ATV

Blog

  • Sveçla uron SHBA-në për ditën e shpalljes së pavarësisë: Festojmë me ju si aleatë të përhershëm

    Sveçla uron SHBA-në për ditën e shpalljes së pavarësisë: Festojmë me ju si aleatë të përhershëm

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka uruar 248 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Sveçla, përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se 248 vjet më parë u vendosën themelet e forta të lirisë e demokracisë që shërbejnë si vlera përparimtare për të gjithë popujt që aspirojnë ato.

    “248 vite më parë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpallën pavarësinë e tyre duke vendosur themelet e forta të lirisë e demokracisë që shërbejnë si vlera përparimtare për të gjithë popujt që aspirojnë ato. Liritë dhe të drejtat e njeriut, demokracia e shëndoshë, barazia e drejtësia që synon deklarata e shpalljes së pavarësisë së ShBA-ve, vazhdojnë të jenë themelet e përpjekjeve të përditshme të popujve që duan jetë e zhvillim të qetë e në paqe. Këto vlera duhet dhe do të triumfojnë përballë agresioneve e rreziqeve me të cilat po përballet bota e njerëzimi”, ka shkruar Sveçla.

    Ai, ka thënë se Kosova feston bashkë me SHBA-në si aleatë të përhershëm.

    “Festojmë sot si aleatë të përhershëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shprehur mirënjohjen jo vetëm për përkrahjen e vazhdueshme por edhe shembullin që vazhdojnë të japin tash e 248 vite. Në këtë datë të shënuar, urojmë popullin amerikan dhe institucionet e ShBA-ve, miqtë e partnerët e Republikës sonë! Urime 4 korrikun!”, është shprehur Sveçla.

  • ​KRU Prishtina me paralajmërim për keqpërdoruesit e ujit

    ​KRU Prishtina me paralajmërim për keqpërdoruesit e ujit

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se keqpërdorimi i ujit është duke u bërë në forma të ndryshme dhe se po rëndohet dukshëm furnizimi me ujë të pijes.

    “Keqpërdorimi i ujit që po ndodh në forma të ndryshme, siç është ujitja e kopshteve, arave, bahçeve, larja e automjeteve etj., e njëkohësisht edhe kyçje ilegale në sistemin e rrjetit të ujësjellësit, po e rëndojnë dukshëm furnizimin me ujë të pijshëm”, thuhet në njoftim.

    Për këto arsye, KRU Prishtina ka paralajmëruar se do të merren masa për cdo person fizik apo juridik që keqpërdor ujin.

    “Çdo person fizik ose juridik që në mënyrë të paautorizuar merr, përdor, devijon, shfrytëzon ose përfiton nga lidhjet ose rilidhjet në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit, pa lejen ose autorizimin e ofruesit të shërbimeve, do të shkyçet nga rrjeti dhe do të procedohet rasti për në gjykatë, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, neni 314(dënohet me gjobë ose burgim deri në 3 vite)”, thuhet në njoftim.

  • Aksion policor në Kaçanik, arrestohet i dyshuari për kultivimin e bimëve narkotike

    Aksion policor në Kaçanik, arrestohet i dyshuari për kultivimin e bimëve narkotike

    Aksion policor në Kaçanik, arrestohet i dyshuari për kultivimin e bimëve narkotike

    Policia e Kosovës, respektivisht DHTN- Ferizaj njofton se ka pranuar informacione për një person të dyshuar se i njëjti në një fshat të Kaqanikut dyshohet se merret me kultivimin e bimëve narkotike.

    Lidhur me këto informata, policia njofton se sot “njësitë kompetente policore kanë zhvilluar një plan taktik gjatë të cilit edhe është realizuar aksioni policor në fshatin Soponicë – Kaçanik, respektivisht në dy shtëpi të personit të dyshuar mashkull kosovar tek të cilat gjatë kontrollit janë gjetur provat materiale si në vijim:

    katër bimë të llojit kanabis sativa të gjatësisë rreth 20 cm.

    –substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë e vendosur në kavanoz xhami me peshë neto 10.6 gram,

    -80 copë qese najloni të zbrazëta,

    -një pako me rizlla (letër për mbështjellje të marihuanës),

    -një qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë 17.2 gram,

    -një thes najloni me substancë të dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë neto 486 gram,

    – substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë e vendosur në kavanoz xhami me peshë neto 89.4 gram

    – një qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë 10.2 gram,

    -substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë 10.75 gram ( e vendosur ne shishe plastike,

    -një thikë”, njofton policia.

    Lidhur me rastin pas përfundimit të kontrollit është kontaktuar prokurori kompetent i cili është njoftuar lidhur me veprimet e ndërmarra policore në teren, ku me autorizim të të cilit i dyshuari pas intervistimit ndalohet për 48 orë.

