ATV

Blog

  • Dështon mbledhja e Komisionit për Buxhet, rikthehet në shtator

    Dështon mbledhja e Komisionit për Buxhet, rikthehet në shtator

    Në mungesë të kuorumit, ka dështuar mbledhja e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, ku në rend dite ishte votimi i disa raporteve financiare. Të njëjtin, thanë se do ta mbajnë në shtator, raporton EO.

    Si pikë e parë e rendit të ditës ishte votimi i Raportit vjetor financiar i Buxhetin të Republikës së Kosovës për vitin 2023, i Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2023, i Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Autoritetit Rregullativ të Shërbimit të Ujit, etj.

    Të pranishëm ishin vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

  • Të miturit që vranë Lulzim Fejzullahun me dënim të njëjtë edhe në rigjykim – Gashi do të paraqesë ankesë për dënim maksimal

    Të miturit që vranë Lulzim Fejzullahun me dënim të njëjtë edhe në rigjykim – Gashi do të paraqesë ankesë për dënim maksimal

    Avokati Tomë Gashi, përfaqësuesi juridik i familjes Fejzullahu, ka thënë se do të kërkojë dënim maksimal për dy të miturit që vranë 18 vjeçarin në Podujevë, Lulzimin, pas rigjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, raporton EO.

    Edhe në rigjykim në rastin e kësaj vrasje, Gjykata të miturin e parë e ka dënuar me 10 vjet burgim kurse të miturin e dytë, me 9 vjet.

    Gashi ka thënë se me këtë aktgjykim, është vërtetuar sërish se dy të miturit kanë vrarë 18 vjeçarin në Podujevë, ndërsa s’ka pasur ndryshime në gjendjen faktike.

    “Të cilët kanë qenë të involvuar në vrasjen e Lulzim Fejzullahut, të njëjtat kanë shpallur përgjegjës dhe ka vendosur sikurse në herën e kaluar në maj të këtij viti duke shqiptuar dënim për të miturit njërit në kohëzgjatje prej 10 vitesh dhe tjetrit në kohëzgjatje prej nëntë vitesh. Me këtë vendim të Gjykatës i cili është një vendim i përsëritur për shkak se Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim dhe në rivendosje, vërtetohet se rasti është kthyer në rigjykim për çështje teknike krejtësisht formale dhe jo cka ka ndryshuar gjendja faktike”, ka thënë Gashi.

    Sipas tij, në çdo mënyra të provave vërtetohet vrasja e 18 vjeçarit.

    “Gjykata i ka shpallur fajtor për vrasjen e rëndë dhe jo sipas pretendimeve të tyre kinse diçka ka qenë incident momental gjë që është vërtetuar edhe me video ingjizime dhe me prova të tjera që gjithçka i ka paraprijë një sulmi të mëhershëm dhe Gjykata në prizmin tim ka vendosur drejtë. Me këtë Aktgjykim është vërtetuar edhe njëherë se ata që vranë Lulin kanë vepruar në bashkëveprim njëri me tjetrin dhe se vrasjen e rënde e kanë kryer me dashje të plotë. Si avokat – përfaqësues juridik i familjes se Lulit do të paraqes ankesë që dënimi për të dytë të jetë maksimal”, shtoi ai.

    Edhe në rigjykim janë konfirmuar dënimet e gjykimit të parë ndaj dy të miturve që e shkaktuan vrasjen e 18-vjeçarit. E.K. është dënuar me 10 vjet burgim, kurse i mituri i dytë A.A. me 9 vjet burgim.

  • Lindja e Mesme tronditet nga dy atentate të nivelit të lartë në 12 orët e fundit

    Lindja e Mesme tronditet nga dy atentate të nivelit të lartë në 12 orët e fundit

    Nga mbrëmë e deri sot në mëngjes, në Lindjen e Mesme ndodhën dy atentate, përfshirë komandantin e lartë të Hezbollahut, Fuad Shukr, në një sulm izraelit në një periferi jugore të Bejrutit si dhe atentati ndaj shefit të Byrosë politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, në kryeqytetin iranian, Teheran, raporton Anadolu.

    Grupi i rezistencës palestineze Hamas njoftoi herët në mëngjes se Haniyeh u vra në një sulm ajror izraelit në rezidencën e tij në Teheran.

    Hamasi e përshkroi atentatin si një “sulm të pabesë sionist”. Kreu i grupit palestinez ndodhej në Teheran për ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri Iranian.

    Megjithatë, asnjë njoftim i menjëhershëm nuk është bërë nga Izraeli për sulmin.

    Ushtria izraelite gjithashtu pretendoi mbrëmë se vrau komandantin kryesor të Hezbollahut, Fuad Shukr, në një sulm me dron në periferi të kryeqytetit të Libanit, Bejrut.

    Fati i tij mbetet i mbuluar me mister pas atentatit të mbrëmshëm, ndërsa deri më tani nuk ka pasur asnjë koment nga Hezbollahu për sulmin.

    Vrasjet vijnë në mes të një ofensive të vazhdueshme izraelite në Rripin e Gazës që zgjat për më shumë se nëntë muaj, së bashku me një përshkallëzim në kufirin me Libanin ku janë përfshirë Hezbollahu dhe ushtria izraelite.

