ATV

Blog

  • ​Arrestohet 27-vjeçari i kërkuar nga policia për therje me thikë në Gjilan

    ​Arrestohet 27-vjeçari i kërkuar nga policia për therje me thikë në Gjilan

    Njësiti i hetimeve rajonale Gjilan ka arrestuar sot personin me inicialet G.E. (27) nën dyshimet se ka kryer veprën penale vrasje në tentativë.

    I dyshuari më 6 maj 2024, rreth orës 18:20 në Gjilan, pas një konflikti fizik, dyshohet se me një mjet të mprehtë kishte therur viktimën mashkull kosovar në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore, për të cilat lëndime viktima ka pranuar tretman mjekësor. I njëjti ishte larguar më pas nga vendin i ngjarjes dhe ishte vënë në kërkim policor.

    Me urdhër të Prokurorit të Shteti i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa rasti do të procedohet në prokurorinë themelore.

  • ​Ligji për KPM, Rohde e Szunyog: Kuvendi dështoi në inkorporimin e rekomandimeve të BE-së

    ​Ligji për KPM, Rohde e Szunyog: Kuvendi dështoi në inkorporimin e rekomandimeve të BE-së

    Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë Jorn Rohde dhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë Tomas Szunyog kanë shprehur keqardhje pas miratimit të Ligjit të ri për Komisionin e Pavarur të Mediave, duke thënë se Kuvendi i Kosovës me këtë ka injoruar rekomandimet paraprake të BE-së.

    “Kosovarët duan të jenë pjesë e familjes së BE-së dhe nëse Qeveria e Kosovës dëshiron të përshpejtojë rrugën e saj drejt BE-së, çdo ligj i ri duhet të jetë plotësisht në përputhje me standardet BE. BE, KiE dhe OSBE kanë dhënë opinionet e tyre për ligjet, por janë injoruar…”, ka shkruar Rohde në një status në X.

    Ndërsa, ambasadori i BE-së ka thënë se Kuvendi i Kosovës sot humbi mundësinë për të pasur dy ligje të mira, Ligjin e ndryshuar për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, duke dështuar në inkorporimin e plotë të rekomandimeve të BE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.

    “Në fund të fundit, ligjet e mira nuk kanë të bëjnë vetëm me rrugën e Kosovës drejt BE-së. Ato kanë të bëjnë me sigurimin e sundimit të ligjit, drejtësisë dhe mbrojtjes së qytetarëve. Na vjen keq që Kuvendi nuk arriti t’i trajtojë këto shqetësime kryesore dhe të përafrohet me standardet e BE-së dhe evropiane”, ka shkruar Szunyog në rrjetin X.

  • ​Situata e sigurisë, Konjufca: Jemi të përgatitur për çfarëdo lloj sfide, Kosova është e sigurtë

    ​Situata e sigurisë, Konjufca: Jemi të përgatitur për çfarëdo lloj sfide, Kosova është e sigurtë

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka folur sot edhe njëherë lidhur me deklaratën e tij dhënë ditë më parë që Serbia po trajnon grupe për ndonjë sulm të mundshëm në Kosovë.

    Kryekuvendari Glauk Konjufca, ka thënë se këtë nuk e ka bërë për t’i frikësuar qytetarët e Kosovës, por për t’iu treguar bashkësisë ndërkombëtare për aktivitetet serbe.

    Sipas Glauk Konjufcës, Kosova është shumë e sigurtë.

    “Këto nuk i themi për të shkaktuar frikë, por i themi për ta kuptuar më mirë të vërtetën, por ne nuk ia themi popullit tonë. Unë nuk jam këtu duke fol për popullin, unë jam duke fol këtu për bashkësinë ndërkombëtare. Bashkësia ndërkombëtare duhet me e ndëshkua Serbinë sepse këto janë ato që po i zhvillon Serbia. Sa i përket popullit të Kosovës edhe statistikave ju i pat statistikat, për 6% ish rrit numri i të huajve që vijnë në Kosovë i turistëve, do të rritet edhe më shumë. Kosova është shumë e sigurtë, institucionet janë stabile edhe janë të gatshme me iu kundërvu çfarëdo tendence që vjen nga Serbia”, ka deklaruar Glauk Konjufca.

    Kryetari Glauk Konjufca, derisa foli për bashkësinë ndërkombëtare, deklaroi se edhe këta të fundit e dinë që Serbia ka pretendime territoriale ndaj Kosovës.

