ATV

Blog

  • Filharmonia e Kosovës vjen me koncertin “Americana” për 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së

    Filharmonia e Kosovës vjen me koncertin “Americana” për 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së

    Filharmonia e Kosovës, sonte nga ora 20:30 prezanton koncertin përmbyllës të sezonit artistik 2025/2026, i cili do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

    Nën titullin “Americana”, ky koncert i veçantë i kushtohet muzikës amerikane dhe shënon 250-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Programi sjell një udhëtim të pasur përmes tingujve, ritmeve dhe ngjyrave të traditës muzikore amerikane, me vepra nga disa prej kompozitorëve më të shquar të saj, përfshirë Leonard Bernstein dhe George Gershwin, në një performancë nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, nën dirigjimin e Toshio Yanagisawa.

    Nga energjia e qyteteve amerikane te eleganca e muzikës simfonike, “Americana” pasqyron diversitetin kulturor, kreativitetin dhe ndikimin e jashtëzakonshëm që muzika amerikane ka pasur në skenën botërore.

  • Nis mbledhja e kryesisë, Gruda i PDK-së jep detaje rreth ftesës së Kurtit

    Nis mbledhja e kryesisë, Gruda i PDK-së jep detaje rreth ftesës së Kurtit

    Partia Demokratike e Kosovës ka nisur mbledhjen e Kryesisë, ku në fokus të diskutimeve janë rezultatet e zgjedhjeve, të certifikuara një ditë më parë, si dhe zhvillimet politike pas tyre.

    Gazetari i Klan Kosovës, Kastriot Tahiti në një lidhje direkte bëri të ditur se para nisjes së mbledhjes, deputeti i zgjedhur i PDK-së, Përparim Gruda, deklaroi se partia ka pranuar ftesën për takim nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duke theksuar se në këtë takim do të trajtohen temat që lidhen me krijimin e institucioneve të reja.

    Gruda tha se rezultati zgjedhor ka dëshmuar se asnjë subjekt politik nuk ka siguruar mbështetje të mjaftueshme për ta formuar i vetëm qeverinë, ndaj, sipas tij, krijimi i institucioneve kërkon marrëveshje politike.

    Ai bëri të ditur se në takimin me Kurtin do të diskutohet jo vetëm për formimin e institucioneve, por edhe për çështjen e presidentit të vendit.

    Në mbledhjen e Kryesisë së PDK-së pritet të shqyrtohen edhe qëndrimet e partisë lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe hapat e mëtejmë në procesin e konstituimit të institucioneve.

  • “Flamingot” shfaqen në relacionet Kosovë-Shqipëri, Rama e kurseu Kurtin, por Tirana ia ekspozon zyrtarët që po përzihen në protestë

    “Flamingot” shfaqen në relacionet Kosovë-Shqipëri, Rama e kurseu Kurtin, por Tirana ia ekspozon zyrtarët që po përzihen në protestë

    I përballur me zemërimin e protestuesve në Tiranë që ia kërkojnë dorëheqjen, kryeministri i Shqipërisë po sheh gjithnjë e më shumë zyrtarë të LVV-së, partisë që qeveris në Kosovë, duke mbështetur dhe madje duke marrë pjesë në atë turmë. Megjithëse Edi Rama e kishte shfajësuar homologun e tij në Prishtinë se mund të ishte i përfshirë në “Revolucionin e Flamingove”, Albin Kurti asnjëherë nuk i ka përgënjeshtruar qartë këto pretendime. Dje, zyrtarë të VLEN-it, të lidhur me LVV-në, u ndaluan në Qafë Thanë, ndërsa deputeti socialist Taulant Balla i ekspozoi zyrtarët e partisë së Kurtit që morën pjesë në protestë.

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nuk kishte mundur të mos komentonte pas një debati të nxitur në qershor nga pjesëmarrja e disa shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në protestat kundër qeverisë së tij në Tiranë.

    Ai kishte shkruar në një postim në Facebook më 21 qershor se nuk e konsideronte kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, përgjegjës për veprimet e disa “sallahanave të Vetëvendosjes” që thoshte se ishin përfshirë në atë që ai e quan “çorbë dreqërish”.

    Rama ka kritikuar ashpër atë që e ka quajtur paraqitje të shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut si “diasporë” në protestat në Tiranë. Në fund të atij postimi kërkonte që qëndrimi i disa protestuesve të mos lidhej me emrin e kryeministrit në detyrë të Kosovës.

