ATV

Blog

  • Laura Fazliu rrëmben medaljen e bronztë në Grand Prix të xhudos në Kinë

    Laura Fazliu rrëmben medaljen e bronztë në Grand Prix të xhudos në Kinë

    Xhudistja Laura Fazliu ka arritur që të siguroj medaljen e bronztë në Grand Prix e xhudos e cila po mbahet në Qingdao të Kinës.

    Në garën deri në 63 kg Fazliu mposhti bjellorusen Yana Makretskaya,dhe atë duke fituar me ëazari.

    Deri tek medalja e bronztë Fazliu në luftën e parë mposhti gjermanen Sara Joy Bauer,teksa në luftën e dytë fitoi me Ippon ndaj turkes Ozlem Yildiz.

    Në cerekfinale Fazliu pati një luftë të fortë ndaj japonezes Narumi Tanioka,ku në fund xhudistja humbi me Yuko pas 7 minuta e 44 sekondash luftë.

    Më pas Laura në repesazh arriti të mposhtë italianen Thauany Capanni Dias,e më pas arriti të fitoj ndaj bjelloruses Makretskaya.

    Kjo ishte medalja e dytë e fituar këtë vit pas asaj në Grand Prix që u mbajt në Austri ku fitoi të argjendtën,teksa fiti pikët e para olimpike për Lojërat Olimpike në Los Angeles në vitin 2028.

  • Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë në Qingdao Grand Prix

    Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë në Qingdao Grand Prix

    Xhudistja kosovare Laura Fazliu ka fituar medaljen e bronztë në turneun prestigjioz Qingdao Grand Prix 2026, të zhvilluar në Kinë, duke zhvilluar një paraqitje mbresëlënëse gjatë gjithë garës.

    Laura e nisi garën me fitore bindëse ndaj gjermanes Sara-Joy Bauer, të cilën e mposhti me tre Yuko. Në raundin e dytë, ajo vazhdoi formën e shkëlqyer duke triumfuar me Ippon ndaj turkes Ozlem Yildiz.

    Në gjysmëfinale, xhudistja kosovare u ndal nga japonezja Narumi Tanioka, e cila fitoi me Yuko, duke ia mohuar Fazliut mundësinë për të luftuar për medaljen e artë.

    Megjithatë, Laura reagoi në mënyrën më të mirë të mundshme. Në repasazh, ajo mposhti italianen Thauany David Capanni Dias me Yuko, duke siguruar finalen për medaljen e bronztë.

    Në duelin vendimtar, Fazliu tregoi edhe një herë cilësinë e saj, duke triumfuar me Waza-ari ndaj bjelloruses Yana Makretskaya dhe duke e mbyllur turneun me medaljen e bronztë.

    Ky është një tjetër sukses i rëndësishëm për Laurën dhe xhudon kosovare në arenën ndërkombëtare, duke konfirmuar edhe një herë se Kosova vazhdon të jetë ndër fuqitë kryesore të këtij sporti.

  • Temperatura të larta, IHMK apelon për kujdes gjatë orëve të pikut

    Temperatura të larta, IHMK apelon për kujdes gjatë orëve të pikut

    Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se gjatë fundjavës vendi ynë do të mbetet nën ndikimin e masave ajrore relativisht të qëndrueshme, të cilat do të kushtëzojnë mot kryesisht me diell dhe vranësira të pakta deri mesatare.

    IHMK njofton se kushtet meteorologjike do të jenë përgjithësisht të favorshme për aktivitetet në natyrë, bujqësi dhe transport.

    Për të shtunën moti do të jetë kryesisht me diell dhe me vranësira të shpërndara.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10 dhe 13°C, ndërsa ato maksimale do të arrijnë 28 deri në 33°C. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i verilindjes dhe veriperëndimit me shpejtësi 1–5 m/s.

    Ndërkaq, për të dielën parashihet mot me diell dhe pjesërisht i vranët.

    Temperaturat minimale do të jenë ndërmjet 10 dhe 13°C, ndërsa maksimalet do të arrijnë 28 deri në 32°C.

    Era do të jetë e dobët, me drejtime të ndryshme.

    IHMK njofton Kushtet agrometeorologjike do të jenë shumë të favorshme për zhvillimin e kulturave bujqësore.

    Temperaturat e përshtatshme, moti i thatë dhe orët e gjata me diell krijojnë kushte optimale për pjekjen e drithërave.