    Por, shtoi se Kosova nuk ka qenë asnjëherë më e gatshme për t’iu përgjigjur çfarëdo sfide të sigurisë.

    “Prej këtyre pretendimeve ajo nuk ka heq dorë kurrë, por në të njëjtën kohë edhe Kosova kurrë nuk ka qenë më e përgatitur për t’iu përgjigjur çfarëdo sfide të sigurisë. Kështu që populli i Kosovës duhet me qenë i sigurtë, kurrkush nuk i thotë këto deklarata për me i frikësua, as për më shkaktua ndonjë panik. Populli i Kosovës është shumë i qetë, populli i Kosovës beson në shtet, populli i Kosovës dhe shoqëria jonë beson në institucionet tona efektive për me iu kundërvu çfarëdo tendence të Serbisë për ta destabilizuar Kosovën. Kështu ka qenë dhe kështu do të jetë gjithmonë”, ka deklaruar Glauk Konjufca.

    Që ka grupe që kanë synim destabizilim e Kosovës, Konjufca ka thënë se ekzistojnë dhe se të njëjtat janë të strehuara në Serbi, por sa i përket situatës brenda Kosovës gjithçka është në kontroll.

    “Që ka grupe që kanë synim me detsabilizu Kosovën ato ne nuk mundemi me rrejt, as nuk mundem me mashtru askënd, ato ekzistojnë, janë të strehuara në Serbi, mirëpo sa i përket brenda Kosovës situata kurrë nuk ka qenë më në kontroll. Grupe nga brenda Kosës të cilat munden me destabilizua Kosovën kurrë nuk kanë qenë më të dobëta edhe janë në shpartallim e sipër. A prej Serbisë atje, ku ushtrojnë ata, ku i marrin armët, ku gjejnë strehim ato janë të konfirmuara edhe prej institucioneve tona të sigurisë e institucionet tona të sigurisë na i bartin neve krerëve të shtetit dhe na tregojnë që ato grupe ekzistojnë, ku ekzistojnë, ku trajnohen dhe cili është qëllimi i tyre”, ka shtuar ai.

    Kryekuvendari Glauk Konjufca ka komentuar edhe deklaratën e ndihmës Sekretarit, James O’Brien, i cili ka thënë se Kosova ka të drejtë të mbrojë territorin e saj si çdo vend tjetër, duke thënë se kjo është ajo që janë munduar ta shpjegojnë gjithmonë.

    “Ajo është ajo që gjithmonë jemi munduar ta shpjegojmë. Na ka gëzuar tej mase sepse kjo është një mirëkuptim për atë që po e bëjnë institucionet e Kosovës. Institucionet e Kosovës nuk janë kundër asnjë komuniteti në Kosovë, nuk janë kundër asnjë civili në Kosovë, institucionet e Republikës së Kosovës janë demokratike dhe zbatojnë sundimin e ligjit në atë pjesë të territorit, por kush don me iu dalë përballë institucioneve dhe me dhunë me sfidu autoritetin e institucioneve të Kosovës ne do të veprojmë sipas ligjeve”, ka deklaruar Glauk Konjufca.

    Ndryshe, kryetari i Kuvendit të Kosvës, Glauk Konjufca ditë më parë deklaroi se Serbia duhet të shihet rrezik jo vetëm në Kosovë por për krejt stabilitetin dhe paqen në Ballkanin Perëndimor.

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka shpërndarë një deklaratë të ndihmës Sekretarit, James O’Brien, i cili ka folur për përkrahjen e SHBA-së ndaj Kosovës.

  • ​Ligji për KPM, OSBE: Ka implikime të mundshme për lirinë e shprehjes

    ​Ligji për KPM, OSBE: Ka implikime të mundshme për lirinë e shprehjes

    Misioni i OSBE-së në Kosovë është i shqetësuar për disa aspekte të miratimit të sotëm nga Kuvendi i Kosovës të Ligjit të ri për Komisionin e Pavarur për Media (KPM), duke përkujtuar se shumica e rekomandimeve të ekspertëve ndërkombëtarë për të drejtën e medias nuk janë pasqyruar në ligjin e miratuar.

