ATV

Blog

  • Sulmoi me thikë dy persona, ndalohet i mituri për tentim vrasjeje në Ferizaj

    Sulmoi me thikë dy persona, ndalohet i mituri për tentim vrasjeje në Ferizaj

    Një i mitur është ndaluar për 24 orë nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, nën dyshimin se ka kryer veprat penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “Vrasja në tentativë”.

    Rasti ka ndodhur sot rreth orës 07:53, në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, në afërsi të Postës Qendrore në Ferizaj, ku, sipas informatave fillestare, i dyshuari ka sulmuar me thikë dy persona.

    Pas ngjarjes, i mituri dyshohet se është larguar nga vendi i rastit, por është lokalizuar nga Policia pas veprimeve hetimore.

    “Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të dyshuarit në këtë rast, do të vazhdoj tutje me procedurat dhe veprimet e nevojshme ligjore”, thuhet në komunikatën për media.

  • Virusi shqetëson Anglinë dhe Norvegjinë para çerekfinales së Botërorit 2026

    Virusi shqetëson Anglinë dhe Norvegjinë para çerekfinales së Botërorit 2026

    Vetëm pak ditë para çerekfinales së Kupës së Botës 2026, që zhvillohet të shtunën në Miami, Anglia dhe Norvegjia po përballen me probleme shëndetësore që mund të ndikojnë në përgatitjet e tyre.

    Sipas Daily Mail, mesfushori i Anglisë, Declan Rice, është infektuar me një virus dhe është vendosur në izolim për të parandaluar përhapjen e tij te pjesa tjetër e skuadrës.

    Futbollisti i Arsenalit ka munguar në dy seanca stërvitore radhazi për shkak të gjendjes së tij, ndërsa Federata Angleze e Futbollit ka ndërmarrë masa të menjëhershme duke e mbajtur të veçuar nga grupi. Megjithatë, në kampin anglez besohet se situata është nën kontroll dhe se asnjë lojtar tjetër nuk është prekur.

    Rice kishte pasur më herët edhe shqetësime fizike në kofshë dhe në pjesën e poshtme të shpinës, ndaj mungesa e tij në sfidën ndaj Norvegjisë do të ishte një goditje e rëndësishme për Anglinë.

    Probleme të ngjashme janë shfaqur edhe në kampin norvegjez. Portieri Orjan Nyland ka konfirmuar se disa futbollistë janë sëmurë, ndërsa stafi mjekësor po punon për ta mbajtur situatën nën kontroll.

    “Është e vërtetë, kemi pasur probleme. Po bëjmë gjithçka që mundemi dhe mjeku ynë është shumë i angazhuar për momentin. Shpresojmë që gjithçka të jetë mirë dhe të përballemi me Anglinë me një ekip plotësisht të gatshëm”, deklaroi Nyland.

    Dy futbollistë norvegjezë kanë munguar tashmë në ndeshje për shkak të sëmundjes. Sulmuesi Jørgen Strand Larsen nuk luajti në ndeshjen e parë të turneut, ndërsa Marcus Holmgren Pedersen mbeti jashtë përballjes ndaj Brazilit. Gjatë konferencës për shtyp është vënë re gjithashtu edhe trajneri Ståle Solbakken duke kollitur, çka ka shtuar shqetësimet në kampin norvegjez.

    Angli – Norvegji konsiderohet një nga përballjet më interesante të çerekfinaleve të Botërorit 2026, por përpara se të sfidojnë njëra-tjetrën në fushë, të dyja kombëtaret po përpiqen të fitojnë edhe betejën me virusin.

  • Oficerë të FSK-së diplomojnë në Shqipëri, u stërviten për drejtim të operacioneve ushtarake

    Oficerë të FSK-së diplomojnë në Shqipëri, u stërviten për drejtim të operacioneve ushtarake

    Në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë diplomuar me sukses në Kursin e Lartë të Oficerit dhe në Kursin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm, ka njoftuar sot FSK.

