ATV

Blog

  • ​Rrëfimi i notares bullgare që theu rekordin në zhytje të lirë

    ​Rrëfimi i notares bullgare që theu rekordin në zhytje të lirë

    Notarja bullgare Silvia Rashkova vendosi një rekord të ri kombëtar për femra në zhytje të lirë duke arritur një thellësi prej 60 metrash në disiplinën FIM (zhytjen e lirë) gjatë një gare në Larnaka, Qipro, më 2 qershor.

    Në një intervistë ekskluzive për BTA, ajo foli për atë që e bëri të dashurohej me zhytjen e lirë, perceptimet e gabuara për sportin, kushtet për ta ushtruar atë në Bullgari dhe mënyrat se si mund të jetë i dobishëm për ne në jetën e përditshme.

    Pas vetëm dy garave të zhytjes së lirë në thellësi në 9 muajt e fundit, Rashkova mban rekorde kombëtare në tre disiplina të veçanta (FIM, CWTB dhe CWT). Gjatë kësaj periudhe, zhytja ka qenë kryesisht jeta e saj, pasi përveç stërvitjes së zellshme, ajo është instruktore e certifikuar në shkollën e parë të zhytjes së lirë në vend.

    Si fëmija i vetëm i një fuzhnjari, dashuria e saj për zhytje ishte e pashmangshme. “Ishte e pamundur të mos trashegoja hobit e tij”, tha ajo.

    “Babai im më futi në ujë para se të mund të ecja. Në fakt – nën ujë, për tmerrin e nënës sime. Në moshën 14-vjeçare, unë zhytësha në 8-9 metra thellësi.

    Zhytja e lirë – sport me adrenalinë? Gabim. Është sport më i ngjashëm me meditimin.

    Ajo tha për BTA se ka shumë keqkuptime rreth zhytjes së lirë dhe shembulli më i qartë është besimi i përhapur se zhytja e lirë është një sport që të japë adrenalin. “Në fakt, ne shmangim adrenalinën, duam të jemi të qetë, të relaksuar, sepse sa më të qetë të jemi, aq më pak oksigjen harxhojmë dhe mund të qëndrojmë më gjatë në ujë.

    Kur bëhet siç duhet, Silvia e krahason zhytjen e lirë me meditimin aktiv. “Përmes tij, ne bëjmë një pushim nga përditshmëria stresuese. Pastaj ne dalim shumë më të çlodhur dhe të gatshëm për të përballuar detyrat e jetës sonë të përditshme me energji të përtërirë.”

    Edhe pse është ende larg nga një sport popullor, interesi për zhytje të lirë po rritet si në nivel lokal ashtu edhe në nivel global.

    “Po bëhen gjithnjë e më shumë filma nën ujë, zhytësit e lirë kanë filluar të shfaqen në video muzikore dhe kjo po rrit popullaritetin e sportit. Gjithashtu po bëhet më e lehtë të udhëtosh në destinacione të ndryshme, mediat sociale po evoluojnë – ne po shohim vazhdimisht pamje nënujore. Njerëzit duke e parë këtë, duke pasur mundësinë të udhëtojnë dhe të shohin vende të bukura, kanë filluar ta praktikojnë këtë aktivitet gjithnjë e më shumë.”

  • Erëra të fuqishme në Skenderaj, këto janë dëmet materiale

    Erëra të fuqishme në Skenderaj, këto janë dëmet materiale

    Erërat e forta me shi të rrëmbyeshëm gjatë ditës së sotme kanë shkaktuar dëme materiale në objektin banesor afër Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj.

    Në njoftimin e kësaj komune thuhet se përveç fasadës së jashtme në një pjesë të objektit e cila ka rënë në tokë duke dëmtuar veturat afër ndërtesës, fatmirësisht ka kaluar pa pasoja tjera.

    “Ekipet e Drejtorisë së Shërbimeve Publike bashkë me zyrtarët policorë, kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, duke shirituar zonën e rrezikut dhe janë në gjendje gatishmërie për çdo situate”, thuhet në komunikatë.

    Më tej thuhet se Komuna e Skenderajt shumë shpejt do të ndërmarrë të gjitha veprimet për të sanuar dëmet e shkaktuara.

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se sot në vendin tonë mund të ketë reshje shiu dhe shkarkime rrufesh.

