ATV

Blog

  • ATK-ja mblodhi më shumë të hyra krahasuar me gjashtëmujorin e vitit të kaluar

    ATK-ja mblodhi më shumë të hyra krahasuar me gjashtëmujorin e vitit të kaluar

    Administrata Tatimore e Kosovës ka mbledhur më shumë të hyra në gjashtëmujorin e parë të vitit krahasuar me një vit më parë. Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, ka thënë se janë tejkaluar objektivat që kishin vënë.

    Ai ka theksuar se janë zhvilluar mbi 14 mijë inspektime të ndryshme.

    “Kemi tejkaluar objektivat tona të të hyrave tatimore. Indikator kyç i performancës janë të hyrat tatimore. Gjatë këtyre 6 muajve kemi mbledhur 50 milionë euro më shumë të hyra se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Janë zhvilluar mbi 14 mijë inspektime të ndryshme dhe si rezultat i kësaj kemi një tatim shtesë. Nuk është se i mburremi identifikimit të rasteve të tilla por është një parandalim i shmangieve nga tatimi”, ka thënë ai.

    Të hyrat rrodhën nga tatimet me 473.3 milionë euro, që krahasuar me periudhën e njëjtë vitin e kaluar ka rritje për 50.1 milionë euro, si dhe kontributet pensionale janar-qershor që ishin 147.8 milionë euro e që bashkë përbëjnë 621.1 milionë euro të hyra në ATK.

  • Rritja e shtesave për fëmijë, Bajrami: Brenga e Albin Kurtit është vota e qytetarëve

    Rritja e shtesave për fëmijë, Bajrami: Brenga e Albin Kurtit është vota e qytetarëve

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se qytetarët nuk janë brenga e Albin Kurtit, veç vota e tyre është.

    Duke e quajtur qeveri të dështimeve dhe korrupsionit, Bajrami ka shkruar në Facebook se ka nisur zyrtarisht “fushata me skemën për blerje të votave”.

    “Në ditët dhe javët në fillim skema të tilla do të vazhdojnë, meqë jemi në kohë fushate e Qeveria ka dështu të përmbushë 10% të asaj çka ka premtu, tani me paratë që ka plaçkitë nga ju si rezultat i tatimeve më të larta si pasojë e inflacionit do të tentoj të blejë vota edhe për një mandat” ka shkruar mes të tjerash ajo.

    Sipas Bajramit, “krejt këto dështime kryepopullisti po mundohet t’i mbuloj me kinse kthimin e një pjesë të parave që ka marrë nga qytetarët”.

    Ky është postimi i plotë i saj:

    Ju nuk jeni brenga e Albin Kurtit, vota juaj është

    Sot, në emër të mirëqenies së fëmijeve Qeveria e dështimve dhe e korrpucionit filloj zyrtarisht fushatën me ”skema për blerje të votave”. Po ju kthehet qytetarëve vetëm një pjesë e asaj çfarë qeveria ka marrë nga ata që tri vite e gjysëm si pasojë e çmimeve më të larta, në këmbim të votës.

    Mos u mashtroni!

    Në ditët dhe javët në fillim skema të tilla do të vazhdojnë, mëqe jemi në kohë fushate e Qeveria ka dështu të përmbushë 10% të asaj çka ka premtu, tani me paratë që ka plaçiktë nga ju si rezultat i tatimeve më të larta si pasojë e inflacionit do të tentoj të blejë vota edhe për një mandat.

    Këto skema duhet të kuptohen drejtë, nuk pa lansohen se Qeveria brengoset për qytetarët, sepse sikur qytetarët të ishin brenga e kësaj Qeveria shtesat, pagat dhe pensionet do të rriteshin në vitin 2022 kur inflacioni ishte dyshirfor – nuk u rriten atëherë edhe pse Lidhja Demokratike e Kosovës insistoj, por u rriten sot, sepse nuk jeni JU brenga e Albin Kurtit, vota e juaj është.

