ATV

Blog

  • Punëtorët e RTK’së pa paga, Sindikata letër Kurtit e Haxhiut: Institucionet të ndërhyjnë urgjentisht, situatë e papranueshme

    Punëtorët e RTK’së pa paga, Sindikata letër Kurtit e Haxhiut: Institucionet të ndërhyjnë urgjentisht, situatë e papranueshme

    Federata Sindikale e Radio Televizionit të Kosovës, i është drejtuar me një letër, u.d presidentes, Albulena Haxhiut, dhe, kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke kërkuar që urgjentisht të bëhet ndërhyrje institucionale lidhur me mosrealizimin e pagave të punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës.

    FSRTK kanë shprehur shqetësim të thellë lidhur me situatën e krijuar me pagat, duke thënë se, mosdhënia e pagës në afatin e paraparë ligjor nuk përbën vetëm një problem administrativ apo financiar, por është cenim i drejtpërdrejtë i një të drejte themelore të punës dhe i dinjitetit të çdo punëtori.

    ‘’ Kjo situatë është bërë edhe më shqetësuese për faktin se nuk kemi të bëjmë me një rast të izoluar. Vetëm një muaj më parë, më 7 qershor, Federata Sindikale ishte e detyruar të organizonte protesta për të njëjtën arsye. Në atë kohë besuam se reagimi ynë do të shërbente si alarm serioz për institucionet përgjegjëse dhe se do të ndërmerreshin masa konkrete për të parandaluar përsëritjen e kësaj situate. Fatkeqësisht, sot po përballemi me të njëjtën shkelje, gjë që dëshmon mungesë përgjegjësie institucionale dhe dështim në menaxhimin e një prej obligimeve më elementare ndaj punëtorëve’’, thuhet mes tjerash në letër.

    Letra e plotë:

    Drejtuar

    Presidentes në detyrë të Republikës së Kosovës / Kryetare në detyrë e Kuvendit të Republikës së Kosovës Znj. Albulena Haxhiu

    Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës Z. Albin Kurti

    Lënda: Kërkesë urgjente për ndërhyrje institucionale lidhur me mosrealizimin e pagave të punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës

    E nderuara Presidente në detyrë e Republikës së Kosovës / Kryetare në detyrë e Kuvendit të Republikës së Kosovës Znj. Albulena Haxhiu

    I nderuari Kryeministër në detyrë, Z. Albin Kurti

    Federata Sindikale e Radio Televizionit të Kosovës (RTK), si përfaqësuese legjitime e punëtorëve të transmetuesit publik, ju drejtohet me shqetësim të thellë lidhur me situatën e krijuar nga mosrealizimi i pagave të punëtorëve të RTK-së, të cilat, edhe më 9 korrik 2026, ende nuk janë ekzekutuar.

    Mosdhënia e pagës në afatin e paraparë ligjor nuk përbën vetëm një problem administrativ apo financiar, por është cenim i drejtpërdrejtë i një të drejte themelore të punës dhe i dinjitetit të çdo punëtori. Paga është kompensim i fituar me punë, e garantuar me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës dhe me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.

    Kjo situatë është bërë edhe më shqetësuese për faktin se nuk kemi të bëjmë me një rast të izoluar. Vetëm një muaj më parë, më 7 qershor, Federata Sindikale ishte e detyruar të organizonte protesta për të njëjtën arsye. Në atë kohë besuam se reagimi ynë do të shërbente si alarm serioz për institucionet përgjegjëse dhe se do të ndërmerreshin masa konkrete për të parandaluar përsëritjen e kësaj situate. Fatkeqësisht, sot po përballemi me të njëjtën shkelje, gjë që dëshmon mungesë përgjegjësie institucionale dhe dështim në menaxhimin e një prej obligimeve më elementare ndaj punëtorëve.

    Federata Sindikale konsideron se është e papranueshme që transmetuesi publik i Republikës së Kosovës të funksionojë në kushte ku punëtorët detyrohen të presin pagat e tyre pa asnjë afat të qartë, pa transparencë dhe pa asnjë komunikim zyrtar nga organet drejtuese. Kjo gjendje cenon jo vetëm mirëqenien e punëtorëve dhe familjeve të tyre, por dëmton edhe besimin në institucionet publike dhe rrezikon funksionimin normal të RTK-së.

