ATV

Blog

  • Osmani: Kosova në Lojërat Olimpike ka demonstruar shpirt luftarak, profesionalizëm dhe këmbëngulje

    Osmani: Kosova në Lojërat Olimpike ka demonstruar shpirt luftarak, profesionalizëm dhe këmbëngulje

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se në paraqitjet e deritashme në Lojërat Olimpike në Paris, Kosova ka demonstruar shpirt luftarak, profesionalizëm dhe këmbëngulje.

    Osmani ka thënë se Kosova ishte e pafate në përballjet e djeshme, përkundër që ka arritur ta fitojë një medalje të argjendtë falë xhudistes, Dristria Krasniqi.

    “Një e argjendtë dhe duele të tjera jashtëzakonisht sfiduese janë dëshmi e vendosjes së shtetit tonë në majat e sportit botëror. Dje, fati nuk ishte në anën tonë as në garat e xhudos e as në ato të boksit, pavarësisht punës së pareshtur e paraqitjes së jashtëzakonshme të sportistëve tanë. Teksa paraqitjet e tjera po i përcjellim nga Kosova, shpresoj që të gjithë garuesit tanë ta dijnë se pavarësisht se a fitojnë medalje apo jo, Kosova është me ta në çdo hap e në çdo sfidë”, ka shkruar Osmani.

  • Xhudistja Laura Fazliu kalon në çerekfinale të LO “Paris 2024”

    Xhudistja Laura Fazliu kalon në çerekfinale të LO “Paris 2024”

    Përfaqësuesja e katërt e Kosovës në Lojërat Olimpike “Paris 2024” në xhudo, Laura Fazliu, ka kaluar në çerekfinale, të kategorisë deri në 63 kilogramë.

    Fazliu në 1/8 e finales mposhti kinezen, Ying Tang.

    Garuesja kosovare si fituese u përcaktua pasi kundërshtarja e saj mori tre shidove.

    Me këtë fitore Fazliu kalon në çerekfinale dhe synon që të fitojë medalje olimpike në Paris.

    Laura ende nuk është njoftuar me kundërshtaren e saj, meçin e radhës pritet ta ketë pas rreth 30 minutash.

  • Notari Shaboviq eliminohet nga Olimpiada

    Notari Shaboviq eliminohet nga Olimpiada

    Notari Adell Shaboviq ka debutuar në Lojërat Olimpike “Parisi 2024” por është eliminuar në tentimin e tij të parë.

    Shaboviq nuk ka avancuar përtej raundit të parë të disiplinës 100 metra stil të lirë.

    Ai doli i dyti në baterinë e tij, me kohë prej 51.77 sekondave por që në fund nuk mjaftoi për të avancuar në gjysmëfinale.

    Prej dhjetë baterive në raundin e parë, 16-të notarët me kohën më të mirë avancuan tutje.

    Shaboviq në renditjen e përgjithshme ishte i 58-ti me 4.34 sekonda prapa notarit të parë, amerikanit Jack Alexy.

    Pas Shaboviqit, Kosovën në garat e notit në Paris do ta përfaqësoj edhe Hana Beiqi, e cila do të garoj të shtunën në 50 metra stil të lirë.

  • Shqipëria gjobitet sërish nga UEFA

    Shqipëria gjobitet sërish nga UEFA

    Shqipëria është gjobitur sërish nga UEFA.

    Kombëtarja “Kuq e Zi” u dënua me 30 mijë euro për “racizmin e shfrytëzuar në tribuna”.

    Skuadra e drejtuar nga Sylvinho, mori një ndalim me kusht për tifozët në ndeshjen e parë jashtë fushe për shkak të sjelljes raciste të tyre në ndeshjet kundër Kroacisë dhe Spanjës.

    Bashkë me kombëtaren shqiptare, nga shtëpia e futbollit evropian, u gjobitën edhe gjashtë vende të tjera.

    Kroacia u gjobit me 50 mijë euro dhe ndalim të tifozëve për ndeshjen e parë jashtë fushe për shkak të sjelljes raciste të tifozëve në ndeshjet kundër Spanjës, Shqipërisë dhe Italisë.

    Po ashtu, u gjobit edhe Serbia me 30 mijë euro dhe ndalim të tifozëve për ndeshjen e parë jashtë fushe për shkak të sjelljes raciste të tifozëve në ndeshjet kundër Anglisë, Sllovenisë dhe Danimarkës.

