ATV

Blog

  • Vuçiq bisedon me zëvendësin e Lavrovit për marrëdhëniet dypalëshe

    Vuçiq bisedon me zëvendësin e Lavrovit për marrëdhëniet dypalëshe

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, priti në Beograd zëvendësministrin rus të Punëve të Jashtme, Aleksandar Grushko, të cilin e falënderoi për mbështetjen e tij në lidhje me Rezolutën për Srebrenicën, e cila u votua në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në muajin maj.

    Vuçiq postoi në Instagram një fotografi nga takimi me zëvendësin e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ku shkroi se e falënderon Rusinë veçanërisht për mbështetjen e integritetit territorial të Serbisë.

    “Kemi biseduar për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Serbisë dhe Rusisë dhe i kemi vlerësuar si shumë të mira”, tha presidenti serb.

    Rusia votoi kundër Rezolutës për Srebrenicën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

    Rezoluta, e cila u miratua, e shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë dhe kërkon t’i jepet fund mohimit të gjenocidit dhe madhërimit të kriminelëve të luftës.

    Serbia loboi kundër miratimit të saj.

    Një ditë më herët, Grushko takoi edhe ministrin e Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, me të cilin bisedoi për çështjet aktuale të sigurisë dhe shprehu nevojën për koordinim të vazhdueshëm të institucioneve kompetente të sigurisë, njoftoi MPB-ja serbe.

    Grushko u prit edhe nga zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ish-shefi i agjencisë serbe të inteligjencës, Aleksandar Vulin, i cili është në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara për shkak të lidhjeve të tij me Moskën.

    Krahas bashkëpunimit politik, Serbia dhe Rusia janë duke thelluar edhe bashkëpunimin ushtarak dhe ekonomik.

    Serbia ka mbështetjen e Rusisë në kundërshtimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

    Pavarësisht thirrjeve nga Bashkimi Evropian, Serbia nuk ka ndërmarrë sanksione kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës./rel

  • Konvertimi i patentëve, serbët: Jetojmë në Kosovë, ta respektojmë ligjin

    Konvertimi i patentëve, serbët: Jetojmë në Kosovë, ta respektojmë ligjin

    Një muaj e gjysmë nga hyrja në fuqi e vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës për konvertimin e patentë shoferëve serbë në ato të Republikës së Kosovës, procesi ka nisur të marrë hov. Deri tani, në veri të vendit janë dorëzuar rreth 1400 kërkesa për konvertimin e patentë shoferëve, kanë bërë të ditur nga Policia e Kosovës për RTK2.

    Qytetarët e Mitrovicës së Veriut shprehen se shumë prej tyre apo familjarëve të tyre i kanë ndërruar tashmë patentat e shoferit serb me ato të Kosovës.

    “Atëherë kam qenë ndër të parët që kam marrë letërnjoftimin e UNMIK-ut dhe pa asnjë problem e kam konvertuar nga ai serb në atë të Kosovës. Shumica e njerëzve po e ndërrojnë patentën e shoferit serb me atë të Kosovës. Çfarë të bëjnë njerëzit, nëse e kanë letërnjoftimin e Kosovës, jetojnë në Kosovë, duhet ta respektojnë ligjin për t’iu shmangur dënimit”, tha një banor i Mitrovicës së Veriut.

    E një tjetër qytetar theksoi: “Djali im ndryshoi patentën e shoferit, të gjithë po i konvertojnë. E ndërroi që të mos dënohej”.

    Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se deri më tani janë dorëzuar rreth 1400 kërkesa për ndërrim të patentë shoferëve dhe atë 387 në Mitrovicën e Veriut, 193 në Zveçan, 347 në Leposaviq dhe 198 në Zubin Potok.

    “Në maj të këtij viti ka filluar procesi i aplikimit për konvertim të patentë shoferëve në RKS dhe i gjithë procesi do të jetë i përmbyllur deri më 10 gusht të këtij viti. Deri më tash kemi 1400 aplikime për konvertim të patentë shoferëve dhe procesi po ecën pa asnjë problem. Mendoj se deri në përfundim të afatit do të përmbyllet gjithçka”, theksoi Elshani.