    LVV ka ardhë në pushtet jo vetëm me premtimin e shtesave për fëmijë, por me shumë premtime si: lirimin e çmimit të energjisë, premtimin që buka, vaji, sheqeri me qeverisjen e tyre do të kushtoj më lirë, kanë premtu sigurime shëndetësore, arsim, drejtësi, punësim, kthim të trurit, ndërtimin e 160 çerdheve, 4000 banesave për të rinjët, ndërtimin e 5 shtepive për të moshuarit, ndërtim të rrugëve, urave, tuneleve e magjistraleve, integrime euroatlantike dhe antarsim në organizata ndërkombëtare, POR krejt çka ka ndodhë këtë tri vjet e gjysëm të mandatit të tyre është e kundërta, fiks e kundërta. Çerdhet nuk janë ndërtu, as shtepitë për të moshuarit, as banesat për qiftet e reja, çmimi i rrymës është dyfishu, njëjtë si çmimet e artikujve ushqimor – si pasojë sot ka më shumë qytetarë të varfër e cilësia e jetës ka pësu rënie për secilën familje, deri me sot nuk është përfundu asnjë projekt infrastrukuror, as ato që në fillim të mandatit të tyre kanë qënë në gjysëm, ka ikje masive të fuqisë puntore, është shkelë Kushtetuta plot 10 herë, ndërsa arsimi po rrenohet – që tri vite asnjëherë viti shkollor nuk ka filluar me kohë, janë humbë qindra mijëra orë mësim, nuk ka integrime euroatlantike – që 13 muaj jemi nën sanksione të BE-së, asnjë njohje, asnjë anëtarsim, ka korrupcion dhe nepotizëm si asnjëherë me parë.

    E tani krejt këto dështime kryepopullisti po mundohet t’i mbuloj me kinse kthimin e një pjesë të parave që ka marrë nga ju që tri vite e gjysëm e të cilat ka dështu t’i kthej në shërbime, mallra, projekte infrastrukturore e rritje të mirëqenies për Ju.

    Ritja e shtesave për fëmijë është e vonuar, nuk është e drejtë sepse marrin njëjtë si fëmijet e ministrave/deputetëve dhe atyre që janë në skema sociale dhe se rritja e tillë nuk mbulon as rritjen e çmimeve për produktet bazë.

    Mirëqenia e fëmijëve do të arrihet vetëm përmes zbatimit të programit “Rruga e Re”

    Lidhja Demokratike e Kosovës është alternative e vetme për vendin.

  • Von der Leyen zotohet të punojë për forcimin e mbrojtjes së Evropës

    Von der Leyen zotohet të punojë për forcimin e mbrojtjes së Evropës

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen u zotua të enjten të krijojë një “Bashkimin Evropian të Mbrojtjes” dhe të qëndrojë në kursin e tranzicionit të gjelbër të Evropës, në një fjalim para ligjvënësve evropianë të enjten, para votimit për një mandat të saj të dytë në krye të Komisionit Evropian.

    on der Leyen paraqiti një program të fokusuar në prosperitetin dhe sigurinë, ndërsa ajo kërkoi mbështetje nga ligjvënësit për një mandat tjetër pesëvjeçar në krye të organit të fuqishëm ekzekutiv të Bashkimit Evropian, raporton Reuters.

    “Pesë vitet e ardhshme do të përcaktojnë vendin e Evropës në botë për pesë dekadat e ardhshme. Në këto vite do të vendoset nëse ne e formojmë të ardhmen tonë ose do ta lëmë atë të formësohet nga ngjarjet apo nga të tjerët”, ka deklaruar ajo përpara një votimi të fshehtë për kandidaturën e saj më vonë.

    Pasi u zotua të mbështesë Ukrainën për aq kohë sa duhet në luftën e saj kundër pushtimit rus, von der Leyen tha se liria e Evropës është në rrezik dhe ajo duhet të investojë më shumë në mbrojtje.