    Duke qenë se jemi në prag të fillimit të fushatës së korrje-shirjeve të grurit, kjo fundjavë pritet të jetë veçanërisht e përshtatshme për përgatitjen dhe fillimin e punimeve në arat me drithëra, si dhe për zhvillimin e aktiviteteve të tjera bujqësore, të cilat aktiviteti fillimisht do të nisen nga rrafshi i Dukagjinit ku atje për shkak të kushteve të mira klimatologjike korrjet fillojnë për rreth 10 ditë më herët se në rrafshin e Kosovës.

    Edhe kushtet biometeorologjike do të jenë kryesisht të favorshme për shumicën e popullatës.

    Megjithatë, gjatë orëve të mesditës dhe pasdites, për shkak të rritjes së temperaturave dhe rrezatimit të lartë diellor, rekomandohet shmangia e ekspozimit të panevojshëm në diell, konsumimi i mjaftueshëm i lëngjeve dhe mbrojtja nga rrezet UV, të cilat do të kenë intensitet të lartë. /Telegrafi/

     

  • Mbi 1 mijë e 700 gjoba dhe 48 aksidente në 24 orët e fundit në Kosovë – një me fatalitet

    Mbi 1 mijë e 700 gjoba dhe 48 aksidente në 24 orët e fundit në Kosovë – një me fatalitet

    Mosrespektimi i rregullave të komunikacionit është një ndër arsyet e aksidenteve të shumta që po ndodhin çdo ditë. E një prej mënyrave të zakonshme për parandalimin e këtyre aksidenteve, është gjobitja e atyre që shkelin rregullat në trafik, shkruan Gazeta Sinjali.

    Statistikat tregojnë se mijëra gjoba shqiptohen çdo ditë në vendin tonë.

    Vetëm në 24-orëshin e fundit janë shënuar 1 mijë e 738 gjoba trafiku të shqiptuara nga Policia e Kosovës.

    Siç bëhet e ditur në raportin policor, 27 aksidente trafiku me persona të lënduar, si dhe 20 aksidente me dëme materiale, ndërsa një me fatalitet.

    Sa i përket sigurisë publike, janë arrestuar 18 persona, ndërsa 9 persona janë dërguar në mbajtje.

     

  • Trump kërcënon me tarifa 100% nëse Evropa vendos taksë mbi shërbimet digjitale

    Trump kërcënon me tarifa 100% nëse Evropa vendos taksë mbi shërbimet digjitale

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka kërcënuar se do të vendosë një tarifë prej 100% ndaj importeve nga çdo vend që aplikon taksa mbi shërbimet digjitale të kompanive amerikane.

    Në një postim në rrjetin e tij Truth Social, Trump ka deklaruar se “shumë vende evropiane” kanë diskutuar vendosjen e një takse të tillë, ndërsa disa prej tyre janë afër miratimit të saj.

    Ai ka paralajmëruar se masat ndëshkuese do të hyjnë në fuqi menjëherë dhe do të zëvendësojnë çdo marrëveshje tregtare ekzistuese dypalëshe.

    “Ju lutem, lejoni që kjo deklaratë të shërbejë për të treguar se çdo vend që vendos një taksë të tillë do të përballet menjëherë me një TARIFË 100% për çdo dhe të gjitha mallrat e dërguara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Trump.

    Sipas tij, SHBA-ja ka përdorur vazhdimisht tarifat si mjet presioni për të ndalur politikat që prekin kompanitë amerikane, ndërsa shumë shtete po kërkojnë forma të reja të të ardhurave për shkak të rritjes së ekonomisë digjitale.

    Paralajmërimi i Trump vjen pak para afatit të 4 korrikut, kur ai kërkon që Bashkimi Evropian të fillojë zbatimin e marrëveshjes tregtare me SHBA-në, e cila kufizon shumicën e tarifave mbi eksportet evropiane në 15%.

    BE-ja e ka finalizuar marrëveshjen tregtare me Shtetet e Bashkuara në muajin maj, pas muajsh debatesh të brendshme në bllok, që nisën me një marrëveshje paraprake të arritur më herët nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

  • Zgjedhjet e 7 qershorit, KQZ shpall rezultatet përfundimtare

    Zgjedhjet e 7 qershorit, KQZ shpall rezultatet përfundimtare

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjene sotme ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura më 7 qershor.

    “Me 10 vota për shpallet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të 7 qershorit 2026”, tha kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, pasi u numëruan votat e Komisionit.

    Ai, ka deklaruar se pas këtij vendimi kandidatët kanë të drejtë ankese ndaj shpalljes së rezultatit në afat prej 48 orësh.

