ATV

Blog

  • E bëri shqiponjën para serbëve, UEFA e përjashton gazetarin kosovar

    E bëri shqiponjën para serbëve, UEFA e përjashton gazetarin kosovar

    UEFA ka vendosur që të përjashtojë nga kampionati europian “Gjermani 2024” gazetarin nga Kosova, Arlind Sadikun.

    Shkak për këtë vendim është bërë gjesti i gazetarit shqiptar në ndeshjen Serbi-Angli të luajtur më 16 qershor, i cili bëri me duar simbolin e shqiponjës para tifozerisë serbe.

    Gjesti i Sadikut erdhi pas koreve raciste që serbët po bënin ndaj shqiptarëve, dhe duke bërtitur “Kosova është Serbi”. Pas shqiponjës me duar, gazetari Arlind Sadiku u shpreh se “Kosova është zemra e Shqipërisë”.

    Ky gjest i Sadikut është parë si provokim nga pala serbe dhe i kanë kërkuar UEFA-s që të merret masë.

    Mësohet se gazetarit nga Kosova i është ndaluar hyrja në konferenca për media dhe nuk mund të raportojë sot në ndeshjen Kroaci-Shqipëri dhe as në përballjet e ekipeve të tjera për kampionatin evropianin.

  • 13-vjetori i vdekjes, zbulohet pllaka përkujtimore e Nekibe Kelmendit në selinë e LDK-së

    13-vjetori i vdekjes, zbulohet pllaka përkujtimore e Nekibe Kelmendit në selinë e LDK-së

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se sot në përvjetorin e trembëdhjetë të ikjes në amshim – së bashku me Kosovaren e me bashkëpunëtorë, shpalosën pllakën dhe portretin përkujtimor të Nekibe Kelmendit brenda hapësirave të selisë qendrore të LDK-së.

    Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se gjurmët, sakrifica dhe puna e Nekibe Kelmendit tashmë janë një udhërrëfyes për të gjithë ne që të ecim përpara.

    “Portreti i saj, i vendosur tashmë përballë Enver Malokut, e në varg me të tjerë që do të pasojnë, do të shërbejnë si rikujtim i fuqishëm për secilin që kapërcen nëpër korridorin hyrës të kësaj shtëpie të demokracisë. Se vepra e madhe e lëvizjes kombëtare për liri, pavarësi e demokraci, është bartur nga njerëz të mëdhenj me ëndrra e përkushtime të mëdha!”

    “Nekibe Kelmendin, atdhetare dhe veprimtare e madhe të kauzës nacionale, ishte një emblemë identifikuese e një gruaje, e një nënë të pamposhtur që përkundër sfidave e dhimbjeve të rënda nuk u gjunjëzua asnjëherë. Ajo ka gravuar emrin e saj të merituar jo vetëm si një nga aktivistet e para të LDK-së, por edhe si profil i një njeriu që shkriu veten në formimin dhe konsolidimin e shtetësisë e Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.

  • Begaj: S’ka vend për pakënaqësi, Shqipëria avokate e Kosovës në arenën ndërkombëtare

    Begaj: S’ka vend për pakënaqësi, Shqipëria avokate e Kosovës në arenën ndërkombëtare

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në një intervistë për programin e “Deutsche Welle” në gjuhën shqipe, derisa foli rreth “hatërmbetjes” së Kosovës ndaj Shqipërisë, posaçërisht sa i përket zhvillimeve në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, theksoi se “s’ka vend për pakënaqësi” sepse Shqipëria do të jetë gjithmonë krah i Kosovës.

    “Kosova është interesi më madhor i Shqipërisë, Shqipëria është avokatja më e mirë e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe çdo iniciativë rajonale përmendet dhe mbrohet Kosova. Patjetër që ne do të kemi këtë bashkëpunim dhe në të ardhmen nuk mendoj që ka vend për pakënaqësi. Ne jemi aty, do të jemi gjithmonë në mbështetje të Kosovës”, garantoi presidenti shqiptar.

    Ndryshe, marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës kohën e fundit janë kategorizuar nga një cikël përplasjesh midis liderëve politikë. Kjo “ftohje” në raportet ndërshtetërore erdhi pas angazhimit të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, në procesin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit nën patronazhin e Bashkimit Evropian (BE), duke dhënë sugjerime e propozime.

    Megjithatë, përkundër se angazhimi aktiv i kryeministrit Rama për të gjetur një zgjidhje për rrjedhën e tensionuar të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë nuk ka gjetur konsideratë minimale nga liderët institucionalë në Kosovë, posaçërisht nga kryeministri kosovar, Albin Kurti, autoriteti dhe konstruktiviteti i tij janë vlerësuar pozitivisht nga diplomatët evropianë.

