ATV

Blog

  • Zyrapi: Shtabi i Përgjithshëm s’ka arritur t’i plotësojë të gjitha kapacitetet e nevojshme

    Zyrapi: Shtabi i Përgjithshëm s’ka arritur t’i plotësojë të gjitha kapacitetet e nevojshme

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po e vazhdon dëshminë dëshmitari i 75-të i ZPS-së, Bislim Zyrapi në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit

    Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Krasniqit përmes avokates Venkateswari Alagnedra, dëshmitari tha se Shtabi i Përgjithshëm nuk ka arritur që t’i plotësojë kapacitetet e nevojshme gjatë luftës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Në përgjithësi, drejtoritë edhe në këtë kohë kanë qenë jo të plotesume, jo veç njona, dy e tri po asnjona. Shtabi nuk ka arritur t’i plotëson të gjitha kapacitetet e nevojshme për këtë Shtab. Kemi shku me ato çka kemi pasur, me çka kemi qenë në dispozicione e që kemi mujtë të punojmë”, tha Zyrapi.

    Dëshmitari tha se sa i takon informimit në struktura është bërë gjatë takimeve duke shtuar se ata nuk kanë mundur që t’i profesionalizojnë të gjitha sektorët.

    “Informimi zakonisht në atë kohë ka qenë siç e ceka edhe më herët siç shifet edhe në mbajtjen e takimeve, gjithnjë me problemet e furnizimit, resurseve e të gjithave që nevojitet. Në fakt, në normale përveç kësaj duhet të jetë edhe aspekti i profesionalizimit të këtyre drejtorive. Kur them profesionalizimit është edhe pjesa e trajnimeve dhe aftësimeve të njësive edhe më poshtë të këtyre sektorëve. Po, ne nuk kemi arritur të gjitha këto t’i bëjmë. Ne vetëm disa sektorë kemi mujtë t’i arrisimi, t’i përgatisim një pjesë të këtyre drejtimeve por të gjitha jo”, tha ai.

    Dëshmitari Zyrapi tha se në krye të drejtorisë së personelit në kuadër të Shtabit të Përgjithshëm ishte emëruar Adem Grabovci.

    “Drejtoria e personelit është e cila i ka edhe burimet njerëzore, ajo normale që informacionet i merrte edhe nga zonat edhe nga veprimet ushtarake edhe nga Shtabi, duhet marrë edhe nga drejtoritë të tjera, sidomos është dashur të marrë nga drejtoria e inteligjencës për arsye së është dashur me ditë edhe aspektin kur të përcaktohet dikush në detyrë komanduese se a mund t’i ofrohet dhe jepet ai besim. Ajo çdo kund, edhe në paqe edhe në luftë që nga kjo drejtori kërkohet çdoherë… ose mund të ushtrojë atë detyrë”, tha tutje dëshmitari.

    Veç tjerash, Zyrapi shtoi se për emërimet në pozita të ndryshme janë bërë propozime.

    “Mirëpo, të gjitha këto nuk kemi mujt t’i bëjmë në atë kohë për arsye se edhe drejtoritë nuk kanë qenë të para, edhe nuk kanë pas resurse që t’i kem gjitha këto mundësi t’i bëjmë. Ato sa herë janë dhënë mendimet se çdo herë janë propozu nga zonat, komandantëve e zonave ose brigadave që të emërohen dikush në detyrat sipas vlerësimeve të tyre. Tek ne në shtab, ne kemi mujtë t’i vlerësojmë, komandantët e brigadave dhe zonave që mund të vendosen në ato pozicione”, tha dëshmitari Zyrapi.

    Tutje, Zyrapi shtoi se komandantët e zonave dhe brigadave propozohen nga zonat dhe brigadat e që pastaj emërimet mund të bëhen nga strukturat më të larta. Kurse, pozitat në njësi më të vogla ai tha se i bënë komandanti i zonës ose brigadës në vartësi të nevojave që ka.

    Disa materiale që i prezantuan dëshmitarit, Alagendra kërkoi që të pranohen në prova materiale për çka nuk pati kundërshtime dhe kjo u aprovua.