    Sllovenia u gjobit me 30 mijë euro dhe ndalim me kusht për tifozët në ndeshjen e parë jashtë fushe për shkak të sjelljes raciste të tifozëve në ndeshjet kundër Danimarkës, Anglisë dhe Portugalisë.

    Rumania u gjobit me 40 mijë euro dhe nuk do t’i ketë tifozët në ndeshjen e parë jashtë fushe shkaku i sjelljeve raciste të tyre kundër Ukrainës, Belgjikës dhe Holandës.

    Hungaria u gjobit me 30 mijë euro dhe ndalim me kusht për tifozët në ndeshjen e parë jashtë fushe për shkak të sjelljes raciste të tyre në ndeshjet kundër Gjermanisë dhe Skocisë.

    E pa u dënuar nuk shpëtoi as Austria, që mori një gjobë prej 20 mijë eurosh, dhe nuk do t’i ketë tifozët në ndeshjen e parë jashtë fushë shkaku i sjelljeve raciste ndaj Polonisë.

    Kombëtarja e Shqipërisë dhe ajo e Kroacisë, janë në mesin e vendeve që u dënuan më së shumti gjatë “Euro 2024”, për shkak të sjelljeve të tifozëve.

  • Supremja e Speciales e kthen çështjen e Salih Mustafës në Apel

    Supremja e Speciales e kthen çështjen e Salih Mustafës në Apel

    Gjykata Supreme e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka anuluar pjesën e aktgjykimit të Apelit që ka të bëjë me dënimin prej 22 vitesh burgim ndaj Salih Mustafës.

    Me këtë rast, Supremja e ka kthyer përsëri këtë çështje tek Apeli për t’u shqyrtuar ulja e dënimit bazuar në arsyetimin e paraqitur në vendimin e Panelit të Supremes, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Paneli i Gjykatës Supreme e miratoi pjesërisht kërkesën e tij dhe anuloi pjesën e aktgjykimit të apelit që ka të bëjë me dënimin e z. Mustafa me 22 vjet burg. Paneli i Gjykatës Supreme ia ktheu çështjen përsëri Panelit të Apelit në përputhje me rregullën 194 (1) (b) të Rregullores, për të shqyrtuar uljen e dënimit bazuar në arsyetimin e paraqitur në vendimin e Panelit të Gjykatës Supreme”, thuhet në njoftimin e DhSK-së.

    Aktgjykimi ndaj Mustafës në shkallë të parë, ishte shpallur më 16 dhjetor 2022, me të cilin Mustafa është dënuar me 26 vite burgim. Ndaj këtij vendimi, ai kishte paraqitur ankesë në Apel, kurse Apeli i Speciales më 14 dhjetor 2023 ka shpallur aktgjykim ndaj Salih Mustafës, me të cilin e dënoi me dënim unik prej 22 vite burgim për krime lufte.

    Sipas DhSK-së, Salih Mustafa kishte bërë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë dhe vendimi mbi këtë kërkesë është marrë më 29 prill 2024.

    “Në kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë z. Mustafa ngriti pesë pika, të cilat lidheshin me përkthimin e aktgjykimit të apelit në gjuhën shqipe, shpalljen e tij fajtor për vrasje si krim lufte, si edhe me masën e dënimit”, thuhet në njoftimin e DhSK-së.

    Kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë, Mustafa e kishte dorëzuar më 13 mars 2024 me ç’rast kishte kërkuar nga Gjykata Supreme e DhSK-së që të modifikojë aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë, duke anuluar dënimet për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje, kështu duke e shpallë të pafajshëm ose t’i anulojë tërësisht aktgjykimet dhe ta kthejë çështjen në rigjykim.

    Mustafa ka parashtruar pesë pika, me anë të së cilave ka kundërshtuar vendimin e Apelit i cili e dënoi me 22 vite burgim.

    Tek pika e parë e paraqitur në kërkesën e Mustafës, thuhet se është bërë shkelje ligjore dhe Kushtetuese. Mustafa ka rikujtuar se Apeli iu është drejtuar argumenteve të tij lidhur me parimet lex mitior që do të thotë se nëse ka ndryshuar ligji që ka të bëjë me veprën penale të të akuzuarit duhet të zbatohet ligji më pak i rëndë. Sipas Mustafës, lex mitior i Apelit është i kufizuar dhe i gabuar.