    “Dhe mos të spekullojë askush duke e lidhur këtë shënim me emrin e kryeministrit të Kosovës, sepse kurrësesi nuk mund ta bëj e as ta nënkuptoj në asnjë rrethanë, përgjegjës, për asnjë prej sallahanave të Vetëvendosjes që janë përfshirë në këtë çorbë dreqërish. Nuk e them këtë hiçasfare për një larje protokollare goje, por sepse e di mirë që çdo çadër e gjerë politike mban edhe sallahanat e vet dhe do të fyeja inteligjencën e Albinit po të mendoja se ai gjykon si ata. Kështu që lëreni Albin Kurtin jashtë kësaj çorbe të neveritshme”, shkruante ai.

    Vetë Kurti, duke mohuar disa pretendime se partia e tij do të organizonte protesta kundër një projekti të gazit që po ia kërkon SHBA-ja, pati theksuar se LVV-ja i ka bërë “protestat më të fuqishme”.

    “Kam parë që kanë qarkulluar disa lajme të rrejshme për atë se Lëvizja Vetëvendosje planifikon të bëjë protesta. Tash natyrisht në këtë shekull, protestat më të fuqishme i ka bërë Lëvizja Vetëvendosje dhe ndoshta kur njerëzit e mendojnë protestën, e mendojnë Lëvizjen Vetëvendosje. Mirëpo kjo nuk flet asgjë për neve. Kjo flet për ata”, kishte deklaruar ai për gazetarët më 16 qershor.

    Megjithatë, ish-deputetë, asambleistë dhe zyrtarë të tjerë të LVV-së, partisë që qeveris në Kosovë, i kanë mbështetur në rrjetet sociale dhe disa madje kanë marrë pjesë edhe fizikisht në protestat në Tiranë.

    Mbrëmë, deputeti i LVV-së në Maqedoninë e Veriut, Bekim Qoku u ankua se ai dhe disa zyrtarë të VLEN-it – formacionit të shqiptarëve në qeverinë Shkup që mbështeten nga Kurti – u përballën me “një situatë të pashpjegueshme në hyrje të Republikës së Shqipërisë”. Tha se u lanë të prisnin mbi një orë në kufi “pa asnjë sqarim”. Aludonte se kjo kishte lidhje me mbështetjen e tij për protestat në Tiranë.

    “Nëse arsyeja lidhet me faktin se kam mbështetur publikisht protestat e fundit në Shqipëri, atëherë kjo do të ishte thellësisht shqetësuese. Ndëshkimi i qytetarëve për shprehjen e mendimit apo për mbështetjen paqësore të protestave nuk është në përputhje me standardet e një shteti demokratik dhe me liritë themelore të garantuara në çdo shoqëri demokratike. Nuk mund ta kuptoj këtë logjikë kur dihet që disa eurodeputetë kanë marrë pjesë fizikisht në protestat aktuale në Tiranë”, shkroi ai në një postim në Facebook.

    Qoku, që është edhe këshilltar i Kurtit, e akuzoi qeverinë e Shqipërisë se po vihet “në funksion të autokracisë e të përçarjes së shqiptarëve”.

    Arbër Zaimi, një tjetër zyrtar i LVV-së, e shpërndau postimin e bashkëpartiakut të tij dhe kërkoi që institucionet e Shqipërisë “të kërkojnë falje”.

    “Ndalimi i hyrjes në Shqipëri të disa deputetëve dhe zyrtarëve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, me justifikimin pse këta kanë përkrahur online protestat në Tiranë, është një veprim i çoroditur dhe për të ardhur keq. Shpresoj që këtë vendim ta ketë marrë ndonjë zyrtar servil e i papjekur, dhe uroj që institucionet e Shqipërisë të kërkojnë falje. Shqipëria simbas ligjeve të saj është demokraci, e preferencat politike të çdo njeriu nuk janë arsye për ta dënuar atë”, shkroi ai.

    Postimin e Qokut e shpërndanë edhe zyrtarë të tjerë të LVV-së, përfshirë Elvis Hoxhën, i cili ishte nga ata që shkoi fizikisht në Tiranë për të protestuar.

    LVV-ja publikisht nuk është distancuar nga pretendimet se po i mbështet protestat kundër qeverisë shqiptare.

    Enver Dugolli, ish-deputet në Kuvendin e Kosovës nga kjo parti, pati thënë se LVV “nuk ka të bëjë asgjë” me protestat. “Thjesht, ne, disa aktivistë apo disa njerëz, eksponentë, solidarizohemi me kërkesat e drejta të qytetarëve, shqetësimet e tyre të drejta dhe me kaq mbaron”, thoshte ai për KosovaPress më 22 qershor.

