ATV

Blog

  • Policia mbyll gjashtë pika të Bankës Postare Kursimore në veri të vendit

    Policia mbyll gjashtë pika të Bankës Postare Kursimore në veri të vendit

    Policia e Kosovës ka njoftuar se në aksionin e së hënës ka mbyllur 6 njësi të Bankës Postare Kursimore në veri të vendit.

    “Policia e Kosovës, pas raportimeve të institucioneve monitoruese financiare, si Njësia e inteligjencës financiare dhe Banka Qendrore e Kosovës, së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës, bazuar në autorizim të prokurorit kompetent, është duke zhvilluar një operacion policor në gjashtë lokacione të katër komunave në veri të Kosovës, e që janë i ashtuquajturi Trezori i Bankës Postare Kursimore (Banka Postanske Stedionice) dhe pesë filialeve të tjera të saj, që kanë vepruar ilegalisht në këtë zonë të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Sipas njoftimit ky operacion policor është duke u zhvilluar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet përkatëse të Kosovës dhe organeve të drejtësisë dhe se dëri më tani ka kaluar pa ndonjë problem apo incident.

    “Qëllimi i operacionit policor është vendosja e rendit dhe ligjshmërisë, ku me autorizim të prokurorit kompetent gjashtë njësi të ashtuquajturës Bankë Postare Kursimore ilegale, në veri të vendit janë mbyllur”, thuhet në njoftim.

  • Maqedonci e Jashari morën pjesë në takimin e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës

    Maqedonci e Jashari morën pjesë në takimin e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari morëm pjesë në takimin virtual të radhës të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës.

    Në këtë takim të udhëhequr nga sekretari i Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Lloyd Austin, siç ka njoftuar ministri Maqedonci u diskutua për situatën aktuale dhe ndihmat ushtarake që ka nevojë Ukraina.

    Maqedoci tha se Kosova është me Ukrainën, sepse ajo është në të drejtën e saj.

    “Kosova qëndron me Ukrainën ngase është me të drejtën, lirinë e popujve dhe sovranitetin e pakontestueshëm të shteteve”, ka shkruar ai.

  • ​Kusari-Lila: Qeveria s’pajtohet me draftin e Asociacionit nga BE-ja, prandaj nuk e dërgon në Kushtetuese

    ​Kusari-Lila: Qeveria s’pajtohet me draftin e Asociacionit nga BE-ja, prandaj nuk e dërgon në Kushtetuese

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk mund të dërgojë draft-statutin e Asociacionit të propozuar nga BE-ja në Gjykatë Kushtetuese, pasi nuk pajtohet me të njëjtin.

    Sipas saj, ka brenga serioze sesi draft-statuti i Asociacionit të dërgohet në Kushtetuese, mirëpo tha se duhet të ekzistojë një rrugë e ndërmjetme në të cilin duhet të ketë diçka nga ana e qeverisë, por edhe të merren garanci serioze nga faktori ndërkombëtar se i njëjti s’mund të ketë kompetenca ekzekutive.

    “Jemi në rrethana të cilat asnjëherë – formë apo mënyrë nuk duam që të krijojmë mekanizma që mund të ketë mosfunksionalitet apo dëmtim të brendshëm të rendit kushtetues në Kosovë, përkundër që është thënë se ka garanci se asociacioni nuk ka kompetenca ekzekutive. Ajo çka është prezantuar në draftin e BE-së në të cilin janë dhënë komente, të cilat nuk kanë reflektuar si të tilla. Kemi brenga serioze mbi atë sesi mund të realizohet apo çfarë forme i dërgohet Gjykatës Kushtetuese. Nuk mund t’i dërgohet si një draft i pranuar pa pasur një vendim të qeverisë. Qeveria nuk ka vendim për atë draft pasi s’pajtohet me atë draft në tërësinë si është dorëzuar. Prandaj duhet të ekzistojë një rrugë e ndërmjetme në të cilin duhet të ketë diçka nga ana e qeverisë, por në afate në të cilat duhet të merren garanci serioze, që deri tash s’ka pasur”, tha ajo.

