ATV

Blog

  • Arrestohet një burrë në Podujevë, kërcënoi gruan e tij në prezencë të policëve

    Arrestohet një burrë në Podujevë, kërcënoi gruan e tij në prezencë të policëve

    Një burrë në Podujevë është arrestuar pasi në prezencë të policëve e ka kanosur gruan e tij.Ai është dërguar në mbajtje, ndërsa viktima në strehimore.

    “KANOSJE- Podujevë / 27.07.2024 – 15:30. Është arrestuar i dyshuari m/kosovar për shkak se në prezencë të zyrtarëve policor ka kanosur bashkëshorten e tij viktimën f/kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje, ndërsa viktima është dërguar në strehimore.”

  • Kampionia olimpike, Distria Krasniqi garon sot në Olimpiadë

    Kampionia olimpike, Distria Krasniqi garon sot në Olimpiadë

    Dita e dytë e Lojërave Olimpike në Paris sjell edhe garimin e sportistes së dytë kosovare.

    Bëhet fjalë për kampionen olimpike, Distria Krasniqi që do të garojë sot në Paris.

    Pasi e fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike të kaluara në Tokio në kategorinë deri në 48 kilogramë, Distria Krasniqi kërkon suksesin e njëjtë në një kategori më të rëndë, atë të 52 kilogramëve.

    Rreth orës 10:00 pritet që të garojë Distria Krasniqi, e cila në raundin e parë do të jetë e lirë.

    Në raundin e dytë, xhudistja kosovare do të ndeshet me fituesen e duelit mes Maryam March Maharani nga Indonezia dhe Jacira Ferreira nga Mozambiku.

    Dje, garimin e ekipit kosovar e nisi Donjeta Sadiku në boks, e cila shënoi fitore në përballjen e parë.

    Gjatë tri ditëve në vijim do të ketë xhudistë kosovarë që do të garojnë në Lojërat Olimpike.

  • Arrestimi i ish-ushtarit të UÇK-së në Maqedoni, avokatët nuk besojnë se do të ekstradohet në Serbi

    Arrestimi i ish-ushtarit të UÇK-së në Maqedoni, avokatët nuk besojnë se do të ekstradohet në Serbi

    Arrestimi i ish-ushtarit të UÇK-së në Maqedoni, avokatët nuk besojnë se do të ekstradohet në Serbi

    Avokatët në Kosovë dhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, nuk besojnë se autoritetet e Maqedonisë së Veriut do ta ekstradojnë në Serbi ish-ushtarin e UÇK-së, Blerim Ramadanin.

    Ramadani është arrestuar nga Policia e Maqedonisë së Veriut më 17 korrik, në bazë të një fletarresti të lëshuar nga Serbia.

    Ndaj të njëjtit menjëherë të nesërmen është caktuar masa e paraburgimit ekstradues prej 30 ditësh me vendim të Gjykatës Themelore në Shkup.

    Por, avokati Arbër Jahari deklaron për KosovaPress se Maqedonia e Veriut e ka të qartë që përndjeka që po u bëhet ish-ushtarëve të UÇK-së nga Serbia është me dosje të sajuara.

    Dhe, thotë se nuk beson që gjykatat në Maqedoni do të vendosin pro ekstradimit të Ramadanit në Serbi.

    Por, deklaron se edhe nëse Gjykata vendos pro ekstradimit të Ramadanit, atëher sipas Jasharit asnjë ministër i Maqedonisë së Veriut nuk do ta nënshkruajë një vendim të tillë.

    Në anën tjetër institucionet e Kosovës janë duke kërkuar lirimin e tij.

    Madje, Ministria e Punëve të Jashtme, ka bërë të ditur se Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup është angazhuar me ekip të ekspertëve juridik për lirimin sa më të shpejtë të Blerim Ramadanit dhe kthimin e tij në familje.

    Nga ky dikaster kanë njoftuar se institucionet e Kosovës do të përdorin të gjitha kanalet diplomatike për të siguruar lirimin e shtetasit tonë.

    Por, avokati Jashari deklaron për KosovaPress se Kosova nuk mund ta kërkojë ekstradimin e Blerim Ramadanit, përderisa nuk ka ndonjë çështje penale të ngritur ndaj tij.

