ATV

Blog

  • Edi Rama feston sot 60-vjetorin e lindjes

    Edi Rama feston sot 60-vjetorin e lindjes

    Ministrat dhe deputetët e Partisë Socialiste kanë surprizuar mëngjesin e kësaj të enjte kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për 60-vjetorin e tij të lindjes.

    I gjithë kabineti dhe deputetët kanë shkuar në ambientet e kryeministrisë, ku i kanë bërë një festë surprizë Ramës.

    Edi Rama feston këtë 4 korrik 60-vjetorin e lindjes.

  • Aktori Gerard Butler në lidhje me modelen 25 vjet më të re?

    Aktori Gerard Butler në lidhje me modelen 25 vjet më të re?

    Aktori skocez, Gerard Butler, thuhet se zemrën e tij e ka pushtuar modelja Penny Lane, 25 vjet më e re.

    Butler dhe ylli i Sports Illustrated u panë duke bërë një shëtitje romantike rreth Primrose Hill dhe më vonë duke biseduar dhe duke qeshur në një lokal, transmeton Indeksonline.

    Sipas fotove të publikuara nga “The Sun”, dyshja ishin në humor të mirë, ku modelja bukuroshe në një moment i ka vënë dorën në supe Butlerit, pas së cilës dyshja ka filluar të qeshë.

    Meqë ra fjala, Penny Lane së fundmi tërhoqi vëmendjen në një sfilatë mode të organizuar nga revista Sports Illustrated, në kopertinën e së cilës u shfaq vitin e kaluar.

    Para Penny, Gerard Butler ishte në lidhje me stilistin e brendshëm Morgan Brown për nëntë vjet, dhe ai ishte gjithashtu i lidhur me modelen rumune Madalina Ghene dhe Jennifer Aniston.

  • ​Kuvendi i Shqipërisë një minutë heshtje për Ismail Kadarenë

    ​Kuvendi i Shqipërisë një minutë heshtje për Ismail Kadarenë

    Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë mbajtën sot një minutë heshtje në nderim të kolosit të letrave shqipe Ismail Kadare, i cili ndërroi jetë më 1 korrik në moshën 88-vjeçare nga nëj arrest kardiak.

    Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla tha se “në emër të Kuvendit seancën e sotme plenare ta nisim me nderimet për personalitetin e nderuar të letrave shqipe, shkrimtarin e madh Kadare që ditën e djeshme u përcoll në banesën e fundit. Të gjithë i jemi mirënjohës Ismail Kadaresë”.

    Kolosi i letërsisë shqipe, Ismail Kadare u përcoll dje për në banesën e fundit me të gjitha nderimet nga mijëra qytetarë e personalitete të jetës publike nga Shqipëria dhe Kosova.

  • Shpallet tenderi 45 milionësh për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Pejë, segmenti Dollc-Zahaq

    Shpallet tenderi 45 milionësh për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Pejë, segmenti Dollc-Zahaq

    Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka shpallur tenderin për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Pejë, segmenti Dollc-Zahaq, për katër lote. Vlera e parashikuar e kontratës është 45 milionë e 690 mijë euro.

    Në njoftimin për kontratë të publikuar në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik thuhet se kohëzgjatja e kësaj kontrate është për 36 muaj.

    Afati i fundit për pranim të tenderëve është 29 korriku, kur edhe do të bëhet hapja e tenderëve. i Tenderi duhet të dorëzohet vetëm në mënyrë elektronike.

    “Shuma e Sigurimit të Tenderit është për Lot 1 200,000.00€, Lot 2 220,000.00€, Lot 3 250,000.00€ dhe Lot 4 200,000.00€ për periudhë valide prej në ditë 120. Sigurimin e tenderit duhet të dorëzohet i skanuar së bashku me ofertë, ndërsa forma origjinale e sigurimit të tenderit do të kërkohet të dorëzohet nga një tenderues të cilin autoriteti kontraktues ka për qellim që ta shpërblej me kontratë. Mos dorëzimi i formës Origjinale të sigurimit të tenderit shpije në zbatimin e nenit 99.2 të LPP. Sigurimin e tenderit duhet të dorëzohet për te gjitha lotet nese dergon oferte ne te gjitha lotet”, thuhet në njoftim.

