ATV

Blog

  • Edhe Qëndrim Kryeziu kërkon rinumërim të plotë të votave të kandidatëve të PDK-së

    Edhe Qëndrim Kryeziu kërkon rinumërim të plotë të votave të kandidatëve të PDK-së

    Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për deputet, Qëndrim Kryeziu, ka njoftuar se ka paraqitur ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke kërkuar rinumërimin e plotë të votave të kandidatëve për deputet të kësaj partie.

    Sipas Kryeziut, kërkesa e tij nuk bazohet në pakënaqësi me rezultatin zgjedhor, por në të dhënat e dala nga procesi i deritanishëm i rinumërimit të realizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

    Ai ka bërë të ditur se nga rinumërimi i 185 vendvotimeve, që sipas tij përbëjnë rreth 3.52 për qind të votave të PDK-së, janë evidentuar gabime në numërimin fillestar dhe atij i janë shtuar 589 vota.

    Kryeziu vlerëson se, nëse ky trend do të reflektohej në të gjithë procesin, numri i votave të tij mund të kalonte shifrën prej 22 mijë votash. Për këtë arsye, ai ka kërkuar që të rinumërohen të gjitha votat e kandidatëve të PDK-së që nuk janë përfshirë në procesin e deritanishëm të rinumërimit.

    “Vetëm një verifikim i plotë mund të garantojë që mandati parlamentar t’i takojë kandidatit që ka fituar besimin e qytetarëve dhe që çdo votë të numërohet saktë”, ka theksuar ai.

    Kandidati i PDK-së ka kërkuar nga PZAP që ankesa e tij të shqyrtohet në mënyrë të paanshme, duke theksuar se integriteti i procesit zgjedhor dhe respektimi i vullnetit të qytetarëve duhet të jenë prioritet.

    Ai gjithashtu ka rikujtuar se edhe në proceset e mëparshme zgjedhore, sipas tij, pas rinumërimeve i janë shtuar vota në komuna të ndryshme, duke ngritur dyshime për pasaktësi në numërim.

    “Më e rëndësishme se shpejtësia e publikimit të rezultatit zgjedhor është saktësia e tij. Çdo votë duhet të numërohet ashtu siç është shprehur vullneti i qytetarëve”, ka deklaruar Kryeziu.

  • Real Madridi nuk heq dorë nga Michael Olise – Bayern Munich Refuzon Çdo Ofertë

    Real Madridi nuk heq dorë nga Michael Olise – Bayern Munich Refuzon Çdo Ofertë

    Real Madrid CF vazhdon të jetë i interesuar për transferimin e sulmuesit të krahut të Bayern Munich, Michael Olise, gjatë kësaj vere, pavarësisht refuzimit fillestar nga klubi gjerman.

    Sipas raportimeve të ESPN, Real Madridi është në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e lojtarit, pasi po shqyrton seriozisht mundësinë për ta sjellë në “Santiago Bernabéu”. Edhe pse klubi spanjoll ka bërë disa shpenzime gjatë verës dhe planifikon të përforcohet edhe në mbrojtje dhe mesfushë, ai nuk e përjashton transferimin e një sulmuesi të nivelit të lartë.

    Më herët është raportuar se Olise është një nga objektivat kryesorë të presidentit të Florentino Pérez, i cili e dëshiron me çdo kusht lojtarin në skuadrën e tij.

    Nga ana tjetër, Bayern Munich ka mbyllur derën për çdo ofertë, duke deklaruar se lojtari nuk është në shitje, madje sipas disa raportimeve klubi gjerman nuk pranon ta shesë “as për 500 milionë euro”.

    24-vjeçari ka tërhequr interes edhe nga Paris Saint-Germain, por Bayern mbetet i vendosur ta mbajë si një nga lojtarët kryesorë të projektit të tij.

    Pas një sezoni shumë të mirë 2025/26 me Bayernin, Olise ka vazhduar formën e lartë edhe me Kombëtaren e Francës, duke dhënë dy asistime në fitoren 3:1 ndaj Senegalit, duke u konfirmuar si një nga talentet më të spikatur në futbollin evropian.

