ATV

Blog

  • Konjufca e Nikolla bëjnë homazhe pranë pllakës përkujtimore për fëmijët e vrarë nga forcat serbe gjatë luftës

    Konjufca e Nikolla bëjnë homazhe pranë pllakës përkujtimore për fëmijët e vrarë nga forcat serbe gjatë luftës

    Pas përfundimit të seancës solemne për nderë të 25-vjetorit të çlirimit të vendit, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla, kanë bërë homazhe pranë pllakës përkujtimore për fëmijët e vrarë nga forcat serbe gjatë luftës, raporton EO.

  • Paralajmërim për përdoruesit e iPhone: iOS 18, nuk do të funksionojë në disa modele të iPhonet

    Paralajmërim për përdoruesit e iPhone: iOS 18, nuk do të funksionojë në disa modele të iPhonet

    iOS i ri ka një sërë veçorish të reja, por Apple ka konfirmuar se do të funksionojë vetëm në modelet më të reja të iPhone

    Apple ka konfirmuar se përditësimi i saj i ardhshëm në iOS do të funksionojë vetëm në modelet më të fundit të iPhone.

    Gjiganti i teknologjisë njoftoi se do të lëshojë iOS 18, përditësimin më të fundit të softuerit që përdor pajisjet e tij jashtëzakonisht të njohura, shkruan unilad, përkthen Periskopi.

    Përditësimet e sistemit përfshijnë futjen e AI në telefonat inteligjentë të Apple.

    Ekzistojnë gjithashtu përditësime për gjëra si; mbyllja e disa aplikacioneve në një iPhone.

    Kjo ndodh pavarësisht se shumë aplikacione duke përfshirë aplikacionet e mesazheve dhe emaileve si WhatsApp dhe ProtonMail, si dhe aplikacionet bankare dhe madje edhe shfletuesit tashmë kanë një opsion për të kërkuar FaceID ose një kod kalimi për t’i hapur ato.

    Ekziston gjithashtu një veçori që do t’i lejojë përdoruesit të dërgojnë para duke e mbajtur iPhone-in e tyre afër një pajisjeje tjetër.

    Ju gjithashtu do të jeni në gjendje të fshehni disa aplikacione nga pamja ose t’i vendosni ato në një dosje të fshehur.
    Në Mesazhet, përdoruesit do të mund të planifikojnë gjithashtu mesazhe për t’i dërguar për herë të parë në vend që të dërgohen vetëm menjëherë.

    Craig Federighi, nënkryetari i vjetër i Apple për Inxhinierinë e Softuerit, tha në një deklaratë: “Ne jemi të emocionuar të prezantojmë iOS 18.

    “Është një version i madh me veçori të jashtëzakonshme, duke përfshirë nivele të reja të personalizimit dhe aftësive, një aplikacion të ridizajnuar Photos dhe mënyra të fuqishme për të qëndruar i lidhur me Messages.”

    Ndoshta pjesa më e madhe është përfshirja e AI nga Apple në softuerin e tyre të ri.

    Federighi tha: “Ky version shënon gjithashtu fillimin e një epoke të re jashtëzakonisht emocionuese të inteligjencës personale me Apple Intelligence që ofron përvoja intuitive, të fuqishme dhe menjëherë të dobishme që do të transformojnë përvojën e iPhone, të gjitha me privatësinë në thelb.”

    Megjithatë, përdoruesit e modeleve të vjetra të iPhone mund të zbulojnë se nuk janë në gjendje të shkarkojnë sistemin e ri operativ.

    Kjo për shkak se është i disponueshëm vetëm në modelet më të reja të iPhone, kështu që nëse keni një të vjetër, atëherë nuk do të mund ta shkarkoni.

    Modelet që mund të përdorin sistemin e ri janë: iPhone 15, iPhone 15 Plus, iPhone 15 Pro, iPhone 15 Pro Max, iPhone 14, iPhone 14 Plus, iPhone 14 Pro, iPhone 14 Pro Max, iPhone 13, iPhone 13 mini, iPhone 13 Pro, iPhone 13 Pro Max, iPhone 12, iPhone 12 mini, iPhone 12 Pro, iPhone 12 Pro Max, iPhone 11, iPhone 11 Pro, iPhone 11 Pro Max, iPhone XS, iPhone XS Max, iPhone XR dhe iPhone SE Gjenerata e dytë ose më vonë.