    Kurse, nënkryetari i Degës së OVL UÇK-së, dega në Ferizaj, Luan Jahiri përmes një përgjigje me shkrim thotë se ajo që ka ndodhur më ish -ushtarin e UÇK-së, Blerim Ramadanin është shqetësuese.

    Por, thotë se besojnë se Ramadani do të lirohet dhe nuk do të ekstradohet në Serbi.

    Më 25 korrik në Ferizaj, u mbajt një protestë gjithëpopullore me moton “Liri për çlirimtarin”, në mbështetje të bashkëluftëtarit nga Ferizaj, Blerim Ramadani.

    Protesta ishte organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare, dega në Ferizaj së bashku me familjarë të dëshmorëve të kombit, invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deputetë, ish-eprorë të lartë të UÇK-së dhe qytetarë.

    Blerim Ramadani është ndaluar më 17 korrik 2024 në pikëkalimin kufitar Jazhincë, bazuar në një fletë arrest të lëshuar nga Gjykata e Beogradit, përmes INTERPOL Serbia, me pretendimin për krime lufte në verën e vitit 1999 në rajonin e Nerodimës.

  • BE-ja s’ka datë për largimin e masave, qeveria akuzon se heqja e tyre po zvarritet pa nevojë

    BE-ja s’ka datë për largimin e masave, qeveria akuzon se heqja e tyre po zvarritet pa nevojë

    BE-ja s’ka datë për largimin e masave, qeveria akuzon se heqja e tyre po zvarritet pa nevojë

    Megjithëse janë bërë mbi 1 muaj që kur përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borell ia dorëzoi Këshillit Evropian raportin për heqjen e masave ndaj Kosovës, ende nuk ka një vendim të vendeve anëtare për këtë çështje. Në BE thonë se diskutimet në Këshill po vazhdojnë, derisa nuk japin ndonjë afat se kur do të ketë një vendimmarrje. Në anën tjetër, në qeverinë e Kosovës thonë se heqja e masave po tentohet të keqpërdoret e zvarritet pa nevojë nga disa vende anëtarë të BE-së. Sipas tyre, meqë është konstatuar përmbushja e kushteve, nuk ka nevojë as për heqje graduale, e hiç më pak për mbajtjen e tyre, por duhet largimi i plotë dhe i njëhershëm i masave.

    Në një përgjigje me shkrim për KosovaPress një zëdhënës i BE-së bëri të ditur se diskutimet në Këshill po vazhdojnë sa i përket raportit ku rekomandohet heqja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, mirëpo nuk tregoi se kur do të ketë një vendim final të tyre.

    Mirëpo largim te masave në formë të menjëhershme po kërkon Klisman Kadiu, këshilltar për medie i zëvedëskryeministrit për integrime evropiane, Besnik Bislimi.

    Ai shton se paralajmërimet për hapjen e urës se Ibrit nuk ka asnjë ndërlidhje me zvarritjen e heqjes së masave.

    Sipas tij, hapja e urës së Ibrit është e paraparë në marrëveshjet e Brukselit dhe se do ishte absurde mbajtja e masave apo vendosja e tyre ndaj Kosovës, për zbatimin e një marrëveshjeje të arritur në kuadër të dialogut në Bruksel.

    “Hapja e urës nuk ka ndërlidhje me masat. Ajo është e paraparë në marrëveshjet e Brukselit. Në një rast të tillë të aluduar, do ishte absurde mbajtja e masave apo vendosja e tyre ndaj Kosovës, për zbatimin e një marrëveshjeje të arritur në kuadër të dialogut në Bruksel”, deklaron Kadiu.

    Në anën tjetër, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi thotë se masat duhet të hiqen, mirëpo thotë se për vendosjen e tyre fajtore është Qeveria e Kosovës.

    Ndërkaq, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, thotë se përkundër vonesave Këshilli Evropian shpejtë do të gjejë një konsensus për largimin e masave ndaj Kosovës.

    Masat ndaj Kosovë u vunë pas tensioneve në pjesën veriore të Kosovës në kohën kur kryetarët e zgjedhur shqiptarë në katër komunat në veri u dërguan me mbështetjen e policisë së Kosovës në zyrat e tyre.