    Një pjesë e seancës kaloi në sesion privat me kërkesën e Alagendras për t’ia bërë dëshmitarit disa pyetje.

    Për ditën e sotme dëshmitari Zyrapi mbaroi dëshminë, ndërsa pritet që të vazhdojë serish të hënën më 15 korrik 2024.

  • Rama: 60 për qind më shumë sasi e grurit se vitin e kaluar në Prishtinë dhe deri në 5000 kg për hektarë

    Rama: 60 për qind më shumë sasi e grurit se vitin e kaluar në Prishtinë dhe deri në 5000 kg për hektarë

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se ky vit ka sjellë rritje të madhe në prodhimin e grurit në kryeqytet.

    Sipas Ramës, do të ketë 60 për qind më shumë sasi të grurit se vitin e kaluar dhe deri në 5 mijë kilogramë për hektarë.

    Ai ka bërë me dije se këtë vit do të ndahen makina për mbjellje të grurit.

    “Ky vit ka sjellë një rritje të madhe në prodhimin e grurit në kryeqytet: 60% më shumë sasi e grurit se vitin e kaluar dhe deri në 5000 kg për hektar – një sukses i madh për bujqit tanë. Falë angazhimit të bujqve tanë dhe punës së tyre të palodhshme, një shembull i këtij suksesi është bujku Arben Pestisha, i cili sivjet do të na sjellë 40,000 kilogramë grurë. Deri në fund të sezonit të korrje-shirjeve, pritet të kemi 5000ton grurë. Për të përkrahur bujqit tanë dhe për të vazhduar këtë trend pozitiv, këtë vit për herë të parë do të ndajmë makina për mbjellje të grurit”, ka shkruar Rama.

  • ​Deputetët miratojnë Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave

    ​Deputetët miratojnë Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave

    Me 59 vota për dhe dy abstenime, është miratuar Ligji për Komisionin e Pavarur të Mediave. Në seancën e sotme plenare janë miratuar edhe 93 amendamentet e këtij ligji.

    Deputetët të cilët abstenuan gjatë votimit të kësaj nisme legjislative ishin deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje Eman Rrahmani dhe Dimal Basha.

    Organizatat joqeveritare nuk e kanë mbështetur Ligjin për KPM-në, meqë kanë thënë se nuk janë marrë parasysh 80 për qind e rekomandimeve të Këshillit të Evropës.

    Ky projektligj, i dorëzuar më 27 dhjetor 2023, parasheh që platformat për shpërndarje të video-materialeve dhe mediat online t’i nënshtrohen regjistrimit nga KPM-ja nëse dëshirojnë të publikojnë audio e video materiale.

    Ndërkaq, Kuvendi nuk arriti ta miratoj në lexim të dytë ligjin për Zyrtar Publikë dhe si i tillë është bartur për një seancë të ardhshme.

  • ​Kurti: Kosova destinacion i leverdishëm për kompanitë nga Zvicra

    ​Kurti: Kosova destinacion i leverdishëm për kompanitë nga Zvicra

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, priti sot në takim kryetarin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës Eric Nussbaumer me të cilin ka biseduar rreth marrëdhënieve bilaterale, bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, si dhe mundësitë e potencialin që mërgata jonë paraqet për fuqizim dhe thellim të mëtejmë të shkëmbimeve tona.

    Kurti falënderoi shtetin e Zvicrës për mbështetjen e vazhdueshme, rolin që ka luajtur sidomos përgjatë tri dekadave të fundit, dhe për vendimin për t’ia vazhduar mandatin Swisscoy-it, kontingjentit të trupave zvicerane në Kosovë në kuadër të KFOR-it, deri në 2026.

    Në lidhje me mërgatën tonë në Zvicër, ai theksoi interesimin dhe angazhimin e qeverisë për përfshirje dhe kontribut sa më të madh të saj në zhvillimin ekonomik të vendit.