    Pra, nëse keni një iPhone X ose më të hershëm, atëherë nuk do të jeni në gjendje të shkarkoni iOS-in e ri.

  • “Isha gjysmë e gjallë e zemërthyer që s’e kisha pjesën më të madhe të familjes”, Saranda Bogujevci përlotet në Kuvend

    “Isha gjysmë e gjallë e zemërthyer që s’e kisha pjesën më të madhe të familjes”, Saranda Bogujevci përlotet në Kuvend

    Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, e cila është edhe e mbijetuar e masakrës së marsit të vitit 1999 në Podujevë, është emocionuar gjatë fjalimit të saj në Kuvend, me rastin e shënimit të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, raporton EO.

    Bojujevci u përlot derisa foli për 12 qershorin e vitit 1999.

    “Para 25 viteve, isha një vajzë e brishtë, gjysëm e gjallë, me zemër të thyer që nuk kisha pjesën më të madhe të familjes…më falni”, tha Bogujevci, e përlotur.

    Ajo u duartrokit nga të gjithë në Kuvend, ku tha se ndihet e privilegjuar dhe shumë krenare që i shërben vendit.

    “Sot para 25 viteve isha e shtrirë në spitalin e Prishtinës, isha bashkë më fëmijët e axhës që të gjithë të plagosur rëndë. Ne e paguam shumë shtrenjtë lirinë tonë, këto pasoja dhe kujtime të hidhura të këtij gjenocidi i kujtojmë edhe sot. Fatkeqësisht, Serbia ende nuk është penduar. Sot e për here përkulemi para dëshmoreve e dëshmorëve që ranë për lirinë tonë. Sot para 25 vitesh isha e thyer se nuk e kisha pjesën më të madhe të familjes por sot ndihem e privilegjuar se mund t’i shërbej popullit tonë. Përkujtojmë Fitoren e vërtetë se pa drejtësisë së gjatë”, ka thënë ajo.

  • Hovenier: Përkushtimi i ShBA-së ndaj popullit të Kosovës është po aq i fortë dhe i qëndrueshëm si gjithmonë

    Hovenier: Përkushtimi i ShBA-së ndaj popullit të Kosovës është po aq i fortë dhe i qëndrueshëm si gjithmonë

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, u ka dërguar mesazh shqiptarëve, me rastin e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

    Përmes një video-adresimi, Hovenier ka thënë se ndjehet krenar me arritjet e shtetit të Kosovës, duke shtuar se këto të arritura janë të jashtëzakonshme.

    “25 vjet më parë, forcat e NATO-s mbërritën në Kosovë. Lidershipi i SHBA-së luajti rol jetik për të mundësuar këtë, meqenëse ne, së bashku me aleatët tanë, i dhamë fund njëherë e përgjithmonë fushatës së tmerrshme të spastrimit etnik që regjimi i Millosheviqit e kreu këtu në Kosovë.

    Tani, 25 vjet më vonë, jemi krenar për gjithçka që keni arritur. Ju e keni ndërtuar shtetin tuaj sovran, demokratik dhe shumetnik nga themeli. Ajo që keni arritur është e jashtëzakonshme.Shtetet e Bashkuara janë krenare që janë partneri juaj ndërsa shënoni këtë moment historik të rëndësishëm . Dëshiroj të theksoj se përkushtimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj popullit të Kosovës është po aq i fortë dhe i qëndrueshëm si gjithmonë” tha mes të tjerash Hovenier.

    Ambasadori amerikan tha se SHBA-ja qëndron me krenari dhe plotësisht përkrah popullit të Kosovës.

    “Kemi qenë me ju që në fillim. Jemi me ju tani. Dhe mirëpresim të qëndrojmë përkrah jush në vitet që vijnë” shtoi Hovenier.