    Për më tepër, Bordi dhe Menaxhmenti i RTK-së kanë dështuar të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre me transparencë, profesionalizëm dhe llogaridhënie. Mungesa e informimit publik, heshtja përballë kësaj situate dhe mosofrimi i një zgjidhjeje konkrete janë të papranueshme dhe bien ndesh me standardet e qeverisjes së mirë që duhet të karakterizojnë një institucion publik.

    Për këtë arsye, ju bëjmë thirrje që, brenda kompetencave tuaja kushtetuese dhe institucionale, të ndërmerrni veprimet e nevojshme për të siguruar zgjidhjen urgjente të kësaj situate dhe për të garantuar që punëtorët e RTK-së të marrin menjëherë pagat e tyre.

    Njëkohësisht, kërkojmë që të sigurohet llogaridhënie institucionale për shkaqet që kanë çuar në këtë gjendje, si dhe të ndërmerren masa që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen. Askush nuk duhet të mbetet pa përgjegjësi kur cenohen të drejtat themelore të punëtorëve dhe vihet në rrezik funksionimi i transmetuesit publik.

    Ju njoftojmë se, në mungesë të një zgjidhjeje të menjëhershme, Federata Sindikale e RTK-së do të vazhdojë pa asnjë hezitim me përshkallëzimin e veprimeve sindikale dhe ndërmarrjen e procedurave ligjore pranë institucioneve kompetente. Do të përdoren të gjitha mjetet juridike dhe sindikale të garantuara me ligj për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Çdo pasojë që mund të reflektohet në funksionimin e RTK-së do të jetë përgjegjësi e plotë e Bordit dhe Menaxhmentit.

    Punëtorët e RTK-së nuk do të pranojnë që vonesa e pagave të shndërrohet në praktikë të zakonshme. Ata nuk do të paguajnë çmimin e paaftësisë, neglizhencës apo keqmenaxhimit institucional. Dinjiteti i tyre nuk është i negociueshëm dhe respektimi i të drejtave të tyre nuk mund të varet nga rrethanat financiare apo administrative.

    Federata Sindikale mbetet e përkushtuar për dialog dhe bashkëpunim institucional, por njëkohësisht është e vendosur të mbrojë me çdo mjet ligjor interesat e punëtorëve që përfaqëson. Presim reagim dhe veprim të menjëhershëm nga institucionet e Republikës së Kosovës, në përputhje me përgjegjësinë tuaj për mbrojtjen e rendit kushtetues, të ligjshmërisë dhe të drejtave të qytetarëve.

    Me respekt,

    Kryesia e Federatës Sindikale të Radio Televizionit të Kosovës (RTK)

  • Malisheva nis sonte aventurën evropiane, përballë Vllaznisë në “Loro Boriçi”

    Malisheva nis sonte aventurën evropiane, përballë Vllaznisë në “Loro Boriçi”

    Malisheva do të bëjë sonte debutimin e saj në edicionin e ri të Ligës së Konferencës, teksa përballet në transfertë me Vllazninë në ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues.

    Sfida do të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, duke nisur nga ora 20:00, ku të dyja skuadrat do të synojnë ta hedhin hapin e parë drejt kualifikimit në raundin e dytë të garës.

    Vllaznia vjen në këtë përballje pas një periudhe intensive përgatitore, me trajnerin dhe stafin teknik që kanë punuar në çdo aspekt për ta paraqitur skuadrën në formën më të mirë të mundshme. Shkodranët synojnë ta shfrytëzojnë faktorin fushë për të ndërtuar një epërsi para ndeshjes së kthimit.

    Në anën tjetër, Malisheva udhëton drejt Shkodrës me ambicie të mëdha dhe besim se mund të nxjerrë një rezultat pozitiv. Përfaqësuesja kosovare synon të largohet me një rezultat të favorshëm, që do t’i jepte avantazh për sfidën e kthimit, e cila do të zhvillohet pas një jave në Kosovë.

    Dueli pritet të jetë i luftuar nga minuta e parë deri në fund, pasi bëhet fjalë për një përballje eliminatore, ku çdo detaj dhe çdo gol mund të ketë peshë vendimtare në garën për kualifikim.

    Atmosfera në “Loro Boriçi” pritet të jetë elektrizuese, me mbështetjen e tifozëve vendas, ndërsa Malisheva do të përpiqet të përballojë presionin dhe të hedhë një hap të rëndësishëm drejt vazhdimit të rrugëtimit në skenën evropiane.