    Kryeministri veçoi shembullin e konsorciumit “Orllati” nga mërgata në Zvicër, i cili doli fitues në ankandin e parë të energjisë solare dhe që planifikon investim prej 70 milionë euro. Ai shtoi se në Kosovë ka edhe shumë kompani zvicerane të suksesshme, duke e bërë atë destinacion të leverdishëm edhe për kompani tjera nga Zvicra.

    Kryetari i Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer dhe delegacioni zviceran, i përbërë nga dy bashkëkryetarët e Grupit Parlamentar të Miqësisë Zvicër-Kosovë, Cédric Wermuth dhe Marc Jost si dhe zyrtarja nga Shërbimi Parlamentar, Sophie Lachat Rohrer, po qëndron në Kosovë nga dita e hënë.

    Ata kanë zhvilluar takime dypalëshe edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe zëvendëskryeministren njëherësh ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

  • UEFA e cakton gjyqtarin e finales Spanjë – Angli

    UEFA e cakton gjyqtarin e finales Spanjë – Angli

    Komiteti i Arbitrave të UEFA-s ka njoftuar se François Letexier nga Franca do të jetë arbitri i finales së UEFA EURO 2024 mes Spanjës dhe Anglisë, e cila do të luhet të dielën më 14 korrik në orën 21:00 CET në Olympiastadion në Berlin, Gjermani.

    Francezi 35-vjeçar, arbitër ndërkombëtar që nga viti 2017, ka gjykuar tashmë 65 ndeshje zyrtare të UEFA-s në karrierën e tij. Në turneun final të EURO të këtij viti, ai ka gjykuar tre ndeshje të fazës së grupeve, duke përfshirë Spanjë-Gjeorgji, Danimarkë-Serbi dhe Kroaci-Shqipëri, dhe ishte arbitër i katërt në ndeshjen hapëse mes Gjermanisë dhe Skocisë në Mynih.

    Sezonin e kaluar, Letexier ka drejtuar dhjetë ndeshje të garave të klubeve të UEFA-s në UEFA Champions League dhe UEFA Europa League dhe ishte arbitër i katërt në finalen e UEFA Champions League 2024 mes Borussia Dortmund dhe Real Madrid CF në Wembley. Ai gjithashtu ka qenë arbitër i UEFA Super Cup 2023 mes Manchester City FC dhe Sevilla FC në Piraeus, Greqi.

    François Letexier do të shoqërohet në finalen e së dielës nga asistentët francezë Cyril Mugnier dhe Mehdi Rahmouni, ndërsa Szymon Marciniak (Poloni) do të jetë arbitër i katërt. Roli i arbitrit asistent video (VAR) i është caktuar Jérôme Brisard (Francë), i ndihmuar nga Willy Delajod (Francë) dhe mbështetur nga Massimiliano Irrati (Itali). Tomasz Listkiewicz (Poloni) kompleton ekipin si arbitër asistent rezervë.

    Ekipi i referëve:

    Arbitër kryesor: François Letexier (Francë)

    Asistentë të arbitrit: Cyril Mugnier, Mehdi Rahmouni (të dy nga Franca)

    Arbitër i katërt: Szymon Marciniak (Poloni)

    Arbitër asistent rezervë: Tomasz Listkiewicz (Poloni)

    Arbitër asistent video (VAR): Jérôme Brisard (Francë)

    Asistent VAR: Willy Delajod (Francë)

    Mbështetje VAR: Massimiliano Irrati (Itali)

  • ​Miratohet Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës

    ​Miratohet Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës

    Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Miratimit të këtij ligji i ka paraprirë edhe votimi i 19 amendamenteve.

    Me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, në seancën e sotme plenare është miratuar ky ligj.

    Në seancën e sotme, Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar mocion, ku përmes rezolutës i obligohet qeverisë të tërhiqet nga tri projektligje. Opozita vlerëson se projektligji për Këshillin Prokurorial i Kosovës, për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe për Zyrtarët Publik është në kundërshtim me frymën kushtetuese në Kosovë.

    Ky mocion nuk ka kaluar, për votuan 23 deputetë, kundër 53 dhe një abstenim.

