ATV

Blog

  • ​Kush është Filip Jorgensen? Danezi që “do ta largojë” portierin serb nga Chelsea

    ​Kush është Filip Jorgensen? Danezi që “do ta largojë” portierin serb nga Chelsea

    Chelsea raportohet se ka bërë një qasje për portierin e Villarrealit, Filip Jorgensen, një tjetër nivel në projektin e tyre të grumbullimit të talenteve të rinj dhe zhvillimit.

    Jorgensen mbushi vetëm 22 vjeç në prill dhe 2023/24 ishte sezoni i tij i parë si numri një i Villarrealit, duke ndihmuar skuadrën spanjolle të përfundonte në vendin e tetë në La Liga, raporton KosovaPress.

    “The Athletic” shkruan se një “hetim fillestar” ka nisur, me danezin e grupmoshave U21 që konsiderohet si një objektiv i mundshëm për të forcuar departamentin e portierëve afatgjatë.

    Jorgensen shihet si dikush që përshtatet në mënyrë specifike me sistemin e Enzo Maresca për shkak të aftësisë së tij me topin në këmbët e tij. Jorgensen nënshkroi një kontratë të re pesë-vjeçare me Villarrealin muajin e kaluar. Raportet thonë se marrëveshja e tij përfshin një klauzolë lirimi me vlerë 40 milionë euro (33.6 milionë funte).

    Chelsea shpenzoi 40 milionë funte verën e kaluar duke transferuar Robert Sanchez dhe Djordje Petrovic, duke i dhënë lamtumirën Edouard Mendy dhe duke e bërë Kepa Arrizabalaga në dispozicion për huazim. Por “Bluve” u ka munguar ende soliditeti në portë dhe Kepa nuk pritet të qëndrojë në klub.

    Sanchez besohet se është zhvendosur përpara Petrovicit në rendin e parë pas ardhjes së Marescas, me portierin serb që pritet të largohet nga klubi me rastin e mundshëm të transferimit të Jorgensen.

    Lidhjet e transferimeve me Giorgi Mamardashvili të Valencias, i cili ishte në radar edhe para një Euro 2024 jashtëzakonisht mbresëlënëse, dhe James Trafford të Burnleyt u shfaqën gjithashtu në fillim të kësaj vere.

    I lindur në Suedi, Jorgensen kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij të hershme rinore në Malmo, por përfundoi duke kaluar një kohë në Spanjë që në moshën 12-vjeçare, duke u kthyer shkurtimisht në Malmo, por më pas u zhvendos përgjithmonë në Spanjë kur iu bashkua radhëve të rinjve të Mallorcas në vitin 2016. Ai kaloi në Villarreal një vit më vonë.

    Një përpjekje e përbashkët është bërë në Chelsea gjatë dy sezoneve të fundit për të synuar lojtarët e rinj. Shumë pak nga skuadra e parë janë më të vjetër se 25 vjeç, me ardhjet e verës Omari Kellyman, Marc Guiu dhe Caleb Wiley të gjithë ende adoleshentë. Në mënyrë të ngjashme, Renato Veiga është vetëm 20 vjeç.

  • Jep dorëheqje senatori Menendez pasi u dënua për korrupsion

    Jep dorëheqje senatori Menendez pasi u dënua për korrupsion

    Senatori amerikan, Bob Menendez, dha dorëheqje nga pozita, pasi u dënua për korrupsion.

    Menendez tha në një letër se dita e tij e fundit si senator i SHBA-së do të jetë 20 gushti.

    Senatori demokrat nga Nju Xhërsi tha se planifikon ta apelojë aktgjykimin dhe se nuk do që Senati “të përfshihet në një proces të gjatë që do ta dëmtonte punën e tij të rëndësishme”.

    Guvernatori i Nju Xhërsit, Phil Murphy, gjithashtu demokrat, do të emërojë tani një zëvendësues për Menendezin, i cili ka shërbyer si senator që nga viti 2006.

    Ai ka qenë edhe kryetar i Komitetit me ndikim për Marrëdhënie me Jashtë, por ka hequr dorë nga ky post, pasi është akuzuar për korrupsion, vitin e kaluar.

