ATV

Blog

  • Petkoviq i reagon Bislimit: Prishtina po e vret dialogun

    Petkoviq i reagon Bislimit: Prishtina po e vret dialogun

    Drejtori i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën”,Petar Petkoviq, ka thënë sot se Prishtina po e vret dialogun dhe se kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka refuzuar të diskutojë të gjitha temat të mërkurën në Bruksel.

    Kështu ka reaguar ndaj deklaratës së Bilsimit, i cili ka thënë se ekipi serb e ka refuzuar marrëveshjen bazë në tërësi, si dhe zbatimin e pjesëve të veçanta të saja.

    “Dje në Bruksel, Bislimi refuzoi të diskutonte për personat e zhdukur, Marrëveshjen për Vizitat Zyrtare e quajti inekzistente, Elektroseverin e quajti kompani jonormale, hodhi poshtë draft Statutin e BE-së për Asociacionin dhe të gjitha këto i tha para Lajçakut dhe ekipit të tij. Prishtina po vret dialogun!”, ka shkruar Petkoviq në rrjetin social X, shkruan Tanjug.

  • Policia shqipton afro 2000 mijë gjoba brenda 24 orëve

    Policia shqipton afro 2000 mijë gjoba brenda 24 orëve

    Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1996 gjoba në trafik.

    Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore janë evidentuar disa aksidente në trafikun rrugor, ku 24 aksidente kanë qenë me lëndime, ndërsa 49 me dëme materiale.

  • “Lutem që kjo flakë të mos shuhet kurrë” – dedikimi i Marinës për ditëlindjen e 42-të të Ghetto Geasyt

    “Lutem që kjo flakë të mos shuhet kurrë” – dedikimi i Marinës për ditëlindjen e 42-të të Ghetto Geasyt

    Ditën e sotme (e mërkurë) feston ditëlindjen reperi i njohur shqiptar, Getoar Selimi.

    I lindur më 3 korrik të vitit 1982 në Prishtinë, Ghetto Geasy mbush plot 42 vite jetë.

    Ai me këtë rast ka marrë urime të shumta dhe një i tillë nuk mungoi as nga partnerja e tij, moderatorja Marina Vjollca.

    Bukuroshja e njohur ka ndarë një imazh të tij në rrjete sociale, ku edhe ka zgjedhur fjalët më të bukura.

    “Sytë e mi ende ndizen sa herë që takojnë të tutë. Lutem që kjo flakë të mos shuhet kurrë”, nis postimi i prezantueses.

    Ajo tutje theksoi: “Gëzuar ditëlindjen, zemër. Je burri dhe babai më i mirë. Të dua”.

    Marina dhe Geti vlen të ceket se kanë bashkë një vajzë të quajtur, Marget. /Telegrafi/

  • Zyrapi vazhdon dëshminë në Hagë, flet për takimin para nënshkrimit të marrëveshje së Rambujesë

    Zyrapi vazhdon dëshminë në Hagë, flet për takimin para nënshkrimit të marrëveshje së Rambujesë

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, për të tretën ditë me radhë po e vazhdon dëshminë dëshmitari i 75-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Bislim Zyrapi në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, Bislim Zyrapi tha se ishte mbajtur një takim në mes delegacionit dhe Shtabit të Përgjithshëm të vendosej nëse do të firmoset marrëveshja e Rambujesë ose jo, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Po, një takim. Delegacioni ka qenë në Rambuje dhe është kthyer dhe është diskutu në Shtab dhe janë kthyer pastaj dhe kanë nënshkru në Rambuje”, tha ai.

    Zyrapi tregoi se edhe ku është mbajtur ky takim si dhe se për çfarë është diskutuar.

    “Takimi është mbajtur në Bjeshkët e Berishës. Ka marrë pjesë delegacioni, Shtabi i Përgjithshëm dhe komandantët e zonave. Në këtë takim, e ka formuar për ecurinë në Rambuje, e ka shpalosur komplet Hashim Thaçi, pastaj janë kyçur edhe anëtarë të tjerë të delegacionit dhe Shtabit. Është diskutu për nënshkrimin e marrëveshjes, cilat janë dobitë pozitive dhe negative, por më shumë pozitive dhe çka ka prej asaj ku do të shkruhet marrëveshja”, tha Zyrapi.

    Zyrapi shtoi se sipas situatës që ka parë në terren, ka qenë e nevojshme të nënshkruhet kjo marrëveshje.

