ATV

Blog

  • Osmani takohet me Dukën dhe Dukeshën e Luksemburgut, flasin për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës

    Osmani takohet me Dukën dhe Dukeshën e Luksemburgut, flasin për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës

    Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se sot në mëngjes është takuar me Dukën e Madh të Luksemburgut Henri dhe Dukeshën e Madhe Maria Teresa.

    Temë bisede mes tyre ishte mbështetja për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës dhe bashkimi i zërave për këtë kauzë.

    “Fuqizimi dhe mbështetja e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës ishte në fokus të diskutimeve tona në një mëngjes të përzemërt sot në Paris me Dukën e Madh të Luksemburgut Henri dhe Dukeshën e Madhe Maria Teresa. Bashkimi i forcave dhe zërave tanë për të fuqizuar zërin e të mbijetuarve, do të fuqizojë edhe kauzën tonë të përbashkët për drejtësi”, tha ajo.

    Osmani po qëndron në Paris për Lojërat Olimpike e ftuar nga presidenti i Francës.

  • Dorëheqja e Lindita Nikollës, Konjufca: Kishim raporte të shkëlqyera, me qasjen e saj e bëri obligim bashkëpunimin ndërmjet dy Kuvendeve

    Dorëheqja e Lindita Nikollës, Konjufca: Kishim raporte të shkëlqyera, me qasjen e saj e bëri obligim bashkëpunimin ndërmjet dy Kuvendeve

    Dorëheqja e Lindita Nikollës nga pozita e kryetares së Kuvendit të Shqipërisë ka nxitur reagimin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

    Konjufca në një postim në Facebook shkruan se me Nikollën kanë pasur bashkëpunim të shkëlqyer.

    “Si nga pikëpamja njerëzore e miqësore, ashtu edhe nga pikëpamja institucionale, shpreh keqardhje të thellë për dorëheqjen e papritur të znj. Lindita Nikolla nga funksioni i saj i Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë.

    Bashkëpunimi ynë i shkëlqyer do të shërbejë si referencë e një kriteri shumë të lartë të vendosur në lidhje me raportet tona institucionale. Ky kriter nuk do të mund të kthehet më pas, por vetëm të rritet dhe thellohet më shumë”, shkruan Konjufca.

    Sipas tij, përvoja, komunikimi, profesionalizmi dhe korrektësia e znj. Lindita Nikolla ishin të dhëna të rëndësishme të cilat mundësuan një thellim të raporteve tona, ashtu siç i ka hije institucioneve legjislative të dy shteteve tona vëllazërore.

    “Gjatë përpjekjeve tona të përbashkëta arritëm të organizojmë për herë të parë seancën e përbashkët mes parlamenteve tona, u rrit në mënyrë të shkëlqyeshme puna mes komisioneve parlamentare, e ngushtuam edhe më tej largësinë mes nesh përmes organizimeve të përbashkëta sportive dhe kulturore, patëm në nivel të lartë gatishmërinë për bashkëpunim shembullor në aspektet honorifike dhe solemne, ashtu siç edhe në ato të frymës së harmonizimit të kornizës legjislative në dobi të popullit tonë dhe qytetarëve tanë.

    Homologes, mikes, motrës sime të dashur Lindita Nikolla, i uroj nga zemra shëndet dhe suksese në angazhimet e saj të mëpasshme, të cilat jam i bindur se do t’i vijojë me profesionalizëm të lartë dhe i uroj shëndet të plotë.

    Jam i lumtur që pata mundësinë të punoj me znj. Nikolla dhe dua ta falënderoj që me punën dhe qasjen e saj vendosi një obligim të domosdoshëm për çdo kryetar kuvendi të ardhshëm në vendet tona, atë të bashkëpunimit të pakursyer, me dashamirësi, mirëbesim dhe angazhim maksimal”, shkruan ai. /Telegrafi/

  • Borrell: Lufta e Ukrainës është një kërcënim ekzistencial për BE-në

    Borrell: Lufta e Ukrainës është një kërcënim ekzistencial për BE-në

    Diplomati më i lartë i BE-së, Josep Borrell, paralajmëroi se lufta e Rusisë kundër Ukrainës është një “kërcënim ekzistencial” për Evropën, ndërsa i kërkoi Kinës të mbështesë procesin e paqes për t’i dhënë fund konfliktit gjatë një takimi me ministrin e jashtëm të vendit, Wang Yi.