    Rekomandimet kryesore të ekspertëve të cilat nuk janë marrë parasysh kanë reflektuar shqetësime rreth dispozitave të reja të cilat do të kenë ndikim në përbërjen, rolin dhe përgjegjësitë e KPM-së, si dhe në procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të rinj dhe kushtet e shërbimit për të zgjedhurit. Rekomandimet për rolin dhe përgjegjësitë e KPM-së gjatë fushatave zgjedhore gjithashtu nuk janë marrë parasysh, thuhet në reagim.

    OSBE thotë se zgjerimi i juridiksionit të KPM-së në mediat sociale, i shoqëruar me mungesën e kritereve të qarta për bllokimin e përmbajtjeve të dëmshme, ngre shqetësime për proporcionalitetin dhe ka implikime të mundshme për lirinë e shprehjes.

    Për më tepër, OSBE përkujton se ligjit ende i mungojnë mekanizmat efektivë të vetërregullimit teksa rregulloret në lidhje me pronësinë dhe përqendrimin e medias kanë mungesë të qëndrueshmërisë procedurale.

    “Do të jetë e rëndësishme që ligji i miratuar tani të jetë objekt i një shqyrtimi gjithëpërfshirës, gjatë të cilit duhet të kërkohen pikëpamjet e ekspertëve kosovarë dhe ndërkombëtarë. Ndërkohë ne jemi të gatshëm si kurrë për të mbështetur KPM-në me këshilla të ekspertëve dhe ngritjen e kapaciteteve”, thotë OSBE.

    Ndryshe, ekspertët ndërkombëtarë dhanë komentet dhe rekomandimet e tyre në përpjekje për të siguruar që ligji i ri për KPM-në jo vetëm që do të pasqyronte standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira, por gjithashtu do të ishte i përshtatshëm për qëllimin, si dhe do të forconte Komisionin e Pavarur të Mediave dhe do të ruante pavarësinë shumë të rëndësishme të këtij organi.

    Ndaj miratimit të ligjit të ri për KPM-në ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke thënë se partia në pushtet nuk i ka marrë parasysh vërejtët e shoqërisë civile e mediave, dhe ka shpërfillur raportin e ekspertes së Këshillit të Evropës që ka konstatuar se pjesa më e madhe e ligjit nuk i përmbush standardet evropiane, duke përfshirë ato të Këshillit të Evropës, gjë e cila u konstatua sot para votimit edhe nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

    AGK bën thirrje për përdorimin e të gjitha mjeteve ligjore dhe kushtetuese për ta kundërshtuar hyrjen në fuqi të ligjit.

    Ligji i ri i miratuar nga Kuvendi sot parasheh që platformat për shpërndarje të video-materialeve dhe mediat online t’i nënshtrohen regjistrimit nga KPM-ja nëse dëshirojnë të publikojnë audio e video materiale.

  • Miratimi i ligjit për KPM-në, Gutierrez: Ditë e zezë për lirinë e medias dhe demokracinë në Kosovë

    Miratimi i ligjit për KPM-në, Gutierrez: Ditë e zezë për lirinë e medias dhe demokracinë në Kosovë

    Kuvendi i Kosovës e ka miratuar sot Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), i cili mes tjerash parasheh licencimin e mediave online, monitorimin e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro.

    Ricardo Gutierrez, sekretar i përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ) e ka quajtur ditë të zezë për lirinë e mediave.

    “Kosovë: Parlamenti sapo miratoi ligjin për media (Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave) pavarësisht këshillave nga KiE, BE, OSBE dhe EFJ për të mos bërë kështu. Sot është një ditë e zezë për Lirinë e Medias dhe Demokracinë në Kosovë. Partitë politike opozitare e bojkotuan seancën”, shkroi Gutierrez në “X”.

    Ky projektligj u miratua në lexim të dytë me 59 vota për, asnjë kundër dhe dy abstenime.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) tha në një reagim në Facebook se e ka pranuar me “shqetësim” miratimin e Projektligjit dhe kërkoi të kundërshtohet futja në fuqi e tij.

    Në votim nuk morën pjesë deputetët e partive opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të cilët u larguan nga seanca pasi që kërkesa e tyre për largimin e këtij projektligji nga rendi i ditës nuk u përkrah nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

    Për të hyrë në fuqi, Projektligji për KPM-në pas miratimit në Kuvend duhet të nënshkruhet nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

  • Syzet dhe ora e mësuesit nga Srebrenica, shpalosen si artefakte në Kosovë

    Syzet dhe ora e mësuesit nga Srebrenica, shpalosen si artefakte në Kosovë

    Për herë të parë në Kosovë janë shpalosur artefakte nga viktimat e Srebrenicës, të cilat i kanë ruajtur familjarët e viktimave. Të enjten, aty u ekspozuan syze dhe ora e mësuesit nga Srebrenica, Reshit Fazliqi, raporton EO.

    Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi, tha se 8 mijë burra janë vrarë me e zhduk një popull të tërë. Është më rëndësi më e shënu këtë moment boshnjakët dhe ushtarët e Kosovës.

    “Me këtë shënim po dojmë me u siguru që atë tolerancë, paqe për të cilën po folin që po tentojmë me bë me e apliku por mos më harru atë së çka kemi kalu. Për mu është shumë më rëndësi që Qeveria ime, ku i takojë tash e përkrahë këtë iniciativë këtu mes Prishtinës më u solidarizu me këto artefakte”, tha Rexhepi.

    Ndërsa, Mensur Bektic, përfaqësues i familjarëve të të vrarëve boshnjakë, ka thënë se nuk duhet harruar se çka ka ndodhur dhe vendimi i Qeverisë që 11 korriku të deklarohet si dita për kujtimin e asaj se çka ka ndodhur në Srebrenicë është për tu vlerësuar.

    “Kjo është ditë e madhe që çdo civilizim në botë po don më e shënu dhe është duke e shënuar siç e dini që ka ndodh me rezolutën, ku shumica e shteteve e votuan 11korrikut të jetë Dita Ndërkombëtare e gjenocidit të Srebrenicës. Këtu çka po shihni sot, po ekspozohen artefaktet e e mësuesit, mësuesi nuk ka pas faj, mësuesi është dashur me vazhdu me dhënë mësim. Ka qënë mësues në Srebrenicë që është dasht me vazhdu. Është ditë e rëndësishme, edhe ditë pikëllimi që nuk kemi çare çdo ditë pa e shënu, një vend që nuk e kujton çka la ndodh nuk ka as kulturë, edhe kultura e tij zhduket edhe e ardhmja e tij zhduket na po duam me kujtu që mos me na ndodh kurrë”, u shpreh ai.

    “Nëse rrini me nënat, gratë që e kanë përjetu Srebrenicën krejt çka keni me dëgju është ofshamë por asnjëherë nuk lyp hakmarrje, asnjëra nuk thotë hajde tash vrajeni serbt. Ata i edukojnë edhe fëmijët e vetë me tolerancë, tolerancë të cilën e ka treguar edhe Kosova edhe Bosnja e dëshirojë me u shpërnda ajo tolerancë që me e kujtu këtë ditë është shumë më rëndësi se çka është duke u bërë sot këtu”, ka thënë ai.

  • ​AGK: Miratimi i Ligjit për KPM-në, tentim për disiplinim e kontroll të mediave

    ​AGK: Miratimi i Ligjit për KPM-në, tentim për disiplinim e kontroll të mediave

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pranuar me shqetësim miratimin në Kuvendin e Kosovës të Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave me kuorumin minimal dhe pa prezencën e opozitës në sallë.

    Në reagim thuhet se partia politike në pushtet nuk i ka marrë parasysh vërejtët e shoqërisë civile e mediave, dhe ka shpërfillur raportin e ekspertes së Këshillit të Evropës që ka konstatuar se pjesa më e madhe e ligjit nuk i përmbush standardet evropiane, duke përfshirë ato të Këshillit të Evropës, gjë e cila u konstatua sot para votimit edhe nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

    “Votimi i sotëm është prej goditjeve më të mëdha që Qeveria e Kosovës dhe Vetëvendosje ka bërë kundër lirisë së medies në Kosovë, në një përpjekje të nisur qysh prej fillimit të mandatit për disiplinimin dhe kontrollimin e tyre. Votimi i sotëm do të ketë një tjetër efekt negativ në renditjen e vendit në raportet ndërkombëtare të fushës”, thuhet në reagim.

    AGK bën thirrje për përdorimin e të gjitha mjeteve ligjore dhe kushtetuese për ta kundërshtuar hyrjen në fuqi të ligjit.

  • Zyrtarja e OSBE-së në Kosovë, Shpresë Mulliqi, merr çmimin për kontributin për barazinë gjinore

    Zyrtarja e OSBE-së në Kosovë, Shpresë Mulliqi, merr çmimin për kontributin për barazinë gjinore

    Shpresë Mulliqi, zyrtare pranë Misionit të OSBE-së në Kosovë, sot u shpërblye me çmimin për punën dhe kontributin për barazi gjinore.

