ATV

Blog

  • FSK dhuron donacion prej 50 kontejnerësh për Federatën e Futbollit të Kosovës

    FSK dhuron donacion prej 50 kontejnerësh për Federatën e Futbollit të Kosovës

    Në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe Federatës së Futbollit të Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës ka dhuruar donacion prej 50 kontejnerësh.

    Sipas komunikatës për media, fondacioni do të shërbejë për përmirësimin e kushteve dhe infrastrukturës sportive për të rinjtë në mbarë vendin, transmeton Klankosova.tv.

    Ndër të tjera theksohet se ky kontribut synon të mbështesë zhvillimin e sportit, krijimin e hapësirave më të mira për aktivitetet sportive dhe avancimin e mundësive për gjeneratat e reja, si dhe thellimin e bashkëpunimit në mes të FSK dhe FFK.

    “Në realizimin e këtij projekti po kontribuon edhe KFOR-i, i cili ka siguruar transportin e kontejnerëve, drejt lokacioneve të përcaktuara nga Federata e Futbollit e Kosovës. FSK mbetet e përkushtuar në mbështetjen e iniciativave që ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e rinisë, sportit dhe mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Kosovës”.

  • Debati rreth gazit amerikan, Hoti: S’duhet të lejojmë që politika e një njeriu apo një qeverie të vë në rrezik aleancën me SHBA-në

    Debati rreth gazit amerikan, Hoti: S’duhet të lejojmë që politika e një njeriu apo një qeverie të vë në rrezik aleancën me SHBA-në

    Ish-kryeministri, Avdullah Hoti, ka reaguar lidhur me debatin që po zhvillohet rreth gazit amerikan dhe ftesës për Kosovën që t’i bashkohet rrjetit amerikan të LNG-së.

    Hoti ka thënë se nuk duhet të lejohet që politika e një njeriu apo e një qeverie ta rrezikojë partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    “Nuk mund të lejojmë që politika e një njeriu apo e një qeverie ta vërë në rrezik atë që është ndërtuar me dekada. Koha është të zgjohemi, të kërkojmë përgjegjësi dhe të mos lejojmë që Kosova të largohet nga rruga e saj euro-atlantike”, ka shkruar Hoti.

    Postimi I plotë:

    Ky nuk është më vetëm një debat për energjinë. Ky është një alarm për të ardhmen e Kosovës.

    Kur partneri ynë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, na paralajmërojnë se po rrezikojmë të mbetemi jashtë projekteve të mëdha energjetike, të humbasim investime dhe të dobësojmë lidhjen tonë me aleatin më të madh, atëherë heshtja nuk është përgjegjësi.

    Për vite me radhë ShBA ka qenë pranë Kosovës në ditët më të vështira. Sot, në vend që të shfrytëzojmë një mundësi për zhvillim, siguri energjetike dhe ekonomi më të fortë, po shohim një qasje që po na largon nga miqtë tanë.

    Qytetarët e Kosovës duhet ta kuptojnë: energjia është siguri kombëtare, investimet janë vende pune, ndërsa raporti me SHBA-në është themel i shtetit tonë.

    Nuk mund të lejojmë që politika e një njeriu apo e një qeverie ta vërë në rrezik atë që është ndërtuar me dekada. Koha është të zgjohemi, të kërkojmë përgjegjësi dhe të mos lejojmë që Kosova të largohet nga rruga e saj euro-atlantike.

    Çdo qeveri duhet ta kuptojë: miqësia me Amerikën nuk është kartë politike — është interes jetik i Kosovës.

  • Specialistët hungarezë të KFOR-it testojnë me sukses stacionin radiofonik

    Specialistët hungarezë të KFOR-it testojnë me sukses stacionin radiofonik

    Specialistët e sinjaleve, të caktuar në rotacionin e 34-të të Forcave të Mbrojtjes Hungareze në KFOR, vendosën dhe testuan një stacion radioje me frekuencë të lartë të lëvizshme në kushte fushore.

    Stërvitja u bë në kampin e Novosellës.

    Sistemi, i vendosur në përputhje të plotë me standardet e sigurisë dhe i pajisur me masa tokëzimi dhe mbrojtjeje nga rrufeja, mundësoi komunikime të qëndrueshme dhe të sigurta gjatë gjithë fazës së provës.

    KFOR pohon se ky aktivitet kontribuon në ruajtjen e aftësive efektive të komandës dhe kontrollit dhe forcimin e gatishmërisë operacionale, duke përforcuar aftësinë e KFOR-it për të mbështetur stabilitetin rajonal dhe për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.

    “KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme” deklaron KFOR-i.