  • Burrë e grua që vdiqën brenda ditës në Podujevë, varrosen sot

    Burrë e grua që vdiqën brenda ditës në Podujevë, varrosen sot

    Një ngjarje shumë e rëndë ka ndodhur në familjen Azemi, në fshatin Bradash të Podujevës.

    Dy kryefamiljarët e tyre, burri dhe gruaja kanë ndërruar brenda 24 orëve. Lajmin për vdekjen e tyre e kanë konfirmuar familjarët e çiftit.

    Hamit dhe Nurije Azemi do të varrosen sot në ora 18:00, në varrezat e fshatit Bradash.

     

  • A duhet të konsumojnë sheqer fëmijët?

    A duhet të konsumojnë sheqer fëmijët?

    “American health association” pohon se për të mbrojtur fëmijët nga sëmundjet kardiovaskulare duhet evituar përdorimi i sheqerit deri në moshën 2 vjeçare, si edhe duhet përdorur në mënyrë të moderuar deri në moshën 18 vjeçare, konkretisht rreth 25 gr në ditë.

    Sheqeri konsiderohet prej kohësh si një faktor rreziku për shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare, hipertensionit dhe diabetit shkruan përnënat.al. Ju duhet të keni parasysh se kur flasim për sheqerin, nuk e kemi fjalën për atë që përmbajnë disa ushqime si për shembull frutat dhe qumështi, por për sheqerin që shtohen gjatë përgatitjes së tyre në shtëpi apo në proceset industriale (sakaroza, glukoza, fruktoza, mjalti dhe shurupët).

    Sigurisht që mendja të shkon tek tortat, biskotat, akulloret dhe karamelet, por duhet të theksojmë se sheqeri është i pranishëm edhe në disa ushqime për të cilat ndoshta nuk kemi dyshuar ndonjëherë më parë. Të tille janë hamburgerat, paninet si edhe disa salca si ketchup-i, për të mos përmendur pijet me gaz, çajin e ftohtë, pijet energjike (një kanaçe përmban rreth 40 gr sheqer).

    Sipas ekspertëve amerikanë sa më shumë sheqer të ketë në dietën e fëmijëve dhe adoleshentëve, aq më i madh do të jetë rreziku për tu shfaqur obeziteti tek fëmija, hipertensioni, të rritet niveli i yndyrës në gjak, të shfaqet diabeti etj. Mendohet gjithashtu se fëmijët të cilët konsumojnë shumë ushqime të pasura me sheqer të shtuar, konsumojnë më pak ushqime të shëndetshme si fruta, perime dhe drithëra integrale.

    Dy rekomandimet kryesore të specialistëve amerikanë:

    Fëmijët deri në moshën 2 vjeçare nuk kanë nevojë për sheqer, dhe aq më tepër të mësohen me shije të ëmbla. Pra përdorimi i sheqerit dhe mjaltit duhet të evitohet.

    Midis moshës 2 dhe 18 vjeçare, fëmija nuk duhet të marrë më shumë se 25 gr sheqer në ditë. Ata mund të konsumojë rrallëherë ndonjë ëmbëlsirë dhe pije, sasia e të cilave nuk duhet të jetë më shumë se 1 në javë. Dieta e tyre duhet të jetë e pasur me fruta, perime, mish, peshk, drithëra integrale dhe prodhime qumështi me pak yndyrë.

  • Kurti mirëpritet nga bashkatdhetarët në Hamburg të Gjermanisë

    Kurti mirëpritet nga bashkatdhetarët në Hamburg të Gjermanisë

    Me një mikpritje të përzemërt e të ngrohtë në Hamburg të Gjermanisë, është pritur mbrëmë nga bashkatdhetarët tanë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

    Në një bashkëbisedim, ai i njoftoi bashkatdhetarët për zhvillimet në Kosovë dhe për qeverisjen. Ndër të tjerash, ai veçoi procesin e regjistrimit të popullsisë, që për herë të parë është bërë në formë online përmes e-diaspora, vendimet e qeverisë në javën e kaluar, për të ndarë tre milionë euro për mbulimin e policës kufitare për bashkatdhetarët që vijnë në Republikën e Kosovës dhe tre milionë tjera për garantimin e kredive të bizneseve që hapen nga bashkatdhetarët tanë me qëllimin që bashkatdhetarët që kanë biznese në diasporë të kthehen dhe të investojnë në vend dhe miratimin e Ligjit për Zgjedhjet, i cili mërgatës iu mundëson votimin fizikisht në ambasada dhe konsullata ose votimin në postë të brendshme.

