ATV

Blog

  • Komisioni për Buxhet do të votojë disa raporte vjetore

    Komisioni për Buxhet do të votojë disa raporte vjetore

    Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere sot do të mbajë mbledhje.

    Në këtë mbledhje do të votohen këto raporte: Votimi i Raportit vjetor financiar i Buxhetin të Republikës së Kosovës për vitin 2023, votimi i raportit vjetor financiar i Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2023, votimi i raportit vjetor financiar i Këshillit Kosovës për Trashëgimi Kulturore për vitin 2023, votimi i Raportit vjetor financiar i Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2023, votimi i Raportit vjetor financiar i Autoritetit Rregullativ të Shërbimit të Ujit për vitin 2023, votimi i raportit vjetor financiar i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbim Civil për vitin 2023.

    Po ashtu në rend ditë është vazhdimi i shqyrtimit të raportit vjetor të punës të Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2023.

  • Komisioni Hetimor për MPJD do të hartojë listën e dëshmitarëve

    Komisioni Hetimor për MPJD do të hartojë listën e dëshmitarëve

    Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës sot do të mbajë mbledhje.

    Në këtë mbledhje do të bëhet hartimi i listës së dëshmitarëve për intervistim në komision dhe prezantimi i raportit të ekspertëve.

  • Nis takimi i minatorëve të “Trepçës” me Sindikatën për t’i diskutuar pagat

    Nis takimi i minatorëve të “Trepçës” me Sindikatën për t’i diskutuar pagat

    Që nga ora 7 e mëngjesit, minatorët e Trepçës kanë mbajtur takim me Sindikatën e Pavarur të Minatorëve, pas situatës së krijuar për mosekzekutim të pagave, raporton Ekonomia Online.

    Minatorët janë në grevë tash e disa ditë për shkak se nuk i kanë marrë pagat e qershorit.

    I pranishëm ishte edhe Shyqeri Sadiku, drejtor i minieres së Stantërgut, i cili u mundua t’i bindë minatorët të kthehen në vendet e punës por që kjo u kundërshtua. Ata, fillimisht kërkuan që në këtë takim të vijë Bordi i Trepçës, në të kundërtën nuk do t’i kthehen vendit të punës.

  • Kurti: U bënë 10 vjet që Serbia shpalli sekret shtetëror dokumentet që tregojnë mizoritë e kryera në Kosovë

    Kurti: U bënë 10 vjet që Serbia shpalli sekret shtetëror dokumentet që tregojnë mizoritë e kryera në Kosovë

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, vë në pah se para 10 vjetësh Ministria e Mbrojtjes së Serbisë shpalli sekret shtetëror dokumentet mbi veprimtarinë në Kosovë të Brigadës së Motorizuar të 37-të të Ushtrisë Jugosllave dhe se ky vendim i marrë më 31 korrik 2014 pengon zbardhjen e së vërtetës së dhimbshme lidhur me vrasjet e civilëve shqiptarë dhe fshehjen e trupave të tyre në varreza masive në Serbi.

    Me anë të një postimi në Facebook, Kurti thekson se në bazë të marrëveshjes së arritur më 2 maj të vitit të kaluar në Bruksel, ne përsërisim kërkesën për hapjen e arkivave në Serbi.

    “Tashmë kemi dërguar disa kërkesa lidhur me hapjen e arkivës së Brigadës 37-të të Motorizuar të UJ, përgjegjëse për shumë masakra në rajonin e Drenicës”.

    “Vendimi i shtetit serb për të klasifikuar këto dokumente si sekrete për 30 vite është përpjekje për të fshehur krimet e kryera. Është edhe një tregues i qartë se Serbia, përderisa qëndron mbi varret e civilëve shqiptarëve të vrarë, nuk ka treguar asnjë shenjë pendese për mizoritë e kryera në Kosovë”, shkruan Kurti.

    Tutje ai shprehet se ky akt përbën një shkelje të të drejtave të njeriut, të drejtës së familjeve për të ditur të vërtetën dhe pamundëson përpjekjet për të sjellë drejtësi. Po ashtu, duke mbajtur të fshehta këto dokumente, Serbia nuk po distancohet nga regjimi i Millosheviqit dhe krimet e tij gjenocidale në Kosovë.