  • ​Ronaldo: Ky është Evropiani im i fundit

    ​Ronaldo: Ky është Evropiani im i fundit

    Cristiano Ronaldo ka konfirmuar se kampionati evropian i këtij viti do të jetë i fundit në karrierën e tij. Superylli portugez, i cili është 39 vjeç, po luan në Euro për herë të gjashtë dhe ka ndihmuar vendin e tij të arrijë në çerekfinale, ku Kylian Mbappé dhe Franca presin në Hamburg të premten.

    Duke folur për transmetuesin publik portugez RTP pas fitores me penallti ndaj Sllovenisë të hënën, Ronaldo tha: “Është, pa dyshim, kampionati im i fundit evropian. Por unë nuk jam emocional për këtë. Jam prekur nga të gjitha mjetet e futbollit, nga entuziazmi që kam për lojën, entuziazmi për të parë mbështetësit e mi, familjen time, dashurinë që njerëzit kanë për mua.”

    Ronaldo, i cili është një nga golashënuesit më mirë në historinë e futbollit dhe ka një rekord me 14 gola në Kampionatin Evropian, tha se motivimi i tij kryesor tani ishte “të bënte njerëzit të lumtur”. Ai u përlot gjatë ndeshjes me Slloveninë, pasi humbi penalltinë në vazhdime, përcjellë KP.

  • Statovci: Kosova ka bërë përpjekje për normalizimin e raporteve me Serbinë, nevojitet qartësim i pozicioneve

    Statovci: Kosova ka bërë përpjekje për normalizimin e raporteve me Serbinë, nevojitet qartësim i pozicioneve

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci, ka thënë për EO se Kosova ka bërë mjaftueshëm përpjekje për normalizimin e raporteve me Serbinë. Deputetja e pushtetit këmbëngul se Serbia vazhdon t’i shkelë marrëveshjet e arritura në Bruksel.

    Duke komentuar takimin e sotëm ndërmjet kryenegociatorëve Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, Statovci ka thënë se nevojitet qartësim i pozicioneve të të dyja vendeve.

    “Padyshimtë që është edhe një dëshmi tjetër e përpjekjeve tona për normalizim të raporteve në mes dy shteteve. Çështja është që kryeministri Kurti ka qenë i qartë në kushtet bazë të cilat janë të nevojshme në mënyrë që të ketë një normalizim, duke e ditur që marrëveshja bazë ka trajtuar elementet bazë të cilat janë elemente kyçe problematike. Është shumë e rëndësishme që të kemi një qartësim të pozicionit të Serbisë në raport me integritetin territorial të Kosovës, në raport me shtetësinë e Kosovës dhe simbolet e Kosovës të cilat e definojnë një shtet. Në kuadër të kësaj kornize ku qartësohet marrëdhëniet mes dy shteteve të punohet edhe në aspektet e tjera të cilat e mundësojnë një integrim të mirëfilltë”, ka thënë Statovci.

    Statovci theksoi se është një përpjekje e mëtutjeshme nga Bashkimi Evropian për t’i ndihmuar këtij procesi, mirëpo sipas saj, kjo marrëveshje përcillet me mosbesim ku prej 11 pikave janë shkelur 8 sosh nga Serbia.

    “E shohim që është një përpjekje mëtutjeshme dhe institucioneve të Bashkimi Evropian që të punojnë në këtë drejtim mirëpo siç është thënë ky është proces që përcjellët me mosbesim sepse në tavolinë kemi një palë i cili në këtë marrëveshje tetë pika nga 11 janë shkelur, ka përcjellë edhe letër zyrtare duke e qartësuar pozicionin e saj se tërhiqet nga kjo marrëveshje si dhe ka bërë akte terroriste, mirëpo përpjekjet tona për tu treguat akter serioz dhe i interesuar për normalitet të raporteve të cilët i kontribuojnë sigurisë dhe paqes sidomos në këtë kohë që është sfiduese. Vazhdojnë të mëtutjeshme duke i pasur pozicionet e qarta dhe duke i ndihmuar në mënyrë konstruktive këtij procesi”, theksoi ajo.

    Sipas deputetes, kjo marrëveshje është zvarritur me qëllim nga ana e Serbisë për favore personale.