  • 5 gjërat që janë edhe më të rrezikshme sesa pirja e duhanit

    5 gjërat që janë edhe më të rrezikshme sesa pirja e duhanit

    Pirja e duhanit është një prej sjelljeve të fundit që po zhduket në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Shkala e të rriturve në Amerikës që konsumojnë duhanin ka rënë nga 42 për qind sa ishte më 1965 në 15 për qind në vitin 2015.

    Sidoqoftë, ka disa faktorë të tjerë që ju rrezikojnë në ditët e sotme, që rrjedhin nga preferencat në rritje për stilin e jetesës.

    Duhanpirja po zvogëlohet në SHBA, por faktorët tjerë që sipas shkencës duhet mbajtur sytë në ta, janë:

    1. Vetmia

    2. Qëndrimi ulur

    3. Pagjumësia

    4. Solariumi

    5. Dieta e varfër

  • Nikolla: Çlirimi i Kosovës është vepër e popullit të saj dhe vullnetit të partnerëve

    Nikolla: Çlirimi i Kosovës është vepër e popullit të saj dhe vullnetit të partnerëve

    Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lendita Nikolla, në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, ka thënë se kjo është vepër e popullit të saj, raporton EO.

    Në seancën solemne, ajo theksoi se Kosova e lirë dhe e pavarur është edhe rezultat i vullnetit të partnerëve ndërkombëtarë.

    “Çlirimi i Kosovë është vepër e popullit të Kosovës. Ne kemi mbijetuar gjithmonë në të gjitha udhëkryqet e historisë. Ky çlirim erdhi nga bijtë e saj, Kosova e lirë dhe e pavarur është rezultat i vullnetit të partnerëve. Gjatë këtyre 25-vjetëve, Kosova po ndërtohet si një shtet modern. Shqipëria mbështetë fuqishëm Kosovën”, tha Nikolla.

    Kryekuvendarja shqiptare shtoi se çdo sukses i Kosovës, është edhe sukses i Shqipërisë dhe anasjelltas.

  • Begaj: Do të punojmë për njohje të reja, Serbia me aleatë janë mobilizuar ta njollosin luftën e shqiptarëve

    Begaj: Do të punojmë për njohje të reja, Serbia me aleatë janë mobilizuar ta njollosin luftën e shqiptarëve

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se shteti i tij do të loboj edhe më shumë për t’i siguruar Kosovës njohje të reja, ndërsa ka paralajmëruar se Serbia dhe aleatët e saj kanë mobilizuar kapacitetet diplomatike e mediale për ta njollosur luftën e drejtë të shqiptarëve, raporton EO.

    Në seancën solemne të Kuvendit për nder të 25-vjetorit të çlirimit të vendit, Begaj ka kërkuar që shqiptarët të jenë të bashkuar.

    “Në një kohë kur Serbia dhe aleatët kanë mobilizuar kapacitetet diplomatike e mediale për të njollosur luftën e drejtë të shqiptarëve, kemi nevojë më shumë se kurrë të jemi bashkë, për një manifest krenarie kombëtare”, ka thënë Begaj.

    Presidenti i Shqipërisë kujtoi ish-presidentin Ibrahim Rugova, ish-veprimtarin Adem Demaçi e ish-komandantin Adem Jashari si figurat e shquara për Pavarësinë e Kosovës.

    “Sot nderojmë Ibrahim Rugovën, arkitektin e Pavarësisë së Kosovës. Sot nderojmë Adem Demaqin, sot përulemi përpara Jasharëve, familjes simbol për Kosovën e pavarur. Nderojmë kryetrimin Adem Jasharin, burra të tillë rëndë që lind historie. Sot është dita që kujtojmë të gjithë ushtarët e UÇK. Shqipëria hapi zemrën dhe dyert. Ndërhyrja e NATO-s ndaloi spastrimin etnik. Ata ishin hartuesit dhe zbatuesit të projektit të shtetformimit të Kosovës”, ka thënë tutje Begaj.