    Kusari-Lila shprehu zhgënjimin e saj me mosanëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

    “Jemi të zhgënjyer me atë çfarë ndodhi, me mosfutujen në agjendë. E kuptojmë se ka pasur kërkesa individuale të shteteve pastaj në raport me kërkesën që u tha më e artikuluar nga dy shtete, nga Franca dhe Italia. Por kjo nuk na zmbraps nga përpjekjet dhe kontinutitet për plotësimin e të gjitha standardeve që kanë të bëjnë me të drejtat, rendit, ligjin dhe zhvillimin. Ishte një përvojë jo e mirë, por nuk ishte hera e parë që Kosova u ballafaqua me një standard shtesë apo ndryshe nga organizata kishte për vendet të tjera. Është e paprecedent të kthehet një vendim i Asamblesë Parlamentare të mos trajtohet në Këshillin e Ministrave, siç ndodhi në rastin tonë”, theksoi ajo.

  • Këta janë 295 kandidatët që kanë kaluar testin kualifikues për prokuror

    Këta janë 295 kandidatët që kanë kaluar testin kualifikues për prokuror

    Komisioni i Këshillit Prokurorial të Kosovës, në pajtim me Nenin 21 të Rregullores Nr.02/2022 për Rekrutimin, Provimin, Emërimin dhe Riemërimin Prokurorëve të Shtetit, njofton të gjithë kandidatët për rezultatet e Testit Kualifikues , i cili u mbajt dje, më 19 maj 2024, në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.

    Në dy linçet e mëposhtme janë listat e kandidatëve që kanë kaluar Testin Kualifikues dhe listat e kandidatëve që nuk e kanë kaluar Testin Kualifikues: LINKU.

    Kujtojmë se Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) organizoi mbajtjen e Testit Kualifikues, në kuadër të procesit të rekrutimit të njëzetekatër prokurorëve të rinj të Republikës së Kosovës, në këtë test morën pjesë 350 kandidatë, prej tyre 192 meshkuj dhe 158 femra

    Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) organizoi mbajtjen e Testit Kualifikues, në kuadër të procesit të rekrutimit të njëzetekatër (24) prokurorëve të rinj të Republikës së Kosovës.

    Ky test është zhvilluar në prani të vëzhguesve dhe monitoruesve ndërkombëtarë të EULEX-it dhe OSBE-së, me ç’rast paraprakisht sot Komisioni për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit hartoi pyetjet për kandidatët që fituan të drejtën për të marrë pjesë në këtë testim.

    Në këtë test morën pjesë 350 kandidatë, prej tyre 192 meshkuj dhe 158 femra, prej të cilëve tre janë pjesëtarë nga radhët e minoriteve, dy boshnjakë dhe një turk, që kanë aplikuar përmes sistemit online të menaxhimit të dosjeve dhe përmes dorëzimit të kopjeve fizike, me email dhe postë të rregullt.

    Në këtë proces të rekrutimit kanë qenë të rezervuara katër pozita për minoritetin serb, por nuk ka pasur asnjë aplikacion, thuhet në njoftim.

    Pas përfundimit të vlerësimit të tyre sipas rregullores do të publikohet lista e kandidatëve të cilët kanë kaluar testin dhe lista e kandidatëve që nuk kanë kaluar testin.

  • ​Shpërndarja e Kuvendit, opozita vazhdon të jetë e përçarë

    ​Shpërndarja e Kuvendit, opozita vazhdon të jetë e përçarë

    Partitë parlamentare në Kuvendin e Kosovës ende nuk kanë pajtim për formën e dërgimit të vendit në zgjedhje të parakohshme.

    Në partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje theksojnë së në Kuvend s’ka kërkesë zyrtare për shpërndarje të legjislaturës së tetë, derisa theksojnë gatishmërinë për zgjedhje, por presin unifikimin e opozitës. Në anën tjetër, partitë opozitare vazhdojnë të mos dakordohen se si të shkojë vendi në zgjedhje të parakohshme. Në PDK presin që deri më 30 maj të shpërndahet Kuvendi, siç thonë për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme më 30 qershor ose më së largu 7 korrik.