    “Pas këtij vendimi, kandidatët kanë të drejtë ankese ndaj shpalljes së rezultatit në afat prej 48 orësh, duke filluar nga ora 12:00 sot, e që përfundon deri në orën 12:00 të hënën”, ka shtuar Radoniqi.

    Radoniqi, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje, më 47.13%, ka fituar 53 ulëse, Partia Demokratike e Kosovës më 19.44%, ka fituar 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës më 16.69% ka fituar 18 ulëse, dhe Aleanca më 6.74% ka fituar shtatë ulëse.

  • Gjermania goditet nga temperatura rekord

    Gjermania goditet nga temperatura rekord

    në tubave spërpatëse të ujit për t’u freskuar gjatë nxehtësisë së verës në Këln, Gjermania perëndimore, më 25 qershor 2026.
    Gjermanët janë përgatitur për mot përvëlues të shtunën, pasi një valë e të nxehtit, e lidhur me dhjetëra vdekje në Evropën Perëndimore, pritet të zhvendoset drejt lindjes, pasi temperaturat thyen rekord duke kaluar mbi 40 gradë Celsius.

    Britania, Franca, Zvicra dhe Gjermania kanë përjetuar temperatura rekord gjatë muajit qershor, ndërsa sistemi i motit mund të vendosë rekorde të tjera teksa kalon nga Gjermania drejt Polonisë.

    Të premten, pranë qytetit Zarbruken, afër kufirit me Francën, u regjistrua një rekord i ri kombëtar prej 41.3 gradë Celsius, tha një zëdhënës i Shërbimit Kombëtar Meteorologjik të Gjermanisë, duke theksuar se matja ishte fillestare.

    Shërbimi meteorologjik lëshoi paralajmërime për nxehtësi ekstreme pothuajse në gjithë Gjermaninë të shtunën, ndërsa autoritetet u kërkuan qytetarëve ta kursejnë ujin.

    Në Francë, dhjetëra persona, të rinj e të moshuar, kanë humbur jetën gjatë valës së të nxehtit.

    Temperaturat mbi 40 gradë Celsius kanë shkaktuar ndërprerje në transportin hekurudhor dhe prodhimin e energjisë elektrike, kanë çuar në ndalimin e konsumit të alkoolit në disa zona, pezullimin e mësimit në shkolla dhe shtyrjen e aktiviteteve në natyrë.

    “Vala e të nxehtit do të arrijë kulmin gjatë fundjavës, me temperatura shumë mbi 40 gradë në disa pjesë të Gjermanisë”, tha Karsten Brandt, meteorolog në faqen e parashikimeve të motit Donnerwetter.de.

    Organizatorët e Kampionatit Evropian Ironman në Frankfurt njoftuan se garat e çiklizmit dhe vrapimit, që zhvillohen të dielën, do të shkurtohen për shkak të temperaturave të larta.

    Përballë rrezikut të dëmtimeve në infrastrukturë, si deformimi i rrugëve dhe zgjerimi i shinave të trenit, disa ofrues të mëdhenj të shërbimeve publike kanë ndërmarrë masa për ta kufizuar trafikun.

    Andre Berghegger, drejtori ekzekutiv i Shoqatës Gjermane të Qyteteve dhe Komunave, u bëri thirrje qytetarëve ta përdorin ujin me kursim për shkak të valës së të nxehtit.

    “Duhet të mbështetemi sa më gjatë të jetë e mundur te bashkëpunimi vullnetar; autoritetet lokale duhet të vendosin ndalime vetëm nëse kjo nuk funksionon”, tha ai për gazetën Neue Osnabrücker Zeitung.

    Parashikohet që temperaturat më ekstreme të fillojnë të bien gjatë fundjavës, ndërsa të dielën priten stuhi të forta.

    Në mbarë Evropën, monumente kulturore janë detyruar të mbyllen, bujqësia ka pësuar dëme dhe disa spitale kanë hasur në vështirësi për ta përballuar fluksin e pacientëve.

    Sipas Reuters Climate Monitor, vala e të nxehtit ka rritur temperaturat deri në 18 gradë mbi mesataren sezonale dhe po nxitet nga një fenomen atmosferik i njohur si “Omega block”.

    Ky model atmosferik bllokon një masë të madhe ajri të nxehtë mbi një rajon për periudha të gjata, ndërsa ajri më i freskët mbetet në skajet e saj.

