ATV

Blog

  • Kush janë 53 deputetët e LVV-së që do të përfaqësojnë këtë subjekt politik në legjislaturën e ardhshme

    Kush janë 53 deputetët e LVV-së që do të përfaqësojnë këtë subjekt politik në legjislaturën e ardhshme

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përfunduar procesin e numërimit të votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

    Sipas rezultateve të procesuara, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 53 mandate në Kuvendin e Kosovës.

    Deputetët e LVV-së që do të përfaqësojnë këtë subjekt politik në legjislaturën e ardhshme janë:

    Albin Kurti
    Glauk Konjufca
    Albulena Haxhiu
    Hekuran Murati
    Donika Gërvalla Schwarz
    Xhelal Sveçla
    Ejup Maqedonci
    Avni Dehari
    Hajrulla Çeku
    Mimoza Kusari Lila
    Shqipe Mehmeti Selimi
    Andin Hoti
    Arben Vitia
    Ilir Kërçeli
    Saranda Bogujevci
    Osman Musliu
    Nezir Kraki
    Alban Bajrami
    Arton Konushevci
    Edona Llalloshi
    Mefail Bajqinovci
    Ardian Gola
    Armend Baloku
    Armend Muja
    Arbëreshë Kryeziu Hyseni
    Arbër Rexhaj
    Rufki Suma
    Fitore Pacolli Dalipi
    Blerim Gashi
    Artane Rizvanolli Berisha
    Adriana Matoshi
    Agim Bahtiri
    Arjeta Fejza
    Taulant Kelmendi
    Arbërie Nagavci
    Krenare Çerkini
    Dimal Basha
    Liza Gashi
    Labinotë Demi Murtezi
    Artan Abrashi
    Adnan Rrustemi
    Adelina Grainca
    Valon Ramadani
    Salih Zyba
    Enver Haliti
    Fatmire Kollçaku
    Valon Hoti
    Valon Peci
    Drita Pajaziti
    Jeton Raka
    Sylejman Meholli
    Vigan Qorrolli
    Fjolla Ujkani

  • Aleanca siguron 7 mandate në Kuvend, emrat që arritën të bëhen deputetë

    Aleanca siguron 7 mandate në Kuvend, emrat që arritën të bëhen deputetë

    Në ditën e dhjetë pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përmbyllur procesin e numërimit të të gjitha fletëvotimeve.

    Të enjten në mëngjes do të nisë rinumërimi i fletëvotimeve nga 185 vendvotime, nga gjithsej 2 mijë e 498 të tilla.

    Bazuar në rezultatet e publikuara nga KQZ-ja, Aleanca ka siguruar shtatë ulëse në legjislaturën e 11-të të Kuvendit të Kosovës.

    Ardian Gjini, Ramush Haradinaj, Daut Haradinaj, Besnik Tahiri, Time Kadrijaj, Albana Bytyqi dhe Teuta Haxhiu janë kandidatët e këtij subjekti politik që kanë fituar mandatet e deputetëve.

    Pas përfundimit të numërimit të votave, KQZ ka njoftuar se e drejta për ankesë lidhur me administrimin në Qendrat Komunale të Numërimit dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është një e drejtë që palët kanë mundur ta shfrytëzojnë në vazhdimësi, brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se për administrimin e numërimit në ditën e fundit, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ankesat mund të dorëzohen me shkrim në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar.

    “Në rast se brenda 48 orëve nuk do të ketë ankesa lidhur me administrimin e numërimit në ditën e fundit, KQZ është e gatshme për të proceduar me shpalljen e rezultateve përfundimtare, ndërsa nëse do të ketë ankesa, atëherë KQZ do të presë vendimmarrjen e institucioneve përkatëse dhe do të zbatojë vendimet nëse ato e obligojnë KQZ-në dhe vetëm pastaj mund të shpall rezultatet përfundimtare”, deklaroi ai.

  • Nuk siguroi ulëse në Kuvend, reagon Adelina Thaçi

    Nuk siguroi ulëse në Kuvend, reagon Adelina Thaçi

    Kandidatja për deputete, Adelina Thaçi, ka dalë me reagim pas përfundimit të procesit të numërimit të votave, pas së cilave nuk arriti ta sigurojë edhe një mandat në Kuvend.