    Menendez, 70 vjeç, u shpall fajtor më 16 korrik për të 16 akuzat penale me të cilat ngarkohej, përfshirë pengimin e drejtësisë, mashtrimin dhe zhvatjen.

    Vendimi u mor nga një juri në gjykatën federale në Manhatan, pas një gjyqi 9-javor.

    Në të njëjtin rast u dënuan edhe dy të bashkëpandehur.

  • Ky është parashikimi i motit për sot

    Ky është parashikimi i motit për sot

    Këtë të mërkurë parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira, ndërsa pritet të ketë edhe rrebeshe të izoluara para mesditës.

    Ndërsa gjatë orëve të pasdites pritet të depërtojnë masat e ftohta, të cilat do të sjellin lokalisht shira të rrëmbyeshëm, breshër, shkarkesa të forta rrufesh dhe erëra jashtëzakonisht të fuqishme.

    Nuk përjashtohet mundësia për vërshime të shpejta në zona të caktuara.

    Era do fryjë nga drejtimi i veriut, e cila gjatë kalimit të frontit pritet të jetë jashtëzakonisht e fuqishme në zona të caktuara, me shpejtësi deri në 80 km/h, ku mund të shkaktojnë edhe dëme materiale, shkruan MateoKosova.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 17 deri në 19°C, ndërsa ato maksimale prej 25 deri në 32°C. Gjatë kalimit të frontit, temperaturat parashihet të ulen diku për 15°C.

  • Tërmet në Shqipëri, lëkundjet ndihen në disa zona

    Tërmet në Shqipëri, lëkundjet ndihen në disa zona

    Një tërmet e ka tronditur Shqipërinë në orët e para të mëngjesit të së mërkurës. Raportohet se lëkundjet kanë qenë me magnitudë 4.6 të shkallës së rihterit.

    Mediat në Shqipëri kanë raportuar se epiqendra ka qenë në detin Adriatik 48 kilometër nga Tirana dhe 35 km nga Durrësi dhe ka pasur një thellësi 6.5 km.

    Tërmeti është ndjerë dhe në zona të tjera si Lezhë, Laç apo Fushë Krujë, ndërsa ka shkaktuar panik te banorët kryesisht në zonat afër epiqendrës ku edhe lëkundjet janë ndjerë më shumë.

  • 14 zakone të këqija, të cilat ulin energjitë fizike dhe psikologjike

    14 zakone të këqija, të cilat ulin energjitë fizike dhe psikologjike

    Nëse ndiheni gjithnjë të lodhur dhe pa energji do të thotë se nuk i keni vënë ende re zakonet që ju shkaktojnë këtë gjendje! Edhe zakonet e thjeshta të përditshme mund t’ju lodhin shumë fizikisht, për të mos folur më pas për një sërë sjelljesh mendore.

    Nëse energjitë psikofizike kanë tendencë të ulen, faji nuk mund të jetë vetëm i netëve “të bardha” që keni kaluar së fundi. Edhe zakonet e thjeshta të përditshme si për shembull mospirja e një gote uji, mosngrënia e mëngjesit ose konsumimi i alkoolit përpara gjumit, mund t’ju lodhin shumë fizikisht, për të mos folur më pas për një sërë sjelljesh mendore: të mos thënët asnjëherë “jo”, ose kërkimi i vazhdueshëm i përsosmërisë me çdo kusht.

    Në këtë artikull të Ekonomia Online do të mësoni se cilat janë 14 zakone të këqija, të cilat ulin energjitë fizike dhe psikologjike.

    Shmangia e ushtrimeve fizike kur jeni të lodhur

    Paradoksalisht, përftohet efekti i kundërt: këtë e bën të ditur një studim i Universitetit të Xhorxhias, i cili ka evidentuar se si një aktivitet i rregullt fizik rrit rezistencën, ndihmon në funksionimin e mirë të sistemit kardiovaskular, ndërsa dërgon oksigjen në muskuj. Ndaj, mendohuni mirë herën tjetër kur të keni dëshirë të mos shkoni në palestër.

    Mospirja mjaftueshëm e ujit

    Dehidratimi (edhe i paktë) prek nivelet tuaja energjike, sepse redukton sasinë e gjakut, ndërsa e bën atë më të trashë, duke kompromentuar pompimin e zemrës. Ndërkohë, ul shpejtësinë me të cilën oksigjeni dhe substancat ushqyese arrijnë muskujt dhe organet e tjera.

