ATV

Blog

  • Kuvendi zgjedhor i AGK-së / Fatlum Jashari i ATV-së zgjedhet anëtar bordi, Xhemajl Rexha kryetar

    Kuvendi zgjedhor i AGK-së / Fatlum Jashari i ATV-së zgjedhet anëtar bordi, Xhemajl Rexha kryetar

    Kuvendi Zgjedhor i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës sot zgjodhi kryesinë e re të organizatës.

    Gazetari i ATV-së, Fatlum Jashari është zgjedhur anëtar i bordit i Asociacionit të Gazetarëve, derisa Xhemajl Rexha u votua për edhe një mandat, në postin e kryetarit.

    Rexha para zgjedhjes premtoi se nëse merr sërish këtë post, ndër prioritetet të tjera do ta ketë edhe krijimin e një media qendre.

    Ndërkohë, me statutin e ri të AGK-së, parashihet edhe pozita e nënkryetarit/es, në të cilën është zgjedhur Naile Dema Selmani (Radio Dukagjini).

    Anëtarët e tjerë të Bordit janë zgjedhur Milot Hasimja (Klan Kosova), Florandë Morina (T7), Blerta Dalloshi (TV Klan), Mehmet Krasniqi (RTV Dukagjini), Jehona Hulaj (Telegrafi) dhe Besnik Velija (Gazeta Express).

  • Arrestohet në Morinë shtetasi nga Kosova i kërkuar nga Zvicra për pastrim parash

    Arrestohet në Morinë shtetasi nga Kosova i kërkuar nga Zvicra për pastrim parash

    Një shtetas i Kosovës i shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Zvicra, për pastrim parash është arrestuar nga policia kufitare e Morinës.

    Shtetasi kosovar A. D., 33 vjeç u kap në hyrje të Shqipërisë dhe u arrestua nga Sektori për Hetimin e Krimeve i DVP Kukës, me qëllim ekstradimin në Zvicër, shtetasi kosovar A. D., 33 vjeç

    Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi autoritetet zvicerane i kanë caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për pastrim parash.

    Vijojnë procedurat për ekstradimin e 33-vjeçarit, në Zvicër.

  • Sulm me armë në Turqi, dy të vdekur dhe 4 të plagosur

    Sulm me armë në Turqi, dy të vdekur dhe 4 të plagosur

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Turqi ku si pasojë e një sulmi me armë në autostradë, 2 persona kanë humbur jetën dhe 4 të tjerë kanë mbetur të plagosur.

    Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në autostradën Diyarbakır – Bingol. Persona të paidentifikuar kanë hapur zjarr në drejtim të një makine, e cila ishte në lëvizje.

    Për pasojë kanë mbetur të plagosur 6 persona që ndodheshin në makinë, mes tyre një fëmijë dhe një grua.

    Dy prej të plagosurve nuk arritën t’i mbijetonin plagëve të marra dhe ndërruan jetë në spital.

  • Rita Ora me performancë spektakolare para 50 mijë njerëzve në Bukuresht të Rumanisë

    Rita Ora me performancë spektakolare para 50 mijë njerëzve në Bukuresht të Rumanisë

    Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka shkëlqyer së fundmi gjatë një paraqitjeje të jashtëzakonshme në Festivalin Saga në Bukuresht, Rumani.

    Performanca e saj e mbushur me energji dhe pasion e ka entuziazmuar publikun e shumtë të kryeqytetit rumun.

    33-vjeçarja interpretoi live një sërë hitesh nga karriera e saj e suksesshme, duke përfshirë këngët e saj më të njohura dhe të dashura për publikun. Ritmi dhe vokali i saj i fuqishëm bënë që atmosfera në festival të ishte elektrizuese, duke i mbajtur të gjithë të pranishmit të kënaqur dhe të angazhuar.

    Rita Ora ndau me ndjekësit e saj të shumtë në Instagram disa fotografi nga performanca, të cilat dëshmojnë për suksesin dhe ndikimin e madh të saj në skenën ndërkombëtare të muzikës. Ajo shkroi: “Bukureshti ishte i mahnitshëm!! Faleminderit që më patët mua Saga festival, të isha artistja kryesuese për të gjithë 50,000 prej jush ishte gjithçka!”.

