ATV

Blog

  • Vazhdon dëshminë dëshmitari i 65-të në rastin Thaçi dhe të tjerët

    Vazhdon dëshminë dëshmitari i 65-të në rastin Thaçi dhe të tjerët

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon dëshminë dëshmitari i 65-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar i cili mbanë kodin W04710 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Ky dëshmitar, dëshminë e ka nisur të mërkurën dhe sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurorja Alexandra Insinga ai është i afërm i një viktime e cila është zhdukur dhe vrarë nga Drenoci, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Përpara se të vazhdohet me dëgjimin e dëshmisë së këtij dëshmitari, kryetari i trupit gjykues Charles Smith III tha se do të diskutojnë lidhur me një çështje fillimisht, por që seanca kaloi në sesion privat me arsyetimin e mbrojtjes së dëshmitarit dhe informacionit konfidencial.

    Megjithatë, vlen të theksohet se është bërë modifikimi për pushimet në orarin e sotëm të seancës për sesionin e paradites ndërsa, orari i pasdites mbetet i pandryshuar.

    “Seanca e parë do të zgjasë deri në orën 10:30, pasuar nga një pushim prej 15 minutash. Seanca e dytë do të vazhdojë deri në orën 12:00. Pushimi i drekës do të jetë prej orës 12:00 deri në ora 14:30, ndërsa seanca e fundit do të mbahet prej orës 14:30 deri në 16:30”, thuhet gjithashtu edhe në njoftimin e DhSK-së.

    Kujtojmë që gjatë fundit të seancës së djeshme, kryegjykatësi Charles Smith III tha se ZPS-ja ka propozuar që dy dëshmitarë të tjerë të dëshmojnë përmes video-lidhjes për çka tha se vendimi do të merret me vonë. Ndryshe, palët mbrojtëse nuk e kundërshtuan këtë parashtrim të ZPS-së.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Tri gjëra që nuk preferohet t’i bëni menjëherë pasi keni ngrënë

    Tri gjëra që nuk preferohet t’i bëni menjëherë pasi keni ngrënë

    Nëse prindërit tuaj ju kanë paralajmëruar si fëmijë që të mos shkoni për të notuar të paktën gjysmë ore pas një vakti, ata kishin të drejtë. Domethënë, ka disa gjëra që nuk preferohet të bëhen menjëherë pas ngrënies.

    Për ta lehtësuar tretjen, rekomandohet të pini një gotë ujë pas një vakti dhe të bëni një shëtitje të lehtë. Kjo do t’ju ndihmojë ta rregulloni sheqerin në gjak dhe do t’ju bëjë të ndiheni më mirë.

    Por, duhet t’i shmangni këto tri gjëra:

    Mos i lani dhëmbët
    Sipas klinikës Mayo, duhet të shmangni larjen e dhëmbëve menjëherë pas ngrënies, nëse keni ngrënë ose pirë ndonjë gjë acidike, si limonët dhe frutat tjera agrume, ose nëse keni pirë verë. Në këtë rast duhet të prisni 30 minuta para pastrimit, sepse mund ta dëmtojë smaltin.

    Mos flini
    Vaktet para gjumit mund të çojnë në urth dhe dhimbje të tjera stomaku dhe ta prishin cilësinë e gjumit tuaj. Sipas mjekëve nga klinika Mayo, duhet të prisni të paktën tre orë pas ngrënies.

    Kjo për shkak se ushqimi që mbetet në trupin tonë nuk mund të përpunohet njësoj si kur jemi ulur ose kryejmë ndonjë lloj aktiviteti fizik, siç është ecja. Në vend të kësaj, ushqimi dhe acidi kthehen në ezofag dhe më pas mund të keni urth.

