombëtares së Shqipërisë, të njohur me emrin si ‘Tifozat Kuq e Zi’ kanë reaguar ashpër ndaj vendimit të Federatës së Futbollit të Shqipërisë për të shpallur kandidaturën e përbashkët me Serbinë për organizimin e Euro 2027 për grupmoshat U21.

    Para gati më shumë se dy jave, presidenti i FSHF-së, Armando Duka, kishte konfirmuar kandidaturën e përbashkët të Shqipërisë me Serbinë për organizimin e Kampionatit Evropian 2027 për grupmoshat U21.

    Arsyetimi i Dukës mbi këtë ishte se Shqipëria nuk i plotëson kushtet elementare për organizimin e kësaj ngjarje.

    Ai kishte thënë se duhet angazhim i madh i dy qeverive të dy vendeve respektive, madje e kishte cilësuar si “lajm të mirë” për popullin shqiptar dhe atë serb.

    Ky njoftim nuk ishte pritur aspak mirë nga tifozët shqiptar anembanë botës dhe tani Tifozat Kuq e Zi kanë ndërmarrë një nismë për të shprehur mllefin e tyre ndaj këtij vendimi të FSHF-së.

    Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, shihet se si ‘TifozAt Kuq e Zi’ kanë ngjyrosur me të kuqe rrugët pranë zyrave të FSHF-së, si dhe kanë ngjitur disa fotografi të luftës dhe gjenocidit që ushtria serbe ka ushtruar në popullin e Kosovës.

    “Kundërshtojmë çdo nismë që mundohet ti rregulloj imazhin një populli barbar e gjenocidal.

    Kundërshtojmë çdo bashkëpunim me vrasësit me ata që shkaktuan me qindra masakra ndaj shqiptarëve dhe që deportuan me miliona nga shtëpitë e tyre gjatë gjithë historisë”, thuhej në postimin e tyre.

  • Zyrtarja amerikane Nicole Chulick viziton Kosovën, takohet me Osmanin e Kurtin

    Zyrtarja amerikane Nicole Chulick viziton Kosovën, takohet me Osmanin e Kurtin

    Zëvendës Ndihmës Sekretarja e Departamentit të Shtetit nga byroja për Demokraci, të Drejta të Njeriut dhe Punë, Nicole Chulick është në vizitë në Kosovë.

    Zëvendës Ndihmës Sekretarja e Departamentit të Shtetit nga byroja për Demokraci, të Drejta të Njeriut dhe Punë, Nicole Chulick po viziton Kosovën.

    Ajo do të takohet me presidenten e shtetit, Vjosa Osmanin dhe kryeministrin, Albin Kurtin.

    “Në orën 11:00, Presidentja Osmani pret në takim Zv. Ndihmës Sekretaren e Departamentit të Shtetit nga byroja për Demokraci, të Drejta të Njeriut dhe Punë, znj. Nicole Chulick”.

    “Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në ora 14:30 pret në takim Zëvendës Ndihmës Sekretaren e Departamentit të Shtetit nga byroja për Demokraci, të Drejta të Njeriut dhe Punë, znj. Nicole Chulick”.

  • Publikohen pamje nga vendi i rrëzimit të helikopterit ku ndodhej Ebrahim Raisi

    Publikohen pamje nga vendi i rrëzimit të helikopterit ku ndodhej Ebrahim Raisi

    Pasi mediat iraniane dhe njësitë speciale të shpëtimit njoftuan se Presidenti Ebrahim Raisi, Ministri i Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian dhe pjesa tjetër e delegacionit u vranë në një aksident me helikopter, agjencitë në Iran publikuan fotot dhe videot e para nga vendi i rrëzimit.

    Sipas asaj që shihet nga video e regjistruar nga ajri, helikopteri është rrëzuar në një zonë tejet të vështirë malore, ndërsa ekipeve të shpëtimit iu deshën orë të tëra për të mbërritur te delegacioni që ndodhej në helikopter.

    Informacioni i parë që u bë i ditur ishte se në vendin e aksidentit nuk u gjet asnjë me shenja jete.

    “Zbulimi i vendit të aksidentit nuk zbuloi shenja jete në mesin e pasagjerëve të helikopterit”, tha kreu i Gjysmëhënës së Kuqe iraniane, Pir Hossein Kolivand.

    Fotot e publikuara nga mediat iraniane tregojnë se helikopteri me shumë gjasa ka marrë flakë kur ka rënë.

  • Rrëshqitje e dheut, mbyllet përkohësisht rruga Prishtinë – Gjilan

    Rrëshqitje e dheut, mbyllet përkohësisht rruga Prishtinë – Gjilan

    Zëvendësministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka bërë të ditur sot se rruga Prishtinë- Gjilan nuk është e qarkullueshme për shkak të rrëshqitjes së dheut.

    “Pas reshjeve të shiut, në mëngjes është bllokuar rruga nga rrëshqitjet e dheut në fshatin Kishnicë.

    Ekipet janë duke punuar vazhdimisht që sa më parë të hapet për qarkullim rruga Prishtinë – Gjilan.”, shkruar Durmishi në Facebook.

    Gjatë ditës së djeshme ka qenë e bllokuar edhe rruga Klinë-Gjakovë, për shkak të rrëshqitjes së dheut.