  • Sot mblidhen tri komisione në Kuvend

    Sot mblidhen tri komisione në Kuvend

    Sot në Kuvendin e Kosovës takohen tri komisione.

    Me fillim nga ora 09:00, Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës mban takim me ekspertët e angazhuar në komision.

    Më pas nga ora 10:00, Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport interviston kandidatët për Anëtarë të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore.

    Komisioni për Integrime Evropiane nga ora 11:00 shqyrton Projektligjin nr.08/L-290 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-013 për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës, nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së, si dhe shqyrtimin e Projektligjit nr.08/L-288 për mbrojtjen e konsumatorit, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.

  • Hapen zyrat e reja të AAK-së, mysafiri i parë i Haradinajt ishte ambasadori Hovenier

    Hapen zyrat e reja të AAK-së, mysafiri i parë i Haradinajt ishte ambasadori Hovenier

    Janë hapur zyrat e reja të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.Këtë e ka bërë të ditur vetë kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj, i cili njoftoi se mysafiri i tij i parë ishte ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier.

    Haradinaj zbuloi se me Hovenierin diskutuan për aktualitetin në Kosovë.

    “Me këmbë të mbarë e në shtëpinë e re, të nderuar që mysafiri i parë ishte Ambasadori Amerikan, Jeffrey Hovenier. Folëm për aktualitetin në Kosovë, për bashkëpunimin e ndërsjellë, pa harruar mbështetjen jetike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të gjitha fazat e lirisë e të shtetndërtimit të Kosovës! Me urime të ndërsjella edhe për Festën Kombëtare të Pavarësisë së Amerikës”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

  • Si të mbrohemi nga temperaturat e larta gjatë stinës së verës

    Si të mbrohemi nga temperaturat e larta gjatë stinës së verës

    Temperaturat po rriten në të gjithë Europën dhe ndërsa dielli lëshon nxehtësi,këto janë paralajmërimet kryesore për të ruajtur shëndetin tonë. Valët e të nxehtit mund të kenë efekte të shumta në trupin tonë, përtej djegies së lëkurës.

    Temperaturat po rriten në të gjithë Europën dhe ndërsa dielli lëshon nxehtësi,këto janë paralajmërimet kryesore për të ruajtur shëndetin tonë. Valët e të nxehtit mund të kenë efekte të shumta në trupin tonë, përtej djegies së lëkurës.

    Efektet më të hershme dhe më të lehta të të nxehtit janë: – ngërçet e shkaktuara nga dehidratimi (shpesh lidhen me ushtrimet fizike) – skuqje dhe irritime të lëkurës nga i nxehti – ënjtje (sidomos të kyçeve dhe këmbëve). Problemet më serioze përfshijnë lodhjen nga vapa që mund të shkaktohet në stuhi të forta të nxehti.

    Por edhe gjatë kohës që djersijmë në vapë humbasim kripëra dhe ujë, çka çon në rënien e presionit të gjakut. Simptomat e rraskapitjes nga i nxehti janë të ngjashme me ato të dehidratimit – jndihemi të sëmurë, na bie të fikët e ndonjëherë kemi gjendje shoku.

    Trajtimet mund të jenë të thjeshta në këtë fazë – duke pirë ujë të mjaftueshëm dhe lëvizur në një vend më të freskët.Por gjërat mund të shkojnë shumë më keq dhe të përshkallëzohen nëse goditemi nga temperatura tepër të nxehta.

    Praktikisht aftësia e trupit për të djersirë ndalon në momentin që niveli i lëngjeve bie në një pikë kritike. Personat që më parë kishin një ngjyrë trupi në rozë dhe lëkurë të hidratuar, bëhen të zbehtë dhe nisin të kenë lëkurë të thatë e të nxehtë.

    Në kushtet e pamundësisë për të freskuar trupin, temperaturat mund të arrijnë deri në 40C (normalisht është 37C). Simptomat në këtë fazë pëfshijnë një gjendje të turbullt, me vështirësi në orientim, konvulsione dhe rënien në gjendje kome.

    Këto simptoma mund të avancojnë deri në mosfunskionimin e një organi, në dëmtimin e trurit dhe deri në vdekje.

    Goditje e dyshuara të të nxehtit duhet të konsiderohen gjithnjë një emergjencë mjekësore./EO

  • Një muaj paraburgim ndaj kadetit policor për dhunim në tentativë

    Një muaj paraburgim ndaj kadetit policor për dhunim në tentativë

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur në çështjen penale kundër të pandehurit O.L, për shkak të veprës penale “dhunim në tentativë”.