    Ndërkaq, AAK-ja si të vetmen formë të shkuarjes në zgjedhje të parakohshme e sheh dorëheqjen ose shkarkimin e kryeministrit Albin Kurti. Këtë të fundit synojnë të realizojnë në seancën e Kuvendit të premten, ku në debatin për tri vjet qeverisje të Kurtit pritet të prezantojnë një rezolutë për shkarkimin e tij.

    Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se s’kanë frikë nga shkuarja në zgjedhje të parakohshme, mirëpo opozita duhet të jetë e unifikuar në kërkesën e saj.

    Ajo u shpreh kundër rezolutës së AAK-së për shkarkimin e kryeministrit Kurti.

    “Kërkesë zyrtare për shpërndarje të Kuvendit s’ka. Është vetëm kërkesa për debatin tri vjet qeverisje, e cila pritet të trajtohet ditën e premte. Ai është propozim i GP të AAK-së të cilët kanë propozuar edhe rrëzimin e qeverisë për të cilin ne jemi deklaruar që nuk e mbështesim dhe nuk konsiderojmë që të votohet në favor të kësaj kërkese…Asnjëherë nuk kemi thënë se kemi frikë nga shkuarja në zgjedhje apo rikonfigurimi i mandatit te sovrani. Megjithatë nuk mund të bëjmë këtë vetëm me një grup parlamentar të opozitës. Opozita duhet të jetë e unifikuar në kërkesën e saj, në fund të fundit opozita është ajo që kërkon zgjedhje apo ndryshim të qeverisjes, ndërsa ne konsiderojmë se kjo qeveri i ka plotësuar të gjitha kushtet për një mandat të rregullt”, tha ajo.

    Mirëpo, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ritheksoi nevojën e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme, përmes shpërndarjes së Kuvendit.

    Ai paraqiti datën e fundit si opsion për shpërndarjen e Kuvendit, derisa tha se po punojnë intensivisht me partitë opozitare për t’u dakorduar për shpërndarjen e Kuvendit.

    Sipas tij, s’ka kuptim mbajtja e zgjedhjeve të në vjeshtë, pasi atëherë veçse vendi hynë në zgjedhje të rregullta.

    “Jemi në afatet e fundit kohore kur duhet të procedohet me mocionin për shpërndarjen e Kuvendit në mënyrë që vendi ynë t’i drejtohet kutive të votimit, me datën 30 qershor apo 7 korrik. Prandaj e them para jush se data 30 maj që i bie e enjtja tjetër është data e fundit kur Kuvendi i Kosovës duhet të shpërndahet në mënyrë që vendi t’i kap afatet kohore 30 qershor apo 7 korrik si data që i kemi propozuar. Deri tani ende s’kemi një situatë kur kemi një dakordim ndërmjet grupeve parlamentare në Kuvend që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme…Si Grup Parlamentar i PDK-së jemi në komunikim intensiv me të gjitha palët në mënyrë që këto data mos t’i humbin dhe Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Ju e dini se të vetëm si GP nuk e kemi atë fuqi në Kuvend, mirëpo kemi potencuar në vazhdimësi të gjitha dëmet që qytetarët po i vuajnë për shkak të një qeverisje të dobët dhe degraduese. Është mirë që këtë gjuhë të përbashkët që kemi pasur si opozitë të finalizojmë me një seancë e cila do të mbahet javën tjetër”, theksoi ai.

    Mirëpo, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se nuk do të përkrahim opsionin e shpërndarjes së Kuvendit, pasi sipas tij, përmes kësaj forme kryeministri Kurti po amnistohet për dështimin në ekzekutiv.

    Ai tha se qeverinë e ardhshme duhet të drejtojë opozita e tanishme në Kuvend.

