ATV

Blog

  • Musliu: Kosovës i duhet PDK-ja, kjo parti do të kthehet fuqishëm për të ndalë zhbërjen e lirisë

    Musliu: Kosovës i duhet PDK-ja, kjo parti do të kthehet fuqishëm për të ndalë zhbërjen e lirisë

    Deputetja e PDK’së, Ganimete Musliu, ka njoftuar se ka zhvilluar një takim me qytetarët në Skënderaj. Ajo thënë se PDK do të “kthehet fuqishëm për të ndalë zhbërjen e lirisë dhe shtetësisë së Kosovës”.

    Ajo ka shtuar se “qëndrueshmërinë e votuesve tanë duhet ta përkthejmë në program politik për fitore”.

    Partia Demokratike e Kosovës, nuk është thjeshtë parti politike, Partia Demokratike është sakrifica dhe lufta për liri, është historia e pavarësisë, shtetndërtimit dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Partia Demokratike është zëri i atdhedashurisë. Prandaj PDK duhet dhe do të kthehet fuqishëm për të ndalë zhbërjen e lirisë dhe shtetësisë së Kosovës. Ky ishte tenori i debatit tim me qytetarët e Skenderajt. Këtë ndjenjë qytetare ne duhet ta marrim me seriozitet sepse është ndjenja që këtë popull dhe këtë vend e mbajten të papërkulur me mijëra vjet. Atdhedashurinë dhe krenarinë e votuesve tanë, ne duhet ta komportojmë në vizion politik për të ardhmen e Kosovës. Qëndrueshmërinë e votuesve tanë duhet ta përkthejmë në program politik për fitore”, ka thënë ajo.

  • Zjarret në Shqipëri, Ministria e Mbrojtjes: Nga 29 vatra të raportuara, 6 ende aktive

    Zjarret në Shqipëri, Ministria e Mbrojtjes: Nga 29 vatra të raportuara, 6 ende aktive

    Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë territorin e Shqipërisë janë raportuar 29 vatra zjarri.

    Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, u bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e 23 vatrave.

    “Vijon puna për izolimin e plotë të flakëve në vendgrumbullimin e mbetjeve të Bashkisë Vlorë, nga forcat e pushtetit vendor dhe qëndror“.

    “Vatrat e zjarrit në fshatin Malecaj dhe Torovicë të bashkisë Lezhë, sot vijojnë me intesitet të ulët dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara. Po ashtu është shmangur tërësisht rreziku për banesat nga vatra e zjarrit në malin e Shëngjinit, bashkia Lezhë, i cili pasditen e djeshme mori përmasa të menjëhershme për shkak të erës së fortë. Pas ndërhyrjes së forcave operacionale të bashkisë Lezhë, të mbështetura nga bashkia Tiranë dhe Forcat e Armatosura vatra është nën kontroll, por vijon puna nga forcat operacionale vendore dhe efektivë të FA.

    Po ashtu po punohet për shuarjen e zjarrit në fshatin Peraj, bashkia Has i cili si pasojë e erës së fortë ka kaluar nga territori i bashkisë Tropojë si dhe në fshatin Rrjoll, të bashkisë Shkodër, zjarr i cili vijon me intesitet të ulët. Forcat e Armatosura, nën kooordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile po vijojnë punën në ato zona ku është kërkuar ndërhyrja e tyre“, njofton Ministria e Mbrojtjes.

  • Të gjitha karakteristikat e personave me sy të kaftë

    Të gjitha karakteristikat e personave me sy të kaftë

    Janë cilësi të ndryshme që do t’i gjeni gjithmonë tek njerëzit me sy kafe.

    Thonë se sytë janë pasqyra e shpirtit. Shiko me kujdes sytë e personit që ke afër dhe përpiqu të shikosh në thellësi të syve të tij për të kuptuar nga ç’emocione dhe ndjenja përshkruhet në këto momente. Sytë e njeriut mund të jenë të ngrohtë dhe me dritë, apo të ftohtë dhe të përhumbur, ndaj ne nuk mund ta kuptojmë gjithmonë se çfarë ka brenda tyre.