    Mos ushtroni
    Ushtrimi ose aktiviteti i tepërt fizik pas një vakti nuk është një ide e mirë nëse doni t’i shmangni shqetësimet e stomakut ose ngërçet e muskujve. Nëse hani një vakt të madh, prisni tre deri në katër orë para se të ushtroni. Nëse keni një meze të lehtë ose një vakt të vogël, pritni të paktën një orë. /Telegrafi/

  • Arrestohet Agron Gashi, i dyshuari për plagosjen e trefishtë mbrëmë në Pejë

    Arrestohet Agron Gashi, i dyshuari për plagosjen e trefishtë mbrëmë në Pejë

    Policia e Kosovës ka arrestuar në orët e mesditës Agron Gashin, i dyshuar për plagosjen e trefishtë të ndodhur mbrëmë, në Pejë.

    Arrestimin e 21-vjeçarit e ka konfirmuar prokurori Ersan Qavolli.

    Nga incidenti që ka ndodhur të mërkurën në mbrëmje, për shkak të plagëve, të plagosurit janë dërguar nga Spitali rajonal i Pejës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në Prishtinë.

    I dyshuari Agron Gashi ёshtё recidivist i veprave penale, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

    Ndërkohë, një person është arrestuar gjatë orëve të natës pas plagosjes në Pejë.

    I arrestuari po dyshohet për dhënie të ndihmës pas kryerjes së veprës penale.

    Arrestimi u konfirmua nga Ersan Qavolli, prokurori që po e trajton rastin, derisa ka treguar se të plagosurit janë babai, i biri dhe dhëndri.

    “Mund të ju konfirmoj që kemi arrestuar një person për dhënie të ndihmës, pas kryerjes së veprës penale. I dyshuari kryesor është ende i paarritshëm në arrati. Policia po punon për kapjen e tij”, tha Qavolli.

  • Haxhiu falënderon deputetët që votuan pro marrëveshjes me Danimarkën për burgjet

    Haxhiu falënderon deputetët që votuan pro marrëveshjes me Danimarkën për burgjet

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i ka falënderuar deputetët për votimin e marrëveshjes me Danimarkën për burgjet.

    Haxhiu tha se kjo marrëveshje është një dëshmi e besimit dhe respektit reciprok mes dy vendeve.

    Falënderoj deputetët e Kuvendit të Kosovës për miratimin e kësaj Marrëveshje të dobishme për Republikën e Kosovës. Kjo marrëveshje është një dëshmi e besimit dhe respektit reciprok mes dy vendeve tona. Ajo do të sjellë përfitime të ndërsjella dhe do të hapë dyer të reja për bashkëpunime të ardhshme”, ka thënë Haxhiu.

  • Fotografi i njohur kosovar Arton Humolli, sjell ekspozitën e tij të bujshme në shtatë ditët e Prishtina International Theater Festival

    Fotografi i njohur kosovar Arton Humolli, sjell ekspozitën e tij të bujshme në shtatë ditët e Prishtina International Theater Festival

    Në shtatë ditët e Prishtina International Theater Festival, të gjithë të pranishmit përveç shfaqjeve do kenë mundësinë të shijojnë artin e bukur edhe përmes një forme tjetër, nga fotografitë e Arton Humollit të ekspozuara në Kolegjin AAB.

    Autori i fotografive Arton Humolli, i njohur ndërkombëtarisht me shumë çmime për punën e tij si: fitues i “Les Plus Grand Photo Concours Du Monde” në Paris, fotografia më e mirë “New York Nil Gallery” në SHBA, çmimi i artë “Fondo Inernazionale Per La Fotografia” në Itali; ka hapur ekspozitën e tij të titulluar “Her” (Ajo) në Kolegjin AAB në kuadër të PITF, e cila ngërthen një kuptim të veçantë përbrenda saj. “Her”, është një ftesë për të vlerësuar interpretimet e gjera dhe të larmishme të bukurisë në jetën e grave.

    Duke sfiduar përkufizime të ngushta dhe duke përqafuar një spektër të gjerë idealesh bukurie, kjo ekspozitë synon të frymëzojë vizitorët të njohin dhe kremtojnë bukurinë unike të gruas, të respektojnë të drejtat dhe liritë e saj dhe të nderojnë botën e saj të bukur.