    Fotot e postuara nga Rita Ora tregojnë një performancë të zjarrtë, ku ajo shkëlqen në skenë me një prezencë të fortë dhe karizmë të pashoqe. Publiku i Bukureshtit duket se ka qenë i mahnitur nga talenti dhe energjia e këngëtares shqiptare, duke krijuar një lidhje të veçantë mes saj dhe fansave të saj në Rumani.

    Pas suksesit të jashtëzakonshëm në Bukuresht, Rita Ora do të vazhdojë turneun e saj evropian, me performancën e ardhshme të planifikuar në Bratislavë, Sllovaki, të premten. Këngëtarja shqiptare pritet të sjellë të njëjtën energji dhe pasion në çdo paraqitje, duke vazhduar të lërë gjurmë në skenën muzikore ndërkombëtare.

    Rita Ora është një prej yjeve më të ndritur të muzikës pop, dhe sukseset e saj të fundit dëshmojnë për talentin dhe punën e palodhur që ajo investon në artin e saj. Performanca në Festivalin Saga në Bukuresht është një tjetër kapitull i shkëlqyer në karrierën e saj të jashtëzakonshme. /Telegrafi/

  • Lajçakut i vazhdohet zyrtarisht mandati si emisar i dialogut deri në janar

    Lajçakut i vazhdohet zyrtarisht mandati si emisar i dialogut deri në janar

    Këshilli i Bashkimit Evropian ia ka zgjatur edhe formalisht mandatin të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, deri në janar të vitit 2025.

    Ky vendim, për të cilin më herët ishin marrë vesh vendet anëtare me kërkesë të përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tashmë është formal, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Vendimi u mor disa muaj pasi Lajçak ishte emëruar ambasador i BE-së në Zvicër, ku ishte dashur të niste punën më 1 shtator, menjëherë pasi t’i skadonte mandati në rolin e lehtësuesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

    Me vazhdimin edhe për pesë muaj të Lajçakut në rolin e lehtësuesit të dialogut, BE-ja dëshiron të sigurojë që në këtë çështje të mos ketë vakum derisa pritet të emërohet pasardhësi i tij.

  • Thomas Muller pensionohet nga Kombëtarja e Gjermanisë

    Thomas Muller pensionohet nga Kombëtarja e Gjermanisë

    Sulmuesi i Bayern Munichut, Thomas Muller është legjenda e radhës që ka konfirmuar pensionimin nga Kombëtarja e Gjermanisë.

    Futbollisti gjerman, Toni Kroos ka mbyllur zyrtarisht karrierën e tij në moshën 35-vjeçare dje (e premte).

    Mesfushori i madh gjerman bëri të ditur se do të tërhiqet pas Kampionatit Evropian dhe me spanjollët që kanë eliminuar gjermanët e tij, ai pension është zyrtarizuar.

    Pas kësaj, nga Gjermania erdhi lajmi se 34-vjeçari Muller do t’i japë fund karrierës së tij kombëtare.

    “Po, është shumë e sigurt se kjo ishte ndeshja ime e fundit për Gjermaninë”, ka thënë ylli i Bayern Munichut për Sky.

    Muller bëri debutimin e tij për Gjermaninë në vitin 2010, dhe që atëherë ai ka bërë 131 paraqitje dhe ka shënuar 45 gola.

    Në vitin 2014 ishte kampion bote në Brazil me kombëtaren. Në karrierën e tij ai luajti vetëm për Bayernin, anëtar i të cilit është që nga viti 2000. Ai ka 707 paraqitje dhe 242 gola për klubin bavarez.

  • ​Helikopterët Black Hawk fluturojnë për herë të parë me pilotë shqiptarë

    ​Helikopterët Black Hawk fluturojnë për herë të parë me pilotë shqiptarë

    Helikopterët e tipit Black Hawk UH-60A+, fluturojnë për herë të parë me pilotë shqiptarë.

    Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka ndarë pamje nga fluturimi i pilotëve shqiptarë me helikopterët e tipit Black Hawk UH-60A+.

    Personeli i pilotëve të FA, tekikëve të bordit dhe atyre të mirëmbajtjes u certifikuan për kryerjen e detyrave në përfundim të fazës së parë të trajnimit nga instruktorët amerikanë të skuadrës SATMO.

    8 pilotë dhe 8 specialistë mirëmbajtje janë kualifikuar në profilet teknik linje, motori, strukture, avionik etj. Ekipi amerikan SATMO, sipas kontratës do të kryejë avancimin e aftësive të pilotëve në modulet transport trupash, fast-rope, bumbi bucket, vinç, IFR, dhe natën me NVG. N/Kolonel Ervin Buzi, ka kryer avancimin operacional për të kryer transport trupash përfshirë këtu menaxhimin e emergjencave si dhe fluturimin me instrumenta në kushte të vështira meteorologjike. Ndërsa Major Klajdi Tushe ka kaluar fazën e menaxhimit të emergjencave, fluturimit vizual dhe më pas do vazhdojë atë instrumental, raporton ATSh.

    Dy helikopterët e parë UH-60 Black Hawk erdhën në Shqipëri në janar të këtij viti, si porosi e parë e vendit tonë, mbështetur me mbi 50 milionë dollarë nga fondet e ndihmës së SHBA. Helikopterët e rinj do të ndihmojnë në forcimin e aftësive të forcave ajrore të Shqipërisë dhe aftësinë për të kryer evakuim mjekësor, rikuperim të personelit, misione kërkim-shpëtimi, si dhe mbështetje të lëvizjeve logjistike të NATO-s për operacione dhe stërvitje.

  • Gatuani bukë pa gluten vetëm për gjashtë minuta

    Gatuani bukë pa gluten vetëm për gjashtë minuta

    Ideale si për mëngjes ashtu edhe për darkë… me siguri do t’ju pëlqejë

    Ka njerëz që janë alergjikë ndaj glutenit, ndaj duhet të kujdesen për dietën e tyre.

    Nëse keni nevojë për një sasi më të madhe, mos ngurroni të dyfishoni sasinë e përbërësve dhe kjo sasi është e mjaftueshme për mëngjes për një person. Mund të përhapni krem të ëmbël ose të kripur në bukë pa gluten.

    Përbërësit:

    ▪ 50 g miell orizi,
    ▪ 50 ml kefir,
    ▪ 1 vezë,
    ▪ 1 lugë çaji pluhur pjekjeje,
    ▪ pak kripë.

    Përgatitja:

    Në një filxhan të thellë, përzieni kefirin dhe vezën, më pas tundni mirë. Shtoni miellin e situr dhe pluhurin për pjekje, si dhe pak kripë. Përziejini gjithçka mirë dhe piqini në furrë me mikrovalë në 900 W për rreth 3 minuta.

    Nxirreni bukën dhe priteni në feta.

    Ju bëftë mirë, – transmeton Telegrafi.

  • Komuna e Vushtrrisë do të punojë edhe të shtunave për mërgimtarët, Idrizi: E kemi bërë traditë që të ju ofrojmë shërbime enkas diasporës

    Komuna e Vushtrrisë do të punojë edhe të shtunave për mërgimtarët, Idrizi: E kemi bërë traditë që të ju ofrojmë shërbime enkas diasporës

    Komuna e Vushtrrisë, të shtunën, për të tretin vit radhazi ka bërë hapjen e sporteleve të veçanta që ofrojnë shërbime për bashkatdhetarët gjatë muajve të verës, raporton Ekonomia Online.

    Bashkatdhetarët të cilët kanë nevojë që të pajisen me dokumente të ndryshme, tani mund pajisen me to edhe gjatë të shtunave nga ora 10:00 deri ne ora 14:00.

    Kryetari i komunës, Ferit Idrizi, tha se si komunë kanë obligim të madh familjarë edhe kombëtar ndaj diasporës për kontributin që ata kanë dhënë për Kosovën.