  • A po tërhiqet Biden nga gara, Shtëpia e Bardhë del me njoftimin e rëndësishëm

    A po tërhiqet Biden nga gara, Shtëpia e Bardhë del me njoftimin e rëndësishëm

    Pas debatit me Donald Trump, në publik u hodh ideja se Joe Biden do të tërhiqej nga gara. Mirëpo, tashmë nuk ka më dyshime. Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se një gjë e tillë nuk do të ndodhë, pasi Biden është shumë i fortë për t’i shkuar deri në fund garës.

    “Absolutisht jo. Gara është ajo ku presidenti është fokusuar, duke vazhduar të japë për popullin amerikan, ” tha sekretarja e shtypit Karine Jean-Pierre kur u pyet nëse Presidenti Joe Biden do të largohej.

    Së fundmi, ai ka zhvilluar një takim me Zëvendës Presidenten Kamala Harris, që është përfolur si një zëvendësuese e mundshme. Shtëpia e Bardhë u përpoq që ta minimizonte si takim, ndërsa nuk dha shumë detaje mbi atë se çfarë është duke u përfolur në këtë tryezë.

    “Ata hanë rregullisht drekë,” thotë ajo për Biden dhe Harris.

    Biden, 81 vjeç, pati performancë të dobët në një debat me rivalin e tij republikan Donald Trump, 78 vjeç, javën e kaluar dhe presioni është intensifikuar në ditët e ardhshme me sondazhet që nuk ishin pro tij.

  • Albert Zogaj rizgjidhet kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës

    Albert Zogaj rizgjidhet kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës

    Me 10 vota për dhe 1 abstenim, anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) e kane rizgjedhur Albert Zogajn për kryesues të këtij institucioni, raporton Ekonomia Online.

    Si abstenim u konsiderua vota e anëtares Andrija Miletiq, që nuk mundi të votonte për shkak se mbledhjen e ndoqi online, derisa procesi ishte i mbyllur.

    Mandati i Zogajt është trevjeçar.

    Në mbledhjen e KGJK-së e cila është mbajtur të enjten, Zogaj iu është drejtuar anëtarëve të KGJK-së me një fjalim, në të cilin ka folur për të arriturat si dhe vizionin e tij për të ardhmen e këtij institucioni.

    Ai ka thënë se faza e dytë e reformës në drejtësi ka përfunduar, ndërsa theksoi se KGJK-ja, ka qenë nxitëse për bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Këshillin Prokurorial.

    “Duhet të punojmë në efikasitetin e sistemit gjyqësor në cilësinë e vendimarrjes së shërbimeve dhe ndërtimin e besimit të publikut. Reforma në drejtësi ka qenë objekti kryesorë, kemi implementuar 12 masa nga 13 në agjendën evropiane. KGJK-ja ka qenë nxitëse me Ministrinë e Drejtësisë dhe Këshillin Prokurorial për bashkëpunim, shpresojmë të hapet rruga për reformë duke përmbushur një pjesë në kuptimin nacional. Kemi dhënë kontribut të jashtëzakonshëm dhe jemi në fazën e hartimit të drafkodit të procedurës penale”, tha Zogaj.

    Ajo se çka mbetet sfiduese te Gjykatat, sipas Zogajt është siguria nëpër Gjykata e që thekson se nuk është në nivelin e duhur.

    “Sfiduese mbetet siguria në Gjykata dhe duhet angazhim. Investimet nuk janë në nivelin e duhur”, ka thënë ai.

    “Të rritet transparenca duhet të pasqyrojmë më shumë punë japim idenë që brenda pak kohe të themelohet dhe publikohet çdo javë gjyqësori në javë apo dy javë. Të punojmë me akademinë e gjyqësorit, të promovohet vlera e raportimit në KGJK. Do të duhet me punu në qasjen në drejtësi, do të promovojmë fushata informuese, ta paguajmë posten 600 e 1 milionë euro në vit, kjo kosto pritet të ulët”, ka thënë Zogaj.

    Tutje, Zogaj kërkoi bashkëpunim më të gjitha institucionet.

    “Sistemi gjyqësor ka në dimension avancimin e sundimit të ligjit, një prej çështjeve me të cilën do të merrem është bashkëpunimi. me institucione ndërkombëtare dhe vendore jo me bojkot. Gjyqësorin e mbështesin duke e vlerësuar jemi të vetëm në nivel rajonal që e kemi bërë punën vetëm”, u shpreh ai.

  • ​Jeff Bezos do të shesë 5 miliardë dollarë të tjera aksione të Amazon

    ​Jeff Bezos do të shesë 5 miliardë dollarë të tjera aksione të Amazon

    Themeluesi i Amazon, Jeff Bezos thotë se do të shesë 25 milionë aksione të tjera në gjigantin e teknologjisë, me vlerë rreth 5 miliardë dollarë (3.9 miliardë paund).

