ATV

Blog

  • ​Policia sekuestron dy armë zjarri në Xërxë të Rahovecit

    ​Policia sekuestron dy armë zjarri në Xërxë të Rahovecit

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka sekuestruar dy armë zjarri në fshatin Xërxë të komunës së Rahovecit.

    “Gjatë kontrollit janë gjetur dhe janë sekuestruar dy armë zjarri: Një pushkë automatike me një karikator dhe një pistoletë me një karikator”, bën të ditur Policia.

    “Pas një hetimi preliminar të zhvilluar nga Sektori i Hetimeve në kuadër të Stacionit Policor në Rahovec, lidhur me informatën e pranuar se i dyshuari D. Th., mashkull kosovar, i lindur në vitin 2001, posedonte armë në mënyrë të paautorizuar, me datën 23.07.2024 në koordinim me prokurorin e shtetit, është kryer kontroll në vendbanimin e tij në fshatin Xërxë-Rahovec”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Me vendim të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rast “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.

  • ​Sadiku: Medalja olimpike është synim i madh, por unë dua ta bëj realitet

    ​Sadiku: Medalja olimpike është synim i madh, por unë dua ta bëj realitet

    Boksierja Donjeta Sadiku do ta përfaqësojë Kosovën në sportin e boksit në Lojërat Olimpike që do të zhvillohen në Paris të Francës Atje ajo thotë se udhëton me një qëllim të vetëm, që të fitojë medalje olimpike dhe kështu ta realizojë ëndrrën e madhe të karrierës së saj.

    “Kam punuar shumë për ta arritur normën olimpike. Unë prej fillimit, prej ciklit olimpik kur kam filluar stërvitjet kam thënë që në këtë cikël olimpik synimi im nuk është vetëm kualifikimi kështu që po shpresoj që të më prijë fati dhe të më realizohet ëndrra ime që e kam pasur gjatë gjithë karrierës sime. Normalisht që është medalja olimpike, medalja olimpike është fjalë e madhe mirëpo po shpresoj shumë që të kem fat dhe të arrij ta bëjë ëndrrën time realitet”, ka thënë Sadiku.

    Përveç boksit, Kosova në këtë olimpiadë garon edhe në sportin e xhudos të notit dhe atë të atletikës.

  • Ben Affleck mungoi në ditëlindjen e 55-të të Jennifer Lopez – shton edhe më shumë dyshimet për ndarje

    Ben Affleck mungoi në ditëlindjen e 55-të të Jennifer Lopez – shton edhe më shumë dyshimet për ndarje

    Ben Affleck u pa, pa unazën e tij të martesës, ndërsa Jennifer Lopez festoi ditëlindjen e 55-të në Hamptons.

    Aktori i “Argo” hoqi dorë nga të gjitha bizhuteritë derisa ishte në Los Angeles të dielën.

    Affleck, i cili kishte një bluzë të kuqe dhe pantallona gri, u fotografua duke kryer disa punë, ndërkohë që gruaja e tij ishte duke pritur një drekë ditëlindjeje.

    Të ftuarit, përfshirë disa nga anëtarët e familjes së Lopez, mbërritën në mbrëmje për eventin.

    Ata u pritën në hyrje nga një karrocë me kuaj përpara se të shkonin brenda për në festën luksoze.

    Të nesërmen, Lopez shtroi një drekë intime me familjen dhe miqtë e saj më të ngushtë në Arthur & Sons.

    Është thënë se aktorja e “Hustlers” – së cilës iu bashkuan binjakët e saj, Max dhe Emme, dhe motra Lynda – u emocionua në tryezë teksa tregonte histori për të kaluarën e saj.

    Përveç ditëlindjes së saj, Lopez dhe Affleck ishin të ndarë edhe për dyvjetorin e martesës së tyre më 16 korrik.

    Edhe pse asnjëri prej tyre nuk e ka trajtuar publikisht gjendjen e martesës së tyre, një burim i brendshëm i tha së fundmi Page Six se ka ‘mbaruar prej muajsh’.

    Menjëherë pas kësaj, ylli i “Good Will Hunting” u largua nga rezidenca masive e çiftit në Beverly Hills, të cilën së fundmi e vunë në shitje. /Telegrafi/

  • ​Gjashtë zyrtarë të arrestuar në aksionin për patentë shoferë

    ​Gjashtë zyrtarë të arrestuar në aksionin për patentë shoferë

    Prokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Valbona Disha-Haxhosaj ka deklaruar se janë arrestuar gjashtë persona nga aksioni që ka nisur në orët e hershme që ka të bëjë me qendrën për patentë shoferë në Pejë.

    Ajo ka thënë se një prej të arrestuarve është liruar për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore, ndërkaq tre të tjerë nuk janë hasur në shtëpi.

