ATV

Blog

  • ​KPK refuzoi ankesën e Atdhe Demës për procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit

    ​KPK refuzoi ankesën e Atdhe Demës për procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit

    Me një votë për dhe pesë vota kundër, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) refuzoi ankesën e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, Atdhe Dema.

    Dema kishte paraqitur ankesë në KPK, duke pretenduar shkelje të dispozitave ligjore në aspektin procedural dhe material si dhe mospërputhje ndërmjet pikëzimit dhe arsyetimit të dhënë nga Paneli vlerësues.

    Ai kishte kërkuar që ankesa të aprovohej si e bazuar dhe që Paneli vlerësues ta rishqyrtonte vlerësimin e tij, duke argumentuar se vlerësimi për intervistën dhe koncept-dokumentin nuk ishte mbështetur në fakte konkrete dhe arsyetim të mjaftueshëm.

    Gjatë shqyrtimit të ankesës, zëvendëskryesuesi i KPK-së, Dardan Vuniqi, tha se pretendimet e Demës për mungesë të arsyetimit nuk qëndrojnë. Sipas tij, kandidati nuk ka paraqitur prova që mbështesin pretendimet e ngritura dhe ankesa nuk tregon se cili element i vlerësimit duhet të ndryshohet.

    “Kam kërkuar dokumente shtesë në ankesë, por nuk kam arritur ta gjej interesin e kandidatit në fjalë, se çfarë ka kërkuar të ndryshohet, pasi të drejtën që e ka kërkuar e ka fituar. Mendoj se diskrecioni ka qenë në përputhje me rregulloren. Ankesa nga kandidati duhet të mbështetet në prova. Ankesën e kemi pranuar vetë, i kam dëgjuar intervistat, por nuk mund të shkojmë tutje nëse nuk kemi interes juridik se çfarë duhet të ndryshohet, ngase ajo për të cilën është atakuar, ajo e drejtë është e fituar. Unë qëndroj në argumentimin tim që e njëjta ankesë të refuzohet”, tha ai.

    Vuniqi shtoi se ankesa e Demës nuk specifikon ndonjë shkelje procedurale apo materiale, por shpreh vetëm mospajtim me pikëzimin e marrë.

    Gjatë diskutimit, anëtari i KPK-së, Milot Krasniqi, tha se Këshilli duhet ta vlerësojë ankesën vetëm mbi bazën e kritereve dhe shtyllave të përcaktuara në procesin e vlerësimit.

    “Sa i përket barrës së provës, konsideroj se është duke u bërë një interpretim i gabuar, sepse kandidati, jo vetëm ky, por edhe të tjerët, nuk kanë se si të sigurojnë prova se çfarë ta mbështesin. Konsideroj se sa i përket barrës së të provuarit nuk mund të kërkohet që kandidatët të dorëzojnë dokumente që mbështesin pretendimet e tyre. Duhet të bazohemi në tri shtylla: vlerësimin e kryer nga paneli, të cilin nuk e kemi sot para vetes, intervistën, ku mund të shohim më së miri kandidatët, dhe e treta është kundërshtimi. Mbi këto baza mund të dalim në një vlerësim më të qartë”, tha ai.

    Ndërsa, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, tha se për të është me rëndësi të kuptohet se në çfarë mase KPK-ja ka pasur mundësi të ushtrojë kontroll efektiv mbi vlerësimin e bërë nga Paneli vlerësues.

    Në të njëjtën mbledhje, me gjashtë vota për u miratua edhe autorizimi i drejtorit të Sekretariatit të KPK-së, Sami Istrefi, për ta përfaqësuar Këshillin para Gjykatës Kushtetuese si dhe për dorëzimin e komenteve lidhur me njoftimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. /kp/

  • Këto janë gjashtë gratë që hyjnë në Kuvend përmes kuotës gjinore

    Këto janë gjashtë gratë që hyjnë në Kuvend përmes kuotës gjinore

    Legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës do të ketë 41 gra deputete, të cilat përbëjnë rreth 34 për qind të përbërjes së përgjithshme të parlamentit, sipas të dhënave të publikuara nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

    Nga numri i përgjithshëm i grave të zgjedhura në Kuvend, 35 prej tyre kanë siguruar mandatin përmes votave të drejtpërdrejta të qytetarëve, ndërsa 6 deputete kanë hyrë në Kuvend përmes zbatimit të kuotës gjinore.

    Në Aleancë janë zëvendësuar tri ulëse (Time Kadrijaj Albana Bytyqi, Teuta Haxhiu), në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dy ulëse (Eliza Hoxha dhe Ariana Musliu-Shoshi), ndërsa një ulëse është ndryshuar edhe në Listën Serbe(Tanja Vuljoviq).

    Sipas të dhënave të KDI-së, gjatë procesit të ndarjes së mandateve nga kuota gjinore ka pasur ndryshime në disa subjekte politike.

  • Mbyllet segmenti nga Rrethi i Flamurit deri te Rrethi i Spitalit, komuna njofton për punime

    Mbyllet segmenti nga Rrethi i Flamurit deri te Rrethi i Spitalit, komuna njofton për punime

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar se, për shkak të zhvillimit të punimeve infrastrukturore, do të mbyllet përkohësisht për qarkullim një segment i rrugës “Fehmi Lladrovci”.

    Sipas njoftimit, mbyllja do të jetë në fuqi nga 10 deri më 18 korrik 2026 dhe përfshin segmentin nga Rrethi i Flamurit deri te Rrethi i Spitalit.

    Tutje bëhet e ditur se gjatë kësaj periudhe, trafiku do të menaxhohet dhe ridrejtohet sipas sinjalizimit të përkohshëm të vendosur në terren, ndërsa qarkullimi i këmbësorëve do të mbetet i mundësuar.

    Mes tjerash, komuna u ka bërë thirrje qytetarëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të tregojnë mirëkuptim dhe të planifikojnë lëvizjet e tyre duke shfrytëzuar rrugë alternative deri në përfundimin e punimeve.

  • Moti ekstrem mund të shtyjë çerekfinalen Norvegji – Angli

    Moti ekstrem mund të shtyjë çerekfinalen Norvegji – Angli

    FIFA mund të detyrohet të marrë një tjetër vendim të rëndësishëm para çerekfinales së Kupës së Botës 2026 mes Anglisë dhe Norvegjisë, për shkak të kushteve ekstreme të motit në Miami.

    Kombëtarja angleze, e drejtuar nga Thomas Tuchel, siguroi kualifikimin në çerekfinale pas fitores dramatike 3-2 ndaj Meksikës, në një ndeshje ku luajti me dhjetë futbollistë pas kartonit të kuq të Jarell Quansah.

    Megjithatë, shqetësimet e Anglisë nuk lidhen vetëm me mungesat në skuadër. FIFA po monitoron nga afër situatën meteorologjike në Florida, pasi temperaturat e larta dhe rreziku për stuhi mund të ndikojnë në zhvillimin e ndeshjes.

    Shërbimi Kombëtar i Motit në Shtetet e Bashkuara ka lëshuar një paralajmërim për vapë ekstreme në jug të Floridës, ku temperatura e ndjerë mund të arrijë deri në 43 gradë Celsius, si pasojë e temperaturave të larta dhe lagështisë së madhe.

    Përveç vapës, meteorologët kanë parashikuar edhe stuhi me shkarkesa elektrike gjatë fundjavës. Sipas protokollit të FIFA-s, çdo ndeshje duhet të ndërpritet ose të shtyhet nëse konstatohet aktivitet i rrufeve brenda një rrezeje prej tetë miljesh (rreth 13 kilometrash) nga stadiumi.

    Ndeshja mes Anglisë dhe Norvegjisë është planifikuar të zhvillohet të shtunën, por nëse kushtet atmosferike nuk përmirësohen, FIFA mund të vendosë shtyrjen e fillimit të saj për arsye sigurie.

    Një situatë e ngjashme ndodhi edhe në ndeshjen e Anglisë ndaj Meksikës në fazën e 1/8 së finales, kur takimi nisi me një orë vonesë për shkak të motit të pafavorshëm.

  • Malisheva – Vllaznia do të zhvillohet në Kampin Nacional në Hajvali

    Malisheva – Vllaznia do të zhvillohet në Kampin Nacional në Hajvali

    Ndeshja mes Malishevës dhe Vllaznisë, e vlefshme për kualifikimet e Ligës së Konferencës, do të zhvillohet në Kampin Nacional në Hajvali.

    Lajmi është konfirmuar nga UEFA, e cila në platformën zyrtare ka bërë të ditur se sfida e kthimit do të luhet më 15 korrik, me fillim nga ora 16:30.

    Malisheva do të kërkojë përmbysjen e rezultatit pas humbjes në ndeshjen e parë ndaj skuadrës shqiptare. Përballja e zhvilluar në Shqipëri u mbyll me fitoren e Vllaznisë me rezultat 2-1, duke i dhënë avantazh minimal ekipit shkodran para duelit të dytë.

    Skuadra kosovare tashmë do të tentojë të shfrytëzojë faktorin vendas për të siguruar kualifikimin në raundin tjetër të garës evropiane.

  • Sadio Mané tërhiqet nga kombëtarja e Senegalit, i jep fund një epoke historike

    Sadio Mané tërhiqet nga kombëtarja e Senegalit, i jep fund një epoke historike

    Sadio Mané ka njoftuar zyrtarisht tërheqjen nga futbolli ndërkombëtar, duke mbyllur një kapitull të jashtëzakonshëm me Kombëtaren e Senegalit.

    Sulmuesi 34-vjeçar mori këtë vendim pas eliminimit të Senegalit nga Kupa e Botës 2026, ku “Luanët e Terangës” u mposhtën nga Belgjika pas kohës shtesë në fazën e 1/8 së finales.

    Në një mesazh emocionues drejtuar tifozëve, Mané falënderoi të gjithë për mbështetjen ndër vite dhe theksoi se gjithmonë ka dhënë maksimumin për fanellën e kombëtares.

    “Dijeni se kam sakrifikuar gjithçka për këtë flamur. Kam dhënë gjithçka nga vetja dhe kam luftuar gjithmonë për vendin tonë. Mbështetja juaj e vazhdueshme ishte forca që më shtyu drejt suksesit,” u shpreh Mané.

    Legjenda e futbollit senegalez bëri të ditur se, edhe pse largohet si futbollist, nuk do të shkëputet nga kombëtarja.

    “Në të ardhmen, me kënaqësi do ta përdor përvojën time për të mirën e vendit, qoftë si pjesë e stafit teknik, si trajner apo në strukturat drejtuese të futbollit,” shtoi ai.

    Mané debutoi me Kombëtaren e Senegalit në vitin 2012 dhe gjatë 14 viteve zhvilloi 130 ndeshje, duke realizuar 54 gola, rekord absolut në historinë e përfaqësueses.

    Si kapiten i gjeneratës më të suksesshme të Senegalit, ai udhëhoqi ekipin drejt triumfit historik në Kupën e Kombeve të Afrikës (AFCON) 2021, duke lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme dhe duke u renditur mes futbollistëve më të mëdhenj që ka nxjerrë ndonjëherë futbolli afrikan.

  • FSK përmbyll kursin bazik për xhenierë luftarakë, rriten kapacitetet profesionale

    FSK përmbyll kursin bazik për xhenierë luftarakë, rriten kapacitetet profesionale

    Në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) është përmbyllur Kursi Bazik për Xhenierë Luftarakë.

    Sipas njoftimit të FSK-së në Facebook, ky kurs kishte për qëllim përgatitjen e pjesëtarëve me njohuri teorike dhe aftësi praktike në fushën e xhenios luftarake, përfshirë ndërtimin e fortifikimeve fushore, demolimet, kalimin e pengesave ujore, zbulimin dhe pastrimin e pengesave, si dhe përdorimin e pajisjeve xheniere.