  • ​Kuvendi miraton Ligjin për Sportin

    ​Kuvendi miraton Ligjin për Sportin

    Me 61 vota për është miratuar Ligji për Sportin bashkë me amendamentet.

    Me po kaq vota është miratuar në lexim të dytë edhe Ligjin për Rininë.

    Ndërkaq, Projektligji për Regjistrin e Pronarëve Përfitues është tërhequr nga rendi i ditës, meqë është vlerësuar që ka nevojë për konsultime të mëtutjeshme. Me 60 vota për është miratuar edhe Ligji për Letërnjoftimin së bashku me amendamentet.

    Në seancën e sotme plenare deputetët kanë miratuar edhe Ligjin për Falimentimin.

  • Idrizi viziton kompaninë që mbështet zbatimin e mësimit dual, nxënësit e falënderojnë për përkrahje

    Idrizi viziton kompaninë që mbështet zbatimin e mësimit dual, nxënësit e falënderojnë për përkrahje

    Kryetari i Vushtrrisë Ferit Idrizi, ka vizituar kompaninë “Leoni Dekor”, ku për herë të parë ka filluar me mësimin dual për nxënësit e shkollës së mesme të lartë “Lutfi Musiqi”, raporton EO.

    I pari i Vushtrrisë ka parë nga afër se si po shkon puna e nxënësve në këtë kompani.

    Ai ka thënë se mësimi dual është bërë për herë të parë në Vushtrri, ku nxënësit e kanë mundësinë që përveç mësimit teorik të kenë edhe atë praktikë.

    Përveç kësaj, Idrizi ka njoftuar se nxënësit e kanë të hequr shujtën ditore, sigurimin shëndetësor dhe një stimulim material.

    “Jam shumë i lumtur kur i kam parë nxënësit dhe kemi filluar mësimi dual. Një koncept bashkëkohor i përgatitjes të rinjve për tregun e punës. Atë që e pamë në terren e pamë që nxënësit ishin shumë të kënaqur me arritjet e tyre të deritashme. Faton Hyseni është i pari që na ka hapur dyert këtyre nxënësve për tu përgatitur profesionalisht në vendin e punës me të gjitha kushtet qysh i kanë të rinjtë në vendet Perëndimore në vendet e zhvilluara, si në Suedi ose Finlandë. E kanë sigurimin shëndetësorë, shujtën ditore të ushqimit dhe një stimulim material”, ka thënë Idrizi.

    Drejtori i kompanisë “Leoni Dekor”, Faton Hyseni, ka thënë se ky proces është i nevojshëm për shkak se nxënësit iu ofrohen kushte më të mira në të ardhmen.

    “Dua ta falënderoj kryetarin për mundësinë e mësimit dual për nxënësit që janë duke e kryer praktikën këtu. Jemi shumë të kënaqur me këtë proces është proces shumë i nevojshme nxënësit janë duke e kryer këtë trajtim dhe janë duke u avancuar dhe shpresoj që në të ardhmen do të jenë bartës të trajtimit në kompaninë tonë po edhe kudo që e gjejnë vetën. Prej kryetarit kemi pasur shumë mbështetje ka qenë i nevojshëm ky proces dhe kryetari e ka mbështet”, u shpreh Hyseni.

    Kurse instruktori i kësaj kompanie, Riad Sejdiu ka thënë se të punësuar në këtë kompani janë 7 nxënës dhe në të ardhmen pret të ketë rritje të numrit.

    “Jemi duke zhvilluar mësimin dual për nxënësit e shkollës së mesme, për momentin jemi duke punuar në kompaninë me nxënësit. Me të vërtetë është bërë një punë e madhe, me këtë marrëveshje që arrit me shkollën dhe kompaninë nxënësit janë ngrit dhe zhvilluar në mënyrë profesionale, teorike dhe praktike. Për momentin janë shtatë nxënës, pasi që është hera e parë që është punuar besojmë që më vonë të rritet numri”, ka deklaruar Sejdiu.