    “Prokuroria Themelore në Pejë, departamenti për krime të rënda, pas hetimeve që kemi bërë më shumë se një vit, sot kemi ndërmarrë një aksion që ka të bëjë me qendrën për patentë shoferë në Pejë. Ky aksion është zhvilluar në Komunën e Pejës, Deçanit, Fushë Kosovës dhe Prishtinës dhe si rezultat i këtyre veprimeve hetimore janë arrestuar gjashtë persona. Një person për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore është liruar dhe tre të tjerë nuk janë hasur në shtëpi. Sipas familjarëve të njëjtit kanë deklaruar se këta persona gjenden diku për pushime. Këta që janë arrestuar dyshohen për vepër penale keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe legalizim i përmbajtjes së rëndë e po ashtu edhe për vepër penale ndihmë në kryerjen e veprës penale, keqpërdorim i detyrës zyrtare. Hetimet i kemi zhvilluar me drejtorinë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsion në Prishtinë”, tha Disha-Haxhosaj.

    E pyetur sa supozohet se është koha që këta persona kanë kryer këtë vepër penale për të cilën dyshohen, ajo tha se nga viti 2021 dhe në vazhdimësi.

    “Diku nga viti 2021 dhe në vazhdimësi”, tha ajo.

    Aksioni ka filluar që nga orët e hershme të mëngjesit. Zëvendësministri Hysen Durmishi kishte thënë se janë të pa kompromis në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit.

  • Netanyahu thotë se mund të jetë afër arritja e një marrëveshjeje për pengjet

    Netanyahu thotë se mund të jetë afër arritja e një marrëveshjeje për pengjet

    Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u ka thënë familjarëve të pengjeve që po mbahen në Gazë se mund të jetë afër arritja e një marrëveshjeje për lirimin e tyre, njoftoi Zyra e kryeministrit izraelit, teksa lufta në enklavën palestineze po vazhdon.

    Forcat izraelite po vazhdojnë operacionet e tyre në jug, në Han Junis, pasi urdhëruan civilët të evakuohen nga disa qarqe të këtij qyteti që thanë se po përdoren për të kryer sulme nga Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara thanë se mijëra persona po largohen në zonat më të sigurta, teksa Izraeli po vazhdon sulmet ajrore.

    Netanyahu aktualisht gjendet në Uashington dhe pritet të takohet me presidentin Joe Biden gjatë kësaj jave, pas adresimit para Kongresit amerikan.

    Në Uashington ai është takuar me familjarët e pengjeve të marra nga Hamasi. Ai u tha atyre se “kushtet [për marrëveshje] po piqen. Kjo është shenjë e mirë”.

    Për muaj të tërë, ndërmjetësit nga Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara po punojnë për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit. Përpjekjet janë shpeshtuar javët e fundit.

    “Fatkeqësisht, jo gjithçka do të ndodhë menjëherë. Do të ketë faza. Megjithatë, unë besoj se mund të çojmë përpara marrëveshjen”, tha Netanyahu.

    Lufta mes Izraelit dhe Hamasit nisi pasi grupi radikal palestinez sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë.

    Disa pengje u liruan gjatë një armëpushimi njëjavor në nëntorin e vitit të kaluar. Aktualisht, besohet se janë edhe 120 pengje, një e treta e të cilëve Izraeli beson se nuk janë gjallë.

    Teksa lufta po vazhdon, në Gazë autoritetet shëndetësore kanë thënë se më shumë se 39.000 palestinezë janë vrarë si pasojë e ofensivës izraelite./REL

  • KQZ-ja miraton Rregulloren për votimin jashtë Kosovës

    KQZ-ja miraton Rregulloren për votimin jashtë Kosovës

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shqyrtoi dhe miratoi një nga rregulloret më të rëndësishme të procesit zgjedhor Rregulloren nr. 17/2024 Regjistrimi dhe votimi jashtë Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Sipas KQZ-së, kjo rregullore përcakton mënyrën e regjistrimit për të votuar nga jashtë Kosovës, pranimin dhe evidentimin e dërgesave postare, procedimin dhe vlerësimin e aplikacioneve të pranuara përmes postës dhe platformës elektronike, procesin e konfirmimit dhe kundërshtimit, votimin përmes postës, vlerësimin e dërgesave postare të pranuara përmes postës dhe votimin në përfaqësi diplomatike.

  • 21 korriku, dita më e nxehtë që bota ka regjistruar ndonjëherë

    21 korriku, dita më e nxehtë që bota ka regjistruar ndonjëherë

    E diela e 21 korrikut ishte dita më e nxehtë e regjistruar ndonjëherë në botë, sipas të dhënave paraprake nga Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike të Bashkimit Evropian, Copernicus.

    Temperatura mesatare globale e ajrit në sipërfaqe të dielën arriti në 17,09 gradë Celsius pak më e lartë se rekordi i mëparshëm i vendosur korrikun e kaluar prej 17,08 gradë Celsius.