    Kryeministri gjithashtu përmendi programin e Ministrisë së Punëve të Jashtme për Diplomaci Qytetare, përmes së cilit shumë profesionistë të rinj po vijnë në Kosovë dhe po kontribuojnë në institucionet shtetërore me ekspertizën dhe kualifikimet e tyre.

    Për rolin dhe kontributin qenësor të mërgatës si dje ashtu edhe sot, kryeministri u shpreh pafundësisht falënderues e mirënjohës.

    Në Hamburg të Gjermanisë, kryeministri Kurti po shoqërohet nga ministri për Kthim edhe Komunitete, Nenad Rashiq dhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani. Atje po qëndron me ftesë të Përfaqësuesit të Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

    Vizitën në portin e Hamburgut për të parë nga afër Sistemin e Skanimit të Ngarkesave me Rreze X në port, kryeministri do ta bëjë së bashku me përfaqësuesin Special të Qeverisë së Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor Manuel Sarrazin, për të vazhduar më pas edhe në stadiumin e Hamburgut në mbështetje të kombëtares shqiptare sot në përballje me Kroacinë, në kuadër të EURO2024.

  • Bislimi: Ka pasur kërkesa nga shtetet anëtare të BE-së që Kosova të bëjë koncesione shtesë

    Bislimi: Ka pasur kërkesa nga shtetet anëtare të BE-së që Kosova të bëjë koncesione shtesë

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian ka pasur kërkesa për koncesione shtesë, që kanë shkuar përtej masave ndëshkuese që blloku ka vendosur ndaj Kosovës vitin e kaluar.

    “Por, natyrisht Kosova nuk ka pranuar të shantazhohet në këtë drejtim”, tha Bislimi gjatë një raportimi para Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane.

    Sipas tij, kërkesa të tilla, të cilat siç tha ai janë bërë në vazhdimësi nga shtetet anëtare, por jo direkt nga Brukseli, tregojnë se Kosova ka pasur më së paku faj për vendosjen e këtyre masave.

    Deklarata e Bislimit vjen pasi shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka dorëzuar një raport te shtetet anëtare të BE-së. Radio Evropa e Lirë mëson nga burimet diplomatike se në këtë raport, Borrell ka rekomanduar heqjen e masave ndëshkuese.

    Gjatë raportimit para Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane, Bislimi tha se shtetet anëtare të bllokut evropian e kanë pasur të qartë se vendosja e masave ndëshkuse ndaj Kosovës ka qenë “e padrejtë”.

    Sipas tij, brenda BE-së ka shtetet që mendojnë se mënyra se si janë vendosur këto masa ndëshkuese ka qenë shkelje e procedurave ligjore brenda BE-së, “dhe ka të tillë të cilët kanë iniciuar kërkesa brenda Komisionit Evropian për të verifikuar ligjshmërinë”.

    “Për shembull një ekspert shqiptar në Gjermani i cili është duke shkëmbyer mesazhe dhe shkresa me KE-më për të parë a është e shëndosh baza ligjore mbi të cilën janë marrë këto vendime”, tha Bislimi.

    Bislimi, i cili është edhe kryenegociator i Kosovës në dialogun me Serbinë, që ndërmjetësohet nga BE-ja, tha se masat u vendosën për shkak të trazirave të majit në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

    “Arsyeja pse Kosovës i janë vendosur masat lidhen me 26 dhe 29 maj për të cilat është thënë shumë herë se dihet origjina e këtyre trazirave. Origjina e këtyre trazirave është në Beograd, por duke qenë se ato kanë ndodhur brenda territorit të Kosovës, masat janë vendosur për Kosovën. Masat janë joproporcionale. Nga Kosova kërkohet diçka e cila nuk kontribuon asgjë në deeskalim, për shembull në një kohë kur protestojnë në Zveçan, kërkesa e BE-së ishte që të zhvendoset kryetari i Komunës në Leposaviq. Nuk kishte kurrfarë ndërlidhje mes kërkesës dhe eskalimit në terren. Çka është më e rëndësishme, masat kanë qenë të përkohshme dhe të kthyeshme pas deeskalimit”, tha ai.

    Bislimi shtoi se edhe pse Kosova, së bashku me Misionin e BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, kanë konstatuar se situata në veri është e qetë, BE-ja “ka hezituar të heqë masat”.

    “Madje ka pasur ide që ato të zbatohen në mënyrë graduale, apo të tërhiqen në mënyrë graduale me idenë që mbase masat të përdoren që të nxirren kompromise të tjera nga Kosova, jashtë asaj nga çfarë janë vendosur masat. Por, Problemi më i madh dhe reagimi i vendeve anëtare ka qenë në momentin kur është pa një pabarazi e qasjes së BE-së kur Serbia për shkelje shumë më të mëdha nuk është përballë me masa, ndërsa Kosova veç pse e ka zbatuar ligjin dhe ka dërguar kryetarët në zyrat ku ata kanë fituar zgjedhjet, është përballur me masa”, tha ai.