    Forca tha se këto programe të avancuara të edukimit ushtarak kanë për qëllim zhvillimin e njohurive dhe aftësive profesionale për planifikimin, organizimin dhe drejtimin e operacioneve ushtarake në mjedise komplekse të sigurisë.

    “Ato përgatisin oficerët për të marrë vendime të bazuara në vlerësime profesionale dhe për të ofruar këshillim ushtarak në proceset e planifikimit dhe përdorimit të forcës. Përfundimi me sukses i këtyre kurseve përfaqëson një arritje të rëndësishme në zhvillimin profesional të oficerëve të FSK-së, duke kontribuar në ngritjen e kapaciteteve udhëheqëse dhe operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës”.

    Gjithashtu, FSK tha se kjo ngjarje dëshmon bashkëpunimin e ngushtë dhe të qëndrueshëm ndërmjet institucioneve ushtarake të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë në fushën e edukimit dhe aftësimit ushtarak.

  • RTK pa paga prej 10 ditësh, sindikatat paralajmërojnë protestë të hënën

    RTK pa paga prej 10 ditësh, sindikatat paralajmërojnë protestë të hënën

    Federata Sindikale e RTK-së dhe SPERTK kanë paralajmëruar protesta, duke bërë të ditur se kanë përfunduar të gjitha mundësitë për pritje lidhur me ekzekutimin e pagave të punonjësve.

    Sipas njoftimit të sindikatave, sot është dita e 10-të që punëtorët e transmetuesit publik janë pa paga të rregullta.

    “Pas takimit urgjent të zhvilluar me U.D. Drejtorin e Përgjithshëm të RTK-së, u kërkua alokimi i menjëhershëm i mjeteve, Sindikatat vendosin këtë ultimatum të prerë: Nëse pagat nuk alokohen në llogaritë e punëtorëve gjatë ditës së sotme, nga dita e hënë do të fillojmë me protesta. Të hënën, më 13 Korrik 2026, në ora 11:30, ftojmë të gjithë punëtorët pa dallim që të bashkohen në protestë para objektit të RTK-së- TV. Duhet ta bëjmë të qartë se paga nuk është privilegj, por është një e drejtë elementare dhe ligjore që po u mohohet punëtorëve të RTK-së”, thuhet në komunikatën për media.

    Federata Sindikale e RTK-së dhe SPERTK kanë kritikuar Bordin dhe Menaxhmentin e RTK-së, duke i akuzuar për dështim në menaxhimin e situatës dhe për përsëritje të krizave me pagat e punëtorëve.

    “Nuk ka më hapësirë për premtime apo arsyetime burokratike që rrezikojnë mirëqenien e qindra familjeve. Përveç bllokimit të procesit të punës, Federata Sindikale e RTK-së dhe SPERTK nga e hëna do të kërkojë llogaridhënie të plotë ligjore dhe morale. Këto dy organe të RTK-së po luajnë normalitetin ndonëse situata aspak nuk është normale Kjo papërgjegjshmëri është duke u përsëritur, ndonëse ligji i obligon edhe Bordin edhe Menaxhementin të sigurojnë funksionim normal të RTK-së”.

    “Bordi dhe Menaxhmenti kanë treguar dështim total, paaftësi operative dhe shkelje të drejtave elementare. Rikujtojmë se ky nuk është lëshimi i tyre i parë; të njëjtit (Bordi) dhe menaxhmenti, janë përgjegjës që i lanë punëtorët pa paga edhe gjatë muajve të kaluar. Përsëritja e këtyre krizave tregon qartë se këta zyrtarë janë tërësisht të paaftë për ta ushtruar këtë veprimtari dhe për të udhëhequr transmetuesin publik. Gjendja ekonomike e kolegëve tanë nuk pret më. Ftojmë të gjithë punëtorët e RTK-së që të qëndrojnë të bashkuar dhe të gatshëm për të mbrojtur dinjitetin dhe djersën tonë”, thuhet në komunikatë.