    Mungesa e hekurit

    Mungesa e hekurit mund të shkaktojë dobësi, irritim dhe lodhje, si dhe mund të minojë aftësinë e përqendrimit dhe të rrisë rrezikun e anemisë. Ja përse është mirë të merrni sasinë e duhur të tij, duke konsumuar ushqime të cilat e përmbajnë atë, si p.sh. mish viçi pa yndyrë, vezë, fasule, perime me gjethe jeshile, arra.

    Kërkimi i përsosmërisë

    Sforcimi për të arritur përsosmërinë, që në të vërtetë nuk ekziston, çon në të punuarit në mënyrë edhe më kërkuese dhe më gjatë se zakonisht, por objektivat që i vendosni vetes, janë aq irreale, saqë bëhen të pamundura dhe kjo gjë shkakton parehati në jetë.

    Të bëni një mal me një kokërr rërë!

    Nëse mendoni skenarin më të keq, për çdo rast të jeni të sigurt se ai realizohet, ndërsa ky ankth do t’ju paralizojë aq shumë, saqë do t’ju lërë gjithmonë mendërisht të lodhur.

    Mosngrënia e mëngjesit

    Ushqimi jep energji dhe, kur flini, organizmi konsumon atë që keni ngrënë një natë më parë, për të stimuluar pompimin e gjakut dhe qarkulluar oksigjenin. Për këto arsye, kur zgjoheni në mëngjes, është e nevojshme të rimerrni energjitë me një mëngjes të mirë, i cili i bën shumë mirë organizmit.

    Ngrënia e ushqimeve të këqija

    Ushqimet e pasura me sheqer dhe karbohidrate të thjeshta, rrisin nivelin e glicemisë në gjak, e në këtë mënyrë, trupi juaj do të ndihet menjëherë i lodhur. Ndaj “ilaçi” i duhur është mbajtja konstante e nivelit të sheqerit në gjak me një dietë të ekuilibruar.

    Të mos thënët “Jo”

    Të qenët “të mirë”, shpeshherë do të thotë humbje energjish psikofizike. Por, të mësuarit e të thënët “Jo”, është tepër e thjeshtë. Provojeni!

    Një zyrë e pasistemuar

    Sipas një studimi të Universitetit Princeton, një tryezë e çrregullt, e mbushur me dokumente të hedhura gjithandej, ndikon mendërisht, sepse limiton përqendrimin dhe aftësinë e trurit për të thithur informacione. Ndaj, në fund të ditës, është më mirë që të vini rregull në vendin tuaj të punës në mënyrë që, mëngjesin tjetër ta nisni sa më mirë.

    Puna gjatë pushimeve

    Kontrollimi i email-eve gjatë pushimeve, ose edhe gjatë një dite të vetme pushimi, do ta humbte totalisht vlerën e relaksit dhe të fitimit të energjive të reja.

    Pirja e një ose dy gotave verë përpara gjumit

    Gllënjkat e natës së mirë mund të duken një mënyrë e mirë për t’u relaksuar dhe për të fjetur, por në fakt është e kundërta. Në mëngjes do të zgjoheni më të lodhur se një ditë më parë!

    Email-i në shtrat dhe navigimi në rrjetet sociale

    Drita e ekranit të kompjuterit, lap-topit, tabletit apo e celularit, arrin t’ju dëmtojë sytë dhe të ulë nivelin e melatoninës.

    Pirja e shumtë e kafeve për të rezistuar gjatë ditës

    Deri në dy filxhanë kafe në ditë janë më se të mjaftueshëm për t’u bërë ballë të gjitha impenjimeve të ditës, por një përdorim më i madh i kafeinës, mund të shkaktojë pasoja të mëdha në ciklin e gjumë-zgjimit.

    Qëndrimi zgjuar deri vonë gjatë fundjavës

    Shumë mirë nëse nuk punoni, pra mund ta shijoni faktin e argëtimit deri vonë, por bërja e pak orëve gjumë të shtunën dhe qëndrimi vonë të dielën, do t’ju merrte të gjitha energjitë për të nisur mbarë një javë të re!