  • Vendet e Ballkanit, Kosova prin me medalje në “Paris 2024”

    Vendet e Ballkanit, Kosova prin me medalje në “Paris 2024”

    Ekipi i Kosovës deri tani në LO “Parisi 2024” ka fituar dy medalje, një të bronztë dhe një të argjendtë.

    Kjo e bën, vendin tonë t’i prijë listës së shteteve ballkanike me më së shumti medalje të fituara deri tani, shkruan Indeksonline.

    Aq sa Kosova, pra dy – ka edhe shteti i Turqisë, një të argjendtë dhe një të bronztë.

    Kurse, shtetet si: Rumania (të artë), Sllovenia (të artë), Kroacia (të bronztë) dhe Serbia (të artë) kanë nga një medalje të fituara deri tani.

    Shtetet e tjera, si Shqipëria, Bosonja, Bullgaria, Greqia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut ende s’e kanë fituar asnjë medalje.

  • Situata me zjarre në Shëngjin, drejt përmirësimit

    Situata me zjarre në Shëngjin, drejt përmirësimit

    Autoritetet në Shëngjin thanë se situata me zjarre është drejt përmirësimit. Prefektura e Lezhës njoftoi se gjatë natës janë shuar disa vatra zjarri, që shpërthyen nga pasditja e së shtunës.

    “Për ditën e sotme të do të operojnë të gjithë mjetet e Mbrojtjes nga Zjarri që kanë qenë të pranishme dhe një ditë më parë, si dhe 300 efektivë të Forcave të Armatosura dhe rreth 100 forca bashkiake. Po operohet në terren për shuarjen e çdo vatre zjarri të ndezur [trungje të ndezura]”, thuhet në njoftimin e Prefekturës së Lezhës.

    Një ditë më parë, në Shëngjin situata u përkeqësua pasi flakët përfshin një kompleks turistik në zonën e njohur si ‘Rana e Hedhun’ . Zjarri arriti deri në bregdet.

    Përveç forcave zjarrfikëse, për shuarjen e flakëve u angazhua edhe helikopteri Cougar i Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë si dhe dy avionë Canadair, të ardhur nga Italia, si pjesë e mbështetjes nga Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile.

    Ministri i Brendshëm, ende në detyrë, Taulant Balla, ishte mbrëmjen e 30 korrikut në Shëngjin, nga ku tha se po kërkohet ndihmë shtesë nga jashtë vendit për të vënë nën kontroll situatën me zjarre.

    “Jemi në kontakte me [misionin e NATO-s në Kosovë] KFOR për të marrë helikopterët e tyre. E gjitha punë jonë është e pamundur të japë rezultatin që duam. Situata më e vështirë është te ‘Rana e Hedhun’. Por, jam i shqetësuar edhe për kurorën në qytet, te kisha. Është një kurorë e mbjellë me pisha dhe pisha është si një mjet shpërthyes”, tha Balla.

    Ai po ashtu tha se nuk ka të dhëna se shpërthimi i zjarrit të ketë qenë i qëllimshëm.

    Shqipëria ka rreth 147 mjete zjarrfikëse dhe 1.300 efektivë dhe dy helikopterë Cougar, që sipas autoriteteve janë të pamjaftueshme për të përballuar situatën që krijohet me zjarre gjatë verës./REL

  • Një stuhi gjeomagnetike pritet të godasë Evropën

    Një stuhi gjeomagnetike pritet të godasë Evropën

    Një stuhi gjeomagnetike e nivelit G3 pritet të godasë Evropën dhe SHBA-në dhe se pas stuhisë do të shihet Aurora Borealis.

    Sipas lajmit të “space.com”, Qendra e Parashikimit të Motit Hapësinor (SWPC) e Administratës Kombëtare të Oqeanit dhe Atmosferës (NOAA) ka bërë paralajmërim për një stuhi gjeomagnetike.

    SWPC njoftoi se ekziston mundësia e vëzhgimit të Aurora Borealisit në gjerësinë e mesme të Tokës, në Evropë dhe SHBA, pas stuhisë gjeomagnetike që parashikohet të ndodhë gjatë ditës. NOAA vuri në dukje se stuhia gjeomagnetike, e cila do të fillojë në nivelin G3 në një shkallë 5-nivelëshe, mund të vazhdojë deri më 1 gusht.

    Disa javë më parë më parë dielli lëshoi valën më të madhe të flakës së zjarrtë në afro një dekadë, vetëm pak ditë pasi stuhitë e forta diellore goditën Tokën duke krijuar fenomenin që njihet si “Aurora Borealis” ose dritat veriore, të pazakonta në shumë pjesë të botës. Vala e flakës diellore shkaktohet nga një shpërthim intensiv rrezatimi që vjen nga çlirimi i energjisë magnetike që lidhet me ato që njihen si njolla në sipërfaqen diellore.

    Ky është shpërthimi më i madh i këtij cikli 11-vjeçar të diellit. Lajmi i mirë është se kësaj here planeti ynë është jashtë trajektores së valës magnetike, sepse shpërthimi ndodhi në një pjesë të sipërfaqes së diellit në drejtim të kundërt të Tokës. Ndërkaq, së fundmi është bërë gjithashtu e ditur se Toka mund të goditet nga një stuhi tjetër e fuqishme diellore këtë javë, që parashikohet të shkaktojë ndërprerje të komunikimit dhe shfaqje të pabesueshme të dritës veriore.

  • Harris thotë në Xhorxhia se muajt e ardhshëm do të jenë një betejë serioze

    Harris thotë në Xhorxhia se muajt e ardhshëm do të jenë një betejë serioze

    Nënpresidentja Kamala Harris tha të martën në një stadium të mbushur plot dhe të zhurmshëm në Xhorxhia, se muajt e ardhshëm do të ishin një betejë serioze dhe pranoi se demokratët ishin në këto momente të dobëtit, por e siguroi turmën se do të fitonin në nëntor.

    “Kemi një betejë përpara nesh”, tha kandidatja e mundshme për presidente. “Ritmi në këtë garë po ndryshon. Dhe ka shenja se Donald Trump-i po e ndjen këtë”.

    Pak më shumë se një javë më parë, Xhorxhia dukej se po dilte nga kontrolli i demokratëve: ekipi elektoral i Presidentit Joe Biden u zotua të përqendrohej më shumë në mbajtjen e shteteve që votojnë tradicionalisht demokratët dhe dha tregues se mund të ishin të gatshëm të mos përqendroheshin më shumë në shtete të tjera.

    Por tani që Presidenti Biden është larguar nga gara dhe Nënpresidentja Harris është kandidatja e mundshme, demokratët po shprehin shpresa të reja për një hartë të zgjeruar zgjedhore dhe e mirëpritën nënpresidenten në shtetin që i dha Presidentit Biden diferencën e tij më të ngushtë të fitores në vitin 2020.

    Zonja Harris tha se kur të zgjidhej, ajo do të punonte për të nënshkruar legjislacion të rëndësishëm për emigracionin dhe për t’i treguar ish-Presidentit Donald Trump se si duket “një udhëheqës i vërtetë”.

    Stadiumi i basketbollit me kapacitet rreth 8,000 vende në Universitetin Shtetëror të Xhorxhias ishte mbushur me mijëra votues që tundnin banderola dhe kërcenin në një atmosferë që nuk do të ishte e mundur vetëm 10 ditë më parë, me partinë të përfshirë nga dyshimet nëse Presidenti 81-vjeçar Biden do të vazhdonte të kandidonte pas një paraqitjeje të zymtë që shtoi shqetësimet për moshën dhe aftësitë e tij.

  • Rama: Jemi duke e përmirësuar rrjetin e kanalizimit në Prishtinë

    Rama: Jemi duke e përmirësuar rrjetin e kanalizimit në Prishtinë

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se është përmirësuar rrjeti i kanalizimit në kryeqytet.

    Rama thotë se janë duke punuar në ndërtimin e 17.3 km rrjet të kanalizimit fekal në fshatrat e Prishtinës.

    Sipas tij ky projekt do të përmirësojë kushtet higjienike për banorët e këtyre zonave.

    “Jemi duke punuar intensivisht mbi ndërtimin e 17.3 km rrjet të kanalizimit fekal në fshatrat e Kryeqyteti Prishtina. Ky projekt i rëndësishëm do të përmirësojë ndjeshëm kushtet higjienike dhe cilësinë e jetës për banorët e këtyre zonave”, shkruan Rama në Facebook.

  • Këto janë tri sportistet e fundit kosovare që do të luftojnë për medalje në Olimpiadën e Parisit

    Këto janë tri sportistet e fundit kosovare që do të luftojnë për medalje në Olimpiadën e Parisit

    Radhën për të kërkuar medalje në Olimpiadën e Parisit e kanë vetëm edhe tri sportiste kosovare.

    Loriana Kuka do të garojë në kategorinë deri në 68 kilogramë në xhudo më 1 gusht.

    Gresa Bakraçi do të garojë më dy gusht në 800 metra vrapim në atletikë.

    Ndërkaq, notarja Hana Beiqi do të jetë sportistja e fundit kosovare që garon në edicionin e Parisit 2024. Ajo do të luftojë për medalje më 3 gusht në disiplinën 50 metra stil i lirë.

    Nga garuesit paraprakë, Distria Krasniqi rrëmbeu të argjendtën, ndërkaq Laura Fazliu të bronztën, që të dyja në xhudo.

  • Nuk respekton urdhrin e gjykatës dhe i shkon te banesa bashkëshortes, dërgohet në mbajtje

    Nuk respekton urdhrin e gjykatës dhe i shkon te banesa bashkëshortes, dërgohet në mbajtje

    Policia në Prishtinë ka arrestuar një person, pasi raportohet se i njëjti duke mos përfillur urdhrin e lëshuar nga gjykata, kishte shkuar te banesa e bashkëshortes dhe dyshohet se ua ka drejtuar armën.

    Gjatë kontrollit në banesën e të dyshuarit nuk është gjetur asgjë e dyshuar.

    Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.