    Ai tha se ofrimi i shërbimeve enkas për diasporën ditëve të shtune është bërë traditë në këtë komunë.

    “Ju dëshiroj mirëseardhje familjeve tona nga diaspora që sinqerisht nëse dikujt i kemi obligim shumë të madh familjarë edhe kombëtar janë diaspora që në vazhdimësi kanë kontribuar për familjet e tyre, për familjet tona, për qytetin e Vushtrrisë dhe për gjithë Kosovën. Si komunë e Vushtrrisë tani me e kemi bërë traditë që të ju ofrojmë shërbime enkas diasporës ditëve të shtune siç po e shihni edhe vete të gjitha sportelet janë të gatshme me ju ofruar shërbime”, ka thënë ai.

    Drejtoresh e Administratë së Përgjithshme, Hyrije Uka Hoxha, tha se gjatë të shtunave bashkatdhetarët do të mund të marrin të gjitha shërbimet që ofrohen në Zyrat e gjendjes civile dhe në Qendrën për shërbim me qytetar.

    Ajo tha se risi këtë vit është që të gjitha dokumentet e gjendjes civile për përdorim të brendshëm janë pa pagës.

    “Në bazë të vendimit të kryetarit të Komunës nga sot 6 korrik deri me 31 gusht 2024, do të jemi në shërbim të bashkatdhetarët edhe gjatë vikendit pra të shtunave duke filluar nga ora 10:00 deri ne ora 14:00. Në Zyrat e gjendjes civile dhe në Qendrën për shërbim me qytetar, bashkatdhetarët tanë mund të marrin të gjitha shërbimet që ofron Zyra e gjendjes civile, duke filluar nga certifikatat e lindjes, regjistrimet e lindjeve të ndodhura jashtë Kosovës, regjistrimet e vdekjeve dhe mund të bëjnë terminët për kurorëzime. Në Qendrën për shërbim me qytetar, mund ti bëjnë të gjitha kërkesat dhe ankesat që atyre ju interesojnë. Një risi për këtë vit është që vendimi i kryetarit të komunës të gjitha dokumentet e gjendjes civile për përdorim të brendshme janë pa pagës e gjithashtu edhe për bashkatdhetar”, ka thënë ajo.

    Drejtoresha për Diaspor, Medina Bunjaku, tha se si drejtori kanë organizuar një sërë aktivitetesh të ndryshme për diasporën.

    “Kemi organizuar aktivitet dhe jemi në fazën përmbyllëse të tyre që do të mbahen në pjesën e parë të korrikut dhe në pjesën e dytë gjatë muajit gusht. Vlen të theksohet që janë lëshuar edhe disa parkingje të shkolla dhe gjimnazeve të cilat do të jenë pa pagës për të gjithë bashkatdhetarët që vijën në pushim këtu. Jemi në fazën përgatitore të tri koncerteve, do të mbahen edhe aktivitete për fëmijë”, ka thënë ajo.

    E qytetarja Nazmie Mema, e cila u pajis me dokumentin e vendbanimit, tha se puna gjatë të shtunave mërgimtarëve do ti ju lehtësoj që të marrin shërbime më shpejt.

    “Po ky vendimi i komunës së Vushtrrisë është i qëlluar për shkak se e kanë kohën e limituar diaspora në vendlindje dhe i ndihmon shumë. Unë gjithashtu morra sot një certifikata për vendbanim këtu. Po sigurisht të shtunave nuk kanë punuar, kemi pritur, tollovi radhë të gjata, tash gjithçka më lehtë më mire, nuk kemi pritur as pak”, ka thënë ajo.

  • Mbi 2 mijë gjoba trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    Mbi 2 mijë gjoba trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    Policia e Kosovës njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit  janë shqiptuar dy mijë e 262 gjoba trafiku.

    Në raportin 24-orësh të Policisë bëhet e ditur se gjatë kësaj periudhe ka ndodhur një aksident me fatalitet, 17 me të lënduar dhe 25 me dëme materiale.

    Tutje, Policia njoftoi se në 24 orët e fundit janë arrestuar 18 persona dhe nëntë janë dërguar në mbajtje.