    Ndërkaq, Milica Andriq Rakiq nga Iniciativa e Re Sociale tha se procesi i konvertimit të patentë shoferëve në RKS duhej të kishte ndodhur qysh në vitin 2021, e që do të pasonte me riregjistrimin e automjeteve.

    ”Ky veprim do të duhej t’i paraprinte gjithçkaje. E tërë kriza e shtatorit të vitit 2021 ka ndodhur për shkak të kësaj. Në vend që fillimisht qytetarëve t’u mundësohet konvertimi i dokumenteve, siç ishte rasti nga viti 2007 deri në vitin 2010 në jug dhe në veri më 2011 dhe 2017, Qeveria e Kosovës vendosi t’i konfiskojë automjetet. Ky do të duhej të ishte hapi i parë. Qysh në vitin 2021 do të duhej të niste procesi i konvertimit të dokumenteve, e më pas riregjistrimi i automjeteve”, tha ajo.

    Afati për ndryshimin e patentë shoferëve skadon më 10 gusht. Pas kësaj date nuk do të jetë më i mundur përdorimi i patentë shoferëve serbë, që janë lëshuar për qytetarët e Kosovës.

  • Oda Amerikane ndau Çmimet e Partneritetit SHBA-Kosovë

    Oda Amerikane ndau Çmimet e Partneritetit SHBA-Kosovë

    Në prag të Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Oda Ekonomike Amerikane ndau Çmimet e Partneritetit SHBA-Kosovë për kompanitë që kanë kontribuar në marrëdhëniet e fuqishme të biznesit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, iu drejtua anëtarëve, partnerëve dhe pranuesve të mirënjohjeve, duke theksuar rëndësinë e partneritetit SHBA-Kosovë.

    Ambasadori Hovenier vuri në dukje se kompanitë të cilat pranuan mirënjohjet jo vetëm që ndihmojnë bizneset amerikane të zgjerohen globalisht, por gjithashtu sjellin produkte dhe shërbime të cilësisë së lartë nga Kosova në Shtetet e Bashkuara. Ai shtoi se këto kompani luajnë një rol vendimtar për t’i bërë Shtetet e Bashkuara një nga partnerët më të rëndësishëm tregtarë të Kosovës. Ai theksoi rritjen e jashtëzakonshme të eksporteve të Kosovës në SHBA, nga 2.7 milionë euro në 2019 në mbi 100 milionë euro në vitin 2023.

    Gjithashtu, ambasadori Hovenier tha se përkushtimi i Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës mbetet i fortë si kurrë më parë, me kompani si ato që nderohen sot që sigurojnë lidhje të forta mes njerëzve dhe mes bizneseve.

    Blin Zeqiri, kryetar i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, shprehu mirënjohjen e tij për partnerët dhe miqtë amerikanë për hapjen e rrugëve të rritjes dhe zhvillimit për Kosovën, duke sjellë burime financiare, ekspertizë të çmueshme, inovacion dhe më e rëndësishmja frymën e ndërmarrësisë amerikane, duke shtuar se Oda Amerikane ka qenë thelbësore në fuqizimin e kësaj marrëdhënieje, duke ofruar një platformë për dialog, bashkëpunim dhe rritje reciproke.

    Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, tha se kompanitë të cilat nderohen me çmime, kanë prirë në importimin e mallrave dhe shërbimeve amerikane, eksportimin e produkteve të Kosovës në SHBA dhe investimin në ekonomitë e njëra-tjetrës, duke shtuar se ato jo vetëm që nxisin rritjen ekonomike, por shërbejnë edhe si ambasadorë të marrëdhënie të forta dhe të qëndrueshme mes dy kombeve tona.