  • Dita Botërore e Hepatitit

    Dita Botërore e Hepatitit

    Data 28 korrik është zgjedhur si Dita Botërore e Hepatitit, në nder të ditëlindjes së profesor Baruch Blumberg Samuel, zbuluesit të virusit të hepatitit B dhe vaksinës së parë të hepatitit B.

    Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), çdo vit organizon Ditën Botërore të Hepatitit për të rritur informimin dhe ndërgjegjësimin për hepatitin dhe pasojat që ai shkakton.

    Ka shumë lloje hepatiti. Të gjitha janë infeksione të mëlçisë dhe shkaktojnë verdhëz (zverdhje e të bardhave të syve dhe lëkurës), të vjella dhe dobësi.

    Shumica e fëmijëve shërohen, por disa kanë probleme kronike të mëlçisë. Çdo vit virusi i hepatitit B shkakton infeksion në më tepër se 200 mijë njerëz në Shtetet e Bashkuara dhe 4000 deri 5000 njerëz vdesin si pasojë e problemeve kronike nga hepatiti B. Ky virus merret kryesisht me anë të kontaktit me gjak të infektuar ose nga kontakti i ngushtë me sipërfaqet e njoma të trupit, si gjatë marrëdhënieve seksuale. Foshnjat mund të ekspozohen ndaj hepatitit B gjatë lindjes.

    Ndaj nënave u bëhen analizat gjatë shtatzënisë. Foshnjat dhe fëmijët mund ta marrin gjithashtu atë nga anëtarët e familjes. Natyra e vaksinimit: Në nëntor të 1991-shit, Komiteti Këshillimor mbi Praktikat Imunizuese të Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve rekomandoi vaksinimin e të gjitha foshnjave në Shtetet e Bashkuara.

    Një dozë jepet gjatë dy muajve të parë pas lindjes, por jo para moshës gjashtëmuajshe. (Praktika të veçanta përdoren për foshnjat e nënave, që janë zbuluar se kanë shenja të caktuara të hepatitit B në gjakun e tyre gjatë analizave para lindjes.)Për fëmijët që nuk janë vaksinuar që foshnja, vaksinimi mund të nisë në çdo moshë. Përderisa rruga kryesore për të marrë infeksionin janë marrëdhëniet seksuale, vaksinimi duhet bërë para se adoleshentët të bëhen aktivë seksualisht.

    Gjithashtu, në maj 2014, Asambleja Botërore e Shëndetit miratoi një rezolutë për të promovuar veprime ndërkombëtare për të parandaluar, diagnostikuar dhe trajtuar hepatitin viral. Në Ditën Botërore të Hepatitit, në mbarë botën zhvillohen aktivitete duke u fokusuar në parandalimin e hepatitit B dhe C.

  • “Mushkëria e hekurt”, nisi përdorimin para 96 vjetësh

    “Mushkëria e hekurt”, nisi përdorimin para 96 vjetësh

    Më 29 korrik 1928, u përdor për herë të parë “mushkëria e hekurt” siç u quajt ajo, për të ndihmuar njerëzit me probleme të frymëmarrjes.

    Aparatura u krijua nga Ira Drinker, mjek në spitalin e universitetit Harvard dhe u instalua në spitalin Bellevue të Nju Jorkut, spitali më i madh publik.

    Në fillim kjo pajisje dha rezultate të shumë të suksesshme, por fakti është se pacienti që ka nevojë për të duhet të jetë vazhdimisht nën kontrollin e personelit shëndetësor.

    Me kalimin e viteve, me përparimin e teknologjisë, u krijuan aparatura shumë më të vogla dhe më të përshtatshme për t’u përdorur, pa pasur nevojë që pacienti të shtrohet në spital, por ai mund ta mbajë atë me vetë, në mënyrë që ta ndihmojë në çdo kohë për të normalizuar frymëmarrjen./KP/

  • Sot 102 vjet marrëdhënie diplomatike Shqipëri-SHBA

    Sot 102 vjet marrëdhënie diplomatike Shqipëri-SHBA

    Shqipëria dhe SHBA shënojnë 102-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike. Marrëdhëniet diplomatike Shqipëri-SHBA kanë nisur më 28 korrik 1922, pak muaj pas përfundimit të Konferencës së Paqes në Paris, ku presidenti amerikan Wilson doli në krah të shqiptarëve.