    “Është zvarritur me qëllim ndoshta edhe me shpresën që dinamikat gjeopolitike do të lëvizin në favor të tyre. Mirëpo duke e parë që diçka e tillë e ka vënë në një pozicion të stagnimit e cila tashmë nga institucionet e BE-së duhet të ketë veprime konkrete në mes dy shteteve. Padyshim duhet të jepet edhe garancia ligjore që kjo është një marrëveshje e obligueshme për të dy palët. Që në këtë rast kërkohet edhe nga ana e kryeministrit. Mos të harrojmë faktin që Kosova ka shprehur gatishmëri për ta formalizuar këtë proces, mirëpo mungon kjo gatishmëri nga pala tjetër e në këtë proces pra kemi të involvuar akterë kyç”, tha deputetja, teksa është skeptike për arritjen e shpejtë të një marrëveshje me Serbinë.

    “Është vështirë për ta paragjykuar tashmë ne do të shohim edhe në deklarimet pas përfundimit të këtij takimit besoj që është një marrëveshje që prek mbi elementet kyçe, pra të raportit në mes dy shteteve dhe qartëson pozicionin e tyre dhe kjo e zhbllokim shumë procese edhe ne raport me proceset e integrimit në organizata ndërkombëtare edhe në raport me shtet mosnjohëse, po ashtu edhe me të ardhmen e saj euroatlantike”, u shpreh ajo.

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, paralajmëroi se në krye të agjendës së diskutimeve do të jetë zbatimi urgjent i Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve. Marrëveshja është arritur vitin e kaluar, por ende nuk është zbatuar.

  • Konjufca priti në takim ambasadorin bullgar, Hristo Gudjev

    Konjufca priti në takim ambasadorin bullgar, Hristo Gudjev

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Bullgarisë në Kosovë, Hristo Gudjev.

    Duke e falënderuar për mbështetjen e shtetit bullgar ndaj Kosovës, kryetari Konjufca shprehu vlerësim për raportet shumë të mira mes dy vendeve, e në të njëjtën kohë potencoi nevojën për thellim të bashkëpunimit të ndërsjellë në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët.

    Ambasadori bullgar, Hristo Gudjev e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen dhe nënvizoi se Bullgaria do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën edhe në të ardhmen, duke përfshirë këtu edhe synimet e integrimit euroatlantik, si dhe shprehu gatishmërinë që përmes angazhimit të palëve të fuqizohen edhe më tutje marrëdhëniet mes vendeve tona.

    Po ashtu, bashkëbiseduesit folën edhe për aktualitetin politik, sigurinë dhe stabilitetin në rajon, duke u pajtuar për nevojën e bashkërendimit në drejtim të frenimit dhe parandalimit të të gjitha përpjekjeve destabiliziese që rrezikojnë stabilitetin rajonal, që është kusht i përparimit të gjithanshëm.

  • Zyrapit i prezantohen dokumentet e nënshkruara nga ai

    Zyrapit i prezantohen dokumentet e nënshkruara nga ai

    Bislim Zyrapi i cili për një kohë ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në ditën e dytë të dëshmisë së tij në Hagë, në rastin ku po akuzohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është pyetur për disa dokumente të lëshuara nga Shtabi e shumica prej tyre të nënshkruar nga vetë ai.

    Zyrapi është dëshmitar i prokurorisë në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqi. Ai ka shpjeguar të martën strukturën, hierarkinë dhe komunikimin mes Shtabit të Përgjithshëm me komandantët e Zonave dhe të Brigadave.

    Në njërin nga dokumentet që iu prezantua Zyrapi tha se ka qenë urdhër për komandantët e zonave.
    “E njoh, është dokumenti im, i nënshkruar nga unë, me vulë të Shtabit të Përgjithshëm. Është një urdhër i cili tregon se si referojnë apo raportojnë komandantët e zonave kur të vijnë në takimin në Shtab dhe çka duhet të përmbajë ai raport”, ka thënë ai.

    Prokurorja Claire Lawson ia prezantoi edhe një dokument tjetër Zyrapit dhe i kërkoi që ta shpjegonte rolin e Shefit të Shtabit dhe Komandantit të Përgjithshëm.

    “Këtu përmendet edhe komandanti edhe shefi i Shtabit, a mund të na e shpjegoni dallimin mes këtyre të dyjave, çfarë keni dashur të thoni?” ka pyetur ajo.

    “Raportet e shumta kanë ardhur nga komandantët e zonave te shefi i shtabit të cilat janë përpunuar dhe dërguar te komandanti”, është përgjigjur Zyrapi.