    Çdo njeri që ka sy të ndritshëm është i bekuar, ashtu si disa njerëz që kanë ngjyrë të rrallë në sy, përmes së cilës fshehin mjaft tipare të karakterit. Ngjyrat e ndryshme të syve kanë tërhequr gjithmonë njerëzimin, madje edhe shkencën për të zbuluar kohë pas kohe se pas saj (ngjyrës) fshihen cilësi të pafundme personaliteti, transmeton “Living”.

    Por çfarë mund të tregojë më shumë për jetën e një personi ngjyra e syve? Për pjesën më të madhe të njerëzve në botë, që kanë ngjyrë kafe të syve, tani kërkohet pak vëmendje. Kur themi kafe, të gjithë kemi parasysh atë dritën midis kafes së ëmbël dhe kafes jo shumë të errët. Njerëzit me sy ngjyrë kafe janë tërheqës dhe të sigurt. Është një ngjyrë e fortë dhe e çmuar edhe për shkak se është ngjyra e Tokës. Si e tillë, karakterizohet nga thjeshtësia, kreativiteti dhe pozitivizmi. Janë cilësi që do t’i gjeni gjithmonë tek njerëzit me sy kafe.

    Janë të pavarur, të sjellshëm, të kujdesshëm dhe kanë shumë dëshirë të kenë miq të rinj.

    Janë gjithmonë në përpjekje për të zbuluar gjëra të reja në jetë.

    Por janë edhe praktikë, kur është fjala për kujdesin ndaj njerëzve.

    Janë të përgjegjshëm, krenarë e kokëfortë për gjërat që duan.

    Kanë tendencë ta tregojnë dashurinë për njerëzit që kanë rreth vetes.

    Janë zakonisht njerëz të lumtur dhe e konsiderojnë veten me fat, sepse e ndjejnë veten pranë natyrës, shijojnë gjithçka të krijuar nga ajo.

    Edhe pse kanë një vetëbesim të theksuar dhe janë të vendosur, ndonjëherë mund ta shohin të vështirë të kuptohen nga njerëzit.

    Nuk e përshfaqin plotësisht veten, sepse u mungon besimi i plotë tek të tjerët. Dashurojnë shumë dhe janë besnikë të palëkundur.

    Nëse doni të keni një marrëdhënie të sigurt dhe të gjatë, kaloni nga rruga e atyre që kanë sy kafe.

  • Blinken thotë se ShBA-ja nuk do të paragjykojë rezultatin e zgjedhjeve në Venezuelë

    Blinken thotë se ShBA-ja nuk do të paragjykojë rezultatin e zgjedhjeve në Venezuelë

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të paragjykojnë rezultatet e zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen në Venezuelë të dielën, por u bëri thirrje partive të respektojnë procesin demokratik.

    Pak para fillimit të votimit në vendin e Amerikës së Jugut, Blinken tha në një konferencë shtypi në Tokio se ShBA-ja dhe komuniteti ndërkombëtar do të vëzhgojnë nga afër votimin.

    “Shtetet e Bashkuara nuk do të paragjykojnë rezultatin. Kjo është një zgjedhje që duhet të bëjnë venezuelianët, por populli venezuelian meriton një zgjedhje që pasqyron vërtet vullnetin e tyre, pa asnjë manipulim”, tha Blinken.

    Uashingtoni lehtësoi sanksionet ndaj industrisë së naftës të Venezuelës tetorin e kaluar në përgjigje të një marrëveshjeje midis presidentit Nicolas Maduro dhe partive opozitare, por më vonë rivendosi sanksionet mbi veprimet që Uashingtoni tha se kërcënonin një proces zgjedhor demokratik gjithëpërfshirës.

  • Rama synon organizimin e Samitit të NATO-s në Tiranë

    Rama synon organizimin e Samitit të NATO-s në Tiranë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se synim e ka që të organizojë Samitin e NATO-s në Tiranë dhe se ka vënë kandidaturën për ta organizuar në vitin 2027.