  • Ndërpritet furnizimi me ujë në tri fshatra të Kamenicës, shkak ndërprerja e energjisë elektrike

    Ndërpritet furnizimi me ujë në tri fshatra të Kamenicës, shkak ndërprerja e energjisë elektrike

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidromorava” ka njoftuar se është ndërprerë përkohësisht furnizimi me ujë për konsumatorët në fshatrat Shipashnicë e Epërme, Kopernicë dhe Kolloleq të Komunës së Kamenicës.

    Sipas njoftimit të KRU “Hidromorava”, ndërprerja ka ardhur si pasojë e mungesës së energjisë elektrike në stacionin e pompimit në Kopernicë.

    “Ju njoftojmë se, për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike në SP Kopernicë, është ndërprerë furnizimi me ujë në fshatin Shipashnicë e Epërme, Kopernicë dhe Kolloleq, Komuna e Kamenicës”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

    KRU “Hidromorava” ka bërë të ditur se furnizimi me ujë pritet të rikthehet deri në orën 15:00, ndërsa për çdo ndryshim apo informacion shtesë konsumatorët do të njoftohen përmes kanaleve zyrtare të komunikimit.

  • Klose zbulon telefonatën prekëse me Messin pasi argjentinasi theu rekordin e tij historik në Botëror

    Klose zbulon telefonatën prekëse me Messin pasi argjentinasi theu rekordin e tij historik në Botëror

    Legjenda e futbollit gjerman, Miroslav Klose, ka rrëfyer një moment të veçantë me Lionel Messin, pasi kapiteni i Argjentinës theu rekordin e tij si golashënuesi më i mirë në historinë e Kupës së Botës.

    Në prag të çerekfinales së shumëpritur mes Argjentinës dhe Zvicrës, që zhvillohet në orët e para të mëngjesit të së dielës (12 korrik), Klose ka treguar se mori një telefonatë plot emocione nga Messi, një gjest që e vlerësoi jashtëzakonisht shumë.

    Sipas ish-sulmuesit gjerman, gjithçka u bë e mundur falë trajnerit të Argjentinës, Lionel Scaloni, me të cilin ai ndau dhomat e zhveshjes te Lazio gjatë viteve 2011-2013.

    “Scaloni ishte shoku im i skuadrës te Lazio dhe vazhdojmë të kemi kontakte të rregullta. Ishte ai që organizoi telefonatën mes meje dhe Messit. Ishte një bisedë shumë prekëse”, ka deklaruar Klose.

    Ai kujtoi se, edhe pse janë përballur disa herë në fushën e lojës dhe gjithmonë kanë treguar respekt maksimal për njëri-tjetrin, kjo ishte hera e parë që bisedonin personalisht pas përfundimit të karrierës së tyre si kundërshtarë.

    “Jemi takuar disa herë në fushë dhe gjithmonë ka pasur respekt mes nesh. Por kjo ishte hera e parë që folëm pas kaq shumë vitesh. Messi më tha se do të më dërgonte një fanellë të firmosur dhe ky ishte një gjest që e vlerësova shumë”, shtoi ai.

    Klose vazhdon të mbetet një nga emrat më të mëdhenj në historinë e Botërorit me 16 gola të realizuar, rekord që e mbajti për shumë vite. Megjithatë, Messi e ka kaluar tashmë këtë shifër falë paraqitjeve të tij të jashtëzakonshme në Kupën e Botës 2026, duke arritur në kuotën e 21 golave dhe duke u ngjitur i vetëm në krye të listës së golashënuesve më të mirë në historinë e turneut.

  • Një “Super El Nino” mund të godasë botën, studiuesit po testojnë në teori një mënyrë për të ftohur Tokën

    Një “Super El Nino” mund të godasë botën, studiuesit po testojnë në teori një mënyrë për të ftohur Tokën

    Shkencëtarët paralajmërojnë se një “Super El Niño” mund të zhvillohet në vitet e ardhshme dhe të jetë ndër më të fuqishmit të dekadave të fundit, duke rritur rrezikun për valë ekstreme të të nxehtit, zjarre masive, thatësira dhe përmbytje në shumë pjesë të botës.