    “Trajnimi u realizua sipas standardeve profesionale, duke u fokusuar në zhvillimin e aftësive teknike, disiplinës, punës ekipore dhe gatishmërisë operacionale të pjesëmarrësve. Përfundimi me sukses i këtij kursi paraqet një hap të rëndësishëm në ngritjen e kapaciteteve profesionale të personelit të FSK-së dhe kontribuon në rritjen e gatishmërisë së njësive për përmbushjen e misioneve të tyre”, thuhet në postimin e FSK-së.

  • Zyrtare: Lumbardh Dellova transferohet te Amedspor

    Zyrtare: Lumbardh Dellova transferohet te Amedspor

    Lumbardh Dellova ka hedhur një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e tij, pasi është zyrtarizuar si futbollist i ri i Amedsporit.

    Klubi turk ka aktivizuar klauzolën e lirimit të mbrojtësit të Kombëtares së Kosovës, duke i paguar 950 mijë euro CSKA Sofias për kartonin e 27-vjeçarit. Me këtë transferim, Dellova i jep fund aventurës së tij në futbollin bullgar, ku u dallua me paraqitje të mira në radhët e klubit nga Sofja.

    Mbrojtësi kosovar ka firmosur një kontratë trevjeçare me Amedsporin dhe do të jetë pjesë e projektit të klubit për sezonin 2026/27, ku pritet të ketë një rol të rëndësishëm në repartin defensiv.

    Te skuadra turke, Dellova do të punojë nën drejtimin e trajnerit shqiptar Besnik Hasi, ndërsa do të ndajë zhveshtoren edhe me dy futbollistë të tjerë kosovarë, Ermal Krasniqin dhe Florent Hasanin.

    Në njoftimin zyrtar, Amedspori e mirëpriti mbrojtësin kosovar dhe konfirmoi marrëveshjen trevjeçare.”Klubi ynë ka nënshkruar një kontratë trevjeçare me lojtarin e Kombëtares së Kosovës, Lumbardh Dellova, i cili së fundmi luajti për CSKA Sofia, si pjesë e planifikimit të skuadrës sonë për sezonin 2026/27.

    • 27-vjeçari Lumbardh Dellova, i cili mund të luajë si mbrojtës qendror, mbrojtës i djathtë dhe mbrojtës i majtë, do të japë kontribute të rëndësishme në ekipin tonë me stilin e tij të gjithanshëm të lojës.

    Ne e mirëpresim Lumbardh Dellovën në klubin tonë dhe i urojmë një karrierë të suksesshme me fanellën tonë jeshile dhe të kuqe.”

    Ky transferim përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e Dellovës, i cili do të synojë të konfirmojë vlerat e tij edhe në futbollin turk.

  • Gjykimi për vrasjen në Gllogjan rihapet, Koci zbulon provën e re

    Gjykimi për vrasjen në Gllogjan rihapet, Koci zbulon provën e re

    Gjykata Themelore në Pejë ka vendosur që të rihapë shqyrtimin gjyqësor në rastin ndaj Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, të cilët akuzohen për vrasjen e trefishtë që ndodhi në Gllogjan në vitin 2021.

    Vendimi u mor në seancën e së premtes, në të cilën ishte paraparë shpallja e aktgjykimit.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë, tre të akuzuarit dyshohet se kanë organizuar dhe kryer sulmin në bashkëpunim me njëri tjetrin, me motiv hakmarrjen.

    Avokati i familjes së dëmtuar, Arianit Koci, tha se në seancën e sotme pritej shpallja e aktgjykimit, por gjykata vendosi ta rihapë gjykimin për administrimin e një prove shtesë.

    “Sot e kemi pritur vendimin. Sidoqoftë, gjykata ka vlerësuar se duhet të vërtetohet edhe një provë, prandaj e ka rihapur gjykimin. Deri më tash, kryetari i trupit gjykues e ka udhëhequr proceduralisht shumë mirë. Unë, si përfaqësues i familjes së dëmtuar, jam i kënaqur dhe besoj se pas seancës së radhës do të merret vendimi dhe personat e akuzuar do të dënohen”, deklaroi Koci.

    I pyetur nga gazetarët nëse ka dijeni për provën që ka ndikuar në rihapjen e gjykimit, avokati Arianit Koci tha se bëhet fjalë për një video.

    “Gjykata e ka arsyetuar sot vendimin e vet. Bëhet fjalë për një video dhe për fjalën përfundimtare të prokurores. Sidoqoftë, do ta shqyrtojmë dhe do të përfundojë edhe ky proces”, tha Koci.

    Aktakuza thekson se objektiv i sulmit ishte shoferi i autobusit, tashmë i ndjeri Gani Gjokaj. Sipas Prokurorisë, familja Mehmetaj e konsideronte atë përgjegjës për vetëvrasjen e vajzës së tyre, Heroina Mehmetaj, çka pretendohet se ka qenë motivi i krimit.

    Në dosjen e rastit thuhet se Halil Mehmetaj ishte zotuar për hakmarrje ndaj Gjokajt dhe se gjatë ceremonisë së varrimit të vajzës së tij kishte vendosur orën e dorës në arkovin e saj.

    Sipas aktakuzës, të akuzuarit paraprakisht kishin vëzhguar zonën ku ndodhi ngjarja, duke zgjedhur një vend pa kamera sigurie dhe larg banesave. Prokuroria pretendon se ata i kishin zënë pritë autobusit që qarkullonte në linjën Gjakovë, Gllogjan, ndërsa gjatë sulmit mbetën të vrarë tre persona.

    Organi i akuzës pretendon se Kastriot Mehmetaj, i armatosur me një pushkë automatike AK-47, kishte shkuar në këmbë deri në vendin e ngjarjes. Me afrimin e autobusit, ai kishte dalë në mes të rrugës duke u shtirur si i dehur për ta detyruar shoferin të ngadalësonte ose të ndalonte. Pasi autobusi uli shpejtësinë, sipas aktakuzës, ai qëlloi në drejtim të shoferit Gani Gjokaj, duke e lënë të vdekur, ndërsa nga të shtënat humbën jetën edhe dy nxënës 17 vjeçarë, L.H. dhe G.M., si dhe u plagos rëndë F.T.

    Më tej, sipas aktakuzës, pas kryerjes së sulmit Kastriot Mehmetaj ishte larguar në drejtim të fshatit Shaptej, ku e priste me veturë Kreshnik Mehmetaj. Prokuroria pretendon se pas kthimit në shtëpi arma e përdorur në krim ishte shkatërruar.

    Aktakuza ngarkon edhe Halil Mehmetajn se, në periudhën nga 14 qershori 2020 deri më 26 nëntor 2021, kishte nxitur Kastriot dhe Kreshnik Mehmetajn për vrasjen e Gani Gjokajt, duke e fajësuar vazhdimisht atë për vetëvrasjen e vajzës së tij, Heroina Mehmetaj. /kp/

  • Haxhiu dekoron me Medalje Presidenciale Ushtarake kolonelin A. J. Berg për kontributin e tij në Kosovë

    Haxhiu dekoron me Medalje Presidenciale Ushtarake kolonelin A. J. Berg për kontributin e tij në Kosovë

    Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu ka dekoruar me Medaljen Presidenciale Ushtarake Kolonelin A. J. Berg, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij në forcimin e partneritetit strategjik dhe bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Këtë e bëri të ditur Haxhiu përmes një postimi në rrjetin social në Facebook duke shkruar se në përfundim të mandatit të tij si Atashe i Mbrojtjes i ShBA-së në Kosovë, e falënderoi për angazhimin e tij të palëkundur në mbështetjen e zhvillimit dhe modernizimit të FSK-së

    “Sot pata kënaqësinë ta dekoroj me Medaljen Presidenciale Ushtarake Kolonelin A. J. Berg, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në forcimin e partneritetit strategjik dhe bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në përfundim të mandatit të tij si Atashe i Mbrojtjes i ShBA-së në Kosovë, e falënderova për angazhimin e tij të palëkundur në mbështetjen e zhvillimit dhe modernizimit të FSK-së, avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe thellimin e marrëdhënieve në fushën e mbrojtjes mes dy vendeve tona”, ka shkruar Haxhiu.