  • Kurti priti në takim lamtumirës shefin e EULEX-it, Barbano

    Kurti priti në takim lamtumirës shefin e EULEX-it, Barbano

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim lamtumirës shefin e misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, Giovanni Pietro Barbano, të cilin e falënderoi për kontributin dhe shërbimin.

    Në takim u vlerësua roli i EULEX-it në mbështetje të institucioneve të Republikës së Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, përfshirë monitorimin e sistemit të drejtësisë, mbështetjen për policinë, shërbimin korrektues dhe forenzikën, si dhe angazhimin në çështje me rëndësi të veçantë për qytetarët, përfshirë trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave, dhunës në familje, mbrojtjen e fëmijëve dhe të drejtat e viktimave.

    Kryeministri në detyrë Kurti theksoi se, në mandatin e ri, reforma në drejtësi mbetet prioritet thelbësor, me qëllim të rritjes së efikasitetit, llogaridhënies, pavarësisë dhe besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Ai nënvizoi rëndësinë e digjitalizimit të sistemit të drejtësisë, jo vetëm si modernizim teknik, por si instrument për transparencë, menaxhim më të mirë të lëndëve, ulje të vonesave dhe forcim të përgjegjësisë institucionale.

    Kryeministri në detyrë Kurti i uroi z. Barbano suksese në angazhimet e tij të ardhshme dhe shprehu gatishmërinë e Qeverisë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Misionin dhe udhëheqjen e re të EULEX-it. Ndërkaq, z. Barbano e falënderoi kryeministrin për bashkëpunimin dhe e uroi për fitore në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.

    Në fund, kryeministri i dhuroi librat “Portrete të Skënderbeut gjatë shekujve” të studiuesit Luan Tashi dhe “Ambasadorët” të autorit Henry James, si dhe një poster me urat në bankënotat euro.

  • Del para Gjykatës ish-gardianja Cepkenoviq, akuzohet se i torturoi në mënyrë çnjerëzore të burgosurat shqiptare

    Del para Gjykatës ish-gardianja Cepkenoviq, akuzohet se i torturoi në mënyrë çnjerëzore të burgosurat shqiptare

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka filluar seanca ndaj të akuzuarës, Nadica Cepkenoviq.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 16 janar 2026 ka ngritur aktakuzë ndaj Nadica Cepkenoviq të cilën e akuzon se në cilësinë e ish-gardianes në burgun e Prishtinës- paralelja për gra në Lipjan, gjatë periudhës së luftës në Kosovë 1998-1999, në bashkëkryerje edhe me zyrtare tjera të burgut në fjalë: Ljiljana Seliq, Danica Lukiq, Sllagjana Arsiq, Biljana Stoliq, ish-gardiane të burgut për gra në Lipjan, duke vepruar me dashje dhe duke shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës, në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurat shqiptare, duke i torturuar në mënyrë ç’njerëzore me mjete të ndryshme si shkop gome, shqelma e grushte, deri në alivanosje, duke iu shkaktuar lëndime trupore.

    Aktakuza thotë se siç e shpjegojnë vetë viktimat, pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha në gjithë trupin, dhunë psikike, i kanë kanosur seriozisht për jetën e si pasojë e kësaj dhe rrahjeve të vazhdueshme, kanë pësuar gjendje ankthi dhe frikë, është cenuar rëndë dinjiteti njerëzor, pasoja të cilat i bartin edhe më tej viktimat, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.

    Me këtë, Cepkenoviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Krime kundër popullatës civile”, nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së.

  • Rutte: Lajm i mirë që po zvogëlojmë praninë e trupave në Kosovë

    Rutte: Lajm i mirë që po zvogëlojmë praninë e trupave në Kosovë

    Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e ka quajtur lajm të mirë faktin se NATO-ja do të reduktojë praninë në Kosovë si pasojë e përmirësimit të situatës së sigurisë.

    Para disa ditësh “optimizimin” e misionit të KFOR-it e kishte paralajmëruar edhe komandanti i forcave të NATO-s për Evropën, gjenerali amerikan Alexus Grynkewich.

    Rutte të mërkurën foli para gazetarëve në Bruksel në prag të takimit të ministrave të mbrojtjes të kësaj Aleance.

    “Kur shikojmë situatën e sigurisë në Kosovë, ajo që shohim është se në përgjithësi vitin e kaluar ajo vazhdoi të përmirësohet. Prandaj është lajm i mirë për Kosovën. Dhe kjo është arsyeja pse NATO në janar ndërpreu dislokimin e forcave rezervë në Kosovë. Dhe kjo u bë pas dy vjetësh rotacioni të vazhdueshëm”, Mark Rutte.

    Më tej shefi i NATO-s tha se vazhdimisht po shikohet se si më së miri të rregullohet prania e KFOR-it.