    Në njoftimin e lëshuar thuhet se të pandehurit O.L. i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

    “Gjykata vlerësoj se caktimin e masës së paraburgimit e arsyeton fakti se nëse i pandehuri gjendet në liri, ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezikun se do të pengoj rrjedhën e procedurës penale, duke ndikuar tek e dëmtuara dhe dëshmitarët në këtë procedurë penale, andaj masa e paraburgimit është e vetmja masë për rrjedhën e pa penguar të procedurës në këtë çështje penale”, thuhet në njoftim.

  • Finlanda i jep SHBA-së qasje në bazat e saj ushtarake, reagon Rusia

    Finlanda i jep SHBA-së qasje në bazat e saj ushtarake, reagon Rusia

    Rusia do t’i përgjigjet vendimit të Finlandës për t’i dhënë Shteteve të Bashkuara qasje në bazat e saj ushtarake, tha të mërkurën një zëdhënës i ministrisë së Jashtme ruse.

    “Mund të konfirmoj vetëm se Rusia nuk do të lërë pa përgjigje ngritjen ushtarake të NATO-s në kufirin tonë, e cila kërcënon sigurinë e Federatës Ruse”, tha zëdhënësi Andrei Nastasin.

    “Ne gjithashtu do të ndërmarrim masat e nevojshme, duke përfshirë të natyrës ushtarako-teknike, për t’iu kundërvënë vendimeve agresive të Finlandës, si dhe aleatëve të saj të NATO-s”, shtoi ai.

    Parlamenti finlandez miratoi të hënën një marrëveshje bashkëpunimi për mbrojtjen me Shtetet e Bashkuara, e cila u nënshkrua në dhjetor 2023.

    Marrëveshja hap 15 objekte ushtarake finlandeze për përdorim të mundshëm nga Shtetet e Bashkuara. Ndryshe, Finlanda u bë anëtare e NATO-s në vitin 2023.

  • Publikohen rrahjet e zemrës së Ronaldos në dramën kundër Sllovenisë – shikoni çka ndodhi në penallti

    Publikohen rrahjet e zemrës së Ronaldos në dramën kundër Sllovenisë – shikoni çka ndodhi në penallti

    Derisa teknologjitë moderne zhvillohen gjithnjë e më shpejt, në publik po shfaqen të dhëna të ndryshme që lidhen me lojën e futbollit.

    Për momentin fokusi është në Kampionatin Evropian të Futbollit dhe është përfolur shumë këto ditë për Cristiano Ronaldon, i cili shpërtheu në lot si fëmijë i vogël pasi nuk realizoi një penallti.

    Testi me Slloveninë u vendos me penalltitë përfundimtare dhe Ronaldo shënoi të parën prej tyre për Portugalinë.

    Duke qenë se ai mbante gjatë gjithë kohës një monitor të rrahjeve të zemrës (WHOOP 4.0) në krahun e tij, u publikuan edhe të dhënat e rrahjeve të zemrës së kapitenit portugez gjatë gjuajtjes së penalltive në fund të ndeshjes.

    Para se të ekzekutonte penalltinë e tij në kohën e rregullt, Ronaldos iu ulën rrahjet e zemrës në rreth 100 rrahje në minutë, niveli më i ulët gjatë mbrëmjes.

    Pasi Bruno Fernandes ishte i saktë nga pika e bardhë, rrahjet e zemrës së Ronaldos u ngritën në 125.

    Më pas portieri i madh Diogo Costa priti penalltinë e tretë dhe rrahjet e zemrës së Ronaldos u ngritën në 170 rrahje në minutë para penalltisë me të cilën Bernardo Silva siguroi fitoren dhe kalimin për portugezin.

  • ​Petkoviq pas takimit në Bruksel tregon refuzimet e Bislimit

    ​Petkoviq pas takimit në Bruksel tregon refuzimet e Bislimit

    Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, përmes një postimi në rrjetin social X, ka përmendur pikat të cilat Bislimi ka refuzuar ti diskutoj.

    Sipas tij Prishtina po e vret dialogun.

    “Dje në Bruksel Bislimi refuzoi të diskutonte për personat e zhdukur, Marrëveshjen për Vizitat Zyrtare e quajti inekzistente, Elektroseverin e quajti kompani jonormale, hodhi poshtë draft Statutin e BE-së për Asociacionin dhe të gjitha i tha para Lajçakut dhe ekipit të tij. Prishtina po vret dialogun!”, ka shkruar Petkoviq në rrjetin social X.

    Ndërsa Qeveria e Kosovës në detajet e publikuara për takimin në Bruksel ka akuzuar Serbinë se po refuzon t’i zbatojë marrëveshjet.