    Von der Leyen, një ish-ministre gjermane e Mbrojtjes, është zotuar të krijojë “një Bashkim të vërtetë Evropian të Mbrojtjes”, me projekte kryesore në mbrojtjen ajrore dhe kibernetike.

    Ajo gjithashtu u zotua t’u përmbahet objektivave të përcaktuara në Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane, një paketë klimatike që ishte një nga politikat kryesore të mandatit të saj të parë.

  • Deklarohet Artan Hajrizi: Nuk jam fajtor, dokumentet m’i ka vjedhur Fatoni

    Deklarohet Artan Hajrizi: Nuk jam fajtor, dokumentet m’i ka vjedhur Fatoni

    Artan Hajrizi, vëllai i Faton Hajrizi është lajmëruar në stacioni policor në Gjermani për të treguar të vërtetën lidhur me pretendimet e Serbisë se ai është i dyshuar për vrasjen e një polici serb dhe plagosjen e një polici serb.

    Autoritete serbe kanë ngritur akuza ndaj tij për vrasjen e një polici serb mbrëmë pas mesnate.

    Por, përmes një lidhje direkte, Hajrizi ka rrëfyere për Gazetën Insajderi se nuk ka qenë fare në Serbi por ndodhet në Gjermani.

    Madje ai është paraqitur me rroba të punës.

    Ai ka deklaruar se ndodhet në Gjermani dhe dokumente e tij janë vjedhur nga vëllai i tij, Faton Hajrizi.

    Tutje, në intervistën ekskluzive Hajrizi distancohet nga vëllai i tij duhe thënë se nuk i intereson se çfarë ka bërë ai.

  • ​Murati: Rritja e kreditimit në ekonomi nënkupton ekonomi të shëndoshë

    ​Murati: Rritja e kreditimit në ekonomi nënkupton ekonomi të shëndoshë

    Ministri i Financave, Hekuran Murati ka theksuar se rritja e kreditimit në ekonomi për ekonomistët nënkupton ekonomi të shëndoshë.

    I pyetur nga gazetarët nëse është shtuar varfëria si shkak i rritjes së kredisë, ai ka thënë se kur ekonomia është keq bankat hezitojnë të lëshojnë kredi, sepse nuk janë të sigurtë nëse personi që e merr mund ta kthejë.

    “Kreditimi i sektorit privat dhe ekonomive familjare është një çështje e sektorit privat. Normalisht bankat bëjnë vlerësimet kreditore kur lëshojnë kredit, dhe rritja e kreditimit në fakt në ekonomi, për gjithë ekonomistet nënkupton ekonomi të shëndoshë. Kur ekonomia është keq bankat hezitojnë të lëshojnë kredi sepse nuk janë të sigurt se nëse personi që merr kredi mund ta kthej. Ndërkaq kur ekonomia është mirë dhe ka rritje dhe ka shpresë për rritje të mëtutjeshme bankat janë më dorë lirë për të lëshuar kredi sepse janë më të sigurt që gjasat që kredia të kthehet është shumë me e lartë”, tha Murati.

    Këtë deklaratë, ministri Hekuran Murati e ka bërë në një konferencë për media të mbajtur bashkë me kryeministrin, Albin Kurti, në të cilën njoftuan për rritjen e skemave për fëmijët.

  • ​Icardi në gjendje jo të mirë pas ndarjes nga Wanda

    ​Icardi në gjendje jo të mirë pas ndarjes nga Wanda

    Vendimi i Wanda Narës për t’u ndarë nga Mauro Icardi po sjell pasoja të forta në paraqitjet e ish-futbollistit të Interit. Argjentinasi është në tërheqje në Austri me Galatasaray dhe në imazhet e postuara është e pamundur të mos vihet re trishtimi i tij i madh.