    “Vetëm përmes ndriçimit të së vërtetës dhe mbajtjes përgjegjës të autorëve të krimeve mund të arrihet drejtësia dhe paqja e qëndrueshme në rajon”, thekson më tej kreu i qeverisë në postimin e tij.

  • Lideri i Hamasit, Ismail Haniyeh vritet në Iran

    Lideri i Hamasit, Ismail Haniyeh vritet në Iran

    Lideri i Hamasit, Ismail Haniyeh, është vrarë në një sulm në rezidencën e tij në kryeqytetin e Iranit, Teheran, transmeton Anadolu.

    Sipas lajmit të televizionit shtetëror të Iranit, bazuar në deklaratën e Gardës Revolucionare të Iranit, shefi i Byrosë Politike të Hamasit, ka humbur jetën në rezidencën e tij në Teheran si rezultat i një sulmi terrorist.

    Në sulm është vrarë edhe një trup roje i Haniyeh. Në mediat iraniane u vu në dukje se detajet rreth incidentit do të njoftohen më vonë.

    Ndërkohë, Hamas konfirmoi se Haniyeh u vra në një sulm ajror nga ushtria izraelite në rezidencën e tij në Teheran.

    Në njoftimin e Hamasit thuhet se Haniyeh ndodhej në Teheran për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri të Iranit, Masoud Pezeshkian.

    Ndërkaq, ushtria izraelite refuzoi të komentojë mbi vrasjen e Haniyeh.

  • Zbulohet shuma që Laura Fazliu do të shpërblehet nga shteti për medaljen e bronztë

    Zbulohet shuma që Laura Fazliu do të shpërblehet nga shteti për medaljen e bronztë

    Laura Fazliu i ka siguruar Kosovës medaljen e dytë olimpike, pas Distria Krasniqit që fitoi të argjendtën.

    Shpërblimet për Fazliun nuk ndalen me kaq, pasi me këtë sukses pason edhe një shumë monetare.

    Kjo pasi Kosova shpërblen më së shumti në rajon sportistët që sjellin medalje nga Lojërat Olimpike.

    Medalja e artë shpërblehet me një shumë prej 100 mijë eurosh, e argjendta 60 mijë, si dhe e bronzta 40 mijë euro.

    Si fituese e medaljes së bronztë në “Paris 2024”, Laura Fazliut i takojnë 40 mijë euro.

  • Televizioni izraelit: Vritet komandanti i lartë i Hezbollahut në një sulm në Bejrut

    Televizioni izraelit: Vritet komandanti i lartë i Hezbollahut në një sulm në Bejrut

    Izraeli beson se një komandant i lartë i grupit të armatosur libanez, Hezbollah, është vrarë nga një sulm ajror izraelit të martën në Bejrut, raporton transmetuesi publik izraelit.

    Më herët, ushtria izraelite tha se sulmi në Bejrut të martën vonë ishte hakmarrje për një sulm raketor tri ditë më parë, ku u vranë 12 fëmijë dhe adoleshentë,

    Dy burime të paidentifikuara thanë për transmetuesin publik izraelit Kan se Izraeli vlerësoi se “objektivi i sulmit” u vra.

    Në një komunikatë për media më herët, ushtria izraelite tha se në shënjestër të sulmit në Bejrut ishte komandanti i Hezbollahut përgjegjës sulmin raketor në Lartësitë e Golanit, të okupuara nga Izraeli, të shtunën, si pasojë e të cilit u vranë 12 të rinj në një fushë futbolli në fshatin Druze.

  • Vizitoi pa leje Kullën Eiffel, notarja braziliane përjashtohet nga Lojërat Olimpike – u tradhtua nga fotot

    Vizitoi pa leje Kullën Eiffel, notarja braziliane përjashtohet nga Lojërat Olimpike – u tradhtua nga fotot

    Pjesëmarrja në Lojërat Olimpike është një mundësi e madhe dhe një moment unik në jetën e çdo sportisti. Megjithatë vjen e shoqëruar edhe me një sërë përgjegjësish që dy notarë brazilianë nuk i kanë përmbushur.