    Zyrapi tha se në kuadër të Shtabit ekzistonin 3 njësite: Batalioni Vëzhgues, Policia Ushtarake pranë shtabit të Përgjithshëm dhe kompania e logjistikës të cilat numëronin afro 300 anëtarë. Zyrapi shpjegoi rolin e Policisë Ushtarake pranë Shtabit.

    “Policia Ushtarake pranë Shtabit të Përgjithshëm ka qenë ta ruajë Shtabin e Përgjithshëm, objektet e saj, ta përcjellë Shtabin e Përgjithshëm në çdo lëvizje në territorin e Kosovës dhe sa herë të lëvizë Shtabi. Kryesisht është siguria dhe ruajtja e Shtabit të Përgjithshëm”, ka thënë ai.

    Ish-shefi i Shtabit u pyet edhe për një dokument i cili ishte nënshkruar nga komandantët e brigadave të zonës së Pashtrikut. Zyrapi tha se Shtabi komunikonte me komandantët e zonave, ata urdhrat i shpërndanin nëpër zona dhe nëse kërkohej, ato edhe nënshkruheshin nga komandat e brigadave si dëshmi që e kanë pranuar urdhëresën.

    Gjithashtu, Zyrapit iu prezantua një dokument me anë të së cilit, ai kishte ndaluar arrestimet nga Njësia Speciale e Policisë Ushtarake.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar i ngarkon ish-krerët e UÇK-së me veprat “Krime lufte” dhe “krime ndaj njerëzimit”, për vrasje e ndalime të kryera në disa zona gjatë viteve 1998-99. Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki funksionale, meqë peshën kryesore e kishin komandantët e zonave.

  • Çatia bie mbi veturat në “Pejton”

    Çatia bie mbi veturat në “Pejton”

    Çatia e një objekti banesor në lagjen “Pejton” ka rënë mbi veturat e parkuara, si pasojë e frymës që mbizotëroi në Prishtinë të martën paradite.

    Nuk është raportuar për të lënduar.

    Policia dhe ekipet emergjente janë parë në vendin ku ka ndodhur ngjarja.

  • Nis takimi në Bruksel mes Bislimit dhe Petkoviqit

    Nis takimi në Bruksel mes Bislimit dhe Petkoviqit

    Ka filluar takimi në Bruksel në mes të delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë në kuadër të procesit të dialogut.

    Delegacioni i Kosovës kryesohet nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, e ai serb nga Petar Petkoviq.

    Takimi në fjalë është duke u zhvilluar me Miroslav Lajçak, emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun.

    Sot po mbahet raundi i ri i dialogut në nivelin e negociatorëve.

  • Abstenon mazhoranca, s’kalon në Komision kërkesa e deputetes së opozitës

    Abstenon mazhoranca, s’kalon në Komision kërkesa e deputetes së opozitës

    Shqyrtimi i “Kërkesës së deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku – Rexhepi, lidhur me monitorimin e Autoritetit të Konkurrencës të Republikës së Kosovës, sa i përket zbatimit të Ligjit për zyrtarët publik, nuk ka kaluar në Komisionin për Ekonomi.

    Kjo për shkak se deputetët e partisë në pushtet kanë abstenuar, duke mos e përkrahur të njëjtën.

    Deputetja, Bunjaku, ka thënë se kërkesa e saj është të bëhet monitorim i jashtëzakonshëm i ligjit për Autoritetin e Konkurrencës nga Këshilli i Shërbyesve Civil.

    “Kërkesa ime është monitorim i jashtëzakonshëm i ligjit për Autoritetin e Konkurrencës nga Këshilli i Shërbyesve Civil dhe kërkoj bashkërisht si komision të bëjmë këtë kërkesë dhe të dorëzojmë tek Këshilli i Shërbyesve Civil për monitorimin e këtij ligji”, tha Rexhepi-Bunajku.

    Ndërsa, deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja ka thënë se kjo ka nevojë të qartësohet.

    “Për mendimin tim ka nevojë pak për qartësim, a bëhet fjalë për monitorimin e ligjit për Autoritetin e Konkurrencës, kështu kjo bie në domenin e këtij komisioni dhe mendoj se si kërkesë mund të shtrohet si e veçantë. Dhe e dyta se kërkesa po i drejtohet komisionit të pavarur për mbikëqyrjen e shërbyesve civil, atëherë kjo shkon në domenin e kompetencave të komisionit tjetër funksional, që është komisioni për administratë publike”, tha Muja.