    Kompanitë e mëposhtme janë shpërblyer me Çmimet e Partneritetit SHBA-Kosovë në gjashtë kategori të ndryshme respektive: LAB-OIL, Poligoni i Shenjëtarisë Katana, Delfin, Meditech, Auto Kaçandolli, Ventius International, Limak Kosovo International Airport, Minna, Walone Fashion Group, Artmotion, Nettxio, Radix Software Inc., RIT Kosova, Sutherland Global Services Kosovo, BP – Home Invest, Stonecastle Vineyards & Winery, Coca-Cola HBC, Birra Peja, Royal Beverage, AGNA Kosova, ELKOS Group, Meridian Corporation, Yesspharma, dhe Kostrade.

    Ky aktivitet shënoi edhe inaugurimin zyrtar të hapësirës ekspozuese “AmCham Expo Space” në Prishtina Mall, dedikuar promovimit të kompanive anëtare të Odës Amerikane dhe ekspozimit të mallrave dhe shërbimeve të tyre.

  • Kërkohet paraburgim për 19-vjeçaren nga Podujeva që dyshohet se e vrau foshnjën e saj

    Kërkohet paraburgim për 19-vjeçaren nga Podujeva që dyshohet se e vrau foshnjën e saj

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të dielën në Podujevë.

    Një grua po dyshohet se ka kryer abort të paligjshëm. Për rastin janë deklaruar Policia e Prokuroria. Ndërkohë, detaje tronditëse janë mësuar për rastin.

    Vajza 19 vjeçare po dyshohet se me nënën e saj kanë kryer veprën penale “vrasje e foshnjës gjatë lindjes”.

    Gruaja shtatzënë është njëra nga të arrestuarat e cila dyshohet se ka kryer abort të kundërligjshëm dhe më pas ka kërkuar ndihmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    Vajza 19-vjeçare në bashkëkryerje me nënën e saj, sipas raportimit të Sinjalit pasi e ka lindur foshnjën në banjon e shtëpisë derisa ka qenë rreth 7-muajshe dyshohen se e kanë hedhur në tualet.

    Ndaj 19-vjeçares Prokuroria ka paraqitur kërkesë për paraburgim.

    Këtë e ka konfirmuar për Insajderin zëdhënësja e Prokurorisë Laureta Ulaj.

    “Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit, pranë gjykatës kompetente, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj XH.L., për shkak të veprës penale “Vrasja e foshnjës gjatë lindjes”, sipas KPRK-së”, tha Ulaj.

  • ​Ndërmarrjeve publike dhe private u kërkohet mbrojtja e të dhënave personale të qytetarëve

    ​Ndërmarrjeve publike dhe private u kërkohet mbrojtja e të dhënave personale të qytetarëve

    Bazuar në mandatit e saj ligjor, për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve, përkatësisht dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) iu ka bërë thirrje ndërmarrjeve publike dhe private të mbrojnë të dhënat personale të qytetareve gjatë ofrimit të shërbimeve, përkatësisht gjatë shpërndarjes së faturave te konsumatorët.

    Sipas komunikatës, në zbatim të përgjegjësive të saj Ligjore, Agjencia për Informim dhe Privatësi në fund të muajit shkurt 2024, ka kërkuar nga të gjitha Ndërmarrjet Publike dhe Private ndërmarrjen e masave të sigurisë gjatë shpërndarjes së faturave tek konsumatorët (qytetarët).

    “Afati për Ndërmarrjet Publike dhe Private që shpërndajnë fatura tek qytetarët për të vendosur faturat në zarfe për shkak të mbrojtjes së të dhënave personale ka qenë 30 qershori 2024. Kërkesa është adresuar për të siguruar mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve, duke parandaluar ekspozimin e paautorizuar të tyre. Në kuadër të sigurimit të mbrojtjes së të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës, Agjencia për Informim dhe Privatësi, kërkon nga Ndërmarrjet Publike dhe Private që ofrimin e shërbimeve për qytetarët (shpërndarjen e faturave) ta realizojnë në formatin që garanton mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve nga ekspozimi dhe qasja e paautorizuar. Rrjedhimisht, Ndërmarrjet Publike dhe Private janë të obliguara të ndërmarrin masat e duhura të sigurisë me rastin e ofrimit të shërbimeve për qytetarët (shpërndarjes së faturave) dhe të vendosin masat e duhura teknike dhe organizative për të siguruar një nivel sigurie të përshtatshëm ndaj rreziqeve të mundshme të keqpërdorimit të të dhënave personale të qytetarëve. Në këtë kontekst, AIP kërkon nga këta kontrollues zbatimin e rregullave dhe standardeve për mbrojtjen e te dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës siç përcaktohet me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, thuhet në komunikatë.