    Kjo vjen pasi vlera e tregut të aksioneve të kompanisë arriti një rekord të lartë të mërkurën.

    Kjo shënoi herën e parë që nga viti 2021 që Bezos kishte shitur aksione të Amazon. Aksionet e kompanisë janë rritur me më shumë se 30% këtë vit.

    Muajin e kaluar, vlerësimi i tregut të aksioneve të Amazon arriti në 2 trilion dollarë për herë të parë.

    Megjithatë, kjo është ende prapa firmave të tjera të mëdha të teknologjisë Nvidia, Apple dhe Microsoft, të cilat të gjitha kanë kaluar kufirin prej 3 trilion dollarësh.

    Bezos dha dorëheqjen si shefi ekzekutiv i kompanisë në vitin 2021 dhe aktualisht është kryetari i saj ekzekutiv dhe mbetet aksionari më i madh i saj.

    Ai themeloi Amazon në vitin 1994 në një garazh në Bellevue, Washington, kur interneti ishte ende në fillimet e tij.

    Kompania filloi si një shitës librash në internet, duke reklamuar koleksionin më të madh në botë të librave elektronikë.

    Që atëherë, Amazon është bërë një nga kompanitë kryesore në botë të shitjes me pakicë dhe kompjuterave cloud.

    Ai gjithashtu themeloi kompaninë e raketave Blue Origin, e cila në maj dërgoi gjashtë klientë në hapësirë.

    Bezos është personi i dytë më i pasur në botë, sipas listës së miliarderëve të Forbes, me një vlerë neto të vlerësuar prej rreth 214 miliardë dollarë. /BBC/

  • ​Mos respektimi i rregullave në komunikacion, shqiptohen 2 mijë e 280 gjoba për një ditë

    ​Mos respektimi i rregullave në komunikacion, shqiptohen 2 mijë e 280 gjoba për një ditë

    Policia e Kosovës brenda 24 orëve të fundit ka shqiptuar 2 mijë e 280 tiketa të trafikut.

    Në statistikat e policisë poashtu thuhet se janë bërë 24 aksidente trafiku me të lënduar, 32 aksidente me dëme materiale.

    Sipas policisë 22 persona janë arrestuar, 13 persona në mbajtje si dhe 1 person në vuajtje të dënimit.

  • Arrestohet ish-ministri i Shëndetësisë në Shqipëri

    Arrestohet ish-ministri i Shëndetësisë në Shqipëri

    Ish-ministri i Shëndetësisë në Shqipëri, Ilir Beqaj, është arrestuar mëngjesin e së enjtes.

    Siç raporton “TopChannel”, ai u arrestua pasi dyshohet se ka abuzuar me fondet e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, SASPAC, gjatë kohës kur ishte në krye të këtij institucioni.

    Beqaj mori postin e kreut të Agjencisë në nëntor të vitit 2022 dhe dha dorëheqjen në nëntor të vitit të kaluar, kur Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion nisi hetimet për koncesionin e sterilizimit.

    Urdhërarreste janë dhënë edhe për nëntë persona të tjera.

    Ndaj Beqajt rëndon vepra penale “shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim”.

    Beqaj ishte ministër i Shëndetësisë në vitin 2013 gjatë qeverisjes “Rama – Meta”.

  • Vdes në QKUK punëtori që u rrëzua në vendin e punës

    Vdes në QKUK punëtori që u rrëzua në vendin e punës

    Një person ka humbur jetën derisa po trajtohej në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi ishte rrëzuar nga një objekt në vend të punës.

    Policia e Kosovës njoftoi se ai është rrëzuar në Lipjan, e për rastin është arrestuar pronari i firmës ndërtimore dhe pronari i pronës.

    Ndërkohë, të arrestuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i pajetë është dërguar për obduksion.

    “Një mashkull kosovar ka ndërruar jetë në QKUK derisa po trajtohej si pasojë e lëndimeve të pësuara pasi ishte rrëzuar nga një objekt ku po punonte. Përveç njësive policore në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori dhe inspektori i punës. Dy të dyshuar meshkuj kosovarë (pronari i firmës ndërtimore dhe pronari i pronës) janë arrestuar dhe me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje, kurse trupi i pajetë është dërguar në obduksion. Rasti në hetime”, thuhet në raportin e plotë policor.