  • Haxhiu pas intervistimit nga PSRK-ja: Dikujt po i pengon puna e Qeverisë

    Haxhiu pas intervistimit nga PSRK-ja: Dikujt po i pengon puna e Qeverisë

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka folur para mediave për intervistimin e saj afro 3 orësh nga Prokuroria Speciale lidhur me deklarimet e saj, për arratisjet e fundit nga burgjet e Kosovës.

    Ministrja Haxhiu ka thënë se intervistimi i saj është tendencioz dhe se dikujt sipas saj po i pengon puna e Qeverisë.

    “Siç e dini me urdhër të PSRK-së, dje dhe sot jam intervistuar në një rast që ka të bëjë me një deklaratë timen që nuk e kam thënë për herë të parë, që ndërlidhet me përpjekjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve për takime, për favore etj. dhe me ç’rast ne si Qeveri nuk funksionojmë si në të kaluarën por që ne e kemi obligim t’i adresojmë reformat në drejtësi për të cilat ju tashmë e dini se po punojmë në vazhdimësi dhe duket se dikujt po i pengon dhe siç duket Prokuroria Speciale po tenton të më pengojë në punën time me ç’rast e keni parë që çdo deklaratë që unë e kam dhënë, ata menjëherë kanë autorizim policinë për ta marrë deklaratën time”, tha Haxhiu.

    Nis intervistimi i Haxhiut nga Prokuroria Speciale për deklaratat rreth Faton Hajrizit

  • ​Frikë nga sulmet terroriste, Lojërat Olimpike nën masa të rrepta sigurie

    ​Frikë nga sulmet terroriste, Lojërat Olimpike nën masa të rrepta sigurie

    Miliona vizitorë dhe mijëra atletë do të dynden në Paris për Lojërat Olimpike Verore, por e panjohura e madhe për organizatorët është rreziku i mundshëm i protestave, terrorizmit dhe sulmeve kibernetike.

    Lojërat Olimpike kanë qenë një objektiv i sulmeve në të kaluarën, veçanërisht në Lojërat e Mynihut të vitit 1972, ku 11 atletë dhe trajnerë izraelitë u vranë nga anëtarët e grupit terrorist palestinez “Shtatori i Zi”. Më pas, në vitin 1996, një shpërthim bombe vrau një grua dhe plagosi më shumë se 100 njerëz në Lojërat e Atlantës, përcjellë KosovaPress.

    Franca planifikon të vendosë rreth 35,000 policë çdo ditë gjatë Lojërave, duke arritur në 45,000 për Ceremoninë e Hapjes, tha për CNN një zëdhënës në ministrinë e brendshme franceze.

    Përveç kësaj, 10,000 ushtarë do të vendosen në rajonin e Parisit – një përpjekje e mbështetur nga 1,800 oficerë policie nga e gjithë bota, shtuan ata.

    Franca do të vendosë gjithashtu 20,000 personel privat të sigurisë gjatë gjithë rrjedhës së olimpiadës.

    Ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike të Parisit do të mbahet më 26 korrik dhe do të jetë e para që do të mbahet ndonjëherë në një lumë.

  • ​Vendimi i BE-së për vizat me pasaporta ilegale serbe, PDK: Qeveria dështoi të mbrojë interesin e shtetit

    ​Vendimi i BE-së për vizat me pasaporta ilegale serbe, PDK: Qeveria dështoi të mbrojë interesin e shtetit

    Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Mimoza Ahmetaj ka shprehur pakënaqësi lidhur me vendimin për liberalizimin e vizave të qytetarëve serbë të Kosovës, të cilët posedojnë pasaporta të lëshuara nga institucionet ilegale serbe, respektivisht nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë.

    Ahmetaj, tha se ky vendim që e vendosë në pikëpyetje sovranitetin e Kosovës dhe nxitë vetëm veprimin e strukturave paralele ilegale serbe dhe sipas saj është rezultat i paaftësisë së Qeverisë Kurti.