    Ndërkaq, për raportin e Borrellit, ku rekomandohet heqja e masave ndaj Kosovës do të diskutohet më 19 maj në takimin e Komitetit politik dhe të sigurisë së BE-së (PSC). Në bazë të diskutimeve do të shihet pastaj se a do të vendoset për heqjen e masave të vendosura ndaj Kosovës. Sipas burimeve diplomatike në Bruksel, heqja e masave ndaj Kosovës mund të jetë në rend dite edhe në takimin e Këshillit për punë të jashtme, që zhvillohet në nivel ministrash më 24 qershor.

    Masat ndaj Kosovës ishin vendosur para një viti si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët shqiptarë – të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët lokalë – nisën detyrën e tyre në komunat në veri.

    Ndër masat e BE-së janë suspendimi i përkohësisht i punës së trupave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Kosova, po ashtu, nuk ftohet në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat bilaterale janë suspenduar, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

    Masat tjera janë suspendimi i programit të fondeve për Kosovën në kuadër të IPA 2024 (Fondet e Para-Anëtarësimit).

    Propozimet e dorëzuara nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimorë (WBIF) nuk janë paraqitur për shqyrtim në bordin e këtij fondi. Kontratat e reja ku autoritetet e Kosovës janë përfituese tash për tash janë të ndalura.

    Kosova ka insistuar disa herë se ka përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen e masave./REL/

  • Arrestohet një burrë në Mitrovicë, sulmoi me thikë bashkëshorten

    Arrestohet një burrë në Mitrovicë, sulmoi me thikë bashkëshorten

    Një burrë nga Mitrovica e jugut, është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, mbi dyshimin se mesditën e së martës që e lëmë pas, e ka sulmuar fizikisht dhe ka gërvishtur me thikë gruan e tij.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje mes çiftit, ndërsa dhe gruaja më pas është ankuar edhe në polici.

    ”Mitrovicë Jugu 18.06.2024-12:40. Ankuesja femër kosovare, ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht, e me pas edhe është gërvishtur me thikë nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje”.

  • KRU “Prishtina” me aksion për shkyçje në Veternik

    KRU “Prishtina” me aksion për shkyçje në Veternik

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka nisur një aksion të ri që fokus kanë borxhlinjtë e mëdhenj të shërbimeve të ujit dhe konsumatorët ilegalë, raporton Ekonomia Online.

    Aksioni ka filluar në lagjen “Veternik”.

    Për këtë ka folur edhe zëdhënësja e kësaj kompanisë, Arjeta Mjeku.

    Mjeku ka thënë se mos pagesa e ujit konsiderohet vepër penale, sipas saj çdo biznes i cili nuk i përgjigjet obligimeve do të ndëshkohet.

    Borxhi ndaj shërbimeve të ujit është mbi 45 milionë euro, ku mbi 40 milionë janë nga sektori i amvisërisë dhe mbi 5 milionë nga sektori i bizneseve të vogla e të mëdha.

  • ​Ky pritet të jetë formacioni i Sylvinhos kundër Kroacisë

    ​Ky pritet të jetë formacioni i Sylvinhos kundër Kroacisë

    Kombëtarja e Shqipërisë do ta luajë sot ndeshjen e dytë në Kampionatin Evropian Euro 2024.

    Kuqezinjtë e Sylvinhos do të përballen me Kroacinë në stadiumin “Volksparkstadion” të Hamburgut me fillim nga ora 15:00, raporton KosovaPress.

    Ndeshjen hapëse të Euro 2024 Shqipëria e humbi kundër kampionit aktual evropian, Italisë, nga e cila u mposht 2:1.

    Në konferencën e mbrëmshme për media, Sylvinho tha se e ka të gjithë skuadrën e gatshme dhe nuk do të mungojë asnjë lojtar.

    Sa i përket ndeshjes së sotme, te Kroacia do të mungojë vetëm Nikola Vlasic.

    Formacionet e mundshme të dy kombëtareve i gjeni më poshtë.

    Kroacia (4-3-3): Livakovic; Stanisic, Sutalo, Gvardiol, Sosa; Modric, Sucic, Kovacic; Majer, Budimir, Kramaric

    Shqipëria (4-2-3-1): Strakosha; Hysaj, Ismajli, Djimsiti, Mitaj; Asllani, Ramadani; Laci, Bajrami, Asani; Broja