    Thaçi theksoi se çdo votë e marrë për të përfaqëson më shumë se një numër, duke e cilësuar si përgjegjësi, respekt dhe motivim për të vazhduar angazhimin e saj politik dhe publik

    “Edhe pse këtë herë nuk arrita të jem pjesë e Kuvendit si deputete, ndihem krenare dhe mirënjohëse për mbështetjen e jashtëzakonshme që mora,” u shpreh ajo, duke shtuar se humbja e mandatit nuk nënkupton humbje të vlerave dhe idealeve për të cilat ka qëndruar.

    Ajo theksoi gjithashtu se rrugëtimi politik nuk matet vetëm me rezultate zgjedhore, por edhe me ndikimin, njerëzit e takuar dhe besimin e ndërtuar ndër vite.

    “Faleminderit për çdo votë, çdo fjalë të mirë dhe çdo zemër që më besoi,” përfundoi ajo.

    Fshehu automjetin e përdorur pas vrasjes së bashkëshortëve në Shqipëri, kapet në Ulqin 40-vjeçari
    Read more

  • Këta janë 10 kandidatët më të votuar në zgjedhjet e 7 qershorit

    Këta janë 10 kandidatët më të votuar në zgjedhjet e 7 qershorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur procesin e numërimit të votave, ndërsa sot pritet të nisë rinumërimi.

    Sipas rezultateve nga KQZ, të cilat përfshijnë të gjitha votat e numëruara deri më tani, në listën e dhjetë kandidatëve më të votuar dominojnë përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje.

    Në krye të listës qëndron Albin Kurti me 342 mijë e 331 vota, i ndjekur nga Glauk Konjufca me 264 mijë e 330 vota dhe Albulena Haxhiu me 165 mijë e 126 vota. Hekuran Murati renditet i katërti me 137 mijë e 810 vota, ndërsa Donika Gërvalla-Schwarz është e pesta me 131 mijë e 841 vota.

    Nga partitë e tjera, më i votuari është Bedri Hamza nga PDK me 126 mijë e 936 vota, i renditur i gjashti në nivel vendi.

    Në listën e dhjetë më të votuarve figurojnë gjithashtu Xhelal Sveçla me 109 mijë e 263 vota, Vjosa Osmani-Sadriu me 92 mijë e 234 vota, Ejup Maqedonci me 89 mijë e 308 vota dhe Avni Dehari me 89 mijë e 182 vota.

    Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, renditet i 12-ti me 83 mijë e 892 vota.

    Sipas rezultateve përfundimtare të përpunuara, Vetëvendosje ka marrë 47.13% të votave dhe ka siguruar 53 mandate, PDK 19.44% me 22 mandate, LDK 16.69% me 18 mandate dhe AAK 6.74% me 7 mandate.

  • Prishtina, Prizreni, Gjakova e Ferizaj në listë – Këto janë komunat ku do të rinumërohen votat

    Prishtina, Prizreni, Gjakova e Ferizaj në listë – Këto janë komunat ku do të rinumërohen votat

    Në Qendrën e Numërimit e Rezultateve ka filluar zbatimi i vendimit të KQZ-së për numërimin e vendvotimeve të ndryshme, nga të gjitha komunat e Kosovës.

    Sipas vendimit të KQZ-së, do të rinumërohen fletëvotimet e 185 vendvotimeve të rregullta, të cilat paraprakisht janë numëruar në Qendrat Komunale të Zgjedhjeve.

    Valmir Elezi, z137dhënës i KQZ-së thotë se ky numër përbën 7.41% të vendvotimeve nga gjithsej 2,498 vendvotime të rregullta në të cilat është zhvilluar votimi më 7 qershor 2026.

