ATV

Blog

  • Autoritetet serbe: I arrestuari në Bosnjë organizoi transportin e të dyshuarit nga Presheva në Lloznicë

    Autoritetet serbe: I arrestuari në Bosnjë organizoi transportin e të dyshuarit nga Presheva në Lloznicë

    Ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq, ka njoftuar për arrestimin edhe të një personi në Bijelinë të Republikës Srpska, i cili dyshohet se bashkë me të dyshuarin tjetër e kanë ndihmuar të arratisej të dyshuarin për vrasjen e policit serb.

    Ai ka bërë të ditur se i arrestuari është një 39 vjeçar me inicialet Z.R.

    “Në Bijelinë, pasdite, në bashkëpunim me Policinë e Republikës Srpska, është arrestuar R.Z. (1985), i cili dyshohet se ka organizuar transportin e vrasësit nga Presheva për në Lloznicë. Gruaja e tij R.I u arrestua gjithashtu si bashkëpunëtore”, ka thënë Daçiq.

    Mediat serbe kanë publikuar fotografinë e personit të arrestuar si i dyshuar për ndihmë ndaj Hajrizit.

    Në Lloznicë – qytetin perëndimor në Serbi, në kufi me Bosnje e Hercegovinën – në orët e para të së enjtes u vra një polic serb, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë.

    Ministria e Brendshme e Serbisë ka thënë se në vendngjarje është gjetur një pasaportë e të dyshuarit, e lëshuar nga autoritetet e Kosovës, me emrin e Artan Hajrizit – i lindur më 1991 – dhe një dokument tjetër gjerman identifikimi.

    Por, Daçiq tha se po vërtetohen faktet nëse personi të cilit i kanë mbetur dokumentet në veturë është realisht vëllai i Artan Hajrizit, i cili është arratisur nga një burg në Kosovë.

    “Është e mundur që ky është një identitet i rremë”, tha Daçiq.

    Ministri i Brendshëm serb po ashtu njoftoi se policia ka arrestuar Mithat Haxhiqin nga Tutini në jugperëndim të Serbisë, i cili dyshohet se e ka vozitur të dyshuarin nga Presheva në drejtim të Lloznicës me veturë me targa të Tutinit.

  • ​Llapi-Wisla Krakowa, formacionet zyrtare

    ​Llapi-Wisla Krakowa, formacionet zyrtare

    Sot me fillim nga ora 16:30 stadiumi “Zahir Pajaziti” do të jetë nikoqir i ndeshjes mes Llapit dhe Wisla Krakowas, e vlefshme kjo për raundin e parë kualifikues të Ligës së Evropës.

    Në ndeshjen e parë të zhvilluar në Poloni si mysafir, Llapi u mposht 2:0 nga Wisla Krakowa, raporton KosovaPress.

    Llapjanët e drejtuar nga Tahir Batatina do të synojnë sot mrekullinë, dhe ta përmbysin rezultatin për ta siguruar kualifikimin tutje në këtë garë.

    Tanimë formacionet zyrtare janë publikuar, dhe ato i gjeni më poshtë.

  • Pas freskimit të motit, shfuqizohet ndalimi i qarkullimit të kamionëve mbi 7.5T

    Pas freskimit të motit, shfuqizohet ndalimi i qarkullimit të kamionëve mbi 7.5T

    Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar se është shfuqizuar vendimi i datës 13 korrik 2024, për ndalimin e qarkullimit në Autoudhë, Rrugë Nacionale dhe Rajonale të automjeteve për transportin e mallrave me peshë më të madhe se 7.5T.

    “Duke marrë parasysh parashikimin e motit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, sipas të cilit parashihen rënie të ndjeshme të temperaturave ditëve në vijim, kemi marrë vendim për shfuqizimin e vendimit të datës 13 korrik 2024, për ndalimin e qarkullimit në Autoudhë, Rrugë Nacionale dhe Rajonale të automjeteve për transportin e mallrave me peshë më të madhe se 7.5T”, ka njoftuar Durmishi.

    “Faleminderit për mirëkuptimin tuaj gjatë këtyre ditëve me temperatura të larta”, ka shkruar ai.

  • Ish-kryeinspektori i AKI-së: Mos kaloni këto ditë nëpër Serbi

    Ish-kryeinspektori i AKI-së: Mos kaloni këto ditë nëpër Serbi

    Ish-kryeinspektori i Agjencisë së Kosovës për Intelegjencë, Burim Ramadani ka kërkuar që të shmanget udhëtimi nëpër Serbi.

    Ai përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se kjo është më e sigurtë.

    “Shmangeni udhëtimin nëpër Serbi. Më mirë pak orë më shumë, por të sigurt.

    Dhe, jo vetëm këto ditë.” – ka shkruar Ramadani.