    Ashtu si në pikën e parë edhe në pikën dy dhe tre, Mustafa ka parashtruar se vendimi i Apelit ka pasur shkelje të Ligjit, Kushtetutës dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

    Ndërsa, në pikën katër, në kërkesë thuhet se Mustafa ka theksuar se deklarohet i pafajshëm në të gjitha pikat dhe këtë qëndrim e mban edhe sot. Tutje, thuhet se edhe pse shkalla e parë dhe e dytë e dënuan Mustafën për arrest arbitrar, torturë dhe vrasje, në lidhje me këtë të fundit ai ka pohuar se nuk ishte gjykuar siç duhet në rastin e tij.

    Në kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë në Supreme, Mustafa ka thënë se shkalla e parë dhe e dytë e gjykatës e kanë interpretuar vetëm në mënyrë teorike krimin e vrasjes që më pas e dënuan për atë.

    Mustafa ka pohuar se të dy aktgjykimet përfshijnë shkelje thelbësore të rregullave dhe nuk mund të përbëjnë vrasje siç është në bazë të nenit 14 të Ligjit.

    “Trupi gjykues arriti në përfundimin se Mustafa dhe vartësit e tij të BIA-s ishin përgjegjës kryesor për keqtrajtim të rëndë dhe refuzim të ndihmës mjekësore, që çoi në vdekjen e viktimës. Megjithatë, sa i përket vrimave të plumbave në trupin e viktimës, kishte paqartësi nëse ato ishin shkaktuar nga pjesëtarë të BIA-s apo nga forcat serbe. Duke zbatuar parimin ‘in dubio pro reo’ (favorizimi i të akuzuarit në rast dyshimi), trupi gjykues supozoi se forcat serbe qëlluan viktimën. Përkundër këtij supozimi, Apeli sugjeron që trupi gjykues duhet të kishte marrë parasysh nëse ndërhyrja e forcave serbe përbënte një veprim të palës së tretë që thyente zinxhirin e shkakësisë, siç u ngrit në apel”, thuhet ndër tjerash në kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë së Mustafës në Supreme.

    Ndërsa, në pikën e pestë, Mustafa ka pretenduar se ka shkelje të të drejtave të tij të cilat ia garanton Kushtetuta. Sipas tij, që kur ishte shpallur aktgjykimi i Apelit ndaj tij, drafti i përkthyer në gjuhën e të akuzuarit ishte i disponueshem nga data 12 shkurt 2024.

    Në kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë, Mustafa ka thënë se mungesa e gjykimit në gjuhën e tij në një fazë të hershme cenon të drejtat pasurore dhe kohën për përgatitjen e mbrojtjes së tij. Aty thuhet se kjo situatë u komplikua edhe më shumë nga fakti që vendimi për emërimin e një mbrojtësi të ri të tij ishte anuluar. Sipas tij, kjo ishte konfuze dhe dëmtoi aftësinë e tij për t’u përgatitur siç duhet për mbrojtjen e tij.

    Në këtë kërkesë, Mustafa ka pohuar se ka të drejtë të informohet për aktgjykimin ndaj tij në një gjuhë që ai e kupton dhe kjo gjë duhet të bëhet në kohën e duhur e që për rrjedhojë ai pretendon se janë shkelur të drejtat e tij.

    Ndryshe, më 6 prill 2023, Salih Mustafa u urdhërua që të paguajë 207 mijë euro për zhdëmtim të viktimave.

    Aktgjykimi ndaj Mustafës në shkallë të parë, ishte shpallur më 16 dhjetor 2022, me të cilin Mustafa është dënuar me 26 vite burgim. Ai kishte paraqitur në Panelin e Gjykatës së Apelit 51 pika kundër vendimit dënues të Themelores së Speciales ndaj tij.

    Kurse, Gjykata e Apelit të Speciales më 14 dhjetor 2023 ka shpallur aktgjykim ndaj Salih Mustafës, me të cilin e dënoi me dënim unik prej 22 vite burgim për krime lufte.