    Ndërsa, me kërkesë të deputeteve të mazhorancës është hequr nga rendi i ditës Shqyrtimi i Raportit vjetor të Ndërmarrjes Publike të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT Sh.a. për vitin 2023.

    Kjo për shkak kohës së pamjaftueshme që kishin të njëjtit për të analizuar raportin.

    Deputetja nga partia në pushtet, Jeta Statovci ka thënë se sipas procedurave dhe normave të parapara me rregulloren e Kuvendit, kjo pikë nuk e përmbush afatin e nevojshëm edhe për shqyrtim nga ana e deputeteve.

    “Sipas procedurave dhe normave të parapara me rregulloren e Kuvendit, nuk e përmbush afatin e nevojshëm edhe për shqyrtim nga ana e deputeteve, mirëpo as aspektet e saj ligjore, që parashihet që materiali të jetë në dispozicion tre ditë para mbledhjes së komisionit. Në këtë rrethanë propozojmë që kjo pikë të hiqet nga rendi i ditës për një mbledhje të radhës”, tha Statovci.

    Ndërkaq, kryetari i këtij komisioni, Ferat Shala e ka arsyetuar këtë, duke thënë se raporti i KOSTT-it ka ardhë 15 minuta para përfundimit të afatit ligjor.

    Ai ka thënë se arsye tjetër që është thirrur kjo mbledhje, është për faktin se një pjesë e anëtarëve të bordit të KOSTT-it ju përfundon mandati javën tjetër, duke shtuar se nuk pajtohet me faktin se intencat e grupeve të caktuara që anëtarët e bordit të mos vinë të raportojnë dhe të ikin të përfundojnë mandatin pa e mbyll raportin.

    “Po, unë e kam bërë agjendën mbështetur në rrethanat dhe situatën e krijuar, mbështetur në minimalisht në tre email-a që kam marr zyrtarisht dhe nga punëtorët e KOSTT-it, që kanë ankuar dhe kanë shprehur kundërshtime, shkelje të drejtave procedurale dhe juridike të punëtorëve brenda KOSTT-it. E kam thirr këtë mbledhje edhe për faktin se një pjesë e anëtarëve të bordit të KOSTT-it ju përfundon mandati javën tjetër, dhe intencat e grupeve të caktuara që anëtarët e bordit të mos vinë të raportojnë dhe të ikin të përfundojnë mandatin pa e mbyll raportin nuk kam mundur të pajtohem. Prandaj, raporti i KOST-it ka ardhë 15 minuta në përfundim të orarit, në ditën e fundit të afatit ligjor, edhe për atë ai iu kam shkruar email zyrtare”, tha ai.

    Në anën tjetër, deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Valentina Rexhepi-Bunajku ka propozuar që kjo pikë të shtyhet për të enjten

    “Ata e kanë ditë që e kanë pas afatin e fundit ta dorëzojnë, nuk është dashtë të presin 30 qershorin, kanë mundur edhe më herët ta dorëzojnë raportin. Meqenëse mazhoranca nuk ka disponim sot të jetë në rend ditës kjo ditë, të shtyhet për të enjten dhe të shqyrtojmë këtë raport, besoj ju mjaftojnë tre ditë të lexoni raportin. Nuk jam tendencioze, por po ju lus si mazhorancë meqë i keni numrat, edhe me votim jeni të mjaftueshëm po kërkoj mirëkuptimin që ky komision të thirret të enjten ”, tha ajo./kp

  • ​Rritet fluksi i pacientëve si pasojë e temperaturave të larta

    ​Rritet fluksi i pacientëve si pasojë e temperaturave të larta

    Alivanosja, dhimbjet muskulare, kokëdhimbja, marramendja, diarrea e të vjellurat janë disa nga simptomat që mund të shkaktoi ekspozimi në temperatura të larta.

    E me ngritjen e temperaturave në vendin tonë, është rritur edhe kërkesa e pacientëve për të marrë shërbime mjekësore në institucionet shëndetësore.

    Kryeshefi i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Valdet Hashani në një intervistë për KosovaPress, thotë se fluksi i pacientëve që kanë kërkuar trajtim ditëve të fundit për shkak të ndryshimit të motit, është rritur për 20 për qind.

    Ai tregon se të moshuarit, pacientët me sëmundje kronike dhe fëmijët janë rastet më të shpeshta që kërkojnë trajtim mjekësore si pasojë e të nxehtit.