  • KOMF mirëpret përpjekjet e Qeverisë për avancimin e shtesave për fëmijë​

    KOMF mirëpret përpjekjet e Qeverisë për avancimin e shtesave për fëmijë​

    Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF mirëpret vendimin e Ministrit të Financave për dyfishimin e shtesave për fëmijë, e cila është dokumentuar në shumë vende të botës si instrument efektiv në zbutjen e varfërisë së fëmijëve, parandalimin e uljes së natalitetit dhe rritjen e mirëqenies së fëmijëve dhe familjeve.

    Me qëllim të krijimit të një skeme të shtesave për fëmijë gjithëpërfshirëse, efektive dhe të qëndrueshme, KOMF propozon:

    – Rishikimin e skemës së shtesave për fëmijë me qëllim të përfshirjes së fëmijëve deri në moshën 18 vjeçare. Aktualisht kjo skemë nuk është gjithëpërfshirëse, pasi përfshinë fëmijët deri në moshën 16 vjeçare. Legjislacioni në Kosovë por edhe Konventa për të Drejtat e Fëmijës përcakton moshën e fëmijës deri në moshën 18 vjeçare. Përfshirja e fëmijëve deri në moshën 18 vjeçare është e nevojshme sidomos duke pas parasysh faktin që aktualisht nuk ka ndonjë skemë të aplikueshme për mbështetjen e fëmijëve të moshës 16 – 18 vjeçare.

    – Rritjen graduale të shtesave për fëmijë duke filluar nga viti i ri fiskal për të siguruar mirëqenien e fëmijëve. Shuma aktuale e shtesave për fëmijë vazhdon të jetë e pamjaftueshme për të përmbushur nevojat e fëmijëve.

    – Hartimin e bazës ligjore për shtesat për fëmijë për të siguruar qëndrueshmëri, duke qenë se aktualisht shtesat për fëmijë ofrohen në bazë të një vendimi.

    – Krijimin e procedurave lehtësuese për aplikimin dhe përfitimin e shtesave për fëmijë për fëmijët pa kujdes prindëror. Aktualisht, fëmijët pa kujdes prindëror nuk gëzojnë këtë të drejtë dhe nuk përfitojnë nga shtesat për fëmijë.

    Sinqerisht,

    Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve KOMF

  • ​Hapet ekspozita me tekste të shenjta, imazhe të krishterimit e islamit në Sofje

    ​Hapet ekspozita me tekste të shenjta, imazhe të krishterimit e islamit në Sofje

    Një ekspozitë që paraqet tekste dhe imazhe të dy feve kryesore në Ballkan, Krishterimit dhe Islamit, u hap të mërkurën në Bibliotekën Kombëtare të Shën Kirilit dhe Metodit në Sofje.

    “Ne vendosëm të tregojmë rolin e pranisë së shenjtë verbale në jetën e njerëzve, pavarësisht prejardhjes apo besimit të tyre”, tha drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Krasimira Alexandrova.

    Ekspozita përfshin 16 panele me dorëshkrime, dokumente arkivore, libra të vjetër dhe grafika origjinale me fokus rolin e fjalës në krishterim dhe islam. Ato i përkasin koleksioneve të Bibliotekës Kombëtare dhe kanë një diapazon kronologjik nga shekulli i 13-të deri në shekullin e 20-të, tha Bojana Minchev, udhëheqëse e Departamentit të ruajtjes së dorëshkrimeve dhe trashëgimisë dokumentare në Bibliotekë.

    Botime në miniaturë të Biblës dhe Kuranit, libra lutjesh dhe të tjera janë vendosur në tre vitrina. Ekspozita nuk pretendon të jetë shteruese, shtoi ajo.

    Një libër i Hristo Trendafilov me titull “Parapet. Topiki i Suotvetstvia”, u prezantua në ekspozitë. Vëllimi përfshin 30 artikuj dhe studime të shkruara gjatë 25 vjetëve dhe të botuara në revista, seri dhe koleksione të ndryshme bullgare dhe të huaja.

    Hristo Trendafilov u lind në fshatin Anton. Interesat e tij shkencore janë letërsia bullgare dhe shkollat letrare. Ai ligjëroi për filologji bullgare në Universitetin e Shën Petersburgut. Trendafilov është autor i monografive, teksteve shkollore dhe librave referencë. Midis tyre janë Studime për poetikën e historisë, Poezia e re: 1975-1989, Gjon Eksarku i Bullgarisë ndër të tjera. /BTA

  • Përfundoi gjykimi i “Thaçit e tjerët”, rinis pas pushimit veror

    Përfundoi gjykimi i “Thaçit e tjerët”, rinis pas pushimit veror

    Dhomat e Specializuara të Kosovës [DHSK] me seli në Hagë kanë njoftuar se ka përfunduar gjykimi Thaçi dhe të tjerët për këtë javë dhe se ai rinis pas pushimit veror.