    Kina, një aleate e ngushtë e Moskës, nuk e ka dënuar publikisht pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Pekini ka paraqitur një dokument prej 12 pikash që përcakton parimet e përgjithshme për përfundimin e luftës.

    Në komentet e bëra në margjinat e shoqatës së kombeve të Azisë Juglindore në Laos, Borrell i kërkoi gjithashtu Pekinit të ndalonte eksportin e mallrave me përdorim të dyfishtë në Rusi, të cilat forcojnë aftësitë e saj ushtarake.

    Sipas një njoftimi për shtyp nga shërbimi diplomatik i BE-së, Borrell, shpjegoi pse lufta e Rusisë në Ukrainë përbën kërcënim ekzistencial për Evropën.

    “Përfaqësuesi/zëvendëspresidenti i lartë i BE-së shpjegoi pse Bashkimi Evropian konsideron se lufta e Rusisë kundër Ukrainës është një kërcënim ekzistencial për Evropën. Ai shprehu shqetësimin e tij sepse eksportet e Kinës të sasive të mëdha të mallrave dhe artikujve me përdorim të dyfishtë përfaqësojnë një mbështetje për Rusinë për të ndërtuar pajisjet e saj ushtarake”

    Gjithashtu, aty thuhet se Borrell kërkoi Kinës që të përdorë ndikimin e saj në Rusi për të kontribuar në përfundimin e luftës. Ai kërkoi nga Kina të mbështesë procesin e paqes në Ukrainë dhe konsideroi se deklarata e përbashkët me Brazilin e majit 2024 nuk shkon në atë drejtim, shkruan The Guardian.

  • Në nderim të sakrificës, objekti i Qeverisë u ndriçua me emrat e 23 policëve të rënë

    Në nderim të sakrificës, objekti i Qeverisë u ndriçua me emrat e 23 policëve të rënë

    Në kujtim dhe nderim të sakrificës së 23 pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të rënë në kryerje të detyrës, objekti i Qeverisë së Kosovës mbrëmë është ndriçuar me emrat e tyre.

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti në një postim në Facebook shkruan se në shënim të Ditës Memoriale të Policëve të Rënë në Kryerje të Detyrës, të premten në mbrëmje ndërtesa e Qeverisë u ndriçua me emrat e 23 heronjve të ditëve tona, që dëshmuan përkushtimin për rend dhe ligj deri në sakrificë.

    “Atyre u takon lavdia e përjetshme, neve shërbimi i përditshëm. Republika e Kosovës është gjithmonë krenare me ju”, shkruan Kurti.

    Ndërkaq, për këtë ka shkruar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

    “Republika e Kosovës është gjithmonë krenare me ju”, shkruan ai. /Telegrafi

  • Kamala Harris shpall zyrtarisht kandidaturën për presidente të ShBA-së

    Kamala Harris shpall zyrtarisht kandidaturën për presidente të ShBA-së

    Kamala Harris ka firmosur zyrtarisht deklaratën, për t’u shpallur kandidate për presidente në zgjedhjet që do të mbahen në nëntor.

    Ajo përmes një postimi në rrjetet sociale ka thënë se do të luftoj për çdo votë.

    “Sot firmosa formularët ku deklaroj zyrtarisht kandidaturën time për President të Shteteve të Bashkuara. Do të punoj shumë për të fituar çdo votë.

    Kujtojmë se Harris u shpall kandidate nga Joe Biden, i cili u tërhoq nga gara për një mandat të dytë si president në krye të SHBA-ve.

