ATV

Blog

  • Kurti: 600 mijë euro për Onkologjinë, investim substancial

    Kurti: 600 mijë euro për Onkologjinë, investim substancial

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia morën pjesë në ceremoninë e përurimit të rinovimeve në Klinikën e Onkologjisë, raporton EO.

    Kryeministri Kurti ka thënë se kemi një investim substancial prej 600 mijë euro.

    “Kemi një investim substancial prej 600 mijë euro që e ka transformuar në mënyrë fort domethënëse për mjekët, infermierët, stafin mbështetës që janë gjithsej 70 por para së gjithash për pacientët. I kanë pasur 45 shterët e tash i kanë 60 shtretër. Dhe së shpejti do të jenë 110. Me aksliratorin e ri të cilin e kemi instaluar lista e pritjes është zero. Ky investim kap shifrën 1 milion e 444 mijë euro. Unë jam I lumtur që mora vesh se procesi I dhënies së vaksinës HPV-së i sëmundjes së kancerit të mitrës është duke shkuar mirë, lista esenciale e barnave është zgjedhuar dhe se buxheti është shtuar. Nga 24 milion euro në 60 milion euro. Në Kosovë qytetarët e Republikës blejnë 120 milion barna gjysmën e blejnë ata e gjysmën tjetër paguan shteti. Nga dy rezonanca magnetike vetëm këto tri vite janë edhe tri rezonanca të reja. Terapia tabletare tash ipet edhe në Prizren. Është një ditë e veçantë për pacientët, mjekët e stafin të cilët i falënderoj nga zemra”, ka thënë Kurti.

    Nga ana tjetër ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se është shumë i lumtur pasi që tash pacientët marrin shërbime pa listë të pritjes.

    “Shumë i lumtur e i gëzuar që një Klinikë kaq vitale për një grup të pacientëve tash e tutje do të marrin shërbime pa listë të pritjes. Falënderoj stafin e Klinikës së Onkologjisë të cilët kanë ndihmuar të rinovimin rrënjësor. Uroj të ketë më pak sëmundje të tilla. Rrallë kund edhe në rajon i kanë mundësitë të marrin shërbime të tilla modern”, ka thënë Vitia.

  • Qeveria e Kosovës miraton marrëveshjen me Danimarkën, në burgun e Gjilanit do të vuajnë dënimin danezët

    Qeveria e Kosovës miraton marrëveshjen me Danimarkën, në burgun e Gjilanit do të vuajnë dënimin danezët

    Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës.

    Ky traktat parashikon shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan për ekzekutimin e dënimeve të shtetasve danezë.

    Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi për media.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës, për shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze”, thuhet në njoftim.

    Traktati, i nënshkruar nga Ministrat e Drejtësisë të të dy vendeve më 26 prill 2022 në Prishtinë dhe më 16 maj 2022 në Kopenhagë, synon të përmirësojë kapacitetet dhe bashkëpunimin në fushën e drejtësisë penale midis Kosovës dhe Danimarkës.

    “Çështja kryesore e trajtuar në këtë projektligj është ratifikimi i Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, të nënshkruar nga Ministrat e Drejtësisë të të dy vendeve, më 26 prill 2022 në Prishtinë dhe 16 maj 2022 në Kopenhagë të Danimarkës”, thuhet në njoftim.

    Qeveria e Kosovës ka theksuar rëndësinë e këtij traktati, duke theksuar se ai do të kontribuojë në forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe do të ndihmojë në menaxhimin më efikas të dënimeve penale.

    Institucioni Korrektues në Gjilan do të përdoret për të vuajtur dënimet e shtetasve danezë, duke lehtësuar kështu presionin mbi sistemin korrektues të Danimarkës dhe duke siguruar kushte të përshtatshme për të burgosurit.