    Artoni, u shpreh falënderues edhe ndaj kontributit që pati në zhvillimin e tij profesional producentin Zijad Mehic, njëherazi drejtor i Prishtina International Theater Festival. “Duke e pasur profesorin e nderuar Mehic mentor timin, padyshim që ndikoi shumë në karrierën time si fotograf. Ai është një nga mbështetësit më të mëdhenj dhe për këtë ndjehem shumë falënderues, andaj ftesën nga ana e tij për të qenë pjesë e festivalit me ekspozitë personale e pranova me shumë nder dhe kënaqësi” u shpreh Humolli.

  • Reuters: Një deputet i VV-së thotë se Kurti po mundohet ta bindë me zgjedhje opozitën për kodin e ri civil

    Reuters: Një deputet i VV-së thotë se Kurti po mundohet ta bindë me zgjedhje opozitën për kodin e ri civil

    Në një banesë në Prishtinë, aktorë homoseksualë qeshin dhe bërtasin gjatë ushtrimeve për një shfaqje që shpreh satirë rreth politikanëve homofobë dhe për t’i mbrojtur të drejtat e barabarta për komunitetin LGBT në Kosovë, që mund të bëhet së shpejti shteti i parë me shumicë myslimane që i lejon martesat e gjinisë së njëjtë.

    Shfaqja pritet të realizohet gjatë “Javës së Krenarisë” në qershor, por gjithashtu mund të bjerë në kohën e votimit të një kodi të ri civil në Kuvend, me të cilin do të legalizoheshin unionet civile mes personave me gjini të njëjtë. Nuk është e qartë saktësisht se kur do të votohet kodi i ri civil, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, muajin e kaluar tha se një gjë e tillë do të ndodhë shpejt, raporton agjencia “Reuters”.

    Mirataimi i kodit, edhe pse ende i paqartë, do të ishte shtytje e madhe për të drejtat e homoseksualëve në vendin konservator ballkanik, edhe pse shumë anëtarë të këtij komuniteti kanë frikë se një lëvizje e tillë nuk do t’i ndryshojë qëndrimet e rrënjosura.

    Gjatë ushtrimeve, regjisorja homoseksuale e shfaqjes, Arlinda Morina, tha se do të martohej me partneren e saj, nëse miratohet ligji, por nuk pret që të bëhet papritmas e pranuar në shoqëri.

    “Kjo do të bëjë një zhurmë të madhe dhe do t’i japë një dridhje të vogël vendit, por nuk besoj se do ta ndryshojë shumë mënyrën se si ne trajtohemi” – i tha ajo agjencisë “Reuters”.

    “Çfarë do të mund të ndryshonte martesa, kur ende je e pështyrë dhe e fyer në rrugë” – pyeti Morina.

    Përderisa shumica e vendeve të Evropës Perëndimore kanë lëvizur drejt barazisë në martesë, të drejtat janë të kufizuara në një pjesë të madhe të lindjes dhe jugut të Evropës.

    Në Kosovë, në mesin e kundërshtarëve është Duda Balje, deputete dhe kryetare e Komisionit Parlamentar për të Drejta të Njeriut.

    “Ne nuk duam presion nga një komunitet i vogël për ta shkelur atë që shumica e mendon” – i tha ajo agjencisë “Reuters”.

    Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjes se kur pret që kodi i ri civil të votohet në Kuvend.

    Një deputet i partisë në pushtet i tha agjencisë “Reuters” në kushte anonimiteti se Kurti po mundohet që ta bindë opozitën për ta votuar kodin e ri civil, si dhe marrëveshje për energjinë e infrastrukturën, duke i ofruar si këmbim shpallje të zgjedhjeve të parakohshme.

    Zgjedhjet e reja parashihen për shkurtin e vitit 2025, sipas afatit të rregullt.

    Kodi i ri civil do t’u lejonte çifteve me gjini të njëjtë që të regjistrojnë unione civile, por kërkon miratim të një ligji tjetër për t’i rregulluar martesat mes homoseksualëve.