    Harris do të garojë përballë Donald Trump i cili po lufton të fitojë sërish presidencën.

  • Dyshohet se humbi jetën në Valbonë – Vazhdon operacioni për gjetjen e alpinistit kosovar

    Dyshohet se humbi jetën në Valbonë – Vazhdon operacioni për gjetjen e alpinistit kosovar

    Një qytetar nga Kosova dyshohet se ka humbur jetën në vendin e quajtur “Maja e Thatë” në Valbonë, raporton Sinjali.

    Ai dyshohet se ra në greminë nga një lartësi për shkak të terrenit të thepisur malor.

    Në ndihmë u ka dalë edhe Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës.

    ShKShMK ka njoftuar pak më parë se së bashku me autoritetet shqiptare po vazhdojnë kërkimin për gjetjen e alpinistit kosovar.

    “ShKShMK së bashku me autoritetet Shqiptare vazhdon me operacionin e Kerkim-Shpetimit në majën e Thatë”, thuhet në njoftim.

  • Dërgohen në IML për identifikim eshtrat e gjetura në Podujevë, që dyshohet të jenë nga lufta e fundit

    Dërgohen në IML për identifikim eshtrat e gjetura në Podujevë, që dyshohet të jenë nga lufta e fundit

    Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me rastin e gjetjes së eshtrave të një njeriu në Podujevë, e që dyshohet të jenë nga lufta e fundit.

    Gjetjet eshtërore janë tërhequr nga zyrtarët e Instituti të Mjekësisë Ligjore dhe janë dërguar për obduksion dhe identifikim.

    “Podujevë Viti 1999. Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore, kanë realizuar urdhëresën për ekshumim në një lokacion në komunën e Podujevës, ku janë hasur gjetje eshtërore që besohet se janë të trupit të njeriut dhe i përkasin periudhës së luftës së fundit”, thuhet në raportin e policisë.

    Është ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila dje njoftoi se janë gjetur mbetje mortore në varrezat afër Tjegullores në Podujevë.

    Ajo në një postim në Facebook, ka thënë se mbetjet dyshohet se i përkasin një individi që mund të jetë në listën e personave të zhdukur me dhunë nga lufta e fundit.

    Sipas saj, gërmimet janë duke vazhduar ende në kërkim edhe të individëve të tjerë.

    “Sot (dje), në varrezat afër Tjegullores në Podujevë, ekipet mjeko ligjore nga IML, me mbështetje nga EULEX, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe KQPZH, kanë arritur të lokalizojnë mbetjet mortore të një individi që dyshohet të jetë nga lista e personave të zhdukur me dhunë nga lufta e fundit. Gërmimet janë duke vazhduar ende në kërkim edhe të individëve të tjerë”, shkroi Haxhiu.

  • Erdogan për Netanyahun: E gjithë bota ka parë se si Kongresi amerikan e duartrokiste një vrasës

    Erdogan për Netanyahun: E gjithë bota ka parë se si Kongresi amerikan e duartrokiste një vrasës

    Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan dënoi Kongresin e Shteteve të Bashkuara për duartrokitjen e fjalimit të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, të cilin ai e përshkroi si “plot delirium”.

    “E gjithë bota shikoi dhe pa se si një vrasës gjenocidal u duartrokit në Kongresin amerikan. Mendoni për ata që vranë pothuajse 40 mijë fëmijë, gra dhe të moshuar. Dhoma e Përfaqësuesve i duartroket”, tha Erdogan.

    Ai shtoi se bota po përballet me një humbje të arsyes pasi Kongresi pret një “kasap” që ka gjakun e 150 mijë banorëve të Gazës në duart e tij.

    Izraeli është akuzuar për gjenocid përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ).

    Kjo e fundit urdhëroi Tel Avivin të ndalonte menjëherë ofensivën ushtarake në Rafah në Gazën jugore, ku më parë kishin kërkuar strehim më shumë se një milion palestinezë.