    Duke iu referuar zhvillimeve në UÇK gjatë periudhës së shkurtit të ’99-ës, dëshmitari tregoi se ka refuzuar të nënshkruante ndryshimet që ishin propozuar për Zonën e Pashtrikut.

    Sipas tij, një ndër arsyet ishte se nuk kishte kompetenca për ndryshime në këtë zonë dhe se një gjë të tillë do të duhej ta bënte komandanti i zonës.

    Dëshmitarit iu prezantua edhe një dokument që sipas prokurores Clare Lawson mbante datën 22 mars 1999. Për këtë dokument, dëshmitari tha se është leje qarkullimi në territorin e Kosovës e që i jepet një ushtari apo eprorit për të qarkulluar nga zona në zonë.

    Dëshmitari tha se kjo leje ishte për Xhizair Samedinin dhe se dokumenti mbante vulën e Shtabit të Përgjithshëm, si dhe nënshkrimi i Zyrapit.

    Duke folur për kompetencën për lëshimin e dokumenteve të tilla, dëshmitari tha se në disa raste e kishte ai, por mundësinë e ka pasur edhe komandanti i zonës për zonën e vet të përgjegjësisë, e po ashtu ngjashëm edhe ai i brigadës.

    Më pas, dëshmitari pohoi se më 1999, UÇK-ja kishte një njësi në Greme të Komunës së Ferizajt.

    “Mendoni në fshatin Greme, po. Ka qenë njësia e UÇK-së, më duket Brigadës 161. Njësia e kësaj brigade. E di për arsye se në prill 1999 kam kaluar në këtë fshat. Nuk më kujtohet se kush ka qenë komandant i njësisë, po më kujtohet se ka qenë zëvendëskomandanti i zonës me të cilin jam takuar dhe kemi biseduar. Ka qenë zotëri Imri Ilazi. ‘Inxhinieri’ ka qenë komandant aty po tani nuk më kujtohet emri si ka qenë”, tha Zyrapi.

    Ai gjithashtu tregoi edhe për proceset e evakuimit të të plagosurve në prill të 1999-ës nga zona në zonë, ku foli konkretisht edhe për Zonën e Drenicës e që sipas tij pjesëmarrës në këtë proces ishin edhe Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

    “Po në kohën e prillit, kemi pas shumë evakuime në shumë zona, po konkretisht në prill më kujtohet mirë evakuimi i të plagosurve nga zona e Drenicës në zonën e Pashtrikut. Kanë qenë Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi nga Shtabi i Përgjithshëm kur janë evakuuar këta të plagosur”, tha ai.

    Zyrapi shtoi se në prill të 1999-ës Shtabi i Përgjithshëm një pjesë të tij e kishte të vendosur në Divjakë, kurse një tjetër në Devetakë, që është një fshat në zonën e Noredimes.

    Bislim Zyrapi tregoi edhe për lëvizjet e tij pas fillimit të bombardimeve në mars të vitit 1999 e tutje. Ai tha se në fillimet e bombardimeve ka qenë në zyrat e Shtabit të Përgjithshëm në Divakë e më pas është transferuar në fshatin Nishor për t’i ndihmuar komandantit të zonës pasi kishte sulme nga forcat serbe e po ashtu edhe në tërheqjen e popullatës.

    Dëshmitari tregoi edhe për disa takime që kishte pasur me Hashim Thaçin dhe Agim Çekun gjatë prillit të 1999-ës, e që në njërin prej tyre tha se i kishte njoftuar ata për fillimet e operacionit ‘Shigjeta’.

    Sipas dëshmitarit, operacioni ‘Shigjeta’ ka filluar më 9 prill nga Kosharja për t’u zgjeruar tutje.

    Bislim Zyrapi tha se me Thaçin dhe Çekun kishte ndodhur edhe një takim tjetër në Jezerc.

    “Takimi që është mbajtur në Jezerc, kanë qenë pjesë nga Qeveria e përkohshme dhe nga Shtabi i Përgjithshëm. Në takim ishte edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli, ka qenë Adem Grabovci, ka qenë Agim Çeku. Më kujtohet se ka qenë Sylejman Selimi dhe disa anëtarë të tjerë se nuk më kujtohet mirë. Aty është bërë ndryshimi në mes meje dhe Agim Çeku, unë ia kam dorzu detyrën Agim Çekut dhe kam marrë detyrën tjetër në Mistrinë e Mbrojtjes ta ndihmoj ministrin e Mbrojtjes dhe t’i ndihmojë atij në Shqipëri në mobilizimin e atyre që kishin ardhë nga jashtë për t’u mobilizuar në operacionin ‘Shigjeta’”, tha dëshmitari.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Rina Balaj lanson këngën e re “DashuRinë” – merr vëmendje me paraqitjen në videoklip

    Rina Balaj lanson këngën e re “DashuRinë” – merr vëmendje me paraqitjen në videoklip

    Artistja e njohur shqiptare, Rina Balaj, ka prezantuar projektin e ri muzikor.

