ATV

Blog

  • Arrestohet e dyshuara, mashtroi disa persona për terminë për viza pune në Gjermani

    Arrestohet e dyshuara, mashtroi disa persona për terminë për viza pune në Gjermani

    Një femër është arrestuar të hënën në Prishtinë pasi që e njëjta kishte ushtruar aktivitet pa leje pune dhe e njëjta i kishte mashtruar disa persona për sigurim të terminëve për viza pune në Gjermani.

    Në konsultim me prokurorin është verifikuar dokumentacioni në zyrën e të dyshuarës si dhe janë sekuestruar dhjetëra pasaporta me dokumente përcjellëse, dy telefona, një shtëpizë kompjuterike, para të gatshme si dhe dëshmi tjera përmes së cilave dokumentohet aktiviteti i kundërligjshëm.

    Rasti ka ndodhur në rrugën “Azem Jashanica” në Prishtinë ndërsa pas intervistimit me vendim të prokurorit e dyshuara është dërguar në mbajtje.

    Rasti është hapur për mashtrim ndërsa policia po vazhdon të merret me të.

  • Varhelyi i kërkon Kosovës ta dërgojë në Kushtetuese draftstatutin e Asociacionit

    Varhelyi i kërkon Kosovës ta dërgojë në Kushtetuese draftstatutin e Asociacionit

    Komisioneri Evropian për Politikë të Fqinjësisë dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, ka deklaruar se rrugët evropiane për Kosovën dhe Serbinë kalojnë nëpërmjet dialogut, derisa i ka bërë thirrje Kosovës që ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Në konferencën e Komisioneve Parlamentare për Çështje të BE-së në Budapest, të hënën Varhelyi është shprehur se pret që palët t’i vazhdojnë përpjekjet për depërshkallëzim dhe përparim në zbatimin e obligimeve.

    “Është e qartë se rrugët evropiane të Serbisë dhe Kosovës kalojnë nëpërmjet dialogut. Presim që palët t’i vazhdojnë përpjekjet e vazhdueshme për depërshkallëzim dhe përparim në zbatimin e obligimeve të tyre, në kuadër të dialogut, duke nisur me dërgimin e draftstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës”, citohet ai në njoftimin e Komisionit Evropian.

    Varhelyi ka shtuar se Bashkimi Evropian është i angazhuar për zgjerim dhe përfshirje të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

  • Mbappe blen aksione në klubin e njohur francez

    Mbappe blen aksione në klubin e njohur francez

    Lojtari i ri i Real Madridit dhe ylli botëror Kylian Mbappe është gati të bëjë një hap tjetër në karrierën e tij. Së bashku me familjen e tij, sulmuesi ka mbyllur një marrëveshje për të blerë Caen, një ekip francez i kategorisë së dytë. Sipas burimeve të ndryshme, ai do të investojë afër 15 milionë euro për të marrë aksionet e shumicës së një ekipi që ka qenë pjesë e historisë së tij si lojtar.

    Operacioni i blerjes dhe shitjes së aksioneve raportohet se është kryer përmes Coalition Capital, një fond investimi, përcjellë KP.

    Ky operacion u nis pasi Pierre-Antoine Capton, bashkëpronar aktual i Caen, bëri publik synimin e tij për të kërkuar partnerë të rinj për të blerë aksionet e Oaktree, fondi amerikan i investimeve që kishte injektuar para në Caen disa vite më parë. Vitin e kaluar doli në vendin e gjashtë dhe pronësia e entitetit synon të bëjë një kërcim në mënyrë që Caen të mund të kthehet në divizionin e parë. Me këtë qëllim familja Mbappe ka hyrë në klub.

  • Punëtorët e “Prishtina Parkingut” kërkojnë rritje page pas vëllimit të punëve

    Punëtorët e “Prishtina Parkingut” kërkojnë rritje page pas vëllimit të punëve

    Me kërkesë për rritje të pagës dhe pagesa të shujtave ditore, shoqata Sindikale e Punëtorëve të “Prishtina Parking” kanë protestuar të martën para objektit të kësaj ndërmarrje, raporton EO.

    Përveç pagës, punëtorët kanë edhe shqetësime të tjera. Kjo protestë sipas tyre vjen si shprehje e pakënaqësisë së rritjes së vëllimit të punës, zgjatjes së orarit të punës në departamente të caktuara, premtimeve të pa plotësuara.

    Valon Sojeva, kryetar i shoqatës sindikale të kësaj ndërmarrjeje, tha se kërkesat e tyre janë minimale dhe nëse nuk ndërmerren do të pasojnë me forma tjera sindikale.

    “‘Prishtina Parking’ ka pasur shumë vështirësi në fillimin e punës, ka kontroller që ka punuar pa pagë vetëm që me hy në sistem në Komunën e Prishtinës. Kemi pasur kërcënime, rrahje gjatë procesit të punës, por që nuk e kemi ndalë asnjëherë punën. ‘Prishtina Parking’ ka pasur të kontraktuar një kompani për nënkontroller, puna jonë është kontroller nëse qytetari nuk paguan brenda 10 minuta ajo veturë bllokohet”.

    “Gjatë bllokimit vendosim një hekur, ajo kompania e kontraktuar ka qenë vetëm me vendos hekurin. Ajo kompani e ka pasur tenderin 350 mijë euro dhe është ndërprerë ajo. Përgjegjësia e tyre ka kaluar në dorën tonë në mënyrë të drejtë. Kemi kërkuar vetura me katër ulëse që me pasur asistencë edhe nga policia. Krejt këto na janë bërë dhe rritja e pagave është zero. Nga gjashtë orë na është rrit në tetë orë, pa ujë pa asgjë nuk mundemi me ia dal. Protesta jonë është për të rritur pagat dhe shujtën për pesë euro. Presim një takim që do të flasim për rritje të pagave dhe shujtës”.