    Këto marrëdhënie patën një ndërprerje prej 52 vjetësh gjatë pushtimit italian dhe regjimit komunist për t’u rivendosur sërish më 15 mars 1991 me përmbysjen e regjimit dhe vendosjen e demokracisë.

    Ambasadori i parë amerikan në Tiranë ishte Ulysses Grant Smith, i cili e nisi misionin diplomatik më 4 dhjetor 1922. Ndërsa William Rajerson u bë ambasadori i parë amerikan pas rivendosjes së këtyre marrëdhënieve në 1991.

    Ambasadori i parë shqiptar në Uashington ishte Faik Konica, i cili u emërua në këtë detyrë në vitin 1929 nga Ahmet Zogu

    Zyrtari i parë i lartë i SHBA-së që vizitonte Shqipërinë, ishte sekretari amerikan i Shtetit James Baker i cili erdhi në Tiranë më 21 qershor 1991, tre muaj pas rivendosjes së marrëdhënieve. Ndërsa presidenti i parë i SHBA-së që vizitoi Shqipërinë ishte presidenti George W. Bush më 10 qershor 2007.

  • Nagavci: Fokusi ynë ka qenë përmirësimi i kushteve nëpër shkolla për fëmijët me nevoja të veçanta

    Nagavci: Fokusi ynë ka qenë përmirësimi i kushteve nëpër shkolla për fëmijët me nevoja të veçanta

    Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Arbërie Nagavci, ka thënë për Ekonomia Online se gjatë mandatit të saj, fokus të veçantë ka pasur përmirësimi i kushteve të fëmijëve me nevoja të veçanta.

    Nagavci ka thënë se është ndarë buxheti i nevojshëm për këta fëmijë, si dhe ka njoftuar se janë punësuar 400 asistencë në mënyrë që të krijohen mundësitë e barabartë për të gjithë fëmijët.

    “Kemi punuar më shumë përkushtim gjatë këtij mandati janë një varg reformash dhe zhvillime, të cilat rezultatet do t’i japim gjatë ditëve dhe muajve dhe viteve në fillim. Duke filluar që nga edukimi i hershëm e deri tek arsimi i lartë, inovacioni dhe shkenca. Sa i përket përfshirjes së fëmijëve me nevoja të veçanta kanë qenë një nga fokusi dhe vëmendja e veçantë e jona. Ne kemi ndarë edhe buxhetin e nevojshëm dhe kemi përmbushur tashmë edhe para kohës për punësimin e katër asistentëve të fëmijëve me nevoja të veçanta në mënyrë që të krijohen mundësitë e barabarta për të gjithë fëmijët. Përtej kësaj kemi pasur politika dhe veprime konkrete për mbështetjen e të gjithë mësimdhënësve të cilët punojnë me fëmijët me nevoja të veçanta jo vetëm të asistentëve. Një varg trajnimesh dhe programesh për zhvillimin profesional jo vetëm të mësimdhënësve por edhe të inspektorëve të cilët monitorojnë punën në shkolla”, ka thënë Nagavci.

    Megjithëkëtë, ministrja e Arsimit, ka folur edhe për qasjen në infrastrukturën fizike nëpër shkolla për fëmijët me nevoja të veçanta.

    “Sa i përket qasjes në infrastrukturën fizike standardet për qasjen e personave me nevoja të veçanta respektohen në të gjitha objektet e reja të cilat janë në ndërtim, ndërsa për ato ekzistueset jemi duke punuar që t’i përmirësojnë edhe ato, akoma ka shumë punë në këtë drejtim por është njëra ndër pikat që po intervenohet shkollë pas shkolle. Mbetet gjithmonë edhe më shumë për të bërë për fëmijët me nevoja të veçanta. Gjithsesi konsideroj që gjatë këtij mandati kemi bërë më shumë se asnjëherë më parë. Përveç punësimit të asistentëve pra ndarjes së buxhetit për komunat që të punësoj në sistem të fëmijëve me nevoja të veçanta, ka pasur programe të mbështetje. Kemi ndarë buxhet për format tjera përmes subvencionet dhe formave të tjera përmes mbështetjes së organizatave shoqërisë civile dhe partnerët e tjerë”, foli ajo.

    Sipas saj, përfshirja në të gjitha shkollat dhe qasja më e lehtë për këta fëmijë është obligim ligjor.