    Sportistja Ana Vieira dhe partneri i saj, Gabriel Santos, kanë thyer kodin e disiplinës dhe kanë marrë një sanksion nga Komiteti Olimpik Brazilian.

    Këtë e ka bërë të ditur vetë COB, e cila ka raportuar se ata janë larguar nga vendbanimi gjatë këtyre ditëve për të vizituar pa autorizim Kullën Eifel.

    Ata janë “tradhtuar” nga fotot, të cilat më pas i postuan në rrjetet sociale pa asnjë shqetësim, madje duke e ditur se po bënin diçka të ndaluar.

    Kreu i delegacionit brazilian mori vendimin përkatës. Ana Vieira është përjashtuar dhe është kthyer në Brazil, ndërsa Gabriel Santos është ndëshkuar vetëm me qortim.

  • Drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret: Dështimi i masave të sigurisë për Trump i pajustifikueshëm

    Drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret: Dështimi i masave të sigurisë për Trump i pajustifikueshëm

    Ronald Rowe, drejtori në detyrë i agjencisë së Shërbimit Sekret amerikan dhe nëndrejtori i FBI-së, Paul Abbate, po dëshmojnë në një seancë të përbashkët të dy komisioneve të Senatit mbi atentatin ndaj ish Presidentit Trump. Në qendër të interesit të senatorëve janë mangësitë e masave të sigurisë në orët para atentatit.

    Drejtori në detyrë i agjencisë tha se ai e konsideronte “të pajustifikueshme” mungesën e agjentëve të sigurisë në çatinë nga ku sulmuesi qëlloi në drejtim të ish-presidentit Trump.

    Rowe tha se kishte qenë së fundmi në vendngjarje në Batlër të Pensilvanisë.

    “Ndjeva turp nga ajo që pashë. Si oficer karriere dhe punonjës prej 25 vjetësh i Shërbimit Sekret nuk mund të kuptoj se përse në atë çati nuk kishte agjentë”, u shpreh ai.

    Ai po ashtu fajësoi autoritetet lokale që nuk kishin ndarë me autoritetet federale të dhëna që ai i cilësoi si jetike.

    Sipas tij, ata nuk kishin ndarë informacionin se një person i armatosur, ishte pikasur mbi një çati pranë vendit të tubimit disa minuta para se sa të ndodhte sulmi i 13 korrikut.

    “Oficerët lokalë nuk e ndanë këtë informacion, e mbajtën të izoluar një të dhënë të tillë”, tha ai. “Për mua është shumë shqetësuese që nuk e morëm këtë informacion aq shpejt sa duhej. Ne nuk e dinim se po ndodhte një incident”, tha ai.

    Ndërkohë, nën drejtori i FBI-së Paul Abbate tha se profili në median sociale që besohet se i përket autorit Thomas Matthew Crook tregon se ai përkrahte dhunën politike dhe përmbajtje anti-semite dhe kundër emigracionit.

    Postimet ishin bërë në vitet 2019 dhe 2020 periudhë që ai ka qenë në shkollë të mesme.

    Ish drejtoresha e Shërbimit Sekret Kimberly Cheatle dha dorëheqjen javën e kaluar pas kritikave të shumta të ligjvënësve, raporton VOA.

  • Djali 20-vjeçar në Prishtinë e rrah nënën dhe tenton ta dëbojë nga shtëpia

    Djali 20-vjeçar në Prishtinë e rrah nënën dhe tenton ta dëbojë nga shtëpia

    Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.

    Kështu ka ndodhur së fundmi në një familje në fshatin Bardhosh të Prishtinës, ku një grua është përballur me dhunë nga djali i saj, 20-vjeçar, me të cilin qe një kohë ka probleme.

    Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se ky rast ka ndodhur në shtëpinë e tyre, ku plasi sherri pas një mosmarrëveshje verbale mes nënës dhe djalit, i cili më pas e sulmoi fizikisht dhe tentoi ta dëbojë.

    Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor.

    Pas përfundimit të procedurave, me urdhër të Prokurorit të Shtetit i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij është iniciuar rasti tjetër për kryerjen e veprës penale “Dhunë në familje”.