    Numri i vendvotimeve që sipas tij do të rinumërohen sipas komunave është si në vazhdim: Deçan (4 vendvotime, 8.33%); Gjakovë (10, 6.94%); Gllogoc/Drenas (5, 6.85%); Gjilan (9, 7.09%); Dragash (4, 7.02%); Istog (4, 6.67%); Kaçanik (3, 6.82%), Klinë (5, 8.06%); Fushë Kosovë (5, 8.06%); Kamenicë (3, 6.52%); Mitrovicë e Jugut (7, 7%); Leposaviq (2, 8%); Obiliq (3, 8.82%); Rahovec (5, 6.67%); Pejë (9, 6.67%); Poduejevë (7, 6.80%) Prishtinë (18, 6.87%); Prizreni (16, 6.90%); Skëndera (5, 7.04%), Shtime (3, 9.09%) Shtërpcë (2, 11.76%); Suharekë (6, 6.98%); Ferizaj (10, 6.85%); Viti (5, 8.06%); Vushtrri (6, 6.74%); Zubin Potok (2, 13.33%); Zveçan (2, 18.18%); Malishevë (5, 6.94%); Junik (1, 16.67%); Mamushë (1, 20%); Hani i Elezit (1, 9.09%); Graçanicë (3, 9.09%); Ranillug (1, 10%); Partesh (1, 14.29%); Kllokot (2, 25%) dhe Mitrovicë e Veriut (2, 9.52%).

    “Vendimi i KQZ-së mbështetet në Rregulloren Zgjedhore për funksionimin e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve. Në këtë akt nënligjor është paraparë që pas pranimit të materialeve zgjedhore nga vendvotimet e rregullta në QNR, KQZ të vlerësojë situatën dhe sipas nevojës mund të vendosë për rinumërim”.

    Kjo masë kontrolli sipas Elezit, është paraparë nga KQZ për të adresuar problemet e evidentuara në disa nga Qendrat Komunale të Numërimit gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar dhe ka për qëllim të sigurohet që numërimi është zhvilluar me saktësi.

  • Anatomia e pabarazisë sipas Thomas Piketty-t, utopi radikale apo shpëtimi i kapitalizmit modern?

    Anatomia e pabarazisë sipas Thomas Piketty-t, utopi radikale apo shpëtimi i kapitalizmit modern?

    Nga Prof. Dr. Adrian Civici

    Kur Thomas Piketty botoi librin Kapitalin në Shekullin XXI, komuniteti akademik ndërkombëtar u gjend përpara një arsenali të paprecedent të dhënash empirike. Libri i tij i parë ishte një skanim pothuajse pozitivist i mekanikës së akumulimit të pasurisë.

    Mirëpo, me veprën e tij pasuese, Kapitali dhe Ideologjia (Capital et Idéologie), botuar nga shtëpia botuese Papirus, ekonomisti francez ka ndërmarrë një kapërcim epistemologjik epokal: ai ka lënë pas llogaritë e ftohta ekonometrike për të hyrë me të dyja këmbët në terrenin e nxehtë të historisë, sociologjisë dhe, mbi të gjitha, të teorisë politike.

    NOA
    Teza qendrore që përshkon këtë vëllim monumental është sa e thjeshtë, aq edhe përmbysëse: pabarazia nuk është një determinizëm ekonomik apo teknologjik; ajo është, në themel, një konstrukt ideologjik dhe politik. Piketty synon të rrëzojë mitin neoliberal të tregut që autorregullohet apo idenë se hendeku gjithnjë e më i gjerë social është “çmimi natyror” që shoqëria duhet të paguajë për progresin dhe inovacionin.

    Për autorin, çdo rend shoqëror ndërton një narrativë të qëllimshme legjitimuese për të arsyetuar strukturën e tij të shpërndarjes së pasurisë. Asnjë mbret, feudal apo miliarder i Silicon Valley nuk mund të gëzojë privilegjet e tij nëse pjesa tjetër e shoqërisë nuk pranon një sfidë të përbashkët që e bën këtë pabarazi të gëlltitshme.

    Piketty nënvizon se ideologjia është mburoja e vërtetë e kapitalit: ajo e kthen akumulimin e pafundëm të pasurisë në një akt heroizmi shoqëror, duke u thënë të varfërve se fati i tyre është thjesht pasojë e vullnetit hyjnor ose e mungesës së talentit dhe përpjekjes individuale.