    Këngëtarja nga Istogu vjen me “DashuRinë”, që e ka realizuar edhe nga ana vizuale.

    Ajo ka bërë një paraqitje të mahnitshme në klip e po ashtu e ka interpretuar në mënyrë të veçantë.

    Kjo këngë vlen të ceket se mori mbi 200 mijë klikime vetëm pak orë që nga lansimi.

    Rina shquhet për vokalin si dhe për tekstet që sjell, ndonëse këtë periudhë ka qenë më aktive. /Telegrafi/

  • ​Këta janë librat më të dalluar të Kadaresë, sipas diplomatëve të Ambasadës amerikane në Tiranë

    ​Këta janë librat më të dalluar të Kadaresë, sipas diplomatëve të Ambasadës amerikane në Tiranë

    Ambasada e ShBA-së në Tiranë ka kujtuar dhe bërë homazhe në nder të shkrimit Ismail Kadare përmes vlerësimit dhe përjetimeve që vetë diplomatët amerikanë kanë pasur kur kanë lexuar veprat e tij të mëdha.

    Në nder të veprës së gjigandit shqiptar të letërsisë Ismail Kadare, Ambasada e ShBA-së u ka kërkuar diplomatëve amerikanë në Tiranë të ndajnë mendimet e tyre për disa prej librave të tij dhe ja kush ishin disa prej tyre.

    PRILLI I THYER

    Më pëlqeu shumë Prilli i Thyer. Përshkrimet e gjalla të veriut mahnitës të Shqipërisë dhe kompleksiteti i pasur i shoqërisë të mrekullueshme ishin një pasqyrë e fuqishme në këtë vend me teksturë dhe të bukur.

    David Wisner, I Ngarkuar me Punë në Ambasadën e ShBA

    Shkrimi i Piramidës më magjepsi – përmes shumë pak fjalëve, Kadare interpretoi në mënyrë delikate ambicien njerëzore dhe luftën nën pushtetin autoritar përmes shumë këndvështrimeve, të gjitha që lexuesit t’i zbulojnë dhe vlerësojnë vetë.

    John Kastning, Drejtues në Byronë Ndërkombëtare për Narkotikët dhe Çështjet e Zbatimit të Ligjit

    E PENGUARA

    Një mik shqiptar më rekomandoi këtë libër që më përfshiu tërësisht. Përmes historisë së mistershme të një gruaje (Linda B.), Kadare prek dashurinë, artin dhe zgjedhjet që njerëzit bëjnë në rrethana të jashtëzakonshme. Tërheqës, magjepsës dhe shumë i bukur.

    Amanda Roberson, Shefe në Detyrë e Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun

    KRONIKË NË GUR

    Kronikë në Gur është një përshkrim i bukur zemërthyes i përvojës së një fëmije në luftë. Në këtë vepër gjysmë- autobiografike, Kadare shpërfaq një mjeshtëri ironie, antropomorfizmi dhe përshkrimi plot imagjinatë që kërkon që lexuesi të ndjejë përballjen e pastërtisë së thjeshtë të fëmijërisë dhe tmerreve të pakuptueshme të Luftës së Dytë Botërore.

    Gabriel Vaughan, Këshilltar për Sigurinë Kibernetike, Zyra e Bashkëpunimit në Fushën e Mbrojtjes

    PALLATI I ËNDRRAVE

    Njohja ime me veprat e Ismail Kadaresë nisi me romanin e tij Pallati i Ëndrrave. Ky libër e udhëhoqi mendjen time në një udhëtim të papritur. Romani i Kadaresë e çon lexuesin përmes gëzimit të personazhit kryesor për rolin e tij të ri, vetëm për të kulmuar në një fund të paparashikuar dhe befasues. Thyerja e ëndrrave, duke u zhvendosur nga një mjet për të pasur sukses në një mjet për shkatërrimin e dikujt, ishte po aq mendim-ndjellës sa edhe zemërthyes. Kadare eksploroi me mjeshtëri fuqinë e ëndrrave, duke i shndërruar ato nga një simbol shprese në një instrument kontrolli dhe dëshpërimi.