    Në arsyetimin e aktgjykimit, kryetarja e panelit të Apelit, Michele Picard tha se trupit gjykues i shkallës së parë kishte bërë një gabim të dallueshëm në dënimin e dhënë për Salih Mustafën. Po ashtu, ajo shtoi se një dënim i njehësuar prej 22 vitesh burgim, duke e llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim, pasqyron në tërësi veprimtarinë kriminale të Mustafës.

    Ndërsa, prokurorja e specializuar, Kimberly West e quajti ‘fitore për drejtësinë’ vendimin e Apelit ndaj Salih Mustafës.

    Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020.

  • Arrestohet një burrë në Malishevë, dyshohet se sulmoi fizikisht gruan dhe vajzën e tij

    Arrestohet një burrë në Malishevë, dyshohet se sulmoi fizikisht gruan dhe vajzën e tij

    Një burrë është arrestuar në Malishevë, nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten dhe vajzën e tij.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshjeje kishte sulmuar fizikisht dy viktimat femra kosovare, bashkëshorten dhe vajzën e tij”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

    Tutje, Policia njoftoi se viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

  • Super Adell Shaboviq, shumë afër gjysmëfinales

    Super Adell Shaboviq, shumë afër gjysmëfinales

    Notari që po e përfaqëson Kosovën në Lojërat Olimpike, Adell Shaboviq ka përfunduar i dyti në grupin e tretë në 100 metra stil i lirë.

    Koha e tij e regjistruar ishte 51.77 sekonda.

    Nga 10 grupet 16 notarët me kohën më të mirë kualifikohen në gjysmëfinale.

  • Pse nuk duhet të pini kurrë ujë duke qëndruar në këmbë?

    Pse nuk duhet të pini kurrë ujë duke qëndruar në këmbë?

    Të gjithë e dimë se sa e rëndësishme është të pimë ujë, jo vetëm për të qëndruar të hidratuar, por për të siguruar që trupi të funksionojë siç duhet.

    Të qenit i vëmendshëm për sasinë e ujit që konsumoni është e nevojshme, por jo e mjaftueshme.

    Ju gjithashtu duhet të dini mënyrën e duhur për të pirë ujë për një shëndet më të mirë. Pra, zakoni se si ne pimë ujë është po aq i rëndësishëm.

    Kur jemi tek kjo çështje, ne të gjithë pimë ujë derisa qëndrojmë në këmbë. Edhe pse mund të mos e keni menduar kurrë nëse kjo është mënyra e duhur për të pirë ujë apo jo, të moshuarit mund t’ju kenë kujtuar të paktën një herë se uji duhet konsumuar kur jeni ulur.

    Mjeku i përgjithshëm Vipul Rustgi, tha për HealthShots se nuk rekomandohet të pini ujë derisa qëndroni në këmbë pasi mund të çojë në disa probleme shëndetësore.

    Kur jeni në këmbë, trupi dhe indet tuaja janë në gjendje tensioni. Kjo bën që uji të rrjedhë me shpejtësi poshtë trupit tuaj, duke shkaktuar një ndërprerje në ekuilibrin ekzistues të lëngjeve.

    Këtu janë disa efekte anësore kur pimë ujë gjatë qëndrimit në këmbë:

    Disepsi

    Pirja e ujit në këmbë mund të bëjë kërdi në sistemin tuaj të tretjes. Kjo sepse kur qëndroni në këmbë dhe pini ujë, ai kalon me forcë dhe shpejtësi të madhe nëpër kanalin e ushqimit dhe bie drejtpërdrejt në pjesën e poshtme të stomakut, gjë që është e dëmshme. Dr Rustgi thotë: “Nervat tensionohen kur njeriu pi ujë me shpejtësi ndërsa qëndron në këmbë, gjë që prish ekuilibrin e lëngjeve, duke shkaktuar një rritje të toksinave dhe dispepsi”.

    Nxit artritin

    Nervat janë në një gjendje tensioni kur ju pini ujë me shpejtësi në një pozicion në këmbë, gjë që prish ekuilibrin e lëngjeve, duke çuar në një rritje të toksinave dhe dispepsi në trup. Në fakt, gjithashtu grumbullon lëngje në kyçe, duke shkaktuar artrit. Dr Rustgi thotë: “Pirja e ujit në këmbë mund të çojë në akumulimin e lëngjeve në nyje dhe mund të shkaktojë probleme me artritin dhe dëmtim të kyçeve”.