    Për Blert Morinën, që e udhëheq organizatën CEL për mbrojtjen e komunitet LGBT në Kosovë, kodi i ri civil duhet të zgjidhë gjithçka përnjëherë.

    “Shteti na konsideron ne si qytetarë të klasës së dytë” – tha Morina, transgjinor. Sipas Morinës, diskutimet për ligjin e ri “na kanë ekspozuar ndaj urrejtjes”.

  • Çfarë është zgjidhja me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez?

    Çfarë është zgjidhja me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez?

    Lufta në Gazë ka rikthyer vëmendjen te zgjidhja me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez, që nga shumë shtete shihet si rrugë drejt paqes, edhe pse procesi i negociatave për këtë çështje ka ngecur tash e një dekadë.

    Më shumë se shtatë muaj që nga nisja e luftës më vdekjeprurëse mes izraelitëve dhe palestinezëve, Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk ka mënyrë për t’i zgjidhur çështjet e sigurisë së Izraelit dhe sfidat e rindërtimit të Gazës, pa bërë hapa drejt një shteti palestinez.

    Më 22 maj, Irlanda, Spanja dhe Norvegjia njoftuan se do ta njohin shtetin palestinez për të ndihmuar në dhënien fund të luftës, për t’i liruar pengjet dhe për t’i ringjallur bisedimet e paqes. Këto tri shtete thanë se shpresojnë që edhe shtetet e tjera perëndimore do ta ndjekin shembullin e tyre.

    Autoriteti Palestinez, që ka pushtet të kufizuar në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, mirëpriti vendimin e tri shteteve evropiane. Ndërkaq, Izraeli tërhoqi ambasadorët e tij në shenjë proteste, duke thënë se lëvizje të tilla mund të rrezikojnë sovranitetin dhe sigurinë e tij.

    Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se ai nuk do të bëjë kompromis për kontrollin e plotë të sigurisë izraelite në perëndim të Jordanisë dhe kjo, sipas tij, është kundërshtim me një shtet sovran palestinez. Për Netanyahun, një shtet palestinez do të paraqiste “rrezik ekzistencial” për Izraelin.

    Për një kohë të gjatë është penguar zgjidhja me dy shtete, e cila parasheh shtetin izraelit dhe atë palestinez përkrah njëri-tjetrit.

    Këtu përfshihen vendbanimet hebreje në tokat e pushtuara, që palestinezët kërkojnë të jenë pjesë e shtetit të tyre në të ardhmen, dhe ka qëndrime për të cilat nuk ka kompromis për çështjet kyçe, përfshirë kufijtë, për fatin e refugjatëve palestinezë dhe statusin e Jerusalemit, një qytet antik, i shenjtë për të dyja palët.

    Ku e ka origjinën zgjidhja me dy shtete?

    Konflikti ndodhi në Palestinën që sundohej nga britanikët, mes arabëve dhe hebrenjve të cilët kishin migruar në atë zonë, duke kërkuar një shtëpi për kombin e tyre pasi ikën nga përndjekja në Evropë dhe duke u thirrur në lidhjet biblike me këtë tokë.

    Më 1947, Kombet e Bashkuara u pajtuan për planin për ndarjen e Palestinës në shtete arabe dhe hebreje, me një sundim ndërkombëtar mbi Jerusalemin. Liderët hebre e pranuan planin, që u dha atyre 56 për qind të tokës. Liga Arabe e refuzoi.

    Shteti i Izraelit u shpall më 14 maj 1948. Një ditë më vonë, pesë shtete arabe e sulmuan. Lufta përfundoi me Izraelin që mori nën kontroll 77 për qind të territorit.

    Afër 700.000 palestinezë u zhvendosën apo u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Ata përfunduan në Jordani, Liban, Siri, por edhe në Rripin e Gazës, Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor.

    Në luftën e vitit 1967, Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor, përfshirë Jerusalemin Lindor nga Jordania dhe Gazën nga Egjipti, duke siguruar kontrollin e të gjitha territoreve nga Mesdheu deri në Luginën e Jordanisë.