    Por, sipas tij, kjo mburojë ka një datë skadence. Kur makineria ekonomike fillon të prodhojë vetëm pasuri për dinastitë financiare dhe varfëri të pandryshueshme për masën, rrëfimi meritokratik fillon e kriset. Kur kjo narrativë humb legjitimitetin e saj moral dhe kthehet në fyerje për inteligjencën kolektive, sistemi pashmangshmërisht pëson kolaps. Historia na mëson se asnjë perandori financiare apo politike nuk mund t’i mbijetojë fundit të ideve që e mbanin në këmbë. Kur bie besimi te drejtësia e sistemit, rënia e vetë sistemit është thjesht çështje kohe.

    Për të vërtetuar këtë tezë, Piketty ndërmerr një skanim të hollësishëm historik të atyre që ai i quan “Regjimet e Pabarazisë”. Sipas Tij, ky evolucion shtrihet në tri etapa madhore:

    Shoqëritë Trinitare (Ancien Régime): Një strukturë e trefishtë ku funksionet ishin të ndara qartë: Klerikët (për udhëheqjen shpirtërore), Fisnikët (për mbrojtjen ushtarake) dhe Klasa e Tretë (për punën produktive). Ideologjia e kohës e shiste këtë pabarazi si një harmoni hyjnore të domosdoshme për stabilitetin.

    Shoqëritë e Pronësisë (Shekulli XIX): Pas Revolucionit Francez, vendin e statusit të lindjes e zuri “shenjtërimi i pronës private”. Prona u shndërrua në një koncept të shenjtë dhe të pacënueshëm, çka çoi në nivelet më ekstreme të përqendrimit të kapitalit që ka njohur historia njerëzore përpara Luftës së Parë Botërore.

    Hiperkapitalizmi Modern: Në ditët e sotme, ky regjim është rafinuar në formën e “Meritokracisë”. Sot, elita ekonomike nuk e arsyeton pasurinë e saj me punën apo pronën e trashëguar, por me inteligjencën, inovacionin dhe orët e gjata të punës. Ky ligjërim mbart një ngarkesë të re psikologjike: ai e shndërron varfërinë nga një fatkeqësi strukturore në një dështim të pastër individual të vetë të varfërve.

    Një nga kontributet e librit në fushën e sociologjisë politike është zbërthimi i transformimit të skenës elektorale perëndimore që nga vitet 1950-të. Piketty shpjegon me detaje se si harta politike është ndarë në dy elita që ushqehen reciprokisht, duke lënë jashtë klasën punëtore tradicionale:

    Kjo zhvendose strukturore prodhon një pasojë dramatike: klasa punëtore pa arsim të lartë është ndjerë e braktisur nga përfaqësimi tradicional. Ky vakum politik shpjegon pothuajse tërësisht valën e populizmit dhe nacionalizmit nativ që po trondit sistemet demokratike perëndimore.

    Piketty nuk mjaftohet vetëm me rolin e historianit apo të kritikut; ai guxon të propozojë një arkitekturë të re socio-ekonomike përmes një programi radikal të quajtur Socializëm Pjesëmarrës.

    Kjo platformë mbështetet mbi katër shtylla kryesore reformuese:

    Pronësia e Përkohshme dhe “Trashëgimia për të Gjithë”. Duke argumentuar se nyja gordiane e kapitalizmit qëndron te përqendrimi i trashëguar i pronës dhe jo thjesht te diferencat e pagave, Piketty propozon konceptin e pronësisë së përkohshme. Përmes një takse progresive vjetore mbi pasurinë që mund të shkojë deri në 90% për miliarderët, ai synon të shpërbëjë dinastitë familjare të kapitalit.

    Me fondet e gjeneruara nga ky taksim agresiv, shteti do të financonte një kapital fillestar universal prej rreth 120,000 eurosh për çdo qytetar që mbush moshën 25 vjeç, duke garantuar një pikënisje reale dhe të prekshme në jetën ekonomike.