    Nxënësja Leonita Deliu, është shprehur falënderues ndaj kryetarit për mundësinë e praktikës.

    “E falënderojmë kryetarin për mundësinë, jam në klasë të 10 jam në praktikë, po kalojmë shumë mirë me të gjithë. Është hera e parë që po punojmë nga shkurti kemi filluar të punojmë tani janë bërë gjashtë muaj punë”.

    Kurse nxënësi, Valmir Ismaili ka njoftuar që kalon shumë mirë në punë për shkak të kushteve të mira të ofruar nga kryetari.

    “Jam në shkollën e mesme teknike, në profesionin e zdrukthëtarisë. Ndihemi shumë mirë që shkolla na ka ofruar. Këtu kam mësuar shumë, kemi shujtën ditore, sigurimin shëndetësor, kushtet janë shumë të mira”, tha Ismaili.

  • Depresioni pas diplomimit: Si ta tejkaloni?

    Depresioni pas diplomimit: Si ta tejkaloni?

    Diplomimi shihet shpesh si një portë për mundësi të reja, por shumë të rinj e gjejnë veten duke u përballur me depresionin pas diplomimit

    Kjo përvojë është e zakonshme dhe mund të jetë sfiduese.

    Realiteti i depresionit pas diplomimit

    Kalimi nga bota akademike në “streset” e jetës së të rriturve mund të na çojë natyrshëm në ndjenjat e zbrazëtisë dhe konfuzionit.

    Edhe pse nuk është renditur zyrtarisht në “Manualin Diagnostik dhe Statistikor të Çrregullimeve Mendore” (DSM-5), shumë të sapodiplomuar i përjetojnë këto simptoma depresive.

    Shkaqet:

    1. Përballja me realitetin: Kalimi nga një mjedis i strukturuar akademik në një realitet të paparashikueshëm mund të jetë stresues.

    2. Pasiguria në punësim: Lufta për të siguruar një punë mund të dëmtojë vetëvlerësimin dhe të rrisë nivelet e ankthit.

    3. Rrethi shoqëror: Humbja e mbështetjes së përditshme të miqve mund të çojë në izolim.

    4. Presion për të ardhura financiare: Jeta pas-studentore dhe kostot që e shoqërojnë lidhen ndjeshëm me depresionin.

    5. Mungesa e rutinës: Një orar i pastrukturuar mund të çojë në ndjenjën e mungesës së qëllimit.

    Simptomat:

    · Trishtim ose zbrazëti e vazhdueshme
    · Humbja e interesit për aktivitete të caktuara
    · Lodhje dhe mungesë energjie
    · Ndryshime në oreks ose në peshë
    · Çrregullime të gjumit
    · Vështirësi në përqendrim
    · Ndjenjat e pavlefshmërisë

    Por…Si t’i tejkaloni këto simptoma?

    Ja disa hapa:

    1. Krijoni një rutinë: Krijimi i një programi ditor ju mban aktivë, të fokusuar dhe redukton stresin.

    2. Vendosni objektiva realiste: Ndani detyrat në hapa të menaxhueshëm dhe festoni arritjet e vogla.

    3. Ruani raportet: Qëndroni në kontakt me miqtë dhe familjen për të luftuar izolimin.

    4. Praktikoni kujdesin për veten: Jepni përparësi ushtrimeve, ushqimit të shëndetshëm dhe pasione.

    5. Kërkoni ndihmë profesionale: Terapistët dhe këshilluesit e shëndetit mund të ofrojnë mbështetje të vlefshme. Terapia konjitive-sjellëse (CBT) është efektive.

    Mos harroni se nuk jeni vetëm!

    Depresioni pas diplomimit është një sfidë e vërtetë, por ju nuk jeni vetëm. Kalimi nga universiteti në realitetin e të rriturve kërkon kohë.

    Duke kuptuar shkaqet dhe simptomat dhe duke zbatuar strategji efektive të përballimit të këtij tranzicioni, ju mund ta kaloni me sukses në këtë periudhë të vështirë, citon Anabel.