    Mund të nxit rrezikun për mushkëritë

    Kur pini ujë në këmbë, lëndët ushqyese dhe vitaminat e nevojshme nuk arrijnë në mëlçi dhe në traktin tretës. Kur qëndroni në këmbë dhe pini ujë, ai kalon nëpër sistem shumë shpejt dhe kjo rrezikon funksionin e mushkërive dhe zemrës, sepse niveli i oksigjenit shqetësohet në këtë mënyrë.

    Shkakton probleme në veshka

    Është zbuluar se veshkat tona filtrojnë më mirë kur jemi ulur. “Ndërsa qëndroni në këmbë dhe pini ujë, lëngu tenton të kalojë pa asnjë filtrim në pjesën e poshtme të stomakut nën presion të lartë. Kjo bën që papastërtitë e ujit të vendosen në fshikëz dhe të dëmtojnë funksionimin e veshkave, thotë Dr Rustgi. Mund të shkaktojë edhe çrregullime të traktit urinar. /Telegrafi/

  • Sa orë duhet të flini gjatë natës për të mbajtur një shëndet të mirë?

    Sa orë duhet të flini gjatë natës për të mbajtur një shëndet të mirë?

    Ekziston një sasi minimale e gjumit që duhet të keni në mënyrë që të jeni në gjendje të ruani një shëndet të mirë. Ekspertët shpjeguan pse gjumi është vendimtar.

    Akademia Amerikane e Mjekësisë së Gjumit rekomandon të paktën 7 orë gjumë në natë për të ruajtur shëndetin optimal, shkruan Time.com.

    Nëse flini rregullisht më pak se kaq, “do të përjetoni pasoja fizike, psikologjike dhe sociale”, thotë Joe Dzierzewski, ekspert në këtë fushë.

    Ekzistojnë megjithatë dy përjashtime.

    Të rriturit e moshuar zakonisht kanë nevojë për më pak gjumë se sa njerëzit që janë më të rinj, thotë Lynelle Schneeberg, një psikologe gjumi dhe asistent profesoreshë e psikiatrisë në Yale Medicine.

    Për shembull, nëse dikush në të 40-tat ka bërë tetë orë gjumë gjatë natës në mund të jetë në gjendje të funksionojë mirë me 6.5 orë në natë në të 70-at.

    Njerëzit e moshuar prodhojnë më pak hormon melatonin që nxit gjumin dhe ata kanë tendencë të kenë më shumë sëmundje ekzistuese që mund të ndërhyjnë me gjumin.

    Përveç kësaj, një numër shumë i vogël njerëzish kanë një mutacion gjenetik që u lejon atyre të funksionojnë me më pak se 6.5 orë gjumë në natë pa pasoja të dukshme për shëndetin e tyre. Ky mutacion gjenetik është mjaft i rrallë, me ekspertët që vlerësojnë se prek vetëm një në 25,000 njerëz. /Telegrafi/

  • Aktorja e famshme turke po bëhet nënë për herë të parë

    Aktorja e famshme turke po bëhet nënë për herë të parë

    Aktorja e famshme turke, Neslihan Atagul është shtatzënë. Ylli i kinematografisë turke ka bërë publik lajmin përmes një postimi në rrjetet sociale.

    Neslihan Atagul, e cila është e martuar me aktorin Kadir Doggulu publikoi një foto në Instagram teksa mban duart në bark dhe shkroi: “Dëshirojmë ta mbajmë këtë ‘lumturi’ private edhe për një kohë. Sinqerisht, kjo ishte e drejta jonë… Shkurt, jemi të lumtur, të kënaqur dhe mirë.”

    31-vjeçarja, e cila pritej të luante në serialin Occupation Days Love në sezonin e ri, mësohet se është rreth 3 muajshe shtatzënë, gjë që ndryshoi të gjitha planet.

    Ndërkohë kanë nisur kërkimet për një aktore kryesor për filmin që pritet të jetë, ndër serialet ambicioze televizive të sezonit të ri.

    Çifti u dashuruan gjatë xhirimeve të serialit Fatih Harbiye të vitit 2013 dhe ndanë lajmin e lumtur vetëm disa javë pasi festuan 8 vjetorin e martesës.