    Demokratizimi i Korporatës. Për të thyer diktaturën e pastër të aksionerëve, propozohet modeli i bashkëpërcaktimit, i frymëzuar pjesërisht nga sistemet skandinave. Punëtorëve u garantohet ligjërisht 50% e votave në bordet drejtuese të kompanive të mëdha. Për më tepër, vendoset një tavan ku asnjë aksioner i vetëm, pavarësisht përqindjes së kapitalit që zotëron, nuk mund të ketë më shumë se 10% të fuqisë totale të votimit në bord.

    Drejtësia Arsimore dhe Federalizmi Global. Në rrafshin social, kërkohet zëvendësimi i meritokracisë false me një sistem ku shteti investon një vlerë monetare të barabartë për cdo nxënës, që nga arsimi fillor deri te ai universitar.

    Ndërsa në rrafshin makro-ekonomik ndërkombëtar, Piketty mbron idenë e një “Pasaporte Financiare” dhe një regjistri global të pasurisë për të zhdukur evazionin në parajsat fiskale, të shoqëruar me asamble ndërnacionale që kushtëzojnë tregtinë e lirë me taksa të përbashkëta mbi karbonin dhe mbi korporatat multinacionale.

    Prirja qartësisht politike e këtij vëllimi të dytë ka shkaktuar një polarizim të ashpër në qarqet e kritikës perëndimore:

    Kampi Liberal dhe i Djathtë, gazeta dhe revista si The Economist apo The Wall Street Journal, e ka cilësuar programin e Piketty-t si një “recetë të pastër për kolaps ekonomik“. Sipas tyre, një taksim prej 90% do të shkatërronte çdo incentivë për inovacion dhe kursim, duke provokuar një ikje masive të kapitalit. Ai është etiketuar si një “neo-marksizëm i maskuar” që kërcënon lirinë individuale përmes sulmit ndaj pronës.

    Daron Acemoglu (Profesor në MIT, autor i librit “Pse dështojnë kombet”), i njohur për teoritë e tij mbi rëndësinë e institucioneve, e kritikon Piketty-n për reduktim të historisë vetëm te taksat. “Piketty tenton t’i shpjegojë të gjitha ndryshimet historike dhe institucionale përmes lentes së ngushtë të pabarasisë dhe politikave fiskale. Historia është shumë më komplekse. Institucionet demokratike, të drejtat e njeriut dhe rritja e produktivitetit shpesh kanë evoluar përmes faktorëve që nuk lidhen fare me taksimin progresiv që propozon ai.”

    Larry Summers (Ish-Sekretar i Thesarit në SHBA dhe Profesor në Harvard), një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të ekonomisë neoliberale, ka qenë mjaft kritik ndaj qasjes radikale të Piketty-t mbi taksat. “Nëse zbaton një taksë vjetore prej 90% mbi pasurinë e miliarderëve, ti nuk po takson thjesht të pasurit; ti po shkatërron makinerinë e investimeve dhe të kapitalit që financon inovacionin e shoqërisë. Piketty nënvlerëson rrezikun e madh të ikjes së kapitalit dhe dëmin që kjo u shkakton vendeve që e aplikojnë.”

    Kritika Metodologjike ka vënë në dyshim reduktimin që autori i bën historisë njerëzore, duke e parë atë ekskluzivisht përmes lentes së taksave dhe pabarazisë, si dhe ka shprehur skepticizëm të thellë gjeopolitik mbi fizibilitetin e një qeverisjeje fiskale globale në një botë shtetesh sovrane konkurruese.

    Akuzat për “Obsesion” pas pabarazisë: Kritikët argumentojnë se Piketty është i fiksuar pas mënyrës se si ndahet “torta” ekonomike, duke harruar se si rritet ajo. Ata theksojnë se megjithëse pabarazia është rritur, kapitalizmi global ka nxjerrë qindra miliona njerëz nga varfëria ekstreme në dekadat e fundit, një fakt që, sipas tyre, Piketty e minimizon.