    Mbani mend: Kapitulli tjetër i jetës suaj është i mbushur plot me mundësi të reja. /Telegrafi/

  • Deklaratat për luftë, Mustafa: Liderët shtetërorë po zbaviten me përralla

    Deklaratat për luftë, Mustafa: Liderët shtetërorë po zbaviten me përralla

    Ish-komandanti i UÇK-së në zonën e Llapit, Rrustem Mustafa, ka reaguar pas deklaratave të krerëve të shtetit për siç kanë deklaruar ata, rrezikun për luftë që i kanoset vendit nga Serbia.

    Sipas tij, kjo është një “udhë pa krye”, pasi konsideron se lidërët shtetërorë po “zbaviten” me “përralla sikur për fëmijë.”

    Mustafa, përmes një statusi në Facebook, ka thënë se është e çuditshme sesi një çështje kaq serioze të mos ketë konfirmimin nga organizata ndërkombëtare sikurse është NATO.

    “Një udhë pa krye!

    Kur liderët institucional marrin në dorë “këmbanat e luftës” dhe na paralajmërojnë për ditët e luftës që po na presin, të gjithë duhet të ngrihemi në këmbë. Por, kur liderët tanë, zbaviten me këso kërcënime sikur të përralla për fëmijë, Pedri dhe Ujku i cili gënjente fshatarët me thirrjen “ndihmë, është ujku”, atëherë këta liderë janë për keqardhje.

    Si ka mundësi, që për një çështje kaq serioze, ekzistenciale, pra se po rrezikohemi nga një luftë, të mos ketë konfirmim nga organizata më e fuqishme ushtarake në këtë rruzull tokësor -NATO- e cila është prezente në vendin tonë dhe ka për mision ta garantojë paqen dhe sigurinë në këtë pjesë të Ballkanit e të Evropës. Si ka mundësi, që për një çështje kaq serioze, ekzistenciale, pra se po rrezikohemi nga një luftë, t’i paralajmërosh qytetarët, por mos ta diskutosh fare këtë kërcënim me Kuvendin e Kosovës, si organi i vetëm Kushtetues për shpalljen e gjendjes emergjente apo gjendjen e luftës. Si ka mundësi, që për një çështje kaq serioze, ekzistenciale, pra se po rrezikohemi nga një luftë, të gjesh kohë “ta korrësh grurin” në arat e Malishevës.

    Të gjithë po e kuptojmë se plasimi i këtyre kërcënimeve tek qytetarët e Kosovës ka për qëllim të krijojë pasiguri dhe ankth. Ky Pedri ynë që po na lajmëron se është ujku, a i shkon në mendje se si ndihen qytetarët tanë, e veçanërisht ata që janë afër kufirit me ujkun, pra ata të pjesës veriore të Kosovës kur dëgjojnë këto paralajmërime ogurzeza?

    Të jesh lider i një institucioni shtetërorë dhe të argëtohesh me këso “kërcënime” është e pafalshme.

    Qytetarët e Kosovës dhe Aleatët e saj më të fuqishëm në botë të cilët mbajnë 50% të ekonomisë botërore, i kanë treguar vendit tonë fqinj se ëndrra e saj për ri-kthim në Kosovë është e parealizueshme.”

    Ai ka thënë se Serbia tashmë e di se çka nënkupton të kesh një armik si Kosovën.

    “Fqinji ynë, tashmë e di se çka nënkupton të kesh një armik si Kosovën…

    Me luftën tonë dhe me mbështetjen e Aleancës Perëndimorë kemi fituar në rrethana shumë më të vështira sesa që jemi sot. Andaj, ju them qytetarëve të Kosovës, në veçanti atyre që jetojnë në veri të vendit tonë, si dhe të gjitha komuniteteve të tjera, që të qëndrojnë të qetë dhe të vazhdojnë ta zhvillojnë bashkëjetesën sepse demokracia, paqja, siguria e zhvillimi ekonomik është e ardhmja ynë në këtë shtetin e ri që e mban emrin Republika e Kosovës.”