    Në komunikatë thkesohet se qëllimi i Agjencisë për Informim dhe Privatësi është përmbushja e mandatit të saj ligjor në mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve për të parandaluar ekspozimin e paautorizuar të tyre.

  • Reperi Kanye West paditet nga ish-punonjësit

    Reperi Kanye West paditet nga ish-punonjësit

    Kanye West është paditur nga një grup ish-punonjësish që pohojnë se ai i ka quajtur “skllevër të rinj”.

    Ish-punonjësit akuzojnë West dhe ish-shefin e stafit të tij, Milo Yiannopoulos, për “ambient racist” dhe për detyrimin e tyre të punonin orar jashtëzakonisht të gjatë, raporton TMZ.

    Grupi i paditësve ishte punësuar për të punuar në një aplikacion të West që do të lansonte shërbime transmetimi për promovimin e dy albumeve të tij, “Vultures” dhe “Vultures 2”.

    West u kishte premtuar atyre paga prej 120,000 dollarësh (111,967 euro), nëse aplikacioni do të përfundonte.

    Megjithatë, punonjësit pretendojnë se më vonë West i detyroi të nënshkruajnë një lloj marrëveshjeje, kushtet e së cilës nuk janë bërë publike, nën kërcënimin se do të humbisnin punën dhe nuk do të paguheshin.

    Ndërkohë, disa prej tyre, të cilët ishin minorenë, u detyruan të nënshkruajnë kontratën si “vullnetarë”.

    Kur punonjësit që punonin online pyetën për pagën e tyre, ata nuk morën përgjigje as nga West dhe as nga Yiannopoulos, gjë që i detyroi t’i padisnin.

    Ata kërkojnë pagën e plotë dhe kompensimin për orët jashtë orarit, si dhe dëmshpërblim për dëmin emocional.
    Në dokumentet e padisë, ata pretendojnë se “shefat” e tyre tallen vazhdimisht me ta duke i quajtur “skllevër” dhe “skllevër të rinj”.

    Padia vjen disa javë pasi Yiannopoulos dha dorëheqjen nga firma e West, “Yeeze”, për shkak të projekteve eksplicite që ylli po planifikonte të bënte. /Telegrafi/

  • Kurti shkruan sërish për Kadarenë: I munguar i madh, nga dje, u bë edhe vetë Kadareja

    Kurti shkruan sërish për Kadarenë: I munguar i madh, nga dje, u bë edhe vetë Kadareja

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar edhe sot për shkrimtarin e madh shqiptar, Ismail Kadare, i cili ndërroi jetë dje në moshën 88-vjeçare në urgjencën e Tiranës.

    Në një postim në rrjete sociale, shefi i qeverisë tha se kushdo që e ka lexuar Kadarenë e di etjen e tij të pashuar për të munguarit e mëdhenj.

    “Sepse Kadareja e dëshironte hetimin e çështjes. Miti i furnizoi një sërë të gjatë të munguarish, duke nisur me Kostandinin. Si të thuash: nga Konstandini te Ukshini. Kadareja e di se dhe Ukshini e ka sjellë Doruntinën e vet. Koherencë e paanalizueshme e shkrimtarit të madh”, shkroi mes tjerash Kurti.

    Postimi i plotë:

    Nata e parë pa Kadarenë kaloi mbrëmë. Më herët e dinim që është atje diku me bibliotekën e tij, dhe, këtu te secila bibliotekë familjare nëpër shtëpitë tona. Do të lexohet edhe më shumë tash ai: që të na mungojë më pak neve që e duam, që të gjejmë më shumë veten që na duhet.