    Tyler Cowen (Profesor në George Mason University), e ka sulmuar ashpër propozimin e Piketty-t për “Trashëgiminë për të Gjithë” (granti prej 120,000 eurosh në moshën 25 vjeç). “Ideja e Piketty-t për t’i dhënë çdo 25-vjeçari një thes me para të financuar nga konfiskimi i pasurisë është një naivitet ekonomik. Kjo jo vetëm që do të nxiste një inflacion të menjëhershëm në tregun e pasurive të patundshme, por shpërndarja masive e parave pa pasur rritje reale të produktivitetit është thjesht një iluzion populist që destabilizon financat publike.

    Ndërkohë, e Majta Radikale, paradoksalisht, e ka parë Piketty-n “si jo mjaftueshëm radikal”. Për marksistët tradicionalë, ai mbetet një ekonomist borgjez social-demokrat që përpiqet të shpëtojë kapitalizmin përmes instrumenteve fiskale rishpërndarëse, në vend që të kërkojë përmbysjen e plotë të marrëdhënieve të prodhimit.

    Në përfundim, mund të thuhet se , sic shprehen shume kritike e ekspertë të kësaj fushe, meritë kryesore e Kapitalit dhe Ideologjisë nuk është domosdoshmërisht realizueshmëria e menjëhershme e propozimeve të tij, por rikthimi i ekonomisë aty ku ajo ka lindur: si një shkencë sociale që lidhet ngushtë me politikën, historinë dhe sociologjinë, duke ndjekur gjurmët e Adam Smith, David Ricardo dhe Karl Marx.

    Piketty-s i vlerësohet merita “se ka zhveshur shkencën ekonomike nga petku i një disipline ekzakte me ligje të pandryshueshme natyrore”. Për dekada me radhë, ortodoksia ekonomike e tregut të lirë u përpoq ta izolonte veten në një sistem modelesh matematike abstrakte, duke pretenduar se pabarazia apo shpërndarja e kapitalit ishin thjesht rezultate të ekuacioneve të ftohta, pothuajse jashtë vullnetit njerëzor.

    Duke e rikthyer analizën te rrënjët e saj historike dhe sociologjike, Piketty dëshmon se ekonomia nuk funksionon në një vakum laboratorik. Normat e interesit, taksat, pronësia dhe pagat nuk janë konstante fizike; ato janë produkt i konjukturave politike, i marrëveshjeve shoqërore dhe i raporteve të forcës midis klasave.

    Me këtë kapërcim, ai e zbret ekonominë nga miti i një “shkence natyrore” dhe e rikthen aty ku ajo ka lindur dhe ku e ka vendin: si një degë e ekonomisë politike, ku çdo vendim nuk është një fatalitet matematikor, por një zgjedhje e pastër njerëzore dhe ideologjike.

    Paul Krugman (Laureat i Çmimit Nobel në Ekonomi), e ka vlerësuar guximin e Piketty-t për të gërshetuar ekonominë me historinë sociale, duke e cilësuar librin si një kryevepër akademike. “Piketty ka plotësisht të drejtë kur thotë se pabarazia nuk është thjesht një proces ekonomik i verbër, por një zgjedhje politike. Kontributi i tij më i madh është se ai detyron ekonomistët të shohin përtej ekuacioneve të tyre dhe të kuptojnë se si ideologjia dhe pushteti i grisin rregullat e tregut.”

    Thomas Piketty nuk shihet thjesht si një teknik i numrave, por shihet e vlerësohet si një ekonomist-filozof.

    Për të majtën progresiste, ai është heroi akademik që vërtetoi shkencërisht plagët e kapitalizmit modern dhe ofroi zgjidhje të guximshme.

    Për të djathtën dhe liberalët, ai mbetet një ideolog i rrezikshëm social-demokrat, propozimet e të cilit kërcënojnë lirinë e tregut dhe rritjen ekonomike.

    Mesazhi i tij përfundimtar, ndonëse konsiderohet utopik nga kritikët, mbetet një manifest optimist: meqenëse janë idetë dhe zgjedhjet tona politike ato që e kanë krijuar këtë sistem pabarazie, janë po idetë e reja dhe guximi reformues ato që mund ta ndryshojnë atë drejt një shoqërie më të drejtë.