  • Turqia me 62 gjuajtje nuk shënon gol në dy ndeshje të botërorit – Statistikë e tmerrshme për një kombëtare në Kupën e Botës

    Turqia me 62 gjuajtje nuk shënon gol në dy ndeshje të botërorit – Statistikë e tmerrshme për një kombëtare në Kupën e Botës

    Trajneri i Kombëtares së Turqisë në futboll, Vincenzo Montella, ka deklaruar pas eliminimit nga Kupa e Botës se nuk kishte përjetuar kurrë diçka të tillë në karrierën e tij.

    “Në 35 vjet karrierë nuk kisha parë kurrë një gjë të tillë”, u shpreh Montella pas humbjes 1:0 ndaj Kombëtares së Paraguajit në futboll, rezultat që vulosi eliminimin e Turqisë nga turneu. Për më tepër, Turqia nuk arriti të shënojë asnjë gol në dy ndeshjet e para të Botërorit.

    Statistikat e skuadrës turke janë të jashtëzakonshme, por në mënyrë negative: 62 goditje gjithsej në dy ndeshje, nga të cilat 7 me kokë, 17 me këmbën e majtë dhe 38 me të djathtën, por pa arritur asnjë gol të vetëm.

    Në detaje, në ndeshjen ndaj Paraguajit, Turqia regjistroi 32 goditje, vetëm 5 prej tyre në kuadratin e portës. Ndërsa ndaj Australisë, pati 30 goditje, nga të cilat 8 në portë.

    “Bëmë 65 goditje në dy ndeshje dhe nuk shënuam asnjë gol. Një gjë e tillë ndodh shumë rrallë, ndoshta një herë në 50 ndeshje. Fati nuk ishte në anën tonë”, deklaroi Montella.

    Edhe një nga lojtarët kryesorë të ekipit, Arda Güler, kërkoi falje për tifozët:
    “Duam të kërkojmë ndjesë, na vjen turp. Në 180 minuta nuk shënuam asnjë gol, është e papranueshme.”

    Kështu, Turqia largohet Kupa e Botë nga me një nga statistikat më të tmerrshme  në historinë e saj në Kupën e Botës.

  • Dua Lipa publikon për herë të parë fotografitë nga dasma përrallore me Callum Turner

    Dua Lipa publikon për herë të parë fotografitë nga dasma përrallore me Callum Turner

    Artistja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka ndarë për herë të parë me ndjekësit fotografi nga dasma e saj madhështore me aktorin Callum Turner.

    Këngëtarja dhe partneri i saj i dhanë fund beqarisë në një ceremoni intime në Londër, përpara se të festonin dashurinë e tyre me një dasmë luksoze treditore në Sicili, e cila mblodhi pranë tyre familjarë, miq të ngushtë dhe shumë emra të njohur.

    Deri më tani, detajet e ceremonisë ishin mbajtur larg syrit të publikut, por Dua ka vendosur të zbulojë disa nga momentet më të bukura të kësaj ngjarjeje të veçantë. Në fotografitë e publikuara në rrjetet sociale, artistja shfaqet për herë të parë me vellon e bardhë, duke mahnitur fansat me elegancën dhe paraqitjen e saj.

    Në një sërë imazhesh romantike, Dua dhe Callum Turner shihen duke pozuar pranë njëri-tjetrit, duke shkëmbyer vështrime plot dashuri dhe momente të ëmbla para kamerës.

    Çifti dukej më i lumtur se kurrë, ndërsa fotografitë pasqyronin atmosferën magjike të festës së tyre.

  • 74 fshikullima me kamxhik për një këngë: Këngëtarja iraniane dënohet për koncertin virtual

    74 fshikullima me kamxhik për një këngë: Këngëtarja iraniane dënohet për koncertin virtual

    Autoritetet iraniane e kanë dënuar këngëtaren Parastoo Ahmadi me 74 goditje me kamxhik, për shkak të interpretimit të një kënge në një video në YouTube, që ka marrë 2.9 milionë shikime gjatë dy vjetëve të fundit.

    Ahmadi ka kënduar një këngë të njohur patriotike, të titulluar “Gjaku i Rinisë”, në një skenë të zbrazur teatrore, më 2024, me ndihmën e tetë muzikantëve dhe ekipit teknik. Edhe ata janë dënuar me fshikullima, me ndalesë të udhëtimit dhe me ndalim të çdo “aktiviteti artistik” për dy vjet.

    Ahmadi është akuzuar për “ofendim të moralit publik”, pasi ka performuar pa hixhab – shaminë e kokës që është e detyrueshme sipas rregullave të të ashtuquajturës “polici e moralit” e Iranit.

    Storie nga REL:

  • Sot është përvjetori i ditëlindjes së heroit Ilir Konushevci

    Sot është përvjetori i ditëlindjes së heroit Ilir Konushevci

    Sot shënohet përvjetori i lindjes i heroit kombëtar Ilir Konushevci.

    Ilir Konushevci i lindur në 20 qershor të vitit 1969 ra dëshmor me 09 maj të vitit 1998 duke lënë gjurmë në radhët e UÇK-së ku shkroi rreshta të pashlyer në historinë kombëtare, ishte ndër themeluesit e UÇK-së në Llap dhe është njëri ndër themeluesit dhe mbështetësit e sektorit të logjistikës për UÇK-në.

    Konushevci mbetet një emër i lidhur ngushtë me historinë e luftës çlirimtare dhe sakrificën për lirinë e Kosovës.

    Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci bëri homazhe në nderim të jetës dhe veprës së tij në Kazermën “Adem Jashari”.

    “Heronjtë nuk vdesin kurrë. Ata kanë vetëm ditëlindje. Lavdi e përjetshme Heroit të Kombit, Ilir Konushevci!”, ka shkruar Maqedonci.

  • Policia e Kosovës shqiptoi 1,880 gjoba trafiku brenda 24 orëve, regjistrohen 71 aksidente

    Policia e Kosovës shqiptoi 1,880 gjoba trafiku brenda 24 orëve, regjistrohen 71 aksidente

    Policia e Kosovës ka publikuar statistikat e përgjithshme nga raporti 24-orësh, sipas të cilit gjatë një dite janë regjistruar 71 aksidente trafiku në të gjithë vendin.

    Sipas të dhënave zyrtare, 26 aksidente kanë përfunduar me persona të lënduar, ndërsa 45 të tjera kanë shkaktuar vetëm dëme materiale. Gjatë kësaj periudhe nuk është raportuar asnjë aksident trafiku me fatalitet.

    Në kuadër të aktiviteteve për sigurinë në komunikacion, Policia e Kosovës ka shqiptuar gjithsej 1,880 tiketa trafiku për shkelësit e rregullave në komunikacion.

    Raporti po ashtu tregon se gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar 20 persona për vepra të ndryshme penale. Prej tyre, 13 persona janë dërguar në mbajtje, ndërsa tre të tjerë janë dërguar për vuajtje të dënimit.

    Policia ka bërë thirrje për kujdes të shtuar në trafik dhe respektim të rregullave të komunikacionit, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe rritjes së sigurisë në rrugë.

  • Kosova humb ndaj Kombëtares së Maqedonisë së Veriut në nisje të Ligës Evropiane të CEV-it

    Kosova humb ndaj Kombëtares së Maqedonisë së Veriut në nisje të Ligës Evropiane të CEV-it

    Kombëtarja e Kosovës në volejboll për meshkuj e ka nisur me humbje turneun e Ligës Evropiane të Volejbollit të CEV-it, pasi u mposht nga Kombëtarja e Maqedonisë së Veriut në volejboll për meshkuj me rezultat 3:0 në sete (25:12, 25:19, 27:25).

    Ndeshja e zhvilluar të premten mbrëma në Prishtinë nisi me dominim të plotë të mysafirëve, të cilët e fituan setin e parë bindshëm 25:12. Edhe në setin e dytë, Maqedonia e Veriut vazhdoi me ritëm të lartë dhe e mbylli me 25:19, duke kaluar në epërsi 2:0 në sete.

    Në setin e tretë, Kombëtarja e Kosovës në volejboll për meshkuj tregoi lojë më të mirë dhe u rikthye në lojë, duke zhvilluar një set të baraspeshuar deri në pikët e fundit. Megjithatë, në fund, Kombëtarja e Maqedonisë së Veriut në volejboll për meshkuj fitoi edhe këtë set me rezultat të ngushtë 27:25 dhe e mbylli ndeshjen me fitore 3:0.

    Pavarësisht humbjes, paraqitja e Kosovës në setin e tretë u vlerësua si pozitive, duke treguar reagim dhe përmirësim në lojë.

    Kombëtarja e Kosovës në volejboll për meshkuj do ta zhvillojë ndeshjen e radhës të dielën kundër Kombëtares së Izraelit në volejboll për meshkuj, në takimin e fundit të turneut të Ligës Evropiane të CEV-it që po zhvillohet në Prishtinë, me synimin për një paraqitje më të mirë dhe rezultat pozitiv para tifozëve vendas.

  • Digjet resorti i famshëm në Republikën Domenikane, evakuohen 1700 pushues

    Digjet resorti i famshëm në Republikën Domenikane, evakuohen 1700 pushues

    Një zjarr i fuqishëm përfshiu një resort luksoz bregdetar në Republikën Domenikane, duke shkaktuar vdekjen e një turisteje italiane dhe evakuimin e rreth 1700 mysafirëve.

    Sipas autoriteteve lokale të emergjencës, viktima është një grua 46-vjeçare nga Italia. Tre persona të tjerë u dërguan për trajtim në spital, ndërsa gjashtë morën ndihmë mjekësore në vendngjarje.

    Flakët shpërthyen në orët e para të mëngjesit në resortin Viva Wyndham Dominicus Beach në Bayahibe.

    Pamjet ajrore treguan disa ndërtesa të përfshira nga zjarri dhe re të dendura tymi që mbuluan zonën turistike, shkruan BBC.

  • Algjeria ankohet në FIFA për arbitrimin e ndeshjes ndaj Argjentinës

    Algjeria ankohet në FIFA për arbitrimin e ndeshjes ndaj Argjentinës

    Federata Algjeriane e Futbollit ka paraqitur një ankesë zyrtare në FIFA lidhur me arbitrimin e ndeshjes së raundit të parë të Kupës së Botës kundër Argjentinës.

    Argjentina fitoi bindshëm me rezultatin 3:0, falë tre golave të shënuar nga Lionel Messi, por algjerianët besojnë se vendimet e gjyqtarit polak Szymon Marciniak ndikuan ndjeshëm në rrjedhën e takimit.

    Sipas ankesës, incidenti i parë ndodhi në minutën e 31-të, kur Messi ndërhyri ashpër ndaj mbrojtësit algjerian Aissa Mandi pas një dueli për topin. Futbollistët algjerianë kërkuan karton të kuq të drejtpërdrejtë për yllin argjentinas, duke argumentuar se ndërhyrja ishte e rrezikshme dhe e dënueshme me përjashtim. Megjithatë, Marciniak vendosi të mos e ndëshkojë me karton të kuq, ndërsa as dhoma e VAR-it nuk rekomandoi rishikim të vendimit.

    Incidenti i dytë, sipas algjerianëve, ndodhi në minutën e 74-të, kur Alexis Mac Allister goditi me bërryl në kokë mesfushorin Ibrahim Maza. Edhe në këtë rast nuk u dha karton i kuq, gjë që ka shkaktuar pakënaqësi të madhe në kampin algjerian.

    Në letrën drejtuar FIFA-s, Federata Algjeriane kërkon sqarime se përse zyrtarët e VAR-it nuk ndërhynë në asnjërën prej këtyre situatave, duke theksuar se rastet që mund të ndëshkohen me karton të kuq të drejtpërdrejtë duhet të verifikohen detyrimisht nga sistemi VAR.

    Algjerianët janë të bindur se përjashtimi i mundshëm i dy futbollistëve argjentinas do të kishte ndikuar ndjeshëm në zhvillimin e ndeshjes dhe tani presin një përgjigje zyrtare nga FIFA lidhur me ankesën e tyre.