    Kjo është bërë e ditur nga Dhomat e Specializuara të Kosovës teksa ka shtuar se gjykimi do të rinisë më 19 gusht.

    “Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit Bislim Zyrapi, gjykimi në çështjen Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi përfundoi për ditën e sotme dhe për këtë javë. Gjykimi do të rinis pas pushimit veror, më 19 gusht 2024”, ka njoftuar Gjykata Speciale.

    Ndryshe, gjatë ditës së sotme, në Gjykatën Speciale dëshmitari Bislim Zyrapi ka përfunduar dëshminë e tij pas 12 ditë dëshmi.

    Ndryshe, Zyrapi sot është përgjigjur kundër pyetjeve mbrojtja e Krasniqit përmes avokates Venkateswari Alagendra.

    Avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, gjatë kundërpyetjeve të saj i tha dëshmitarit Bislim Zyrapi se ai ka ndryshuar dëshminë e tij dhe se ka dhënë dëshmi të rreme “për ta mbrojtur lëkurën e tij”, pasi sipas saj, është dëshmitar i dyshuar.

    “Zoti Zyrapi, ju jeni këtu si i dyshuar, jeni këtu së bashku me avokatin tuaj dhe po ju them që dëshmia që e keni dhënë këtu është e rreme dhe dëshminë e keni dhënë për të mbrojtur lëkurën tuaj”, tha Alagendra.

    Përpara kësaj, pa praninë e dëshmitarit, Alagendra i tha trupit gjykues se ky dëshmitar ka dhënë pretendime të reja kundër Krasniqit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Për herë të parë në përgjigje të pyetjeve të gjykatësve, ky dëshmitar ka pretenduar apo ka dhënë fakte të reja kundër zotit Krasniqi. Këto deklarata ose këto fakte nuk i ka dhënë asnjëherë përpara TPNJ-së, apo përpara asnjë instance tjetër”, tha Alagendra.

    Avokatja Alagendra theksoi se është qëndrim i tyre se dëshmitari është ndjerë i detyruar që të japë përgjigje që kanë dashur ta dëgjojnë gjykatësit.

    “Është qëndrim i yni të nderuar gjykatës që dëshmia e këtij dëshmitari ka zhvilluar, është ndryshuar dhe kur gjykatësit i kanë bërë pyetje, ai është ndjerë që të ndihet i detyruar që të japë përgjigje që kanë dashur të dëgjojnë gjykatësit. Ky është qëndrimi ynë. Unë kam detyrën, të paktën detyrën që ta lejoj atë që t’i përgjigjet pyetjeve”, tha Alagendra.

    Pasi u kthye dëshmitari në sallë, qëndrimin e saj Alagendra ia tha edhe Zyrapit, duke shtuar se ai është duke e bërë përgjegjës Krasniqin në disa fusha.

    “Zoti Zyrapi, qëndrimi ynë është që e keni ndryshu dëshminë tuaj në disa fusha. Tani thoni që Jakup Krasniqi ka mbikëqyrur sektorin ligjor, një sugjerim që Sokol Dobruna i ka raportuar Jakup Krasniqit, Drejtoria Informative i ka raportuar Jakup Krasniqit dhe sikurse e thashë më herët që Jakup Kransiqi e ka pas kompetencën për të urdhëruar arrestime. Unë po ju them që ju keni zmadhuar, ekzagjeruar qëllimisht rolin dhe kompetencat e Jakup Krasniqit”, tha mbrojtja e Krasniqit.

    Ndërsa, Zyrapi mohoi se e ka ekzagjeruar rolin e Krasniqit gjatë dëshmisë së tij gjatë këtyre 12 ditëve.

    “Aspak nuk e kam ekzagjeruar rolin e Jakup Kransiqit. E kam spjegu atë sipas pyetjeve që janë ba, sipas përgjegjësive që kanë pas në atë kohë”, tha Zyrapi.

    Alagnedra pyeti dëshmitarin gjithashtu se a kishte ushtruar dikush ndikim mbi atë për t’ia hedhur fajin Krasniqit.

    “A ka ushtruar ndikim mbi ju dikush për të hedhur fajin mbi Jakup Krasniqin mbi çështjet e ngritura dhe për ta bërë përgjegjës Jakup Krasniqin sa i takon pyetjeve të bëra sa i takon faktit që ju e dini se ai nuk e ka bërë këtë gjë”, tha Alagendra.

    Por, një gjë të tillë e mohoi dëshmitari Zyrapi, duke shtuar se dëshmia e tij e tregon realitetin e një sistemi që ka qenë në atë kohë dhe asgjë më tepër.