  • Kosova përfaqësohet edhe në garat e notit sot në Paris

    Kosova përfaqësohet edhe në garat e notit sot në Paris

    Në Lojërat Olimpike që po zhvillohen në Paris, Kosova do të paraqitet sot në dy sporte. Në xhudo garat do t’i zhvillojë xhudistja Laaura Fazliu e cila ka synim që të futet në zonën e medaljeve.

    Por, përveç xhudos, edhe notari Adell Shaboviq debuton sot në Lojërat Olimpike. Notari kosovar garon në disiplinën e 100 metra stil i lirë. Garat e notit në këtë disiplinë nisin më ora 11:00.

    Ndryshe, deri më tani Kosova ka siguruar një medalje të argjendtë në Lojërat Olimpike, medalje të cilën e rrëmbeu xhudistja Distria Krasniqi.

  • Detaje nga ngjarja e rëndë në Angli me dy fëmijë të vdekur e nëntë të plagosur

    Detaje nga ngjarja e rëndë në Angli me dy fëmijë të vdekur e nëntë të plagosur

    Një ngjarje e rëndë ka tronditur Anglinë, ku një person ka sulmuar me thikë ditën e djeshme disa njerëz dhe fëmijë në një klub veror për fëmijë në Southport.

    Nëntë persona gjithsej u plagosën gjatë sulmit, duke përfshirë dy të rritur që u përpoqën të mbronin fëmijët nga vrasësi me thikë në Merseyside.

    Mbreti Charles ka ngushëlluar familjarët e viktimave dhe të plagosurve nga sulmi, ndërsa Ëilliam dhe Kate lëshuan një deklaratë të përbashkët në mbështjete për viktimat e incidentit të tmerrshëm.

    Në një deklaratë në Twitter, Princi dhe Princesha e Uellsit thanë: Si prindër, ne nuk mund të fillojmë të imagjinojmë se çfarë po përjetojnë familjet, miqtë dhe të dashurit e atyre që u vranë dhe u plagosën sot në Southport. Ne dërgojmë lutjet tona për të gjithë ata që janë përfshirë në këtë sulm të tmerrshëm.

    Policia ka arrestuar një djalë 17-vjeçar në lidhje me sulmin me dyshimin për vrasje. Edhe pse një motiv mbetet i paqartë, oficerët thonë se kanë përjashtuar terrorizmin.

  • Osmani e Infantino flasin për mbështetjen e futbollit kosovar

    Osmani e Infantino flasin për mbështetjen e futbollit kosovar

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino në Paris, ku diskutuan për përmirësimin e infrastrukturës sportive dhe mbështetjen e futbollit të Kosovës.

    Takimin me Osmanin, presidenti i FIFA-s e ka cilësuar si privilegj, duke thënë se ky institucion e mbështet FFK-në.

    “Ne folëm sesi futbolli mund t’i bashkojë njerëzit dhe kemi plane për të vazhduar përmirësimin e infrastrukturës sportive në Kosovë, e cila do të mbështesë lojtarët e rinj të talentuar të vendit në realizimin e potencialit të tyre”, thuhet në reagimin e tij në rrjetin social Instagram.

    Infantino kujtoi vizitën e tij në Kosovë në vitin 2022.

  • Sot më qetë, këto momente s’ka pritje të gjatë në asnjë pikë kufitare

    Sot më qetë, këto momente s’ka pritje të gjatë në asnjë pikë kufitare

    Për dallim nga ditët e kaluara, ku pikat kufitare ishin më të ngarkuara, e në veçanti ajo te Dheu i Bardhë, ditën e sotme, sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar nuk ka pritje fare.

    Në Jarinje, Kullë, Merdarë e Qafë e Morinës sipas përditësimit të fundit, pritjet janë deri në 10 minuta.

    Ndërsa pikat tjera kufitare raportohet të jenë qetë, me pritjet e zakonshme 3 deri në 5 minuta.

  • Ballkani dhe Drita luajnë sot në Ligën e Konferencës

    Ballkani dhe Drita luajnë sot në Ligën e Konferencës

    Ballkani dhe Drita do të vazhdojnë paraqitjet e tyre në garat evropiane dhe sot zbresin në fushë për t’i zhvilluar ndeshjet kthyese në rrethin e dytë të Ligës së Konferencës.

    Drita e pret në stadiumin “Zahir Pajaziti” skuadrën islandeze Breiddablik me fillim nga ora 17:00 dhe kërkon ta ruaj epërsinë nga ndeshja e parë ku fitoi me rezultat 2-1, raporton KosovaPress.

    Nga ana tjetër, Ballkani do të ballafaqohet me kampionin e Maltës, Hamrun Spartans ku kërkojnë fitore për të kaluar tutje pas barazimit pa gola në duelin e parë. Kjo ndeshej zhvillohet nga ora 20:00.

  • Gjendje e rënduar në Shëngjin! Zjarri përhapet pranë hoteleve dhe banesave, evakuohen banorët dhe turistët

    Gjendje e rënduar në Shëngjin! Zjarri përhapet pranë hoteleve dhe banesave, evakuohen banorët dhe turistët

    Situata ne malin e Shëngjinit në Shqipëri është përkeqësuar gjatë natës, përsa i përket përhapjes së flakëve.

    Edhe pas ndërhyrjes me helikopter ka qenë e pa mundur izolimi i plotë i vatrave të zjarrit, ku për shkak të erës së fortë gjatë mbrëmjes, zjarri është riaktivizuat sërish në disa zona të malit.

    Flakët janë afruar pranë hoteleve dhe banesave në Ranën e Hedhun, ndërkohë janë evakuuar banorët e zonës si dhe turistët./TCH/