  • Pas takimit me Osmanin, ministrja e Katarit për Zhvillim Social takohet me Kurtin

    Pas takimit me Osmanin, ministrja e Katarit për Zhvillim Social takohet me Kurtin

    Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, ministrja e Katarit për Zhvillim Social dhe Familje, Maryam bint Ali bin Nasser Al Misnad, është drejtuar tek ndërtesa e Qeverisë për takim me kryeministrin Albin Kurti, raporton EO.

    Edhe në këtë takim, mediat janë lejuar të marrin vetëm pamje.

  • Tentoi t’i jap ryshfet zyrtarëve policor në Vërmicë, arrestohet serbi

    Tentoi t’i jap ryshfet zyrtarëve policor në Vërmicë, arrestohet serbi

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një serb në pikën kufitare në Vërmicë, pasi i njëjti kishte futur para në dokumentet, duke tentuar t’i jap ryshfet zyrtarëve policor.

    Rasti është cilësuar si “Dhënie e ryshfetit”

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull serb pasi i njëjti gjersa ishte duke drejtuar automjetin për transport të udhëtarëve (autobus), në momentin kur i kishte dhënë dokumentet zyrtarëve policor kishte futur në dokumente para duke thënë se ato para ishin për zyrtarët policor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

  • Ministrja e Katarit për Zhvillim Social dhe Familje takohet me Osmanin

    Ministrja e Katarit për Zhvillim Social dhe Familje takohet me Osmanin

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ministren për Zhvillim Social dhe Familje të Katarit, Maryam bint Ali bin Nasser Al-Misnad, raporton Ekonomia Online.

    Nga ky takim, gazetarët janë lejuar të marrin pamje, ndërsa nuk është paralajmëruar ndonjë konferencë për media.

  • Reshjet e shumta të shiut shkaktojnë vërshime në disa lagje të Prishtinës

    Reshjet e shumta të shiut shkaktojnë vërshime në disa lagje të Prishtinës

    Në lagjen Aktash, situata është bërë veçanërisht problematike pasi disa rrugë janë bërë të pakalueshme.

    Një nga zonat më të prekura është rruga “Ali Pashë Tepelena,” e cila është shndërruar në një “lumë” për shkak të sasisë së madhe të ujit.

    Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që kjo rrugë përmbytet gjatë reshjeve intensive.

    Situatë e ngjashme është edhe në rrugën A”, e cila është duke u ndërtuar, por reshjet e shiut kanë shkaktuar përmbytje të rrugës.

    Po ashtu, pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë se situata është e vështirë nga vërshimet edhe në lagjen Emshir.

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se gjatë gjithë javës së ardhshme, vendi do të vazhdojë të përballet me reshje të dendura shiu.

  • Nis punën dyqani i bamirësisë në Prishtinë

    Nis punën dyqani i bamirësisë në Prishtinë

    Përgatiti: Pranvera Krasnqi

    Radha është e gjatë, por produkte ka për të gjithë.

    Për më tepër, të gjithë këta artikuj ushqimorë e higjienik janë falas, për familjet me asistencë sociale në kryeqytet.

    Dyqani social, që u hap dy javë më parë në lagjen Pejton të Prishtinës, ofron pako në baza mujore për qytetarët në nevojë.

    “Më në fund të gjithë ata që janë në skemën sociale në komunën e Prishtinës, kemi menduar që sado pak tua lehtësojmë barrën e furnizimit me ushqim e produkte higjienike…”, tha drejtoresha për Punë Sociale në Prishtinë, Adelina Sahiti.

    Për hapjen e dyqanit bamirës, komuna bashkëpunoi me shoqatën “Bereqeti”.

    Drejtori i saj, Behxhet Ajvazi, thotë se mund ta bëjnë edhe transportin e produkteve, nëse familjet në nevojë nuk kanë mundësi të vijnë për t’i marrë.

    “E dimë që ka plot raste që nuk mund të vijnë këtu apo që janë në karroca, andaj jemi ndier të obliguar të ofrojmë mundësi furnizimi kështu duke siguruar transportin edhe për ata…”, tha Ajvazi.

