ATV

Blog

  • Sulmoi pjesëtarët e KFOR-it dhe Policisë në Zveçan, arrestohet

    Sulmoi pjesëtarët e KFOR-it dhe Policisë në Zveçan, arrestohet

    Njësia policore gjatë realizimit të detyrave ligjore në një pikë kontrolli kanë ndaluar të dyshuarin mashkull kosovar dhe gjatë verifikimit ka rezultuar se është i kërkuar për sulmin ndaj KFOR-it dhe zyrtarëve policor afër objektit të Komunës.

    Ai kërkohej që nga protestat e dhunshme në Zveçan, ku u lënduan disa pjesëtarë të KFOR-it, policisë së Kosovë, por edhe u sulmuan gazetarët.

    I dyshuari është arrestuar dhe i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

  • ​Spektakli i evropianit vazhdon sot me tri ndeshje

    ​Spektakli i evropianit vazhdon sot me tri ndeshje

    Nga dita në ditë, Kampionati Evropian i futbollit po bëhet gjithnjë e më i zjarrtë me ndeshjet tejet të paparashikueshme në fazën e grupeve.

    Tri sfida të tjera shumë të rëndësishme do të zhvillohen sot, e në mesin e tyre edhe njëra nga grupi ku bën pjesë edhe Shqipëria, raporton KP.

    Nga ora 15:00 në stadiumin “Allianz Arena” në Mynih do të ndeshen Sllovenia dhe Serbia, sfidë e vlefshme për grupin C. Nga po i njëjti grup vjen edhe ndeshja e roës 18:00, ajo ndërmjet Danimarkës dhe Anglisë, dy skuadra që kryesojnë grupin C me nga tri, përkatësisht një pikë.

    Kryendeshja do të zhvillohet në orën 21:00, aty ku në stadiumin “Veltins Arena” ndeshen Spanja dhe Italia që kanë nga tri pikë pas ndeshjeve të para.

  • Lajçak takon ministrin e jashtëm të Serbisë, diskutojnë për dialogun

    Lajçak takon ministrin e jashtëm të Serbisë, diskutojnë për dialogun

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak gjatë vizitës së tij në Beograd është takuar me ministrin e sapoemëruar të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq me të cilin kanë diskutuar për procesin e dialogut.

    Kështu ka shkruar Lajçak në një postim në “X”.

    Ai ka thënë se kanë diskutuar edhe për procesin e integrimit të Serbisë në BE.

    “Në Beograd pata rastin të takohem edhe me ministrin e jashtëm të sapoemëruar Marko Gjuriq. Ne diskutuam për dialogun dhe procesin e integrimit të Serbisë në BE. I urova suksese në detyrën e re”, ka shkruar Lajçak.

  • ​Lonely Planet: Shqipëria mes destinacioneve më të mira evropiane

    ​Lonely Planet: Shqipëria mes destinacioneve më të mira evropiane

    Vera në Evropë është madhështore – por gjithashtu është një nga muajt më të ngarkuar të turizmit, që do të thotë se ju do të ndani ‘madhështinë’ me shumë vizitorë të tjerë, sipas një artikulli të botuar në “Lonely Planet”.

    Ne ju rekomandojmë disa nga destinacionet më magjike të Evropës pa turma vizitorësh.

    Shqipëria është renditur mes gjashtë destinacioneve fantastike në Evropë për të kaluar pushimet në gusht.

    Riviera Shqiptare

    E quajtur ndryshe si perla e fshehur, ku plazhet janë mahnitëse dhe çmimet vërtet të përballueshme, bregdeti i lavdishëm i jugut të Shqipërisë mbetet një ‘kënaqësi’ për turistët që janë në kërkim të diellit, rërës dhe ushqimeve të detit.

    Saranda është një qytet bregdetar i gjallë, i mbushur me bare të shumtë.

    Për vendpushime më të qeta, shkoni në bregdet në Himarë, i rrethuar nga një shumëllojshmëri plazhesh magjepsëse – vizitoni plazhin e Potamit, në jug.