    Shkrimtari ynë i madh u nda nga ne. Mbase filozofi francez, Gilles Deleuze, na thotë diçka që mund të na shërbejë për kuptimin e kësaj ndarjeje. Artisti bën një vepër artiste. Në një farë mënyre është vepra ajo që krijon përherë. Kadare nuk na la në paqen e një shoqërie të përgjumur, por na hodhi në intrigën e tij. Aty janë dhe do të jenë ende personazhet dhe situatat, gjenerali i të vdekurve dhe kako Pino, koncerti i fundit dhe pallati i dimrit të përhershëm, Broadëay i zhvendosur në Tiranë dhe hija e kineastit shqiptar në Paris, Eskili i degdisur dhe faraoni i tejvarrosur, trupi i Lul Mazrekut dhe përkthyesi i katërt, valltari i vargjeve të popullit apo autoriteti i nëndheshëm i Lasgushit… Të gjithë do të jenë aty nën paradigmën e uraganit të pandërprerë të letërsisë.

    Shkrimtari i madh ka aftësinë të ndërtojë mision, dhe ky mision është vetëm stil, alegori, porosi, kolektiv kuptimi, dyshim kolektiv. Ai lidh kohët e shkrimeve, por edhe gjeografitë e prozës. Dalja e tij përtej kufijve ngjall problem, sepse ai e dyzon kufirin: e kthen nga kufi talenti në kufi politik, ose, edhe më mirë: ai përzien të tashmen me një të shkuar të dyfishtë. Andaj do të jetë sa shkëlqim edhe problem.

    Si një mesazh i habitshëm mund të përmendet edhe fakti që vetëm së shpejti do të shfaqet në Francë biseda e tij e pothuaj tri dekadave më herët me të munguarin e madh Ukshin Hoti. Kushdo që e ka lexuar Kadarenë e di etjen e tij të pashuar për të munguarit e mëdhenj. Sepse Kadareja e dëshironte hetimin e çështjes. Miti i furnizoi një sërë të gjatë të munguarish, duke nisur me Kostandinin. Si të thuash: nga Konstandini te Ukshini. Kadareja e di se dhe Ukshini e ka sjellë Doruntinën e vet. Koherencë e paanalizueshme e shkrimtarit të madh.

    I munguar i madh, nga dje, u bë edhe vetë Kadareja.

  • “Xhami me para të Serbisë”, Tërnava paralajmëron padi ndaj ish zv-ministrit: Më jepni fakte, i rrënoj

    “Xhami me para të Serbisë”, Tërnava paralajmëron padi ndaj ish zv-ministrit: Më jepni fakte, i rrënoj

    Kryetari i BIK’ut, Myftiu Naim Tërnava ka paralajmëruar padi ndaj ish-zëvendësministrit Milazim Gashi, i cili e akuzoi BIK-un se ka ndërtuar dy xhami – në Mat dhe Veternik – me para të Serbisë.

    “Nuk ka ndodhë dhe nuk do të ndodhë kurrë që BIK të marrë para nga Serbia, prandaj ky njeri do të ndiqet penalisht. E sfidojë atë zotërinë dhe çdokënd tjetër në Kosovë që nëse argumentojnë një gjë të tillë, unë personalisht do t’i rrënojë ato xhami. Mirëpo kjo është shpifje, është çmenduri”, tha Tërnava.

    Ai shtoi se nëse ka ndonjë dëshmi se ato dy xhami janë ndërtuar me para të Serbisë do t’i rrënojë.