    Palestinezët mbetën pa shtet dhe shumica e tyre jetojnë nën pushtimin izraelit apo si refugjatë në shtetet fqinje. Disa – kryesisht pasardhësit e palestinezëve që qëndruan në Izrael pas krijimit të këtij shteti – kanë shtetësi izraelite.

    A ka qenë ndonjëherë afër arritja e një marrëveshjeje?

    Zgjidhja me dy shtete ishte thelbi i procesit të paqes i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, që nisi nga Marrëveshja e Oslos në vitin 1993, e cila u nënshkrua nga Yasser Arafat nga Organizata për Çlirimin e Palestinës (PLO) dhe kryeministri izraelit, Yitzhak Rabin.

    Kjo marrëveshje bëri që PLO-ja të njihte të drejtën e Izraelit për të ekzistuar dhe të hiqte dorë nga dhuna. Pakti po ashtu mundësoi krijimin e Autoritetit Palestinez. Palestinezët shpresonin se ky do të ishte një hap drejt shtetit të pavarur të tyre, me kryeqytet Jerusalemin Lindor.

    Por, procesi u refuzua nga të dyja palët.

    Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – ka kryer sulme vetëvrasëse që kanë vrarë shumë izraelitë dhe më 2007, ky grup mori nën kontroll Gazën nga Autoriteti Palestinez pas një lufte të shkurtër civile. Karta e Hamasit, e vitit 1988, avokon për shkatërrimin e Izraelit edhe pse vitet e fundit ky grup ka thënë se do të pranojë një shtet palestinez me kufijtë e vitit 1967. Izraeli ka deklaruar se ky ndryshim i qëndrimit të Hamasit është mashtrim.

    Në vitin 2000, presidenti i atëhershëm amerikan Bill Clinton, kishte mbledhur në Kampin David Arafatin dhe kryeministrin e asaj kohe të Izraelit, Ehud Barak, për të arritur një marrëveshje. Por, përpjekja e Clintonit dështoi.

    Fati i Jerusalemit, që Izraeli e konsideron kryeqytetin e tij “të përjetshëm dhe të pandashëm”, është pengesa kryesore.

    Konflikti u përshkallëzua me Intifadën (kryengritjen) e dytë palestineze më 2000-2005. Administratat amerikane kanë tentuar të ringjallin procesin e paqes, por pa sukses. Përpjekja e fundit dështoi në vitin 2014.

    Si do të mund të dukej një shtet palestinez?

    Avokuesit e zgjidhjes me dy shtete kanë paraparë një Palestinë në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor, të lidhur me një korridor që kalon përmes Izraelit.

    Dy dekada më vonë, detajet se si do të mund të funksiononte një zgjidhje e tillë u prezantuan në një plan nga ish-negociatorët izraelitë dhe palestinezë.

    E njohur si Marrëveshja e Gjenevës, parimet e këtij plani përfshijnë njohjen e lagjeve hebreje të Jerusalemit si kryeqytet izraelit, dhe njohjen e lagjeve arabe si kryeqytet palestinez. Po ashtu, aty përfshihet edhe çmilitarizimi i shtetit palestinez.

    Izraeli do të aneksonte vendbanime të mëdha dhe do të dorëzonte kontrollin e tokave të tjera në një shkëmbim territoresh, si dhe do të zhvendoste jashtë territorit sovran palestinez kolonët hebrenj.

    Sa të mëdha janë pengesat?

    Pengesat janë rritur me kalimin e kohës.

    Përderisa Izraeli tërhoqi kolonët dhe ushtarët nga Gaza më 2005, vendbanimet izraelite u zgjeruan në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor. Popullsia në këto vendbanime u rrit nga 250.000 sa ishin më 1993 në 695.000 tri dekada më vonë, sipas organizatës izraelite, Paqe Tani. Palestinezët kanë thënë se kjo minon bazën e një shteti të qëndrueshëm.