    “Kurrfarë presioni nuk kam pas nga askush. Sipas pyetjeve si ka vepru dhe qysh ka qenë në atë kohë, unë kam shpjegu se cilat kanë qenë përgjegjësitë dhe kush çfarë përgjegjësie ka pas… po e spegoj të njëjtën se kush në cilat përgjegjësie ka pas. Kurrfarë ndryshimi të deklaratës nuk kam ba prej deklaratave që kam dhanë para gjykatave me betimin që kam dhënë të tregoj të vërtetën, atë çka di dhe çka ka qenë e imja që unë di edhe kam pa dhe kam mujt të has dhe asgjë tjetër të veçantë… Jam tu e folë realitetin e një sistemi që ka qenë në atë kohë dhe asgjë më tepër”, tha Zyrapi.

  • Yakin: Shaqiri ishte i jashtëzakonshëm në çdo aspekt

    Yakin: Shaqiri ishte i jashtëzakonshëm në çdo aspekt

    Trajneri i Kombëtares së Zvicrës, Murat Yakin ka folur sërish për largimin e Xherdan Shaqiri nga skuadra duke thënë se ai ishte një futbollist dhe person i jashtëzakonshëm.

    “Më vjen keq për dorëheqjen e tij në të gjitha aspektet, sepse ai është një futbollist i jashtëzakonshëm dhe gjithashtu e vlerësoj jashtëzakonisht shumë si person”, tha Yakin, përcjellë KosovaPress.

    Shaqiri njoftoi largimin ne Zvicra menjëherë pas përfundimit të Kampionatit Evropian të futbollit Euro 2024.

  • ​Von der Leyen fitoi mandatin e dytë në krye të Komisionit Evropian

    ​Von der Leyen fitoi mandatin e dytë në krye të Komisionit Evropian

    Me votim të fshehtë, deputetët e Parlamentit Evropian i dhanë besimin Ursula von der Leyen, e cila mori kështu një mandat të dytë si presidente e Komisionit Evropian.

    Me 401 vota pro, Ursula von der Leyen fitoi mandatin e saj të dytë si kryetare e Komisionit Evropian. 284 ishin kundër, 15 abstenuan, 7 ishin të pavlefshëm, 707 votuan gjithsej.

    Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, ka uruar Ursula von der Leyen për rizgjedhjen e saj.

    Von der Leyen fillimisht mbajti një fjalim para eurodeputetëve dhe në fjalën e saj ajo iu referua pushtimit në Ukrainë, si dhe kryeministrit hungarez Viktor Orban dhe misionet e tij të paqes, siç i quajti ai vetë.

    “Ishte një mision për të lehtësuar situatën, jo një mision paqeje. Vetëm dy ditë pas asaj vizite, Putin gjuajti me raketa një shtëpi fëmijësh në Kiev. Përgjigja jonë duhet të jetë e qartë – Evropa do të qëndrojë pranë Ukrainës për aq kohë sa të duhet, kjo është përgjigja dhe mesazhi ynë”, tha von der Leyen.

    Ajo shtoi se Evropa duhet të investojë më shumë në kapacitetet mbrojtëse. “Ne gjithashtu duhet të krijojmë projekte të përbashkëta – një sistem të mbrojtjes së përbashkët evropiane. Jo vetëm që do të mbronin hapësirën ajrore, por do të krijonin një simbol të fortë unike në fushën e mbrojtjes”.

    “Ne duhet të bëjmë më shumë për të siguruar kufijtë tanë të jashtëm, veçanërisht kufijtë lindorë”, tha ajo dhe bëri thirrje për forcimin e agjencisë Frontex dhe propozoi trefishimin e numrit të të punësuarve në atë agjenci.

    Ajo njoftoi një plan për bujqësinë për të kapërcyer përshtatjen e nevojshme ndaj ndryshimeve klimatike.

  • ​Szunyog në takimin lamtumirës uron vazhdimin e punës për anëtarësimin e Kosovës në BE

    ​Szunyog në takimin lamtumirës uron vazhdimin e punës për anëtarësimin e Kosovës në BE

    Kryeparlamentari Glauk Konjufca priti sot në takim lamtumirës shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomash Szunyog, me të cilin diskutoi mbi punën e përbashkët, sfidat dhe arritjet gjatë kësaj periudhe, angazhimin në drejtim të zgjerimit dhe aspiratës së integrimit të vendit tonë në familjen e madhe evropiane.

    Konjufca veçoi arritjen e liberalizimit të vizave gjatë periudhës që Szunyog drejtoi Zyrën e BE-së në Kosovë dhe u shpreh i bindur se bashkëpunimi do të vazhdojë për të përsëritur më shumë suksese dhe të arritura.

    Ndërsa, ambasadori Szunyog ka uruar të vijojë puna në drejtim të aspiratës së Kosovës për anëtarësimin në BE duke tejkaluar sfidat që dalin përpara.