    Përballë këtij skenari, një studim i ri i publikuar në revistën shkencore Science Advances ka shqyrtuar një ide shumë të debatueshme: përdorimin e gjeoinxhinierisë diellore për të zbutur ndikimin e fenomenit.

    Studiuesit nga Scripps Institution of Oceanography analizuan një teknikë të njohur si “ndriçimi i reve detare”. Metoda konsiston në spërkatjen e grimcave në retë mbi oqean, në mënyrë që ato të reflektojnë më shumë rrezet e diellit drejt hapësirës dhe të ulin përkohësisht temperaturën e sipërfaqes së Tokës.

    Për shkak të rreziqeve të mundshme, studiuesit nuk kryen eksperimente në botën reale. Në vend të kësaj, ata përdorën modele klimatike të bazuara në zjarret masive që përfshinë Australinë gjatë viteve 2019-2020. Tymrat nga ato zjarre krijuan re më reflektuese, të cilat ndihmuan në ftohjen e Paqësorit dhe kontribuuan në krijimin e kushteve të ngjashme me fenomenin La Niña.

    Sipas simulimeve, nëse kjo teknikë do të përdorej në fazat e hershme të një Super El Niño, ajo mund të reduktonte deri në 40 për qind ndikimet më të rënda të këtij fenomeni dhe të forconte efektet ftohëse të La Niñës.

    Megjithatë, vetë autorët e studimit theksojnë se nuk po rekomandojnë zbatimin e kësaj teknologjie, por vetëm hapjen e rrugës për kërkime të mëtejshme.

    “Ky është vetëm një provim koncepti. E vetmja gjë që kemi treguar është se ia vlen të studiohet më tej,” tha klimatologia Kate Ricke, një nga autoret e studimit.

    Ekspertë të tjerë paralajmërojnë se teknologjia për ta zbatuar këtë metodë ende nuk ekziston në shkallën e nevojshme dhe se pasojat mund të jenë të paparashikueshme. Disa druhen se ndërhyrja në klimë mund të shkaktojë një La Niña shumë më të fortë se çdo rast i regjistruar më parë, me pasoja të rënda si reshje ekstreme, përmbytje dhe thatësira në rajone të ndryshme.

    Përveç sfidave teknike, mbeten edhe dilema etike: kush do të vendoste nëse një teknologji e tillë duhet të përdoret dhe nëse ajo do të largonte vëmendjen nga objektivi kryesor – ulja e emetimeve të gazeve serrë që po nxisin ngrohjen globale.

    Shkencëtarët bien dakord se, për momentin, zgjidhja më e sigurt për frenimin e ndryshimeve klimatike mbetet reduktimi i ndotjes dhe emetimeve, ndërsa gjeoinxhinieria konsiderohet ende një fushë eksperimentale që kërkon shumë më tepër studime përpara se të merret në konsideratë për përdorim praktik.

  • Çfarë po ndodh? Noizy del me një paralajmërim urgjent për fansat

    Çfarë po ndodh? Noizy del me një paralajmërim urgjent për fansat

    Reperi shqiptar, Noizy ka reaguar përmes një postimi në InstaStory, duke paralajmëruar ndjekësit e tij për profile të rreme që përdorin emrin e tij për të promovuar kazino online.

    “Të gjitha faqet që po shfaqen në emrin tim lidhur me casino online janë fallco. Të pavërteta. Mos i besoni, mos klikoni, sepse janë mashtrime të gjitha.”

    Me këtë reagim, Noizy u ka bërë thirrje fansave të tregojnë kujdes dhe të mos bien pre e skemave mashtruese që përdorin identitetin e tij pa autorizim për të tërhequr përdorues në platforma të dyshimta.

  • Bertan Asllani rikthehet në skenën shqiptare, do të performojë krah Yll Limanit në Shkup

    Bertan Asllani rikthehet në skenën shqiptare, do të performojë krah Yll Limanit në Shkup

    Një surprizë e veçantë po përgatitet për adhuruesit e muzikës shqiptare në Shkup.

    Këngëtari dhe aktori i njohur Bertan Asllani pritet t’i bashkohet Yll Limanit në koncertin e madh që do të mbahet më 17 korrik në Shkup, duke shënuar kështu një rikthim të shumëpritur të tij në një skenë shqiptare.

    Lajmi fillimisht nisi të qarkullonte në rrjete sociale, ndërsa më pas është konfirmuar edhe nga burime të Prive By Liberta Spahiu.