    Ismail Kadare u nda nga jeta mëngjesin e 1 korrikut në moshën 88-vjeçare. Këshilli i Ministrave vendosi të shpallte datën 2 dhe 3 korrik ditë zie në nder të personalitetit të shquar të letrave shqipe. Përgjatë këtyre dy ditëve, në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike, flamuri kombëtar është ulur në gjysmë shtizë. /RTSH/

  • ​Kraja: Vepra letrare e Kadaresë ka luajtur rol emancipues për Kosovën

    ​Kraja: Vepra letrare e Kadaresë ka luajtur rol emancipues për Kosovën

    Vepra letrare e shkrimtarit Ismail Kadare ka luajtur rol emancipues për Kosovën dhe kosovarët.

    Kështu tha kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, në mbledhjen komemorative për shkrimtarin Ismail Kadare.

    Kraja u shpreh se Kadare ka bërë më shumë se institucionet.

    “Zëri i Kaderesë në mbështetje të Kosovës ka qenë frymëzim për shumë gjenerata intelektualësh, për një masë të gjerë të njerëzve në Kosovë. Në këtë pikë Kadare ka bërë më shumë se të gjitha institucionet. Zëri i tij, pavarësisht nëse vinte ka diskursi publik, ka qenë zë frymëzues. Bashkësisë ndërkombëtare i ka folur me gjuhë të qartë. Shqetësimet e Kadaresë kanë pasur jehonë të madhe në opinionin kosovar. Veprat letrare të Kadaresë, kanë luajtur rol emancipues për Kosovën dhe kosovarët”, tha Kraja.

    Në akademinë përkujtimore të organizuar nga AShAK, akademik Sabri Hamiti tha se me përkthimin e veprave të Ismail Kadaresë, ai ka fituar statusin e shkrimtarit të madh.

  • ​Garcia emocionohet pas dështimit për kualifikim në Kampionatin e Hapur të Golfit

    ​Garcia emocionohet pas dështimit për kualifikim në Kampionatin e Hapur të Golfit

    Sergio Garcia i Spanjës ishte në mesin e lojtarëve veteranë që nuk arritën të kualifikoheshin në Kampionatin e Hapur të Golfit, duke bërë vetëm dy goditje më pak në ndeshjen e tij të fundit kualifikuese të martën.

    Kjo shënon vitin e dytë radhazi që Garcia i LIV Golf nuk do të luajë në kampionatin historik, raporton kp.

    “Unë vij këtu dhe bëj maksimumin për të hyrë në The Open”, tha Garcia pasi mbaroi ditën e tij. “Do të ishte mirë ta bëja The Open të 100-tin tim të madh, por ishin kushte të vështira dhe ndonjëherë gjërat nuk shkojnë ashtu siç ju dëshironi. Provova gjithçka që munda dhe kjo është gjithçka që mund t’i kërkoj vetes”, tha më tej Garcia.

    Garcia qëlloi 71 dhe 70 në dy raunde në West Lancashire Golf Club të Liverpoolit, një nga katër vendet që pritën kualifikimet finale të martën. Kjo i dha atij një rezultat 3 nën nivel, por ai u vendos për një barazim për të gjashtën dhe nuk ishte në mesin e katër kualifikuesve të West Lancashire.

    Amatori Matthew Dodd-Berry dhe Sam Horsfield, të dy nga Anglia, gjuajtën 6 nën. Daniel Brown i Anglisë dhe Masahiro Kawamura i Japonisë përfunduan 5 nën.

    Garcia gjithashtu u kap në një video të mediave sociale duke u ankuar tek zyrtarët e rregullave të R&A pasi ishte vënë në orar për lojë të ngadaltë.

    “Është në rregull, mos u shqetësoni. Ju keni gjithmonë të drejtë, ne kemi gabim,” dëgjohet duke thënë Garcia.

    Ai më vonë u tha gazetarëve se lojtarët u ngadalësuan nga tifozët në pronë.

    “Marshallët po përpiqeshin të bënin punën më të mirë që mund të bënin, por padyshim, ne duhej të ndalonim pothuajse për dy deri në tre minuta për të goditur topin tonë, sepse njerëzit po ecnin përpara dhe në rrugë”, tha Garcia.