    “PDK ka pritur nga Bashkimi Evropian që ta mbështesë Kosovën në qëllimin e saj për integrimin e serbëve të Kosovës brenda institucioneve legjitime të shtetit tonë, që ata të pajisjen me dokumente zyrtare të Kosovës he të jetojnë si gjithë qytetarët e tjerë në vend. Ky vendim kontribuon vetëm në distancimin e serbëve të Kosovës dhe inkurajon ata që të mos bëhen pjesë përbërëse e shoqërisë dhe shtetit të tonë. Megjithatë, edhe ky vendim ndërkombëtar që vjen si pasojë për Kosovën, dje e kishte një shkak vendor: Qeverinë e Kosovës! Që nga dita e parë e qeverisjes, pushteti aktual ka pasur një qasje joserioze ndaj dialogut dhe aleatëve tanë. Kjo Qeveri ka treguar paaftësi dhe papërgjegjësi të thellë në veprimet dhe mosveprimet e saj në politikën e jashtme, përmes së cilave po vërtetohet sot se ka dëmtuar edhe interesat e vendit tonë”, tha ajo.

    Ahmetaj theksoi se Qeveria Kurti nuk ka reaguar në kohë dhe nuk ka insistuar sa duhet që të respektohet marrëveshja e arritur në Dialog për lëvizjen e lirë.

    “Politikat e gabuara të kësaj Qeverie, të cilat gjithmonë janë reaktive dhe asnjëherë aktive, nuk kanë arritur të mbrojnë në asnjë rast interesat e vendit tonë dhe as të shtyjnë përpara agjendën e shtet ndërtimit dhe konsolidimit të shtetësisë së Kosovës. Qeveria jonë, fatkeqësisht, nuk e ka kuptuar akoma se komentet e saj të vakëta brenda katër mureve në Prishtinë, janë zë i shurdhër në Institucionet e Bashkimit Evropian”, shtoi Ahmetaj.

    PDK vlerëson se ky vendim i BE-së dhe kjo qasje e Qeverisë ri konfirmojnë se Qeveria Kurti është strukturë në Prishtinë që ka zero komunikim me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë.

    “Këto vendime nuk i kontribuojnë normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Përkundrazi, e cenojnë integritetin territorial dhe institucional të Kosovës dhe dërgojnë mesazhe tjera, të cilat, në vend të promovimit të stabilitetit nxisin edhe me tutje politikat cenuese të Serbisë ndaj Kosovës në gjithë ballkanin. Para 14 vitesh, kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vulosi shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, e gjithë bota demokratike ishte me Kosovën dhe të drejtën e saj për shtet. Sot, 14 vite më vonë, nën udhëheqjen e papërgjegjshme dhe pa vizion të kësaj Qeverie, bota është larguar nga ne dhe Kosova po shkon drejt humbjes së momentumeve të rëndësishme në integrimin e zhvillimin e saj”, tha Ahmetaj.

    Po ashtu, nënkryetarja Ahmetaj ka dënuar ashpër sulmet e njëpasnjëshme që po u bëhen nga ky pushtet mediave të lira dhe gazetarëve.

  • ​KQZ miraton Rregulloren për votimin jashtë Kosovës

    ​KQZ miraton Rregulloren për votimin jashtë Kosovës

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka miratuar sot rregulloren regjistrimi dhe votimi jashtë Kosovës.

    Sipas KQZ-së, kjo rregullore përcakton mënyrën e regjistrimit për të votuar nga jashtë Kosovës, pranimin dhe evidentimin e dërgesave postare, procedimin dhe vlerësimin e aplikacioneve të pranuara përmes postës dhe platformës elektronike, procesin e konfirmimit dhe kundërshtimit, votimin përmes postës, vlerësimin e dërgesave postare të pranuara përmes postës dhe votimin në përfaqësi diplomatike.

    Gjithashtu, gjatë votimit do të dërgohen 3 deri në 5 anëtarë në këshilla të vendvotimit.

    Sipas anëtarit të KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës, Arianit Elshani kjo rregullore, rregullon të gjithë procedurën e regjistrimit dhe votimit jashtë Kosovës.

    “Kjo rregullore, rregullon gjithë procedurën e regjistrimit dhe votimit jashtë Kosovës, duke përfshirë votimin në ambasadë, përmes postës, në ambasada dhe përmes postës në Kosovë. I ka parapa të gjitha çështjet”, ka thënë Elshani.