    Kërkesat për freskuese elektrike është rritur ndjeshëm dhe prodhuesit aziatikë të pajisjeve të ajrit të kondicionuar kanë raportuar për një rritje të madhe të shitjeve në Evropë.

    Shumica e banesave në Evropën Veriore janë ndërtuar për të ruajtur nxehtësinë gjatë dimrit, dhe jo për të mbajtur ambientet të freskëta gjatë verës.

    Organizata Botërore Meteorologjike njoftoi se kjo valë e të nxehtit do të fillojë të zhvendoset në fund të muajit, duke prekur Evropën Qendrore dhe Ballkanin.

    Shkencëtarët thonë se kjo valë e të nxehtit do të kishte qenë praktikisht e pamundur pa ndryshimet klimatike të shkaktuara nga dora e njeriut./REL

  • ShBA-ja e godet Iranin në përgjigje të sulmit të Teheranit ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit

    ShBA-ja e godet Iranin në përgjigje të sulmit të Teheranit ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit

    Ushtria amerikane njoftoi se ka kryer sulme kundër shënjestrave në Iran të premten, në përgjigje të sulmit të Teheranit ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit. Këto zhvillime të reja përbëjnë kërcënim për armëpushimin e brishtë të arritur mes Uashingtonit dhe Teheranit ditë më parë.

    “Forcat e Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM) kryen sulme kundër Iranit më 26 qershor, si përgjigje e fuqishme ndaj sulmit të djeshëm mbi një anije tregtare që po kalonte nëpër Ngushticën e Hormuzit”, tha ushtria amerikane në rrjetet sociale.

    Sulmet ndodhën pak pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u tha gazetarëve: “Do ta zbuloni”, kur u pyet nëse SHBA-ja do t’i përgjigjej sulmeve të raportuara me dronë nga Irani më 25 qershor kundër anijeve të mallrave në ngushticë.

    Në një postim në rrjetet sociale para se të njoftohej për sulmet, Trump shkroi se Irani kishte lëshuar katër dronë kundër anijeve tregtare në ngushticë.

    “Njëri prej dronëve goditi drejtpërdrejt kuvertën e sipërme të një anijeje të madhe dhe shumë të shtrenjtë transporti mallrash. U shkaktuan dëme, por anija ishte në gjendje të vazhdonte rrugën e saj. Ne rrëzuam tre dronët e tjerë”, shkroi Trump.

    Në një postim në X, nënpresidenti amerikan, JD Vance, tha se “dhunës do t’i përgjigjemi me dhunë”.

    “Irani nënshkroi një marrëveshje armëpushimi. Ne e kemi nderuar atë. Nëse kanë mosmarrëveshje për mënyrën se si po zbatohet Memorandumi i Mirëkuptimit (MOU), mund të telefonojnë. Por, dhunës do t’i përgjigjemi me dhunë”, shkroi ai.

    Irani dhe SHBA-ja pritet të rifillojnë negociatat teknike në Zvicër pas nënshkrimit të një memorandumi mirëkuptimi (MOU), i cili synon t’i japë fund luftës në Iran dhe në gjithë Lindjen e Mesme, përfshirë Libanin.

    Armëpushimi vazhdon të jetë i brishtë, ndërsa të gjitha palët po e akuzojnë njëra-tjetrën për shkeljen e tij.

    Mediat shtetërore iraniane thanë se një predhë goditi zonën pranë një moli në Sirik, në jug të Iranit, një rajon që goditet rregullisht nga forcat amerikane.

    Në përgjigje, Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), thanë se marina e tyre ka sulmuar objektiva ushtarake amerikane në rajon, raportuan mediat shtetërore, megjithëse ky informacion nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.

    Ngushtica e Hormuzit ishte bllokuar më herët nga Irani, por ishte rihapur rishtazi pasi Teherani dhe Uashingtoni po përpiqen ta negociojnë një marrëveshje përfundimtare paqeje.

    CENTCOM tha se avionët luftarakë amerikanë goditën depo raketash dhe dronësh iranianë, si dhe stacione radari bregdetare, pasi Teherani goditi më 25 qershor anijen e mallrave M/V Ever Lovely, me flamur të Singaporit, me një dron vetëvrasës.

    “Agresioni i pajustifikuar kundër anijeve tregtare nga forcat iraniane përbënte shkelje të qartë të armëpushimit. Për më tepër, sjellja e rrezikshme e Iranit minoi lirinë e lundrimit, ndërkohë që tregtia po kalon gjithnjë e më shumë përmes këtij korridori jetik të tregtisë ndërkombëtare”, thuhej në deklaratë.