    Futbollisti po përjeton një moment të komplikuar dhe të vështirë. Tifozët e skuadrës turke nuk kanë dështuar asnjëherë të mbështesin argjentinasin, por janë të shqetësuar për gjendjen e idhullit të tyre, përcjellë KosovaPress.

    Gazetari argjentinas Gustavo Mendez ka bërë të ditur se Mauro Icardi po kalon një moment shumë të vështirë, pas vendimit të marrë nga bashkëshortja e tij Wanda.

  • ​Sot afati i fundit, Qeveria ende duke punuar në komentet për Planin e zbatimit të marrëveshjes

    ​Sot afati i fundit, Qeveria ende duke punuar në komentet për Planin e zbatimit të marrëveshjes

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se ekipi i zëvendëskryeministrit të Kosovës Besnik Bislimi është duke punuar në komentet me shkrim mbi dokumentin e planit të sekuencimit të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit. Kreu i ekzekutivit tha se do të dalin me njoftim sot ose më së largu gjatë ditës së nesërme për këtë rast.

    Kurti fillimisht ka thënë se duhet të ketë respektim të marrëveshjes pasi sipas tij nuk mund të ketë zbatim të vërtetë e të qëndrueshëm nëse nuk ka respektim.

    “Para se të kemi kërkesa për zbatim të marrëveshjes duhet të kemi respektim të marrëveshjes. Nuk do të mund të kemi zbatim të vërtetë as të qëndrueshëm nëse nuk kemi respektim të sinqertë dhe serioz. Serbia këtë nuk e ka bërë përkundër e ka shkelur për çdo javë prej që është pranuar ajo në shkurtin përkatësisht marsin e vitit të kaluar duke kulmuar me letrën e zonjës Bernabiq aso kohe kryeministre e Serbisë në mes të muajit dhjetor drejtuar 27-shes së Bashkimit evropian ku Serbia praktikisht u tërhoq nga marrëveshja duke thënë se nuk vijnë në konsiderim pavarësia për Kosovën ulësja në OKB dhe integriteti territorial. Ne insistojmë në respektim të marrëveshjes dhe zbatim të marrëveshjes. Për këtë gjë nevojitet nënshkrimi sepse nënshkrimi do të ishte garanci e sinqeritetit e seriozitetit, e mirëbesimit për zbatim të marrëveshjes dhe do të spostonte të gjitha ato shkeljet e mëhershme. Ekipi i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi është duke punuar edhe në këtë kohë që ne po flasim në mënyrë që ti përgjigjen Brukselit në mënyrë adekuate dhe të merituar e për këtë gjë sigurisht që do t’iu njoftojmë juve gjatë ditës së sotme ose më së largu nesër paradite”, tha Kurti.

    Derisa për hapjen e urës kryesore të Ibrit, kryeministri Kurti tha se nuk është kundër askujt por për qytetarët dhe për mallrat e për kapitalin dhe sipas tij i ndihmon njerëzit në të dy anët e Ibrit pa dallim etnie.

    “Ne patëm një takim përmbajtjesor konsultativ me 5 ambasadorë të QUINT-it dhe ambasadorin e BE-së me çast diskutuam për situatën e sigurisë në përgjithësi për zhvillimin e gjithmbarshëm të Kosovës e në veçanti për nevojën e hapjes së urës që është një marrëveshje e para shumë vjetëve në Bruksel nga dekada e kaluar. Natyrisht se askush nuk mund të thotë se kjo nuk është një gjë e mirë ose e drejtë por ne dëshirojmë që edhe të zbatohet ligji edhe të respektohet liria e lëvizjes por në të njëjtën kohë edhe të kemi paqe e siguri për të gjithë. Hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër që ne e synojmë nuk është kundër askujt por është për qytetarët dhe për mallrat e për kapitalin, i ndihmon njerëzit në të dy anët e Ibrit pa dallim etnie gjithashtu edhe tregtinë ekonominë, bashkëpunimin. Janë edhe tri ura të tjera mbi lumin Ibër dhe të mbetet vetëm kjo urë e mbyllur për vetura nuk mendojmë që është në rregull. Ura e ka karakterin e baypass pasit pra ura është aty për të kaluar një lum, liqe apo greminë e tash nuk mund të kemi ura që janë baypass për një urë”, theksoi Kurti.