    “Ne kemi nevoje që të jemi bashkë, nuk mund të lejojmë që krimi të shfaqet si virtyte. Historia na njeh shqiptarët si paqedashës, ne sot kemi përgjegjësinë për të forcuar paqen. Aspiratat tona për integrim janë më të forta se kurrë dhe do të vazhdojmë pa u lodhur për të realizuar këtë objektiv. Kauza e Kosovës nuk ka përfunduar. Shqipëria ka punuar dhe do të punojë për të zgjeruar numrin e vendeve për njohjen e shtetit të Kosovës dhe anëtarësimin në organizata të ndryshme dhe për të zbuluar të vërteten ende të panjohura për gjenocidin në Kosovë. Çdo betejë e juaja është beteja jonë”, ka thënë ai.

  • Aksidentohet grupi i turistëve teksa ngjiste Majën e Jezercës, dyshohet për një viktimë

    Aksidentohet grupi i turistëve teksa ngjiste Majën e Jezercës, dyshohet për një viktimë

    Një grup turistësh janë aksidentuar në afërsi të Majës së Jezercës.

    Ato kanë kërkuar ndihmë te policia vendore ndërsa dyshohet se njëri prej tyre ka ndërruar jetë.

    Në ndihmë të tyre janë nisur Shërbimi i Kërkim – Shpëtimit Malor të Shqipërisë, forca policie dhe banorë vullnetarë të Thethit dhe Valbonës.

    Për shkak të mungeses së valëve telefonike është i vështirë komunikimi.

    Terreni i ngjitjes në Majën e Jezercës, është ndër më të vështirit dhe kërkon deri në 8 orë.

    Ai cilësohet me shkallë vështirësie të lartë dhe kërkon përgatitje të mirë fizike. Shpesh turistët udhëtojnë pa guida dhe përballen me të tilla aksidente.

  • ​Kurti në 25 vjetorin e çlirimit: Duam marrëdhënie të mira fqinjësore me njohje reciproke

    ​Kurti në 25 vjetorin e çlirimit: Duam marrëdhënie të mira fqinjësore me njohje reciproke

    Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore evropiane me njohje reciproke. Kreu qeveritar, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për nder 25 vjetorit të çlirimit nga forcat pushtuese serbe, theksoi nevojën e bashkëpunimit të shumanshëm rajonal, pa sulme, agresione dhe diskriminime.

    Ai para të pranishmëve tha se Kosova kurrë më e lirë dhe pavarur s’ka qenë. Sipas tij, vendi kurrë më i vendosur s’ka qenë për të mbrojtur lirinë dhe pavarësinë me çdo kusht.

    “Duam marrëdhënie të mira fqinjësore evropiane me njohje reciproke dhe bashkëpunim të shumë anshëm në të gjithë rajonin tonë. Pa sulme dhe agresione, pa diskriminime dhe shfrytëzime….Kurrë më të lirë dhe të pavarur nuk kemi qenë. Kurrë më të vendosur sesa sot nuk kemi qenë për të mbrojtur lirinë dhe pavarësinë tonë me çdo kusht. Me gjithçka dhe çdo njëri”, tha Kurti.

    Ai tha se Kosova dhe populli i saj, bashkë me Shqipërinë kanë forcuar lidhjet me vendet e perëndimit, kurse sikurse para 25 vjetësh ashtu edhe sot Serbia qëndron e rreshtuar prapa Rusisë, ashtu siç Rusia qëndron prapa shumë veprimeve të Serbisë.

    “Nga kjo histori duhet nxjerr mësime sikurse kemi bërë nga atëherë deri më sot. Kjo kuptohet më mirë nga rreshtimi gjeopolitik dhe gjeostrategjik i vendeve tona sot. Sikurse atëherë edhe tani Serbia e rreshtuar prapa Rusisë, ashtu siç Rusia qëndron prapa shumë veprimeve të Serbisë. Kosova dhe populli i saj, bashkë me Shqipërinë në vazhdimësi ka shkuar duke forcuar lidhjet dhe aleancën e saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, Gjermaninë dhe Turqinë, Francën e Italinë dhe vende të tjera perëndimore. Bashkimi Evropian është familja jonë e synuar politike, kurse NATO është destinimi ynë ushtarak. Andaj sot po e shënojmë 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës duke qëndruar bashkë me aleatët tanë, njësojë sikurse me 12 qershor dhe sikurse në ditën e para të çlirimit”, shtoi Kurti.