  • Media argjentinase i kushton reportazh Granit Xhakës: Kapiten me histori, karakter dhe shpirt luftarak

    Media argjentinase i kushton reportazh Granit Xhakës: Kapiten me histori, karakter dhe shpirt luftarak

    Në prag të çerekfinales së Kupës së Botës 2026 mes Zvicrës dhe Argjentinës, mediumi argjentinas Canal26 i ka kushtuar një reportazh të gjatë kapitenit të Zvicrës, Granit Xhakës, duke e cilësuar atë si liderin e padiskutueshëm të kombëtares helvetike dhe një futbollist, historia e të cilit shkon përtej fushës së blertë.

    Në artikullin me titull “Granit Xhaka, kapiteni i Zvicrës që do të përballet me Argjentinën: historia e mërgimit, karakterit dhe një rivaliteti të nxehtë me Serbinë”, mediumi ndalet te rrënjët shqiptare të mesfushorit, historia e familjes së tij dhe rrugëtimi që e shndërroi në një nga futbollistët më të rëndësishëm të Evropës.

    “Pas shiritit të kapitenit të Zvicrës fshihet një histori që përfshin mërgimin, përndjekjen politike, identitetin dhe karakterin e fortë. Xhaka nuk është vetëm një lider në fushë, por edhe simbol i një familjeje që u detyrua të largohej nga vendlindja”, shkruan Canal26.

    Artikulli rikujton se babai i Granitit, Ragip Xhaka, kaloi disa vite në burg në ish-Jugosllavi për shkak të aktivitetit të tij politik në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve të Kosovës. Më pas, familja emigroi në Zvicër, ku lindi dhe u rrit Graniti. Sipas mediumit argjentinas, kjo histori ka ndikuar në formimin e karakterit të tij luftarak dhe mentalitetit fitues.

    Canal26 ndalet edhe te rivaliteti i Xhakës me Serbinë, duke kujtuar ndeshjen e Botërorit 2018 dhe festimin me shqiponjën dykrenare, një moment që, sipas artikullit, e bëri mesfushorin një nga figurat më të komentuara të futbollit botëror. Gjithashtu përmendet edhe përballja mes dy kombëtareve në Botërorin 2022, ku tensionet u rikthyen sërish në qendër të vëmendjes.

    Në analizën e saj, media argjentinase vlerëson edhe karrierën e Xhakës në futbollin evropian, duke përmendur sukseset me Borussia Mönchengladbach, Arsenalin dhe Bayer Leverkusen, ku është shndërruar në një nga mesfushorët më të kompletuar të kontinentit.

    Në përfundim, Canal26 thekson se Argjentina nuk do të ketë përballë vetëm një skuadër të organizuar, por edhe një kapiten me histori, karakter dhe personalitet të jashtëzakonshëm.

    “Kur Argjentina të zbresë në fushë për të mbrojtur titullin botëror, përballë Lionel Messit nuk do të jetë vetëm një ekip i fortë, por edhe një lider si Granit Xhaka, motori i Zvicrës dhe një nga kundërshtarët që ‘Albiceleste’ duhet ta neutralizojë”, përfundon artikulli i mediumit argjentinas.

  • Eliminimi i trafikut në Veternik, Përparim Rama zbulon projektin për rrugë të reja për lehtësuar hyrjen në Prishtinë

    Eliminimi i trafikut në Veternik, Përparim Rama zbulon projektin për rrugë të reja për lehtësuar hyrjen në Prishtinë

    Kreu i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se projektit për lagjen periferike të Prishtinës, Veternikun, është finalizuar.