    CENTCOM tha se forcat e saj “vazhdojnë të ofrojnë koordinim për kalim të sigurt dhe mbështetje për anijet tregtare që kalojnë nëpër ngushticë”.

    Një zyrtar i lartë amerikan i tha Radios Evropa e Lirë (REL) se gjashtë avionë amerikanë kryen sulme ndaj katër objektivave brenda Iranit, përfshirë instalime radarësh dhe depo raketash e dronësh në zonën bregdetare të Sirikut.

    Zyrtari tha se objektivat ndodheshin përgjatë bregdetit jugor të Iranit pranë Ngushticës së Hormuzit dhe në ishullin Qeshm.

    Më 26 qershor, Ministria e Jashtme e Iranit paralajmëroi se kalimi i sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit nuk mund të garantohet pa koordinim me Teheranin.

    Liria e lundrimit nëpër ngushticë është bërë një nga çështjet qendrore në përpjekjet për të siguruar një marrëveshje afatgjatë mes SHBA-së dhe Iranit, pasi Teherani e mbylli këtë rrugë ujore pas sulmeve ajrore amerikano-izraelite më herët gjatë këtij viti.

    Para luftës, rreth 20 për qind e furnizimit botëror me naftë dhe gaz kalonte përmes kësaj ngushtice.

    Disa incidente të ngjashme kanë ndodhur edhe më parë gjatë periudhës së armëpushimit, por palët janë zotuar ta ruajnë armëpushimin e përgjithshëm./REL

  • Gjendet pa shenja jete një grua në Prishtinë

    Gjendet pa shenja jete një grua në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se një grua është gjetur pa shenja jete në Prishtinë.

    Rasti ka ndodhur të premten në rrugën “Nazim Gafurri”, të premten.

    “Është raportuar se viktima femër kosovare, është gjetur pa shenja jete nga familjarët. Njësit relevante policore dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes ku është konstatuar vdekja e viktimës”, thuhet në njoftim.

    Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

    Rasti është duke u hetuar. /Telegrafi/

  • Gazi amerikan, OEAK: Zhvillimi i kapaciteteve të reja energjetike vendore duhet të jetë prioritet kombëtar

    Gazi amerikan, OEAK: Zhvillimi i kapaciteteve të reja energjetike vendore duhet të jetë prioritet kombëtar

    Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përmes një komunikate për media thekson se po përcjellë me vëmendje deklaratat e fundit publike të anëtarëve të Kabinetit të Qeverisë në detyrë lidhur me orientimin e politikës energjetike të vendit.

    Oda Amerikane shpreh besimin se prioritetet e paraqitura nuk adresojnë në mënyrë të duhur nevojën e Kosovës për të rritur kapacitetet vendore të prodhimit të energjisë elektrike, zvogëlimin e varësisë nga importet e rrjedhimisht fuqizimin e sigurisë së furnizimit.

    “Çështja thelbësore nuk është nëse Kosova mund të importojë energji elektrike të prodhuar në vendet fqinje. Pyetja strategjike është nëse Kosova duhet të vazhdojë të mbështetet në importin e energjisë elektrike si produkt i gatshëm, apo të investojë në ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese brenda vendit, të cilat forcojnë sigurinë energjetike, konkurrueshmërinë ekonomike dhe pavarësinë strategjike të saj”, thuhet në reagim.

    Oda Amerikane vlerëson se zhvillimi i kapaciteteve të reja vendore duhet të jetë prioritet kombëtar.

    Tutje thuhet se është argumentuar se importimi i energjisë elektrike përmes infrastrukturës ekzistuese transmetuese është zgjidhje më praktike dhe më pak e kushtueshme sesa ndërtimi i infrastrukturës së gazit në Kosovë.

    “Megjithatë, vlerësimi i kësaj çështjeje vetëm mbi bazën e kostos fillestare të infrastrukturës nuk pasqyron përfitimet afatgjata që sjell ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese brenda vendit.