    Valët e të nxehtit ka prekur pjesë të mëdha të Shteteve të Bashkuara, Evropës dhe Rusisë gjatë javës së kaluar.

    Copernicus konfirmoi për Reuters se rekordi mesatar i temperaturës ditore i vendosur vitin e kaluar dukej se ishte thyer të dielën, në rekordet e tyre që shtrihen në vitin 1940.

    Viti i kaluar pati katër ditë radhazi që thyen rekordin, nga 3 korriku deri më 6 korrik, pasi ndryshimi i klimës, i nxitur nga djegia e lëndëve djegëse fosile, çoi nxehtësinë ekstreme në të gjithë hemisferën veriore.

    Çdo muaj që nga qershori i vit5it 2023 – 13 muaj me radhë – tani është renditur si më i nxehti i planetit që nga fillimi i regjistrimeve, krahasuar me muajin korrespondues në vitet e mëparshme, tha Copernicus, shkruan Reuters

  • Interesimi për ta parë nga afër Luiz Ejllin, vazhdon të jetë i madh

    Interesimi për ta parë nga afër Luiz Ejllin, vazhdon të jetë i madh

    Luiz Ejlli, ka bërë publike listën e performancave muzikore të tij për sezonin veror .

    Me jo më pak se 20 data të konfirmuara, ai ka shënuar një rekord të vërtetë.Madje gjatë një nate të vetme, do të performojë në dy klube muzikore. Interesimi për ta parë nga afër Luizin vazhdon të rritet cdo ditë e më shumë.

    Luiz Ejlli u bë një fenomen i edicionit të kaluar të Big Brother VIP Albania për shkak të lojës së tij gjatë kohës së qëndrimit të tij në shtëpinë e madhe. Ai u bë shumë i popullarizuar për aftësinë e tij për të përballuar sfidat dhe për humorin e tij.

    Me lojën e tij strategjike dhe emocionet e tij të hapura, Luiz Ejlli kapi zemrat e shikuesve dhe u bë një nga personazhet kryesore të show-it, duke fituar cmimin e madh.

  • Nora Istrefi kthehet pas 15 vitesh, publikon foto nga periudha të ndryshme të jetës së saj

    Nora Istrefi kthehet pas 15 vitesh, publikon foto nga periudha të ndryshme të jetës së saj

    Nora Istrefi është një nga këngëtaret më të pëlqyera në vendin tonë.

    Ajo së fundmi publikoi disa fotografi para 15 viteve gjatë rrugëtimit të saj në karrierën muzikore. Nora vazhdon të ketë një bazë të madhe të fansave që e mbështesin në çdo hap të karrierës së saj.

    Para disa muajve, deklarata e Nora Istrefit sa i përket pyetjes se a do të martohet sërish , bëri bujë në mediat rozë.

    Nora tha se “Njeriu njëherë gabon, të dytën herë është problem, unë probleme nuk boj mo”.

    Kjo deklaratë e sinqertë e Norës mbase ka të bëj për eksperiencën e saj të kaluar sepse ishte e martuar me Robert Berishën dhe më pas u ndanë. Ndarja e tyre ishte një nga ndarjet më të komentuara në shoëbizin shqiptar, e që para disa viteve, Nora rrallë foli për këtë periudhë. Tani ajo është më e hapur sa i përket të folurit rreth marrëdhënies së saj me ish bashkëshortin, sa edhe tregon se të dy sot ruajnë marrëdhënie të mirë mes vete.

  • Stano: Ura e Ibrit është çështje e dialogut, të shmangen veprimet e pakoordinuara

    Stano: Ura e Ibrit është çështje e dialogut, të shmangen veprimet e pakoordinuara

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se çështja e rihapjes së Urës së Ibrit për qarkullim është çështje që i përket dialogut dhe se çdo vendim për hapjen duhet të merret në kuadër të dialogut.

    Ai ka thënë se diskutimet janë duke vazhduar dhe se BE-ja po bashkëpunon ngushtë me partnerët ndërkombëtarë në Kosovë – duke bërë thirrje që të shmangen veprimet e njëanshme.

    “Bisedimet janë duke vazhduar dhe BE-ja po bashkëpunon ngushtë me partnerët e saj ndërkombëtarë në Kosovë. BE u bën thirrje të gjitha palëve të interesuara që të përmbahen nga çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm”, ka thënë Stano.

    Stano tutje ka shtuar se të gjitha marrëveshjet nga dialogu, përfshirë edhe ato për urën në Ibër, duhet të zbatohen plotësisht.

    Tema e Urës së Ibrit është ngritur si çështje edhe në takimin e javës së kaluar që kryeministri Albin Kurti ka pasur me ambasadorët e QUINT-it në Kosovë.