    Bertan Asllani, i lindur në Shkup, ishte një nga emrat më të dashur të skenës shqiptare në zhanrin RnB dhe pop. Ai u bë i njohur me këngë të suksesshme si “Akoma të dua”, ndërsa prej vitesh karrierën e tij e ka zhvendosur në Turqi, shkruan Prive By Liberta Spahiu.

    Në tregun turk, Bertani ka ndërtuar një karrierë të suksesshme si aktor dhe kompozitor. Ai është bërë pjesë e disa serialeve të ndjekura, përfshirë “Gecenin Ucunda” dhe “Yabani”, ndërsa ka punuar edhe në kolonat zanore të produksioneve të mëdha televizive.

    Rikthimi i tij në skenë përkrah Yll Limanit ka ngjallur menjëherë interesim te fansat, të cilët prej kohësh kanë pritur ta shohin sërish në një koncert shqiptar.

    Koncerti në Shkup vjen në kuadër të turit të Yll Limanit, i cili po vazhdon të mbledhë numër të madh publiku në çdo qytet ku po performon.

    Pas Shkupit, Ylli do ta vazhdojë atmosferën në Kosovë, ku ka konfirmuar dy net të mëdha koncertesh në Prishtinë, më 24 dhe 25 korrik.

    Bashkimi i Bertan Asllanit dhe Yll Limanit në Shkup pritet të jetë një nga momentet më të veçanta të këtij turi, duke sjellë në një skenë dy artistë shumë të dashur për publikun shqiptar.

  • Franca dhe Maroku rikthejnë rivalitetin e Katarit, sonte luftë për një vend në gjysmëfinale

    Franca dhe Maroku rikthejnë rivalitetin e Katarit, sonte luftë për një vend në gjysmëfinale

    Sonte, duke filluar nga ora 22:00 sipas kohës lokale, vëmendja e botës së futbollit do të përqendrohet në Boston, ku Franca dhe Maroku do të përballen në çerekfinalen e parë të Kupës së Botës 2026.

    Ky takim rikthen në kujtesë gjysmëfinalen e paharrueshme të Botërorit të Katarit në vitin 2022, kur Franca triumfoi me rezultatin 2-0, duke i dhënë fund ëndrrës historike të Marokut për të arritur në finale.

    Katër vjet më vonë, historia u ofron marokenëve mundësinë për të kërkuar hakmarrje sportive, ndërsa francezët synojnë të dëshmojnë edhe një herë pse vazhdojnë të konsiderohen një nga kombëtaret më të forta në futbollin botëror.

    “Les Bleus” hynë në këtë Botëror me objektivin e qartë për të ngritur trofeun. Të udhëhequr nga një skuadër e mbushur me yje dhe cilësi në çdo repart, francezët kanë treguar deri tani një kombinim të shkëlqyer të organizimit defensiv, tranzicionit të shpejtë dhe efikasitetit në fazën sulmuese.

    Megjithëse Franca shihet si favorite në letër, trajneri Didier Deschamps ka paralajmëruar se përballë një kundërshtari si Maroku nuk ka vend për nënvlerësim. Kampionët e botës të vitit 2018 pritet të marrin menjëherë iniciativën, duke kërkuar ta zhbllokojnë sfidën që në minutat e para.

    Në anën tjetër, Maroku ka treguar se suksesi i jashtëzakonshëm në Katar nuk ishte rastësi. Përfaqësuesja afrikane vazhdon të mbështetet te mbrojtja solide, disiplina taktike dhe fryma e jashtëzakonshme luftarake, elemente që e kanë bërë një nga skuadrat më të vështira për t’u mposhtur.

    “Luanët e Atlasit” do të kërkojnë ta godasin Francën përmes kundërsulmeve të shpejta dhe situatave nga topat e ndalur, ndërsa do të kenë edhe mbështetjen e mijëra tifozëve të tyre, të cilët pritet të krijojnë një atmosferë elektrizuese në stadiumin e Bostonit.

    Për Marokun kjo sfidë është shumë më tepër se një çerekfinale. Është mundësia për të shlyer humbjen e hidhur të vitit 2022 dhe për të shkruar një kapitull të ri në historinë e futbollit afrikan. Në anën tjetër, Franca synon të vazhdojë marshimin drejt një tjetër trofeu botëror, duke konfirmuar statusin e saj si një prej superfuqive të futbollit.