    Me raportet asnjëherë aq të mira Kurti-Rama, disa kanë të drejtë të dyshojnë se kryeministri në detyrë i Kosovës vërtet mund të i përfshirë në këtë “çorbë”.

    Kur Rama tha “lëreni Albinin jashtë kësaj çorbe të neveritshme”, një deputet i Partisë Socialiste të Shqipërisë nuk e ndante të njëjtin mendim me shefin e tij të partisë.

    Ulsi Manja kishte thënë “ishalla s’ka” lidhje Kurti me këtë, por kishte pyetur se pse ai nuk po distancohej.

    “Dakord Kryeminister dakord, me ty jam, po neqoftese Albin Kurti nuk paska lidhje me kete çorbe qensh dhe ishalla s’ka, pse nuk distancohet qeveria e tij nga ky turp me gjoja “diaspore”?! Gjithesesi une mendoj se nuk ka hajvanllek me te madh se sa te vish nga Kosova per te rrezuar qeverine ne Tirane. Jo vetem se nuk e rrezon dot, po i jep nje dore te madhe armiqve te Kosoves qe do thone ja, shikojini kush jane, nuk rrine dot pa rremuje e pa konflikt as me Shqiperine qe e kane pjese te kombit te tyre!!!”, kishte shkruar ish-ministri në një postim në Facebook më 21 qershor.

    Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Taulant Balla ka komentuar pjesëmarrjen e zyrtarit të LVV-së, ish-deputetit Egzon Azemi në protestën kundër qeverisë në Tiranë.

    Ai publikoi një video në Facebook, duke thënë se Azemi është edhe mik i Besnik Mujecit, aktivstit të LVV-së i cili në verën e vitit 2023 ishte arrestuar në Tiranë për shitje droge.

    “Transparenca e Protestës. Identifikojmë sorrat‍. Kur unë flas për sorra inkubatorësh të urrejtjes nga Prishtina dhe Tetova, të cilët maskohen si shqiponja diaspore e kam fjalen për tipa si këta në video që sigurisht nuk kanë si të jenë pro qeverisë së Tiranës. Normal janë kundër Edi Ramës. Edhe kundër meje, pse jo. Sepse i kemi arrestuar me 11 mijë doza drogë”, shkroi Balla në postim.

    Para pak ditësh, Azemi kishte publikuar një video në Facebook nga protesta në Tiranë.

    “Sheshit të Shqipërisë së Re nuk i shihej as fillimi, as fundi. Nuk mund të mos i bashkohesha një thirrjeje kaq të sinqertë e energjike, që prej 35 ditësh me radhë po ushton kaq pastër e kaq fort! Shqipëria është atdheu i secilit shqiptar dhe kur tentohet të falet e të shitet, nuk do të heshtim kurrë”, kishte shkruar ai.

    Protestat në Shqipëri, që tani po quhen “Revolucioni i Flamingove”, nisën fillimisht për të kundërshtuar projektin për ndërtimin e një resorti luksoz në Zvërnec, afër Vlorës, i lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump. Më pas kërkesat u zgjeruan dhe pakënaqësitë e shprehura kaluan përtej mbrojtjes së mjedisit. Kryeministrit shqiptar, Edi Rama po ia kërkojnë dorëheqjen.

  • PDK mbledh kryesinë pas ftesës së Kurtit për takim me liderët politikë

    PDK mbledh kryesinë pas ftesës së Kurtit për takim me liderët politikë

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka thirrur mbledhjen e kryesisë së saj, pas ftesës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për një takim me drejtuesit e partive politike lidhur me zhvillimet e ardhshme institucionale.

    Takimi i kryesisë së PDK-së është caktuar të mbahet në orën 15:00, ku pritet të diskutohen qëndrimet e partisë dhe hapat e mëtejshëm pas ftesës së ardhur nga Kurti.

    Nga PDK kanë konfirmuar se në këtë mbledhje do të shqyrtohen të gjitha çështjet politike aktuale dhe qëndrimi që partia do të mbajë në raport me takimin e propozuar.

    Ftesa e Kurtit u është dërguar liderëve të tri partive opozitare – kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kreut të AAK-së, Ardian Gjini – pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit.

    Takimi mes liderëve pritet të fokusohet në çështjet institucionale, përfshirë edhe procesin e zgjedhjes së presidentit të vendit.

  • Zemaj: Më është kërkuar nënshkrimi për shkarkimin e Abdixhikut, qëndrimin do ta jap pas mbledhjes

    Zemaj: Më është kërkuar nënshkrimi për shkarkimin e Abdixhikut, qëndrimin do ta jap pas mbledhjes

    Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka konfirmuar se i është kërkuar nënshkrimi për iniciativën që synon shkarkimin e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku. Megjithatë, ai nuk ka treguar nëse e ka nënshkruar atë, duke thënë se qëndrimin e tij do ta bëjë të ditur pas mbledhjes së strukturave të partisë.

    Zemaj theksoi se preferon që debatet dhe çështjet e brendshme të trajtohen brenda LDK-së, duke vënë në pah rëndësinë e unitetit dhe reflektimit pas rezultatit zgjedhor.

    “Unë kisha kërkuar mirëkuptimin që edhe në aspektin personal, por edhe në atë çka përfaqësoj, edhe si strukturë organizative e LDK-së, e preferoj debatin brenda subjektit tim politik, në ruajtjen e unitetit edhe të kërkesës çdo herë për fitore, por çdo rezultat kërkon edhe reflektim mbi shifrat, numrat, edhe rezultatet që i merr subjekti politik. Kështu që, na jepni mundësinë që të bisedojmë. Dëgjo nënshkrimet kërkohen për kuvend të jashtëzakonshëm sepse ne kemi pasur një kuvend të rregullt. Sigurisht që po”, tha ai.

  • Azemi: Do të flasim për rezultatin zgjedhor, nuk diskutohet shkarkimi i Abdixhkut

    Azemi: Do të flasim për rezultatin zgjedhor, nuk diskutohet shkarkimi i Abdixhkut

    Anëtari i LDK-së, Visar Azemi, ka thënë se çështja e shkarkimit të kryetarit Lumir Abdixhiku, nuk do të jetë pjesë e diskutimit në mbledhjen e sotme të kryesisë së partisë, raporton Ekonomia Online.

    “Nuk ka shkarkim të Abixhikut dhe të askujt. Kena me diskutuar për rezulatin zgjedhor edhe tema të tjera. Nuk do të diskutohet”, tha ai.

    Ndërsa, anëtarja e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi para mbledhjes së kryesisë ka bërë të ditur se nuk ka nënshkruar iniciativën për largimin e kryetarit të LDK, Lumir Abdixhiku.

     

  • Begaj nga Lugina e Preshevës: Shqipëria do të vijojë mbështetjen për të drejtat e shqiptarëve

    Begaj nga Lugina e Preshevës: Shqipëria do të vijojë mbështetjen për të drejtat e shqiptarëve

    Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi këtë të enjte një vizitë në Luginën e Preshevës, ku u takua me drejtuesit institucionalë dhe politikë të shqiptarëve në Preshevë e Bujanoc, duke përcjellë mesazhe për unitet, bashkëpunim dhe mbrojtjen e të drejtave të komunitetit shqiptar.

    Gjatë vizitës, Begaj zhvilloi takime me kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kryetarin e Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, si edhe me deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi. Në fokus të bisedimeve ishin shqetësimet e shqiptarëve të Luginës, forcimi i bashkëpunimit të faktorit politik shqiptar dhe projektet që synojnë mbështetjen e të rinjve.

    Në fjalën e mbajtur gjatë çeljes së Panairit të Librit Shqip 2026 në Preshevë, Presidenti garantoi se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë adresimin e çështjeve që prekin shqiptarët e Luginës, përfshirë përfaqësimin në institucione, çështjen e pasivizimit të adresave, si edhe respektimin e të drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe dhe simboleve kombëtare.

    “Të drejtat dhe liritë e shqiptarëve në Luginën e Preshevës e kudo ku ata jetojnë duhen të respektohen. Shqiptarët duhet të jetojnë këtu, të mos diskriminohen, gjuha shqipe të përdoret pa drojë e frikë, ndërsa kultura, identiteti dhe traditat të mbrohen dhe promovohen”, u shpreh Begaj.

    Presidenti theksoi gjithashtu se shqiptarët mbeten faktor paqeje dhe bashkëpunimi në Ballkanin Perëndimor, ndërsa mbrojtja e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Preshevë është, sipas tij, pjesë e standardeve evropiane për të drejtat e njeriut dhe diversitetin kulturor.