    “Me rritjen e temperaturave të cilat kanë qenë enorme në krahasim me një javë më herët. Nga 23-25 gradë sa kanë qenë normalisht u rritën temperaturat në 38 deri në 40 gradë celsius…Me ngritjen e këtyre temperaturave patëm edhe një fluks të pacientëve dhe mund të themi që mbi 20 për qind të pacientëve është rritur numri i tyre. Jo vetëm në QKMF por në të gjitha njësitë që i kemi në kuadër të QKMF-së, qofshin ato të Mjekësisë Familjare apo edhe ambulanta në fshat. Zakonisht më të shpeshtë kanë qenë pacientë më të moshuar, që kanë sëmundje kronike, qofshin ato kardiovaskulare, të shëndetit mendor ose edhe pacientë të cilët marrin barna, substanca apo barna të ndryshe. Edhe numri i pacientëve të cilët janë fëmijë ose vegjël është rritur numri i tyre, sidomos edhe i gastroenteriteve për shkak të infeksioneve të mundshme, për shkak të rënies së imunitetit”, thotë Hashani.

    Derisa tregon simptomat me të ciklat mund të përballen pacientët si shkak i ekspozimit të gjatë në diell, Hashani thotë se kur temperaturat janë të larta duhen shmangur ushqimet e shpejta, pijet energjike dhe ato të gazuara.

    Ai potencoi se përveç ujit, për të shmangur rrezikun nga infeksionet bakteriale apo virale, pacientët duhen konsumuar më shumë pemë, perime dhe sallata.

    “Fillimisht, pacientët ndjejnë dhimbje muskulare, kokëdhimbje. Mund të kenë edhe marramendje, të vjella e kështu me radhë. Por, nëse simptomat manifestohen me ndonjë infeksion qoftë viral ose bakterial, atëherë manifestohen edhe me vjellje, por edhe me barkqitje, që pastaj e komplikojnë gjendjen edhe më shumë…Ushqimet të cilat duhet të merren gjatë kësaj periudhe kohore është mirë që tu iket ushqimeve të cilat janë të ngrohta, të cilat kanë shumë kalori. Të merren sasi të mëdha të pemëve dhe perimeve, sallatave. Por, gjithmonë të kombinuara me lëngje. Por, jo lëngje të cilat janë për shembull pije energjike, që kanë sasi të mëdha të sheqerit, pije alkoolike…Duhet të konsumojnë ujë të pastër…Në rast se kanë nevojë për rehidrim mos të kërkohet menjëherë që të merren në formë të infuzioneve. Meqë ka preparate që janë edhe të lira edhe të mira, që janë nelit ose Ors i quan populli, ato janë për rehidrimin e organizmit”, potencon Hashani.

    Ndër të tjera kryeshefi i QKMF-së në Prishtinë, Valdet Hashani tregon se si pasojë e temperaturave të larta, organizmi i njeriut dehidrohet, duke ndikuar në zvogëlimin e imunitetin, trashjen e gjakut dhe pompimin më të shpeshtë të zemrës.

    “Meqë organizmi i njeriut kur është i dehidruar edhe imuniteti zvogëlohet, në këtë arsye qëllimi i organizmit përpos shumë funksioneve që i ka e ka edhe termorregullacionin dhe e rregullon temperaturën trupore në atë të ambientit. Nëse temperatura e trupit është 36 gradë, ndërsa jashtë ka qenë më e madhe, çfarë lufte apo mekanizmi i nevojitet për ta luftuar ose balancuar këtë temperaturë me atë të jashtme. Për shkak të kësaj organizmi shton nevojën për marrjen e lëngjeve, meqë bëhet dehidrimi ose nëpërmjet djersitjes, por edhe mushkërive lirohet një sasi e madhe e lëngjeve. Organizmi mbetet pa lëngje, zemra ose sistemi kardiovaskular, gjaku fillon të trashet të jetë më viskoz. Zemra pompon më shumë”, tregon Hashani.

    Përveç këtyre, Hashani thekson se gjatë verës, duhen veshur rroba me ngjyra më të hapura, për të reflektuar rrezet e diellit si dhe rekomandon që pacientët të bartin ombrella.

    Gjatë këtyre ditëve, Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) dhe Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK) kanë dhënë rekomandime për qytetarët. Ata këshillojnë që në intervalin kohor nga ora 10:00 deri në 16:00 të mos ekspozohen në rreze të drejtpërdrejta të diellit dhe të marrin masa mbrojtëse për të parandaluar ndikimin e nxehtësisë. /kp