    Dyqani, kryesisht është i furnizuar me produkte vendore.

    “Kemi menduar që të fillojmë me produkte vendore për t’iu lënë hapësirë edhe atyre për të kontribuuar dhe për ti reklamuar produktet tona, që të kontribuojnë edhe fabrikat vendore…”, tha Sahiti.

    Dyqanin e furnizojnë komuna dhe shoqata “Bereqeti”, mirëpo këto thonë se mund të kontribuojnë edhe prodhuesit vendorë dhe qytetarët që kanë vullnet për t’u ndihmuar nevojtarëve.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • MKRS synon forcimin e inspektimit të trashëgimisë kulturore

    MKRS synon forcimin e inspektimit të trashëgimisë kulturore

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Ministria e Kulturës po synon ta rrisë kompetencën e inspektoratit të trashëgimisë kulturore. Ajo ka hartuar projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, me të cilin parashihet themelimi i Agjencisë Ekzekutive për këtë sektor.

    Detyrë e saj do të jetë inspektimi në mënyrë të pavarur për asetet e trashëgimisë kulturore, të bëjë vlerësimin e kushteve dhe gjendjes së ruajtjes së trashëgimisë, në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi.

    Po ashtu, urdhëron ndalimin e punëve konservuese dhe restauruese në rast të identifikimit të parregullsive gjatë zbatimit të tyre.

    Gjithashtu, do ta ketë drejtorin ekzekutiv, si dhe degët nëpër komunat e mëdha.

    Ky projektligj, sipas njohësit të fushës, Valon Xhabali, do t’i ndihmojë ruajtjes së aseteve të trashëgimisë kulturore.

    “Po shihet që ka qëllimin e mirë sepse do të rritet numri i inspektorëve që do të vendosen në qendrat e mëdha, kjo na jep me besuar që me punësimin e inspektorëve nëpër qendra të trashëgimisë për secilin qytet nga një inspektor shtesë, edhe punimet e projekti që do të realizohet do të ketë më shumë monitorim dhe degradimi do të jetë më i vogël”, tha Xhabali.

    Xhabali, thotë se MKRS-ja, është vonuar që të merë këtë vendim.

    “qëllimi jonë është të mbrohet trashëgimia kulturore, e me këtë mendoj që është gjest i mirë, a është i vonuar? Po është i vonuar, por shpresojmë që tash e tutje trashëgimia do të merr vëmendje më të madhe”, tha Xhabali.

    Agjencia ka mundësinë të ofrojë edhe rekomandime për institucionet shtetërore, për ruajtjen, mbrojtjen, restaurimin dhe konservimin e trashëgimisë kulturore.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Ligji për kripto-asetet konsiderohet shumë i nevojshëm

    Ligji për kripto-asetet konsiderohet shumë i nevojshëm

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Deputetët e Kuvendit do ta kenë mundësinë që së shpejti të votojnë pro ose kundër Ligjit për Kripto-valutat.

    Siç merr vesh ATV-ja, ligji, pas kalimit në komisionin për ekonomi në fillim të muajit maj, pritet të hyjë në rendin e ditës në seancën e radhës.

    Miratimi i një ligji të tillë po mirëpritet nga ekspertë të monedhave virtuale, por edhe ekonomistë, pasi, sipas tyre, ai pjesërisht mund edhe t’i mbrojë qytetarët nga skemat piramidale.

    “Ka me pasë shumë benefite. Mashtrimet kanë me mujtë me u luftu edhe me u parandalu në masë të madhe. Kur ka legjislacion gjenden mashtruesit”, tha Labinot Sylejmani, ekspert i kriptovalutave.

    “Është e mirëseardhur. I krijon disa rregulla për funksionimin brenda këtij biznesi. Është impakt edhe ekonomik. Këto transaksione bëhen të ligjshme”, tha Fidan Qerimi, profesor i ekonomisë.