    “Është obligim ligjor që ata të përshihen në të gjitha shkollat në kuadër të komunave janë ekipet për vlerësimin e fëmijëve dhe sistemi jonë arsimorë njeh të tri format e organizimit për fëmijët me nevoja të veçanta. Është përfshirja në klasa bashkë me të gjithë fëmijët e tjerë, janë klasat e bashkangjitura ku mund të jenë fëmijët me nevojat specifike të veçanta të cilët duhet punojnë me ekip të specializuar. Dhe janë Qendrat Burimore të cilat ofrojnë programe dhe mbështet për fëmijët me nevoja të shumëfishta të veçanta. Ato janë më të specializuar për të punuar me këta fëmijë. Këto qendra ofrojnë mbështetje nëpër mes kuadrave të vet edhe për shkollat e rregullta, sepse ka raste kur fëmijët e verbër qëndrojnë në shkollat bashkë me të gjithë fëmijët e tjerë ndërkaq për nevojat specifike të mësimit në raport me nevojat e tyre që ligjin me verbërinë ofrojnë një pjesë të mësimit në Qendrën Burime ‘Xheladin Deda’ që ndodhet në Pejë”, theksoi ajo.

    Ndërkaq, ajo ka potencuar se mësimdhënësit të cilët punojnë me fëmijët me nevoja të veçanta përgatisin programin individual.

    “Varet prej nevojës së veçantë, ka plan individual të arsimit pra, mësimdhënësit të cilët punojnë me fëmijët me nevoja të veçanta përgatisin programin individual të arsimit për ata fëmijë dhe në këtë drejtim si Ministri e Arsimit për vite tashmë janë ofruar trajnime dhe mbështetje për mësimdhënësit që të jenë të përgatitur për të ofruar këtë plan për të bërë një plan individual për secili fëmijë në varësisht prej nevojës së vet të veçantë. Natyrisht jam e vetëdijshme edhe prej pozitës së ministres por edhe prej vizitave bashkëpunimeve të shumta në shkolla, ku ka më shumë punë për të bërë në këtë drejtim dhe ka akoma nevojë që të gjithë stafi që punon në shkolla të zhvilloj kompetencat e veta në mënyrë që të ofrohen më e mira e mundshme për të gjithë ne pavarësisht prej nevojës së tyre të veçantë. Përkushtimi dhe angazhimi im do të jetë i pa ndalur dhe pas asnjë mëdyshje për të bërë më të mirë e mundshme”, potencoi ajo.

    Ndryshe, diskriminimi ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta vazhdon të jetë si problem në Kosovë, pasi që atyre nuk u plotësohen të drejtat elementare, siç është lëvizja e lirë dhe vijueshmëria në procesin mësimor.

  • Diasporës i bëhet thirrje të regjistrohet, afati i fundit 31 gushti

    Diasporës i bëhet thirrje të regjistrohet, afati i fundit 31 gushti

    Në profilin zyrtar të Ambasadës së Kosovës në Washington është shpërndarë njoftimi për regjistrimin e diasporës.

    “Të dashur bashkatdhetarë, regjistrimi juaj është i rëndësishëm për Republikën e Kosovës. Regjistrohu”, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga kjo ambasadë.

    Më 31 gusht është afati i fundit, teksa regjistrimi mund të bëhet në platformën online “eDiaspora”. Aplikacioni është i disponueshëm në tri gjuhë: shqip, anglisht dhe serbisht.

    “Është shumë e rëndësishmë të bëheni pjesë e kësaj iniciative” theksohet mes tjerash në videon e publikuar.

    Sipas zyrtarëve të Agjencisë së Statistikave e Kosovës, rezultatet përfundimtare pritet të grumbullohen dhe publikohen në dhjetor të vitit 2024.

    Ndërsa, numri i popullsisë rezidente në Kosovë, sipas rezultateve të ASK-së, është 1 milion e 586 mijë e 659 banorë.

  • Heqja e vizave për serbët me pasaporta ilegale – VV-ja fajëson BE-në, AAK e sheh si cenim i sovranitetit

    Heqja e vizave për serbët me pasaporta ilegale – VV-ja fajëson BE-në, AAK e sheh si cenim i sovranitetit

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka thënë se Këshilli i Bashkimit Evropian ka marrë vendimin për heqjen e vizave për qytetarët serbë të Kosovës të cilët kanë pasaporta të Serbisë, pa u konsultuar me Kosovën. Rexhaj theksoi për Ekonomia Online se ky vendim është arbitrare dhe është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në sovranitetin e Kosovës.