    Çdo megavat i ri i prodhuar në Kosovë rrit sigurinë e furnizimit, zvogëlon varësinë nga tregjet rajonale të energjisë elektrike dhe krijon stabilitet më të madh për ekonominë dhe qytetarët. Vazhdimi i mbështetjes kryesisht në importin e energjisë elektrike e ekspozon Kosovën ndaj luhatjeve të çmimeve dhe rreziqeve të furnizimit, të cilat nuk varen nga vendimmarrja e saj. Kriza energjetike evropiane pas agresionit rus në Ukrainë dëshmoi qartë se shtetet që dispononin kapacitete të mjaftueshme prodhuese vendore ishin shumë më të mbrojtura nga goditjet e tregut”, thuhet në komunikatë.OEAK thekson se kjo është edhe një nga arsyet kryesore pse shumë shtete evropiane kanë investuar dhe vazhdojnë të investojnë në infrastrukturën për LNG, përfshirë LNG-në amerikane.

    “Përtej aspektit ekonomik, këto vendime janë udhëhequr nga objektiva strategjike për diversifikimin e burimeve të furnizimit, zvogëlimin e varësisë nga një numër i kufizuar furnizuesish dhe forcimin e sigurisë kombëtare. Në realitetin e ri gjeopolitik, energjia nuk trajtohet më vetëm si mall tregtar, por si komponentë kyçe e politikës së sigurisë dhe i partneriteteve strategjike. Prandaj, Kosova nuk guxon të mbetet jashtë këtij transformimi.

    Pikërisht për këtë arsye, Oda Amerikane beson fuqishëm se rritja e kapaciteteve vendore të prodhimit duhet të mbetet ndër objektivat kryesore strategjike të Kosovës”.

    Oda amerikane thekson më tej se në këtë kontekst, përfshirja e Kosovës në infrastrukturën rajonale të LNG-së amerikane paraqet rrugën më të shpejtë dhe ekonomikisht më të favorshme për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese.

    “Ndërtimi i interkoneksionit të gazit përmes Maqedonisë së Veriut është identifikuar, përmes studimeve të mbështetura nga Korpusi i Inxhinierëve i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të programit të Korporatës së Sfidave të Mileniumit (MCC), si alternativa më e favorshme ekonomike për furnizimin e Kosovës me gaz natyror.

    Kapacitetet gjeneruese me bazë LNG janë ndër teknologjitë komercialisht të gatshme që mund të ndërtohen brenda një periudhe prej vetëm dy deri në tre vitesh. Për më tepër, projekte të tilla kanë mundësi dukshëm më të mëdha të financohen nga institucionet financiare ndërkombëtare sesa ndërtimi i kapaciteteve të reja me bazë qymyri. Po aq e rëndësishme është të kuptohet se LNG-ja nuk është alternativë ndaj burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Përkundrazi, ajo është teknologjia që mundëson integrimin e një sasie shumë më të madhe të energjisë nga era dhe dielli, duke siguruar fleksibilitetin e nevojshëm për funksionimin e një sistemi modern elektroenergjetik”.

    Sipas OEAK-ut, në anën tjetër, gazifikimi i qymyrit mund të konsiderohet si pjesë e diskutimeve për sigurinë afatgjatë energjetike të vendit, por ai nuk mund të adresojë nevojat urgjente të Kosovës për rritjen e kapaciteteve prodhuese. Një projekt i tillë kërkon kohë dukshëm më të gjatë për realizim, ndërsa mundësia e sigurimit të financimit mbetet e pasigurt, duke pasur parasysh politikat ndërkombëtare për dekarbonizim.

    “Për këtë arsye, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë konsideron se Kosova duhet të ndjekë një qasje të dyfishtë: të zhvillojë sa më shpejt kapacitetet e reja gjeneruese me bazë LNG për të adresuar nevojat afatshkurtra dhe afatmesme të sigurisë energjetike, ndërsa paralelisht të vazhdojë vlerësimin e opsioneve afatgjata për shfrytëzimin e burimeve të saj vendore.

    Politikat energjetike nuk duhet të maten vetëm me koston fillestare të investimit, por me aftësinë e tyre për të garantuar furnizim të sigurt, çmime të parashikueshme dhe prodhim vendor të energjisë elektrike. Përfshirja e Kosovës në infrastrukturën rajonale të LNG-së amerikane do t’i mundësonte vendit ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese në afatin më të shkurtër të mundshëm, do të rriste ndjeshëm sigurinë energjetike, do të forconte konkurrueshmërinë e ekonomisë së Kosovës dhe do ta thellonte më tej partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Duke u bazuar në atë që u tha më sipër, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ripërsërit qëndrimin e saj se në një kohë kur gjithnjë e më shumë vende evropiane po e shohin LNG-në amerikane si një investim strategjik në sigurinë e tyre energjetike dhe kombëtare, Kosova nuk duhet ta humbasë këtë mundësi”. /Telegrafi/