    Gushti iu garanton diellin, ujin e ngrohtë dhe temperaturën që arrin në 30°C.

    Çuditërisht, shezlongët dhe çadrat e plazhit ofrohen me një çmim premium, por ju mund të kërkoni plazhe të qeta me rërë në vende të tilla si, Palasa, Borshi, Buneci me guralecë dhe ishujt jashtë Ksamilit.

    Gjithashtu, ju mund të vizitoni Qafën epike të Llogorasë për në Gjirin e Vlorës, ku do të zbuloni më shumë vendpushime dhe bëni udhëtime me varkë në plazhet e izoluara në fund të Gadishullit të Karaburunit.

    Për një pushim larg bregdetit, vizitoni sitin arkeologjik të Butrintit, ku rrënojat greke, romake dhe bizantine, që datojnë 2500 vjet më parë, janë të grumbulluara në një kodër me gurë.

    Gjashtë vendet më të mira evropiane për të shkuar me pushime në gusht sipas “Lonely Planet”:

    1-Riviera Shqiptare

    2-Gadishulli i Pelionit, Greqi

    3-Minho, Portugali

    4-Austria Qendrore

    5-Belgjika bregdetare

    6-Arkipelagu i Stokholmit, Suedi

  • ​Dita Botërore e Refugjatëve

    ​Dita Botërore e Refugjatëve

    Sot shënohet Dita Botërore e Refugjatëve.

    Dita Botërore e Refugjatëve synon të tërheq vërejtjen për vuajtjet e dhjetëra milionë refugjatëve në mbarë botën.

    Në ditën Botërore të Refugjatëve shumë prej tyre nuk kanë shpresa për kthimin e në atdheun e tyre të mëparshëm. Miliona familje kanë humbur shtëpitë e tyre gjatë konflikteve të dhunës dhe luftës. Prandaj Asambleja e Përgjithshme vendosi që 20 qershori të shënohet si Dita Botërore e Refugjatëve.

    Dita Botërore e Refugjatëve është themeluar nga Kombet e Bashkuara për të nderuar guximin, forcën dhe vendosmërinë e grave, burrave dhe fëmijëve të cilët janë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre nën kërcënimin e persekutimin, konfliktit dhe dhunës.

    Evropa aktualisht është duke kaluar në një krizë të refugjatëve e cila ka nisur kur fluksi i madh i njerëzve filluan të ikin nga konflikti në Lindje të Mesme dhe Afrikë.

    Të dhënat e fundit e Organizatës së Kombeve të bashkuara tregojnë se mbi 70 milionë njerëz kanë ikur nga vendet e tyre për shkak të luftërave në mbarë botën.

  • Sulmet ruse shkaktojnë dëme në infrastrukturën e energjisë në Ukrainë

    Sulmet ruse shkaktojnë dëme në infrastrukturën e energjisë në Ukrainë

    Rusia ka sulmuar Ukrainën me raketa dhe dronë gjatë natës, duke dëmtuar infrastrukturën e energjisë në katër rajone, tha kompania kombëtare e energjisë, Ukrenerho më 20 qershor.

    “Pajisje janë dëmtuar në ndërtesat e energjisë në rajonet e Vinitsjas, Dnipropetrovskit, Donjeckut dhe Harkivit”, tha Ukrenerho përmes një postimi në Telegram.

    Kjo kompani tha se gjatë sulmeve në një ndërtesë energjetike janë plagosur tre punonjës.

    Ndaras, Forcat Ajrore të Ukrainës raportuan se Rusia sulmoi Ukrainën më 20 qershor me nëntë raketa dhe 27 dronë.

    Ushtria ukrainase tha se ka rrëzuar të gjithë dronët dh pesë raketa.