    “Duke shikuar përpara në këtë moment shohim se KFOR-i ka një forcë prej rreth 4700 trupash. Ajo që do të bëjmë është që të kthehemi në praninë që kishim para vitit 2023. Natyrisht kjo do të varet nga rrethanat dhe do të shohim se KFOR-i do të ketë mes 3000 dhe 3500 trupa. Kjo, mendoj unë, reflekton situatën e përmirësuar të sigurisë”, ka thënë Rutte duke përsëritur se misioni i KFOR-it do të mbetet i fokusuar në detyrën bazë që ka. /Koha.net

  • Antikontrabanda në Ferizaj sekuestron mallra të falsifikuara

    Antikontrabanda në Ferizaj sekuestron mallra të falsifikuara

    Ne regjionin e Ferizajt, Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës, gjatë aktiviteteve operative në terren për parandalimin e kontrabandës, kanë identifikuar dhe ndaluar një automjet të dyshimtë, i cili dyshohej se vinte nga vija e gjelbër kufitare.

    Gjatë kontrollit të automjetit, zyrtarët doganorë kanë hasur në një sasi të konsiderueshme të mallrave pa dokumentacion përcjellës për prejardhjen e tyre.

    Pas numërimit dhe verifikimit të mallit, janë evidentuar gjithsej 2,324 artikuj, përkatësisht 654 çanta dhe 1,670 kuleta të markave të ndryshme të njohura ndërkombëtare, për të cilat ekziston dyshimi për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale.

    Malli është ndaluar dhe vendosur nën mbikëqyrje doganore, ndërsa rasti është duke u trajtuar nga njësitë kompetente të Doganës së Kosovës në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.

    Sipas vlerësimit fillestar, vlera e përafërt e mallit të ndaluar është rreth 9,500 euro.

    Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe aktiviteteve të paligjshme, duke mbrojtur tregun e ligjshëm dhe duke parandaluar qarkullimin e mallrave që cenojnë të drejtat e pronësisë intelektuale.

  • “Po na ndajnë në ne dhe ata”, Tahiri kritikon qasjen politike të Kurtit

    “Po na ndajnë në ne dhe ata”, Tahiri kritikon qasjen politike të Kurtit

    Kandidati për deputet nga radhët e AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se Albin Kurti bashkë me të vetët kanë një qëllim politik.

    Siaps Tahiri, ky qëllim është që ta mbajnë diskursin publik e politik të bllokuar në temat ku është tash e disa ditë.

    Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Tahiri ka shkruar se synimi i tyre strategjik nuk është vetëm të na ndajnë në “ne” dhe “ata”, por edhe të na largojnë vëmendjen nga temat që i japin kuptim jetës së qytetarëve.

    Postimi i tij i plotë:

    Albin Kurti me të vetët kanë një qëllim të madh politik, ta mbajnë diskursin publik e politik të bllokuar në temat ku është tash e disa ditë.

    Ata nuk duan që të flasim për faktin se në shumë qytete të Kosovës sot nuk ka rrymë, se në QKUK mungojnë penjët, kushtet dhe ilaçet, ndërsa i vetmi burim që e mban sistemin në këmbë janë mjekët e motrat e përkushtuar, human dhe profesional.

    Nuk duan që të flasim për çmimet e ushqimeve që kanë shkuar në hava, as për ekonominë që është gati para falimentimit, e as për arsimin që është lënë anash.

    Pra, synimi i tyre strategjik nuk është vetëm të na ndajnë në “ne” dhe “ata”, por edhe të na largojnë vëmendjen nga temat që i japin kuptim jetës së qytetarëve dhe të mos flasim për hallet e përditshme që po ua zënë frymën secilit prej nesh.

    Kjo betejë politike nuk është e pamundur të fitohet, por duhet zgjuarsi dhe fokus.

    E drejta është në anën tonë.

  • Sulmet e Mihalit ndaj Lushtakut e Ramës – Përplasen edhe Sadiku e Matoshi: ‘‘Apetiti i Kurtit’’, ‘‘Veç kallxone veten”

    Sulmet e Mihalit ndaj Lushtakut e Ramës – Përplasen edhe Sadiku e Matoshi: ‘‘Apetiti i Kurtit’’, ‘‘Veç kallxone veten”

    Përgjatë ditëve të fundit, akterë të partive politike në vend janë përfshirë në përplasje përmes deklarimeve të ndryshme të bëra në rrjetet sociale. Pjesë e këtyre përplasjeve janë bërë edhe Ermal Sadiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe, Adriana Matoshi nga Lëvizja Vetëvendosje.

    Sadiku, për përplasjet ka akuzuar liderin e VV’së, Albin Kurti, duke thënë se këtij të fundit ‘’iu kthyen apetitet për pushtet absolut’’ pas numërimit të votave me postë. Kontekst, në të cilin, siç ka thënë Sadiku, duhen parë edhe deklaratat e Dejona Mihalit.