  • FFK përfiton 50 kontejnerë nga FSK-ja, investim i rëndësishëm për infrastrukturën e futbollit në Kosovë

    FFK përfiton 50 kontejnerë nga FSK-ja, investim i rëndësishëm për infrastrukturën e futbollit në Kosovë

    Federata e Futbollit e Kosovës ka pranuar një donacion të vlefshëm nga Forca e Sigurisë së Kosovës, në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit të nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe FFK-së. Ky bashkëpunim, i formalizuar nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi, dhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, po sjell rezultate konkrete për zhvillimin e futbollit në vend.

    Donacioni përfshin 50 kontejnerë, të cilët do të shfrytëzohen për përmirësimin e infrastrukturës sportive dhe krijimin e kushteve më të mira për klubet dhe futbollistët në të gjithë Kosovën.

    Transporti i kontejnerëve është realizuar me mbështetjen logjistike të KFOR-it, i cili ka mundësuar dërgimin e tyre në lokacionet e përcaktuara nga Federata e Futbollit e Kosovës.

    Sipas planit të FFK-së, një pjesë e kontejnerëve do të vendosen në Kampin Nacional në Bërnicë, ndërsa pjesa tjetër do të shpërndahet në stadiume të ndryshme që aktualisht nuk kanë hapësira adekuate për zhveshtore. Ky investim pritet të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve të punës dhe zhvillimit për klubet, futbollistët dhe aktivitetet sportive në përgjithësi.

    Ky projekt konsiderohet një shembull i suksesshëm i bashkëpunimit ndërinstitucional në funksion të sportit dhe rinisë, duke dëshmuar përkushtimin e institucioneve për avancimin e infrastrukturës sportive në Kosovë.

    Me këtë rast, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe ndaj KFOR-it për ndihmën e ofruar në transportimin e kontejnerëve. Ai theksoi se bashkëpunimi i institucioneve vendore dhe ndërkombëtare mbetet thelbësor për realizimin e projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e futbollit dhe krijimin e mundësive më të mira për gjeneratat e reja.

    Ndërkohë, FFK-ja synon të thellojë më tej bashkëpunimin me FSK-në edhe në të ardhmen. Përveç projekteve infrastrukturore, po shqyrtohen iniciativa të reja që do të mundësonin organizimin e garave dhe aktiviteteve të përbashkëta sportive. Duke qenë se FSK-ja ka qenë vazhdimisht pjesë e turneve dhe manifestimeve të organizuara nga FFK-ja, synimi është krijimi i një formati të ri gjithëpërfshirës që do të forcojë edhe më shumë lidhjen mes futbollit dhe institucioneve të sigurisë në Kosovë.

  • Oferta marramendëse nga Arabia Saudite për Raphinhan, Barcelona përballet me një vendim të vështirë

    Oferta marramendëse nga Arabia Saudite për Raphinhan, Barcelona përballet me një vendim të vështirë

    E ardhmja e Raphinhas te Barcelona po vihet sërish në pikëpyetje. Sulmuesi brazilian është bërë objekt i një oferte gjigante nga Arabia Saudite, e cila sipas raportimeve mund të arrijë deri në 100 milionë euro, duke e vendosur klubin katalunas përballë një prej vendimeve më të rëndësishme të kësaj vere.

    Megjithëse Barcelona e konsideron brazilianin një pjesë kyçe të projektit të trajnerit Hansi Flick, shuma e ofruar nga klubet saudite është e vështirë të injorohet. Në një periudhë kur gjiganti katalunas vazhdon të monitorojë me kujdes financat e tij, një transferim i tillë do të sillte përfitime të konsiderueshme ekonomike.

    Raphinha nuk ka ndërmend të nxitojë me vendimin e tij. Aktualisht i angazhuar me Kombëtaren e Brazilit në Kupën e Botës, 29-vjeçari dëshiron të përqendrohet plotësisht te turneu, duke shtyrë çdo diskutim për të ardhmen deri pas përfundimit të aventurës së Seleçaos.

    Që nga ardhja e Hansi Flick në stolin e Barcelonës, Raphinha ka fituar një rol edhe më të rëndësishëm në skuadër. Intensiteti, sakrifica në fazën mbrojtëse, presioni ndaj kundërshtarëve dhe aftësia për të bërë diferencën në ndeshjet e mëdha e kanë shndërruar atë në një nga lojtarët më të vlefshëm të ekipit.