    Krahas kësaj, ai përmendi sakrificën e dëshmorëve dhe ushtarëve të lirisë për lirinë e Kosovës.

    “Që nga fillimi i vitit 2023 dhe deri në mes të këtij viti ditë pas dite për aq sa ka zgjatur lufta e Kosovës i kemi përkujtuar në 25 vjetorët e tyre dëshmorët dhe ushtarët e lirisë dhe betejat e lavdishme të UCK-së. Kemi përkujtuar të vrarët dhe viktimat e të gjithë atyre masakrave. Kemi përkujtuar të zhdukurit me dhunë, viktimat e përdhunimit dhe torturat, pengjet dhe të burgosurit e luftës. Kemi kujtuar dhe denoncuar dëmet dhe shkatërrimit dhe krimet e luftës”, përfundoi ai.

    Me intonimin e himnit shtetëror dhe kombëtar dhe një minutë heshtje për të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës ka nisur seanca solemne e Kuvendit të Kosovës, në nder të 25 vjetorit të çlirimit nga forcat pushtuese serbe, ku pjesëmarrës janë edhe personalitete dhe figura të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare. /kp

  • ​Konjufca: Dita e Çlirimit do të festohet si fitorja e së mirës mbi të keqen

    ​Konjufca: Dita e Çlirimit do të festohet si fitorja e së mirës mbi të keqen

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në seancën që po mbahet në nder të 25-vjetorit të çlirimit të vendit, ka thënë se 12 qershori i vitit 1999 është dita e rikthimit të shpresës për popullin e Kosovës.

    Konjufca tha se janë të panumërta viktimat shqiptare si rezultat i krimeve dhe keqtrajtimeve nga regjimet okupuese të Serbisë, duke shtuar se këto regjime kishin një synim të vetëm e që ishte shfarosja e një populli të tërë nga territori.

    Ai tha se krimet e Serbisë ishin aq të llahtarshme sa që morën përmasën e gjenocidit.

    “12 qershori i vitit 1999 është dita e rikthimit të shpresës për popullin e Kosovës. Pas gati një shekulli nën sundimin serb, Kosova u çlirua. Të shumta janë padrejtësitë, diskriminimet, segrenimet, keqtrajtimet, burgosjet, krimet që u ushtruan mbi popullin shqiptar nga regjimet okupuese të Serbisë. Të panumërta janë viktimat shqiptare të këtyre regjimeve që u mbështeten në programet sistematike, historike e politike të shtetit serb që e kishin vetëm një synim, e ky ishte shfarosja e një populli të tërë nga territori dhe përmes krimeve të llahtarshme. Këto krime të Serbisë e morën përmasën e gjenocidit. Për ne Serbia e njëjtë pavarësisht a u quajt dikur mbretëri jugosllave, ose pastaj jugosllavi federative asocialiste”, tha Konjufca.

    I pari i Kuvendit tha se duke festuar 12 qershorin është nevojshme të reflektohet mbi të kaluarën e vështire të popullit tonë, pasi sipas tij, kështu nuk harrohet e vërteta.

    Konjufca gjithashtu shtoi se Dita e Çlirimit do të festohet si dita e fitores së drejtësisë mbi padrejtësinë dhe dita e fitores së humanizmit mbi fashizmin.

    “Kur e kremtojmë 12 qershorin, Ditën e Çlirimit, e kemi domosdoshmëri etike që të reflektojmë mbi historinë se ajo ka qenë për popullin tonë vërtetë e vështirë. Prandaj ta kujtojmë të shkuarën e të mos e harrojmë të vërtetën nuk do të thotë të mos e duam paqen edhe pajtimin, por për ne gjithmonë e shohim pajtimin vetëm si rezultat të drejtësisë. Ne kujtojmë dhe do të kujtojmë gjithmonë sepse duam që padrejtësia dhe pushtimi të mos përsëriten kurrë më. 12 qershorin do ta festojmë si ngadhënjim mbi të keqen, si ditë të fitores të drejtësisë mbi padrejtësinë, lirisë mbi robërinë, të çlirimit mbi shtypjen dhe të humanizmit mbi fashizmin”, tha Konjufca. /kp