    “Nëse nuk donim të fillonim të godisnim njerëzit, ne nuk mund të godisnim. Unë nuk mendoj se ata e morën parasysh këtë, dhe kjo ishte për të ardhur keq. Na bëri të nxitonim”, tha më tej Garcia.

    Garcia nuk e ka fituar kurrë The Open. Ai u afrua më shumë kur humbi nga Padraig Harrington i Irlandës në një playoff në 2007; më vonë ai u rendit i dyti në 2014. Fitorja e vetme kryesore e Garcias ishte Masters 2017.

    Në Dundonald Links, anglezi Sam Hutsby ishte fituesi i medaljes në moshën 8 vjeçare. Spanjolli Angel Hidalgo, amatori irlandez Liam Nolan dhe skocezi Jack McDonald gjithashtu u kualifikuan.

    Në Royal Cinque Ports, Matthew Southgate i Anglisë ishte fituesi i medaljes me 6 nën nivel. Vendet e tjera shkuan për australianin Elvis Smylie dhe dy amatorë spanjollë, Jaime Montojo Fernandez dhe Luis Masaveu.

    Branden Grace i LIV Golf doli në fundin e gabuar të një playoff tre-për-një kundër Masaveu dhe Jamie Rutherford të Anglisë në Royal Cinque Ports. Afrikani i Jugut, i cili në vitin 2017 u bë njeriu i parë që qëlloi 62 në një major gjatë The Open në Royal Birkdale, do të përjashtohet nga të katër diplomat në 2024.

  • ​Meta: Kadare ngriti Shqipërinë në majat e letërsisë botërore

    ​Meta: Kadare ngriti Shqipërinë në majat e letërsisë botërore

    Shqiptarët i japin sot lamtumirën e fundit shkrimtarit të mirënjohur Ismail Kadare, i cili ndërroi jetë në moshën 88 vjeçare, mëngjesin e 1 korrikut.

    Kadare pësoi “arrest kardio-respirator”, në shtëpinë e tij dhe vdiq në spitalin e QSUT në Tiranë.

    Në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë po mbahen homazhet në nder të kolosit të letërsisë shqipe.

    Krerët e shteteve nga Shqipëria dhe Kosova ndodhen në Tiranë për të përcjellë me nderime të larta shkrimtarin në banesën e fundit.

    I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe kreu i partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili tha se Ismail Kadare ngriti Shqipërinë në majat e letërsisë botërore kur vendi ishte më e izoluar se kurrë.

    “Për t’i dhënë lamtumirën gjeniut të kombit që me penën e tij e ngriti Shqipërinë dhe shqiptarët në majat e letërsisë botërore atëherë kur Shqipëria ishte më e izoluar se kurrë. Me sakrificë i parapriu një epoke të re. I përjetshëm kujtimi i shkrimtarit tonë të madh dhe të papërsëritshëm”, deklaroi Meta në një prononcim të shkurtër për media. /Euronews.al/

  • Biden pritet ta takojë Netanyahun në fund të korrikut

    Biden pritet ta takojë Netanyahun në fund të korrikut

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, pritet të takohen në Uashington në fund të korrikut, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

    Në atë kohë, përkatësisht më 24 korrik, Netanyahu pritet t’i drejtohet Kongresit të SHBA-së në lidhje me luftën e ushtrisë së tij në Gazë.

    Pavarësisht luftës, SHBA-ja ka vazhduar mbështetjen për Izraelin, si në aspektin diplomatik, ashtu edhe në sigurimin e armëve, por Biden ka shprehur disa herë shqetësime për sjelljen e Izraelit.

    Në një rast, ai e ka cilësuar atë si “ekstreme”.

    Gjatë një bisede telefonike me Netanyahun në prill, Biden i ka kërkuar atij që të ndërmarrë më shumë hapa për t’i mbrojtur civilët në Gazë, duke thënë se politika e SHBA-së mund të ndryshojë.

    Lufta në Gazë ka shpërthyer në tetor të vitit të kaluar, kur Hamasi – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – ka sulmuar i pari Izraelin, duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke marrë peng qindra të tjerë.

    Në përgjigje, Izraeli është duke kryer sulme masive në Gazë – enklavën që kontrollon Hamasi.

    Autoritetet shëndetësore në Gazë thonë se afro 38.000 njerëz janë vrarë prej se ka nisur lufta./REL