ATV

Blog

  • Kosova dhe Italia diskutojnë integrimin në BE, NATO dhe bashkëpunimin ekonomik

    Kosova dhe Italia diskutojnë integrimin në BE, NATO dhe bashkëpunimin ekonomik

    Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Edmondo Cirielli.

    Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Italisë, procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin në NATO, si dhe për zhvillimet aktuale politike në vend, përfshirë procesin e formimit të qeverisë së re.

    Bashkëbiseduesit i kushtuan vëmendje të veçantë edhe bashkëpunimit ekonomik, me theks në intensifikimin e shkëmbimeve tregtare, rritjen e ndërveprimit ekonomik dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta që do të thellonin partneritetin ndërmjet dy vendeve.

    Konjufca e falënderoi zëvendësministrin italian për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë ndaj Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit, duke theksuar se Italia mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm ndërkombëtarë të Kosovës.

    Sipas MPJD-së, takimi u zhvillua në frymë miqësore dhe konstruktive, duke konfirmuar gatishmërinë e të dyja vendeve për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët. /Telegrafi/

  • Pallati i Drejtësisë ende me probleme, temperaturat e larta në salla vështirësojnë mbajtjen e seancave

    Pallati i Drejtësisë ende me probleme, temperaturat e larta në salla vështirësojnë mbajtjen e seancave

    Temperaturat e larta në sallat gjyqësore po vështirësojnë mbajtjen e seancave në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, ndërsa në disa raste po ndikojnë edhe në shtyrjen e tyre.

    Gjatë kësaj periudhe, Pallati i Drejtësisë përballet vazhdimisht me temperatura të larta, për shkak të mosfunksionimit të duhur të sistemit të klimatizimit. Ky problem, sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kërkon kosto të lartë për sanim të plotë, raporton KosovaPress.

    Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Besim Spahiu, thotë për KosovaPress se për këtë çështje ka takuar menaxhmentin e gjykatës, sekretariatin dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

    Megjithatë, pas kërkesës së tij, ka një sanim të vogël të klimatizimit.

    “Me datë 10 qershor i jam drejtuar me shkrim menaxhmentit të gjykatës, sekretariatit dhe Këshillit Gjyqësor për mungesë të klimatizimit por nga ta nuk marrë asnjë përgjigje, kurse me datë 17 kam shkuar në Këshill Gjyqësor për të kërkuar sqarim rreth problemit ku u takova me kryesuesin e këshillit dhe më informojnë se kanë angazhuar një ekip për sanimin e problemit të klimatizimit dhe më premtojnë se brenda 20 ditësh do të rregullohet klimatizimi në një masë të konsiderueshme, pasi që për sanimin e plotë duhet kohë dhe mjete buxhetore të cilat për momentin nuk i kanë në dispozicion. Me 25 qershor kemi një sanim të vogël të klimatizimit. Unë si kryetar i sindikatës më 1 korrik jam drejtuar me kërkesë zyrtare menaxhmentit të gjykatës dhe KGJK-së duke kërkuar reduktimin e përkohshëm të orarit të punës. E përshëndes vendimin e KGJK-së, presim që këto masa të zbatohen sa më shpejt. Unë deri më tani nuk kam pranuar ndonjë njoftim zyrtar për këtë vendim”, tha Spahiu.

    Për vështirësitë që po shkaktohen nga temperaturat e larta në sallat gjyqësore ka folur edhe avokati Arbër Jashari.

    Ai thotë se këtë javë një seancë e paraparë të mbahej gjatë gjithë ditës në departamentin e të miturve, është bërë e pamundur të vazhdohej për shkak të kushteve në sallë, madje njëra nga palët ishte alivanosur. Seanca e njëjtë ishte shtyrë për një ditë tjetër.

    Jashari bën të ditur se Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë i ka shtyrë të gjitha seancat që janë vlerësuar si jo urgjente.

    Shtyrja e seancave gjyqësore sipas Jasharit, ndikon drejtpërdrejt në të drejtat e palëve në procedurë penale, duke u shkelur të drejtat e tyre.

    “Hiç më larg se këtë javë e kishim një seancë që ishte e paraparë të mbahet gjatë gjithë ditës në departamentin për të mitur, por kur erdhi mesi i ditës ishte e pamundshme të qëndrohet në ato salla. Nuk është e lehtë si avokatia apo çështja e përcjelljeve të seancave, do shumë koncentrim, të jemi gjatë gjithë kohës në komoditet dhe temperaturat e larta e bëjnë të pamundur që truri të veproj. Siç thashë gjatë sesionit të pasdites, njëra prej palëve gati sa nuk u alivanos nga temperaturat e larta, ai objekt ka probleme edhe me ajrosjen, prania e oksigjenit në ato objekte është më e vogël sesa duhet.. Departamenti special i Gjykatës Themelore, pothuajse i ka shtyrë të gjitha seancat të cilat nuk janë urgjente.. 3:45 Shtyrja e seancave ndikon drejtpërdrejt në të drejtat e palëve në procedurë penale. Sa herë që një seancë shtyhet të drejtat e dikujt shkelën, të pandehurve kur janë në masën e paraburgimit, të drejtat e palës së dëmtuar”, tha Jashari.

    Ndërkaq, zëdhënësja për media në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, në një përgjigje me shkrim thotë se ka një përmirësim të gjendjes sa i përket temperaturave në salla gjyqësore, ku Gjykata për momentin nuk e vlerëson të arsyeshme ndërmarrjen e masave për reduktimin ose pezullimin e punës.

    “Gjykata Themelore në Prishtinë është në dijeni për vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, me të cilin kryetarët e gjykatave autorizohen të ndërmarrin masa për reduktimin ose pezullimin e punës, nëse paraqitet nevoja si pasojë e temperaturave të larta. Megjithatë, në Pallatin e Drejtësisë, gjatë dy ditëve të fundit, është vërejtur një përmirësim i gjendjes sa i përket temperaturave në ambientet e punës, përkatësisht sistemi i klimatizimit ka filluar të funksionojë. Në këto rrethana, Gjykata aktualisht nuk e vlerëson të arsyeshme ndërmarrjen e masave për reduktimin ose pezullimin e punës. Megjithatë, Gjykata do të monitorojë në vazhdimësi situatën dhe, nëse paraqitet nevoja, do të zbatojë masat e përcaktuara në vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit dhe sigurisë së gjyqtarëve, stafit administrativ dhe palëve”, thuhet në përgjigje.

    Të hënën, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka autorizuar kryetarët e Gjykatave të Supremes, Apelit, Administratives, Komerciales dhe Themelores në Prishtinë, që të ndërmarrin masa për shkak të temperaturave të larta që mbizotërojnë në Pallatin e Drejtësisë.

    Tashmë iu mbetet kryetarëve të gjykatave në Pallatin e Drejtësisë, që në bazë të vlerësimit të mund të reduktojnë ose pezullojnë punën.

  • Policia gjen sërish armë e municion në një fshat të Zubin Potokut

    Policia gjen sërish armë e municion në një fshat të Zubin Potokut

    Policia e Kosovës ka njoftuar se në fshatin Lucka Reka në komunën e Zubin Potokut, ka gjetur sërish armë dhe municion.

    Përmes, një komunikate për media Policia ka bërë të ditur se ka sekuestruar një armë të gjatë, 392 fishek te kalibrit 7.62 mm, 123 fishek kalibër 7.9 mm, 15 fishek te pushkës se gjuetisë, 18 te armës se shkurt, 6 gëzhoja të llojeve te ndryshme dhe një bajonetë.

    Njoftimi i plotë:

    POLICIA SËRISH GJEN ARMË DHE MUNICION NË ZUBIN POTOK – BASHKËPUNIMI ME QYTETARËT VAZHDON TË JAPË REZULTATE KONKRETE

    Mitrovicë Veri , 09.07.2026

    Si rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe besimit të ndërsjellë ndërmjet Policisë së Kosovës dhe qytetarëve, të cilët edhe në rastet e mëparshme kanë ofruar informacione të rëndësishme që kanë çuar në zbulimin dhe sekuestrimin e armëve ilegale, sot me datën 09.07.2026 është realizuar edhe një operacion i suksesshëm policor në veri të vendit.

    Gjatë komunikimit të rregullt me qytetarët, zyrtarët policorë kanë pranuar informacione se në një shtëpi të pabanuar në fshatin Lucka Reka, komuna Zubin Potok, mund të ketë armë dhe mjete të tjera ilegale.

    Menjëherë pas pranimit të informacionit, njësitë policore kanë ndërmarrë veprime të shpejta dhe profesionale, duke kryer kontroll në lokacionin e dyshuar. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar:

    – Një (1) arme te gjatë gjysme automatike;

    – Treqind e nëntëdhjetë e dy ( 392) fishek te kalibrit 7.62 mm,

    – Njëqind e njëzet e tre ( 123) fishek kalibër 7.9 mm

    – Pesëmbëdhjetë (15) fishek te pushkës se gjuetisë

    – Njëmbëdhjetë (11) fishek te pushkës se gjatë

    – Tre (3) fishek manovrues

    – Tetëmbëdhjetë fishek (18) te armës se shkurt

    – Dy (2) fishek te armës se gjate

    – Gjashtë (6) gëzhoja te llojeve te ndryshme

    – Një (1) bajonetë

    Të gjitha veprimet e ndërmarra i janë paraqitur Prokurorit të Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Në lidhje me këtë rast, deri në këto momente nuk ka persona të arrestuar, ndërsa rasti vazhdon te hetohet nga njesitë kompetente.

    Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe besimin e treguar, duke i inkurajuar ata që të vazhdojnë të raportojnë çdo informacion të rëndësishëm përmes numrit emergjent 192. Vetëm përmes partneritetit të ngushtë ndërmjet policisë dhe qytetarëve mund të ndërtohet dhe të garantohet një ambient i sigurt, i qetë dhe paqësor për të gjithë qytetarët, pa dallim.

  • Rrezarta Krasniqi: Kam nënshkruar për shkarkimin e Lumir Abdixhikut

    Rrezarta Krasniqi: Kam nënshkruar për shkarkimin e Lumir Abdixhikut

    Ish deputetja e LDK-së, njëherësh nënkryetare e degës së LDK-së në Vushtrri, Rrezarta Krasniqi, ka deklaruar se ka nënshkruar për shkarkimin e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.

    Këtë ajo e ka konfirmuar për Gazetën Blic, derisa është në mesin 150 e më shumë delegatëve që kanë nënshkruar për shkarkimin e tij.

    “Po kam nënshkruar për shkarkimin e Lumir Abdixhikut”, tha ajo.

    Nga kjo degë nga 16 anëtarë kanë nënshkruar më shumë se 5 të tillë, për shkarkimin e Abdixhikut.

    Nënshkrimet po mblidhen në çdo degë të partisë, teksa delegatët kërkojnë mbajtjen e kuvendit të jashtëzakonshëm.

    Kërkesa për dorëheqjen e Abdixhikut vjen pas rezultatit zgjedhor të 7 qershorit, teksa tri degë kanë dalë publikisht me kërkesa për dorëheqjen e tij.

    Kujtojmë që LDK sot do të mbajë mbledhjen e kryesisë nga ora 15:00.

  • Flet nëna e të miturës që u dhunua në Fier: E kam strehuar te të afërmit, shteti heshti për një muaj

    Flet nëna e të miturës që u dhunua në Fier: E kam strehuar te të afërmit, shteti heshti për një muaj

    Familjarët e 17-vjeçares nga Fieri, e cila dyshohet se u dhunua nga tre bashkëmoshatare brenda një banese, kërkojnë zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe marrjen e masave ndaj autorëve. Ata ngrenë gjithashtu akuza për mungesë reagimi nga institucionet përgjegjëse, duke pretenduar se denoncimi i bërë menjëherë në polici nuk u shoqërua me veprime konkrete për javë të tëra.

    Sipas familjes, e mitura u dërgua fillimisht në Urgjencën e Spitalit Rajonal të Fierit me shenja të dukshme dhune dhe hematoma në trup. Por familjarët pretendojnë se nga institucioni shëndetësor nuk pati një njoftim të menjëhershëm për organet ligjzbatuese, shkruan Euronews.al.

    Nëna e 17-vjeçares tregon se mësoi për gjendjen e vajzës vetëm pasi bashkëshorti e telefonoi duke i thënë se ajo ndodhej në spital.

    “Kur e pashë vajzën, kishte buzën e çarë dhe shenja të forta dhune pas veshëve. E pyeta se çfarë kishte ndodhur dhe ajo më tregoi se kishte qenë në spital, ku i kishin bërë mjekimin dhe më pas e kishin lënë të largohej”, rrëfen nëna.

    Pas denoncimit në Policinë e Fierit më 8 qershor, 17-vjeçarja është marrë në pyetje në prani të një psikologeje. Efektivët kanë dokumentuar edhe shenjat e dhunës në trupin e saj, ndërsa familjarët thonë se iu premtua se çështja do të trajtohej me përparësi.

    Megjithatë, sipas tyre, pas largimit nga komisariati nuk pati më asnjë komunikim zyrtar.

    “Na thanë se çështja do të zgjidhej të nesërmen. Kaluan ditë dhe askush nuk na kontaktoi. Prisnim të merrnim informacion si prindër, por nuk morëm asnjë përgjigje”, shprehet nëna e vajzës.

    Një tjetër shqetësim i familjes lidhet me një video që, sipas deklarimit të 17-vjeçares, ishte regjistruar gjatë dhunës nga vetë autorët. Familjarët pretendojnë se për javë të tëra nuk u ndërmorën veprime për sekuestrimin e telefonave celularë dhe sigurimin e provave.

    Nëna e vajzës tregon se është drejtuar disa herë në polici për të mësuar ecurinë e hetimeve, por pa marrë informacion të qartë.

    “Pyeta për oficerin që kishte marrë denoncimin dhe për prokurorin që kishte çështjen, por nuk mora përgjigje konkrete. Kanë kaluar javë dhe ende nuk kam një zgjidhje”, deklaron ajo.

    Familja pretendon se për rreth një muaj e gjysmë nuk ka pasur kontakt nga policia, prokuroria apo shërbimet sociale, duke thënë se mbështetja institucionale ka munguar në një moment të vështirë për të miturën.

    Sipas nënës, reagimi i institucioneve u shtua vetëm pasi rasti u bë publik në media. Ndërkohë, 17-vjeçarja është larguar nga banesa e saj dhe po qëndron te të afërmit, për shkak të frikës dhe pasigurisë.

    Familjarët kërkojnë që përgjegjësit për dhunën të përballen me drejtësinë, ndërsa kërkojnë verifikim edhe për mënyrën se si institucionet trajtuan denoncimin fillestar.

    “Dua drejtësi për vajzën time. Sot i ndodhi asaj, nesër mund t’i ndodhë një fëmije tjetër. Vajza ime po shkonte të ndiqte një kurs, nuk po bënte asgjë të gabuar. Ajo duhet të mbrohej dhe jo të dhunohej”, është shprehur nëna

  • ‘‘E di çfarë duhet të bësh’’, piloti e lë studenten vetëm në fluturim, vetëvritet duke u hedhur nga avioni

    ‘‘E di çfarë duhet të bësh’’, piloti e lë studenten vetëm në fluturim, vetëvritet duke u hedhur nga avioni

    Një instruktor fluturimi nga Argjentina u hodh nga avioni drejt vdekjes në mes të një ore mësimi fluturimi, duke i thënë studentes së tronditur: “E di çfarë duhet të bësh”, dhe duke e lënë atë të ulte vetë mjetin ajror.

    Leandro Andrés Bertazzo u identifikua si instruktori që u hodh nga avioni Cessna 150G mbi qytetin Toledo, në Argjentinën qendrore, më 4 korrik, duke e braktisur studenten e tij gjatë fluturimit, njoftoi zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, Carlos Gonella.

    “E di çfarë duhet të bësh, vazhdo”, i tha Bertazzo 22-vjeçares Rosario, raportoi media argjentinase Todos Noticias (TN).

    Më pas, Bertazzo hoqi rripin e sigurimit nga ulësja e tij, largoi kufjet, hapi derën e avionit dhe u hodh jashtë, raporton NewYorkPost.

    Rosario, e cila posedon licencë private piloti, njoftoi zyrtarët e shkollës së fluturimit Flying Parrot në Kordobë për tragjedinë në ajër dhe mori udhëzime për procedurat emergjente, duke arritur ta ulte në mënyrë të sigurt avionin stërvitor.

    Álvarez, i cili kishte punuar ngushtë me Bertazzon, tha se nuk e kuptonte arsyen pse instruktori i tij u hodh nga avioni.

    “Ai mori këtë vendim tragjik në bordin e një avioni, me një person tjetër pranë tij. Nuk ka asnjë mënyrë për ta menduar apo kuptuar atë, por mendja njerëzore është shumë komplekse dhe e paparashikueshme. Prandaj ndodhi ajo që ndodhi”, tha Álvarez, sipas medias.

    Prokurorët kanë nisur një hetim për vdekjen e Bertazzos, pasi kanë sekuestruar avionin për të përcaktuar rrethanat që çuan në rënien fatale, njoftoi të martën prokurori i përgjithshëm.

    Sipas medias, Bertazzo dyshohet se kishte pasur probleme të shëndetit mendor dhe ishte regjistruar në një klinikë psikiatrike pa dijeninë e askujt, përveç familjarëve të tij të afërt.

    “Ai kishte qenë në një institut neuropsikiatrik, por askush nuk e dinte. Vetëm familja e tij”, zbuloi Álvarez.

    Bertazzo i kishte mbajtur të fshehura vështirësitë e tij, pasi askush në shkollën e fluturimit nuk kishte vërejtur diçka të pazakontë tek ai.

    “Ekziston një marrëdhënie shumë e afërt mes studentit dhe instruktorit në aspektin profesional, por asnjë nga ata që fluturuan me të, apo ata që e panë, nuk mund ta kuptonin se ai do të merrte vendimin për t’u hedhur nga avioni. Natyrisht, diçka nuk ishte në rregull”, tha Álvarez për TN.

    Avioni stërvitor nuk pësoi dëmtime, përfshirë edhe derën.

    Zyrtarët u shprehën të habitur nga veprimi i Bertazzos, duke thënë se hapja e dyerve të avionit gjatë fluturimit është shumë e vështirë. Ata e krahasuan këtë me përpjekjen për të hapur derën e një makine gjatë vozitjes me rreth 200 kilometra në orë.

    Bertazzo ishte pilot me përvojë shumëvjeçare dhe kishte disa licenca, përfshirë atë të pilotit të transportit ajror (ATP), pilotit komercial të klasit të parë dhe instruktorit të fluturimit.

    Sipas medias, gjatë karrierës së tij ai kishte punuar për një periudhë të shkurtër edhe në shtetin fqinj, Kili.

  • Sot seancë në GJKKO, të pranishëm në sallë Meta dhe Kryemadhi

    Sot seancë në GJKKO, të pranishëm në sallë Meta dhe Kryemadhi

    Mbahet sot në Gjykatën e Posaçme seanca e radhës e gjyqit të presidentit të Partisë së Lirisë Ilir Meta dhe ish-deputetes Monika Kryemadhi.

    Seanca i përket dosjes ku ata akuzohen për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie.

    Gazetarja Klodiana Lala raporton se Meta dhe Kryemadhi janë të dy të pranishëm në sallë, ndërkohë Ilir Meta ka zgjedhur të përfaqësohet nga avokati Bujar Musta, pas revokimit të avokatit Kujtim Cakrani.

    “Nuk më janë vënë në dispozicion të gjithë aktet me qëllim që procesi të zhvillohet në një kohë sa më te shpejtë”, ka deklaruar Meta në seancë.

    Ndërkohë gjykata është shprehur se aktet janë gati prej kohësh, por avpokati mbrojtës i Metës ka refuzuar t’i marrë

  • Haradinaj: Kosova të veprojë menjëherë që në samitin e NATO’s në Shqipëri të diskutohet kandidatura për anëtarësim

    Haradinaj: Kosova të veprojë menjëherë që në samitin e NATO’s në Shqipëri të diskutohet kandidatura për anëtarësim

    Ish-kryeministri Ramush Haradinaj tha se Kosova duhet të marrë veprime menjëherë që në samitin e ardhshëm të NATO’s, që do të mbahet në Shqipëri, të diskutohet kandidatura e saj për anëtarësim.

    “Aleanca më e fuqishme politiko-ushtarake në botë, NATO, e cila e shpëtoi popullin tonë nga gjenocidi, mbajti samitin e radhës në Turqi. Kosova duhet të veprojë menjëherë që në samitin e ardhshëm të NATO-s në Shqipëri të diskutohet kandidatura e saj për anëtarësim. Edhe pse koha është e shkurtër, me punë serioze ky synim është i arritshëm”.

    Haradinaj tha se kush nuk e mbështet këtë objektiv strategjik të Kosovës është ose shkurtpamës, ose nuk e kupton përgjegjësinë e postit që mban.

  • Zyrtare: Albion Rrahmani transferohet në Serie A, Venezia e prezanton sulmuesin kosovar

    Zyrtare: Albion Rrahmani transferohet në Serie A, Venezia e prezanton sulmuesin kosovar

    Albion Rrahmani ka realizuar një tjetër hap të madh në karrierën e tij. Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës është zyrtarisht futbollist i Venezias, pasi klubi italian konfirmoi transferimin e tij nga Sparta e Pragës.

    Skuadra veneciane, e rikthyer këtë sezon në elitën e futbollit italian, njoftoi se Rrahmani ka firmosur një kontratë afatgjatë, e cila do ta mbajë të lidhur me klubin deri më 30 qershor 2029.

    “Venezia FC njofton transferimin e përhershëm të sulmuesit Albion Rrahmani nga Sparta e Pragës. Futbollisti kosovar ka nënshkruar kontratë me klubin deri më 30 qershor 2029”, thuhet në komunikatën zyrtare të klubit.

    Menjëherë pas prezantimit, 24-vjeçari nuk e fshehu entuziazmin për nisjen e kësaj aventure në Serie A, duke theksuar se projekti i Venezias ishte vendimtar në zgjedhjen e tij.

    “Venezia është një klub me histori të pasur dhe me një vizion shumë ambicioz për të ardhmen. Gjatë bisedave që zhvilluam mbeta vërtet i impresionuar nga projektet dhe objektivat e klubit”, deklaroi Rrahmani.

    Ai shtoi se të përfaqësojë një qytet si Venecia dhe një klub me tifozë kaq besnikë është një motivim i madh për të.

    “Është një privilegj të luaj për një klub që përfaqëson një qytet kaq unik. Mbështetja e tifozëve më motivon edhe më shumë dhe premtoj se do të jap gjithmonë maksimumin në fushë. Bashkë me skuadrën do të luftojmë në çdo ndeshje për të arritur objektivat dhe për t’u dhënë tifozëve sa më shumë arsye për t’u krenuar”, u shpreh sulmuesi kosovar.

    Sipas raportimeve, Venezia ka investuar rreth 7.5 milionë euro për kartonin e Rrahmanit, duke e bërë atë një nga transferimet më të rëndësishme në historinë e klubit. Pas paraqitjeve të mira me Spartën e Pragës, sulmuesi llapjan tashmë do të ketë mundësinë të dëshmojë vlerat e tij në një nga kampionatet më prestigjioze të futbollit evropian.

  • ATK publikon versionin e ri të Sistemit Elektronik EDI

    ATK publikon versionin e ri të Sistemit Elektronik EDI

    Administrata Tatimore e Kosovës ju njofton se është publikuar versioni i ri i Sistemit Elektronik EDI, i cili përmban shërbimin e ri elektronik “Kërkesë për Fiskalizim”.

    Ky shërbim është funksionalizuar në zbatim të Udhëzimit Administrativ (MF) Nr. 01/2026 për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, Sistemeve Fiskale dhe Softuerëve Elektronik Fiskalë, me qëllim të pajisjes së tatimpaguesve me Kodin Unik për Fiskalizim, i cili është parakusht për përdorimin e Softuerit Elektronik Fiskal (SEF).

    Përmes shërbimit “Kërkesë për Fiskalizim” mund të aplikojnë:

    * tatimpaguesit që do të fillojnë përdorimin e Softuerit Elektronik Fiskal (SEF);

    * tatimpaguesit që janë në proces të kalimit nga Pajisjet Elektronike Fiskale (PEF) në Softuerin Elektronik Fiskal (SEF).

    Shërbimi është i qasshëm në Sistemin Elektronik EDI, në menynë “Fiskalizimi”, përmes opsionit “Kërkesë për Fiskalizim”.

    Përmes këtij shërbimi, tatimpaguesit të cilët tashmë janë pajisur me Kodin Unik për Fiskalizim do ta kenë të shfaqur Kodin Unik për Fiskalizim në sistem.

    Ndërsa, tatimpaguesit të cilët nuk janë pajisur ende me Kodin Unik për Fiskalizim do të kenë mundësinë të aplikojnë për pajisje me Kodin Unik për Fiskalizim përmes këtij shërbimi.

    Kujtojmë se pajisja me Kodin Unik për Fiskalizim është parakusht për përdorimin e Softuerit Elektronik Fiskal (SEF). Për këtë arsye, ATK i fton të gjithë tatimpaguesit që planifikojnë të përdorin SEF, si dhe ata që janë në proces të kalimit nga PEF në SEF, të verifikojnë statusin e tyre në Sistemin Elektronik EDI dhe, nëse nuk janë pajisur ende me Kodin Unik për Fiskalizim, të parashtrojnë kërkesën përmes shërbimit “Kërkesë për Fiskalizim”.

    ATK mbetet e përkushtuar në avancimin e shërbimeve elektronike dhe lehtësimin e përmbushjes së obligimeve tatimore përmes digjitalizimit të proceseve, duke ofruar shërbime moderne, efikase dhe të qasshme për të gjithë tatimpaguesit.