    “Shpërndarja e Kuvendit në këtë fazë nënkupton një dalje për qeverinë Kurti. Në një formë marrjen e fajit nga Kuvendi për dështimin e qeverisë. Shpërndarja duhet të vjen vetëm atëherë arrijmë të shkarkojmë një qeveri të dëmshme apo kur dorëhiqet, por jo në asnjë situatë që Kuvendi të merr një përgjegjësi që nuk i takon. Ne jemi në vit zgjedhor. Nëse shihni kalendarin zgjedhor për tre muaj apo katër muaj duhet të shpallet data e zgjedhjeve. Kosova është në zgjedhje. Pyetja që dua t’ia bëjë qytetarëve dhe vet kryeministrit Kurti, si u bë ky kaq i mirë me opozitën që t’ia votojë mocionin për të shkuar në zgjedhje, pas tri vjet që s’ka asnjë mekanizëm për ta goditur opozitën. Zotëri Kurti ka dështuar. Dështimin e tij dëshiron t’ia faturojë opozitës duke u viktimizuar”, tha Tahiri.

    Këto komente ata i bën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku u caktuan dy seanca plenare gjatë kësaj jave. Të zgjedhurit e popullit do të mblidhen të enjten për të vazhduar pikat nga seancat e kaluara, ndërsa të premten do të mbahet seancë për të debatin parlamentar për tri vjet qeverisje të Qeverisë Kurti.

  • Kurti takon ministren e Katarit, diskutojnë për reformat e mirëqenies sociale

    Kurti takon ministren e Katarit, diskutojnë për reformat e mirëqenies sociale

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se ka pritur në takim ministren për Zhvillim Social dhe Familje të Katarit, Maryam bint Ali bin Nasser Al-Misnad.

    Kurti ka thënë se përgjatë takimit me ministren e Katarit ka biseduar lidhur me reformat e mirëqenies sociale në Kosovë.

    “Ishte një kënaqësi për të mirëpritur ministren e Katarit për Zhvillimin Social dhe Familjen, Mariam bint Ali bin Nasser Al Misnad, sot. Diskutuam reformat e mirëqenies sociale të kryera në vendin tonë, duke përdorur mjete dixhitale për të përmirësuar sistemin dhe mundësitë për bashkëpunim”, ka shkruar Kurti në rrjetin social në platformën X.

  • ​Nis rrënimi i stadiumit në Rahovec, reagon KF Rahoveci

    ​Nis rrënimi i stadiumit në Rahovec, reagon KF Rahoveci

    Komuna e Rahovecit ka vendosur që ta rrënojë stadiumit e qytetit në Rahovec “Jahja Danuza”, dhe në vendin e tij ta ndërtojë sheshin qendror të këtij qytetit. Rrënimi i stadiumit nga punëkryerësi i kontraktuar ka nisur sot, andaj klubi i futbollit “Rahoveci” ka dal me një komunikatë duke shprehur shqetësimin se nga sot e tutje as gjeneratat e reja nuk kanë ku t’i zhvillojnë stërvitjet.

    Komunikata e plotë e KF Rahovecit:

    Ju njoftojmë që sot në orët e para të ditës ka filluar të rrënohet stadiumi i qytetit ”Jahja Danuza” nga punëkryesi që është i kontraktuar nga Komuna e Rahovecit, me qëllim të ndërtimit të sheshit qendror të qytetit tonë.

    Ne si klub kishim një marrëveshje paraprake me Komunën e Rahovecit të cilët na kishin premtuar dhe janë zotuar që stadiumi i qytetit nuk do të rrënohet pa u krijuar një alternativ tjetër për të zhvilluar garat dhe për të stërvitur, ne në vazhdimësi kemi komunikuar me DKRS-në të cilët janë të njoftuar mirë me kërkesat tona elementare për të na mundësuar kushte optimale për të zhvilluar gara dhe për tu stërvitur.

    Realisht komuna na ka mirëkuptuar dhe priti përfundimin e kampionatit që ne ta përfundojmë në shtëpinë tonë, por që tani brenga jonë është shkolla e futbollit ku janë të anëtarësuar qindra fëmijë e që fatkeqësisht nga sot nuk kanë ku të stërviten përderisa nuk përfundojnë punimet në qendrën e re sportive! Lutemi dhe urojmë në një zgjidhje sa më të shpejtë ti bëhet shqetësimeve tona.