    Rama ka folur edhe për çmimet e larta në Vlorë. Ai ka thënë se është mërzitur me çmime, ndonëse thotë se do t’u sjellë vlonjatëve turistë me hapjen e aeroportit atje vitin e ardhshëm.

    “Do të hapim vitin e ardhshëm edhe Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës. Do t’ia sjellim vlonjatëve turistët edhe me avion, që t’ia vënë çmimin e taksisë nga Aeroporti në Vlorë më shumë se çmimi i biletës nga Londra në Vlorë. Vlonjatët, nuk ke çfarë i bën. Ne shkojmë përpara, por ata shkojnë edhe më përpara, ndaj ndonjëherë ngelin dhe thonë “ku vajtën””, ka thënë Rama, raporton “Top Channel”. “Dua të vendosim qershinë mbi tortë në mandatin e katërt dhe dua të kemi në Tiranë Samitin e NATO, kemi venë kandidaturën për vitin 2027 dhe do t’i qepemi dhe do t’i bindim që s’ka më mirë se Shqipëria. Do t’i garantojmë që nuk do t’i çojmë në Vlorë për të ngrënë, se nuk po i bëj antireklamë Vlorës, se gatuajnë shumë mirë, por më kanë mërzitur me ato çmime”.

  • Vdekja e alpinistit, Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor del me komunikatë

    Vdekja e alpinistit, Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor del me komunikatë

    Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës kanë dalë me një komunikatë zyrtare pas rastit tragjik të ndodhur në Valbonë, ku një bjeshkatar nga Kosova humbi jetën aksidentalisht.

    Siç bëhët e ditur në këtë komunikatë, me datën 26.07.2024 rreth orës 17:00 ShKShMK ka pranuar thirrje urgjente për ndihmë nga bjeshkatarët me shtetësi kosovare, të cilët ishin duke e zhvilluar aktivitetin e tyre në “Majën e Thatë” në luginën e Valbonës.

    Gjatë zbritjes një nga bjeshkatarët aksidentalisht ka rrëshqitur duke rënë në humnerë.

    “Udhëheqësi i ekipit ka arritur të afrohet te personi i aksidentuar dhe i ka dhënë ndihmën e parë, por që ka rezultuar pa sukses. Me të marrë lajmin, dy skuadra janë aktivizuar dhe kanë filluar operacionin e koduar “Maja e Thatë 1”.

    Ky operacion ka filluar me kordinim të plotë me institucionet e shtetit shqiptar, Policinë e Shtetit dhe stacionin e ShKShMAL në Valbonë.

    Fillimisht është identifikuar natyra e aksidentit dhe lokacioni në bazë të koordinatave të dërguara nga vendaksidenti.

    Operacioni është zhvilluar në dy drejtime operacionale:
    1)Evakuimin e personave nga faqja shkëmbore që pritnin për ndihmë .
    2)Evakuimin e trupit të aksidentuarit(sipas informatave nga vendi i ngjarjes nuk kishte shenja jete)”, thuhet në njoftimin ShKShMK-së.

    Nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës theksojnë se kanë kërkuar nga institucionet mbështetje nga ajri me helikopter, por përgjigja ka qenë negative për arsye teknike dhe se shpëtuesit së bashku me policë kujdestar dhe Ekipin e Shërbimi i Kërkim – Shpëtimit Malor të Shqipërisë nga Valbona janë nisur në drejtim të vendaksidentit.

    Sipas ShKShMK-së, për shkak të terrenit dhe mungesën e mbështetjes ajrore, evakuimi i bjeshkatarëve të ngujuar në faqen shkëmbore të majës së Thatë ka zgjatur gjatë tërë natës. Ata kanë bërë thirrje te shteti shqiptar që të jenë më të koordinuar në raste të tilla.