    Një mesazh të veçantë ai ua drejtoi të rinjve të Luginës, duke i ftuar që ta përdorin gjuhën shqipe jo vetëm në familje, por edhe si gjuhë të dijes, profesionit dhe suksesit./euronews/

     

  • Nis afati për konstituimin e Kuvendit, Kurti fton opozitën në takime

    Nis afati për konstituimin e Kuvendit, Kurti fton opozitën në takime

    Pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka nisur edhe zyrtarisht afati kushtetues për mbledhjen dhe konstituimin e Kuvendit të ri të Kosovës.

    Sipas përcaktimeve kushtetuese, Kuvendi i dalë nga zgjedhjet duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve, afat i cili përfundon më 7 gusht.

    Në këtë kuadër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka nisur kontaktet politike duke u dërguar ftesa për takim kryetarëve të tri subjekteve më të mëdha opozitare – Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

    Lajmi është konfirmuar për Telegrafin nga zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Arlind Manxhuka.

    “Po, sot në mëngjes kryeministri Kurti uka dërguar letër për takim kryetarëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës”, ka deklaruar Manxhuka.

    Pas konstituimit të Kuvendit, pritet të nisin procedurat kushtetuese për formimin e Qeverisë së re, ndërsa më pas do të zhvillohet edhe procesi për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.

  • Zbulohet revolveri që Erdogan ua dha liderëve të NATO-s pas Samitit në Ankara

    Zbulohet revolveri që Erdogan ua dha liderëve të NATO-s pas Samitit në Ankara

    Presidenti i Turqisë, Reccep Tayip Erdogan, ua ka dhuruar liderëve të shteteve anëtare të NATO-s nga një revolver të vjetër bashkë me municion, pas përfundimit të Samitit të NATO-s në Ankara.

    Fotografitë e shpërndara nga zyra e presidentit lituanez Gitanas Nauseda treguan atë që dukej të ishte “Gumusay 357 Magnum”, një gjuajtës i rrallë me gjashtë qitje i prodhuar nga prodhuesi turk i armëve MKE në vitet 1990.

    Revolveri ishte vendosur në një kuti prej druri ku shfaqej flamuri i Turqisë dhe logoja e NATO-s, si dhe një pankartë me mbishkrimin “Gumusay, pistoleta e parë e tipit revolver e prodhuar në vendin tonë” në turqisht dhe anglisht.

  • Lumbardha Misini transferohet te Bayer Leverkusen, Servette realizon shitjen më të madhe në historinë e klubit

    Lumbardha Misini transferohet te Bayer Leverkusen, Servette realizon shitjen më të madhe në historinë e klubit

    Futbollistja e Kombëtares së Kosovës, Lumbardha Misini, ka hedhur një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e saj, duke u transferuar te Bayer Leverkusen.

    Lajmi është konfirmuar nga Servette FCCF, i cili njoftoi se ka arritur marrëveshje me klubin gjerman për kalimin e sulmueses kosovare. Ky transferim shënon një moment historik për klubin zviceran, pasi konsiderohet marrëveshja më e madhe e realizuar ndonjëherë nga Servette në futbollin e femrave.

    Misini iu bashkua skuadrës nga Gjeneva verën e kaluar, pasi u transferua nga Trabzonspori. Brenda vetëm një sezoni, ajo u shndërrua në një prej lojtareve më të rëndësishme të ekipit, duke regjistruar 25 paraqitje dhe duke dhënë një kontribut të çmuar në sukseset e klubit.

    Falë paraqitjeve të shkëlqyera të saj, Servette riktheu dominimin në futbollin zviceran, duke fituar si titullin kampion ashtu edhe Kupën e Zvicrës.

    Forma e lartë e Misinit, si me Servetten ashtu edhe me fanellën e Kombëtares së Kosovës, nuk kaloi pa u vënë re nga klubet elitare evropiane. Interesimi konkret u kurorëzua me transferimin te Bayer Leverkusen, ku ajo do të vazhdojë karrierën në një nga kampionatet më të forta të futbollit të femrave.

    Në njoftimin e tij, Servette FCCF falënderoi futbollisten kosovare për profesionalizmin, përkushtimin dhe kontributin e dhënë gjatë sezonit të kaluar, duke i uruar suksese në sfidën e re me klubin gjerman.

    Kalimi te Bayer Leverkusen përfaqëson një tjetër arritje të rëndësishme për futbollin e Kosovës dhe një dëshmi të rritjes së vazhdueshme të Lumbardha Misinit në skenën ndërkombëtare.