    “Ne menduam se sistemi ateist-komunist iku dhe shkoi, mirëpo fatkeqësisht kanë mbetur disa neo-komunist, të cilët e kanë gjithherë primare fyerjen dhe shpifjen në raport me fenë, mirëpo në raport edhe me shqiptarinë tonë. E them me plotë përgjegjësi se nuk ka ndodhë, nuk po ndodhë dhe nuk do të ndodhë kurrë asnjëherë që Bashkësia Islame e Kosovës të marrë para nga Serbia. Por, e sfidojë atë zotërinë atje, e sfidojë dhe i them kështu me përgjegjësi të plotë, nëse ai dhe kushdo qoftë në Kosovë pinjollë të tij, kanë vetëm një argument në lidhje me atë çfarë kanë deklaruar, unë haptazi deklarojë sot se unë do të marrë buldozerin dhe do t’i rrënojë ato dy xhami, edhe tek ajo në ‘Veternik’ edhe kjo këtu në ‘Mat’. Mirëpo, kjo është shpifje, është çmenduri që vije nga një person i papërgjegjshëm.”

    Tërnava ka ftuar edhe “xhematët e dy xhamive që të përgatisin në bashkëpunim me avokatët që vinë nga këto dy xhami lëndën dhe ta cojnë në prokurori”.

    “Elhamduliah na e kemi shtetin, mirëpo sikur të kemi si duhet shtetin e së drejtës, atëherë ai kishte me përfunduar në Prokurori për të dhënë llogari, për shpifjen që e ka bërë, për gënjeshtrën që e ka bërë. Unë i ftoj edhe xhematët e të dy xhamive të përgatisin në bashkëpunim me avokatët që vinë nga këto dy xhami lëndën, ta çojmë në Prokurori dhe të ndjekin penalisht këtë njeri, këtë gjë do ta bëjë edhe vetë Bashkësia Islame e Kosovës, që ai të japë përgjegjësi para organeve tona, për shpifje për rrena të kulluara që i drejtohen Bashkësinë Islame të Kosovës.”

    “Serbia i ka financuar xhaminë e Matiçanit dhe xhaminë në hyrje të Veternikut edhe midis Prishtinë te Xhamia e Madhe. Ke aksione të dyshimta, që janë financu e renovu xhamitë në Prishtinë”, kishte thënë Gashi.

  • Arrestohet një person për keqpërdorim besimi, ia mori viktimës 24 mijë euro

    Arrestohet një person për keqpërdorim besimi, ia mori viktimës 24 mijë euro

    Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti përgjithshëm, ka ndaluar të dyshuarin B.K., në kohëzgjatje prej 48-orësh, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i besimit’’, të Kodit penal të Republikës së Kosovës.

    Dyshohet se i njëjti, me qëllim të përfitimit material ka keqpërdorur besimin tek e dëmtuara L.G., në atë mënyrë që nga ajo kishte marrë autorizim që të vepronte në emër të saj, në mënyrë që t’ia siguronte mjetet financiare të babait të saj, si ish i burgosur politik në burgjet e Jugosllavisë, ku për këtë shërbim kishte kërkuar 20% nga shuma totale e kompensimit.

    “I dyshuari B.K., dyshohet se në vitin 2023 ka arritur ti nxjerrë këto mjete financiare nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ku shuma rreth 24 mijë euro ishte depozituar në llogarinë e tij, mirëpo i njëjti për këtë nuk e kishte informuar të dëmtuarën, edhe pse njëjta vazhdimisht ishte interesuar”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

    Me këto veprime dyshohet të ketë kryer veprën e sipërshënuar penale dhe ndaj tij brenda afatit ligjor Prokuroria Themelore në Gjilan, do të vendosë lidhur me masën për sigurinë e të pandehurit në procedurë penale.

  • Presidenti Macron, mesazh për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Ismail Kadare

    Presidenti Macron, mesazh për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Ismail Kadare

    Presidenti i Republikës franceze, Emanuel Macron përkujtoi shkrimtarin e madh Ismail Kadare si një shpirt të lirë, i cili mori pjesë në zgjimin e madh të popullit shqiptar që ngriti perden e hekurt.

    Ai është shprehur se Kadare e nderoi Francën duke e zgjedhur si azil të krijimit të tij.