  • Mijëra njerëz në rrugë para varrimit të Khamenei, kërkojnë hakmarrje ndaj Trumpit

    Mijëra njerëz në rrugë para varrimit të Khamenei, kërkojnë hakmarrje ndaj Trumpit

    Mijëra njerëz janë në rrugët e Mashhadit në verilindje të Iranit përpara varrimit të ish-udhëheqësit suprem, Ali Khamenei, raporton Reuters.

    Shumë prej tyre po valëvisin flamuj iranianë, ndërsa disa janë fotografuar duke mbajtur pankarta që kërkojnë hakmarrje ndaj Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

    Khamenei u vra në shkurt gjatë orëve të para të luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, dhe funerali i sotëm është kulmi i një organizimi 6-ditor.

  • Ironia e Bryan Johnson: Njeriu që investon miliona për të mos u plakur diagnostikohet me një sëmundje kronike

    Ironia e Bryan Johnson: Njeriu që investon miliona për të mos u plakur diagnostikohet me një sëmundje kronike

    Nëse ka një person në botë që është bërë simbol i kujdesit ekstrem për shëndetin, ai është Bryan Johnson. Sipërmarrësi amerikan ka shpenzuar miliona dollarë për projektin e tij të famshëm “Blueprint”, duke monitoruar çdo detaj të trupit, nga analizat e gjakut dhe organet e brendshme, deri te cilësia e gjumit, ushqimi dhe ritmi i zemrës, me një qëllim të vetëm: të ngadalësojë plakjen dhe të jetojë sa më gjatë.

    Por edhe për dikë që kontrollon pothuajse çdo aspekt të organizmit të tij, jeta mund të sjellë surpriza.

    Johnson ka zbuluar se është diagnostikuar me gastrit autoimun, një sëmundje kronike në të cilën sistemi imunitar sulmon qelizat e stomakut. Lajmin e bëri publik vetë ai, duke shkruar: “Stomaku im po e sulmon vetveten.”

    Diagnoza u konfirmua vetëm në muajin maj, pas një endoskopie dhe analizave me biopsi. Sipas Johnson, ai nuk e di prej sa kohësh e kishte këtë sëmundje, pavarësisht se prej vitesh kryen kontrolle shëndetësore shumë më të detajuara se shumica e njerëzve.

    Gastriti autoimun është një sëmundje e rrallë kronike që dëmton qelizat përgjegjëse për prodhimin e acidit të stomakut dhe të faktorit intrinsik, një proteinë thelbësore për përthithjen e vitaminës B12. Si pasojë mund të shfaqen mungesa të rëndësishme të vitaminës B12 dhe hekurit, anemi, lodhje kronike, probleme neurologjike dhe, në afat të gjatë, rritje e rrezikut për disa forma të kancerit të stomakut.

    Aktualisht nuk ekziston një kurë që e eliminon këtë sëmundje. Trajtimi përqendrohet në korrigjimin e mungesave ushqyese, kontrollin e komplikacioneve dhe monitorimin e vazhdueshëm.

    Johnson ka treguar gjithashtu se vuan nga hipotiroidizmi që prej moshës 21 vjeç dhe beson se procesi autoimun mund të ketë qenë aktiv për shumë vite pa u zbuluar.

    Historia e tij është një kujtesë interesante se edhe teknologjia më e avancuar, analizat më të sofistikuara dhe një stil jetese pothuajse perfekt nuk mund të garantojnë zbulimin e hershëm të çdo sëmundjeje. Trupi i njeriut mbetet ende shumë më kompleks sesa mund të kontrollohet plotësisht.

    Megjithatë, Bryan Johnson nuk ka ndërmend të ndalet. Ai ka bërë të ditur se do të investojë kohë, para dhe burime për të studiuar më thellë gastritin autoimun, në bashkëpunim me mjekë dhe studiues nga e gjithë bota, duke premtuar se do të ndajë publikisht çdo zbulim të ri.

    Ironikisht, njeriu që është bërë sinonim i luftës kundër plakjes po përballet sot me një sëmundje që nuk ka ende një kurë. Dhe pikërisht kjo e bën historinë e tij kaq domethënëse: kujdesi maksimal për shëndetin mund të ulë rreziqet, por nuk e bën askënd të paprekshëm.