    Postimi i Sadikut:

    Pas rezultateve në Kosovë, me 42.9%, Kurti e kuptoi se nuk mund të vazhdonte me bllokadë. Shpalli fitoren dhe deklaroi se do të bashkëpunonte me opozitën.

    Me numërimin e votave me postë, iu kthye apetiti për pushtet absolut, ose alternativisht për bllokadë dhe zgjedhje të përsëritura.

    Pikërisht në këtë kontekst duhen parë edhe deklaratat e Dejones sot: sulme ndaj figurave të luftës, ndaj kryetarit të Prishtinës dhe ndaj opozitës. Ofendime të qëllimshme që dëmtojnë çdo mundësi bashkëpunimi apo zgjidhjeje.

    Kjo nënkupton qartë se qëllimi i tyre është bllokada dhe zgjedhjet e përsëritura. Siç ka thënë edhe vetë ai, synimi është të shkojnë deri te 80 deputetë.

    Ndaj Sadikut ka reaguar Matoshi e VV’së. Kjo e fundit, në reagimin e saj ka shtruar pyetjen ndaj Sadikut duke i thënë se ‘’edhe ty t’dul rend me mbrojt Sami Lushtakun a?’’.

    Postimi i Matoshit:

    Khuuuuu

    Ermal Sadiku i ldk paska thone, Dejona po i sulmon figurat e luftes.

    Qyqe, edhe ty t’dul rend me mbrojt Sami Lushtakun a?

    Taman po mendoj qe s’keni ku me shku ma poshte, veq kur m’befasoni hala ma shume.

    Po gaboni mu ndal, dej n’fund qeshtu.

    Veç kallxone veten se na knaqet.

    Ndryshe, gjatë ditëve të fundit, Dejona Mihali nga VV’ja ka sulmuar kryetarin e Skenderajt Sami Lushtakun, dhe, kryetarin e Prishtinës Përparim Rama, duke përdor gjuhë të ashpër ndaj tyre.

  • Deputetët e ardhshëm të VV-së, PDK-së, LDK-së dhe Aleancës: Kush fitoi e kush mbetet jashtë?

    Deputetët e ardhshëm të VV-së, PDK-së, LDK-së dhe Aleancës: Kush fitoi e kush mbetet jashtë?

    Emrat e përfaqësuesve të popullit në organin më të lartë legjislativ në vend pothuajse janë bërë të qartë.

    Me numërimin e mbi 97 për qind të votave në tërësi, procesi po shkon drejt fundit dhe tashmë dihet për numrin e mandateve në secilën parti politike.

    Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 53 ulëse apo 47.15 për qind të votave.

    Në krye janë ata që kanë qenë të parët në listë, ndërsa ka emra të rinj që do të jenë për herë të parë në Kuvend, por megjithatë dikush e ka humbur mandatin, si ish-ministrja Rozeta Hajdari, Fatos Geci e Naim Bardiqi.

    Partia Demokratike e Kosovës, si e dyta, ka 22 mandate apo 19.45%

    Kreu i partisë është i pari dhe pas tij janë dy prej emrave që janë votuar më së shumti në dy palë zgjedhjet e fundit, Përparim Gruda dhe Arian Tahiri, pasuar me kandidatët që kanë qenë deputetë në legjislaturën e kaluar.

    Kësaj radhe ka arritur të sigurojë ulëse edhe Eliza Hoxha, e cila më 28 dhjetor nuk u bë deputete

    Lidhja Demokratike e Kosovës do të ketë 18 ulëse apo 16.71 për qind.

    Përveç ish-presidentes Vjosa Osmani e cila futet në Parlamentin e Kosovës, krah saj do të jenë edhe ish-deputetët e kësaj partie politike që kishin siguruar mandate edhe në zgjedhjet e kaluara.

    Në mesin e ardhjeve të reja te ky subjekt politik pas ribashkimit, e vetmja që ka siguruar ulëse është Albena Reshitaj.

    Kësaj radhe, edhe Paris Guri ka arritur të marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet.

    Aleanca do të futet në Kuvend me shtatë deputetë apo 6.62 për qind pas rritjes në zgjedhjet e 7 qershorit.

    Megjithatë, emrat pritet të ndryshojnë sepse kandidati i kësaj partie për kryeministër, Ardian Gjini, ka paralajmëruar se do ta lëshojë karrigen e deputetit. Njësoj do të veprojë edhe Daut Haradinaj.

    Se kush janë të gjithë kandidatët që pritet të bëhen deputetët e ardhshëm të Kosovës mund t’i gjeni në platformën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.