    Që kur Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, forcat e Moskës vazhdimisht shënjestrojnë rajonet ukrainase me lloje të ndryshme të armëve dhe po ashtu sulmojnë ndërtesa të energjisë dhe infrastrukturën civile. Pavarësisht dëshmive, Moska mohon se sulmon civilët në Ukrainë./REL

  • ​Dita kur Gjermania lëviz kryeqytetin nga Boni në Berlin

    ​Dita kur Gjermania lëviz kryeqytetin nga Boni në Berlin

    Bundestagu gjerman më 20 qershor të vitit 1991 miratoi Ligjin e vendosjes së kryeqytetit të ri të Gjermanisë në Berlin. Ky ligj vendoste zyrtarisht Berlinin si kryeqytetin e ri, duke ndryshuar statusin e Bonit (Bonn) si kryeqyteti i deritashëm. Kjo vendim u mor pas diskutimeve dhe debatit të gjerë politik.

    Pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermania ishte ndarë në dy shtete të ndara politikisht dhe ideologjikisht: Republika Federale e Gjermanisë (Gjermania Perëndimore) dhe Republika Demokratike Federale e Gjermanisë (Gjermania Lindore).

    Me rënien e Murit të Berlinit në 9 nëntor 1989 dhe proceset e bashkimit që pasuan, u krijua mundësia për t’u bashkuar dy shtetet dhe për të vendosur kryeqytetin e ri të Gjermanisë. Vendimi për të bërë Berlinin kryeqytet u mor gjatë bisedimeve dhe negociatave midis politikanëve gjermanë dhe vendimeve të marrë në nivel kombëtar.

    Një nga arsyet kryesore për zgjedhjen e Berlinit ishte fakti që qyteti kishte një rëndësi historike dhe simbolike të veçantë për gjermanët. Berlini ishte qyteti i themeluar i shtetit prusian dhe kishte qenë kryeqyteti i Prusisë dhe Gjermanisë së bashkuar për një kohë të gjatë. Nëse Berlini nuk do të kishte qenë kryeqyteti, kjo do të kishte shkaktuar ankesa dhe kontestime nga ana e banorëve të ish-Gjermanisë Lindore.

    Në mënyrë të veçantë, vendosja e Berlinit si kryeqyteti i Gjermanisë u bë për të përmbushur simbolikisht vizionin e bashkimit dhe unitetit të Gjermanisë. Për shumë gjermanë, Berlini ishte një simbol i ndarjes dhe ndërlikimeve të kaluar, kështu që vendosja e tij si kryeqyteti i bashkuar u pa si shenjë e bashkimit dhe rikthimit të Gjermanisë së bashkuar.

    Vendosja e Berlinit si kryeqyteti i Gjermanisë ishte rezultat i vendimeve politike dhe historike që i dhanë rëndësi simbolike Berlinit dhe e konsoliduan atë si qendër politike e Gjermanisë së bashkuar.

    Boni kishte qenë defakto kryeqytet i Republikës Federale Gjermane. Në njohje të kësaj, ish-kryeqyteti mban një lloj titulli të veçantë, atë të qyteti federal (Bundesstadt).

    Boni është vendlindja e kompozitorit Ludwig van Beethoven (1770). Bon rrjedh nga lashtësia dhe mban emrin e fisit gjermanik “Eburoni”.

  • OKB jep alarmin: Kriza humanitare në Gaza po përkeqësohet

    OKB jep alarmin: Kriza humanitare në Gaza po përkeqësohet

    Kriza humanitare në Gazën jugore po “përkeqësohet me shpejtësi” për dhjetëra mijëra njerëz të zhvendosur të grumbulluar në një zonë përgjatë bregdetit në mes të “vapës flakëruese të verës” dhe ku “konflikti aktiv dhe paligjshmëria” e bëjnë pothuajse të pamundur për punonjësit humanitarë të plotësojnë nevojat”.

    Kjo është ajo që lexojmë në raportin e fundit mbi situatën në Gaza nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (Unocha).

    Agjencia e OKB-së gjithashtu raporton se në kampet për njerëzit e zhvendosur në Gaza qendrore dhe jugore, qasja në ujë është jashtëzakonisht e dobët dhe ka mungesë serioze ushqimi, si dhe qumësht dhe formulë për fëmijët.

    “Shumë familje raportojnë se hanë vetëm një vakt në ditë dhe disa konsumojnë një në çdo dy deri në tre ditë”, thuhet në raport.