    Kurse, Opozita po e vlerëson se ky vendim që e cenon sovranitetin e vendit, është pasojë e udhëheqjes jo të mirë të diplomacisë dhe politikës së jashtme të Kosovës.

    “Kjo në fakt nuk është bërë në konsultim me Qeverinë e Kosovës. Fillimisht është vendosur në formë arbitrare, nuk janë dëgjuar dhe analizuar pra në teren të dhënat edhe analizat me aq sa unë kam informacion dhe e dyta kjo është ndërhyrje e drejtpërdrejtë dhe minim në sovranitetin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Rexhaj.

    Rexhaj ka deklaruar institucionet ndërkombëtare po kanë më shumë konsideratë për Serbinë së sa për Kosovën, e kjo po ndodh pavarësisht asaj se Serbia duket hapur se është pala jo-konstruktive.

    “Është e papranueshme, ne jemi shtet i pavarur dhe natyrisht kemi marrëdhënie bilaterale me BE-në dhe mendoj që në këtë kuptim edhe atëherë kur është bisedu pala e Kosovës i ka dhënë arsyet e veta dhe në fakt kjo është zhvendos në formë automatike të shpejt dhe e ri-përsërisë edhe njëherë duke e minu pra sovranitetin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Rexha.

    “Tash Qeveria me institucionin ndërkombëtarë do të bisedojë në kuptimin e dialogut, mirëpo ne shprehim indinjatën e thellë sepse përballë kërkesave të shtetit serb BE-ja, gjithmonë, sidomos kohëve të fundit pra po duket sikur po e ledhaton Serbinë. Dhe marrë parasysh se Serbia po është pala jo-konstruktive në dialog, e cila po e sulmon Kosovën në aspektin e sovranitetit dhe të përfaqësimit ndërkombëtar, e në anën tjetër mendoj që në këtë rast është dashur që ta themi në minimum të bashkëbisedimit të pyetet pra Kosova sepse po merret një vendim për qytetarët e Kosovës sepse pa dallim qytetarët serb që jetojnë në Republikën tonë janë edhe qytetarë të Kosovës, pra janë kosovarë”, ka vijuar deputeti.

    Ndërsa, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, ka deklaruar se ky vendim nga Bashkimi Evropian është një alarm për Qeverinë dhe në rast të praktikimit të saj, atëherë do të jetë një hap i radhës në acarim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    “Është një alarm për qeverinë dhe duhet të veprojnë në atë mënyrë që kjo të mos ndodh për shkak se nëse kjo vërtetë është faktike dhe bën të realizohet në praktikë kjo nuk do të i shërbejë qetësimit të situatës përkundrazi ky do të jetë një hap më tej drejt acarimit të raporteve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, ka thënë Dreshaj.

    Ai ka shtuar se ky vendim po ndikon drejtpërdrejt në cenim të sovranitetit.

    “Ky është një vendim shumë i keq për Kosovën në veçanti është vendim i keq edhe për Bashkimin Evropian për shkak se praktikisht po e cenon sovranitetin e vendit duke u përzier në mënyrë flagrante drejtpërdrejt në dokumentet e udhëtimit jashtë vendit”, ka shtuar ai.

    Dreshaj për këtë vendim ta pafavorshëm në drejtim të Republikës së Kosovës ka thënë se një faj bie mbi udhëheqjen jo të duhur nga Ministria e Punëve të Jashtme e që sipas tij ky dikaster nuk po udhëhiqet nga drejtuesit, mirëpo atë po e bën presidentja Vjosa Osmani.

    “Mendoj se është dështim i politikës së jashtme të vendit, nuk kemi asnjë njohje asnjë prononcim, asnjë promovim praktikisht politikën e jashtme është duke e udhëhequr zonja Osmani, presidentja e vendit ndërsa Qeveria është krejtësisht e anashkaluar. Unë i shoh si vizita të cilat i kanë shërbyer vendit në drejtim të internacionalizimit të çështjes së vendit”, ka thënë deputeti Dreshaj për EO.