    “Edhe pas shumë thirrjeve dhe komunikimeve maratonike nuk është siguruar asnjë helikopter shtetëror që do të transportonte pajisje shtesë dhe shpëtues për realizimin e operacionit,nga komunikimet zyrtare vazhdimisht kishte justifikime të natyrave të ndryshme.
    E gjithë vonesa e evakuimit të viktimës ishte shkaku i premtimeve boshe, jo sikur është raportuar mos qasja te viktima, shpëtuesit kanë arritur te viktime në kohë rekorde.

    Duke u bazuar në situatën e ndërlikuar me shumë pa qartësi dhe pengesa burokratike, ka lind nevoja që të kontaktohet kompania private VIVA Helicopters të cilët në kohë rekorde dhe shumë profesionale kanë realizuar transportimin e shpëtuesve së bashku me pajisje dhe më në fund edhe evakuimin e viktimës deri në luginën e Valbonës, ku edhe pritnin autoritet relevante.

    Gjatë operacionit 26 orësh duke e llogaritur pranimin e thirrjes deri në kthimin e shpëtuesit të fundit ShKShMK ka qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Shqipëri Z. Skender Durmishi, i cili në vazhdimësi ka mbajtur kontakt dhe është mobilizuar për ndërlidhje diplomatike dhe ofruar mbështetje morale e institucionale për operacionin që zhvillohej.

    Ftojmë institucionet e shtetit Shqiptar që në raste të tilla të jenë më të koordinuar dhe efikas,që operacionet e tilla të zhvillohen me pak komplikime dhe efikasitet”, thuhet në komunikatën e ShKShMK-së.

  • Distria e pathyeshme – Kalon në gjysmëfinale të Lojërave Olimpike

    Distria e pathyeshme – Kalon në gjysmëfinale të Lojërave Olimpike

    Distria Krasniqi ka arritur të kualifikohet në gjysmëfinale të Lojërave Olimpike, duku e mposhtu xhudisten nga Izraeli me Ippon.

    Në çerekfinale të kategorisë deri 52 kilogramë, xhudistja kosovare e mposhti izraeliten Gefen Primo.

    Distria me Primon tani ka bilanc prej katër fitore.

    Distrisë i duhet edhe një fitore për të siguruar medaljen olimpike.

  • Osmani: Ippon në 30 sekonda, e arta jonë Distria, bravo, vazhdojmë përpara

    Osmani: Ippon në 30 sekonda, e arta jonë Distria, bravo, vazhdojmë përpara

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar fitoren e xhudistës Distria Krasniqi e cila sot për vetëm 37 sekonda u kualifikuar në çerekfinalen e Lojërave Olimpike “Parisi 2024”.

    Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka shkruar “E arta jonë Distria, bravo, vazhdojmë përpara”.

    Distria Krasniqi, gjatë ndeshjes se sotme triumfoi me Ippon.

  • Distria Krasniqi kalon në çerekfinale të Lojërave Olimpike

    Distria Krasniqi kalon në çerekfinale të Lojërave Olimpike

    Distria Krasniqi u tregua shumë e vendosur në ndeshjen ndaj kundërshtares nga Idonezia, Maryam March Maharani.

    Krasniqi e fitoi brenda sekondave këtë meç, madje me Ippon.

    Krasniqi me këtë fitore u kualifikua edhe në çerekfinale të Lojërave Olimpike.

  • Një person në Pejë raporton në polici se është rrahur nga bashkëshortja dhe dy djemtë e tij

    Një person në Pejë raporton në polici se është rrahur nga bashkëshortja dhe dy djemtë e tij

    Një burrë në Pejë ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshortja dhe dy djemtë, raporton EO.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, thuhet se rasti ka ndodhur gjatë mesditës së djeshme dhe se i njëjti ka pranuar tretman mjekësor nga lëndimet e marra, ndërsa të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

    Pejë / 27.07.2024 – 05:40. Viktima mashkull kosovar ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshortja dhe dy djemtë e tij. I njëjti ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor. Tre personat e dyshuar janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.