    Gjatë Intifadës së dytë, Izraeli po ashtu ndërtoi atë që e ka përshkruar si barrierë për të ndalur sulmet palestineze. Palestinezët e quajnë vjedhje të tokës.

    Autoriteti Palestinez i udhëhequr nga Mahmoud Abbas administron pjesë të tokës në Bregun Perëndimor, që janë të rrethuar nga një zonë e kontrollit izraelit që përbën 60 për qind të territorit, përfshirë kufirin jordanez dhe vendbanimet – kushte të përcaktuara në Marrëveshjen e Oslos.

    Situata është ndërlikuar edhe më shumë nga politikat e brendshme. Qeveria e Netanyahut është ekzekutivi më i djathtë në historinë e Izraelit dhe përfshin nacionalistët fetarë, të cilët kanë mbështetjen e kolonëve. Vitin e kaluar, ministri i Financave, Bezalel Smotrich, tha se nuk ka popull palestinez.

    Hamasi fitoi zgjedhjet në vitin 2006 dhe një vit më vonë dëboi nga Gaza forcat besnike ndaj Hamasit, duke fragmentuar edhe më shumë palestinezët.

    A ka një rrugë përpara?

    Çështja e parë dhe më e menjëhershme ka të bëjë me fatin e Gazës.

    Izraeli synon të shfarosë Hamasin dhe ka thënë se nuk do të pajtohet me asnjë marrëveshje që e lë grupin në pushtet në Gazë. Netayahu ka thënë se Gaza duhet të çmilitarizohet dhe të jetë nën kontrollin e plotë të sigurisë të Izraelit.

    Ai ka thënë se nuk dëshiron që Izraeli të qeverisë me Gazën apo të rivendosë vendbanime atje.

    Hamasi ka thënë se pret që të mbijetojë, duke theksuar se çdo marrëveshje për Gazën, që e përjashton grupin, është iluzion.

    (Marrë nga Radio Evropa e Lirë)

  • Kuvendi miraton tri marrëveshje ndërkombëtare

    Kuvendi miraton tri marrëveshje ndërkombëtare

    Ndërkaq, pas kësaj, pro u votua edhe për ratifikimin e Amendamentit të Marrëveshjes për Themelimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

    Po ashtu, ani pse pati debate mes pozitës dhe opozitës, me 80 vota u miratua edhe për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës (BZHKE) për Projektin “Banimi social adekuat”.

    Propozimin për këtë marrëveshje, e cila vlerën totale e ka 25 milionë euro, e bëri Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

    Ai tha se qëllimi kryesor i këtij projekti është zhvillimi i sistemit të menaxhimit të banimit social në Kosovë dhe ngritja e numrit të njësive të numrit social në vend.

    Murati potencoi se nga miratimi i kësaj marrëveshje do të përfitojnë familjet e cenueshme dhe ato me të ardhura të ulëta, të cilat nuk e kanë të zgjidhur çështjen e banimit.

    Përveç kësaj, ai shtoi se përmes qirave të përballueshme mund të përfitojnë edhe familjet me të ardhura të ulëta deri tek ato me të ardhura të mesme, të cilat e kanë të vështirë të përballojnë çmimet e tregut për banim.

    Lidhur me këtë, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha kritikoi qeverinë për trajtimin e këtij projektligji, për çka tha se ende nuk është sjellë në kuvend ligji për banim social.

    Për këtë, Hoxha tha se ky draftligj ekziston që nga viti 2019.

    Si çështje të rëndësishme, deputetja e PDK-së, përmendi faktin se si do të bëhet përzgjedhja e familjeve përfituese.

    Ndërkaq, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti tha se pavarësisht që do ta mbështesin këtë marrëveshje, duhet dhënë sqarime rreth saj.