    Ndryshe, Netanyahu gjatë qëndrimit në SHBA ka takuar presidentin aktual, Joe Biden, ish-presidentin, Donald Trump si dhe kandidaten demokrate për president, Kamala Harris. /Telegrafi/

  • Krasniqi për “Lojërat Olimpike Paris 2024”: Kosova është shembull për rajon, shpresojmë të kthehemi me tri medalje

    Krasniqi për “Lojërat Olimpike Paris 2024”: Kosova është shembull për rajon, shpresojmë të kthehemi me tri medalje

    Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi, është shprehur optimist se sportistët kosovar do të kthehen me medalje nga Lojërave Olimpike “Paris 2024”, raporton Ekonomia Online.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Krasniqi ka thënë se Kosova është shembull i mirë për rajonin, ndërsa është shprehur falënderues ndaj Qeverisë për përkrahje ndaj sportistëve.

    “Kosova është shembull edhe për rajonin sa i përket mbështetjes nga Qeveria, por dhe nga komiteti. Kjo është edhe një motiv shtesë për të gjithë sportistët që të punojnë edhe më shumë, sepse të jesh sportistë olimpikë nuk është lehtë kërkon shumë punë përkushtim, përgatitje, ushtrime ndoshta deri në tre herë në ditë dhe pa pasur motivim nuk është lehtë, dhe pa i stimuluar sportistët dhe trajnerët është e pamundshme”, ka thënë Krasniqi.

    Ai ka treguar edhe për vendimin e KOK-ut për të ndarë bursa për trajnerët që arrijnë sukses në arenën ndërkombëtare.

    “Komiteti Olimpikë i Kosovës për herë të parë i ndanë bursa edhe trajnerëve të cilët janë trajner që kanë rezultate evropiane botërore, mesdhetare. Kjo mbështetje do të vazhdojë edhe në të ardhmen, sepse mbas Parisit 2024 do të na presin Lojërat Los Angelos, ku menjëherë mbas lojërave do të fillojë përgatitjet e garuesve tonë elitarë”, u shpreh Krasniqi.

    Duke parë garën e fortë që po zhvillohet në këtë Olimpiadë, Krasniqi shprehet i kënaqur nëse arrijnë të fitojnë së paku një medalje.

    “Dëshira ime është që të gjithë garuesit të marrin medalje, unë dëshiroj që të më së pari të prezantoj Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme, të na bëjë krenar është edhe fati në pyetje. Çdo medalje që të vjen qoftë argjend, bronze apo e artë të gjitha janë medalje olimpike, personalisht ndoshta edhe me një medalje do të isha i kënaqur sepse nuk është lehtë që të kthehesh prej një olimpiade me medalje sepse ka shumë shtete më shumë garues që shkojnë dhe kthehen pas asnjë medalje. Tash jemi mësuar në herën e parë kemi pasur me Majlinda Kelmendin, medaljen e parë historike që na ka bërë krenarë të gjithëve, po ashtu edhe në Tokio kemi marrë dy medalje, kështu që tani është hera e tretë. Dashtë zoti të kthehemi me tre medalje të paktën”, përfundoi ai.

    Lojërat Olimpike Verore të vitit 2024 do të mbahen në kryeqytetin e Francës, Paris, kurse hapja solemne e Lojërave Olimpike “Paris 2024”, është mbajtur të premten më 26 korrik dhe mbaron më 11 gusht.

  • Vdes një vajzë 7-muajshe në Fushë-Kosovë

    Vdes një vajzë 7-muajshe në Fushë-Kosovë

    Policia ka njoftuar se një grua ka raportuar se kur është zgjuar nga gjumi ka vërejtur se vajza e saj shtatë muajshe ishte pa shenja jete.

    Rasti ka ndodhur në Fushë Kosovë.

    Në raportin 24 orësh të Policisë, thuhet se me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    “Një femër kosovare ka njoftuar se pasi është zgjuar nga gjumi ka vërejtur se vajza e saj 7 muajsh ishte pa shenja jete. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Rasti në hetime”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.