    “Sot vdiq një shkrimtar që mishëroi, me jetën, me veprën dhe me personalitetin e tij, pasurimin e dialogut, forcën e shpirtit europian dhe vokacionin mikpritës të Francës. Shkrimtari franko-shqiptar Ismail Kadaré u largua nga ne”,shkruhet në mesazhin e presidencës.

    Mesazhi i plotë presidencës franceze:

    “Ai ishte një nga ata për të cilët shkrimi është një luftë; ata që çdo fjalë u shkëputet nga heshtja, ata që çdo rresht rrezikon t’u shtohet minutave, ata që çdo roman kërcënon të jetë epitafi i karrierës së tyre.

    Sepse jetoi dhe krijoi si njeri i lirë, në një vend që nuk ishte: Shqipëria Sovjetike e pasluftës, nën zgjedhën e hekurt të Enver Hoxhës.

    Por zbulimi i letërsisë i hapi adoleshentit brigjet e një bote të re. Duke lexuar Servantesin, Homerin dhe Gogolin, ai ndërtoi rezistencën e tij intelektuale. Aq sa indoktrinimi i profesorëve të tij të letërsisë rrëshqiti mbi të, në Universitetin e Tiranës si dhe në Institutin Gorki në Moskë, tempullin e letërsisë zyrtare. Në vend që të bashkohej me radhët e “trupës elitare të realizmit socialist”, siç quhej, ai u bashkua me luftëtarët e rezistencës së stilit të lirisë. Romani i tij madhështor i vitit 1963, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, u tolerua, sepse tema e tij ishte shqetësuese, ëndrra e tij pengoi etiketat komuniste: zhvarrosja e ushtarëve nga Lufta e Dytë Botërore para një prifti dhe një ushtari italian, nën pushtetin shqiptar. shi i cili vazhdon të bjerë. Nga ana tjetër, Përbindëshi, në vitin 1965 dhe Dimri i vetmisë së madhe, në 1973, e bënë paria, sepse denonconte shtypjen intelektuale të Tiranës së kohës. Dy herë i akuzuar për nxitje rebelimi, ai iu nënshtrua një periudhe pune krahu thellë në fshat, për të cilën ai raportoi.

    Pas Pallatit të Ëndrrave, në vitin 1981, ra sëpata: “armik i popullit”. I ndaluar nga publikimi, ai vendosi të kërkojë azil politik. Kështu ai iu drejtua vendit që kishte qenë i pari që përktheu librat e tij, i pari që u bë i apasionuar pas punës së tij përtej kufijve të tij. Me botuesin e tij, Claude Durand, kreun e Éditions Fayard, ai planifikoi një arratisje të madhe në Francë në vitin 1990, një tjetër goditje në murin e diktaturës: në Tiranë, largimi i tij çoi në protestat e para studentore në më shumë se dyzet vjet.

    Që atëherë, nga kryeqyteti i Francës në atë të një Shqipërie të kthyer në demokraci dhe më në fund të rikthyer në vetvete, ai e ndau ekzistencën e tij mes fjalëve dhe gjërave, njerëzve dhe vendeve. Nga shëtitjet e tij në Tiranën e rizbuluar, nga kjo tryezë në kafenenë Rostand ku çdo mëngjes vendoste fletoren dhe stilolapsin, lindën tekste të përjetshme, në udhëkryqet e miteve dhe botëve, nga imagjinata e piramidës së Keopsit në atë të Tiranës. midis portave të Luksemburgut, brigjeve të Cornwall dhe mureve të Trojës. Ata vazhdimisht na kujtojnë se si Evropa është kontinenti i së përbashkëtës, se si historia e saj është një histori e përbashkët.

    Presidenti i Republikës përshëndet një shpirt të lirë, i cili mori pjesë në këtë zgjim të madh të popullit që ngriti perden e hekurt dhe nderoi Francën duke e marrë atë si azil të krijimit të tij. Ai u drejton ngushëllimet e tij të përzemërta të dashurve të tij, lexuesve të tij dhe popullit shqiptar”.