    Sa i përket shfrytëzimit të liqenit të Ujmanit nga qytetarët, Kurti tha se policia po e bënë një punë të shkëlqyer dhe se situata është e sigurt dhe e qetë.

    “Unë jam veç kryeministër dhe nuk mund ti di patrullat e policisë rrotull Ujmanit, në drejtim të Ujmanit apo kudo qoftë ne Kosovë…. Situata është e qetë, është e sigurt… qytetarët freskohen nëpër ato liqene të pakta që i ka Kosova dhe besoj që policia po bënë punë të shkëlqyeshme por ajo i ka vlerësimet e saj për situatën e sigurisë për rreziqet e mundshme dhe besoj që nga këto vite qytetarët janë ndarë të kënaqur nga vlerësimet e policisë”, përfundoi Kurti.

  • ​Vëlla e motër shkruajnë histori në Lojërat Olimpike

    ​Vëlla e motër shkruajnë histori në Lojërat Olimpike

    Nora dhe Akil Gjakova do të hyjnë në histori të Lojërave Olimpike si flamur mbajtësit e vetëm vëlla e motër në një ceremoni hapëse të Lojërave Olimpike.

    Xhudistët nga Peja do të bartin flamurin tonë në ceremoninë hapëse të LO 2024, që mbahet më 26 korrik në lumin Sena.

    Për shkak të barazisë gjinore, prej LO Tokyo 2020, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka vendosur që një djalë dhe një vajzë të bartin flamurin e shtetit të tyre në ceremoni hapëse.

    Në Tokio 2020, flamurin tonë e bartën Majlinda Kelmendi dhe Akil Gjakova.

  • ​“Shikoni kush erdhi”, Interi me njoftim të veçantë për Asllanin

    ​“Shikoni kush erdhi”, Interi me njoftim të veçantë për Asllanin

    Kampioni i Italisë, Interi ka nisur grumbullimin dhe stërvitjet për edicionin e ri garues 2024-25 dhe lojtarët tashmë po kthehet nga pushime, por edhe nga angazhimet e tyre që i kishin në Kampionatin Evropian të futbollit që u zhvillua në Gjermani.

    Në inter paraqitet edhe mesfushori shqiptar Kristjan Asllani për të cilin klubi italian ka bërë një njoftim të veçantë në rrjetet sociale. Në këtë video, Asllani shihet në qendrën stërvitore në Interi, afër një tabele me emrin e tij, derisa video është publikuar me mbishkrimin “Shikoni kush është këtu”, raporton KosovaPress.

    Ndërsa, Asllani bën një komentim të shkurtër duke thënë: “Unë u riktheva”

  • KRU ‘Prishtina’ del me njoftim pas problemeve me ujin në Fushë-Kosovë

    KRU ‘Prishtina’ del me njoftim pas problemeve me ujin në Fushë-Kosovë

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit (KRU) “Prishtina” njofton se ka disa probleme teknike në pusin numër një te fabrika e Kronit në Fushë-Kosovë.

    Pusi numër 1 furnizon direkt fshatin Bardhi i Madh, Grabovc dhe një pjesë të fshatit Pomozotin, edhe pse ekipi është dërguar, KRU “Prishtina” ka njoftuar problemi qëndron te një nga valvolat e pompës në Kroni.

    “Siç kemi biseduar me shefin e fabrikës së Kronit, Nexhat Kabashin, problemi është te një nga valvulat e pompës. Shpresojmë që së shpejti do të gjendet një zgjidhje teknike”, ka njoftuar KRU “Prishtina”.