    Kufizimet e vendosura nga Izraeli vazhdojnë të “minojnë rëndë ofrimin e ndihmës dhe shërbimeve thelbësore humanitare në të gjithë Gazën, duke përfshirë sigurimin e ndihmës ushqimore, kujdesin mjekësor, mbrojtjen dhe mbështetjen e strehimit, si dhe shërbimet e ujit, kanalizimeve dhe higjienës për mijëra njerëz”, shton raporti i Unocha.

  • ​Moti sot në Kosovë

    ​Moti sot në Kosovë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se të enjten do të mbajë mot me diell dhe vranësira të nivelit të mesëm të Troposferës, të cilat vende -vende mund të sjellin riga shiu.

    Sipas institutit, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 13-15 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 27-35gradë Celsius.

    Do të fryjë erë nga drejtime i juglindjes me shpejtësi 1-4m/s.

    “Rekomandohet që në intervalin kohorë 10-16h mundësisht mos të ju ekspozoheni rrezeve direkte të diellit ,sepse ky mot është i papërshtatshëm për një shtresë të popullatës me sëmundje kronike. Të bartim masa mbrojtëse, syze dielli , rroba me ngjyra të lehta, kapelë ose ombrellë”, thuhet në njoftim.

  • Lajçaku kërkon zbatim të marrëveshjes për normalizim pas takimeve në Prishtinë e Beograd

    Lajçaku kërkon zbatim të marrëveshjes për normalizim pas takimeve në Prishtinë e Beograd

    Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha të mërkurën pas një takimi në Beograd me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, se kthimi në dialog dhe normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje ekziston përmes zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit, duke përmendur themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Lajçak, në anën tjetër, tha se pati bisedë të “hapur” me liderin serb për gjendjen e tanishme të dialogut dhe se “u pajtuam për hapat e radhës për periudhën që po vjen”.

    Vuçiq shkroi në Instagram se BE-ja, si ndërmjetës në dialog, do ta ketë “një partner serioz dhe të përgjegjshëm në Serbi, dhe për popullin tonë në Kosovë, ne jemi mbështetës të pakompromis”.

    Ai shtoi se bisedoi me Lajçakun edhe “për kushtet pothuajse të pamundura për jetë të popullsisë serbe, të shkaktuara nga trysnia e vazhdueshme dhe arbitrariteti i autoriteteve në Prishtinë”.

    Lajçaku ishte për vizitë në Beograd, një ditë pasi qëndroi në Prishtinë, ku u takua me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi. Me Kurtin, i cili e udhëheq dialogun në nivel politik, nuk u takua, për shkak të, siç u tha, udhëtimit të tij jashtë vendit.

    Gjatë vizitës në Kosovë, Lajçak u bëri thirrje të dyja vendeve të bëjnë hapa për të zbatuar Marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve.

    Kurti dhe Vuçiq biseduan për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit për herë të fundit më 14 shtator të vitit 2023, por pa ndonjë përparim, për shkak të qëndrimeve kontradiktore.

    Lajçak ka thënë edhe se duhet të hiqen masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës dhe që ura mbi lumin Ibër duhet të hapet në një mënyrë që nuk përshkallëzon situatën.

    Ai i ka bërë këto deklarata pas një takimi që ka zhvilluar me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi.

    “Ne kemi një marrëveshje, duhet të përshpejtojmë zbatimin e saj. Kjo ka qenë tema e parë që kemi diskutuar me Bislimin, dhe pika e dytë për Planin e BE-së për Rritje Ekonomike”.

    Plani i BE-së parasheh ndarjen e një fondi prej gjashtë miliardë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor për periudhën 2024-2027, për ta përshpejtuar integrimin evropian të këtij rajoni.

    Lajçak ka thënë se për të fituar qasje në këto fonde, Kosova dhe Serbia e kanë parakusht angazhimin konstruktiv në dialogun e Brukselit, dhe si personi përgjegjës për të bërë vlerësimin për përparimin në dialog, ai ka thënë se e ka parë të nevojshëm një takim me zyrtarët në Kosovë dhe Serbi për hapat që duhet të marrin palët.