    Rama ka thënë se përmes këtij projekti, do të krijohet lidhje e re mes Rrugës A dhe Lagjes Emshir, për të lehtësuar dhe shkarkuar trafikun në hyrje të Prishtinës,

    “Projekti i penetrimit të Veternikut është finalizuar.Me këtë investim krijojmë një lidhje të re ndërmjet Rrugës A dhe lagjes Emshir, duke lehtësuar ndjeshëm qarkullimin dhe duke shkarkuar trafikun në hyrje të Prishtinës, veçanërisht për automjetet që vijnë nga Gjilani, Ferizaj dhe autostrada”, ka shkruar Rama.

  • Shenoll Muharremi për deklaratat e Kurtit: Mos u bëj “Drama Queen”, Ardian Gjini nuk të refuzoi, por të ofroi zgjidhje

    Shenoll Muharremi për deklaratat e Kurtit: Mos u bëj “Drama Queen”, Ardian Gjini nuk të refuzoi, por të ofroi zgjidhje

    Analisti politik Shenoll Muharremi ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili tha se “nuk beson që është në rregull që një parti e respektuar siç është Aleanca të refuzojë takimin me mua si kryeministër”.

    Përmes një postimi në Facebook, Muharremi e ka kritikuar Kurtin, duke thënë se vetë ai mban përgjegjësi për situatën e krijuar, pasi në të kaluarën nuk e kishte ftuar Aleancën në takime dhe kishte treguar, sipas tij, mungesë respekti ndaj kësaj partie.

    “Nuk e ke thirrur në takime Aleancën herën e kaluar. Ke treguar mosrespekt dhe je munduar me e poshtëru e me i paraqitur si të parëndësishëm, edhe pse votat e AAK-së në disa kombinime e kishin ndihmu gjetjen e zgjidhjes”, ka shkruar Muharremi.

    Ai ka vlerësuar gjithashtu qasjen e kryetarit të Aleancës, Ardian Gjini, duke theksuar se ky i fundit nuk e ka refuzuar ftesën e Kurtit, por përkundrazi i ka dërguar letër, duke shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje për krijimin e institucioneve.

    Sipas Muharremit, kërkesat e paraqitura nga Gjini janë në interes të publikut dhe jo të interesave partiake.

    Në fund të reagimit, analisti i ka bërë thirrje Kurtit të heqë dorë nga, siç e ka quajtur ai, “loja e viktimës” dhe të fokusohet në ndërtimin e një zgjidhjeje.

    “Mos vazhdo me u ba ‘Drama Queen’ e me luajt lojën e viktimës, por bëhu konstruktiv dhe gjej zgjidhje”.

  • Spanja dhe Belgjika përballen sonte për një vend në gjysmëfinalen e Botërorit 2026

    Spanja dhe Belgjika përballen sonte për një vend në gjysmëfinalen e Botërorit 2026

    Një nga ndeshjet më të shumëpritura të Kupës së Botës 2026 zhvillohet sonte në Los Angeles, ku Spanja dhe Belgjika do të duelojnë në çerekfinale për një vend mes katër kombëtareve më të mira të turneut.

    Takimi nis në orën 21:00 sipas kohës sonë dhe pritet të sjellë futboll të nivelit më të lartë, me dy përfaqësuese që kanë treguar formë të shkëlqyer gjatë këtij Botërori.

    Pesha e kësaj sfide është e madhe, pasi fituesi do të sigurojë kualifikimin në gjysmëfinale, ku e pret Franca, ndërsa humbësi do t’i japë fund rrugëtimit në Kupën e Botës 2026.

    Spanja mbështetet te loja e saj karakteristike, e bazuar në posedimin e topit, qarkullimin e shpejtë të pasimeve dhe cilësinë teknike. Mesfusha spanjolle ka qenë një nga repartet më të forta të turneut, duke diktuar ritmin e ndeshjeve, ndërsa lojtarët e krahëve kanë krijuar vazhdimisht rrezik për mbrojtjet kundërshtare.

    Në anën tjetër, Belgjika është paraqitur me një skuadër të rifreskuar dhe dinamike, duke treguar fleksibilitet taktik dhe tranzicione të shpejta nga mbrojtja në sulm. “Djajtë e Kuq” kanë mjaft cilësi në repartin ofensiv për të ndëshkuar çdo gabim, por do të përballen me një mbrojtje spanjolle që deri tani ka qenë ndër më të mirat e turneut.