    Megjithatë, oferta saudite ndryshon tërësisht situatën. Përveç shumës së transferimit, raportohet se brazilianit i është ofruar një pagë marramendëse prej rreth 48 milionë eurosh në sezon, një shifër që do ta vendoste mes futbollistëve më të paguar në botë.

    Barcelona ndodhet në një pozicion të favorshëm negociues, pasi Raphinha rinovoi kontratën deri në vitin 2028. Kjo i jep klubit mundësinë të kërkojë maksimumin nga çdo klub i interesuar dhe të mos pranojë oferta nën vlerësimin e tij.

    Megjithatë, drejtuesit katalunas janë të vetëdijshëm se mosha e lojtarit mund ta bëjë këtë verën ideale për të siguruar fitimin më të madh të mundshëm nga shitja e tij. Në kushte normale, largimi i Raphinhas do të dukej pothuajse i pamundur, por fuqia financiare e futbollit saudit po ndryshon rregullat e tregut.

    Sipas raportimeve të fundit, klubet saudite Al Hilal dhe Al Nassr kanë monitoruar prej kohësh situatën e brazilianit. Më herët janë përmendur oferta që varionin nga 80 deri në 90 milionë euro, por tani shifra prej 100 milionë eurosh mund të jetë ajo që do të ndryshojë gjithçka.

    Për momentin, fokusi i Raphinhas mbetet te Brazili dhe Kupa e Botës. Megjithatë, sapo të përfundojë turneu, pritet që bisedimet të intensifikohen dhe e ardhmja e tij të marrë një drejtim përfundimtar.

    Mbetet të shihet nëse Barcelona do të rezistojë ndaj tundimit financiar apo nëse një nga yjet e saj do të nisë një kapitull të ri në Arabinë Saudite.

  • “Vushtrria Code Fest 2026” sjell dy ditë inovacion, robotikë dhe inteligjencë artificiale

    “Vushtrria Code Fest 2026” sjell dy ditë inovacion, robotikë dhe inteligjencë artificiale

    Komuna e Vushtrrisë do të organizojë më 23 dhe 24 qershor festivalin “Vushtrria Code Fest 2026”, një nga ngjarjet më të mëdha të teknologjisë dhe inovacionit për të rinjtë në Kosovë.

    Panairi i Inovacionit do të mbahet më 23 qershor, nga ora 10:00 deri në 14:00, në Shtëpia e Kulturës Hasan Prishtina, ndërsa Gala Mbrëmja dhe ceremonia përmbyllëse do të zhvillohen më 24 qershor, nga ora 19:00, në Sheshi i Qytetit.

    “Vushtrria Code Fest 2026” synon të promovojë talentet e reja, të nxisë inovacionin dhe të zhvillojë aftësitë teknologjike te gjeneratat e reja, duke krijuar një platformë ku të rinjtë mund të shpalosin kreativitetin dhe potencialin e tyre në fushën e teknologjisë.

  • Përfundon numërimi i votave me postë për zgjedhjet e 7 qershorit

    Përfundon numërimi i votave me postë për zgjedhjet e 7 qershorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është përmbyllur numërimi i pjesës së fundit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht votimi përmes postës, për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

    Në njoftim bëhet e ditur se nga fillimi i këtij procesi (e premte, 12 qershor, ora 21:00) dhe deri më tani (e mërkurë, 17 qershor, ora 14:30) janë numëruar 223 kuti votimi, në të cilat janë vendosur zarfet me fletëvotime pas aprovimit të tyre nga shërbimi votues i KQZ-së.

    Votimi përmes postës është mundësuar nga 21 maj deri më 6 qershor 2026, ndërsa numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar përmes postës ishte rreth 105 mijë.

    Ndërkaq të dielën e 14 qershorit, KQZ ka përmbyllur procesin e vlerësimit të 85,790 pako të supozuara me fletëvotime, prej të cilave janë aprovuar 82,809, ndërkaq janë refuzuar 2,981.