  • Kurti: Armatimi i madh i Serbisë tregon që synon eskalimin

    Kurti: Armatimi i madh i Serbisë tregon që synon eskalimin

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po qëndron në Mbretërinë e Bashkuar, ku po merr pjesë në Konferencën e Mbrojtjes në Londër. Nga atje, shefi i Qeverisë së Kosovës ka deklaruar se armatimi i madh i Serbisë, tregon që ajo po synon eskalimin e situatës.

    “Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, hapi konferencën duke nënvizuar kërcënimin e Rusisë dhe Serbisë. Ai tha se “armatimi i madh” i Serbisë është një tregues se ajo “synon përshkallëzim”.” – thuhet në një postim të organizatorëve të konferencës.

    Tutje, Kurti është shprehur se Kosova po bashkëpunon në çdo sferë me partnerët e saj, ndërsa Serbia me Rusinë, Kinën e Iranin.

    “Derisa Republika jonë bashkëpunon në çdo sferë me partnerët e saj, si SHBA, Mbretërinë e Bashkuar dhe BE-në, Serbia intensifikon bashkëpunimin e saj me Rusinë, Kinën dhe Iranin.” – ka thënë tutje Kurti.

    Ai ka përmendur raportin e publikuar nga Instituti Ndërkombëtar Republikan, ku tregohet se 87 për qind e kosovarëve, mbështesin politikën pro BE-së dhe pro perëndimit.“Demokracia ka nevojë për siguri dhe siguri në mënyrë që të lulëzojë. Sipas një studimi të kryer nga Instituti Ndërkombëtar Republikan, 87% e Kosovës mbështesin politikën pro BE-së dhe Pro-perëndimit. Kjo është përqindja më e lartë e çdo vendi të Ballkanit Perëndimor.” – ka thënë ai.

  • Ratifikohet marrëveshja e Kredisë për “Banimi social adekuat”

    Ratifikohet marrëveshja e Kredisë për “Banimi social adekuat”

    Me 80 vota për, është votuar ratifikimi I Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës (BZHKE) për Projektin “Banimi social adekuat”, raporton EO.

    Për këtë marrëveshje nuk pati asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

    Për qëllimin e këtij projekti, foli ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

    “Republika e Kosovës, përkundër që nuk jemi anëtar në Këshillin e Evropës, raporte tashmë kemi me Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës dhe në kuadër të thellimit të këtij raporti kemi nënshkruar edhe marrëveshjen e fundit, pra që është për financimin e projektit për “Banimin social adekuat”. Qëllimi kryesor i këtij projekti është zhvillimi i sistemit të banimit social në Kosovë dhe ngritja e numrit të njësive të banimit në vend. Marrëveshja përfshin ngritjen e njësive të banimit social, kjo të bëhet duke renovuar njësitë ekzistuese, shndërrimin e ndërtesave ekzistuese në banesa të reja sociale, ndërtimin e banesave të reja të banimit social e të tjera”, deklaroi Murati.

    Lidhur me këtë marrëveshje, sqarime kërkoi deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha.

    “Për mua ka shumë rëndësi ta kuptoj se në bazë të cilave kritere do të bëhet përzgjedhja e familjeve, në cfarë mënyre do të kooperohet me komunat të cilat do të jenë bartëse qoftë të procesit të ndërtimit në situata të caktuara ose menaxhimit të stokut të këtyre banesave në një të ardhme kur ato ndërtohen, kur krejt këto kritere i përcakton Ligji për Banimin Social”, tha Hoxha.

    Edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ngriti shqetësime për këtë marrëveshje.

    “Problemi kryesor me këtë marrëveshje është kohëzgjatja nga momenti që është iniciuar e deri tash…Janë humbë të gjitha afatet kohore për këtë marrëveshje…”, tha deputeti Hoti.

    Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturë, Librun Aliu, tha se nga ky Projektligj do të përfitojnë pesë kategori.

    “Siç dihet në vendin tone 75 për qind e ndërtimeve janë pa leje, këto ndërtime janë të papërfunduara dhe kanë nevoje të investohet ne to dhe familjet me asistencë sociale qe kane nevojë t’iu lehtësohet jeta”, u shpreh ai.