  • Qeveria maqedonase: Qytetarët të mos bien pre e mashtrimeve, nuk kemi dërguar mesazhe për kompensim

    Qeveria maqedonase: Qytetarët të mos bien pre e mashtrimeve, nuk kemi dërguar mesazhe për kompensim

    Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka dalë me njoftim në lidhje me informacionet se disa qytetarë kanë pranuar SMS porosi nga pushteti ekzekutiv, për të marrë kompensim një shumë parash.

    Nga Qeveria thonë se nuk kanë dërguar SMS dhe mesazhe të tilla që ofrojnë kompensim.

    “Njoftojmë opinionin se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut NUK ka dërguar SMS dhe mesazhe të tjera që ofrojnë kompensim. Në rastin konkret të shfaqur në orët e kaluara (të paraqitura në fotografitë e mëposhtme) bëhet fjalë për mashtrim dhe phishing mashtrim i cili është raportuar dhe tashmë po veprohet nga shërbimet përkatëse”.

    “Përderisa qytetarët pranojnë ose kanë pranuar tashmë një mesazh me përmbajtje të tillë apo të ngjashme, në të cilin dërguesi është shënuar Qeveria, duhet ta konsiderojnë atë si rrejshëm dhe të mos klikojnë në lidhjet e dhëna dhe as t’u përgjigjen mesazheve që kanë pranuar”.

    “Ju bëjmë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e mesazheve të rrejshme nga numrat e telefonit dhe emailet e huaja dhe të mos japin të dhëna personale. Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm për të dhënat e tyre personale, pra të mos i ndajnë dhe shkëmbejnë me persona të panjohur, si dhe me persona identiteti i të cilëve nuk mund të vërtetohet paraprakisht”, thonë nga Qeveria.

  • Hovenier për vizitën e Nicole Chulick: Në fokus çështjet kritike për marrëdhëniet tona dypalëshe

    Hovenier për vizitën e Nicole Chulick: Në fokus çështjet kritike për marrëdhëniet tona dypalëshe

    Zëvendës Ndihmës Sekretaren e Departamentit të Shtetit nga byroja për Demokraci, të Drejta të Njeriut dhe Punë, Nicole Chulick po qëndron për vizitë në Kosovë.

    Para takimit me presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin Albin Kurti, ajo është pritur nga ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

    Ky përmes një njoftimi ka treguar arsyet e vizitës së zyrtares amerikane në Kosovë.

    “Gjatë vizitës së saj, Chulick do të fokusohet në çështje kritike për marrëdhëniet tona dypalëshe, duke përfshirë të drejtat e pakicave dhe të drejtat e njeriut në Kosovë”, ka shkruar ai ndër të tjera.

    Chulick është pritur në takim nga presidentja Osmani, ndërsa me kryeministrin Kurti pritet të takohet në ora 14:30.

  • ​Irani shpalli pesë ditë zie pas vdekjes së presidentit

    ​Irani shpalli pesë ditë zie pas vdekjes së presidentit

    Udhëheqësi suprem i Iranit Ali Khamenei shpalli pesë ditë zi publike për presidentin Ebrahim Raisi pas vdekjes së tij në një aksident me helikopter dhe konfirmoi Mohammad Mokhber si kreun e përkohshëm të degës ekzekutive të vendit.

    “Shpall pesë ditë zie publike dhe shpreh ngushëllimet e mia për popullin e dashur të Iranit”, tha Khamenei në një deklaratë të transmetuar nga agjencia zyrtare e lajmeve IRNA.

    “Mokhber do të menaxhojë degën ekzekutive dhe është i detyruar me krerët e degëve legjislative dhe gjyqësore për të zgjedhur një president të ri brenda një maksimumi prej 50 ditësh,” tha ai.

    Sipas nenit 131 të kushtetutës së Iranit, një këshill i përbërë nga zëvendëspresidenti i parë, kryetari i parlamentit dhe kreu i gjyqësorit duhet të përgatisë rrugën për zgjedhjen e një presidenti të ri. /The Guardian/