    Me një biletë për në gjysmëfinale dhe një përballje ndaj Francës që pret fituesin, gjithçka është gati për një tjetër mbrëmje spektakolare në Botërorin 2026.

    Spanjë – Belgjikë luhet sonte në stadiumin e Los Angeles, me fillim nga ora 21:00.

  • Vedat Muriqi pranë rikthimit, pritet të luajë në miqësoren e Fenerbahçes

    Vedat Muriqi pranë rikthimit, pritet të luajë në miqësoren e Fenerbahçes

    Vedat Muriqi ka bërë përparim të madh në procesin e rikuperimit dhe pritet të rikthehet shumë shpejt në fushë me fanellën e Fenerbahçes.

    Sipas raportimeve të beIN Sports, trajtimi i sulmuesit kosovar po ecën sipas planit, ndërsa ai tashmë është gati të jetë pjesë e ndeshjes së parë të skuadrës turke në fazën përgatitore.

    Muriqi pritet të aktivizohet për rreth 15-20 minuta në rikthimin e tij, me synimin që të rifitojë gradualisht ritmin e garës dhe formën optimale fizike pas lëndimit.

    Rikthimi i 31-vjeçarit konsiderohet një lajm shumë i rëndësishëm për Fenerbahçen, pasi trajneri do të ketë sërish në dispozicion një nga pikat kryesore të repartit ofensiv për sezonin e ri.

    Ndeshja e radhës e Fenerbahçes në kuadër të përgatitjeve verore do të zhvillohet më 11 korrik ndaj skuadrës polake Pogon Szczecin, sfidë në të cilën pritet edhe rikthimi gradual i Vedat Muriqit në aksion.

  • Kylian Mbappé vazhdon të shkruajë histori, thyen rekorde të reja në Kupën e Botës

    Kylian Mbappé vazhdon të shkruajë histori, thyen rekorde të reja në Kupën e Botës

    Kylian Mbappé po vazhdon të lërë gjurmë në historinë e futbollit botëror, duke vendosur rekorde të reja me paraqitjet e tij në Kupën e Botës 2026.

    Sipas të dhënave të Opta, sulmuesi francez është lojtari i vetëm në 60 vitet e fundit që ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në të paktën 10 gola në dy edicione të ndryshme të Kupës së Botës. Në Botërorin e vitit 2022 ai regjistroi 10 kontribute në gola, me tetë gola dhe dy asistime, ndërsa në edicionin e vitit 2026 ka arritur në 11 përfshirje direkte, falë tetë golave dhe tre asistimeve.

    Ylli i Real Madridit ka vendosur edhe një rekord tjetër historik, duke u bërë futbollisti me më shumë gola që i kanë dhënë epërsinë kombëtares së tij në Kupën e Botës. Deri tani, tetë nga golat e tij në këtë turne kanë kaluar Francën në avantazh, më shumë se çdo lojtar tjetër në historinë e kompeticionit.

    Mbappé është gjithashtu pranë një rekordi tjetër të madh. Me 11 përfshirje direkte në gola në Botërorin 2026, ai po i afrohet arritjes legjendare të Gerd Müller, i cili në Kupën e Botës 1970 ishte përgjegjës për 13 gola, duke shënuar 10 dhe asistuar në tre të tjerë.

    Rekordet e francezit nuk ndalen vetëm në Kupën e Botës. Në moshën 27-vjeçare, ai është bërë lojtari i parë në historinë e kombëtares së Francës që ka kaluar shifrën e 100 përfshirjeve direkte në gola, me 64 gola dhe 37 asistime.

    Me ritmin që po mban, Mbappé po forcon gjithnjë e më shumë statusin e tij si një nga futbollistët më të mëdhenj në historinë e këtij sporti.