    Këtë çmim të cilin znj. Mulliqi e pranoi në Vjenë të Austrisë nga Sekretarja e Përgjithshme e OSBE—së, Helga Maria Schmid.

    SP Schmid gjatë prezantimit të çmimit e çmoi lartë kontributin e Mulliqit në sferën e barazisë gjinore, por edhe në Departametin për Siguri Publike. Ndërsa Mulliqi në fjalën e saj tha se ky çmim është shtysë, por dhe tregues, se sa shumë punë ka për t’u bërë ashtu që ky mision të përmbushet plotësisht. Ajo gjithasjtu falenderoi koleget ngq OMiK, nga Departamenti për Siguri Publike, si dhe të gjithë bashkëpunëtorët.

    Kjo është hera e parë që një zyrtar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë e pranon këtë çmim.
    Ensar forwarded an image

  • Rita Ora flet për shqiptarët në emisionin e famshëm amerikan: Një tjetër arsye pse e dua New Yorkun janë shqiptarët e shumtë këtu

    Rita Ora flet për shqiptarët në emisionin e famshëm amerikan: Një tjetër arsye pse e dua New Yorkun janë shqiptarët e shumtë këtu

    Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka lavdëruar shqiptarët, gjatë një interviste të fundit në emisionin e yllit Elvis Duran në New York.

    Duke folur në emisionin në “iHeart Radio”, Rita Ora shprehu dashurinë dhe respektin e saj për komunitetin shqiptar në New York dhe artistët shqiptarë që kanë arritur suksese të mëdha ndërkombëtare.

    E pyetur për shqiptarët dhe komunitetin e tyre në New York, Rita tha: “O Zot, kjo është një ndër arsyet përse e dua shumë New Yorkun. Një përshëndetje për të gjithë shqiptarët e mi në New York”.

    Gjatë intervistës, interpretuesja e hitit “Anywhere” u pyet edhe për artistet homologe shqiptare si Bebe Rexha, Dua Lipa dhe Ava Max, të cilat gjithashtu kanë famë ndërkombëtare dhe kanë arritur suksese të mëdha në industrinë muzikore.

    “Jemi shumë nga ne tani. Bebe Rexha, ne e duam atë, natyrisht një tjetër artiste e madhe – Dua Lipa. Kë tjetër kemi? Ava Max, gjithashtu”, u përgjigj Rita me entuziazëm.

    Këngëtarja theksoi rëndësinë e mbështetjes dhe promovimit të njëra-tjetrës në një industri konkurruese dhe vlerësoi talentet dhe arritjet e kolegeve të saj shqiptare.

    Rita Ora, e cila ka lindur në Kosovë dhe është rritur në Londër, është një nga artistet më të dashura dhe të njohura shqiptare në botë. Karriera e saj e suksesshme në muzikë, modë dhe film e ka bërë atë një figurë frymëzuese për shumë të rinj shqiptarë në mbarë botën. /Telegrafi/

  • Kuvendi miratoi projektligjin për KPM-në, Kusari: Ditë e errët për demokracinë dhe lirinë e medias

    Kuvendi miratoi projektligjin për KPM-në, Kusari: Ditë e errët për demokracinë dhe lirinë e medias

    Me 59 vota për, dy abstenime e asnjë kundër, deputetët e Kuvendit e kanë miratuar projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM).

    Për këtë këtë reaguar juristja e mediave, Flutura Kusari, e cila ka kritikuar partinë në pushtet Lëvzijes Vetëvendosje.

    Sipas saj, ky ligj cenonin demokracinë, lirinë shprehjes dhe të mediave në vend.

    “VV-ja e aprovoi me 61 vota projektligjin anti-europian për Komisionin e Pavarur për Media. Sot është dite erret për demokracinë dhe lirinë e shprehjes dhe te medias ne Kosove”, ka shkruar Kusari në Facebook.

    Ky projektligj është kundërshtuar nga shumica e organizatave ndërkombëtare që merren me lirinë e medias. Po ashtu, Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhjen për mosinkorporimin rekomandimet në tre projektligje vendimtare, atë për Zyrtarët Publikë, Komisionin e Pavarur për Media dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës.