ATV

Blog

  • “Mori armën, vrau gruan dhe priti policinë”, del fotoja e autorit pak para rastit të rëndë në Shkodër

    “Mori armën, vrau gruan dhe priti policinë”, del fotoja e autorit pak para rastit të rëndë në Shkodër

    Detaje të reja dhe tronditëse janë publikuar nga vrasja e Bardhe Ziçit në Shkodër, e cila u privua tragjikisht nga jeta prej bashkëshortit të saj.

    Pamjet e kamerave të sigurisë kanë dokumentuar skenën e plotë të krimit.

    Policia ka sekuestruar sistemin e monitorimit të banesës së çiftit, ku shfaqet qartë dinamika dhe veprimet autorit 62-vjeçar gjatë kryerjes së aktit të rëndë.

    Në pamjet filmike të sekuestruara nga grupi hetimor, burri shihet teksa lëviz me qetësi brenda mjediseve të shtëpisë, merr armën e gjahut dhe afrohet pranë derës kryesore të oborrit, raportojnë mediat shqiptare.

    Pasi hap derën dhe vëzhgon ambientin jashtë për të parë nëse ka kalimtarë, ai kthehet dhe qëllon për vdekje bashkëshorten e tij 55-vjeçare.

    Pas kryerjes së krimit, Ziçi nuk ka bërë asnjë tentativë për t’u larguar nga vendngjarja, por ka pritur mbërritjen e forcave të rendit për t’u vënë në pranga.

    Në momentet e para arrestimit, autori i dyshuar i ka thënë grupit hetimor në vendngjarje se nuk është penduar.

    Paraprakisht dyshohet se konflikti ka nisur pasi 55-vjeçarja ka marrë një telefonatë në celularin e saj, e cila dyshohet se mund të ketë qenë nga fëmijët (djali që jeton në Kanada ose vajza) ose të afërm të tjerë.

    Ndaj shtetasit Shtjefën Ziçi, prokuroria ka ngritur zyrtarisht akuzën për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, kod ky që parashikon si masë maksimale dënimi burgimin e përjetshëm

  • Time Kadrijaj: Kurti të mos merret me AAK-në, nëse na i plotëson kërkesat ia bëjmë kuorumin

    Time Kadrijaj: Kurti të mos merret me AAK-në, nëse na i plotëson kërkesat ia bëjmë kuorumin

    Deputetja e zgjedhur e AAK-së, Time Kadriaj, në një bisedë me Kosova Live në T7 ka folur për deklarimet e sotme të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, rreth vendimit të AAK-së për të mos i shkuar në takim.

    Kadriaj ka thënë se Kurti s’ka nevojë të merret me AAK-në, duke theksuar se nëse deklarohet se i plotëson gjashtë kushtet e AAK-së, atëherë partia që drejton Gjini do t’ia bëjë kuorumin për president.

    “S’ka nevojë të merret me AAK-në. Pse spo flet për kërkesat e Aleancës, me thanë që AAK ka qenë transparente prej fillimit dhe se i realizon ato kërkesa për t’i marrë votat tona. A po don me bo zgjidhje, s’ka nevojë me u marrë pse Aleanca s’ka shku në takim. Ne i kemi bërë kërkesat, s’ka pasur reflektim nga z. Kurti që i realizon ato”, ka deklaruar ajo.

  • Bëhet shkrumb e hi një veturë te Rruga B në Prishtinë, në vendngjarje zjarrfikësit

    Bëhet shkrumb e hi një veturë te Rruga B në Prishtinë, në vendngjarje zjarrfikësit

    Një veturë është përfshirë nga flakët në Rrugën B në Prishtinë.

    Trafiku në atë pjesë është bllokuar, derisa në vendngjarje kanë dalë edhe zjarrfikësit.

    Nuk dihen ende shkaqet që kanë mundur të çojnë deri tek ndezja e veturës.

  • Në prag të aktgjykimit, djali e viziton Jakup Krasniqin në Hagë

    Në prag të aktgjykimit, djali e viziton Jakup Krasniqin në Hagë

    Altin Kransiqi, djali i Jakup Krasniqi, e ka vizituar sot babain e tij në Hagë.

    Kjo vizitë e tij vjen kur kanë mbetur edhe pak javë nga aktgjykimi për katërshen e UÇK-së.

    “Sot isha për vizitë në Hagë. Kanë mbetur edhe pak javë deri te vendimi përfundimtar.

    Pavarësisht gati 6 viteve të padrejtësisë, një gjë ka mbetur e pandryshuar: krenaria për luftën çlirimtare, për idealin e lirisë dhe për ata që nuk u përkulën as atëherë e nuk përkulen as sot.

    Me besim të palëkundur në të vërtetën dhe me kokën lart, presim epilogun e këtij procesi”, ka shkruar ai.

  • Finale historike në Wimbledon, Muchova dhe Noskova do të duelojnë për titullin

    Finale historike në Wimbledon, Muchova dhe Noskova do të duelojnë për titullin

    Wimbledoni do të ketë për herë të parë në histori një finale tërësisht çeke në turneun e femrave. Karolina Muchova dhe Linda Noskova siguruan kualifikimin për aktin e fundit, duke eliminuar kundërshtaret e tyre në gjysmëfinale dhe duke shkruar histori në turneun më prestigjioz të fushave me bar.

    Linda Noskova vazhdoi formën e shkëlqyer, teksa mposhti ukrainasen Marta Kostyuk me rezultatin 6-4, 6-4. Tenistja 21-vjeçare dominoi momentet vendimtare të takimit dhe siguroi biletën për në finale pa humbur asnjë set.

    Gjysmëfinalja tjetër ishte shumë më dramatike. Karolina Muchova triumfoi ndaj amerikanes Coco Gauff pas tre seteve, me rezultatin 6-1, 1-6, 7-6.

    Pas një seti të parë të dominuar nga Muchova dhe reagimit të fuqishëm të Gauff në të dytin, fituesja u vendos vetëm në setin e tretë. Dy tenistet zhvilluan një duel të barabartë, i cili shkoi në tie-break, ku çekja tregoi më shumë qetësi dhe përvojë për të siguruar kualifikimin.

    Finalja mes Muchovës dhe Noskovës do të shënojë një moment historik për Wimbledonin, pasi për herë të parë dy teniste nga Republika Çeke do të përballen për trofeun e kampiones. Kjo do të thotë se Republika Çeke do të ketë të garantuar fituesen e edicionit të sivjetshëm të turneut.

  • Irani varros udhëheqësin suprem, Ajatollah Ali Khamenei, në një faltore

    Irani varros udhëheqësin suprem, Ajatollah Ali Khamenei, në një faltore

    Udhëheqësi i ndjerë Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, u varros në orët e para të mëngjesit të së premtes sipas orës lokale, sipas një deklarate të publikuar në llogarinë e tij zyrtare në X.

    Varrimi u bë në faltoren e Imam Rezas në qytetin e Mashhadit, ku kishte lindur Khamenei. Në ceremoninë private mori pjesë familja e tij, pas një ceremonie mortore publike disaditore, ku mijëra qytetarë i dhanë lamtumirën e fundit.

    Udhëheqësi i ri Suprem, Mojtaba Khamenei, nuk është parë në publik gjatë ceremonive mortore.

  • ​ATK thotë se në janar-qershor 2026 mbodhi më tepër para se më 2025 e më 2024

    ​ATK thotë se në janar-qershor 2026 mbodhi më tepër para se më 2025 e më 2024

    Administrata Tatimore e Kosovës ka shënuar rritje prej 14 për qind të të hyrave gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, ndërsa ka shtuar edhe numrin e kontrolleve, vizitave në terren dhe rasteve të evidentuara të evazionit fiskal.

    Kështu bëri të ditur drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Mentor Hyseni, gjatë prezantimit të raportit gjashtëmujor për vitin 2026, të premten në Prishtinë.

    Sipas tij, rritja e të hyrave në këtë periudhë ka tejkaluar rezultatet e të njëjtës periudhë kohore edhe për vitet 2025 e 2024, ndërsa tatimi mbi vlerën e shtuar përbën mbi 37 për qind të të hyrave tatimore.

    Në bazë të të dhënave të prezantuara nga Hyseni, numri i kontrolleve është rritur për 35.7 për qind, ndërsa evidentimi i evazionit fiskal është dyfishuar. Po ashtu, sipas tij, vizitat në terren janë rritur nga 11 mijë e 900 në rreth 16 mijë.

    “Në 2026 në këtë gjashtë mujor kemi një rritje prej 14 për qind që tejkalon dy vitet paraprake. Nëse e shohim ka përbërja, në pjesën e TVSH-së e kemi mbi 37 për qind që është pjesa e të hyrave tatimore, nëse shohim historinë e saj për 2024-2025 kemi një rritje prej 16 për qind ndërsa 2025-26 kemi 11 për qind, parashihet një rënie e TVSH-së krahasim me vitet paraprake.. 10 punëtorë na kanë dalë në pension në këtë gjashtë mujorin e parë, por megjithatë me këtë mungesë të punëtorëve, ne kemi arritur ta rrisim numrin e kontrolleve për 37 për qind në krahasim me vitin paraprak, 35.7 për qind është rritur numri i kontrolleve. Rezultatet nuk tregojnë që ka pasur vetëm rritje efektive të numrit. Me rritjen prej 35.7 për qind të kontrolleve kemi rritur 100 për qind pjesën e evazionit fiskal që e kemi gjetur. Kjo nuk ka shënuar vetëm efikasitet në rritje të numrit të kontrolleve, por edhe efektivitet në mënyrën se si janë kontrolluar bizneset. E njëjta dinamikë tregohet tek rezultatet e vizitave. Numri tyre është prej 36.97 për qind krahasuar me vitin paraprak sa kanë qenë 11 mijë e 900 tash janë 16 mijë vizita në terren”, tha Hyseni.

    Ndërkohë, masat ndëshkuese ndaj tatimpaguesve kanë shënuar rënie, nga 2 mijë e 700, në 2 mijë e 500.

    Hyseni tha se menaxhimi dhe mbledhja e borxheve vazhdon të jetë një prej sfidave kryesore për ATK-në. Sipas tij, decentralizimi i mbledhjes së borxheve në dhjetë regjione ka ndikuar që numri i marrëveshjeve të trajtuara të rritet nga 1 mijë e 300, në 2 mijë e 300.

    “Masat ndëshkuese ndaj tatimpaguesve kanë shënuar rënie, nëse e shohim me numër prej 2 mijë e 700 kanë ra në 2 mijë e 500.. Pjesa e borxheve ka qenë pjesa më sfiduese e ATK. Fondi monetar ndërkombëtarë ka bërë një strategji për koncentrim të mbledhjes së borxheve, mirëpo ne e kemi pa që nuk ka funksionuar. Të gjithë mbledhjen e borxheve i kemi decentralizuar dhe dërgu në 10 regjione. Nëse shohim numrin e marrëveshjes sa janë trajtuar, prej një mijë e 300 marrëveshje në 2 mijë e 300”, tha ai.

    Hyseni foli edhe për bashkëpunimin ndërinstitucional të ATK-së me Doganën, Policinë dhe Prokurorinë, duke veçuar operacionin e javës së kaluar lidhur me sektorin e derivateve, ndërsa tha që në gjashtë muajt e parë të vitit 2026 është shtuar edhe numri i denoncimeve të bëra në platformën online të krijuar për këtë gjë

    “Përveç aktiviteteve të ATK brenda kemi edhe aktivitete në institucione tjera si Dogana, Policia e Kosovës, Prokuroria. Aktivitetin e fundit që kemi pasur ka qenë operacioni për derivate, kanë qenë kryesisht të ndara në dy plane operative. 12 njësi në planin penal kanë qenë të organizuar, 48 zyrtarë të angazhuar, 26 inspektorë dhe 22 inspektorë të tjerë tatimorë prej regjioneve të ndryshme. 30 pika të shitjes së derivateve janë kontrolluar dhe janë mbledhur provat që do na shërbejnë neve. Tek pjesa e denoncimeve diku 48 përqind ka rritje. 1 mijë e 759 denoncime, 1 mijë e 300 aktivitete të organizuara, 219 denoncime në proces, 234 denoncime të refuzuara”, tha Hyseni. /KP/

  • Publikohet video, presidenti i Sllovakisë tregon armën që mori dhuratë nga Erdogani në samitin e NATO-s

    Publikohet video, presidenti i Sllovakisë tregon armën që mori dhuratë nga Erdogani në samitin e NATO-s

    Presidenti i Sllovakisë, Peter Pellegrini, ka bërë publik armën që mori si dhuratë nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan gjatë Samitit të NATO-s në Ankara.

    Arma, një Gümüşay .357 Magnum e prodhuar në Turqi, ishte vendosur në një kuti druri me flamurin turk dhe logon e NATO-s.

    Mbi të ishte gdhendur emri i Pellegrinit, ndërsa dhurata përfshinte edhe gjashtë fishekë.

    E njëjta dhuratë iu dha të gjithë liderëve pjesëmarrës në samit.

    Videoja e publikuar në rrjete sociale ka tërhequr vëmendje në rrjetet sociale, ndërsa dhurata e pazakontë ka ngjallur debat edhe për vështirësitë ligjore të transportit të armëve në disa vende evropiane.

  • Milani synon Van Dijkun, Ibrahimoviçi shtyn përpara transferimin e bujshëm

    Milani synon Van Dijkun, Ibrahimoviçi shtyn përpara transferimin e bujshëm

    Milani po shqyrton mundësinë e transferimit të kapitenit të Liverpoolit, Virgil van Dijk, në një lëvizje që do të ishte ndër më të bujshmet e kësaj merkatoje.

    Sipas TuttoMercatoWeb, ideja për afrimin e mbrojtësit holandez është mbështetur nga Zlatan Ibrahimoviç, i cili e sheh Van Dijkun si liderin ideal për të forcuar repartin defensiv të kuqezinjve. Megjithatë, operacioni konsiderohet shumë i vështirë, edhe pse jo i pamundur.

    Drejtuesit e Milanit janë në kërkim të një mbrojtësi me përvojë, autoritet dhe mentalitet fitues, cilësi që Van Dijk i ka dëshmuar prej vitesh si te Liverpooli ashtu edhe te kombëtarja e Holandës.

    Pengesa më e madhe për realizimin e kësaj marrëveshjeje mbetet paga e lartë e 35-vjeçarit. Mbrojtësi përfiton rreth 15 milionë euro në sezon, një shifër që tejkalon ndjeshëm strukturën aktuale të pagave te Milani.

    Për këtë arsye, klubi italian do të duhet të gjejë një formulë të veçantë për ta bërë të mundur transferimin, qoftë përmes një kontrate të strukturuar ndryshe, uljes së pagës apo bonuseve të lidhura me performancën.

    Ndërkohë, raportimet bëjnë të ditur se Liverpooli është i gatshëm të dëgjojë oferta për mbrojtësin holandez, ndërsa çdo negociatë do të varet kryesisht nga mënyra se si do të zgjidhet çështja e pagës së tij.

    Nëse transferimi realizohet, ardhja e Virgil van Dijk te Milani do të përbënte një nga goditjet më të mëdha të merkatos verore, edhe pse për momentin mbetet një objektiv ambicioz për klubin italian.

  • Rrahja e të miturës në Fier, dërgohet në mbajtje 19-vjeçarja

    Rrahja e të miturës në Fier, dërgohet në mbajtje 19-vjeçarja

    Gjykata në Fier ka ndryshuar masën e sigurisë për vajzat që rrahën e më pas filmuan 17-vjeçaren.

    Pasi rasti u bë mediatik institucionet reaguan duke mos e konsideruar thjesht një rrahje mes adoleshenteve.

    Për 19-vjeçaren gjykata ka vendosur masën e burgut pa afat deri në përfundim të hetimeve ndërsa autorja tjetër 15 vjeç u la në arrest shtëpie.

    E mitura tjetër e përfshirë në ngjarje është lënë në masën e mjekimit të detyruar sepse pas dhunimit edhe të nënës së saj rezultoi me probleme të shëndetit mendor.

    Dhuna ndaj bashkëmoshatares nuk është e vetmja vepër penale në të cilën janë përfshirë 3 adoleshentet. Top Channel mëson se ato po hetohen edhe për vepra të tjera penale.

    Nga të dhënat që Policia e Fierit ka grumbulluar dhe po analizon rezulton se vajzat kishin ndërtuar një skemë shantazhi ku fusnin në kurth burra, të cilët fillimisht i joshnin dhe u linin takim në një hotel.

    Më pas teksa personi priste në dhomë për të kryer takimin e premtuar aty paraqitej dikush tjetër që i fotografonte dhe me anë të këtyre imazheve i shantazhonte.

    Në këtë rrjet shantazhi kishte rënë dhe një punonjës policie baba i 2 fëmijëve, i cili ishte kontaktuar nga 15-vjeçarja.

    Në bisedë ajo kishte tentuar të joshte policin duke i lënë takim në hotel por polici e kishte takuar vetëm në kafe. Gjithsesi bisedat e shkëmbyera mes tyre mjaftuan që polici të intimidohej e shantazhohej që çështja penale ndaj tyre për rrahjen e shoqes të mbyllej në të kundërt bisedat do të publikoheshin online.

    Për rastin efektivi u përjashtua nga policia ndërsa agjencia e mbikëqyrjes policore po kryen verifikimet e nevojshme. /Tch/