    Ndërsa, deputeti i LVV-së, Sami Kurteshi, ka theksuar se është folur që prej të gjitha subjekteve politike të kërkohen përfaqësues të subjekteve që janë të gatshëm të marrin pjesë në këshillat e vendvotimit, me arsyen që të mos dërgohen njerëzit nga Kosova.

    “Ne kemi menduar që prej të gjitha subjekteve politike të kërkohen përfaqësues të subjekteve që janë të gatshëm të marrin pjesë në këshillat e vendvotimit që të mos dërgojmë njerëz nga këtu”, ka shtuar Kurteshi.

    Po ashtu, Fazli Stollaj, drejtori pwr Operacione Zgjedhore, ka shtuar se kjo rregullore do të garantojë zgjedhje të lira.

    Stollaj, ka shtuar se rregullorja është komfort ligjit të miratuar dhe plotëson gjithë përfshirjen dhe komunitetin pakicë.

    “Legjislacioni por edhe rregullorja do të garantojë që të ketë gjithë përfshirje në të gjitha këto mekanizma që do të garantojnë zgjedhje të lira. Departamenti i operacioneve zgjedhore që do tu dërgojë ftesë subjekteve politike për bërjen e këshillit të vendvotimeve edhe jashtë Kosovës do t’i dërgojë të gjithë atyre që kanë interes, kanë anëtarë kështu që besoj se kjo rregullore është komfort ligjit të miratuar dhe plotëson gjithë përfshirjen edhe komunitetit pakicë”, ka shtuar ai.

    Gjatë vazhdimit të mbledhjes së KQZ-së është folur edhe për këshillin për buxhet dhe financa, shqyrtimin dhe miratimin e raportit të buxhetit dhe shpenzimet për periudhën janar- qershor 2024, shqyrtimi dhe miratimi i raportit të shpenzimeve të derivateve për periudhën janar-qershor 2024,informim dhe raportim të prokurimit për periudhën janar- qershor 2024 dhe shumë pika të tjera./kp

  • ​Zjarret shpërthejnë në të gjithë SHBA-në perëndimore, duke shkatërruar shtëpi dhe duke detyruar evakuime

    ​Zjarret shpërthejnë në të gjithë SHBA-në perëndimore, duke shkatërruar shtëpi dhe duke detyruar evakuime

    Një seri zjarresh të rrezikshme të shkaktuara nga nxehtësia ekstreme dhe kushtet e thata po shkatërrojnë komunitetet në të gjithë SHBA-në perëndimore, duke shkatërruar shtëpi dhe duke nxitur evakuime të gjera.

    Në Kaliforninë Jugore, një zjarr i ndezur nga fishekzjarrë shkatërroi të paktën gjashtë shtëpi dhe dëmtoi shtatë të tjera në Riverside të dielën.

    Zjarri, i cili shpërtheu gjatë një valë të nxehtë, dogji gati një milje katror përpara se të frenohej, sipas ABC News, duke cituar autoritetet.

    Ndërkohë, në Paqësorin Veriperëndimor, zjarre të shumta po digjen në të gjithë Oregon, Uashington dhe Idaho. Në Oregon, qyteti Huntington, me një popullsi prej rreth 500 banorësh, u evakuua vonë të dielën.

    Zjarri, duke mbuluar më shumë se 272 milje katrorë pa kontroll, shkaktoi mbylljen e një pjese të Interstate 84.

    Më në perëndim, një zjarr i shpejtë filloi të hënën pasdite në anën e Oregonit të grykës së lumit Kolumbia, duke çuar në njoftime të detyrueshme evakuimi për zonat pranë qytetit Mosier.

    Në Utah, autoritetet hoqën urdhrat e evakuimit për një zjarr në afërsi të Salt Lake City që kishte kërcënuar lagjet afër Kapitolit të shtetit gjatë fundjavës. Zjarri, i cili filloi të shtunën dhe u rrit në rreth 200 hektarë, tani është pjesërisht nën kontroll.

    Vala e vazhdueshme e të nxehtit dhe kushtet jashtëzakonisht të thata vazhdojnë të përkeqësojnë rreziqet e zjarrit në të gjithë rajonin, me zjarrfikësit dhe banorët që mbeten në gatishmëri të lartë ndërsa luftojnë me këto flakë të rrezikshme./AA/