    Megjithatë, vonesat konsiderohen së kanë ndikuar negativisht, posaçërisht në aspektin e prodhimit.

    “Është mirë që është ndërmarrë hapi, edhe pse është vonë, posaçërisht në aspektin e prodhimit të kripto-valutave, që ka mujtë me qenë profitabil, të cilat kanë mujtë me qenë të mira për disa familje edhe për disa familje, por edhe për shtetin nëse ishin tatuar”, tha Sylejmani.

    “Vonesat në këtë ligj shkaktojnë impakt negativ në të hyrat e shtetit. Kanë ndodhur deri tash pa një rregull të caktuar nga shteti”, tha Qerimi.

    Nismën për hartimin e një ligji të kripto-valutave e kishte ndërmarrë Kuvendi i Kosovës në verë të vitit 2021.

    Vetëm në vitin 2023, Policia kishte konfiskuar më shumë se 1500 pajisje që shërbejnë për prodhimin e kriptovalutave. Vlera e të gjithave shkonte mbi 250 mijë euro.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Nevoja e “Trepçës” për asistencë financiare nga Qeveria

    Nevoja e “Trepçës” për asistencë financiare nga Qeveria

    Përgatiti: Armand Hoti

    4.6 milionë euro i shpenzoi ndërmarrja “Trepça”, për t’i mbuluar shpenzimet e veta në tre muajt e parë të vitit aktual.

    Gjiganti i dikurshëm metalurgjik, për këtë periudhë, arriti të gjenerojë vetëm 1.2 milion euro përmes shitjes së koncentrateve të plumbit dhe zinkut.

    Rrjedhimisht, “Trepçës” i duheshin edhe 3.6 milionë euro, në mënyrë që të mbuloheshin të gjitha shpenzimet.

    Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes, Bashkim Kurti, tregon se këtë shumë ndërmarrjes ia siguroi Qeveria.

    “Për tremujorin e parë të këtij viti, të hyrat e gjithëmbarshme nga shitja e koncentratit të plumbit dhe zinkut në “Trepçë” janë 1 milion e 240 mijë euro. Një milion e 605 mijë euro janë shpenzimet mujore, që i bie 4.8 milion shpenzim, një milion e 200, tre milion e 600 mijë nga kanë ardhur? Normalisht që prej Qeverisë”, tha Kurti.

    Kryeshefi Kurti inkurajon punonjësit e ndërmarrjes, të angazhohen më tepër për rritje të prodhimit.

    Ndërkohë, ish-menaxheri i “Trepçës”, njëherësh deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, kundërshton një praktikë të tillë të subvencionimit.

    Megjithatë, ai përmend nevojën e reformave në ndërmarrje.

    “Definitivisht “Trepça” duhet të rikonstruktohet, të menaxhohet profesionalisht dhe në mënyrë profesionale. Në “Trepçë” duhet të investohet dhe nuk guxojmë të jemi kështu indiferent siç është kjo qeveri”, tha Shala.

    Për ekspertin e ekonomisë, Safet Gërxhaliu, “Trepça” është bërë barrë për buxhetin e shtetit.

    “Definitivisht duhet të kemi një qasje pak më ndryshe, është koha kur duhet të kemi një grup të ekspertëve, të cilët duhet të vendosin se a ia vlen në këtë mënyrë të vazhdohet më tutje, në veçanti kur në botë ka aq shumë kriza dhe aq shumë luftëra dhe çmimet e metaleve janë ndoshta në rritjen më të madhe viteve të fundit”, tha Gërxhaliu.

    Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Ekonomisë, sa Kurti ka qeverisur vendin, “Trepçës” iu janë dhënë mbi 30 milionë euro në formë subvencioni.

    Pjesa më e madhe e këtyre mjeteve, janë shfrytëzuar për mbulimin e shpenzimeve operative.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: