ATV

Blog

  • Lamallari paralajmëron shpallje të tjera “non grata”

    Lamallari paralajmëron shpallje të tjera “non grata”

    Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Besfort Lamallari, ka paralajmëruar se qeveria shqiptare mund të shpallë persona të tjerë “non grata”, nëse vlerësohet se përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare.

    Në një intervistë për “Euronews Albania” të shtunën, Lamallari ka thënë se në tryezën e tij mbërrijnë vazhdimisht kërkesa nga agjencitë e zbatimit të ligjit dhe se institucionet do të vazhdojnë të veprojnë pa u ndikuar nga presioni publik apo debatet politike.

    “Çdo javë kam në tryezën time me dhjetëra kërkesa që vijnë nga agjencitë e zbatimit të ligjit. Kjo është një punë dinamike që vijon ditë pas dite”, ka thënë Lamallari.

    Ai theksoi se personat që mund të përballen me masa të tilla mund të jenë të përfshirë në krim të organizuar, krime të rënda, mashtrime apo veprime që, sipas autoriteteve, cenojnë sigurinë e vendit.

    Ministri shtoi se pjesëmarrja e këtyre personave në protesta apo aktivitete publike nuk do të ndikojë në vendimmarrjen e institucioneve.

    “Nuk do të stepemi. Detyra jonë është të zbatojmë ligjin pikë për pikë dhe të mbrojmë qytetarët shqiptarë, pa u ndikuar nga presioni publik apo gjykimet e ndryshme”, deklaroi ai.

    Dy ditë më parë, Ministria e Brendshme e Shqipërisë shpalli “person të padëshiruar” për 15 vjet teologen nga Kosova, Igballe Huduti.

    Huduti kishte marrë pjesë në protestat që po mbahen kundër ndërtimit të resortit luksoz në Zvërnec, ndërsa autoritetet shqiptare e kanë akuzuar se ajo është e infiltruar nga Irani.

    Protestat që nisën si kundërshtim ndaj ndërtimit të një resorti luksoz në Zvërnec të Vlorës gati një muaj më parë, me kalimin e ditëve janë shndërruar në protesta me kërkesa politike, përfshirë edhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

  • ‘‘Këto janë ditët e mia të fundit si president’’, Vuçiq paralajmëron dorëheqjen dhe pjesëmarrjen në zgjedhje të reja

    ‘‘Këto janë ditët e mia të fundit si president’’, Vuçiq paralajmëron dorëheqjen dhe pjesëmarrjen në zgjedhje të reja

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar largimin nga posti i presidentit, dhe, pjesëmarrjen në zgjedhjet e reja atje.

    Ai ka deklaruar se do të propozojë që lista me të cilën do të garojë në zgjedhjet e ardhshme të quhet “Serbia e Bashkuar”, raporton Danas.

    “Ky është slogani më i bukur që mund të kemi”, tha Vuçiq.

    Në tubimin e mbajtur para Kuvendit Popullor, ai u tha qytetarëve se të hënën do të prezantojë një plan të ri dhe se pensionistët do të jenë shumë të kënaqur me masat e reja.

    “Do të ketë një rritje të madhe të pensioneve edhe para janarit, pra llogarisim në nëntor dhe dhjetor, që këtë vit. Madje edhe para kësaj do të ketë diçka që do t’ju gëzojë shumë”, tha Vuçiq në tubimin “Serbia, një familje”, duke theksuar se kjo është hera e fundit që u drejtohet qytetarëve në këtë numër si president i Republikës.

    Ai shtoi se do të qëndrojë edhe disa javë në postin e presidentit dhe më pas do të japë dorëheqje.

    “Këto janë ditët dhe javët e mia të fundit si president i Republikës. Ju jam pafundësisht mirënjohës për mbështetjen dhe dashurinë tuaj, sepse pa ju nuk do të kisha mundur të bëja asgjë. Ju falënderoj që i kuptuat edhe vendimet e vështira që na është dashur t’i marrim”, tha presidenti serb.

  • Oleksandr Usyk heq dorë nga titujt botërorë, por jo nga boksi: “Kam ende vallëzimin tim të fundit”

    Oleksandr Usyk heq dorë nga titujt botërorë, por jo nga boksi: “Kam ende vallëzimin tim të fundit”

    Kampioni botëror i peshave të rënda, Oleksandr Usyk, ka njoftuar se do të heqë dorë nga titujt e kampionit që mban aktualisht, megjithëse do të vazhdojë karrierën në boksin profesionist.

    Boksieri ukrainas 39-vjeçar, i cili mbetet i pamposhtur, theksoi se nuk po mendon të tërhiqet nga sporti, por se vendimi për të liruar titujt është marrë me kujdes dhe synon të hapë mundësi të reja në fazën e fundit të karrierës së tij.

    Në një videomesazh të publikuar në platformën X, Usyk njoftoi se do të heqë dorë nga rripat e kampionit.

    “Është një ditë e mirë për të thënë se dua të heq dorë nga të gjithë rripat që mbaj aktualisht. Dua t’i vë ato në dispozicion, në mënyrë që boksierët e tjerë të kenë mundësinë të luftojnë për ta. Miq, po heq dorë nga rripat, por jo nga sporti, sepse kam ende vallëzimin tim të fundit”, tha Usyk.

    Së bashku me njoftimin, ukrainasi theksoi se beson se ky vendim do t’i hapë një kapitull të ri në karrierën e tij.

    “Ky është një vendim i menduar mirë, për të cilin jam i bindur se do të më hapë mundësi të reja. Ky nuk është fundi i historisë. Vazhdimi është përpara nesh”, u shpreh ai.

    Lëvizja e Usyk mund të krijojë mundësi për përballje të reja të mëdha në divizionin e peshave të rënda dhe t’u hapë rrugë boksierëve të tjerë për të luftuar për titujt botërorë. Ndërkohë, vetë Usyk synon që pjesën e fundit të karrierës ta zhvillojë në Shtetet e Bashkuara, ku dëshiron ta mbyllë historinë e tij në boks.

    Gjatë karrierës së tij, Usyk dominoi fillimisht divizionin cruiserweight, ku u bë kampion bote dhe më pas kampion i padiskutueshëm, përpara se të kalonte në peshat e rënda. Edhe në këtë kategori ai vazhdoi sukseset, duke u ngjitur në majën e boksit botëror dhe duke u konfirmuar si një nga boksierët më të mirë të brezit të tij.

  • Gara: Serbia vazhdon të bllokojë zbardhjen e fatit të të zhdukurve, në Batajnicë dyshohet edhe për 58 viktima

    Gara: Serbia vazhdon të bllokojë zbardhjen e fatit të të zhdukurve, në Batajnicë dyshohet edhe për 58 viktima

    Qasja në arkivat e institucioneve të Serbisë dhe vazhdimi i gërmimeve në lokacionet e shënjuara në territorin serb mbeten dy nga kërkesat kryesore të Kosovës për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me forcë gjatë luftës.

    Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, tha në një intervistë për Ekonomia Online se lokacioni i Batajnicës vazhdon të mbetet prioritet, pasi ekzistojnë të dhëna se aty mund të ndodhen mbetjet mortore edhe të të paktën 58 viktimave të tjera.

    Gara tha se pas shumë përpjekjeve për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur të 2 majit, në fillim të këtij viti është mbajtur takimi i parë i Komisionit të Përbashkët, ndërsa më pas edhe një takim tjetër në nivel pune.

    “Pas shumë përpjekjeve në zbatim edhe të deklaratës të datës 2 maj, të Deklaratës për persona të zhdukur, pas shumë përpjekjeve në mënyrë të veçantë nga ana e delegacionit të Kosovës, është shumë e rëndësishme që në fillim të këtij viti, diku më 22 janar, është mbajtur takimi i parë i Komisionit të Përbashkët në kuptim edhe të zyrtarizimit apo inaugurimit të Komisionit si mekanizëm që parashihet në Deklaratën e datës 2 maj. Takimi i radhës, pastaj, takimi po e them në një nivel të punës, pra takimi punues në nivel të zëvendësuesve është mbajtur në muajin prill dhe sigurisht edhe në zbatim të deklaratës apo në adresim të zotimeve që derivojnë nga deklarata e përbashkët, i kemi theksuar në vazhdimësi kërkesat të cilat janë prezantuar gjatë atij takimi. Por edhe në vazhdimësi gjatë të gjitha takimeve dialoguese edhe në nivelin e dialogut në Bruksel, por edhe në nivelet e dialogut apo takimeve në kuadër të mekanizmave të tjerë ekzistues, qoftë i grupit rajonal për persona të zhdukur apo edhe i grupit punues që funksionon nga viti 2004″, tha ai.

    Sipas Garës, Kosova ka paraqitur vazhdimisht kërkesat ndaj Serbisë, duke i konsideruar dy si themelore.

    “Në qoftë se mund të përmbledh janë dy kërkesa kyçe. E para është gjithsesi kërkesa për qasje të plotë në arkivat e institucioneve të Serbisë mbi të gjitha në këtë rast arkivave të ushtrisë jugosllave duke theksuar ose duke e vënë me theks të veçantë apo me prioritet kërkesën e kryetarit të delegacionit të Kosovës, z. Hoti, më 1 qershor 2023 pra diku një muaj pas miratimit të deklaratës, e adresuar për presidentin e Serbisë, po ashtu edhe për BE-në, përmes të cilës kërkohej një qasje e plotë në arkivin e riklasifikuar të brigadës së motorizuar 37 përgjegjëse për krimet e përmasave gjenocidiale të kryera nga Serbia në territorin e Kosovës, në regjionin e Drenicës. Dhe kjo lidhet pikërisht me disa prej gërmimeve apo lokacioneve që ne i kishim të them duke i kryer ose realizuar në këtë zonë e po ashtu lidhej edhe me varret masive në territorin e Serbisë, në regjionin e Rashkës”, tha ai.

    Duke folur për varrezat masive të zbuluara në Serbi, Gara tha se deri tani në regjionin e Rashkës janë konfirmuar dy lokacione të varrezave masive në Rudnicë dhe Kizhevak, ku pas gërmimeve të realizuara ndër vite janë zhvarrosur mbetjet mortore të 61 viktimave të luftës, kryesisht nga masakrat e Rezallës, Qikatovës së Vjetër dhe Zabelit të Ulët.

    Gara ka theksuar se të dhënat e publikuara nga institucionet serbe në vitin 2010 flisnin për rreth 250 viktima të mundshme në varrezat masive në rajonin e Rashkës, çka sipas tij tregon se ekzistojnë ende lokacione të tjera të paadresuara.

    “Tanimë i kemi dy raste të konfirmuara pra fjala është për lokacionin Gurorja në Rudnicë dhe lokacionin në afërsi të ish Minierës në Kizhevak, dhe nga këto dy lokacione pra nga gërmimet që janë realizuar, për një periudhë diku 10 vite për shkak të politizimit të vazhdueshëm ndaj këtij procesi nga pala serbe, pra ka ndodhur kjo vonesa për më shumë se 10 vjet në këto dy lokacione. Kanë ndodhur zhvarrime dhe gjetja e mbetjeve mortore ose kufomave të 61 viktimave të luftës kryesisht nga masakra e Rezallës, masakra e Qikatovës së Vjetër dhe Zabeli i Ulët. Sigurisht që në qoftë se i referohemi të dhënave që në vitin 2010 pra kur ishte rikthyer në agjendë lokacioni i Rashkës, të dhënat që vijnë pikërisht në mediat edhe në Serbi pra deklaratat zyrtare të zyrtarëve të institucioneve të Serbisë si komisioni qeveritar apo edhe prokurorisë për krime lufte, pritej që në këtë lokacion të gjenden sipas të dhënave gjithmonë të vitit 2010 , mbetjet mortore ose kufomat e të diku 250 viktimave. Pra aktualisht ne po flasim për 61 viktima që janë zhvarrosur nga ky regjion”.

    “Pra rrjedhimisht i bie që ka edhe një sërë lokacionesh në këtë zonë ose në këtë hapësirë prandaj edhe ky regjion mbetet gjithsesi me shumë prioritet ose pjesë e agjendës dhe krahas kërkesës për qasje të plotë në arkivat e institucioneve të Serbisë sigurisht mbetet edhe kërkesa për rikthim sa më parë në lokacionet tashmë të shënjuara në territorin e Serbisë. Po themi rikthim në këtë rast po i referohemi lokacioneve të cilat janë iniciuar por me sa duket gërmimet ose vlerësimet nuk kanë përfunduar ende në mënyrë të veçantë lokacione si në regjionin e Rashkës dhe në regjionin e Novi Pazarit apo edhe rikthim apo fillim të gërmimeve në lokacione tashmë të shënjuara për të cilat ende nuk ka pasur asnjë vlerësim deri më tani”, tha ai.

    Duke folur për Batajnicën, Gara ka thënë se, përkundër zhvarrimit të më shumë se 700 viktimave gjatë viteve 2001-2002, analizat e kryera me partnerët ndërkombëtarë dhe pamjet satelitore tregojnë se në këtë zonë mund të ketë ende mbetje mortore të të paktën 58 viktimave të tjera.

    “Kur jemi tek lokacionet, një prej rasteve me prioritet të veçantë që është pjesë e agjendës në vazhdimësi të këtyre viteve të fundit mbetet lokacioni i varrit masiv në Batajnicë. Përkundër gërmimeve të realizuara gjatë viteve 2001-2002 dhe zhvarrimeve të më shumë se 700 viktimave të luftës në Kosovë, në bazë të të gjitha të dhënave të shqyrtuara hollësisht, pra të analizuara bashkë edhe me partnerë ndërkombëtarë që janë pjesë e këtij procesi, në veçanti me komitetin ndërkombëtar të kryqit të kuq, bazuar edhe në pamjet satelitore të cilat i kemi siguruar kemi konkluduar që në këtë zonë, ose në këtë lokacion  apo në këtë hapësirë, pra në Batajnicë vazhdon të jetë edhe varri masiv me mbetjet mortore të them minimumi ose të paktën 58 viktimave. Po e përdor gjithmonë me kujdes këtë shprehje minimumi ose të paktën ose shprehjet si rezultati, për shkak të familjarëtve, megjithatë këto janë statistika të cilat ne i kemi prezantuar edhe gjatë takimeve”, tha ai.

    Ai ka bërë të ditur se pala serbe ka refuzuar pjesëmarrjen në takimin e Grupit Punues për Persona të Zhdukur të planifikuar në Prishtinë gjatë muajit mars, si dhe ka refuzuar mbajtjen e një takimi në nivel ekspertësh mjekoligjorë.

    “Kur jemi te këto dy mekanizma të tjerë, e kemi pas një takim në muajin shkurt në kuadër të grupit rajonal për persona të zhdukur, ndërsa për takim të grupit punues, pra me ndërmjetësim të komitetit ndërkombëtar të Kryqit të Kuq kemi qenë të gatshëm që takimin ta mbajmë në muajin mars në Prishtinë, megjithatë ka qenë pala serbe ajo që ka refuzuar pjesëmarrjen në këtë takim, ashtu siç ka qenë pala serbe ajo që ka refuzuar edhe mundësinë e mbajtjes së takimit në nivel të ekspertëve mjekoligjorë përmes të dy delegacioneve, për të diskutuar edhe planin e punës dhe dinamikën që duhet përcjellë ky proces në terren”, tha ai.

    Gara tha se Kosova do të vazhdojë të mbetet shembull në rajon në trajtimin e informacioneve për personat e zhdukur.

    Sipas tij, gjatë gjashtë muajve të parë të vitit janë trajtuar 14 lokacione, prej të cilave 13 lidhen me procesin e gërmimit në kërkim të personave të zhdukur. Nga këto lokacione janë gjetur mbetje mortore që i përkasin të paktën 10 individëve, ndërsa identifikimi përfundimtar pritet pas analizave të ADN-së.

    “Kur jemi te dinamika në proces,  Kosova edhe gjatë vitit 2026, do të vazhdojë të jetë shembull në rajon dhe më gjerë, në trajtimin e çdo informate që mund të kontribuojë në zgjidhjen e cilitdo rast të personave të zhdukur. Gjatë këtyre gjashtë muajve i kemi të paktën diku 14 lokacione, të cilat janë adresuar në kuptim të gërmimeve vlerësuese, 13 prej të cilave lidhen po e them direkt edhe me procesin e kërkimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur. Sigurisht që jo të gjitha lokacionet kanë rezultuar me gjetje dhe zhvarrosje të mbetjeve mortore. Megjithatë nga këto 13 lokacione, po flasim për të paktën ose minimumin, që janë zhvarrosur ose gjetur mbetje mortore të 10 individëve. Sigurisht që pas të përfundojnë të gjitha procedurat e ekzaminimit nga kolegët e institutit për mjekësisë ligjore dhe të presim pastaj konfirmimet përmes analizës së ADN-së do të përcaktohet numri i individëve ose i viktimave të zhvarrosura.  Dhe sigurisht pastaj që mbetet si hapi i parë, njoftimi i familjeve, gjithmonë në përpjekjen e vazhdueshme institucionale për respektimin e të drejtës elementare të familjeve, për të ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre”, tha ai.

    Ai ka theksuar se në territorin e Kosovës janë adresuar rreth 2.700 lokacione për gërmime vlerësuese, duke e cilësuar procesin si jashtëzakonisht kompleks dhe të ndërlidhur me shqyrtimin e vazhdueshëm të informatave të reja.

    “Ka edhe një sërë lokacionesh të cilat janë duke u trajtuar në vazhdimësi, por mos të harrojmë se në territorin e Republikës së Kosovës kemi diku deri në 2700 lokacione të adresuara në kuptim të gërmimit vlerësues. Pra, i bie, pa dashur asnjëherë që ky proces të interpretohet në terma statistikorë, por i bie për 11 mijë kilometra katror, pothuajse çdo 4 kilometra kemi një lokacion. Që rrjedhimisht çdo informatë që po e pranojmë pashmangshëm mund të ndërlidhet me një lokacion që është trajtuar gjatë viteve paraprak, qoftë nga institucionet e Republikës së Kosovës apo edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë që kanë pasur mandat në këtë proces. Dhe kjo merr pak më shumë kohë në kuptimin e shqyrtimit të të dhënave, bashkë me kolegët e Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe kolegët e Institutit për Mjekësi Ligjore”, tha ai.

    Duke folur për lokacionin e Kozhles në Serbi, Gara ka thënë se procesi po përballet me vonesa të ngjashme me ato që janë regjistruar më herët në Rudnicë dhe Kizhevak.

    “Lokacioni i fundit që është trajtuar ose është bërë përpjekje të trajtohet gjatë këtyre dy viteve të fundit në territorin e Serbisë ka qenë lokacioni në afërsi të deponisë së mbeturinave në Kozhle. Ky lokacion ka qenë shumë sfidues dhe në qoftë se i referohemi ose i shikojmë deklaratat dy vite më parë, me rastin e fillimit të gërmimeve të këtij lokacioni, ndër të tjera i kemi shprehur po them kushtimisht edhe një drojë ose shqetësim. Kërkesa jonë ka qenë që lokacioni në Kozhle të mos jetë një kopje e keqe e lokacioneve ose e përvojave që kemi pasur në Rudnicë të Rashkës që përmenda pesë vite në lokacion, deri në konkretizimin ose lokalizimin e varrit masiv. Apo edhe lokacioni në Kizhevak të Rashkës që po ashtu ka marrë pak a shumë deri në pesë vite. Dhe rrjedhimisht e njëjta histori po e përcjellë lokacionin e Kozhles, si dhe lokacionet të tjera tashmë të shënjuara në territorin e Serbisë”, tha ai.

    Ai tha se gjatë këtij viti ende nuk ka pasur ftesë për vazhdimin e gërmimeve në Kozhle apo në lokacione të tjera prioritare në Serbi.

    “Pra këtë vit ne ende s’kemi  ftesë për të dërguar ekipin e kolegëve të Institutit për Mjekësi Ligjore për të përcjellë gërmimet në këtë lokacion. Apo s’kemi një datë për mundësinë e fillimit apo për mundësinë e vazhdimit të gërmimeve në lokacione të tjera, në mënyrë të veçantë në këtë rast, siç e theksova edhe lokacionin në Batajnicë, meqë është një prej rasteve më prioritare që po adresojmë në vazhdimësi në kërkesat tona. Pra gjithmonë lokacionet në territorin e Serbisë kanë qenë sfidë”, tha ai.

    Gara ka vlerësuar se vetëm presioni më i madh i bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë mund të sjellë rezultate konkrete në këtë proces.

    “Prandaj pak a shumë ka qenë më se e nevojshme dhe jemi në koordinim të vazhdueshëm edhe me partnerët ndërkombëtarë, meqë përvoja ka treguar që vetëm një presion më i madh i bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë mund të ketë, prapë po e përdor me shumë kujdes fjalën, progres ose rezultate në këtë proces. Deri më tani kemi pesë varreza masive në territorin e Serbisë të konfirmuara. Janë tri rastet ose varret e para masive në vitet e para pas luftës, pra në kohën e qeverisë Gjingjiç që lidhej pastaj edhe me një presion nga ish-Tribunali i Hagës, pra po flasim për vitet 2001-2002. Dhe kemi këto dy lokacionet e fundit, pra Rudnicën edhe Kizhevakun, që lokalizimi i varrit masiv është bërë i mundur vetëm me përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare në kuptim edhe të ofrimit të pamjeve satelitore mbi bazën e të cilave pastaj është arritur të saktësohet lokacioni i varrit masiv”, tha ai.

    Sipas Garës, institucionet serbe kishin përmendur qysh në vitet 2000-2001 ekzistencën e një liste me rreth 16 varreza masive në territorin e Serbisë.

    Ai ka thënë se Kosova nuk e ka parë këtë listë dhe se mbetet e paqartë nëse pesë varrezat e konfirmuara deri tani janë pjesë e saj apo jo.

    “Kur jemi te adresimi i lokacioneve të para varreza masive në territorin e Serbisë, pra gjatë vitit 2000 dhe 2001. Në atë kohë qeveria e Serbisë pati themeluar një grup punues në kuadër të Ministrisë së Brendshme për t’i adresuar krimet e luftës. Dhe qysh në atë kohë është potencuar lista prej diku 16 varrezash masive në territorin e Serbisë. Tash ne deri më tani kemi pesë varreza të konfirmuara. Listën nuk e kemi parë, prandaj nuk e dimë nëse këto pesë varreza janë pjesë e asaj liste prej 16. Nëse janë, atëherë kemi edhe 11 varreza masive në territorin e Serbisë. Nëse nuk janë, atëherë kemi edhe 16 varreza masive në territorin e Serbisë. Pra rrjedhimisht ka një sërë lokacionesh që janë pjesë e agjendës. E potencova mundësinë për t’u rikthyer në Batajnicë, për të adresuar një sërë lokacionesh në rajonin e Rashkës dhe rajonin e Novi Pazarit. Deri te lokacione si miniera në Shtavall apo pjesa që lidhet me minierën në afërsi të Borit e deri te lokacionet e tjera si Mashkatica e Surdulica. Të gjitha këto janë pjesë e agjendës në kuptim të adresimit të kërkesave zyrtare në vazhdimësi dhe prezantimit gjatë takimeve me të gjithë partnerët ndërkombëtarë. Prandaj e thashë që janë dy prioritete në këtë rast: qasja në të dhënat në arkiva dhe lejimi i gërmimeve në lokacionet në territorin e Serbisë”, tha ai.

  • Irani fajëson ShBA-në për shkeljen e armëpushimit

    Irani fajëson ShBA-në për shkeljen e armëpushimit

    Garda Revolucionare Islamike e Iranit ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për shkeljen e marrëveshjes së armëpushimit, duke pretenduar se forcat amerikane kryen një sulm ajror ndaj bregdetit iranian.

    Në një deklaratë, Garda Revolucionare tha se SHBA-ja kishte ndërmarrë sulmin “me pretekste të ndryshme”, duke pretenduar se një anije kishte shkelur një rrugë të paautorizuar në Ngushticën e Hormuzit.

    Sipas saj, marina iraniane iu përgjigj sulmit duke goditur pozicione ushtarake amerikane në rajon, megjithëse nuk u dhanë detaje të mëtejshme për objektivat apo pasojat.

    Kreu i Komisionit për Siguri Kombëtare në Parlamentin iranian, Ebrahim Azizi, deklaroi se sulmet amerikane dëshmojnë se presidenti Donald Trump “nuk kishte asnjë angazhim ndaj parimeve të negociatave ose të një armëpushimi”.

    “Kjo shkelje e pamatur e armëpushimit, si gjithmonë, do të çojë në tërheqje dhe keqardhje nga ana e tyre. Loja e fajësimit nuk funksionon më”, shkroi Azizi në rrjetet sociale.

    Të premten, ushtria amerikane kreu sulme ndaj objektivave iraniane, pasi presidenti Donald Trump akuzoi Iranin për “shkelje të pamend” të armëpushimit, pas një sulmi ndaj një anijeje tregtare në Ngushticën e Hormuzit.

    Washingtoni dhe Teherani kishin arritur më herët një marrëveshje të përkohshme për armëpushim me qëllim garantimin e sigurisë së transportit detar në Ngushticën e Hormuzit. Megjithatë, të dyja palët kanë shkëmbyer akuza për kontrollin e kësaj rruge strategjike ujore.

    Sipas memorandumit të mirëkuptimit, SHBA-ja do të hiqte bllokadën detare ndaj Iranit, ndërsa Teherani do të rihapte Ngushticën e Hormuzit dhe do të riafirmonte se nuk do të zhvillonte apo siguronte armë bërthamore. Dokumenti parashikon gjithashtu një afat prej 60 ditësh për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

  • Ousmane Dembélé pranë një rekordi të paprecedentë, mund të hyjë në histori si i pari që e arrin dy herë “trilogjinë e artë”

    Ousmane Dembélé pranë një rekordi të paprecedentë, mund të hyjë në histori si i pari që e arrin dy herë “trilogjinë e artë”

    Sulmuesi francez Ousmane Dembélé ka mundësinë të shkruajë historinë e futbollit botëror në vitet e ardhshme, duke synuar një arritje që askush nuk e ka realizuar më parë.

    Deri më sot, vetëm disa legjenda të futbollit kanë fituar tre trofetë më prestigjiozë të këtij sporti: Topin e Artë, Kupën e Botës dhe Ligën e Kampionëve. Në këtë grup bëjnë pjesë emra si Zinedine Zidane, Lionel Messi, Bobby Charlton, Ronaldinho, Kaká, Rivaldo, Gerd Müller, Franz Beckenbauer dhe Paolo Rossi.

    Dembélé tashmë është pjesë e këtij grupi elitar, por ai mund të vendosë një rekord unik. Nëse Franca fiton Kupën e Botës 2026 dhe ai shpallet sërish fitues i Topit të Artë pas një tjetër sezoni të jashtëzakonshëm, francezi do të bëhej futbollisti i parë në histori që e kompleton dy herë këtë “trilogji të artë”.

    Sulmuesi francez e ka fituar tashmë dy herë Ligën e Kampionëve dhe Franca konsiderohet një nga favoritët kryesorë për të triumfuar në Botërorin 2026. Ndërkohë, pas një sezoni të shkëlqyer në nivel klubesh, Dembélé renditet mes kandidatëve kryesorë për ta fituar edhe një herë Topin e Artë.

    Pozitat e tij u forcuan edhe më shumë pas paraqitjes spektakolare ndaj Norvegjisë, ku realizoi tre gola, duke rritur ndjeshëm shanset për të fituar çmimin individual më prestigjioz në futboll.

    Nëse arrin t’i realizojë këto objektiva, Ousmane Dembélé do të hyjë në histori si futbollisti i parë që fiton dy herë kombinimin unik të Ligës së Kampionëve, Kupës së Botës dhe Topit të Artë.

  • Sot zhvillohen gjashtë ndeshje të tjera në Kupën e Botës 2026

    Sot zhvillohen gjashtë ndeshje të tjera në Kupën e Botës 2026

    Kupa e Botës 2026 vazhdon sot me gjashtë ndeshje të vlefshme për raundin e tretë të fazës së grupeve, ku disa kombëtare do të luftojnë për një vend në fazën me eliminim direkt.

    Në Grupin L, Kroacia do të përballet me Ganën, ndërsa Anglia do të masë forcat me Panamanë në një sfidë ku synon të sigurojë vendin e parë në grup.

    Në Grupin K, Kolumbia do të luajë ndaj Portugalisë në një nga ndeshjet më interesante të ditës, ndërsa Republika Demokratike e Kongos do të përballet me Uzbekistanin.

    Ndërkohë, në Grupin J, Algjeria do të sfidojë Austrinë, ndërsa vëmendja më e madhe pritet të jetë te përballja mes Jordanisë dhe Argjentinës, me kampionët e botës që synojnë ta mbyllin me sukses fazën e grupeve.

  • Mehdi Taremi shpërthen ndaj FIFA-së: Nëse duan të eliminohemi, le të eliminohemi

    Mehdi Taremi shpërthen ndaj FIFA-së: Nëse duan të eliminohemi, le të eliminohemi

    Kapiteni i Iranit, Mehdi Taremi, ka shprehur pakënaqësinë e tij për kushtet në të cilat përfaqësuesja iraniane po merr pjesë në Kupën e Botës 2026, duke vënë në pikëpyetje nëse skuadra e tij është vërtet e mirëpritur në turne.

    Irani barazoi 1:1 me Egjiptin në ndeshjen e tretë të fazës së grupeve, ndërsa pika e fituar mund të rezultojë e mjaftueshme për kualifikimin në fazën me eliminim direkt. Taremi humbi një penallti në pjesën e parë dhe goditi traversën, ndërsa në fund të ndeshjes një gol i Iranit, që do t’i siguronte kualifikimin, u anulua për pozitë jashtë loje.

    Megjithatë, pas ndeshjes, sulmuesi iranian u ndal më shumë te problemet jashtë fushës. Ai kritikoi ashpër organizimin e turneut, duke e cilësuar situatën si një “katastrofë” logjistike.

    Sipas Taremit, kufizimet në udhëtim dhe fakti që skuadra është e vendosur në Meksikë, ndërsa të gjitha ndeshjet i zhvillon në Shtetet e Bashkuara, kanë krijuar vështirësi të mëdha për ekipin.

    “FIFA duhet t’i zgjidhë këto probleme. Fatkeqësisht, nuk ka arritur ta bëjë këtë që nga fillimi i turneut”, deklaroi Taremi.

    Ai zbuloi gjithashtu se presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, kishte vizituar zhveshtoren e Iranit pas ndeshjes së parë dhe kishte premtuar se situata do të përmirësohej.

    “Na tha se ky ishte vetëm fillimi. Por tani faza e grupeve po përfundon dhe stafi ynë i logjistikës ende nuk është këtu. Pse duhet të udhëtojmë vazhdimisht drejt Tijuana? Ne i duam njerëzit e Meksikës dhe të Tijuanës, por si futbollistë profesionistë, në një kompeticion të këtij niveli, kjo nuk është e drejtë”, u shpreh kapiteni iranian.

    Në fund, Taremi la të kuptohej se ndihet sikur Irani nuk është i mirëpritur në këtë Kupë Bote.

    “Kush dëshiron të na ndihmojë? Kush? Nëse duan që ne të eliminohemi, në rregull, le të eliminohemi dhe të largohemi. Por kjo nuk është e drejtë”, përfundoi ai.

  • Goditje e rëndë për Spanjën, Yeremy Pino humbet pjesën e mbetur të Kupës së Botës

    Goditje e rëndë për Spanjën, Yeremy Pino humbet pjesën e mbetur të Kupës së Botës

    Mesfushori me tipare sulmuese i Spanjës, Yeremy Pino, ka pësuar një dëmtim të rëndë në ndeshjen ndaj Uruguait në raundin e tretë të fazës së grupeve, duke i dhënë fund, me shumë gjasa, aventurës së tij në Kupën e Botës 2026.

    Sipas gazetës Marca, Pino ka pësuar një frakturë të klavikulës gjatë fitores 1-0 të Spanjës ndaj Uruguait, një takim i karakterizuar nga duele të forta fizike. Anësori spanjoll u aktivizua si zëvendësues, por u dëmtua pas një rrëzimi të rëndë. Ai u pa gjithashtu duke u larguar nga stadiumi me krahun e imobilizuar.

    Problemet për përzgjedhësin Luis de la Fuente nuk mbarojnë me kaq. Edhe anësori Nico Williams raportohet se ka pësuar një dëmtim muskulor, i cili vë në pikëpyetje pjesëmarrjen e tij në pjesën e mbetur të turneut.

    Kjo situatë e lë Spanjën me mungesa të shumta në repartin ofensiv, pasi edhe Victor Muñoz vazhdon të vuajë nga probleme fizike, duke i kufizuar alternativat e Luis de la Fuente në krahun e majtë.

  • Marcelo Bielsa shpërthen ndaj gazetarit pas eliminimit të Uruguait: “Vazhdo me punë që tani!”

    Marcelo Bielsa shpërthen ndaj gazetarit pas eliminimit të Uruguait: “Vazhdo me punë që tani!”

    Trajneri i Uruguait, Marcelo Bielsa, reagoi me nervozizëm pas humbjes 1-0 ndaj Spanjës, rezultat që vulosi eliminimin e skuadrës së tij nga Kupa e Botës.

    Uruguai e mbylli fazën e grupeve në vendin e tretë me vetëm dy pikë, duke mos arritur të sigurojë kualifikimin për në fazën tjetër të turneut.

    Para nisjes së intervistës për DAZN, gazetari vonoi duke formuluar pyetjen e parë, gjë që e acaroi Bielsën. Duke humbur durimin, strategu argjentinas iu drejtua atij me fjalët: “Vazhdo me punë që tani!”

    Edhe gjatë intervistës, Bielsa u shfaq i tensionuar dhe iu përgjigj shkurt pyetjeve të gazetarit, ndërsa në fund e mbylli bisedën me një “S’ka problem” të thënë me ironi.

    Momenti u transmetua drejtpërdrejt nga DAZN dhe tërhoqi menjëherë vëmendjen e publikut. Duke komentuar situatën në studio, prezantuesja pranoi se nuk do të dëshironte të ishte në vendin e gazetarit, i cili u përball me zemërimin e trajnerit argjentinas pas eliminimit të Uruguait.